Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/05

Akademik Moikom Zeqo dhe letra e dikurshme dërguar Akademik Rexhep Qosjës

Çfarë pengon që Kadareja dhe Ju, po edhe Presidenti Berisha dhe Presidenti Rugova të jenë tok, t’i kapërceni mëritë, populli t’ju shohë në çdo hap sëbashku, që t’i ngjallet shpresa, t’i largojë dilemat, që lumpenshtypi të marrë fund, që lumpenpsikologjia të fashitet, që lumpenmediokriteti të mos na shtypë në thundrat e tij?

Nga Moikom Zeqo
I nderuar Rexhep,
Ju përshëndes dhe ju përqafoj.
Mos u tut bacë! Goditja gurin e çau, drurin e thau, por njeriu e mban!
Shpifja e vetëkënaqur është bërë një kimerë publike. Ajo zgjat kthetrat, ulërin triumfuese, zotëron dhunshëm skenën shqiptare, helmon vetëdijen tonë, dehumanizon dhe terrorizon gjithçka.
Përballë kësaj kafshe heraldike të dhunës në shekuj rri njeriu i thjeshtë, që është esencialisht Njeri. Sulmi është jashtëzakonisht i egër.
Shpifja shpreson në iluzionin e fitores përfundimtare mbi njeriun e pambrojtur, sundon mbi masakrën e saj, dinake dhe e pabesë, lëpin gjakun e shenjtë të viktimave, po pikërisht, ky gja është helmi më i tmerrshëm për atë vetë. Kjo s’ka asnjë dyshim.
Rexhep Qosja! Emri juaj i ndritur është emri i nderit!
Shpifja dhe kur ka emra është përherë anonime. Emrat e turpit njeriu fisnik do t’i harrojë.
Po, megjithatë sckpta manent.
Historia është një kujtesë e tërëfuqishme dhe supreme.
Njeriu ndruhet nga Historia, po jo nga Shpifja.
Vdekja është e pranueshme për njeriun, por nuk është e pranueshme të mos jesh Njeri.
I lindur shqiptar në gjysmën e parë të shekullit, guxojnë të mos ju quajnë shqiptar në fundin e shekullit.
Po pse vallë?
“Sharjet janë arsyet e mëdha për ata që s’kanë arsye” (Servantes).
Jeta juaj krijuese dhe intelektuale e pashembullt është përherë më shumë, se sa, mosha juaj.
Në fillim të mijëvjeçarit të tretë ankthi i Shqipërisë është dhe ankthi juaj.
Juve, ithtar i patrembur i Shpresës, ju mohojnë dhe identitetin. Kështu, për paradoks, ju u gjendët befas midis dy anatemave të tmerrshme, polifemike.
Dhe mua m’u kujtua sadizmi i përshkruar në “Kopshtin e torturave” të Mirbosë, si dhe thënia e paharruar e këtij shkrimtari: “preferoj të jem një luan i vdekur se sa një qen i gjallë”.
Anatema e parë
A është shpirti i kombit shqiptar Pema e Ndaluar? (“Ndalohet t’i provosh frutat nga ajo pemë. Përndryshe aty për aty do dënohesh me vdekje”, Gjeneza, 2,17)
Shpirti i kombit për ju është gjithçka, si për çdo shqiptar të vërtetë.
Shpirti i kombit është tepër i lashtë, më e rëndësishme për të është, jo të themi ishte dhe është, po edhe do të jetë. E tashmja ndërmjetëson të kaluarën dhe të ardhmen. Po çdo e ardhme bëhet e tashme dhe e kaluara, pra, në këtë triumvirat të kohës përjetohen gjithmonë atributet e së ardhmes.
Koha është potencialisht vetëm e ardhme.
Nga kjo pikëpamje më shumë se para historisë aktuale jemi përgjegjës para historisë që vjen. Ky është determinizmi madhështor i historisë, filozofia e saj, e pashlyeshme.
Ju i dashur Qosja, e keni kuptuar në thelb këtë gjë. Shpirti i kombit është tek ju dhe ju zotëron në të gjitha indet. Vetëkuptohet, që Ju, do t’i prisni të tëra dënimet publike, të mundshme dhe bile, edhe të paparashikueshme. Së pari, këtë gjë do ta bëjnë, ashtu siç e kanë bërë, armiqtë e kombit shqiptar. Ata kanë sulmuar në kryqëzatë të pabesueshme kombin tonë, për ta mohuar tërësisht. Ky mohim është bërë me të gjitha mënyrat dhe mjetet, aq sa, në Martirologun e Njerëzimit kombi shqiptar jo thjesht se i fillon emri me germën e parë të rendit alfabetik shquhet që në fillim. Kjo është historia jonë, e cila, është tepër e dhimbshme, por dhe tepër krenare, sepse ne kemi mbijetuar, jo thjesht, se kemi marrë frymë.
Nuk di, për asnjë komb tjetër të botës, që të ekzistojë një teori e mohimit dhe e shkatërrimit deri në fund.
Shovinistët e huaj, midis të cilëve dallohet shovinizmi serb, kanë botuar libra, elaborate, studime akademike, etj. me të cilat kanë përvijuar teorinë e shkatërrimit të kombit shqiptar, në formën e një albanofobie të çuditshme dhe të një platforme konceptuale, të denjë, për kanibalët kundër shqiptarëve. Të mos harrojmë, se një mitologji e tillë e egër, pseudoshkencore dhe politike, ka rënduar mbi mendësitë edhe mbi vetëdijen e popujve ballkanikë e europianë, duke përhapur paragjykime e teza nga më absurdet. Kjo gjë në kohën tonë është tepër e rëndë. Por pikërisht në këtë kohë intelektualë më të mëdhenj të kombit shqiptar kanë luftuar me një dinjitet të veçantë, për të afirmuar të drejtën natyrore historike dhe kulturore të kombit shqiptar, duke rrëzuar çdo teori të shkatërrimit, apo të vetëshkatërrimit për shqiptarët. Sepse kombi është Guliveri, në këmbët e të cilit, liliputët hedhin rrufetë e tyre liliputiane… Duke vlerësuar lart librat, që keni shkruar ju, shoh, se si, përpëliten inkuizitorët antishqiptarë, shoh si thërrmohen e bëhen copë e çikë formulat groteske të skllavërimit të kombit tonë. Në këtë luftë, nga më të habitshmet e historisë moderne të kontinentit tonë të vjetër, Ju Profesor, keni triumfuar sepse, keni qenë me kombin dhe kombi është me Ju, deri në fund. Armiqtë e kombit janë armiqtë tuaj më të tërbuar. Pikërisht, shovinistët serbë kanë bërë anatemën më të madhe më të pabesueshme kundrejt jush. Mijëra artikuj, një gjenocid mendor kundër jush, cilësime nga më të skajshmet, sintetizuar, në togfjalëshin “armiku më i madh i Serbisë së Madhe” formulojnë Anatemën e Parë dhe të shumëfishtë ndaj jush. Kjo gjë dihet. Nuk duhet pritur gjë tjetër. Kjo ju nderon dhe është prova juaj historike.
Lum kush e ka këtë provë dhe mjerë ai, që nuk e ka. Kjo është prova e dinjitetit dhe e logjikës, prova e njeriut të lirë kundër skllavërisë fizike dhe mendore.
Dosja Qose është një dosje e hapur për të gjithë.
Si një refleks e bile binjakëri, sozie e Anatemës së Parë këto kohët e fundit për një paradoks të dhimbshëm u shfaq mizorisht dhe…
Anatema e dytë
Duke mbrojtur idenë e kombit të bashkuar, Ju i nderuar Profesor, mbrojtët të vërtetën. Ju keni vetëm një armë, atë të fjalës, atë “të forcës së tmerrshme të arsyes”, siç thoshte filozofi Sokrat.
Ju nuk keni as kobure, as TV, as gazeta dhe as mjete të administratës shtetërore. Ju keni vetëm librat tuaj, por kjo mjafton. Nuk është asnjëherë pak të kesh libra si tuajat. Ato janë të vërteta testamentale dhe jo lojra burleske të alibive të çastit.
Duke qenë i shqiptarëve Ju i jeni drejtuar përherë shqiptarëve. Edhe kur keni polemizuar me të huajt Ju e keni konsideruar këtë përsëri si dialog me shqiptarët e tu. Shqiptarët e ndershëm të kanë kuptuar.
Kombi shqiptar rrëzoi diktaturën totalitare dhe në ekuinoksin e demokracisë, që në ditët e para mbante portretet tuaja, duke treguar kështu respektin dhe dashurinë. Kështu ka ndodhur para dy vjetësh. Kronika nuk mund të përgënjeshtrohet nga askush. Po tani?
Adam ubi es?
Simbolet e vetëshpallura të demokracisë dhe demokracia nuk përputhen, nuk janë e njëjta gjë. Dikush përfitoi me emrin tuaj, për ta rrëzuar atë, kur nuk i hynte më në punë. Kjo është sa e turpshme, aq edhe ndjellakeqëse.
Në një konferencë shtypi Presidenti Berisha Ju quajti “romantik” dhe jo “realist”. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Presidenti ka të drejtë të thotë publikisht mendimin e tij, ashtu siç ka të drejtë çdo shqiptar i thjeshtë dhe të jetë i lirë në mendim.
Po cilësimi presidencial qe eufemizëm!
Në letrën e hapur për Presidentin Berisha Ju mbrojtët tri koncepte kryesore, që lidhen me çështjen kombëtare shqiptare. Kjo është e drejta juaj. Si në një metamorfozë kafkiane “romantizmin” tuaj e përkthyer në “armik” “aventurier”.
Nga një burrë i madh i kombit ju u bëtë Herostrat!?
Në hapësirën informative papritur u bë “një prishje moti”, u ndjenë bubullima e vetëtima sulfurike. Kabineti i Presidentit ju përgjigj (çfarë fleshi jupiterian!) ndërmjet një zëdhënësi anonim. Berisha nuk e quajti të udhës dhe normë dinjiteti t’ju përgjigjej vetë Juve, dmth drejtpërdrejt Qoses. Pse? Zëdhënësi komenton, se Qosja sugjeron “… akte të terrorizmit, duke evokuar lëvizjet e quajtura revolucionare, që zhvillojnë veprimtari terroriste dhe të bazuara në platforma marksiste-leniniste në zona të ndryshme të Europës… metoda terroriste që përdoren në lëvizjet baske, irlandeze apo korsikane, etj.”, “shpresojmë se ky ka qenë një moment dëshpërimi për zotin Qosja”, etj.
Fill mbas këtij leksioni shkollor publik e shpërfillës në shtypin e PD e në fletushka të tjera të “Yelloë press” u shkruan me shpejtësi e me një ligësi të ethshme artikuj derivatë nga më të pështirët dhe nga më të ndyrët, duke lëvizur në mekanizmin e shtypshkronjave mekanizmin e gijotinës.
Factotumi i sklerizuar i komunizmit dhe njëkohësisht i antikomunizmit, alias “krijesa frankeshtajne”, Bujar Hoxha, “farkëtoi” Anatemën e Dytë, tinëzisht dhe në mënyrë spekulative.
Po citoj vetëm cilësimet, fjalorin kobëzi të sharjeve: “Rexhep Qosja avokat dhe profet i aventurës”, “donkishot në politikë, donkishotizmi i Qoses është më i keqi se është donkishotizëm i kuq”, “spekulator i detyruar të interpretojë sipas skemave, që i serviren nga padronët (serbët dhe Milosheviçi)”, “qytetar i lirë (pa atdhe dhe komb) me ambicie karrieriste të pashtershme, që nuk arriti të përfaqësojë një forcë politike “marksiste leniniste” (RD 20 janar 1993), si dhe “aventurier”, “dëmtues i interesave jetësore të popullit tonë”, “egocentrik megaloman, paranoik, hakmarrës i paparimtë, “përçarës i kombit nga të dy anët e kufirit”, “ambicioz i paskrupullt, mendjemadh i pandreqshëm, hakmarrës sipas thënies “për inat të sime vjehrre fle me mullixhinë”, si dhe “historian” (dmth pseudohistorian), “me botëkuptim stalinisto-titoist-enverian”, “armik i shpalljes së Republikës së Kosovës”, “nismëtar i një opozite antidemokratike në Republikën e Kosovës”, “aleat i kamufluar i forcave antikombëtare, antishqiptare e antidemokratike”, e më në fund si sensacioni më i madh i këtij fundshekulli “Rexhep Qosja është Rexhep Qosiq” (RD 21 janar 1993, autor i shkrimit B.H.).
Në mënyrë të pandershme Televizioni shqiptar nuk e transmetoi letrën Tuaj drejtuar Berishës dhe në të kundërt, transmetoi vetëm përgjigjen e zëdhënësit anonim të kabinetit presidencial. Kjo ishte një flakje e dorezës në fytyrë, që një i një rangu më “të lartë” i bën një tjetri të rangut “më të ulët”. Po ana konvencionale e epiteteve “i lartë” dhe “i ulët” kuptohet fare lehtë, pa asnjë mundim. Televizioni është kryemjeti i informacionit, i pazëvendësueshëm nga askush. Edhe gazeta me tirazh më të madh është e pafuqishme në raport me televizionin. Kështu që jam i bindur, se opinioni shqiptar nuk u informua dot në mënyrë të lirë e të paanshme për atë, që u quajt debati, ose skandali Berisha-Qosja.
Ndoshta edhe një “lapsus” kishte një kuptim të caktuar, sikur letra tuaj u botua për herë të parë në ZP, gati e shkruar posaçërisht për të.
Jo! Letra u botua së pari në gazetën “Zëri” të Kosovës. Mbas këtij fakti publik çdo gazetë, ose mjet informimi mund, ose jo, ta riprodhojë.
Qëllimi ishte të të shpallnin “agjent” të Partisë Socialiste, kur dihet nga të gjithë, që Ju, nuk i përkisni asnjë partie politike. Ju s’bëni lojën e asnjë partie dhe keni të drejtë për pozicionin Tuaj, sepse kështu e keni menduar.
Kush mund t’jua mohojë këtë të drejtë elementare?
Mos ndoshta duhet të jeni “ndihmës partiak”?
Intelektualin e vërtetë nuk e instrumentalizojnë partitë. Ai paktin e vet e bën me kombin.
“Servilizmi është shërbëtori i tiranisë”, ka thënë Sami Frashëri në fundin e shekullit të kaluar.
“Heretizmi” Juaj jo partiak u ndëshkua, duke dashur t’ju mbërthejnë me “këmishën e forcës” të gazetave partiake, që tani shikojnë te Ju kryearmikun, të çmendurin.
Linçimi publik i figurës tuaj u bë! Amin!
Djalli i bekoftë të gjithë!
Kjo gjë tronditi rëndë vetëdijen e shqiptarëve dhe të krejt kombit. Askush nuk ka të drejtë të jetë indiferent dhe të heshtë përpara kësaj katrahure, të amplifikuar nga mas media, askush nuk mund të mbetet i paanshëm.
Historia do të na gjykojë jo vetëm ahere, kur folëm, por edhe ahere, kur heshtëm.
Duke ju ofenduar Juve kaq rëndë, anatemuesit tuaj groteskë ofenduan çdo njeri dhe intelektual të ndershëm, që shikon tek Ju mbrojtësin e të Vërtetës.
Sulmi ndaj Jush nuk është aspak i rastit.
Intelektualofobia është sot në rendin e ditës. Në asnjë komb të Europës, ose edhe të Botës nuk ka patur në një kohë kaq të shkurtër sharje dhe hedhje balte mbi intelektualët e mëdhenj, siç ka ndodhur te ne në Shqipëri. Dihet që, intelektualët e mëdhenj nuk bëhen as me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u ngritën mbi mediokritetin, u shquan, u vunë në reliev me anë të një pune dhe vullneti të pazakontë me anë të talentit të jashtëzakonshëm.
Një popull, që nuk i nderon intelektualët ai ka vetëvrarë të ardhmen e vet.
Intelektualët e mëdhenj nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë, synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë saj.
Ata janë kombi i personalizuar me vetvetet e tyre.
Tani për Ju, i nderuar Qosja, përsëritet i njëjti rit arkaik dhe kanibalesk i anatemës.
Në kohën kur ideja e Europës së Bashkuar është një triumf i demokracisë humaniste befas gëluan në të naziskinët. Por ata nuk janë asgjë përpara naziskinëve shqiptarë, që duan të shqyejnë, të terrorizojnë intelektualët më të mëdhenj të kombit.
Jam i sigurtë se në këtë moment inkuizicionist kombi do të jetë me intelektualët e vet dhe intelektualët do të jenë me kombin. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. (“Askush nga ne nuk vdes pavarësisht nga të tjerët” shën Pali, Romakëve, 14.7.).
Por kush janë ata që ju sulmojnë juve?
Kush është B.H.?
Sipas parimit primitiv patriarkal të hakmarrjes ju sulmoi in extremis. Unë mendoj, se nuk ia vlen të replikosh me të.
Më e tmerrshme është filozofia e sulmit të tij, se sa, vetë sulmi!
Kombi është subjekt i papjesëtueshëm
Duke dalë nga kllapat (prangat) e dy anatemave Ju Profesor, argumentoni me qartësi idetë tuaja.
Çështja kombëtare është në fokus të vëmendjes të të gjithëve.
Nuk do të zgjidhet kurrë drejt kjo çështje, nëse nuk gjykojmë saktë dhe si duhet për të.
Kombi shqiptar është një subjekt i papjesëtueshëm.
Kush ka fuqi për ta mohuar këtë të vërtetë?
Shqiptarët janë një komb unik, me individualitet të veçantë, me tragjedi të mëdha, çka e bën historinë e tyre nga më heroikët. Ky komb unik, i ftillëzuar, që në kohërat më të lashta, sot përjeton një krizë të identitetit, më tepër nga të tjerët, të cilët, padrejtësisht nuk ja marrin parasysh këtë identitet.
Kriza e identitetit është e kundërta e kombit unik.
Historia në mënyrë të pamëshirshme e ka vënë kombin shqiptar në shtratin e Prokustit.
Ky komb i papjesëtueshëm në thelbin e vet etnik sot ekziston i pjesëtueshëm në rrafshin shtetëror.
Vetëm gjysma e kombit jeton brenda kufijve, të sotëm politikë, gjysma tjetër jashtë këtyre kufijve është pjesëtuar nga kufijtë politikë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Ky pjesëtim i dhunshëm dhe i padrejtë historikisht, është në kundërshtim me logjikën e kombit unik shqiptar.
Ose do të pranojmë, se kombi unik nuk ekziston, ose do të pranojmë, se copëtimi i tij është fatalisht i përjetshëm.
Pra, kontradikta e kombit de facto me kombin de jure është kontradikta e koncepteve dhe e kundërthënies, të mendimeve të ndryshme politike për një çështje të vetme.
Ju i dashur Qosja, duke mbrojtur konceptin e kombit unik, me të drejtë, keni shkruar për një program unik kombëtar, për një strategji të bashkimit kombëtar. E gjitha kjo, ka qenë e argumentuar dhe me një logjikë të pakundërshtueshme. Ky bashkim kombëtar, vërtet, nuk është aspak një çështje ditësh dhe nuk do të jetë aq e lehtë, por në vizion në atë, që ne e quajmë të ardhme, kombi, duke mos qenë i pjesëtueshëm nga të tjerët, është i barazvlefshëm vetëm me vetveten.
Asnjë teori e së drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe e ekzistencës njerëzore nuk mund ta mohojë dot kombin shqiptar. Është e pamundur, sepse ai, ekziston prej shekujsh dhe ndonëse në shekuj ka patur fatin e keq të jetë nën struktura politike dhe shtetërore të huaja dhe kozmopolite prap se prapë, ka mundur të mos shpërbëhet, të mos denatyrohet, të mos zhduket.
Ky ligj i mbijetesës për të kaluarën vlen edhe për të ardhmen.
Nuk duhen fetishizuar kurrë kompozimet politike dhe shtetërore aktuale në Ballkan.
Kanë ndodhur gjëra të pabesueshme, u shkatërrua perandoria sllavo-komuniste e BS, u shpërbë Jugosllavia e Dytë. A nuk qenë dikur këto struktura shtetërore gati tabu?
Aherë pse ne, shqiptarët, do t’i quajmë të përjetshme ndarjet e pjesëve të trupit të kombit nga shtetet e tjerë etnikisht të huaj? Nga kjo pikëpamje kombi unik shqiptar do të triumfojë një ditë.
Në Ballkan çështja shqiptare është thelb i gjërave. Në kushtet jashtëzakonisht të rrezikshme të fashistoidëve serbë, që kanë ndezur flakën e luftës në rajon, çështja kombëtare shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Ajo është ndërkombëtarizuar si kurrë ndonjëherë. Dhe pikërisht në këto çaste ka njerëz, që e humbin shpresën në të, që nuk kanë besim dhe madje e quajnë si një çështje romantike të tejkaluar.
Ju, i nderuar Qose, keni bërë apelin e kohës.
Kush nuk ka veshë le të mos dëgjojë, kush nuk ka sy le të mos shikojë.
Po çdo të thotë komb i papjesëtueshëm?
Duhet barazuar me togfjalëshin e bujshëm e spekulativ “Shqipëria e Madhe”?
E kam thënë shumë herë, se ky është një apelacion absurd, që huton diletantët e injorantët.
Ballkani është rajoni, për exsellence, i apelacioneve, që në vetvete janë programe politike.
Shovinizmi serb në apelacionin “Serbia e Madhe” kupton jo territorin e tokave të serbëve etnikë, po edhe të shqiptarëve e etnive të tjera. Koncepti perandorak i Stefan Dushanit është arketipi i Serbisë së Madhe.
Apelacioni i “Megali idesë” i shovinizmit grek tingëllon, siç ka shkruar vetë De Rada një shekull më parë, si rilindja e perandorisë bizantine, e ka në thelb aneksimin e tokave të tjera jo greke.
Këto dy apelacione janë të dështuara, po kjo s’do të thotë se nuk janë ende të rrezikshme.
Shqiptarët asnjëherë nuk janë shprehur për veten “Shqipëria e Madhe”, po vetëm për Shqipëri etnike, natyrore. Brenda kufijve të saj etnikë nuk aneksohen toka të tjerëve, përkundrazi. Copëtimi i kombit tonë është i pashembullt në histori.
Kur flasin për bashkim shqiptarët kuptojnë atë, që u përket dhe jo për atë, që nuk u përket, për atë që është e tyrja, dhe jo për atë, që është e të tjerëve.
Ky është një ndryshim kolosal i pakontestueshëm në raport me apelacionet e koduara të shovinistëve ballkanikë.
I dashur Qosja!
Ju, keni të drejtë, që këmbëngulni, që çështja shqiptare të shtrohet në mënyrë paqësore e demokratike si një e tërë, unike, duke mos e injoruar faktin historik, që ajo, është edhe një çështje e përbërë.
moikom qosjaKombi shqiptar në erën e demokracisë bëri gjeste të mrekullueshme, çka e bën popullin tonë të jetë në lartësinë e duhur të qytetërimit.
Vetëm një popull fisnik, i emancipuar, i shpall të drejtat e tij në rrugë paqësore, duke ju shmangur primitivizmit ballkanik, grackave të shovinizmit shqiptarofag, si dhe alibive të një lufte, që do të qe një katastrofë e tmerrshme. Padyshim kjo është një përparësi. Padyshim ky është një dinjitet.
Po në përfundim të kësaj historie, një mëngjes, shqiptarët me të drejtë do të pyesin: “Luftuam dhe sakrifikuam për Kosovën Republikë”? A qe një ëndërr, një republikë mitike? Qeveria dhe Presidenti Rugova janë shpikje e fantazisë dhe makinës publicistike? Çfarë fituan shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi? Mos vallë ka dhe një Shqipëri mitike, të paqenë?”.
Jam i prirë që të besoj të kundërtën! Nuk do të ndodhë kështu!
Le të marrim formulën e trumbetuar “të autonomisë maksimale” për Kosovën.
Ç’kuptim tjetër të autonomisë në aspektin etimologjik ka përveç lirisë së vërtetë, vetëvendosjes, që e konfirmon qartë Karta e Helsinkit?
Nëse do të krijohej paradoksi i një autonomie “maksimale” e njëkohësisht të “kufizuar” a nuk do të përjetonim një absurd juridik, po edhe të logjikës njerëzore më elementare? Madje edhe të vetë formulës?
Po formulat diplomatike nuk janë gjithçka. Nuk janë të përjetshme.
Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare nuk është vetëm shansi i shqiptarëve, por edhe shansi i Europës së Re. Nuk mund të ketë Europë të lirë, nëse një pjese të saj do t’i mungojë liria. Nuk mund të ketë institucionalizim universal të lirisë, nëse ky institucionalizim ngrihet mbi zgjidhje e formula juridike të përkohshme, kontradiktore, e jo të barazvlefëshme për të tëra subjektet etnike të Europës. E drejta e vetëvendosjes është gjithçka.
Juve ju intereson kjo vetëvendosje si një triumf i vërtetë i demokracisë dhe humanizmit, çka i bën të dyshimta e retorike shpifjet ndaj Jush për aventurizmin anarkoterrorist, për ndryshim kufijsh, me dhunë, për projektimin e një vetëvrasje kombëtare, për agjent sekret, Sherlok Holms, i gjallë i Gjeorgjeviçit e Çubroloviçit të vdekur, mercenar i fshehtë elite e tejet special i Milosheviçit e Dobrica Qosiqit etj. etj.
Ky “kalim” pitagorian i shpirtit të mohuesve të kombit shqiptar te Ju, që e afirmuat pa frikë këtë komb, është loja e prestixhiatorëve, e të marrëve, e atyre, që do të përgjigjen përpara historisë për çdo truk dhe për mungesën e pafalshme të vetëdijes ndaj fatit të kombit shqiptar.
Serbët ju kanë quajtur “izdajnik” (tradhtar) dhe shqiptarët “përçarës”.
Dy anatemat janë në fakt një anatemë!
Seig heil! Gebëlsi ka thënë se kur dëgjonte fjalën “intelektual” i shkonte dora te koburja.
Nuk duhet harruar se nobelisti Martin Luter Kingu, nga figurat më të shkëlqyera të këtij shekulli, predikonte jo dhunën dhe e pësoi nga dhuna.
Ajo, që më çudit më tepër e më trishton, është reagimi ndaj ideve tuaja, që janë jo të papritura, me një fjalë, Ju nuk keni reflektuar një ndryshim, apo tjetërsim idesh për çështjen kombëtare.
Në librat “Populli i ndaluar” dhe “Strategjia e bashkimit kombëtar”, me një nivel europian e frymë të shkëlqyer intelektuale, Ju i keni shtjelluar tri idetë kryesore, që argumentojnë papjesëtueshmërinë e kombit.
Në shumë intervista, shkrime keni bërë shoshitje karteziane të këtyre ideve.
Deri në çastin, kur Ju, nuk i bëtë Letrën e Hapur Presidentit Berisha vepronte ndaj jush Anatema e Parë.
Fill mbas guximit kur Ju i kundërshtuat mendimet e Berishës në shtyp ndaj jush Anatema e Dytë qe e jashtëzakonshme.
Numri NJË, i shtetit të Shqipërisë, ka të drejtë të debatojë, po jo t’ju nënvleftësojë. Kritikën e parë publike ndaj Jush e nisi pa u menduar thellë vetë Berisha. Nuk dua t’ju gjykoj, se a duhet, apo jo t’i shkruanit urbi et orbi.
Intelektual nuk rri “sus”, intelektuali nuk përcaktohet nga hierarkia e pushtetit, po nga hierarkia e mendjes.
Presidenti ynë karizmatik ka përgjegjësi, se të paktën e kishte plotësisht në dorë, për ta anuluar fushatën e egër kundër Jush në Shqipëri, sidomos në gazetën partiake, që për ironi të fatit e keni pagëzuar Ju e që sot përjeton tjetërsimin e brendshëm semantik të vetë emrit të saj.
Unë kam respekt të veçantë ndaj institucionit të lartë të Presidentit, por para së gjithash vetë Presidenti duhet të identifikohet me të.
E them haptas se kjo grindje nuk më gëzon aspak, nuk e kam dëshiruar dhe nuk e dëshiroj as në të ardhmen, sidomos në klimën e marrëzishme politike të sotme, kur Shqipëria është në udhëkryqin e historisë, në një rebus kombëtar e ndërkombëtar. Intoleranca e primusit të pushtetit është një përgjegjësi më e madhe, se ajo e njeriut pa pushtet. Ai duhet të luftojë me arsye arsyen dhe jo me dhunë verbale oponencat intelektuale.
Monopolin e të vërtetës nuk e ka askush.
Po ju nuk u bindët. Përgatituni për në Kanosa!
Po a nuk thonte një filozof i vjetër, se “i interesonte më shumë e vërteta se sa froni i artë i mbretit të Persisë”?
Zoti President, autorin e librit “Populli i ndaluar” këndej e tutje do ta mbiquajmë “Qosja i ndaluar”? Shtetrrethimi intelektual?
Zoti Berisha! Guxoj t’ju pyes: është apo nuk është armik i kombit shqiptar Rexhep Qosja? O është, ose nuk është!
TERTIUM NON DATUR. (Rrugë të tretë nuk ka).
Pyes: pse Berisha nuk inicion një tryezë të partive politike dhe të intelektualëve të pavarur për alternativën e opinionit e pranueshme në politikë për çështjen kombëtare?
Ç’e pengon?
Pyes: pse Berisha nuk i tubon tërë përfaqësuesit eminentë shqiptarë për të diskutuar për të ardhmen e kombit?
Pyes: pse Berisha nuk ngrihet mbi gladiatorizmin e partive për të shmangur segregacionin e kombin, ta vërë mbi partitë dhe jo PD mbi kombin?
Pyes: pse nuk e afron Berisha mendimin e kualifikuar intelektual shqiptar për çështjen kombëtare dhe për situatën sociale të ndërlikuar?
A nuk është ai i vetmuar nga intelektualët?
Më shumë se fatkeqësi për atë vetë, kjo është fatkeqësi për kombin!
Pyes: a është demokracia tolerancë dhe mirëkuptim, apo intolerancë dhe politikë diferencimi? Mos vallë përfaqësuesit e partisë shtet janë qytetarë të klasit të parë dhe përfaqësuesit e opozitës qytetarë të klasit të dytë?
Pyes: mos vallë gjysma e Shqipërisë ndahet, kualifikohet, etiketohet në berishianë dhe gjysma tjetër në miloshevianë?
A nuk janë që të gjithë shqiptarë?
Pyes: a e di Berisha se të qenët President është një mandat i përkohshëm, kurse të qenët intelektual i madh është një mandat i përjetshëm?
Pyes: a është e mençur dhe e domosdoshme të krijosh kualifikime të tilla si “kriptokomunistë”, “mafia e kuqe”, “megahajdutë”, apo të predikosh pajtimin kombëtar, dashurinë, karitasin, shpirtmadhësinë, prudencën, largpamësinë, paqen sociale, mirëkuptimin, unitetin?
Pyes: a e di Berisha, se një njeri i vetëm nuk e modelon dot historinë e se historinë e bëjnë, papërjashtim, që të gjithë?
Pyes: mbas skandalit me Qosen a do të ketë skandale të tjera?
A nuk duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë stërmundime të tilla, strese anormale për tërë popullin?
Parandiej, si më rrethon një uragan zemërimesh, klithma “si guxon të pyesësh, kush je ti, ç’të duhet të ndërhysh në punët, që nuk të takojnë, qenke tepër naiv, a nuk e kupton, se kështu rrezikohesh, se emri yt, do të thithë rrufe hakmarrjeje?”
Po, e di, ç’është shpifja, çfarë s’më kanë sharë.
Institucionalizimi i shpifjes është diçka kolosale, përballë njeriut, që ka veç nderin e tij.
Jeniçerët e shtypit i kanë gati artikujt, përderisa nuk pati asnjë skrupull moral për të mos goditur emra shumë të nderuar, ahere nuk ka asnjë pengesë, që kuklusklanasit e penës ta kryejnë ritin e tyre deri në fund, edhe ndaj meje.
Unë mund të bëj vetëm atë, që është në dorën time, po jo atë, që është në dorën e të tjerëve.
Unë mund të jepja dhe jetën për të vërtetën, kur atë e mbron dhe Presidenti, po jo të kundërtën.
I ndershmi Qose,
Të gjitha këto tronditje janë një shpenzim, një luks tepër i kushtueshëm, në një kohë, kur forcat mendore na duhen për ta rimëkëmbur kombin.
Përpara secilit nga ne, papërjashtim, është bërë e pranishme një çështje ekzistenciale; spastrimi i vetvetes.
Kemi një purgator të domosdoshëm që është:
Ekzorcizmi
Nuk mund të ecim para, pa bërë ekzorcizmin individual dhe ekzorcizmin kolektiv.
Nuk duhet të kemi turp për të pranuar dhe shmangur gabimet tona, është një guxim i madh, i veçantë, për t’u purifikuar nga mendësitë e vjetra, nga bagazhi i rëndë i patriarkalizmit, nga mungesa e llahtarshme e tolerancës.
Më i kulturuari fal më shumë, ai në këtë mënyrë nuk humb po vetëm fiton.
Për fat të keq, në traditën tonë shekullore, nuk kemi shembuj të eksorcizmit publik. Shumë intelektualë të mëdhenj të këtij populli nuk e kanë bërë këtë gjë. Ndoshta kanë menduar se alibitë janë më shumë se sa pranimi i gabimeve, ndoshta kulti i pagabueshmërisë është dhe tabuja e sedrës së tyre.
Nuk ecet më në këtë mënyrë.
Kemi një shembull autokritik të pamëshirshëm ndaj vetes: Fan Nolin.
Ekzorcizmi i tjetrit është dhe ekzorcizmi i secilit, se ebëra në jetën politike të 1924 Noli shprehet për Nolin ashpërsisht, përballë vetvetes ai kritikon, duke e hedhur tutje sedrën, çdo lloj narcizizmi, apo kompleksi madhështie dhe me këtë akt ekzorcizmi ai jep një provë të vërtetë, shumë domethënëse.
Ne kemi nevojë të gjithë për njëri-tjetrin.
Çfarë pengon që Kadareja dhe Ju, po edhe Presidenti Berisha dhe Presidenti Rugova të jenë tok, t’i kapërceni mëritë, populli t’ju shohë në çdo hap sëbashku, që t’i ngjallet shpresa, t’i largojë dilemat, që lumpenshtypi të marrë fund, që lumpenpsikologjia të fashitet, që lumpenmediokriteti të mos na shtypë në thundrat e tij?
Në shembullin tuaj të eksorcizmit moral të fitojë autoritet Nderi dhe Drejtësia. Jeni njerëz historikë, që i duheni shumë këtij populli martir, që mund t’ia lehtësoni vuajtjet e mëdha.
Sado të rëndësishëm jeni të veçuar, do të jeni akoma më shumë të tillë, por të jeni të bashkuar.
S’ka rëndësi se kush do të jetë më i madh midis jush, kjo është një gjë e vogël përpara përballimit të tragjedisë, që e ka sfilitur për vdekje këtë komb.
Nuk jam predikator as moralist, Jo!
Po përçarja na ka kushtuar dhe po na kushton shumë në histori.
Kishte të drejtë Migjeni i pavdekshëm kur thonte “nuk i duam humbjet prore”.
Ekzorcizmi është filozofi e jetës, është klemence kombëtare, largpamësi, rilindje, është një Mastriht shpirtëror.
Ekzorcizmi është kundër diversitetit si konflikt, kundër filozofisë arkaike të luftës pa kompromis, kundër historisë alibike për një histori të vërtetë.
Ekzorcizmi nuk është diçka fetare, një epifenomen, as nuk arrihet si me anë të gurit filozofal, nuk është as spektakël, e as parukë, as ballo maskash e sidomos nuk është hipokrizi. Është jashtëzakonisht i vështirë dhe i ndërlikuar, kërkon forcë morale, mençuri dhe kurajë.
U takon sidomos intelektualëve të vërtetë t’i japin tolerancës edhe në kombin shqiptar një status universal, që mirëkuptimi të mbizotërojë gjithçka!
Po purgatori shqiptar është me sa duket, për fat të keq, i gjatë!
Në kohëra më të lumtura kujtimet e këqija do të na duken shumë më të largëta, se sa mosha e tyre!
Dështimet tona sizifiane do të rreshtin një ditë, marrëzitë tona do të mërgohen.
Sepse, mea culpa, nuk i përket vetëm njëri, po edhe tjetrit.
Sepse, jeta është e shkurtër dhe korrigjimet më të mira janë parandalimet.
Kështu kritika ndaj të keqes s’do të jetë kurrë më e vogël, po përkundrazi.
Sepse, jemi që të gjithë shqiptarë, që do të thotë,s e s’jemi medoemos e fatalisht kundërshtarë.
Se, mençuria e qetë është shumë më afatgjatë, se sa inati më i fuqishëm.
“Bashkimi, ka shkruar Konica, që në 1902, s’është të unjim kryet përpara njëri tjetrit, po të merremi vesh njerëzisht e të punojmë të lirë të gjithë për një qëllim”.
Vetëm njerëzit e bashkuar e bëjnë kombin e bashkuar.
Me një respekt të vërtetë për veprën tuaj titanike Ju uroj nga zemra jetë të gjatë, që me energjitë tuaja të pashtershme të lartësoheni më tepër, i paepur dhe krenar, për kombin shqiptar.
Juaji deri në fund
Moikom Zeqo
Tiranë, 22 janar 1993
******
POST SCRIPTUM
Po ribotoj mbas 23 vjtesh nje Leter te Hapur per Rexhep Qosen, per aresye substanciale te sulmeve te egra nga jeniceret e Berishes kunder ketij personaliteti te shquar te letrave shqipe dhe te mendimtarit te madh te Ceshtjes Kombetare.Une mora pjese ne polemike- besoj se edhe per lexuesin e sotem ka rendesi njohja e problematikes tragjike te asaj kohe qe ende rri si nje atavizem paradoksal mbi opinionin publik shqiptar.
Letra ime eshte botuar ne librin tim “Rexhep Qosja dhe Ceshtja Kombetare Shqiptare“, botuar ne 1994.
Viti 2016 eshte edhe viti i 80 vjetorit te lindjes se Rexhep Qoses dhe eshte e vetekuptueshme dhe dinjitoze qe te festohet sic i takon.
Fola dhe shpetova shpirtin tim! 

600 mijë dollarë për kokën e Salman Rushdie

Përkthyesi në japonisht i librit është vrarë jashtë zyrës së tij në Tusuka University, përkthyesi italian Ettore Capriolo i ka shpëtuar një sulmi në Milano ndërsa përkthyesi norvegjez është vrarë në shtëpinë e tij në Oslo.
Autori i “Vargjeve Satanike” prapë po përballet me kërcënime. Kësaj radhe, siç raporton Independent, mediet shtetërore të Iranit kanë nënshkruar një fatve ku thuhet se kërkohet koka e Rushdies dhe se vrasësi do ta paguhet rreth 600 mijë dollarë.
Libri në fjalë ka prodhuar urrejtje por edhe ngjarje të tmerrshme. Përkthyesi në japonisht i librit është vrarë jashtë zyrës së tij në Tusuka University, përkthyesi italian Ettore Capriolo i ka shpëtuar një sulmi në Milano ndërsa përkthyesi norvegjez është vrarë në shtëpinë e tij në Oslo.
Në vitin 1989, një fatve po ashtu është lansuar mbi këtë libër. Fatwa në Islam mund të iniciohet pas kërkesës së një individi apo organi, dhe mbi të më pas bazohen rregullat religjioze që shpesh nuk duhet shkelur. Ayatollah Khomeini, asokohe, pati kërkuar vrasjen e Rushdies, transmeton KultPlus.
Ende nuk dihet nëse Rushdie është në dijeni mbi këtë fatwa të re që ka hyrë në fuqi. 

Festivali i Letërsisë në Nju Jork, mbi drogën e refugjatët


Shkrimtarët më të mirë të Meksikës dhe Kubës po ashtu do të jenë pjesë e festivalit, ndërsa Salman Rushdie – shkrimtari i famshëm i “Vargjeve Satanike” do të jetë në një natë të veçantë ku do t`u përgjigjet pyetjeve të lexuesve.
Me datë 25 prill e deri me 1 maj, në Nju Jork të Amerikës vjen Festivali i Letërsisë i organizuar nga PEN Qendra. Edicioni i 12-të vjen me një diversitet temash, që nisin në ditën e parë mbi diskutimin rreth drogës dhe substancave që individët e ndryshëm marrin për të krijuar, mes tjerash, dhe për të jetuar.
Shkrimtarët më të mirë të Meksikës dhe Kubës po ashtu do të jenë pjesë e festivalit, ndërsa Salman Rushdie – shkrimtari i famshëm i “Vargjeve Satanike” do të jetë në një natë të veçantë ku do t`u përgjigjet pyetjeve të lexuesve. Autoret femra do të kenë hapësirën e tyre të veçantë të diskutimit, sidomos mbi letërsinë evropiane dhe nocionet e ndryshme të realitetit.
PEN World Voices Festival of International Literature vit për vit mbledhë shkrimtarët më të mëdhenj nga e mbarë bota për një festival që ofron ligjërata, panele, promovime librash në diskutime të thella mbi tema që preokupojnë aktualisht njerëzimin. 

Autori Gëzim Hajdari përkthehet në gjuhën angleze

Vëllimi në fjalë është sjellë ne anglisht nga përkthyesja italo-angleze, Cristina Viti, e cila jeton prej tridhjetë vjetësh në Londër. Viti ka përkthyer në Angli poetët dhe shkrimtarët e shquar italianë, si Dino Campana, Amelia Rosselli dhe Elsa Morante.

U botua në Angli vëllimi Vragë/ Stigmata i poetit Gëzim Hajdari. Botues është Shearsman Books në Bristol, ndërsa përkthyese Cristina Viti. Vëllimi, është i botuar në italisht dhe anglisht, u promovua në 9 shkurt, ora 19,30, në Swedenborg Hall, 20/21 Bloomsbury Way, Londër.
Në promovimin e organizuar nga botuesi, zoti Tony Frazer, morën pjese Cristina Viti dhe poeti Ian Seed (prof. në University of Lancaster dhe ne University of Cumbria). Ishte i pranishëm edhe poeti Hajdari.
Promovimi i librit të Hajdarit u paralajmërua edhe nga disa site kryesore angleze. Këtë promuovim e publikoi edhe siti kryesor: “News and Events European Literature Network” (eurolitnetwork.com/shearman-reading-gezim-hajd...), si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të muajit shkrurt në Londër.
Siç e përmendëm më sipër, vëllimi në fjalë është sjellë ne anglisht nga përkthyesja italo-ingleze, Cristina Viti, e cila jeton prej tridhjetë vjetësh në Londër. Viti ka përkthyer në Angli poetët dhe shkrimtarët e shquar italianë, si Dino Campana, Amelia Rosselli dhe Elsa Morante.
Vëllimi Vragë/Stigmate është botuar tri herë në Itali nga botuesi i tij historik, Besa Editrice: botimi i parë në 2002, pastaj në 2006 dhe në 2016.
Autori i librit, Gëzim Hajdari, u ftua ne promovim nga botuesi i tij z. Tony Frazer. Shtëpia e tij botuese, Shearsman Books, boton rreth gjashtëdhjetë poetë të shquar, bashkëkohorë dhe klasikë, në vit nga e gjithë bota. Ndërsa promovimet e botimeve të reja ky botues i zhvillon në Londër, në Swedenborg Hall, shih foton më poshtë, në afërsi të British Museum.
Salla e mësipërme e promovimeve, Swedenborg Hall, mban emrin e Emanuel Swedenborg, emri i lindjes Swedberg (Stokolm, 1668 - Londër 1772), i cili ka qenë filozof e mistik, por mbi të gjitha frymëzues i poetit dhe piktorit, William Blake. Veç poetit Blake, personazhe të shquar kanë qenë frymëzuar nga Swedenborg, si Balzac, Baudelaire, Coleridge, Goethe, Borges.
Në promovimin e librit të autorit morën pjesë shumë të pranishëm: studentë, krijues, përkthyes, profesorë universitetesh, botues. Ndër të pranishmit kishin ardhë për të marrë pjesë në këtë feste edhe krijues nga Kosova me banim në Londër.
Pas promovimit, botuesi shtroi një darkë për ndër të poetit dhe miqve të tij.
Libri Stigmata kushton £ 9.95 (sterlina, pound).
Kopertina e perparme mban nje foto te autorit ne lumin Niger, Mali, bërë nga fotografi i shquar italian, Piero Pomponi (World Focus).
Në kopertinën e pasme të librit Stigmata, në botimin anglez, ndër të tjera, shkruhet: «Introduction Widely recognized as one of the major poets of our times, […]
Sigurisht botimi i librit të poetit Hajdari në Londër nuk erdhi si rastësi, por si rrjedhojë i botimeve të poezive të tij në anglisht nga disa revista prestigjoze angleze, të cilat botohen në letër.
Në vitin 2013, një nga revistat më prestigjoze në botë, Agenda Poetry, (Mayfield Sussexs -  themeluar nga William Cookson dhe Ezra Pound në 1959), botoi një cikël poetik si dhe një intervistë të zotit Hajdari. Përkthyesja dhe intervistuesja është Cristina Viti.
Në vitin 2014, revista Shearsman (Bristol) boton një cikël me poezi të Hajdarit, përkthyer po nga Cristina Viti.
Po në vitin 2014, revista The White Review (Londër) boton një cikël me poezi të poetit Hajdari. Përkthyer po prej Cristina Viti-t, e cila ka vite që studjon dhe përkthen veprën e Hajdarit.
Por interesi mbi veprën e Gëzim Hajdarit ka qenë tejet i ndjeshëm edhe në USA! Pesëmbëdhjetë vjet me parë, ka qenë gazeta amerikane Herald International Tribune/ Italy Daily Thursaday Novembre, 23 - 2000, e para që ka intervistuar Hajdarin. Intervistuar nga gazetarja Kristine Crane.
Në vitin 2010, Sarah Stickney (docente ne St. John’s College, Annapolis) fitoi një bursë njëvjeçare nga Fondacioni Fulbright, për të punuar një vit në Itali mbi përkthimin në anglisht të antologjisë “Poezi të zgjedhura 1990 - 2007 të Gëzim Hajdarit.

Ndërsa antologjia poetike “The Poetry of Migrant Writers in Italy”, 2011, përgatitur nga Mia Lecomte e Luigi Bonafini (prof. në Brooklyn College), dhe botuar nga Legas Publishing e Kanadasë, ka botuar një kapitull me 20 poezi të poetit Hajdari.
Revista amerikane www.Warscapes.com botoi në vitin 2013, një intervistë të gjatë në anglisht me poetin Hajdari, intervistuar nga Anita Pinzi (City University of New York). Kjo intervistë u shoqërua me 20 strofa nga Poema e mërgimit, përkthyer nga Anita Pinzi dhe Valbona Ajdari.
 
Njohja me veprën e Hajdarit në USA vazhdojnë. Në vitin 2014, gazeta e përditshme në gjuhën italiane në USA, America Oggi, në suplementin kulturor, “Oggi 7”, boton një intervistë të poetit Hajdari me gazetaren Paola Milli.
Në vitin 2015, revista amerikane "A Public Space" (New York), Nr. 22 Winter 2015, boton disa poezi të Gëzim Hajdarit. Përkthyer në anglisht nga poeti dhe përkthyesi Charif Shanahan.
Në vitin 2015, revista amerikane (online) Lunch Ticket e Antioch University Los Angeles, boton
disa poezi të Gëzim Hajdarit. Përkthyer në anglisht nga poetja dhe përkthyesja Sarah Stickney.
Një tjetër revistë prestigjoze amerikane, Notre Dame Review e University of Notre Dame, në 2015, ka botuar disa poezi të Gëzim Hajdarit. Përkthyer në anglisht sërish nga Sarah Stickney.
Kurse revista gjashtëmujore angleze Structo Magazine, në vitin 215, ka botuar disa poezi të Gëzim Hajdarit. Përkthyer po nga Sarah Stickney.
Këtë vit poezi të Hajdarit ka botuar edhe revista amerikane RHINO Poetry.
Revistat amerikane që priten të botojnë poezi të Gëzim Hajdari brenda pranverës së këtij viti janë: Words Without Borders e Smartish Pace.

Njëmbëdhjetë poezi të Hajdarit, që do të botohen në revistën e Words Without Borders, janë perkthyer nga poeti Patrick Barron (prof. në University of Massachusetts).
Ndërsa revista “Smartish Pace” do të botojë 27 strofa të vëllimit i poetit shqiptar, “Poema e mërgimit”. Përkthimi në anglisht është bërë nga Anita Pinzi.

Revista angleze “Modern Poetry in Traslation” do t'i kushtojë Hajdarit dy rubrika në numrin e saj të ri. Në rubrikën e parë, poezitë janë të përkthyera nga Viktor Berberi (prof. në University of Minnesota, Morris). Në rubrikën e dytë, poezitë janë përkthyer nga Cristina Viti.

Veç këtyre, në USA janë shumë universitete që studjojnë veprën e G. Hajdarit. Në USA janë mbajtur disa kumtesa mbi poezinë dhe veprën e poetit shqiptar. Poezi të poetit Hajdari janë recituar edhe në aktivitete e mbrëmje letrare amerikane.

Vepra të Hajdarit që janë përkthyer në USA dhe presin të botohen në të ardhmen janë: “Trup i pranishëm”, përkthyer nga Charif Shanahan; “Poezi të zgjedhura 1990 - 2007”, përkthyer nga Viktor Berberi; “Poema e mërgimit”, përkthyer nga Anita Pinzi; “Poezi te zgjedhura 1990 - 2007” dhe “Barihidhët”, përkthyer nga Sara Stickney dhe “Dhimbjehëne”, përkthyer nga Patrick Barron.
Pra, siç shihet, veç Italisë dhe Francës në Europë, në Angli dhe USA ka mjaft interes mbi veprën e Hajdarit.

U kujtojmë lexuesve ndërkohë se në Itali, janë shkruar tri monografi mbi vepren e poetit Gezim Hajdari.
1)Poesia dell'esilio. Saggi su Gëzim Hajdari. Cosmo Iannone Editore, 2010. Përgatitur nga Andrea Gazzoni. (docente ne University of Pennsylvania). Ky volum përfshin 14 esè dhe studime shkruar nga dymbëdhjete docentë e profesorë të universiteteve të ndryshëm të botës.
2)In balia delle dimore ignote. Besa, 2015, shkruar nga Sara Di Gianvito.
3)La Besa Violata. Eresia e vivificazione nell'opera di Gëzim Hajdari. Besa, 2014, shkruar nga Alessandra Mattei. Jozef Radi, 20 shkurt 2016, Itali.

Pse Umberto Eco është kryeautori i këtij shekulli


“Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndier dhe e vërtetë”
Semiologu, filozofi dhe shkrimtari i famshëm Italian, Umberto Eco, që u shua më 19 shkurt në moshën 84-vjeçare, nuk ka të ngjashmin e vet në këtë shekull po as edhe më parë. Në një epokë ku bestsellerët e rëndomtë mbushin raftet deri në supermarkete e pika benzine përkrah çipseve e birrës, Umberto Eco diti mrekullisht të imponohet dhe të kthejë në bestseller letërsinë e mirë. Ai diti të thjeshtëzojë filozofinë e dijen e thelluar e ta bëjë atë lehtësisht të kuptueshme për ata që s’duan ta vrasin mendjen kur lexojnë. Ai ndihmoi konservimin e erudicionit në një botë që shkon çdo ditë shpejt e më shpejt. Letërsia e tij gjithë duke të kënaqur të pasuron, ajo rrezaton dije, librat e tij krijojnë botë e shpërndajnë dritë. Shumë personazhe të tij janë në vetvete misionarë të dijes. Më ka mrekulluar gjithmonë thellësia e mendimit të tij dhënë me fraza të thjeshta dhe njohja prej shkencëtari që kishte për gjërat që trajtonte dhe humori i rrallë. Ai ishte paralelisht një dijetar e letrar i hollë. Umberto Eco e lë në trishtim botën letrare, pasi ai vërtetoi se letërsia është para së gjithash inteligjencë po aq sa imagjinatë, ai vërtetoi se ajo mund të shkojë më larg, e të hyjë më thellë e më lehtë në mendjet e njerëzve, se të gjitha shkencat bashkë, madje më lehtë sesa filozofia, duke e bërë atë, letërsinë e mirë, më popullore se shumë paraardhës të tij. Sado paradoksale që kjo mund të duket, ai posedoi artin që të fusë në erudicion gjithmonë e më shumë njerëz, duke ndihmuar me veprën e tij në një masivizim të dijes. Ai ishte, për mendimin tim, shkrimtari më i mrekullueshëm i kohës moderne për nga ajo alkimi e hollë mes stilit letrar dhe informacionit dhe magjia e veprës së tij më ka bërë, personalisht, të ndryshojë raportin tim me letërsinë në përgjithësi.
Ai tregoi me çdo vepër të tij se letërsia është dashuri dhe si dashuria nuk ka nevojë për artefakte, nuk ka nevojë për artefakte, ajo mund dhe duhet të jetë para së gjithash e ndier dhe e vërtetë. Një histori personale do të më bënte të nisja e të lexoja romanin “Penduli i Fukosë” në periudhën më intensive të jetës sime, kur sapo isha vendosur në perëndim pas izolimit totalitar shqiptar ku fati më kishte sjellë në jetë. Atëherë punoja në kohë të plotë si gazetare dhe përgatisja mbrojtjen e një punimi mbi Mitrush Kutelin në një kolegj francez. Atëkohë galeristët francezë patën fantazinë të bashkonin në Champs Elise veprat më të mëdha të skulpturës botërore. Gjatë gjithë gjatësisë, ky bulevard u mbush me veprat madhore të skulpturës të sjella nga ana e anës që u ekspozuan në qiell të hapur. Ishte një e shtunë, dita kur bëra një shëtitje përgjatë Champs Elise-së të transformuar në bulevardin më të bukur të botës dhe pa kuptuar përshkova “ecejakje” më shumë se 3 a 4 km. Pas kësaj pata një problem shëndetësor që më kërkoi të qëndroja pa lëvizur në shtrat. Me ngarkesën që kisha në atë kohë nuk më mbante vendi dhe duke mos respektuar regjimin absolut, pa lëvizje, rrezikoja shumë. Miku im, shkrimtari Claude Arnaud më nis me postë të shpejtë dhe brenda natës marr “Le pendule de Foucault” në frëngjisht. Ishte me këtë libër të mrekullueshëm që e zbulova artin e përkorë të Umberto Eco-s. “Penduli i Fukosë” është një libër voluminoz me më shumë se shtatëqind faqe, por ai, sikurse “Le nom de la Rose” ka një magji të tillë, që të gozhdon në vend në kuptimin littéral të fjalës dhe për mua zëvendësoi “terapinë” që konsistonte të më lidhnin në shtrat për të kaluar këtë periudhë kritike në jetën time… Që nga ajo kohë, pothuaj 25 vjet më parë, Umberto Eco është autori, leximi i veprave të të cilit më ka dhënë më tepër kënaqësi. Librat e tij bashkojnë në mënyrë të përkryer kënaqësinë estetike të letërsisë së hollë dhe humorit, të informimit e divulgimit të filozofisë, e shkencave, e jo vetëm sociale si etnologjia, por edhe të shkencave të sakta, në një si të thuash mjeshtëri të transformimit të dijes në art. Mbushur me dije, veprat e tij janë mjete të mrekullueshme për të zbuluar kulturën perëndimore në mënyrën më ludike dhe të këndshme. Ai i ka ndihmuar fuqimisht në divulgimin e trashëgimisë kulturore europiane dhe në kulturimin e masave, duke edukuar dhe ndriçuar ata që e lexonin. Eco, është një autor i cili e ka ndier si detyrë emancipimin e bashkëkohësve të tij. Ai ka qenë një misionar i përkryer i dijes dhe qytetërimit perëndimor, e ky i fundit i detyrohet aq shumë atij. Ky autor i rrallë më ka falur personalisht momente të mrekullueshme, gjatë këtyre viteve të jetës adulte, atë që dikur adoleshente, në një vend të mbyllur si Shqipëria ma kishte dhënë letërsia e Ismail Kadaresë. Umbero Eco kishte në vetvete artin sublim, atë përzierje të rrallë e të rafinuar të kryeveprës në çdo vepër, ndaj nuk e teproj tek e quaj kryeautor të këtij shekulli. Humbja e tij, shënon një ditë shumë të trishtuar për letërsinë dhe dijen njerëzore në përgjithësi, ky shekull do të shënohet se ka pasur fatin të ketë në arritjet e tij këtë shkrimtar të ngritur në lartësinë e misionarit të dijes dhe të kulturës. Kultura mesdhetare në veçanti e ajo botërore në përgjithësi humbin një nga kolosët e tyre. R.I.P Umberto Eco.

Rexhep Hoxha, klasiku i letërsisë

Rexhep Hoxha.jpg
Rexhep Hoxha (1929) lindi në Gjakovë. Shkollën fillore dhe te mesmën i kreu në vendlindje, ndersa albanologjinë e studioi në Beograd. Një kohë punoi redaktor i "Rilidjes për fëmijë" në emsionin për fëmijë të Radio Prishtinës, ndërkaq shumë vite e ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Vepra të tij të njohura për fëmijë janë: "Gjethe të reja", "Picimuli", "Lugjet e verdha", "Zëri i pyllit", "Verorja", "Ermali" etj...




Në 40 veprat e mia, shprehet autori Rexhep Hoxha, unë jam vetë natyra, shpirti dhe gjaku i tyre. I patundur si vetë gjithësia, jam shkrimtar me rrënjë në tokë, dhe lis me degë në hapësirë. Shkrimtari është ndërgjegjja e kombit. Ai për asgjë as nuk shitet e as nuk blihet. Shkrimtari pa ndërgjegje është asgjë! Unë edhe në moshën 85 vjeçare, bëj punën e shkrimtarit.

Image result for rexhep hoxha
Rexhep Hoxha në librin e tij, “Moral pa Moral”, shkruan; s´mund të heshtë, sa herë rinia jonë, e ardhmja e kombit, lulja e kombit, keqpërdoret deri në mjerim, me lavde, mashtrime, e premtime boshe. Nuk është e paqëllimshme, që rubrikat e kulturës sakatosen me promovime librash gjithfarë. Në Kosovë shprehet Rexhep Hoxha, ka protesta qesharake, dhe patriotizëm mashtrues. Mirëpo, Kosova herët a vonë do ta merr veten, dhe do të ngritet guximshëm, kundër të gjitha llojeve të poshtrimit, dhe të tragjizmit që i bëhen Kosovës. E ardhmja është e pandalshme. Atë s´mund ta ndalin as rëniet historike, dhe as rëniet shoqërore, shprehet klasiku i letërsisë sonë, Rexhep Hoxha.
Lugjet e Verdha
Në një vend të vogël si Kosova, ku natyra sajoi një bukuri, dhe pasuri të veçantë, në Gjakovën e Dardanisë së lashtë, u lind poeti, kritiku, dhe eseisti, Rexhep Hoxha, autor i 40 veprave letrare. Biri i Gjakovës, dhe i Kosovës intelektuale. Shkrimtari Rexhep Hoxha, edhe në moshën e tij tani 85 vjeçare, nuk tërhiqet nga betejat, për një shoqëri të lirë, për një art të lirë, për një Kosovë me punë, dhe të lumtur.

Nuk jam johistorik. Jam i mbrujtur me idealet më të përzemërta të Rilindjes Kombëtare. Mesazhi i Rilindjes kombëtare rri në gjithë shpirtin dhe qenien time. Rruste, Jam një çik Promethe, dhe jam pak sa biblik. Me këtë dua të them se, jam autor i dy veprave të para letrare në Letërsinë Shqipe në Kosovë, të shekullit njëzet. Jam autor i librit të parë me poezi, “Gjethet e reja”, botuar në vitin 1953, dhe autor i romanit të parë për fëmijë, “Lugjet e verdha”, botuar në vitin 1959.

Rexhep Hoxha u lind në vitin 1929, në Gjakovë. Shkollën fillore dhe Normalen e kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Beograd. Rexhep Hoxha është shkrimtari dhe poeti më idhnak, më i guximshëm, dhe me kulturë të theksuar, për ta çliruar prototipin e ndërgjegjes në letërsi.
Ky krijues i 40-të veprave letrare për asnjë çast të jetës së tij, nuk është më pak se Naim, më pak se Deradë, më pak se Kosovë. E them këtë se Rexhep Hoxha mbetet prijës i një populli të tërë, në poezi, kritikë, dhe në fjalën e tij kryengritëse. Ai mban guximshëm fenerin për një krijimtari ndryshe, jo të përvajshme e moralisht të ndotur, dhe të rënë. Në mesin e shumë poezive të Rexhep Hoxhës, është edhe poezia e tij, Gjuha Shqipe” e botuar dhe e ribotuar me dhjetëra herë, në Libra e leximit, në të gjitha shkollat e ciklit të ultë dhe të mesëm, në Kosovë e më gjerë.

Gjuha Shqipe

Kodrisha brigje,
Prroje,burime,
Dinë gjuhën shqipe
Të nës sime.

Rrypira , gryka
Suka, rrënime
E flasin gjuhën
E nënës sime.

Në pyje zabele
Shullane, rripe,
Ligjëron bilbili
Në gjuhën shqipe.

Çdo gur i vendit,
Çdo lule e bime
Din gjuhën shqipe
Të nës sime.

Rexhep Hoxha në jetën e tij ( tash 85 vjeçare ) është në betejë me disa detyra me veten e tij; Një, të mos heshtë para grupeve dhe klaneve, që sakatosin letërsinë. Dy, të ballafaqohet dhëmbë për dhëmbë me heshtakët dhe të patalentët. Tre, gjuha dhe fjala të mbeten të parat. Pa këtë vizion, pa këtë forcë, shprehet shkrimtari Rexhep Hoxha, nuk do i jepnim formë të ardhmes sonë. Ky trefish hero i guximshëm i Rexhep Hoxhës, nuk është i panjohur dhe i papranuar në Kosovë e më gjerë. Kritika e sinqertë dhe heroike e shkrimtarit Rexhep Hoxha, është për t´u vlerësuar. Në librin “Fjala e lirë”, ai s´kërkon përsosmërinë e moralit tek krijuesi, por procesin e arritjes në kulturë, angazhimin për një kulturim poetik. Shumë shkrimtarë të Kosovës, karshi Rexhep Hoxhës, këtij burri të përkushtuar të artit dhe të fjalës, dukeshin s´i femra në faj, ( në një kohë ) që s´dinin çka të bënin me veten e nënshtruar. Rexhep Hoxha, ky shkrimtar rebel kundër shkrimtarëve udbash, dhe të pamoralshëm, e meriton shembëlltyrën e heroit të mirëfilltë të penës.
Rexhep Hoxha nuk pranoi çmimin “Azem Shkreli”. Duke e njohur mirë Azem Shkrelin, ( ish nxënësin e tij ) Rexhep Hoxha me rastin e refuzimit të çmimit "Azem Shkreli" shprehet; “Shpirti, nderi, dhe karakteri im nuk e pranojnë çmimin me emrin e tij. Ore, me shkrimtarin merr frymë kombi. Ai për asgjë nuk shitet e as nuk blihet”.
Image result for rexhep hoxha
Fytyra burrërore e Rexhep Hoxhës, i ngjan Qabratit, Pashtrikut, Karadakut dhe Lypotenit. Ky shpirt poliedrik i kulturës sonë, është Molibdeni pellazgo-iliro-shqiptarar. Rezet e të cilit, janë dritë, ajër, gjithësi. Shkrimtari Rexhep Hoxha, përfaqëson yndyrën e dheut dhe të tokës pranverore të Kosovës. Në librin, “Me sy kah Parnasi”, Rexhep Hoxha shkruan;

As vetë s´e dij pse kot rrugëvet po sillem
Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!
Nër rrugë t´qytetit m´duket se po hidhem
Sikurse Kolombi n´oqean t´pafund

Andërr apo zgjandërr jam? – e pyes vetvetin
Hap pas hapi e ha rrugën time të kot;
Nëpër sfera të nalta mendimet më tretin
Edhe m´duket sikur jam n´një tjetër botë

Nësa do gjethe po luejshin valle në trotuar
Ofshe! Një djalosh u gjuejt nën limuzinë
Me turr vrapuen njerëzit t´shikojnë sa më parë
Se si puthet Njeriu n´tokë me tragjedinë.

Rexhep Hoxha, ky njeri zëplotë i fjalës së shkruar, autor i 40 veprave letrare, brenda ka një Kosovë dhe Shqipëri epiko-lirike. Çdo varg në poezinë e Rexhep Hoxhës, është gjak prej shpirti. Nuk ka një të parë në Kosovë, që është përfaqësuar në librat e leximit dhe në literaturë për edukimin e brezit të ri në Kosovë, Maqedoni, dhe Mal të Zi, sa shkrimtari, Rexhep Hoxha.
Harrimi është i rëndë për çaste të parëndësishme, e lëre më, të harrohet historia, gjuha, shkrimi. Harrimi është vdekje e dijes, thotë një fjalë e urtë shqipe. Prandaj, krijimi, është lëvizja përpara, borxhi ndaj jetës që po jetojmë, dhe ndaj të ardhmes.

Në të gjitha betejat për artin, kulturën, dhe letërsinë, Rexhep Hoxha nuk ishte vetëm, ai me vete kishte rininë, dhe të vetët e tij “rebel”. Librat e tij: “Shqipori”, “Fjala e lirë”, “Me sy kah Parnasi”, “Vargu idhnak”, “Urithi i verbër i Ezopit”, “Moral pa moral”, “Në krahët e këngës”, “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut”, dhe me dhjetra vepra të tjera letrare, shkrimtarin , Rexhep Hoxha, për asnjë çast nuk e lënë të kotet.
Fjala e lirë në kohën time, rrëfen shkrimtari Rexhep hoxha, ishte e plagosur rëndë nga cenzura dhe cenzorët. Në shtyp, në mjetet e informimit, dhe në disa intitucione kulture, cenzor ishin shqiptarët, mjerisht, disa ishin edhe shkrimtar. Fjala shqipe ishte pak shqipe, sepse , ishte e cenzuruar aq shumë nga serbishtja, dhe botimet, pjesa dërmuese e tyre ishin përkthime.
Me 12 gusht, 2014, unë isha në vizitë në shtëpinë e Rexhep Hoxhës në Prishtinë. Ishte mbrëmje. Mbrëmje vere. Djali i tij prof. Shpend Hoxha, na pret ngrohtësisht. Është çast i bukur që jeni në shtëpinë tonë, na thotë Shpendi. Pasi ia dhuroj librin tim “Heroika”, tema e letërsisë është e pashmangshme. Unë jam thotë Rexhepi, ende në natyrën time të gjallë. Karakteri im nuk i do gënjeshtrat, as mashtrimet.
Image result for rexhep hoxha
Unë e kam thënë edhe te libri, “Fjala e lirë”, edhe te libri “Shqipori”, edhe te libri, “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut”, edhe te librat e tjerë, se letërsia hapësirën e ka ma të gjerë, më të thellë, dhe më të përtejme. Shkrimtari është libri, dhe libri është letërsia. Vepra e klasikut të letësisë sonë, Rexhep Hoxhës, është e gjerë, dhe ajo do një studim më të përkushtuar. Eseja vazhdon!.. Shëndet dhe sukses, shkrimtarit, Rexhep Hoxha!..


****

TOKË TRËNDAFILASH

I
Toka ime diellore,
që rritem me ty
e je aq e madhe për mua;
mal me thesare,
fushë grurore —
t´i di ëndrrat tua.

II
Çdo fshehtësi
unë ta njoh —
dhe Yllin tënd
që të çon n´ardhmëri
unë ta shoh;
dhe dritën tënde
që kaplon hapësirën
unë ta di —
Zemër bujare,
Tokë me burrëri.

III
E zgjuar je në mua,
poezi e adhuruar,
poezi vargjesh të dëlira —
qiell i stolisur
plot xhevahira.
Tokë trëndafilash
për gjithë çka ke
në zemrën tënde jetike,
në shpirtin tënd të kulluar,
të përqafoj si fëmijë —
tokë e bekuar,
Kosovë heroike.


GJAKOVA

Në zjarr, në flakë e në tufan,
Me rribë sulmova në errësirë,
Krenar unë ballin tim ta kam,
Që bijët e mi t´jetojnë të lirë.

Për ide t´shenjta, për vatan,
Sokola dhash´, fatosa të ri;
Dhe para plumbi e litarit
S´u´ thyen. Vdiqën me brohori.

Po folni eshtra në paçi gojë
T´shpërndara kahdo, an´e m´banë!
Kush mundet vallë të ma mohojë
Atë gjak që bijët e mi kanë dhanë

Krahnorin unë e kam si dëbojë,
Plot burra zemre, të vështirë,
Që askend s´donë ta shohin rob,
Por edhe vetë të jenë të lirë.

Ti Mehmed Ali Pashë Maxharri,
Ngrehu nga vorri t´ndihet zani,
A pa ç´të gjet te Kull´e Drenit,
Çka ban Gjakova, jatagani?

O Dahë! Bajram! Rexhep Gerçari!
Hasim! Emin! Nama s´ju vati.
S´u trembet kurrë ku buçet zjarri,
Kosova lum për ju ç´ju pati.

Të BUKURAT E GURIT

Janë ulur do trima
nën hije të blinit,
trima të përmendur,
trima të Buletinit.

Po flasin si burra,
pylli plot me lisa
edhe Xhavit Pashës
po i çon fjalë Isa.

T´paça, Xhavit Pasha
ngri krejt në kaftan,
po ta vras asqerin
e s´po ke çka ban.

Për një harem tëndin
ke kërku´ një vashë;
sa keq je mashtrua,
mor i shkreti pashë!

Ec, mor´ Xhavit Pasha,
mos rri veç n´hareme,
provoji këta burra
të kësaj tokës seme.

Dil për të shëtitur
kësaj Drenice t´gurit,
sheh si të qëndisin
plumba rreth ushkurit.

Si s´di, Xhavit Pasha,
këto troje çka kanë?
Të bukurat drenicake
edhe për pushkë janë.

POEZI

Me vonesën e agimit të bardhë
Çele sytë. E hape rrugë të lira
E stolise zemra me safira
Nëpër brezni e shekuj me radhë.

Nga buzëqeshja jote lulja lulzoi,
Agimi hapi krahët e ylbertë;
E njeriu foli fjalën e sinqertë
E zogu i artë kangës ia filloi.

Ditët ecin e jeta vjen e shkon,
Mbaron shpresa prap´ me u ringjallë;
Porse Ti, o dritë shpirti e rrallë,
Dhe mbas vdekjes së njeriut jeton.

Prej bukurisë sate terri kaloi,
Agimi hapi krahët e ylbertë;
E njeriu foli fjalën e sinqertë
E zogu i artë kangës ia filloi.

*****


Ditëlindja e gjashtëdhjetë e Picimulit


“Qëllimi i shkrimtarit Rexhep Hoxha me vjershat e përmbledhjes “Picimuli”, nuk është vetëm t`i argëtojë fëmijët e vegjël por gjithashtu edhe t`i edukojë ata që të rriten të shëndoshë në mendje dhe në trup”, tregoi  i biri i shkrimtarit, Shpend Hoxha
Jeta Zymberi
Përsëri u rikthye libri më i dashur për fëmijë “Picimuli”. Shpend Hoxha i biri i shkrimtarit Rexhep Hoxha ka vendosur që ta ribotojë librin “Picimuli”. Ky ribotim po bëhet pas 60 viteve nga koha kur është bërë botimi i parë në vitin 1956. Vjershat e këtij ribotimi nuk janë të ndara në cikle, por ashtu të përmbledhura nga përmbledhjet e librave të botuara nga Rilindja. Vjershat si, Picimuli, Oxhakfshisi, Postieri, Tapshin.. tapshin, Nënë, o nënë, Deshti lepuroshi, Qupa qupa nana, dhe të tjera janë recituar me ëndje nga gjenerata të tëra, si dhe shumë nga ato janë kompozuar nga kompozitorë tanë të njohur për fëmijë. Është pothuajse e pamundur që të mos na kujtohet Picimuli, djali i cili mësonte shumë, ai ishte gjithmonë i përgatitur për mësim, por shokët gjithmonë i dilnin në rrugë dhe e fyenin e madje ja vunë emrin picimul. Fjalë me të cilën jemi rritur të gjithë e madje fjala picimul edhe sot përdoret shumë nga të gjithë fëmijët, duke dashur kështu të tallen me shokët e shoqet.
 

“Qëllimi i shkrimtarit Rexhep Hoxha me vjershat e përmbledhjes “Picimuli”, nuk është vetëm t`i argëtojë fëmijët e vegjël por gjithashtu edhe t`i edukojë ata që të rriten të shëndoshë në mendje dhe në trup”, tregoi për KultPlus i biri i shkrimtarit, Shpend Hoxha.
Përmbledhja me vjersha për fëmijë e shkrimtarit Rexhep Hoxha, “Picimuli”, u botua për herë të parë në vitin 1956, nga Ndërmarrja e atëhershme Botuese, Rilindja, Prishtinë, dhe u ribotua disa herë nga po kjo Ndërmarrje shumë serioze Botuese, nën përkujdesjen e shkrimtarit të mirënjohur Rifat Kukaj dhe të profesorit të nderuar Mehmet Gjevori. Para se vjershat të botoheshin për herë të parë para gjashtëdhjetë viteve dhe të mbledhura në një përmbledhje të vetme, ato u botuan në Gazetën e Pionierëve të asaj kohe, në revistën, Fjala, si dhe në faqen për fëmijë të Rilindjes. Që atëherë u ribotua shumë herë nga individë të caktuar, jo seriozë, që në një farë forme i dëmtuan vjershat e Picimulit sikurse edhe të shumë librave të tjerë jo vetëm të shkrimtarit Rexhep Hoxha.
Nën përkujdesjen artistike të Gurakuq Dobrunës, ilustruesit të vjershave, Atdhe Muhaxhirit si dhe radhitësit të librit, Drilon Cena, libri u shtyp në shtypshkronjën Prograf, në Prishtinë.
Rrustem Geci,Flori Bruqi & Jeta Zymberi( Përgatiti Floripress).

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

         Shkruan Akademik Flori Bruqi Qafa e Çakorriit  ose  Çakorri  është një qafë mali që shtrihet në  Alpet Shqiptare , në kufi në mes M...