Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/31

Tumori në lëkurë: Zbulohet receptori përgjegjës



• Zbulohet receptori molekular përgjegjës për zhvillimin e kancerit të lëkurës, si përgjigje e ekspozimit ndaj rrezeve të diellit.

Në praktikë, një grup shkencëtarësh të Universitetit të Minesotës ka arritur të identifikojë “pikën hyrëse” të rrezeve ultraviolet në lëkurë, që mund të ndikojë në shfaqjen e kancerit të lëkurës. Sipas të dhënave që referohen në revistën “Cancer Research”, receptori molekular në fjalë është shumë i ngjashëm me “ganxhat” që ndodhen në sipërfaqen e jashtme të qelizave. “Çështja që ka qenë në qendër të studimit tonë ishte të kuptuarit se përse drita ultraviolet çon në shfaqjen e kancerit të lëkurës”, ka treguar për revistën “Zigang Dong”, koordinatori i studimit. Receptorët molekularë janë struktura proteinike, që përbëjnë membranën e jashtme të qelizave. Funksioni i tyre është të kapin përbërësit nga gjaku dhe t’u lejojë qelizave të ndërveprojnë me këta përbërës. Receptori i zbuluar nga shkencëtarët, bën të mundur të “integrojë” rrezet ultraviolet si qeliza të lëkurës. “Thelbi është gjetja e një agjenti që të mund të parandalojë shfaqjen dhe zhvillimin e tumorit të lëkurës, pas ekspozimit në diell”, ka nënvizuar shkencëtari.

Ulja e testosteronit, ndër shkaqet e sëmundjes së prostatës.


• Ndryshimet hormonale mendohet të jenë një nga shkaqet e shfaqjes së sëmundjes së gjëndrës së prostatës.




Bëhet fjalë për ndryshimet e nivelit të testosteronit, hormonit kryesor mashkullor, që është përgjegjës për një sërë funksionesh në organizmin e një mashkulli. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku Niko Nushi, kirurg-urolog, shpjegon se si ndikon konkretisht ky hormon dhe çfarë rruge duhet të ndjekë pacienti për t’u trajtuar:
Doktor, është e vërtetë që sëmundja e gjëndrës së prostatës mund të shfaqet si pasojë e ndryshimeve hormonale dhe më konkretisht e testosteronit?
Po. Adenoma glandulare e prostatës është një ndër sëmundjet e shpeshta që prek gjëndrën e prostatës dhe mendohet që në bazë të kësaj sëmundjeje janë çrregullimet hormonale, mes prodhimit të testosteronit (hormonit mashkullor) dhe estrogenit (hormonit femëror). Ky është një nga faktorët që ndikon në shfaqjen e sëmundjes, krahas atyre të trashëgimisë, abuzimit me alkoolin dhe duhanin. Po ashtu ndikojnë pozicionet e detyruara, qëndrimi pa lëvizur, qëndrimet e gjata shtrirë për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Megjithatë ndryshimet hormonale që shfaqen te burrat pas moshës 40 vjeç, mendohet të jenë një nga shkaqet kryesore që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Pse shfaqen këto ndryshime hormonale?
Mashkulli si hormon kryesor ka testosteronin, i cili prodhohet kryesisht në testikuj nga disa qeliza (leydik) që ndodhen në teste. Me kalimin e moshës ulet funksioni i këtyre qelizave, duke ulur sasinë e prodhimit të këtij hormoni, ku më shumë e ku më pak, i cili do të sjellë dhe disa shqetësime karakteristike.
Më konkretisht, çfarë shqetësimesh mund të shfaqen?
Simptomat e përgjithshme të mungesës së testosteronit janë ulja e dëshirës seksuale, vështirësi në ereksion, shenja të depresionit dhe lodhjes, ndryshimi i linjës trupore që shoqërohet me ulje të fuqisë muskulore dhe rritje të masës dhjamore. Por dhe shqetësime të tjera, që siç thamë lidhen me gjëndrën e prostatës.
Çfarë duhet të bëhet në rast se shfaqen shenjat e mungesës së testosteronit?
Këta pacientë fillimisht duhet t’i nënshtrohen një mori analizash, siç janë: gjaku komplet, urinë komplet, uroculturë, P.S.A.-testosteroni, spermograma, analizat e mëlçisë, lipidograma, echo e prostatës dhe testeve. Kjo bëhet për të parë nivelet e tyre dhe korrigjuar nivelet e testosteronit. Kjo bëhet duke injektuar çdo 8 javë një ampul Nebido, në prani të mjekut specialist. Në pacientët që është kryer kjo procedurë, janë arritur rezultate të konsiderueshme dhe janë vënë re ndryshime në gjendjen e tyre të përgjithshme. Madje është parë se ka pasur ndikim dhe në zvogëlimin e gjëndrës së prostatës ½ e madhësisë së saj dhe është zhdukur urina e mbetur (reziduale). Prandaj personave që vënë re ndryshime në humorin apo gjendjen e tyre të përgjithshme, u rekomandohet të paraqiten sa më parë te mjeku specialist androlog apo urolog, në mënyrë që të diagnostikohen dhe trajtohen në kohë.

Çfarë është testosteroni
Testosteroni është hormon seksual mashkullor, që prodhohet kryesisht në testikuj dhe më pas hyn në gjak dhe përhapet në organe të tjera. Ky hormon ndikon në zhvillimin e një mashkulli gjatë pubertetit dhe që është i nevojshëm për shëndetin dhe cilësinë e jetës së tij. Ky hormon ndikon në zhvillimin e qimeve në mjekër dhe trup, zhvillimin e fizikut dhe libidon (dëshirës seksuale). Rritja e hormonit ndikon në shtimin e oksigjenit në tru, përmes të cilit përmirësohet fuqia e përqendrimit, memoria dhe humori. Në këtë mënyrë mungesa e këtij hormoni ndikon në shfaqjen e problemeve fizike dhe psikike të një burri. Po ashtu testosteroni rregullon fuqinë muskulare dhe masën dhjamore.

Ilaqet “e rrezikshme” që japin alergji!



• Urtikarie, vështirësi në frymëmarrje, probleme me veshkat dhe mëlçinë, janë disa nga shenjat që shfaq alergjia nga ilaçet.



Në bazë të këtij çrregullimi qëndron bashkëveprimi i ilaçit me pjesë të ndryshme të sistemit imunitar, duke dhënë në fund reaksionin alergjik. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja alergologe, Mirela Hitaj, shpjegon si mund ti njohësh dhe trajtohen alergjitë nga ilaçet:
Doktoreshë, sa të përhapura janë alergjitë nga ilaçet?
Reaksionet nga barnat janë një problem serioz dhe aktual, i cili sa vjen dhe rritet. Sëmundshmëria si pasojë e reaksioneve medikamentoze rritet paralelisht me shtimin e përdorimit të medikamenteve. Në fakt duhet bërë dallimi mes reaksioneve alergjike dhe reaksioneve të dëmshme nga medikamentet. Reaksionet alergjike nga barnat janë një ndër tipat e reaksioneve të dëmshme nga medikamentet. Këto reaksione përmbledhin të gjitha reaksionet nga barnat pavarësisht nga mekanizmat përgjegjës. Sipas OBSH-së, me termin “reaksion i dëmshëm i medikamentit” përcaktohet çdo efekt i dëmshëm i paparashikuar dhe i padëshiruar nga medikamentet, i cili ndodh në dozat që përdoren për parandalimin, diagnozë ose trajtim e patologjive të ndryshme.
Si shfaqen reaksionet nga medikamentet?
Reaksionet e dëmshme nga medikamentet ndahen në dy kategori: reaksione të tipit A që janë reaksione që mund të parashikohen, hasen më shpesh dhe lidhen me efektet farmakologjike të ilaçit.
Kategoria e dytë janë reaksionet e tipit B, që janë më të paparashikueshme, jo të zakonshme dhe nuk lidhen me efektet farmakologjike të medikamentit. Rreth 80 % e reaksioneve nga barnat bëjnë pjesë në grupin e parë A dhe ndodhin nga toksiciteti i barit (mbidozimi), efektet anësore, efektet dytësore ose indirekte, si dhe nga ndërveprimi i medikamenteve.
Reaksionet medikamentoze alergjike, që ndërmjetësohen nga mekanizma imunologjikë, hyjnë në grupin e dytë të tipit B. Ashtu si dhe reaksionet e tjera të tipit B, reaksionet alergjike nga barnat hasen më rrallë dhe përbëjnë 10-15 % të rasteve.
Ka faktorë risku që ndikojnë në shfaqjen e këtyre alergjive?
Faktorët e rrezikut janë të lidhur me: personin dhe me medikamentin e përdorur. Faktorët e rrezikut të lidhur me personin, së pari lidhen me moshën. Përgjithësisht fëmijët shfaqin më pak reaksione alergjike nga barnat, sesa i rrituri, ndryshe nga alergjitë ushqimore, që dihet që të vegjlit janë kontingjenti më i riskuar. Faktorë të tjerë janë ai gjenetikë, roli i sëmundjes bazë, metabolizmi i barnave kryesisht në bazë të një kodimi gjenetik. Po ashtu janë reaksionet e mëparshme alergjike, nga faktorët predispozues. Në këto raste prova kryesore është fakti i nxjerrë nga anamneza, se pacienti ka pësuar një aksident të tillë më parë: ose nga ai bar, ose nga një bar tjetër i ngjashëm me të parin, për nga formula kimike.
Ka faktorë predispozues në shfaqjen e këtyre problemeve?
Cilësitë kimike të medikamentit, si p.sh aftësia për t’u lidhur me një proteinë të trupit dhe për t’u bërë imunogjenikë. Po ashtu ndikon doza dhe zgjatja e terapisë, frekuenca e mjekimeve nëse është e lartë, ndikon në induktimin e një përgjigjeje imune dhe në shfaqjen e reaksionit alergjik. Një faktor tjetër predispozues është dhe përdorimi i imunosupresorëve, që shoqërohet me pakësimin e qelizave T-supresorë, të cilat rregullojnë sintezën e IgE-ve.
Çfarë duhet bërë në rastet kur shfaqet alergjia nga ilaçet?
Së pari, këshillohet ndërprerja e menjëhershme e ilaçit që dyshohet apo dihet që ka dhënë alergjinë. Gjithashtu në këto raste ndërpriten dhe ilaçet e tjera më pak të dyshuar për alergjinë, por që janë dhe më pak të rëndësishme në mjekim e të sëmurit. Mjaft e rëndësishme është të bëhet konsulta menjëherë me një mjek alergolog, sepse ndodh shpesh që pacientët të shkojnë nëpër mjekë të ndryshëm. Vetëm mjeku alergolog mund të vendosë diagnozën që duhet të dhe marrë ndjekjen e specializuara.

Ilaçet që japin më shpesh alergji

-Penicilina
-Substancat e kontrastit që përdoren në radiologji
-Sulfonamidet që hyjnë antimikrobialët, diuretikët, hipoglicemianët oralë, etj
-Anestëtikët lokalë
-Aspirina dhe aniiflamatorët josteroidë


Shenja klinike?

• Shfaqet me prekje të lëkurës: urtikarie, ekzantema të ndryshme, dermatit kontakti, etj

• Sëmundje hematologjike: anemi, etj

• Prek veshkat: nefritin intersticial akut, sindromin nefrotik, etj

• Prek heparin: pulmonitin nga hipersensibiliteti

• Shfaq sindromin sistemik, sëmundjen e serumit, temperaturë nga barnat

• Temperatura e shkaktuar nga medikamentet mund të vijë si pasojë e një procesi inflamator ose si shfaqjen e një reaksioni medikamentoz nga efekti farmakologjik i barit në sistemin nervor qendror.


Si shfaqen alergjitë nga medikamentet

-Reaksionet e menjëhershme ndodhin brenda orës së parë të marrjes së medikamentit dhe shfaqen me klinikën e anafilaksisë, të edemës së laringsit, me vështirësi në frymëmarrje, kolaps dhe urtikarie.

-Reaksionet e përshpejtuara ndodhin brenda 72 orëve pas marrjes së medikamentit dhe tregojnë se lidhen, ashtu si dhe reaksionet e menjëhershme me një sensibilizim të mëparshëm.

-Reaksionet e vonuara shfaqen disa ditë pas fillimit të mjekimit. Klinika e tyre përbëhet nga urtikaria, eritema, ekzantema, dhe sëmundja e seruimit. Kjo e fundit mund të ndodh vetëm ose mund të jetë pjesë e një reaksioni të menjëhershëm. Urtikariet përbëjnë 50 % të reaksioneve. Në urtikariet e vonuara mund të mos ketë pasur kontakt të mëparshëm me medikamentin dhe reaksioni ndodh disa ditë pas marrjes së tij(5-11 ditë).

Smogu shton riskun për shfaqjen e trombozave


• Ndotja urbane mund të favorizojë formimin e pllakëzave në arteriet e këmbëve, duket shtuar riskun për tromboza.


Të paktën ky është konkluzioni që ka nxjerrë një grup shkencëtarësh të “Harvard Medical School” të Bostonit, të drejtuar nga Andrea Maçarelli, pasi kanë marrë në konsideratë 870 pacientë të prekur nga tromboza gjatë 10 viteve që ka zgjatur studimi. Shkencëtarët kanë krahasuar të dhënat e këtyre pacientëve, me ato të 1.210 personave që gëzonin shëndet të mirë dhe që jetonin në të njëjtën zonë. Janë analizuar përqendrimi i substancave ndotëse si thërrmijat e karbonit dhe të nitrateve të metaleve, në zonat urbane që janë marrë në konsideratë dhe rezultatet kanë treguar se për çdo 10 mikrogramë më tepër për metër kub të këtyre substancave, regjistrohet një rritje me 70% të riskut për shfaqjen e trombozave. Mekanizmi që lidh smogun me rritjen e riskut për tromboza, është mjaft i ngjashëm me atë që shkakton të ashtuquajturën “sindrom e economy class”, edhe pse te pasagjerët që nuk lëvizin këmbët për shkak të udhëtimeve tepër të gjata, duke qëndruar për një kohë të gjatë ulur në pozicione jo komode, nuk formojnë pllakëza të mirëfillta, por vetëm shfaqin ngadalësim të qarkullimit të gjakut. Ndërkohë, ashtu si shpjegohet në numrin e fundit të “Archives of Internal Medicine”, smogu favorizon ngushtimin e arterieve, pasi si pasojë e ekspozimit ndaj agjentëve ndotës, gjaku qarkullon më me vështirësi.
Ekspozimi ndaj nano-pjesëzave të prodhuara nga shpërbërja e karburanteve ka qenë objekt i një studimi që ka patur për objekt ndikimin e smogut në infraktet dhe iktus. Studimi i kryer në SHBA, tregon se ekziston një lidhje e mundshme mes smogut dhe rrezikut për shfaqjen e trombozave venoze të thella. “Rezultatet tona tregojnë për një faktor risku krejt të ri dhe në të njëjtën kohë konfirmojnë rëndësinë e sforcimeve që kryhen për uljen e impaktit të ndotjes urbane në shëndetin e njeriut”, kanë nënvizuar studiuesit e Harvardit.

Stresi, mund të ndikojë në sterilitet te një mashkull




• Stresi kronik ndikon në shfaqjen e problemeve të sterilitetit te meshkujt. Hormonet që çlirohen, ndikojnë në spermatogenezë dhe për pasojë në aftësinë fekonduese të një mashkulli.

AIDA MALAJ

Në një intervistë për “Panorama”, mjeku androlog, Evi Dani, shpjegon se si mbi ç’bazë është i ndërtuar sistemi i riprodhimit, si ndikon konkretisht stresi mbi këtë sistem dhe çfarë mund të bëhet në këto raste:
Doktor, çfarë hormonesh marrin pjesë në sistemin e riprodhimit të një mashkulli?
Riprodhimi te meshkujt është i varur nga një sistem hormonal, që është specifik vetëm për sistemin e riprodhimit. Në pjesën e sukorteksit mund të prodhohet një sërë hormonesh ku më i rëndësishmi për riprodhimin është gonotropina ose hormonet çliruese të gonotropinës, të cilat ngacmojnë hormonet folikulostimuluese dhe lutinizuese të hipofizës (gjendër e cila prodhon disa hormone dhe ndodhet brenda në tru). Lutemizuesi dhe folikujt ndikojnë në qelizat Leidik për prodhimin e testosteronit si dhe influencojnë tubat seminifer. Tubat seminifer dhe qelizat Leidik ndodhen në teste. Pikërisht çrregullimi i këtij mekanizmi sjell pasoja për dëmtimin e spermatogenezës. Pra, uljen e nivelit, lëvizshmërinë ose formën të spermatozoideve, duke u bërë kështu problem për aftësinë fekondeuse të mashkullit. Ky mekanizëm vepron dhe te femrat për të mbajtur një cikël të rregullt të zhvillimit të vezës.
Mendohet se stresi është një faktor që ndikon në shfaqjen e problemeve të sterilitetit te një mashkull. Si ndikon konkretisht kjo gjendje?
Gjatë praktikës së përditshme është parë se nuk janë të paktat rastet që kur çiftet nuk arrijnë të kenë një fëmijë, t’i nënshtrohen një gjendjeje stresante dhe ta shndërrojnë në një problem psikologjik. Çifti është i stresuar, i preokupuar dhe është parë se kjo gjendje për fat të keq influencon në sistemin hormonal, duke penguar apo frenuar spermatogenezën ose ovulogjenzenës. Përveç kësaj, sigurisht stresi i përditshëm, puna stresante etj., është parë se veprojnë dhe në drejtimin e infertilitetit, sepse stresi ndikon në prodhimin e adrenalinës, e cila vepron në sistemin hormonal.
Sa i përhapur është problemi i sterilitetit?
Kohët e fundit vihet re një shtim i rasteve, pavarësisht se nuk ka statistika të mirëfillta. Gjithsesi është parë se nëse më parë konsiderohej se infertiliteti ishte një problem që kapte 10% të çifteve, ky problem është rritur në 15-20%. Ka disa faktorë që kanë ndikuar në shtimin e këtij problemi. Të tillë janë aktiviteti i hershëm seksual, shtimi i rasteve të aborteve, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mënyra e jetesës, stresi etj. Pra, janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në shtimin e këtij problemi.
Si trajtohet steriliteti te meshkujt?
Trajtimi i meshkujve infertil bëhet duke përcaktuar në radhë të parë shkakun. Vetëm duke përcaktuar një diagnozë të qartë, mund të bëhet trajtimi si duhet i sëmundjes. Përsa i përket mjekimit, ai konsiston kryesisht në atë hormonal dhe bazohet në dhënien e gonotropinës. Stimulimi i spermatozoideve bëhet në bazë të shkallës së spermatogenezës apo aftësive fekonduese që shfaqin në spermogramë. Sigurisht çiftet që kanë probleme të tilla, e kanë të nevojshëm dhe një trajtim psikologjik.
Në pamundësi për të arritur sukses me metodën stimuluese hormonale, mund të përdoret fertilizimi in vitro.

Analiza

Një nga analizat që bëhet për përcaktimin e aftësisë fekonduese që ka një mashkull është spermograma. Kjo është unifikuar në vitin 1982. Para kësaj date, vende të ndryshme merrnin për bazë kritere të ndryshme. OBSH në këtë vit, mori për bazë një studim që ishte shtrirë në 5 qendra, i cili kishte një përhapje gjeografike të gjerë dhe merrte nën shqyrtim raca të ndryshme. Në bazë të atij studimi u vendosën dhe kriteret se kur një mashkull ka probleme me sterilitetin. Kriteret janë orientuese, të tilla që bazohen në: volumin që duhet të jetë 2-4 ml, numrin e spermatozoideve që duhet të jetë 10 milionë dhe më shumë, në një mililitër, në total duhet të jenë 40 milionë dhe më shumë spermatozoid. Lëvizshmëria, e cila duhet që të jetë me lëvizje progresive te mbi 15% e spermatozoideve dhe forma duhet të jetë ovale në mbi 30 % të tyre.

Një molekulë e re kundër kancerit të kockës.



Një grup shkencëtarësh në Australi thotë se ka bërë një zbulim në mënyrën e trajtimit të kancerit në kockë. Shkencëtarët në laboratorin e spitalit Saint Vincent në Melburn kanë zbuluar një armë të re në luftën kundër kancerit të kockës. Kirurgu ortoped Piter Çong shpjegon se kanceri i kockës apo osteo-sarkoma prek kryesisht njerëzit në moshë të re, periudhë kur kocka rritet e formohet. Ky lloj kanceri shfaqet kur qelizat që kanë arritur fazën e plotë të zhvillimit nuk u përgjigjen sinjaleve për të mos u rritur më. Kështu ato vazhdojnë të rriten dhe kjo shkakton kancer. Osteo-sarkoma, nga një pikë e vogël shpesh përhapet në mbarë kockën e pastaj kalon në muskuj. Por kur ky kancer godet një shtresë të hollë kërci, ai duket se ndalet. Doktor Çang thotë se gjatë kërkimeve ata zbuluan që kërci përmbante një molekulë që frenon përhapjen e qelizave kanceroze. Ai thotë se studimet tek kafshët në laborator tregojnë se ky zbulim i ri mund të krijojë mundësi për një trajtim të efektshëm të sëmundjes. Në fakt ky lloj trajtimi ka ndryshuar jetën e të paktën të sëmuri. Mark Naper kishte një gungë në gjurin e tij që kur u diagnostikua doli se ishte osteo-sarkomë, kancer në kockë. Pas 6 muajsh trajtimi me kimoterapi dhe operacion, ky pacient tashmë është rimëkëmbur. Ai thotë se e ndjen vetem mirë dhe është kthyer në jetën normale. Gjatë viteve të fundit, cilësia e jetës së pacientëve me oeste-sarkomë është përmirësuar dukshëm, por në 25 përqind të rasteve, pacientët me këtë sëmundje vazhdojnë të mos reagojnë ndaj metodave të deritanishme të trajtimit. Shkencëtarët besojnë se zbulimi i ri i mjekëve australianë do të ndryshojë për të mirë jetën e të sëmurëve me këtë lloj kanceri.
Metodë e re kirurgjike
Kohët e fundit, Maria Viruet iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tëmthit. Mjekët e operuan atë nëpërmjet vrimës së kërthizës. Mjeku Paul Kurçillo thotë se kjo metodë e re operimi nuk sjell asnjë rrezik, nuk shkakton asnjë dhimbje, pasi kirirgu nuk përdor asnjë lloj bisturie. Pas hapjes së kërthizës, kirurgu përdor një lloj instrumenti që mund të lëvizë si një dorë kirurgu, duke eleminuar kështu përdorimin e mjeteve laparoskopike pak të manovrueshme. Mjekët po e përdorin metodën e operimit nëpërmjet kërthizës për heqjen e tëmthit, riparimin e gjendrave të dhjamit, histerektomi dhe ndërhyrje në shtyllën kurrizore.
Studime për trajtimin e traumave në tru
Shkencëtarë amerikanë të laboratorëve të mbrojtjes dhe të sektorit privat po bashkëpunojnë për të krijuar mjete më të mira mbrojtëse për civilë e ushtarë.
Këtë lojtar futbolli janë pjesmarrës në një studim. Helmetat e tyre janë pajisur me ndjesorë të posaçëm që vëshgojnë dhe regjistrojnë efektet e goditjeve. Doktor Tom Guduin pranë kolegjit të Virxhinias thotë se ndjesorët për rreth helmetës regjistrojnë forcën e goditjes dhe drejtimin që shpërndahet ajo. Në këtë mënyrë ekspertët mund të shohin se cila pjesë e trurit preket më shumë nga goditjet.
Në studim marrin pjesë edhe ekspertë të Pentagonit. Shefi i shttabit të ushtrisë, Xhorxh Kejsi thotë se tani po kryhen eksperimente me helmetat e pajisura me ndjesorë të vendosura në kokën e mostrave në laborator. Ekspertët masin tronditjen e shkaktuar në kokën, pastaj të dhënat e regjistruara kalohen në kompjuter për të parë efektet e goditjeve në tru.
Helmeta me ndjesorë vazhdojnë të perfeksionohen dhe është planifikuar që ato të fillojnë të përdoren këtë vit në Irak e Afganistan. Kjo pllakë është një tjetër pajisje për të matur drejtpeshimin, që njeriu shpesh humbet kur goditet në kokë. Neurologu Tomas DeGravo e përdor këtë pajisje për të matur përpjestimin e përhapjes së goditjes në tru.
Kudo që ndodh lëndimi, në fushëbetejë a në fushën e sportit, këto pajisje do t’i lejojnë mjekët të përcaktojnë me shpejtësi mënyrën më të mirë të trajtimit për viktimat e traumës.
Testosteronet në formë tabletash, të paefektëshme
Një studim tregon se marrja e testosteroneve nuk i ndihmon burrat e moshuar për t’u bërë më të fortë e më të shkathët. Në Shtetet e Bashkuara, qindra mijëra të moshuar marrin testosteron në formë tabletash duke shpresuar për forcimin e muskujve e të kockave dhe për një jetë cilësore.
Ndërsa burrat moshohen, niveli i hormonit testosteron në gjak pakësohet. Shkencëtarët pranë qëndrës mjekësore të universitetit Utrecht në Holandë, kryen kohët e fundit një studim për të parë nëse marrja e këtij hormoni në formë tabletash mund t’i ndihmojë ata në përmirësimin e gjendjes fizike.
Mjekja Mariel Emelot Vonk thotë se qëllimi i studimit ishte për të parë nëse testosteroni ndihmon për parandalimin e shenjave të plakjes. Në studim u përfshinë 207 burra të moshës 60-80 vjeçare të cilëve iu dhanë testosteron në formë tabletash për 6 muaj. Mjekja Ivone van der Shoun, një prej autoreve të studimit thotë se shpresohej që testosteroni do të ndihmonte në uljen e shtresave të dhjamit në bark. Por gjatë studimit nuk u vu re një pakësim i tillë. Shkencëtarët panë se niveli i kolesterinës së mirë u pakësua tek burrat që merrnin testosteron. Në përgjithësi, studimi tregoi se marrja e testosteronit në formë tabletash nuk sillte ndonjë të mirë për shëndetin, prandaj shkencëtarët dolën me rekomandimin që ai të mos përdoret. Mjekja Emelot Vonk thotë se ka plot mënyra që burrat e moshuar mund të përdorin për të shftuar fuqinë, përmirësuar funksionin mendor e mposhtur plogështinë. Këto mënyra janë ushtrimet fizike e ushqimet e shëndetshme.

Rrëzimet aksidentale - rreziku kryesor për të moshuarit


Studimet tregojnë se rrëzimet aksidentale janë shkaku kryesor i lëndimeve dhe vdekjeve tek të moshuarit. Shkencëtarët në Universitetin e Mizurit po zhvillojnë teknologji për t’u dhënë ndihmën e shpejtë të lënduarve dhe për të gjetur një mënyrë për të parandaluar rrëzimet.

Ish zonja e parë Nancy Reagan u shtrua në spital për pak orë pasi u rrëzua me 17 shkurt në shtëpinë e saj në Los Angeles. 85 vjeçarja, Nancy Reagan duket fizikisht e dobët por mjeku i saj tha se nuk ka pësuar dëmtime. Neurologët thonë se rrëzimi nuk është pjesë normale e pleqërisë.

Shumë njerëz rrëzohen. Por të moshuarit janë më në rrezik dhe gjysma e atyre që rrëzohen ka të ngjarë të rrëzohen përsëri. Njerëzit rrëzohen kur pësojnë hemoragji cerebrale ose goditje në zemër. Ndihma e shpejtë mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë dëmtime të mëtejshme të zemrës dhe trurit. Njerëzit rrëzohen edhe për arsye të tjera. Dhe nga kjo shkaktohen fraktura të legenit, dëmtime të trurit dhe të tjera dëmtime që e bëjnë rrëzimin shkakun kryesor të vdekjeve nga plagët e marra tek të moshuarit.

Rënia është gjitashtu shkaku i dëmtimeve jo vdekjeprurëse mes të moshuarve dhe shkaku numër një i shtrimeve në spital të kësaj grupmoshe për shkak të traumave që pësojnë. Marilyn Rantz në Univeristetin Mizuri përdor dublantë kaskaderë në studimin e saj. "Miliarda dollarë shpenzohen për të mbuluar koston e kujdesit shëndetësor për mjekimin e të dëmtuarve nga rrëzimet. Prandaj puna jonë është përqëndruar jo vetëm në gjetjen e shkaqeve që shkaktojnë rrëzimin por edhe në vlerësimin e rreziqeve që vijnë prej tyre. Nëse studiuesit do të arrijnë të zbulojnë se kur një person është më në rrezik të rrëzohet, para se kjo të ndodhë, ata mund të ulin koston e mjekimeve dhe mund të parandalojnë shumë dhimbje dhe vuajtje."

Zonja Rantz punon me Marjorie Skubic dhe shkencëtarë të tjerë në Univeristetin e Mizurit. "Mund ta përdorim këtë përvojë për të ndërtuar programe kompjuterike në mënyrë që të jemi në gjendje të njohim automatikisht si ndodhin këto rrëzime në jetën e përditshme."

Studiuesit marrin të dhëna nga kamerat dhe sensorët dhe i hedhin në kompjuter për të zbuluar shenja paralajmëruese para se të ndodhë rënia. Për studimin, kamerat u vendosën në një azil pleqsh. Eva Olweean po mëkëmbet nga thyerja e legenit. Ajo thotë se do të donte të parandalonte ndonjë aksident tjetër si ky. "Nuk është e lehtë të kalosh tërë këto dhimbje."

Profesor Skubic thotë se kompjuterat mund të dallojnë ndryshimin midis shtrirjes në dysheme dhe asaj në divanë. Kur dikush rrëzohet, bie alarmi dhe ndihma vjen menjëherë. Programi kompjuterik mund të paralajmërojë infermjeret kur ka ndryshim në mënyrën e ecjes së të moshuarve. Nëse dikush është më në rrezik për t’u rrëzuar, infermierët mund t’i mësojnë atij teknika për të parandaluar rënien

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...