Zëdhënësi i CIA Preston Golson tha se "çdo sugjerim se agjencia është ende në biznesin e paraburgimit është i painformuar dhe pabaza".
Në janar të vitit 2009, Presidenti amerikan Barak Obama ia hoqi CIA-s kompetencat për të mbajtur të burgosur. Vendimi thotë se CIA nuk mund të ketë burgje sekrete rreth botës, raporton VoA.
Në një fjalim muajin e kaluar në Universitetin e Denverit, biografja e ish shefit të CIA-s, Petraus, Paula Broadwell tha se sulmi në Benghazi ishte një përpjekje për të çliruar militantët libianë që mbaheshin në një aneks të CIA-s në qytet. Katër amerikanë u vranë në atë sulm, duke përfshirë ambasadorin e SHBA në Libi, Christopher Stevens.
Universiteti postoi një video të fjalimit në YouTube, ku Paula Broadwell thotë se informacioni "ende është duke u verifikuar", por nuk thotë se nga e ka marrë informacionin. Disa raporte sugjerojnë se Broadwell mund t'i ketë marrë të dhënat nga Fox News, rrjet televiziv që ajo e ka cituar si burim për informacione të tjera.
Për shkak të marrëdhënies së Broadwellit me Petraeus dhe çfarë ajo ka përshkruar si "qasje të paparë" ndaj gjeneralit me 4 yje, disa kanë ngritur shqetësime nëse Paula Broadwell mund të ketë pasur qasje në informata të klasifikuara apo sekrete
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se FBI-ja ka përcaktuar se nuk kishte asnjë shkelje të sigurisë si rezultat i marrëdhënieve Petraeus - Broadwell. Por të hënën, agjentët e FBI-së hynë në shtëpinë e Broadwellit në Charlotte të Karolinës së veriut. Agjentët u panë duke mbajtur çanta dhe kuti të mbushura me dokumenta, ndërsa dolën nga shtëpia të cilën Paula Broadwell e ndan me bashkëshortin e saj dhe dy djemtë e tyre
Ajo nuk është parë në shtëpi që nga e premtja e kaluar kur zoti Petraeus dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të CIA-s.
Ekzistojnë gjithashtu raporte se hetuesit gjetën dokumente të klasifikuara në kompjuterin e Broadwellit. Thuhet se materialet kishin lidhje me Afganistanin, ku zoti Petreas ishte komandant i forcave amerikane dhe të NATO-s, dhe kur Paula Broadwell ishte duke shkruar biografinë e tij. Gazeta The New York Times citon një zyrtar anonim të ketë thënë se si Paula Broadwell edhe David Petraeus kanë mohuar se ai i kishte dhënë asaj dokumente.