Agron Sylejmani
Në demonstratat e viteve 1988-89 që organizoheshin nga Lëvizja Popullore e Kosovës të udhëhequra nga Afrim Zhitia e Fahri Fazliu me shokë të tjerë, Agron Sylejmani kishte vetëm 17 vjet kur merr pjesë aktive në demonstratat që bëheshin në komunën e Besianës, gjithashtu bëhet edhe udhëheqës i demonstratave që bëheshin në Galab. Ai ishte pjesëmarrës edhe në protestat gjithëpopullore të viteve 1989-90 kur pushteti serb filloi të shkatërrojë çdo gjë që frymonte shqip, i cili nuk zgjidhte as forma e as mjete të dhunës për të arritur qëllimin.
Agron Sylejmani ishte njëri nga ata që më së shumti i ndihmoi nxënësit gjatë helmimit që bëri pushteti serb atëbotë në Kosovë.
Në pamundësi për të qëndruar në vend, sepse kërkohej nga pushteti serb, i cili e kërkonte pas një kacafytjeje me policinë serbe në Orllan si dhe rrahjes së policëve Sfetozar e Rada Mitroviq ishte i detyruar që të kalojë në ilegalitet. Një kohë strehohet në fshatin Ballaban tek familja e Tafë Ibishit, Shaban Mavriqit, Azem Shabanit dhe në disa familje të tjera, derisa i bien në gjurmë policia. Një ditë diku kah ora 23 e atij viti policia tentojnë ta arrestojnë te vendi i quajtur Arat prej Ballabanit dhe Kolibat, por pa sukses. Agroni, zjarrit i përgjigjet me zjarr në një luftë të ashpër me policinë serbe. Atë natë ai e kalon në fshatin Prapashticë e të nesërmen në Mutivodë. Nga Prapashtica shkon me Ibrahim Rafunën deri në Prishtinë dhe strehohet te halla e tij, Sabria. Në muajin tetor të vitit 1990 Agroni së bashku me Rexhep Ibrahimin shkoi në Zvicër. Edhe pse ishte në diasporë ai nuk qëndroi duarkryq, por e vazhdoi aktivitetin kombëtar dhe politik. Iu bashkua shokëve të Lëvizjes Kombëtare e cila vepronte brenda e jashtë vendit. Edhe pas largimit nga vendi ai kthehej shpesh në Kosovë për të organizuar shokët dhe njerëzit në luftë kundër okupatorit serb.
Me themelimin e UÇK-së nga komandantët Zahir Pajaziti e Adem Jashari dhe fillimin e luftës në Drenicë e vende të tjera të Kosovës, Agron Sylejmani, në ditët e para, iu bashkohet luftarëve të lirisë me nofkën “BEKIMI”. Bekimi, së bashku me komandantin Bedri Ahmeti me nofkën “Bedi” marrin pjesë në betejën e Polacit e të Prekazit të Drenicës, i cili ishte betuar para shokëve që në çdo betejë do të jetë në vijën e parë të frontit. Pas pjesëmarrjes në betejat e Drenicës, Bekimi i bashkangjitet Zonës së Pestë të UÇK-së në Shalë të Bajgorës dhe Kaçanollë.
Në betejën e Kaçandollit ku ishin vrarë: Bekim Maliqi, Habib Zeka, Bekim Lushaku, Nazmi Zhegrova e të tjerë, Agron Sylejmani, i nxori nga rrethimi më kritik i ushtrisë serbe 25 e më tepër ushtarë të UÇK-së. Në ofenzivën e Potokut një tog i UÇK-së ishte i rrethuar në të katër anët, por me ndërhyrjen e Bekimit ushtria serbe u detyrua të tërhiqet. Bekimi, luani i UÇK-së, trimi dhe strategu i luftës, mori pjesë ne betejën e Llapashticës, Obrançës, Majancit, Katunishtës dhe gjithmonë me togun e tij ishte ngadhnjimtar.
Edhe pas largimit të ushtrisë serbe nga Kosova dhe hyrjes së forcave të NATO-së Agron Sylejmani kishte ide dhe mendim te qartë se UÇK-ja nuk duhej t’i dorëzojë armët derisa të zgjidhet statusi politik dhe juridik i Kosovës. Ai nuk u pajtua edhe me një pjesë të shokëve të tij, sepse e dinte se lufta në Kosovë nuk kishte përfunduar. Mendimi i tij i qartë për bashkimin e trojeve shqiptare e shtyri të marrë pjesë në luftërat që më vonë shpërthyen në Kosovën Lindore -Preshevë, Bujanoc, Medvegjë si dhe në Maqedoni. Ai edhe më tutje mbrojti konceptin dhe idet e tij se armët janë më se të nevojshme, mu atëherë kur do të fillojnë bisedimet nëpër të ashtuquajtura institucione për statusin e shtetit të Kosovës. Duke pas parasysh se të huajt në Kongresin e Berlinit dhe Paqen e Versajës na ndanë dhe na copëtuan; po të njëjtit po na mbajnë të ndarë e të copëtuar dhe të armiqësuar. Pra : “Kur të huajt po e drejtokan vendin dhe kur ata hykan në mes të vëllezërve, vëllavrasja dhe përçarja po u rishfaqkanë përsëri”. Andaj nuk janë të ralla rastet kur atdhetarët shpallen armiq të vendi dhe armiqtë shpallen atdhetarë!.
No comments:
Post a Comment