Nga
Fritz RADOVANI:
DOSJA 3616: SI U BA ZHDUKJA E PROF. BONATTIT?
“Kam provue tortura
të pandigjueme e të palexueme... Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...”. Pak kohë mbasi u dënue
Imzot Prof. Jul Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për
mjekim. Aty shkoi me u takue një mbesa i
Tij me té dhe, Ai i tregoi se aty ishte dergue per me u masakrue barbarisht...
●Imzot Bonati asht lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët
e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në filozofi dhe letërsi në
universitetet e Vjenës së Austrisë dhe në Padova, n’Itali. Ka pasë edhe një
motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa ka mbarue studimet asht
shugurue meshtar, ka shkue në Stamboll, ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka
mujtë me kërkue ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë i vlejnë për
punimet që do të kryente dhe që janë një thesar i madh për shkencën shqiptare.
E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam kalue
nëpër dorën teme nuk bahët fjalë se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë.
Dikush me siguri edhe mund të dijnë!
Mbas Stambollit, vjen me shërbim fetar në Durrës ku punoi
për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në Vlonë. Atje u njohtë me Papa
Petraq Isakun, prift katolik, si dukët edhe ai një klerik i pergatitun mirë,
mbasi Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi në birucat e
Sigurimit të Vlonës. Mungesa e dokumentacionit nuk më lejon me dhanë mendim të
saktë për té, ndonse nuk duhet të mos kerkojmë...
Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali,
për arësye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare deri në vitin
1946 që e këthejnë në Shqipni. Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje
kanë mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën në Shqipni, vjen në Shkodër
për me takue At Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë rasë
merr edhe një ndihmë të vogël materiale mbasi kur u kthye nga Italia, nuk mujti
me marrë as teshat e trupit prej andej.
●As sot që kanë kalue ma shumë se 70 vjet që e kthyen nuk
dij me e kuptue se cila ishte arësyeja që u dërgue ky njeri në Shqipni, vetëm
në kjoftë se e nisën për “kurban”, mbasi arësye tjetër nuk dij me gjetë! Nga
disa filma dokumentarë të asaj kohë për ngjarjet në Itali, dyshoj për ndonjë
marrveshje të mësheftë të Italisë me Tiranën komuniste!
Për pak muej shkoi në Vlonë ku, kishte shërbye si
famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën 6 nandor 1946, në pragun e
arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Bonatti, pra,
pak muej mbas kthimit Tij nga Italia.
●Hapët dosja nr. 3616... Me gjithë mangësitë e saja,
tregon dishka që për mue më ka ngjallë interes. Në hetuesi Imzot Bonatti
deklaron: “...Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII.
Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.” Rreshti i fundit
për mue flet gjithshka! Plot një vit hetime.
Me datën 27 tetor
1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”.
Edhe pse Imzot
Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u
shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta,
antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe ky
trup gjykues vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie...”.
●Prof. Arshi
Pipa në shkrimin e tij “ Monsignor Vinçenc Prennushi (in memoriam)”, me datën 28 shkurt 1995, në Tiranë, shkruen:
“... Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermerinë e
burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa
frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin,
famullitarin e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u
ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Monsignori tërhoqi
dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.”(marrë nga
origjinali)
●A thue këtu
mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist
ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por
kurrë rrugën e zgjedhun të krimit se nuk mund të shkëputej asnjë çast.
Në materialet
arkivore vërejmë disa dënime të “buta”, nëse do t’i quejmë kështu. Edhe Imzot
Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj, sekretari i tij pushkatohët.
Don Zef Maksen (gjerman) dënohet pak vite, por merrët natën nga burgu dhe
vritët. Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara opinjonit të huej.
Po pyetën të huejt “ç’u bë Imzot Bonatti?”, ne
do t’i themi - “e kemi në spital për mjekim”, më vonë, “shohim e
bëjmë!?”.
***
Vazhdoi për disa muej
ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë... Zotnues i disa gjuhve të hueja,
i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njoftun i
“Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej,
sillet në Shqipni... dhe çohet në manikomjo.. .Fantazia e kriminelit terrorist asht e
pafund....
●Imzot Prof.
JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë...” një fjalë goje!
U gjet në një dhomë
copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”.
Kush ishin këta të
sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të “pavetëdijshëm” ata që e mbytën
Imzot Bonattin? - Jo, jo! E, prap po përsëris, jo!
- Ishin të sëmurët e
“vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht
Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke
para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hoxhët e Shehët, Hasnedarët e Themelët,
ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e... ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë,
që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi e një Ramiz Ali e Nexhmije Hoxha,
terroristë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”,
tue pi gjakun e tij dhe, me gishtin tregues tue vrritë si qentë : “Tradhëtarë,
në litar ...”!
●Harroni, harroni, po deshët! Historia edhe
persëritët kur shteti asht në duertë e tyne!
Po, mos harroni se: Çobajt e kafshëve të egra janë ma të egjër se
kafshët e tyne!
Melbourne, 5 Dhjetor 2017.