Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, gjatë një takimi me homologun grek Nikos Kotzias në Athinë, ka theksuar faktin se ndihet i shqetësuar në lidhje me çështjen e influencës së faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Por është më se e qartë që ekziston një politikë e intensifikuar për të krijuar një shtet të bashkuar të shqiptarëve. Ata duan platformën e Prizrenit, pikërisht për të krijuar një shtet të bashkuar shqiptar dhe kjo me të vërtetë është një kërcënim i madh për stabilitetin e rajonit, por edhe më gjerë në Evropë”, ka thënë ai.
Sipas Daçiç zgjedhjet në Kosovë nuk do të sjellin stabilitet.
Daçiç gjithashtu ka kërkuar të falur për herë të dytë përsa i përket gabimit të Beogradit që ka njohur 20 vjet më parë Shkupin me emrin e “Republika e Maqedonisë”, ndërkohë që ka kritikuar udhëheqjen e Shkupit e cila jo vetëm njohu Kosovën, por edhe mbështeti kandidaturën e saj në UNESCO.