Sot më 12 dhjetor 2017, ndërroi jetë, në moshën 91 vjeçare Historiani i shquar RASIM BEBO, autor i botimeve historike:
“Dodona”, “ZEUSI”, “ARTIKUJ DHE NGJARJE- 2 PJESË”, “ SHQIPËRIA NË GJURMËT E KOHËS”, “HISTORI ME SHKRONJA GJAKU”,”AMERIKA ME RRËNJË SHQIPTARE”, romani autentik “SHALA E KALIT TË JETËS” si dhe i disa dhjetëra artikujve historiko-problematik në organet e shtypit dhe në website të internetit.
Me një jetë tepër aktive, luftëtar trim në Batalionin “Çamëria”, tankist i shkathët, oficer i paepur i ushtrisë popullore, mësues i devotshëm në disa shkolla të vendit, dhe aktivist shoqëror i palodhur në SHBA, ku emigroi dy dekadat e fundit, ai iu kushtua tërësisht atdheut dhe Çamërisë martire.
Me përgatitjen e tij intelektuale, studime te larta për histori- gjeografi dhe gjuhë gjermane, jeta dhe vepra e tij madhështore, bëri që ai të pushtojë shpirtin patriotik të gjithë atdhedashësve në të dy kontinentet ku jetoi.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij, si bashkëshort shembullor, si baba i shtrenjtë, për katër djemtë e vet, njerëz të nderuar të punës, gjysh i dashur për shumë nipër e mbesa, si dhe mik i shtrenjtë për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë lexuar veprat e tij.
Vullnet Mato – shkrimtar,
Tiranë 12 dhjetor 2017.