Nga Kujtim Mateli
Viti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, siç është quajtur viti 2018, në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së tij, është një vit i shenjtë për shqiptarët kudo që ata ndodhen. Në këtë kuadër,
Forumi i mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare organizoi këto ditë një veprimtari shkencore përkujtimore për nder të albanologut kroat Milan Shuflaj me temë: “Milan Shuflai-dëshmori i Albanologjisë dhe mik i përjetshëm i shqiptarëve”.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Forumit të mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare akademik Pal Trashaj, i cili me punën e tij të pandalur është bërë gardiani i kësaj pasurie mbarëkombëtare. Pasi foli për rëndësinë e kësaj figure të shquar të Albanologjisë, për kontributin e tij të çmuar, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e shumtë të këtij takimi. Ishin të pranishëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, Akademia e Shkencave e Shqipërisë,
Akademia e Shkencave Shqiptaro-Amerikane, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, shkrimtarë, studiues dhe historianë, njerëz të artit dhe kulturës, si dhe grupe folklorike nga jugu në veri. Përmendim disa prej tyre si: akademik Gudar Beqiraj, akademik Skënder Kodra, akademik Agron Fico, akademik Flori Bruqi, znj. Xhevahire Xhelaj, shkrimtari Arben Kondi, historianët: Nuri Dragoj, Eleni Kocaqi dhe Agustin Maka , studiuesi Anastas Shuke, av. Agron Gjedia, dhe shumë të tjerë që kishin mbushur mjedisin ku u zhvillua ky takim.
Këtë takim shkencor përkujtimor të organizuar nga Forumi i mbrojtjes së Trashëgimisë Historike Kulturore Kombëtare e përshëndeti dhe akademik Gudar Beqiraj, i cili ka kryer detyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i falënderoi të pranishmit dhe organizatorët e këtij takimi dhe nënvizoi kontributin e madh që Milan Shuflaj i ka dhënë Albanologjisë, kontribut të cilin e vulosi me jetën e tij.
Zëvendës kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane, prof. dr. Agron Fico, solli përshëndetjet e diasporës dhe të institucionit shkencor që ai përfaqëson duke lartësuar kontributin e akademik Pal Trashaj në veprimtaritë që organizon për të sjellë sa më pranë njerëzve figurat e ndritura që kanë dhënë kontribute të çmuara për kombin tonë. Vlerësoi figurën madhore të albanologut Milan Shuflaj dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm.
Të pranishmit i përshëndeti nënkryetari i Bashkisë Lezhë, z. Ardian Laçi, i cili vuri në dukje kontributin e lezhianëve në mbështje të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe qytetin e Lezhës si vendin ku Skënderbeu kishte kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e botës evropiane dhe vendprehja e eshtrave të tij. Konfirmoi gjithashtu dhe angazhimin e tij për të bërë më shumë në të ardhmen dhe nga Bashkia e Lezhës.
Shkrimtari dhe akademiku Flori Bruqi, foli për jetën dhe veprën e akademik Skënder Kodrës, i pranishëm në atë takim, cili u lind më 13.05.1946 në Istog të Kosovës, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Gjakovë dhe Pejë. Autoritetet qeveritare serbe e burgosën për motive patriotike. Në shumë raste kaloi nëpër burgjet e Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt, Suharekës në Ce Zene të Beogradit dhe veçanërisht në burgun e Pejës.
Një nga pikat kulmore të tij është dhe pjesëmarrja në Luftën e Kosovës të vitit 1999, në ndihmë të të dëbuarve kosovarë, në kampet e shumta në Shqipëri, si dhe në spitalin Ushtarak në Tiranë. Djali i tij Isai, ushtarak dhe i lindur në SHBA, u radhit në radhët e UÇK-së në Kosovë, ashtu si dhe shumë të tjerë nga të afërmit e familjes Kodra. Është kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane.
Historiania Eleni Kocaqi, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me ligjëratën e saj. Ajo theksoi rolin e madh të albanologut Milan Shuflaj, në përballje me qarqet antishqiptare që kërkonin zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës dhe tjetërsimin e trojeve shqiptare nga fqinjët tanë.
Prof. Ago Nezha, kryetar i shoqatës “Labëria” i përshëndeti të pranishmit duke theksuar rolin e madh dhe kontributin e figurave të shquara të kombit tonë.
Vëmendjen e pjesëmarrësve e tërhoqën këngëtarët Llesh dhe Gjin Prenga, instrumentisti Gjovalin Ndreca dhe recituesi i talentuar Kolë Kunora.
Mbylljen e punimeve e bëri organizatori i këtij takimi, akademik Pal Trashaj. Në emër të forumit që ai përfaqëson vlerësoi kumtesat dhe fjalën përshëndetëse të pjesëmarrësve si një vlerë të çmuar në mendimin shkencor në fushë të Albanologjisë duke rreshtuar dhe disa figura të tjera historike dhe shkencore që kërkojnë të marrin vëmendjen e duhur në të ardhmen,
Në mbyllje të këtij shkrimi nuk mund të lihet pa përmendur moderatori i këtij takimi, z. Marce Llacaj, i cili me fjalën e tij artistike, i dha vlerë dhe risi këtij takimi.
Në kuadër të Vitit Gjergj Kastriot Skenderbeu, takime të shumta kanë planifikuar shoqata dhe organizata që veprojnë në trojet shqiptare dhe në diasporë. Sjellja sa më pranë njerëzve, e figurave të shquara që janë bërë pjesë e lavdishme e historisë së popullit tonë, do të bëjë që shqiptarët ta duan më shumë atdheun e tyre dhe të kontribojnë për të, akoma më tepër në të ardhmen.