Pro et contra Enver Hoxhës ?
Fotografitë e Hoxhës dhe thirrjet “Rroftë shoku Enver”, kanë qenë të pranishme në ceremoninë e zhvilluar dje për përkujtimin e 70-vjetorit të çlirimit të Elbasanit ku të pranishëm ishin edhe deputetë të Partisë Socialiste të këtij qarku.
Nuk munguan as parullat ku shkruhej “Lavdi PKSH” apo “Lavdi Enver”, madje disa prej personave që i mbanin ato ishin vendosur në radhët e para.
Duket se shfaqja e portretit të Enver Hoxhës po kthehet në një refren në pothuajse të gjitha qytetet ku përkujtohet dita e çlirimit.
Përse 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për komunizmin?
Sondazhi i OSBE-së jep shifra të frikshme mbi pëlqimin e komunizmit dhe figurave të tij. Rikthimi i “hijes” së Enver Hoxhës dhe diktaturës si nostalgji në mendjet e të anketuarve.
Përgjigjet mbi motivin e kthimit pas në kohë vijnë nga dështimi i politikës në 25 vitet e fundit dhe mungesës së informimit rreth diktaturës komuniste. Flasin Dashamir Shehi, Gentjana Sula, Mesila Doda, Paskal Milo dhe Mustafa Nano.
Komunizmi ka rënë si mënyrë qeverisje, por jo në “mendjet” e një pjese të mirë të qytetarëve shqiptarë, dhe herë pas here shfaqet gati në nostalgji për të kaluarën, aq sa 45 % e të anketuarve ndikimin e Enver Hoxhës dhe vetë sistemin diktatorial, e gjykojnë si pozitiv.
Pyetja e madhe që lind është mes dështimit jo të sistemit të demokracisë liberale, por të klasës politike shqiptare dhe zhgënjimit prej saj.
Ndikimin e Enver Hoxhës 45 % e konsiderojnë si pozitiv, ndërsa 42 %, negativ. Afër gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi ishte ide e mirë, por e zbatuar keq.
Ndërkohë 1/3 gjykon se ishte ide e keqe dhe e zbatuar po keq.
Mes personave të pyetur, që kapin shifrën 10 %, ka nga ata që në mendje kanë të “indoktrinuar” fort në të shkuarën, kur pranojnë se komunizmi ishte ide e mirë dhe e zbatuar mirë.
Shifra të tilla të dala më shumë se dy dekada pas përmbysjes përfundimtare të regjimit, politikanë dhe analistë e shohin në këndvështrime të ndryshme, por ajo që bien dakord të gjithë është se ka një zhgënjim të theksuar të popullsisë nga klasa politike në 25 vitet e fundit.
“Së pari, ka një pakënaqësi të përgjithshme, ka keqqeverisje që është faktori bazë dhe këtë nuk kemi se si ta mohojmë” -thotë Dashamir Shehi, i cili kurrsesi nuk lë pas dore edhe atë që e konsideron “një frymë restaurimi revolucionare në një farë mënyre, e cila sa herë vjen e majta në pushtet ka lidhje me këtë punë”.
Ndërsa Mesila Doda, që e sheh me dyshim sondazhin mbi përqindje të lartë të nostalgjikëve të komunizmit, ka një këndvështrim më të prerë në lidhje me atë që e konsideron mungesë informimi mbi pasojat e sistemit diktatorial.
“Nuk i kemi mësuar asgjë të rinjve për të kaluarën dhe së dyti, zhgënjimi i përditshëm vesh me pamje engjëlli edhe djajtë më të këqij” -shprehet ajo.
Në sondazh, interesante janë edhe zonat ku banojnë personat e anketuar.
“Të anketuarit nga rajoni qendror kanë një perspektivë shumë më negative për kontributin e Enver Hoxhës (vetëm 33% u përgjigjën se ai kishte pasur ndikim pozitiv), megjithëse ky rajon ka edhe numrin më të madh të atyre që nuk iu përgjigjën fare kësaj pyetjeje. Të anketuarit nga rajoni jugor/jugperëndimor kanë vlerësimin më pozitiv për Enver Hoxhën, pasi më shumë se gjysma e të anketuarve (55%) në atë rajon deklarojnë se ai ka pasur ndikim pozitiv në historinë e vendit” -thuhet në shpjegimin e hartuesve të sondazhit.
“Demokracia është diçka që duhet të mbrohet dhe garantohet çdo ditë. Historia ka treguar që e shkuara, nëse ‘harrohet’ dhe nuk analizohet në mënyrën e duhur, tenton të përsëritet” -kujton Gentjana Sula.
Kreu i OSBE-së në vendin tonë Borchardt, ka një gjykim më të ftohtë për rezultatet e sondazhit, duke theksuar se e njëjta situatë është edhe në vendet ish-komuniste.
“Rezultatet kanë qenë të ngjashme edhe në pjesën lindore të Gjermanisë, sa i takon qëndrimit ndaj regjimit të shkuar. Ka njerëz që kanë krijuar një lloj ndjesie, për të cilën kemi shpikur edhe një fjalë të re:‘Ostalgie’, një kombinim i fjalës Osten (lindje) dhe nostalgji. Kjo ndodh në kohëra kur gjërat nuk janë stabilizuar ende plotësisht, dhe ato nuk janë të stabilizuara as në Gjermani dhe as këtu” -shprehet ai.
Më keq këto shifra duhet të tingëllojnë për personazhet kryesorë të politikës nga viti 1991 dhe deri më tani, që në një lloj mënyrë “punuan” që një pjesë e qytetarëve të kujtojnë dhe përkrahin sistemin diktatorial.
Forumi “Mapo” pas publikimit të sondazhit të organizuar nga OSBE kontaktoi me pesë personazhe të politikës dhe medias, duke ngritur pyetjet mbi një “kthim” të komunizmit dhe arsyet që fatkeqësisht ende ka një pjesë jo të papërfillshme njerëzish që kanë nostalgji për sistemin komunist.
Pyetjet që ngrihen lidhen mbi arsyet që i shtyn një pjesë qytetarësh që të gjykojnë pozitivisht mbi Enver Hoxhën dhe sistemin komunist.
Dështimi i klasës politike në 25 vitet e fundit dhe mosinformimi mbi diktaturën konsiderohen dy nga shkaqet e “ringjalljes” së figurave të së shkuarës dhe vetë komunizmit.
Flasin Dashamir Shehi, Gentjana Sula, Mesila Doda, Paskal Milo dhe Mustafa Nano.
Dashamir Shehi: E kaluara nuk do ta tërheqë mbrapsht Shqipërinë
-Së pari, ka një pakënaqësi të përgjithshme, ka keqqeverisje që është faktori bazë dhe këtë nuk kemi se si ta mohojmë. Së dyti, është edhe një frymë restaurimi revolucionare në një farë mënyre, e cila sa herë vjen e majta në pushtet ka lidhje me këtë punë. Mjafton të shohësh sa media ka që ringjallin simpatinë, sa institucione ka që janë të mbushur mos me të vjetrit, me fëmijët e tyre kështu që duket sikur ajo periudhë ka qenë një periudhë normale, për shkak edhe të një fryme të përgjithshme abuzimi që në fund të fundit këto 25 vjet është bërë kaq keq saqë ajo kohë ia vlen të rishikohet dhe të riçmohet. I gjithë ky reflektim bie pastaj tek ai opinion i të pashkolluarve, injorantëve dhe hallexhinjve dhe nga kjo kategori Shqipëria ka me bollëk. Nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme në këtë mes.
-Sigurisht edhe sondazhi vetë në atë mënyrë si është bërë nuk është se tregon realitetin, sepse po t’i thuash një shqiptari sot se kur ishin më të sigurt sot apo dje, ka qenë dje, dhe në fakt jo vetëm shqiptarët por edhe gjermanët, italianët, rusët në rrafshin personal kanë qenë më të sigurt nën diktaturë.
Po t’i thuash një fshatari a ishte arsimi më i mirë dje apo sot sigurisht që ishte më i mirë dje, sepse Enver Hoxha ia çonte mësuesin në fshat ndërsa sot situata ndryshon. Mënyra se si impostohet një anketim i kësaj natyre, bën që ta lëvizësh anketimin sipas qejfit të atyre, që e kanë propozuar.
Një pjesë tjetër pastaj (duke qenë në një vend të vogël) ishin të lidhur me fajtorët dhe më bashkëfajtorët, Dhe për pasojë ky u quajt një fenomen, një plagë që vetë koha do ta mbyllë vetë. Mirëpo koha shpeshherë nuk punon për të mirën, mund të punojë edhe për më të keqen, koha mund të punojë për progresin por mund të punojë edhe për regresin, për reaksionin. Megjithatë unë nuk do të trembesha fare nga e gjitha kjo. Sepse unë mendoj se brenda popullit shqiptar ka shumë forca dhe energji që tentojnë drejt progresit kështu që sado të lodhen, e kaluara nuk do ta tërheqë mbrapsht Shqipërinë.
-Sigurisht e shoh edhe të lidhur me zhvillimet jashtë, por të tjerët i tërheq një lidership që premton në mos tokën e premtuar, një ishull qetësie dhe sigurie. Ndërsa kjo që bëhet këtu, (në Shqipëri) kjo është që të të tërheqë pas një e kaluar. Dhe kjo është diferencë e madhe.
Unë madje shpresoj që këtu të dalin ata lider, që të jenë të fortë në një farë mënyre që t’i qartësojnë idetë, të thonë që shoh majtas apo djathtas se çfarë duan të bëjnë të paktën me Shqipërinë dekadat e ardhshme. Kështu që, kjo që po ndodh këtu te ne, nuk ka shumë lidhje me atë që po ndodh në Evropë. Evropa po tenton t’i gjejë një zgjidhje vetes, shpeshherë edhe në mënyrë të gabuar, ndërsa ne nuk po tentojmë për zgjidhje, por po kapemi te një kamerdare e vjetër e shpuar e së kaluarës.
-Së pari, unë nuk e besoj se ka vërtet një shifër të tillë personash nostalgjik apo të afeksionuar me diktaturën. Gjithsesi, edhe nëse ka një përqindje në popullsinë aktive apo te të rinjtë ka dy kambana alarmi që bien. Së pari, nuk iu kemi mësuar asgjë të rinjve për të kaluarën dhe së dyti, zhgënjimi i përditshëm vesh me pamje engjëlli edhe djajtë më të këqij. Pra sot duhet të jemi më afër të rinjve për t’i mësuar vërtetësisht të kaluarën dhe të sjellim politika zhvillimi e promovimi të vlerave më të mira njerëzore. Klasa politike shqiptare duhet të mbajë një qëndrim të qartë të një ndarjeje morale me të kaluarën, pasi autoritarizmi, arroganca, egërsia e vulgariteti që bart më vete e ja përcjell shqiptarëve, s’është asgjë tjetër veç reminishencë e të djeshmes
Mustafa Nano: Sondazhi më duket shqetësues, por nuk më çudit
-Rezultatet e sondazhit më duken shqetësuese. Dhe bezdisëse. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë: Diktatura komuniste e Enver Hoxhës ka qenë një nga eksperimentet më tragjike që është bërë ndonjëherë me shqiptarët.
Dhe kur them këtë nuk kam parasysh vetëm mizorinë, apo varfërinë, apo izolimin, apo luftën e klasave. Kam parasysh më shumë se kaq. Ajo diktaturë ishte nxjerrje e kombit nga binarët e historisë. Dhe të mendosh se kombi shqiptar, për arsye që dihen, edhe pa këtë eksperiment, ishte deri në një farë mase jashtë këtyre binarëve. Prandaj, rezultatet e këtij sondazhi nuk mund të mos më duken shqetësuese.
-Pyetjes së parë i dhashë përgjigjen se “rezultatet e sondazhit më shqetësojnë”. Por tani në mënyrë disi paradoksale po them se nuk më duken të çuditshme, megjithatë. Unë e kuptoj këtë reagim.
Ka njerëz që këtë nostalgji për komunizmin e shpjegojnë me faktin që gjatë 25 viteve të fundit shqiptarëve nuk u është shpjeguar mirë se çfarë ishte komunizmi, që në shkolla nuk është folur për këtë kohë, ose është folur jo në mënyrën e duhur. Por unë mendoj se shpjegimi nuk është ky.
E gjitha ka të bëjë me Shqipërinë në të cilën ata janë duke jetuar, me Shqipërinë në të cilën, edhe ata që janë mirë, edhe ata që kanë një punë të mirë, një rrogë të mirë, një biznes të mirë, kanë arsye për të thënë se “këtu nuk jetohet”.
Gentjana Sula: Sondazhi, ka nevojë për më shumë informacion mbi diktaturën
-Shqiptarët e hodhën tej masivisht diktaturën komuniste në vitin ‘90, kur e deshën Shqipërinë si gjithë Europa. Ata nuk humbën asnjë ditë që të çmontonin diktaturën me ligjet e saj famëkeqe që mohonin të drejtat e njeriut, që vrisnin për mendimin ndryshe, që institucionalizonin urrejtjen klasore, që çimentonin aleanca gjeostrategjike në bazë të ideologjisë dhe që përpiqeshin si e si të përjetësonin pushtetin e një klike që mbante peng si në një burg shoqërinë shqiptare.
Kështu, standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, shteti i së drejtës dhe integrimi euroatlantik i Shqipërisë u bënë qëllime të përditshme të shoqërisë sonë. Por demokracia është diçka që duhet të mbrohet dhe garantohet çdo ditë. Historia ka treguar që e shkuara, nëse “harrohet” dhe nuk analizohet në mënyrën e duhur tenton të përsëritet. Ka një sërë masash që shoqëria jonë si çdo shoqëri demokratike duhet të marrë dhe që të garantojnë mospërsëritjen e shkeljes masive të të drejtave të njeriut të diktaturës, dhe unë besoj se masat që janë marrë deri tani janë të pjesshme.
-Përshëndes studimin e IDRA-s si një studim i parë që merret me perceptimet e qytetarëve për të kaluarën tonë diktatoriale 50-vjeçare. Mendoj se gjithsesi ky është i pamjaftueshëm për të nxjerrë konkluzione të plota për këtë fenomen dhe do inkurajoja institucionet akademike dhe studiuesit të fitojnë kohën e humbur e të plotësojë këtë studim të parë. Problemi më i madh që shoh nga leximi i statistikës është që shoqëria ende pas 25 vjetësh është ende e përçarë dhe vuan nga mungesa e të kuptuarit e përmasës së dhunës shtetërore dhe pasojave njerëzore që kjo pati, duke mbajtur ende ngritur një mur në dukje të padukshëm që buron nga lufta klasore e të shkuarës. Qartazi studimi tregon se familjet e persekutuara nga sistemi që përbëjnë rreth 30% të të pyeturve kanë përfytyrim krejt tjetër për komunizmin nga ai që ka pjesa tjetër që nuk e ka përjetuar dhunën drejtpërdrejt.
Besoj se gjithsekush ka të drejtën e narrativës së vet që buron nga përvojat personale apo familjare, por një shoqëri solidare duhet të synojë që të ndërtojë një narrativë kolektive ku narrativat e secilit tentojnë të konvergojnë. Mendoj se kjo narrativë kolektive për komunizmin është e pandërtuar.
Një arsye tjetër është se diktatura komuniste ka vepruar me një makineri dhune e terrori por edhe propagande shumëvjeçare ku janë përdorur gjerësisht dhe falsifikimi i historisë, manipulimi i opinionit publik, denigrimi i kundërshtarëve të regjimit, gjuha e urrejtjes etj.
Mendoj se këto kanë një rol të madh në pengesën që kemi ne për të ndërtuar narrativën e përbashkët kolektive mbi komunizmin. Si konkluzion, hapja e një dialogu kombëtar për të shkuarën do të bëjë të mundur davaritjen e stigmës, stereotipave, miteve të rremë dhe sqarimin e publikut për të vërtetën.
– Mendoj se në këtë rast studimi shprehu diçka tjetër. Qartazi u shpreh një nevojë e madhe për të pasur më shumë informacion dhe për të reflektuar në nivel individual dhe shoqëror në lidhje me diktaturën komuniste.
Kështu studimi tregoi një mbështetje të madhe për Ligjin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (rreth 80%) në të gjitha grupmoshat me rreth 30% të anketuarve që do të aplikojnë për informim në autoritetin e sapokrijuar. Duket që shoqëria është e qartë për boshllëkun në informacion dhe klishetë e mbetura dhe kërkon të evoluojë.
-Më duket mendim i tejkaluar. Shqiptarët kanë përjetuar jo komunizëm por një regjim stalinist si variantin më të deformuar të komunizmit. Për rrjedhojë nuk ka shans që kjo të ndodhë. Edhe ky sondazh nuk dëshmon nostalgji për Enver Hoxhën, por zhgënjim e proteste nga qeverisja 26-vjeçare e demokracisë hibride e të papjekur shqiptare, zhgënjim nga klasa politike që i ka qeverisur dhe dështim i programeve dhe i premtimeve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
-Kjo është shprehje pakënaqësie por jo një lëvizje e strukturuar antiestablishment. Që ajo të transformohet në një lëvizje të ndërgjegjshme politike ka nevojë për një forcë e program të qartë që të përfaqësojë këtë pakënaqësi në rritje. Establishmenti i vjetër politik e pengon me ligjet që ka imponuar çdo shfaqje të faktorëve të rinj politikë.
Edhe pse kanë kaluar 33 vite nga vdekja e tij, Enver Hoxha vazhdon të jetë një personazh enigmatik. Jeta e shqiptarit më të rëndësishëm të shekullit XX është e mbushur plot me mistere dhe kontradikta. Edhe pse ishte një ndër njerëzit më të lexuar, Enver Hoxha ngriti një nga diktaturat më brutale në Shqipëri.Fakti më rrëqethës është se gjatë regjimit të tij janë ekzekutuar 6 027 njerëz, janë burgosur 17 650 dhe janë internuar mbi 20 mijë persona. Gjatë periudhës që ai drejtoi shtetin shqiptar janë vrarë 10 ministra, janë ekzekutuar, burgosur dhe internuar 20 gjeneralë të ushtrisë shqiptare. Si dhe nga krijimi i Partisë Komuniste në vitin 1941 e deri në vitin 1985, 41 drejtues të kësaj partie janë ekzekutuar, burgosur dhe internuar. Floripress boton sot 50 fakte nga jeta e Enver Hoxhës.
Që nga propozimi i çuditshëm ndaj Nexhmije Hoxhës, te pasionet, gjërat që urrente më shumë e deri te eliminimet e shokëve të tij më të ngushtë.
Në vijim të rrëfimit të saj, nusja e Enver Hoxhës, Liliana Hoxha, flet me detaje për prapaskenat që bëheshin në majën e kupolës së shtetit komunist pa dijeninë e Enver Hoxhës, por sipas saj nën regjinë e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.Ajo tregon gjatë intervistës se djali i madh i Enverit, Iliri ishte i përgatitur bashkë me Nexhmijen për të marrë pushtetin dhe në këtë pakt përfitues do të ishte edhe djali i Ramiz Alisë.“Iliri ka qenë i përgatitur për të trashëguar pushtetin bashkë më të ëmën, Ramizin dhe djalin e tij, Arben Alia. Mua kjo tendencë më dukej qesharake, se nuk ishim dinasti. Por nuk ishte qesharake. Ishte një plan shumë më i hershëm se Katovica.
Kjo e fundit vetëm sa iu shpërndau pushtetin në disa duar, që do përfaqësonin pozitë-opozitë krejtësisht të kapura prej tyre. Pasi likuiduan të gjitha pengesat, iludoheshin që u erdhi radha atyre.Kush tradhtoi njeri-tjetrin, Ramizi Nexhmijen apo e kundërta, le ta zbulojë kush të dojë. E sigurt është që likuiditetin ekonomik të Shqipërisë e përvetësoi Arben Alia, që punon bankier në Paris....
Cilat janë 50 enigmat për Enver Hoxhën ?
2- Sipas raportit të mjekëve, Hoxha vdiq si pasojë e një ataku në zemër dhe pësoi gjendje koma që në datën 9 prill. Pas dy ditësh atij nuk i funksionoi asnjë organ jetësor duke i sjellë vdekjen.
3- Familja e Hoxhës ishte pronare tokash në Gjirokastër dhe në zonën e Dropullit. Ata ishin të besimit islam dhe i përkisnin sektit bektashinj.
4- Në vitin 1930 Hoxha përfundoi Liceun Francez në qytetin e Korçës me rezultate të larta. Sipas dëshmive, ai ishte nxënës me sjellje të shkëlqyer.
5- Qeveria shqiptare e Ahmet Zogut i dha në vitin 1931 një bursë studimi në universitetin e Montepeljes në Francë, të cilën ai e la përgjysmë. Në Francë shkroi disa artikuj në gazetën “L’Humanite” me pseudonimin Lulo Malësori, ku denonconte qeverinë e Zogut.
6- Diktatori komunist ka jetuar për gati pesë vjet në disa shtete perëndimore. Por më shumë ai ka jetuar në Francë dhe Belgjikë. Ai shkoi në Bruksel dhe filloi punë atje si sekretar privat i konsullit të Shqipërisë. Sipas biografisë komuniste për shkak të veprimtarisë antizogiste ai shkarkohet nga puna.
7- Në vitin 1936 kthehet në Shqipëri dhe fillon punë si profesor i frëngjishtes në Liceun Francez të Korçës. Pas pushtimit, në vitin 1939 pushohet nga puna se nuk pranoi të regjistrohej në Partinë Fashiste.
9- Në vitin 1942, një trup gjykues i Gjykatës Fashiste në Tiranë e dënoi me vdekje në mungesë kryetarin e PKSH-së, Enver Hoxhën. Enver Hoxha ishte një nga themeluesit e gazetës “Zëri i Popullit”. Ajo u themelua në gusht të vitit 1942 dhe ishte organ i Partisë Komuniste Shqiptare.
10- Prej 7 anëtarëve të Komitetit Qendror të Përkohshëm të Partisë Komuniste të krijuar në vitin 1941, vetëm Enver Hoxha mbeti gjallë pas çlirimit, të tjerët, u vranë ose u burgosën.
12- Vrasja e Qemal Stafës është një pjesë e errët e historisë së Enver Hoxhës. Edhe pse ish-sekretari i Rinisë Komuniste u vra nga pushtuesit enigmë, kanë ngelur arsyet e urdhrit ndaj tij për të shkuar në Vlorë në 5 maj të vitit 1942.
14- Ish-diktatori komunist i ka shpëtuar për pak një tentative për vrasje në prill të vitit 1994 në Helmës. Një oficer gjerman i zënë rob arriti të merrte një automatik dhe të rrezikonte seriozisht jetën e Hoxhës.
15- Në mars 1943, në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste u zgjodh Sekretar i Partisë. Këtë funksion e mbajti deri në vdekje. Më 22 tetor 1994, Konferenca e Beratit vendosi krijimin e qeverisë së pavarur shqiptare. Në krye të qeverisë u caktua Enver Hoxha. Në maj të vitit 1944, Enver Hoxha emërohet Komandant i Shtabit Suprem. Ai zëvëndësoi në këtë post ushtarakun e lartë, Spiro Moiusiun.
17- Në vitin 1946, denoncoi misionin anglez dhe atë amerikan në Shqipëri se bashkëpunonin me kundërshtarët e tij për të rrëzuar regjimin komunist. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e Anglisë u ndërprenë në vitin 1946, pas incidentit të Kanalit të Korfuzit.
18- Të parën vizitë jashtë vendit Enver Hoxha e bëri në qershor të vitit 1946, në Jugosllavi, ku takua me Josif Broz Tito. Enver Hoxha është akuzuar nga nacionalistët se ia shiti Kosovën Jugosllavisë. Ndërsa Enver Hoxha në kujtime e tij deklaronte se kishte bërë përpjekjet maksimale për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Madje që këtë ia kishte kërkuar edhe vetë Titos.
19- Hoxha ma mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes në vitin 1944, të Ministrit të Punëve të Jashtme në vitet 1946-1953 dhe të Kryeministrit në vitet 1944-1954.
20- Pas Çlirimit, në vitin 194, Enver Hoxha krijoi Gjykatën Speciale, e cila dënoi me vdekje qindra intelektualë të asa kohe, ndërmjet tyre edhe Bahri Omari, kunati i Hoxhës. 16 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë u ekzekutuan më 10 tetor 1947 nga regjimi komunist. Akuza ndaj tyre ishte se donin të rrëzonin regjimin komunist.
21- Për herë të parë në arenën ndërkombëtare, Enver Hoxha doli në gusht të vitit 1946, kur mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si kryetar i qeverisë shqiptare. Për herë të parë Enver Hoxha e ka takuar diktatorin rus Josif Stalin në korrik të vitit 1947, pas një ftesë që i bën për një vizitë në Bashkimin Sovjetik. Pesë herë është takuar udhëheqësi komunist me Stalinin. Për herë të fundit ai është takuar në prill të vitit 1951.
22- Takimin e parë me Nikita Hrushovin, drejtuesi i Partisë Komuniste Enver Hoxha e bëri në në qershor të vitit 1954 në Moskë. Në maj të vitit 1959, drejtuesi i Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov viziton Shqipërinë, duke u bërë i pari kryetar shteti i BS që viziton vendin tonë.
24- Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë. është hedhur dyshimi se sovjetikët kishin bërë një plan për të eliminuar Enver Hoxhën. Për këtë arsye, diktatori komunist u kthye deri në Itali me tren dhe më pas me avion. Një nga arsyet e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ishte se Moska i kërkoi Tiranës të rehabilitonte shqiptarët që ishin dënuar pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
26- Gjatë regjimit të Enver Hoxhës, në vitet 1945-1946 në Shqipëri u krye Reforma Agrare. Një reformë kjo që bëri pronarë tokash shumicën e fshatarësisë, por që ua mori me dhunë pronarëve duke i shpronësuar. Gjatë regjimit të Hoxhës, u bë kolektivizmi i pronës. U zhduk prona private, fshatrat u kthyen në kooperativa, kurse ndërmarrjet e vogla private u shtetëzuan.
27- Në 27 dhjetor 1967, Shqipëria u bë shteti i vetëm në botë ateist. U ndalua besimi në Zot dhe praktikimi i feve. U shkatërruan 2200 kisha dhe xhami që ndodheshin në vendin tonë.
28- Nga krijimi i qeverisë të pasluftës e deri në vitin 1981, të gjithë ministrat e Brendshëm: Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu dhe Feçorr Shehu, janë akuzuar nga Hoxha si agjentë të të huajve. Shefi i truprojave të Enver Hoxhës ishte Sulo Gradeci. Ky i fundit i shërbeu Hoxhës për 30 vite duke qenë kështu edhe njeriu më i besuar i diktatorit.
30- Sëmundja e tij u mbajt e fshehtë për një kohë të caktuar. Enveri kishte pasur dy hemorragji cerebrale, më 1983-in dhe 1984-ën, kishte humbur gati krejtësisht sytë në mënyrë të pakthyeshme, ndërkohë që dy ditë para vdekjes kishte kaluar edhe infarkt. Tashmë është shkruar mjaft për faktin se diabeti i rëndë kishte ndikuar në këtë fund të keq. Humbja progresive e mundësive të tij fizike dhe intelektuale nuk zbuti aspak pushtetin e tij të tmerrshëm, atë pushtet, që njerëzit e tij të afërm, me një fshehtësi gjithnjë e më të madhe, e ruanin deri në absurditet, duke shkaktuar situata tragjike. Më 11 prill të 1985 Enver Hoxha deklarohet zyrtarisht i vdekur. Ceremonia e tij u shoqërua me homazhe madhështore, sa në psikozën e njerëzve u duk se nga ai moment e pas Shqipëria nuk do të kishte më të ardhme.
33- Hoxha e niste ditën duke lexuar të gjitha gazetat. Çdo mëngjes atij i linin mbi tavolinë të gjitha gazetat e vendit, madje edhe ato lokale. Ndërkohë që ai lexonte edhe shtypin ndërkombëtar, veçanërisht prestigjiozen franceze “Le Monde”.
34- Është i vërtetuar fakti se udhëheqësi komunist ka lëvizur me sozi gjatë vizitave që ai bënte në qytete të ndryshme të vendit. Hoxha ka pasur katër sozi. Për sigurimin e jetës së Enver Hoxhës, në udhëtimet jashtë Tiranës, sidomos gjatë pushimeve në malin e “Dajtit”, në vilat e plazhit të Durrësit, në Vlorë, Pogradec ose vizita të ndryshme të vendit, mobilizohej Drejtoria e dytë ose drejtoria e “sigurimit të Udhëheqjes”, Garda dhe grupi i sigurimit të afërt. Byroja Politike kishte hartuar një rregullore të posaçme, e cila detyronte të gjitha Degët e Punëve të Brendshme në rrethet ku do të kalonte autokolona, të qëndronin në gatishmëri numër një, 24 orë përpara dhe për disa orë me pas, bllokohej qarkullimi i automjeteve në rruge.
36- Por, për të kuptuar më së miri detyrën specifike ekstra të katër sozive të diktatorit, mjafton të përmendet një fakt i panjohur: Megjithëse ata kanë siguruar në 46 vjet pa ndërprerje jetën e Hoxhës, në dhjetëra e qindra dalje të tij në publik, portreti i tyre nuk figuron në asnjë prej mijëra fotografive të publikuara të ish kreut të shtetit. Madje as në njërën nga fotot e albumit të madh e luksoz të botuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Enverit.
37- Gjatë sundimit të tij janë dënuar 29 ministra, zëvendësministra dhe drejtues të Partisë së Punës, shumica me akuzën si agjentë të shërbimeve sekrete të huaja. Gjatë 41 viteve të regjimit të tij janë vrarë 9 ministra të qeverive të asaj kohe dhe një kryeministër. Vdekja e Mehmet Shehut u cilësua si vetëvrasje, por në fakt la shumë dyshime dhe mistere. Gjatë sundimit të tij, 22 gjeneralë të ushtrisë shqiptare janë ekzekutuar, persekutuar dhe dënuar me shumë vite burgim.
38- Gjatë sundimit të tij janë ekzekutuar për arsye politike, si armiq të pushtetit ose si bashkëpunëtorë te shërbimeve të huaja 6027 persona. Gjatë regjimit të Enver Hoxhës janë janë burgosur 17 650 persona, nga të cilët, 1065 persona kaba vdekur nëpër burgjet e tmerrshme komuniste.
39- Enver Hoxha fliste rrjedhshëm frëngjisht, por njëkohësisht njihte disa gjuhë të huaja, si italisht, serbo-kroatisht, rusisht dhe anglisht. Shkrimtarët më të preferuar të Hoxhës ishin Molieri, Gëte dhe Bajronin.
40- Ai kishte rreth 45 mijë libra. Shumica e tyre ishin libra enciklopedikë Laruse, albume e shumë të tjera, kryesisht në gjuhën franceze. Pas viteve ’90 shumica e tyre u shkatërruan dhe familja e tij mori vetëm një pjesë të vogël.
41- Enver Hoxha e pasuronte vazhdimisht bibliotekën e tij private me publikimet më të fundit të ardhura nga Franca. Sipas Blendi Fevziut, materialet që ai importonte për të lexuar nuk kufizoheshin në traktatet e fryra për Marksizëm-Leninizmin. Shija e Hoxhës për librat ishte e gjerë. Ai porosiste libra mbi jetën e Papëve dhe shenjtëve të tjerë katolikë, e madje edhe libra për vampirët, çuditërisht, mes tematikave të tjera.
43- Sipas Nexhmije Hoxhës, gjëja që urrente më shumë Enver Hoxha, ishin borxhet. “E kishte në gjak zakonin e Gjirokastrës, borxhin nuk e donte, e dinte që borxhi të bënte skllav. Edhe për Titon ashtu thoshte. Kosovarët kanë bërë kaq borxhe me të, madje ata kanë thënë, qan fëmija në bark të nënës, pra kur do t’i paguajnë këto borxhe”. ka thënë Nexhmija Hoxha në intervistën e fundit për Rudina Xhungën.
44- Nexhmija Hoxha në një intervistë të dhënë për Rudina Xhungën ka deklaruar dhe se e propozoi Enver Hoxha në qershor të vitit 1942.“Kështu që një ditë, kur Enveri e pa që unë nuk merrja vesh ose bëja sikur, vendosi të flasë vetë. Një ditë vere më tha, po shtrihem të fle, më zgjo në orën 5. Unë shkova ta zgjoj, por ai në fakt nuk kishte fjetur, ndoshta kishte ndenjur për të marrë vendimin e tij. Aty më bëri propozimin për martesë, një propozim aq prozaik, sa nuk e kisha menduar kurrë.Ai, përpara se të më thoshte shprehimisht të dua, më tha, tek po bëja kafenë që më kishte kërkuar:- “Unë dua të martohem me ty”. Unë ngriva, mbeta aty, duke bërë kafenë, e nuk po lëvizja, ndërsa ai më thotë:- “Po, hë, supë po bën? Ulu këtu se nuk të ha!”, domethënë, u mundua të më shkrifëronte pak. Me kokën ulur, i thashë:- “Unë nuk martohem gjatë luftës”. “Po kush tha që do martohemi në luftë”, -tha ai. “Në fillim do u themi miqve, por mendohu mirë, se ti je e re e kemi diferencë moshe”. Pastaj vazhdoi:- “Por unë nuk mund ta zgjas shumë, se aneja pret, ngaqë jam djalë i vetëm”. Unë nuk iu përgjigja në atë kohë, por kaloi nja një muaj e pak dhe pastaj i ktheva përgjigje:- “Diga e ideve të mia u thye”.
45- Në biografinë që i ka bërë ish-diktatorit, Blendi Fevziu e përshkruan Hoxhën si një psikopat paranojak, me shumë pak ose aspak tipare pendese, që së bashku me gruan e tij organizuan vdekjen e shpejtë të cilitdo që hyri në rrugën e tyre. Në vitet e tij të fundit, shkruan Fevziu, Hoxha jetoi papritmas një jetë të vetmuar, sepse deri në atë kohë ai kishte vrarë shumë nga shokët e tij të luftës, sa që vështirë që tani të kishte dikë me të cilin të bisedonte.
46- Udhëheqësi komunist e pësoi infarktin e parë në vitin 1972. Për gati dy vjet iu nënshtruar mjekimeve të shumta dhe gjendja e tij u përmirësua në vitin 1974.
47- Ai u varros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Por në maj të vitit 1992 u zhvarros për t’u vendosur në varrezat e Sharrës. Organizata e Kombeve të Bashkuara në muajin prill të vitit 1985 mbajti një minutë heshtje për vdekjen e Enver Hoxhës.
48- Ish-diktatori komunist u varros në arkivol. Ai e kishte lënë amanet që trupi i tij të mos balsamosej si Lenini. Është zbuluare se gjatë ditës së homazheve atij iu përgatit një maskë mortore për fytyrën.
49- Gjatë kohës së Luftës, për t’i shpëtuar ndjekjes së fashistëve, Enver Hoxha ka mbajtur disa pseudonime, si: Tarasi, Hasani, Saliu, Malo, Valbona dhe Shpati. Dy pseudonimet e fundit ua vuri si emra mbesës dhe nipit të tij.
50- Enver Hoxha është i vetmi personalitet shqiptar i përfshirë ne Enciklopedinë Botërore të vitit 2005. Emri i tij shënohet në faqen 430, aty ku sipas rendit alfabetik vjen shkronja H. Historiani Bernd Fisher e ka cilësuar Enver Hoxhën si shqiptarin më me ndikim të shekullit XX.
Qyteti i Telavi ne Georgia, hoqi nga një shesh kryesor i tij monumentin e diktatorit sovjetik Josif Vissarionovich Stalin. Megjithëse ishte goditur e dëmtuar disa herë, përsëri nostalgjikët e kishin restauruar. Statuja e Stalinit hiqet, ndërsa statuja e figura e diktatorit Hoxha në Shqipëri ngrihet nga nostalgjikët e tij, të cilët pretendojnë jo vetëm ta ngrejnë sa më lart, por edhe ta quajnë hero kombëtar.
Shqipëria njihet si vendi që përjetoi diktaturën më të egër në Europë, ndërsa ata që përfituan nga ai regjim e nuk pësuan asnjë lloj persekucioni politik kërkojnë ta ringjallin me zor. Shumë pankarta të tij manifestohen në tubimet e të majtëve e partisë komuniste në Tiranë e rrethe të tjera.
Sa nëna e gra u pushkatuan me gjyqe e pa gjyqe. Sa vajza e motra shqiptare nuk arritën të krijonin familje e të bëheshin nëna për femijët e tyre, por u torturuan nga xhelatët e burgjeve shqiptare në kohën e komunizmit, e akoma plagët nuk u janë mbyllur. Përvec femrës shqiptare u persekutuan edhe shumë gra me kombësi të huaj, disa prej tyre ishin ruse, që u dënuan e internuan për agjitacion propagandë, edhe pse nuk e kishin kryer një vepër të tillë.
Monstra e Koresë së veriut në këtë shekull të ri, në vend që të punojnë për paqen e demokracinë në botë vret njerëz të pafajshëm, e shqiptarët ringjallin diktatorët e ngjashëm në karakter e krime me Hitlerin dhe Milloshevicin..
Rehabilitimi i Enver Hoxhes dhe bllokmeneve te tjere nga Edi Rama eshte kthim drejt te shkuares por dhe drejt Putinit, putinizmit!!
Te dashur miq, dy dite me pare ministrat e jashtem te BE pralajmeruan Vladimir Putinin dhe Rusine te qendrojne larg Ballkanit Perendimor. Ky ishte nje paralajmerim shume serioz i bazuar ne perpjekjet e paskrupullta te Vladimir Putinit per te rilindur te gjitha llojet e lidhjeve te fetare, ideologjike, politike, ushtarake, kulturore, tregtare etj, te Rusise jo vetem me Serbine e njohur historikisht ne rajon edhe si "little Russia", por dhe me vende te tjera te rajonit me rajonin. Ketu, natyrisht lidhjet me te para jane ato fetare me vendet me shumice ortodokse te rajonit nen moton e pansllavizmit apo "bratja sllavjani".
Ne epiqender te ketyre perpjekjeve padyshim eshte Serbia, e cila historikisht eshte njohur jo pa arsye si "litlle Russia". Po rikujtoj ketu se ne viziten e tij ne Beograd ne vitin 1990 Mihail Gorbachov i vleresoi si gjenetike lidhjet midis rusve dhe serbeve. Jo pa domethenie eshte ne kete kontekst vizita pompoze e Putinit ne Serbi shoqeruar me nje parade ushtarake te stilit rus te spostuar dhe te mbajtur 4 dite para afatit ne nder te Carit te ri te Rusise. Po ne kete drejtim shkon edhe mbeshtetja e hapur e Moskes per Dodic, i njohur per serbomadhine e tij.
Shqiperia dhe Kosova nuk jane ne grupin e vendeve "bratja sllavjani". Mirepo vet Putin, per te justifikuar pushtimin e Krimes, iu referua disa here Kosoves jashte çdo konteksti, sikunder Gorbaçov ne 25 vjetorin e renies se murit te Berlinit u shpreh se pavaresia e Kosoves dhe anetaresimi i Shqiperise ne NATO kane qene gabime te perendimit, pra qe kane ndikuar ne ekuilibrat midis NATO-s dhe Rusise.
Por ne rast se Shqiperia dhe shqiptaret nuk kane lidhje fetare dhe historikisht kane patur tek ruset dhe serbet armiq te eger te qenies dhe ekzistences se tyre, mjerisht ka patur nje periudhe qe na bashkoi dhe vllazeroi me armiqte tane shekullor, dhe kjo periudhe ka qene diktatura komuniste. Edi Rama, sipas burimeve zyrtare publike ruse, ministri i pare i jashtem qe takoi ne OKB, vetem dy jave pas votbesimit te tij, ishte Ministri Lavrov. Madje ne ate kohe mediat shkruan se Rama me se pari i premtoi atij dhe me pas aleatit tone kryesor shkaterrimin e armeve kimike ne Shqiperi. Luften e Dyte Boterore dhe te renet e saj i nderojne te gjithe popujt qe luftuan kunder boshtit nazifashist, por klika Rama - Meta zgjodhen per te nderuar luften e shqiptareve per liri kombetare, rehabilitimin e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes, armikut me mizor te lirise se shqiptareve, armikut me te eger te çeshtjes sone kombetare, njeriut qe renditi Shqiperine me armiqte e saj shekullor dhe kunder miqve tane tradicional perendimor. Ata, gjate nje viti, si per te sfiduar NATO-n dhe aleatet tane, festuan Luften e Dyte nga qyteti ne qytet me portrete te Enver Hoxhes duke perdhosur keshtu Luften dhe gjakun, idealet e te reneve tane.
Shkrimtari Ismail Kadare dhe…
Po cilët janë këta?
Nuk duhen përfillur, sepse nuk përfaqësojnë gjë. Janë të nxitur nga paaftësisia e tyre sepse iu mungon forca kreative. Po për këtë, Ismail Kadarea ua ka fajin?
Për këtë nuk ua ka fajin gjithashtu as Fan Noli, as Vaso Pasha dhe as Naim Frashëri.
Ismaik Kadare i paska bërë një letër Enver Hoxhës…
Tani po shohim të botuar në shtyp një letër që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës në rrafsh botëror, i paska shkruar tiranit më mizor të kohës, po në rrafsh botëror.
Dhe?
Sipas kohës duhej të shkonte minimumi në burg, sepse tirani, për një shkrimtar të atij niveli parapëlqente litarin.
Ateherë?
Ore njerëz! a e dini ju se kush ka qënë Enver Hoxha? Vërtet e dini lider humanist që qante për një zog të vrarë? E dini që shkrimtari më i madh i kohës, i ka shkruar një letër tiranit më mizor të kohës, për të shpëtuar motrën e tij, dhe t’i hiqte atij edhe dyshimin e patologjisë së tij për vetë shkrimtarin?
Dhe kjo na i errësoka veprën e tij? Po a e dini ju sesa frikë ka pasur Enver Hoxha nga Ismail Kadare! Sepse kurrë nuk ia fali vetes dhe Sigurimit që e lejoi Kadarenë të botonte Generalin ne Francë.
Ismail Kadarenë nuk e ka shpëtuar as letra e tij, dhe as ato që ka shkruar i detyruar për tempin zyrëtar të një kohe tiranike: Ismail Kadarenë e shpëtoi fama e tij në Francë dhe në Perëndim. Se për spiunët që e ndiqnin këtu gjithë ditën, Kadare do të ishte ekzekutuar me kohë.
A e dini që, për vdekjen e tiranit, në vitin 1985, shkrimtari më madh i letrave shqipe nuk shkroi asnjë rresht!
Nuk mund të shkohet në Perëndim pa vlera kombëtare perëndimore, dhe ne, një që kemi gjallë: mos na duhet t’ia japim ose Enver Hoxhës, ose Stambollit, që do të ishte e njëjta gjë?
Por ama, unë që po shkruaj këto rreshta jam i sigurt kur them se këtë e kërkojnë të gjithë ata që në dy shekuj kanë dashur të zhbëjnë me asimilim dhe me genocid popullin shqiptar; që na kanë thënë turq të ardhur, por që nuk na zhdukën dot gjuhën. Dhe Ismail Kadare ka hyrë në histori si lëvrues i madhe i gjuhës moderne shqipe dhe – sigurisht që do të vijojë të luftohet për këtë.
Por, nga kush?
Ah, “këtu gjithçka ngec”, na ka thënë Shekspiri: ata duhet që domosdoshmërisht të jenë në një nivel me të. Ky patjetër që është kusht; se shqip di të shkruajë edhe një gjimnazist, sigurisht.
Nejse, unë këto rreshta nuk i shkrova që të mbroj një figurë historikë e cila ka, që në vitin 1970, që është figurë qëndrore në analet e kulturës, letërsisë, socilogjisë dhe politikës së lartë perëndimore: që nga Parisi e deri në New York; e që nga New Yorku në Londër e në Berlin. Por i shkrova për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, se dinjiteti kombëtar është një nevojë panshqiptare sot, dhe natyrisht që është edhe nevoja ime.
Xhelozia duhet duruar. Suksesi perëndimor nuk është nje gjë e lehtë. Gjithsesi, ata që e aspirojnë, dhe nuk e arrijnë dot si e ka arritur Ismail Kadare, le të vijojnë rrugën e mundimshme të dijes dhe shpërthimit të talentit; se ka ende shumë vend në detin e madhe të qytetërimit perëndimor, dhe Ismail Kadarea nuk ua ka mbyllur derën shqiptarëve drejt vlerave perëndimorë, perkundrazi.