Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri,Ph.D
Në intervistën që gazetari Çim Peka i
mori Kryeministrit Rama nga studioja e kanalit televiziv “Syri tv” më 07 maj 2020, mes shumë pyetjeve që i drejtoi, më bëri
shumë përshtypje përgjigjja ndaj pyetjes së parafundit. Këtu po e riprodhoj të
plotë pyetjen e Çim Pekës dhe përgjigjen e Ramës.
Çim Peka: Për pak muaj Shqipëria i afrohet asaj që konsiderohet kohë zgjedhjesh,
edhe në kohë normale. Deri në këto momente që po flasim, Partia Demokratike dhe
aleatët e saj, duke përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë bërë
të qartë se do të jenë bashkë. Kush do të jetë aleati i Edi Ramës nga partitë e
mëdha, duke qenë se blloku opozitar tashmë është i qartë? A keni parti që mund
të pranojë të jetë aleate me ju pas kësaj qeverisjeje tetëvjeçare?
Kryeministri
Rama: Po, patjetër. Partinë më të madhe shqiptare që është partia
socialiste dhe partinë e partive që është populli shqiptar. Mjafton populli
shqiptar, nuk ka nevojë për parti të tjera për të mundur këta.
Me sa duket, Rama qenka i bindur
plotësisht se populli shqiptar na qenka aleati më besnik i tij, prandaj në
zgjedhjet e vitit 2021 ai është i bindur për fitoren e padiskutueshme të
partisë socialiste, edhe pas tetë vjet qeverisjeje. Por kjo përgjigje fsheh
edhe diçka tjetër: Rama e konsideruaka popullin si “pronën” e vet, tamam si
diktatori Enver Hoxha.
Rama “ka të drejtë” t’i përgjigjet Çim
Pekës në atë mënyrë. Sepsegjatë qeverisjes së tij ai “rriti çdo vit” rrogat dhe
pensionet, “u rrit” mirëqenia e popullit, çmimet “nuk patën” luhatje dhe shumë
njerëz, numri i të cilëve iu afrua shifrës gjysmë milioni, “të entuziazmuar”
nga standardi i jetesës që “u siguroi” qeverisja e Ramës, për kënaqësinë e
tyre, që prej vitit 2013, por sidomos pas vitit 2015, u dyndën “si turistë të
ngazëlluar” drejt vendeve perëndimore, për “t’u çlodhur” gjatë atyre anëve. Por, çuditërisht, “kënaqësia” e tyre në ato
vende po vazhon aq gjatë, saqë asnjëri prej tyre s’ka dëshirë të rikthehet më
në atdheun amë.
Humorist i hollë ky kryeministri Rama!
Siç duket, shumicën e popullit shqiptar e kundruaka që nga “kalaja” e Surelit,
si puna e shportës së karavidheve të Bllokut kriminal në kohën e diktaturës
komuniste, ku krerët komunistë bënin jetë luksoze nën mbrojtjen e bajonetave të
Gardës së Republikës dhe as që e çanin kokën për mjerimin e popullit shqiptar
përtej caqeve të atij Blloku.
Me sa duket, epiteti “Skënderbej” që i ka vënë një vartësja e tij kryeservile, ka bërë
që t’i hipë hunda në lis.
Me sa duket, fjalët e asaj gruas vlonjate
me dy djem jetimë që pati deklaruar:“edhe
pa bukë po të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”, Rama i ka
interpretuar si fjalë të mbarë popullit shqiptar.
Me sa duket, një këngëtar lab, adhurues
i jashtëzakonshëm i kriminelit Enver Hoxha, ka ndikuar aq shumë në psikologjinë
e Ramës, saqë këtij i ka hyrë vetja keq në qejf. Madje i ka hyrë deri në atë
shkallë, saqë t’i deklarojë gazetarit Çim Peka se populli shqiptar na qenka “partia e partive” në mbështetje të
plotë të tij. Një vlerësim i tillë i Ramës për popullin shqiptar nuk mund të
vlerësohet ndryshe, veçse si një cinizëm i kulluar.
Ja çfarë deklaroi dhe si i këndoi
kryeministrit Rama ai këngëtari lab, në fushatën e zgjedhjeve njëpartiake të 30
qershorit 2019:
“Golik Ali Jaupi ishte
këngëtari që hapi dje fushatën e Edi Ramës në Tepelenë për zgjedhjet lokale të
30 qershorit (të shfuqizuara nga presidenti). Goliku kujtoi përpara
kryeministrit Rama edhe kohën kur këndonte për diktatorin famëkeq Enver Hoxha.
“Këndova atëherë përpara
komandatit të asaj kohe (Enver Hoxhës), sot kam ardhur për këtë komandat këtu
(Edi Ramën)”, - tha Goliku, përpara se t’ia merrte këngës përpara kryeministrit
dhe kandidatit të PS për Telepenën, Tërmet Peçi.
Kënga për Ramën
Mirë se erdhe Edi Rama/Ku nuk të ka shkuar fama/
Në Amerikë te Obama/Ti je burrë që
s’do reklama/Sot kjo kala me bedena,/të thotë mirë se erdhe Tepelena/Po të pyeç popullsinë/Thonë të gjithë duam Edvinë/Ja e bënë ti Shqipërinë/Ja të tërë ramë në greminë/Je i madh, je burrë shteti,/të njeh globi, gjithë mileti/Përkrah Gramozi, Tërmeti,/ ndriçohet si meteor deti/Ti e ke mendjen të artë,/lum ne që të kemi fat/Më datën 30 qershor,/ do ti marrç frenat në dorë/Kryeministri madhor,/rrofsh sa mali Tomorr/Sot kala me bedena,/ të thotë rroftë gjithë
Tepelena(Citohet sipas: “I ka kënduar Enver Hoxhës, tani Edi Ramës: Ja
e bënë ti Shqipërinë, ja të tërë ramë në greminë”. Faqja e
internetit “top-channel.tv”. 24
qershor 2019).
Një
këngë të tillë, të përshkuar nga një afsh dashurie të jashtëzakonshme për
Ramën, këngëtari lab Jaup Goliku nuk ia kishte kushtuar as diktatorit Enver
Hoxha.
Që ky këngëtar nxjerr nga pena
vargjet Po të pyeçpopullsinë/Thonë
të gjithë duam Edvinë/Ja e bënë ti Shqipërinë/Ja
të tërë ramë në greminë, në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, se
servilizmi i tij është i kultivuar për udhëheqës të formatit të Enver Hoxhës
dhe të Edvin Ramës. Por kur një intelektual me gramë të madhe, si kryeministri
Rama, deklaron se partia e partive është
populli shqiptar, aleati i tij në zgjedhjet e ardhshme, kjo të bën të
dyshosh se këtu kemi të bëjmë me një njeri që ose vuan nga afshi i tmerrshëm
për pushtet, ose ka probleme shëndetësore dhe duhet të kurohet.
Pas
përgjigjes së ngrefosur ndaj pyetjes së Çim Pekës, në internet lexova një
tjetër informacion po të datës 07 maj, një informacion ky aspak ngushëllues për
kryeministrin Rama:
“Avokati Zaçe Islami ka folur në lidhje
me protestën e zhvilluar paraditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, në të cilën
u demonstrua dhuna policore, ku disa protestues që po protestonin paqësisht dhe
duke ruajtur distancën sociale, u shoqëruan me forcë në rajon nga uniformat
blu… Ai theksoi se kryeministrin Rama do ta mbysin të varfrit me pështymë,
ndërsa e krahasoi kreun e qeverisë me personazhin e njohur të rrugëve të
Tiranës, Ver Llapa”(Citohet
sipas:“Ramën do ta mbysin të varfrit me
pështymë”, avokati: Është bërë si Ver Llapa, ngeli duke dalë në Tv!”. Faqja
e internetit “joqalbania.com”. 07 maj
2020).
Një javë pas zgjedhjeve të 23 qeshorit
2013, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), Rama pati
deklaruar se “synon të bëjë politikë për
të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).
Me
qeverisjen e deritanishme, Rama e ka vërtetuar se ka lënë dhe do të lërë emër
në histori. Por ajo që të befason në pikësynimin e tij të ethshëm për arritjen
e një objektivi të tillë, është urrejtja proverbiale që ai ushqen për doktor
Berishën, çka e dëshmoi shkoqur fare edhe në intervistën me gazetarin Çim Peka.
Me këtë urrejtje të papërmbajtur për doktor Berishën, Rama më sjell në kujtesë
një aforizëm të shkëlqyer të filozofit dhe të sociologut gjerman Xhorxh Zimel (Georg Simmel- 1858-1918),
i cili vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit e vonshëm të “filozofisë së
jetës”. Ai thotë:
“Ndjesinë e fajit tonë që e përjetojmë fshehurazi
brenda vetvetes, ne e maskojmë paraprakisht me urrejtje, e cila e lehtëson
fajin që mundohemi t’ia veshim tjetrit”.
Prandaj në
mbyllje dëshiroj të theksoj se Rama vërtet ka deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori”, por ka
harruar të theksojë se çfarë emri synon të lërë? Të mirë apo të keq. Se deri
tani, krahu i peshores së emrit të tij ka anuar jo nga e mira.
No comments:
Post a Comment