2020-09-28

KAMPET E PËRQËNDRIMIT DHE DEMOKRACIA

 

Jo, ore popull i mirë, jo...

 


BAJAME HOXHA – ÇELIKU

 

KAMPET E PËRQËNDRIMIT DHE DEMOKRACIA

 

Mjerë kush vuajti nën thundrën e komunizmit, dhe lum ai që mundi të mbijetojë me faqe të bardhë, pa u epur përballë përbindëshave të uritur për gjak njeriu. Është e lehtë të gjykosh e ta dënosh një popull vetëm se ai kërkon lirinë, dhe pse mendon më mirë e ndryshe nga ti. Tjetra: ai sistem shfrytëzues e vrastar kishte nevojë për krahun e punës falas. Prandaj, fatkeqësisht, këtë goditje e torturë, e hoqën djem, vajza, nëna shqiptare që patën forcën e shkëmbit për t’i përballuar, që më vonë mbyllën sytë në ofshama e dhimbje të mëdha torturash. Ah, sa më dhimbsen, edhe sot më pikon loti për ato nëna të mjera, që në njërën anë qanin djemtë burgjeve dhe pushkatimeve, në anën tjetër, qanin burrat e tyre kohë më parë të arrestuar e pushkatuar! Pale ne të tjerët, s’jemi fare në defter, që për 45 vjet me radhë, u tërhoqëm zvarrë internimeve nga injoranca dhe krimi. Zot, më vjen edhe më keq për popullin, që një pjesë e tyre, madje intelektualë nuk e kuptojnë gjenocidin që është ushtruar në Shqipëri. Janë shkelur ligjet, cilat ligje? Me çfarë e me cilët, përveçse të arrestuarve, do ta nxirrte kromin, me kë do të thante kënetat, me kë do të bënte fabrika e uzina e bujqësi për të cilat sot thonë: "I bëri Enveri ato mrekulli dhe i prishi demokracia".

Jo, ore popull i mirë, jo, asgjë të mbarë nuk bëri Enveri! 


 Enveri vetëm vrau e preu sa mundi popullin e vet. Ai i kishte mashat dhe nuk i digjte duart. Të gjitha ato, që ju i quani “mrekullitë e Diktatorit”, i ngriti i burgosuri, o popull! Ai bir nëne, që hante vetëm një pjatë supë me krimba në ditë, dhe që ishte i rrethuar nga policë kriminelë, të cilët, shpesh e flaknin nga muret e larta, ku binte i vdekur. Kur erdhi demokracia e rreme, të gjitha këto gërdalla po jepnin shpirt, ndodheshin në grahmat e fundit nga mungesa e lëndës së parë, nga ndryshku, e çdo gjë ishte e skaduar dhe e prishur. 






Se gati të konsumuara i sillte Kina, hekurishtet e veta, vetëm të lustruara në dukje, e nuk i rezistonin më kohës. Po e zëmë se nuk do të qenë prishur fabrikat, uzinat, kombinate etj., kush do të ishte ai budalla, që do vazhdonte të punonte pas demokracisë së rreme, për 5 euro në muaj? Apo e shtyjmë, hajde, 50 euro në muaj? Kështu ishin të destinuara të gjitha të vdisnin. Kur dallimi vetëm me Greqinë, pale shtetet e tjera, qe aq mahnitës! Pra, ishim mbrapa botës, fundi dhe mbeturina e botës, leckamanët e botës, Rroba arnuarit e botës, këmbëzbathurit e botës, Ishim turpi pafund i botës. Për fat të keq, ky popull, e piu gjithë kupën e mjerimit!

Që kur vajtën shqiptarët e parë në Francë, të mjerët u vërsulën dyqaneve ushqimore e magazinave të rrobave, si të babëzitur, ashtu si ishin dhe merrnin ashiqare. Dhe kur u sinjalizua drejtori i përgjithshëm, pyeti:



- Kush janë këta kusarë të mëdhenj?

- Janë shqiptarët e ardhur me ambasadën!

E dini si ishte përgjigjja e tij?

- Lërini të marrin sa të duan, të hanë sa të duan, gjersa ta shuajnë urinë 45-vjeçare!