2020-09-08

Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

 


Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

***

Zgjimi më nis me të njëjtën ndjenjë
ëndrrat jetojnë mbi qerpikë
si fijet e barit prej erës.

Të vërtetat e mia 
nuk njohin as gramatkë,
as shqiptim,
mbeten të pathëna;

jetojnë rreth kokës si cicërrima;
cicërrimën e quajmë të bukur.

A e kupton kush
edhe kur është e trishtë?!

I ndaj cicërrimën dhe ëndrrën
në menyrë të barabartë,
ndjej lëvizjet tyre,
dhe…ndal.

Qëndroj kështu
për mijëra sekonda-vite,
është njësoj
sikur shpirti kthehet mbrapsh.

Kthehem
si vërtetë e pathënë.

 

***

Sot u fjalosa me hënën,
e kisha përballë.
E beson dot?
Me mua donte të fliste,
unë i tregoja diçka të rrallë.

I tregoja
për shpirtin tënd të tejdukshëm
që ndonjëherë mplekset me lule, rrënjë e damarë…

E beson dot?
I gjeta pikën e dobët,
i thashë se jetoni në një hapësirë,
të dy jeni mbuluar nga avionë,
yje dhe re,
dhe Diellin e keni atdhe.

E beson dot?
Kaq shumë u josh e joshura,
dhe hapin ndali,
e ma preu udhën,
e më qëndroi mbi flokë
e dëgjonte për ty
dëgjonte, dëgjonte…

si ti pjesën e tokës e ndan me mua,
si më ledhaton pa më prekur,
si m’i gjen ëndrrat ku i hedh unë,
si behëm varg për buzët e tua;
shteg për hapat e tua mbetem.

Në kthim me ndiqnin sytë e saj;
aq shumë i kisha folur për ty,
hëna ishte bërë blu.

 

***

U zgjova me ndjesinë që je aty,
frymoja ditë nga drita jote
dhe vetë mëngjesi flet
si ti,
kur shfaqesh befas 
me një puthje.

Gurëza transparente
sytë e tu,
pastaj më thua,
që jam e bukur
shkëndijë ëndrre
që ndez natën,
e me mister
më mbulon
të gjithën.

Ti përcjell ditët e mia
dhe netëve u bën pritje.

Më do muzë
që nuk mbaron.

 

***

Ti më rri larg
se ke frikë
se mbaron dashuria;

shumëzon fjalët e mia 
me heshtje
dhe më quan
“Natë e bardhë!”.

Lehtësisht e kuptova
sa të bukura janë
sekretet e tua;

përdridhen pranë qafës,
shikimet
mbi supe zbresin,
aty,
ku mbështet unë
lakminë.

Ti më zë në befasi,
rreshton hapat
para meje,
dhe pse vjen me fjalën
“Dritë!”,
rri unë larg
se mos mbaron
dashuria.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...