PARATHANIE
Nuk është lehtë me shkrue parathanien e librit të dikujt tjetër. Nuk është e lehtë për shumë e shumë arsye, por ma kryesorja, se të duhet me dhanë mendim për shkrime që nuk ka pse të kenë qartësinë brenda, as mesazhin, as kuptimin. Nuk do ta merrja guximin, po të mos e çoja në mendje nji thënie të poetit të madh Goethe: "Poezia nuk është diçka për t'u kuptuar, por diçka për t'u pëlqyer". E po, më pëlqen poezia e Thomaidhës, e më pëlqen fort!
“E pambrojtur nga dehja si liria tretem në këtë lëng dhe të pushtoj; të pushtojsi më ka pushtuar kjo dehje.Ngatërrohet vetja nëpër tydhe... heshtje!Heshtje!”
Ja, si guxon poetja dhe shpërthen varg mbas vargu, strofë mbas strofe e poezi mbas poezie. Autorja dashuron me pasion dhe humbet në dashuri. Për të dashuria e poezia janë frymë.
"Ti me mua e ke shpirtin,
kulluar mbi netët që arratisen,
dy trupa që frymojnë njëherësh
e në krye të ëndrrës ngjallen."
Në poezinë e Thomaidhës, dashnori i poezisë humbet dhe shndërrohet në personazh. Shkrihet me artin e fjalës dhe mjeshtërinë e thurjes së vargut. Thomaidha e pranon lexuesin si dashnor, mbasi ajo në mendjen e saj është vetë poezi e kësisoj nuk mund t'ia mohojë kujt dashurinë.
Poezia e Thomaidhës navigon në qiell e në det. Poezi e kaltër. Ajo të deh e të josh sërisht nga fillimi. Mistike nganjiherë, por e vërtetë dhe e prekshme në mënyrën e vet për secilin lexues. Nëse e ke pasion poezinë dhe nëse e don poezinë e Thomaidhës je me fat. Je pjesë e mendësisë dhe e dashurisë së saj. Ajo i këndon konceptit “dashuri” e jo nji dashnori të fshehtë. Poetja asht vetë dashuri, asht vetë poezi e me poezi ta fiton zemrën e ta merr mendjen:
"Eja sonte, të nisemi,
t'i ngjeshim trupat tanë brenda një treni,
ta pimë erën që lëpihet dritareve;
ti pranë meje,
hartë e palexueshme
që zbulon të fshehtat."
Të josh, të fton dhe ketë e bën thjesht, në mënyrë njerëzore. Jo në qiej, as mes engjëjsh a resh të bardha, por këtu, në tokë. Të fton në tren, ku deshifron hartën e dëshirës e pasionit tënd poetik. Ti je dashnori i saj imagjinar, je dashuria eterike e poetja të nuhat e të përqafon padukshëm, si në andërr. Ajo të do në andërr dhe do ta duash në andërr po ashtu:
"Më thua i takoj vetëm ëndrrës,
drita e kripur anës syrit shkëlqen,
dhe buzët arketip i së vërtetës;
duart mbishkrime mbi flokë,
dhe mbi lëkurë hapa puthjesh"
Lëkura ndeshet shpesh në poezine e Thomaidhës. Ajo ashtu e dashuron poezinë dhe e poetizon dashurinë. E prek lehtë. Dashuria e saj konceptuale nuk ka formë. Vetëm ka aromën e saj autentike, aromën e njelmët si kripa e lëkurës a e lotit të mallit.
Poezia e Thomaidhës është përfshirëse, përjetësuese. Lexuesi e gjen veten në vargjet e saj e tash edhe në letër. Ky libër duhet dashuruar!
Xhabir Tabaku