Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Listës i prin kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj dhe kryetari i partisë tjetër që kanë hyrë në koalicion parazgjedhor, Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Tutje në top 10 janë Time Kadrijaj, Ardian Gjini, Nuredin Lushtaku, Albana Bytyçi, Pal Lekaj, Bekë Berisha, Xhevahire Izmaku, Besnik Tahiri.
Xhevahire Izmaku e cila ishte pjesë e PDK-së dhe së fundmi ka aderuar në Nismën Socialdemokrate do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit, e që është në top 10.
Edhe ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi është në listën e AAK-së për deputet.
Po ashtu, kardiologu Gani Bajraktari para disa muajve ka aderuar në Nismën Socialdemokrate, ndërsa është edhe kandidat për deputet.
Kandidat për deputet do të jetë edhe Artan Demhasaj, nga organizata “Çohu” dhe së fundmi analist politik.
Edhe kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Diellza Kukaj është pjesë e listës për deputete.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka mbyllur afatin për aplikimin e subjekteve politike për certifikim.
Ky afat ishte hapur në fillim të muajit shtator dhe u mbyll më 11 dhjetor.
“Subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim në zgjedhje, nga data 01.09.2024,deri në përfundim të afatit, 11.12.2024, ora 23:59. 28 subjekte politike: prej tyre 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”, ka njoftuar KQZ.