Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/28

THAÇI E KA FITUAR BETEJËN E PARË NDAJ MARTIT

Nuk u desh shumë kohë dhe Dik Marti ia “hoqi petët lakrorit”, në lidhje me shpifjet e tij. Ai deklaroi se padia e zotit Thaçi ndaj tij nuk shkakton asnjë produkt, pasi ai mbrohet nga imuniteti. Thënë shqip ose shkoqur, ai pranon se nuk është i zoti të mbrohet para drejtësisë dhe kërkon ndihmën e imunitetit, duke u fshehur i strukur pas tij, çka tregon se ai ka frikë, pasi e di shumë mirë se ka shpifur ndaj UÇK-së dhe zotit Thaçi. Në të kundërt, ai do të deklaronte se faktet e tij janë reale dhe jo të sajuara, e si rezultat, nuk do të kishte frikë nga drejtësia në asnjë rrethanë. Kështu mund të thuhet me plot gojën se këtë betejë, po ta quajmë kështu, e ka fituar që tani zoti Hashim Thaçi, i cili nuk u është shmangur akuzave, por ka treguar gatishmëri të ballafaqohet me to, megjithëse siç del e qartë, ato janë rrëzuar tri herë deri tani nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare.

Sigurisht lufta për të vërtetën dhe refleksionet mbi politikën, punën e institucioneve etj., në mbarë trojet shqiptare, si për këtë raport, ashtu edhe për qëndrime të tjera si këto, që kanë ngjarë ose mund të ngjasin, nuk ka mbaruar.

Përkundrazi do të duhet shumë punë për të përballuar një strategji të qartë antishqiptare, që së pari synon të zhvleftësojë çlirimtarët dhe udhëheqësit e Kosovës, e prej këtej vetë shtetin e ri të Kosovës. Mendoj se duhet thënë më qartë se përpjekjet e Dik Martit dhe të tjerëve si ai, për t’i “institucionalizuar” këto akuza në organizma politike ndërkombëtare synojnë për t’iu imponuar organeve të drejtësisë, në mënyrë që këto të fundit të vërtetojnë akuzat e tij (?!). Gjithë këto veprime kanë pamjen e një komploti kundër pavarësisë së Kosovës dhe në analizë të fundit nuk kanë të bëjnë thjesht me akuza ndaj individësh, të cilët po të mos ishin në udhëheqje të këtij shteti të ri, nuk do të rëndoheshin me to.

Nuk është e vështirë të kuptohet se gjithë kjo përfaqëson pjesë të strategjisë së Serbisë dhe qarqeve antishqiptare që mbështesin atë, për të vepruar sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në favor të Kosovës. Kjo ka shumë synime, por siç duket, i pari lidhet me shtyrjen e njohjeve të reja nga shtete të ndryshme. Duhet pranuar se në këtë drejtim, Serbia nuk është se nuk ka arritur gjë. Edhe pse jemi disa muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, numri i njohjeve nuk është shtuar siç pritej. Le të supozojmë për një moment sikur ky vendim i Gjykatës së Hagës të mos ishte në favor të Kosovës, çfarë do të kishte ndodhur. Natyrisht pavarësia e Kosovës nuk ka kthim prapa. Por askush nuk mund të kundërshtojë që proceset do të ishin vështirësuar shumë. Ashtu sikur Serbia do të kishte marrë një revansh të hapur.

Pas vendimit historik të Gjykatës së Hagës për drejtësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk kanë ndodhur rastësisht disa momente që është e nevojshme të nënvizohen dhe të analizohen:

- Miratimi nga OKB me konsensus, i rezolutës së paraqitur nga Serbia.
- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për papajtueshmërinë e Funksioneve të Presidentit Sejdiu
- Kriza institucionale nga vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese.
- Arrestimi i zotit Ramush Haradinaj, madje në prag të marrjes së vendimit të Gjykatës së Hagës.
- Dhe tash së fundi, sapo zhvillohen zgjedhjet në Kosovë, publikohen të ashtuquajturat akuza të D. Marti etj.

Pa u marrë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilën institucionet me të drejtë e respektuan, unë mund të them se kam rezervat e mia për këtë vendim, ashtu sikurse edhe për një vendim tjetër të kësaj gjykate në lidhje me emërtimin e Komunës së Prizrenit. Natyrisht ky opinion nuk ka rëndësi institucionale, por mendimi dhe gjykimi është i lirë edhe për vendimet e Gjykatave Kushtetuese. Në parim, mua më shqetëson fakti, se në rastet kur gabon Gjykata Kushtetuese, kush e ndreq gabimin. Dhe nuk mund të thotë askush se edhe gjykatat, qofshin këto edhe Kushtetuese nuk mund të gabojnë, pasi fjala e tyre sigurisht nuk është fjala e Perëndisë. Por ajo që më tërheq vëmendjen në rastin konkret është fakti se përse edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është renditur të paktën në kohë, në akordancë me këto ngjarje që kanë sjellë problematika jo të vogla për Kosovën dhe nuk i ngjan vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, as për nga qartësia dhe as për nga drejtësia.

Mendoj se analiza më të hollësishme do të kërkojë fakti se pas vendimit të Gjykatës së Hagës, Serbia ndërmori iniciativën për të miratuar në OKB një rezolutë, historiku i hartimit dhe miratimit të së cilës është i panevojshëm të përsëritet në këtë shkrim. Por thelbi duhet thënë: Në OKB u miratua rezoluta me konsensus që të fillojnë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Shumëkush këtë e mori si një humbje të Serbisë, por në fakt duket që Serbia e formuloi dhe e përdori atë për ngadalësimin e njohjeve të reja të Kosovës. Në fund të fundit, Serbia u thotë shteteve që duan ta njohin Kosovën, se duhet të presin bisedimet.

Sidomos për shtetet që e kanë pasur me mëdyshje njohjen e Kosovës, një gjë e tillë nuk është e parëndësishme. Shtoji kësaj edhe përpjekjet që Serbia bën në të gjitha frontet, duke filluar që nga fronti diplomatik e deri tek ai i tipit “Dik Marti” besoj se është e qartë për të gjithë udhëheqësit kosovarë se, kuzhina që ka prodhuar këto shpifje do të prodhojë të tjera për këdo që do të dalë në krye të Kosovës. Politikisht edhe ata që e dinë veten komod, pasi nuk kanë marrë pjesë në formacione luftarake, duhet të kuptojnë se pjata që do të gatuhet do të jetë e njëjtë, me erë të keqe dhe helm, pavarësisht se mund të ndryshojë gjella. Kështu që janë për t’u vlerësuar të gjithë ata politikanë, veçanërisht në Kosovë, që janë distancuar nga këto akuza dhe nuk i kanë përdorur ato politikisht. E kundërta do të ishte fatale për të gjithë. Kështu që është koha që edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, pavarësisht nga problematika, në Kosovë të realizohet një konsensus sa më i gjerë, sepse është e qartë që shqiptarët e Kosovës akoma nuk kanë përfunduar punë “me të tjerët”, që të mendojnë të merren “thekshëm” me njëri-tjetrin, qoftë edhe politikisht. Mendoj se në Kosovë akoma nuk ka hapësira të mëdha për shumë “lojëra politike” të brendshme. Mbi të gjitha është uniteti për realizimin e njohjeve të reja dhe forcimin e shtetit të ri të Kosovës. Deklarata e Kryeministrit Hashim Thaçi se, nuk kemi vija të kuqe, duhet vlerësuar dhe për mendimin tim një aleancë e gjerë midis partive politike, i bën vetëm mirë Kosovës edhe në situatat e krijuara.

KUJDES! BIG BROTHER NËN VËZHGIM!

Kur shkrimtari hindo-britanik George Orwel shkroi romanin e njohur “Ferma e kafshëve” (1945), dy kampet e mëdhenj që krijuan ekuilibrin e botës së ardhshme nuk ishin krijuar ende. Por që atëherë në përfytyrimin e shkrimtarit dhe politikanit Orwel bota e ardhshme do të ishte një botë që do të jetonte nën tmerrin e mbikëqyrjes së atij që ai e quajti “Big Brother” dhe që në polemikat e mëvonshme publicistike do të shenjonte superfuqitë.

Kujdes! Vëllai i Madh i sheh të gjitha! Big Brother po ju vëzhgon! Kjo qe porosia e G. Orwel për popujt e vendeve të Lindjes. Moska kontrollon gjithçka. “Gishti i vogël” i Vëllait të Madh mund të përmbysë qeveri, mund të shkatërrojë shtete, mund të sjellë hatara të mëdha. Për herë të parë në jetën e popujve hyri nocioni “Big Brother”. Në fakt, të njëjtën gjë mendonin dhe popujt e Lindjes për “bllokun kapitalist”: Uashingtoni i sheh të gjitha, atje ku ka aleatë e atje ku ka armiq, atje ku është i pranishëm me ushtri e atje ku e kontrollon situatën me “të bindurit”.

Në dy dekadat e fundme, kur shoqëria e kontrollit mori fund dhe kampet u shprishën, Big Brother u kthye në një ide spektakli, u bë patentë shëtitëse që flet në të gjitha gjuhët e botës. Big Brother sheh gjithçka që ndodh në një model të ri shtëpie, në një njësi të re organizimi të jetës së njerëzve. I sheh me të njëjtën rreptësi si “Vëllai i Madh” i Orwel-it. I sheh dhe mban shënime: si do të mund të jetojnë njerëz të panjohur me njëri-tjetrin dhe pa lidhje familjare në kushtet e një apartamenti, si reagojnë ndaj veseve të njëri-tjetrit, çfarë kompleksesh kanë, si nervozohen, si dashurohen, si shtiren, si lajkatohen, si krijojnë dhe njësi brenda njësisë duke u lidhur. Ndoshta eksperimenti më i madh që është bërë ndonjëherë në historinë njerëzore me pjesëmarrjen vullnetare të veprimtarëve: eksperiment psiko-social mbi të gjitha.

Dhe kështu, njerëzisë iu mbush mendja se forma më e organizuar e mbikëqyrjes së sjelljeve të individëve është Big Brother. Dhjetëra kamera vëzhgojnë në hollin e ndenjes, në dhomat e fjetjes, në kuzhinë, në dhomat e rrëfimit, në banjë, kudo. Numri i kamerave që kontrollojnë sjelljet e vullnetarëve të “Big Brother”-it ia kalon numrit të kamerave që përcjellin një ndeshje futbolli qoftë dhe të “ekipeve galaktikas”, si thonë komentatorët sportivë.

Por zhvillimet e fundme treguan se “Big Brother” spektakël është vetëm një formë fare e thjeshtë eksperimentale e mbulimit tërësor të shoqërisë me pasqyrë informacioni. Sepse e gjithë shoqëria e sotme është një Big Brother. Tani nuk është më Big Brother ai që vëzhgon, në të dyja kuptimet: qoftë si e përdori Orwel-i, qoftë si në terminologjinë e spektakleve. Madje, tanimë kanë ndërruar dhe rregullat e raportet: edhe vetë Big Brother përgjohet. Shenja e parë për këtë qe dhënë kohë më parë, kur vetë Shtëpia e Bardhë, e identifikuar me Vëllain e Madh njësoj si Kremlini për Lindjen, u trondit rëndë prej “Watergate scandal” në vitin 1970, kur shtypi botëror u përmbyt prej miliona kabllogramesh të nxjerra ilegalisht prej zyrave më të larta të shtetit amerikan.

Por sfida më e madhe ndaj Big Brother-it tradicional, i cili nuk është më vëzhguesi i botës, por një i vëzhguar i zakonshëm prej një tjetër Big Brother-i, është ajo që ndodhi në dy muajt e fundmë me fenomenin “Wikileaks”. Mbi njëmijë servera e providera janë në dispozicion të depozitës së informacionit që J. Assange dhe bashkëpunëtorët e tij kanë grumbulluar prej burimesh diplomatike amerikane e europiane, që sot ushqejnë shtypin dhe sundojnë debatet ndërkombëtare. Jo shoqëria e konspiracionit, por shoqëria e dekonspiracionit, është gjendja e sotme e botës. Gatishmëria e mediave për t’u ushqyer prej “thesaurus-it” të “Wikileaks” është aq e madhe, saqë tani informacionet e saj vetëm shiten, madje shiten edhe duke kontribuuar me diçka shtesë, në formën e solidaritetit, për fuqizimin e saj financiar.

“Wikileaks” është shprehje e ndryshimit të botës pas lulëzimit të revolucionit teknologjik në fushën e informacionit të numerizuar. Ishte ky revolucion faktori themelor që përmbysi muret dhe shkatërroi shoqërinë e mbyllur. “Revolucionarët” e shumtë të vendeve të Europës së Lindjes, duke përfshirë dhe Shqipërinë; të qenë e të paqenë, i ngjajnë asaj mizës që, duke qëndruar në bisht të kalit, mburrej se me fuqinë e saj tërhiqte karrocën. Në fakt, shoqëria e mbyllur vdiq kur lindi teknologjia e telekomunikimit, kur arriti një kohë kur valët televizive nuk mund të zhurmoheshin, kur posta tradicionale u kthye gati-gati në një kujtim të së shkuarës.

“Wikileaks” shkaktoi shqetësim e ndoshta edhe alarm edhe në Shqipëri. Çfarë do të dalë, si mund të kenë qenë sjelljet e atyre njerëzve që gjenden brenda rrezes së veprimit të “Wikileaks”, domethënë qeverisësit dhe kundërshtarët e tyre. Shqetësimi ende nuk ka mbaruar, sepse “Wikileaks” deri tani vetëm kopertinën ka treguar, pjesa tjetër është ende e papublikuar. Ajo që do të dalë, dhe që konfirmohet edhe prej aq burimesh sa janë botuar deri më sot, është se klasën qeverisëse të Shqipërisë e karakterizon një dyfishësi e përgjithshme, më saktë një hipokrizi e madhe, shpeshherë e pabesueshme. Qëndrime të dyfishta ministrash, deputetësh, funksionarësh, që në një anë mbështesin deri dhe idenë e një shteti të vetëm kombëtar të shqiptarëve, kur dalin para mediave të tyre, dhe në anën tjetër u pohojnë diplomatëve të huaj se pavarësia e Kosovës duhet të ecë ngadalë e të pritet të piqen rrethanat.

Sekretarja amerikane e departamentit të Shtetit, znj. Hillary Clinton, u shpreh disa ditë më parë se vendi i saj nuk është aspak i shqetësuar, sepse diplomacia amerikane ka bërë detyrën e vet. Dhe me plot të drejtë. Sepse vetë fjala diplomaci do të thotë dyfishësi. Sepse, sado që shoqëria është hapur, diplomacia është një shërbim i ligjshëm, në funksionin e së cilës është të shpallë dhe të sekretojë, të shprehet dhe të fshehë. Nuk ka diplomaci në botë që të mos bëjë raporte të fshehta, krahas deklaratave publike. Nuk ka diplomaci në botë që t’i përputhen qëndrimet e brendshme me ato të jashtme. Por çështja ndërlikohet nëse pyesim: dakord ata që kanë raportuar, sepse ashtu ua do funksioni; po vetë burimi i informacionit, që nuk është aspak në rrugë diplomatike, por prej njerëzish të veprimit politik dhe qeverisës, cila është përligjja?

Është krejt e kuptueshme se për jo-diplomatët, për të gjithë ata që dyfishësinë nuk ua justifikon detyra, nuk ka asnjë alibi. Mund të gjendet alibi, bie fjala, për ministrin që, pasi ka votuar në qeveri një vendim për lëshime serioze në shelfin detar ndaj fqinjit jugor, shkon në një ambasadë të huaj dhe ankohet për Kryeministrin pse po shet pjesët e vendit të vet? Mund të gjendet alibi, bie fjala, për deputetin, që, pasi ka votuar në Kuvend një rezolutë që dënon tendenciozitetin e Carla del Pontes apo të relatorit Dick Marty, shkon në një ambasadë të huaj dhe kërkon të dërgohen ekspertë për të hetuar për krimet shqiptare ndaj serbëve të trafikuar si pjesë këmbimi? Natyrisht që jo. Madje mund të thuhet se gjëja më e rëndësishme që solli në jetën e shoqërisë së sotme dukuria “Wikileaks” është demaskimi i dyfishësisë. “Wikileaks” është një Big Brother që tremb gjithë big-brotherinët e vegjël andej-këndej nëpër botë, është dukuria që po demonstron dështimin e moralit të njeriut, është dukuria që do të provojë edhe më shumë sa e pacipë është bërë shoqëria e sotme, sidomos ajo pjesë e saj që s’ka as dinjitet kombëtar, as dinjitet vetjak; ajo pjesë që thënë me terma të vjetër, shitet e blihet për një kompliment në shtypin e Perëndimit!

Big Brother-i me emrin “Wikileaks” është prova se sot bota është bërë e aftë të vëzhgojë vetveten nga të gjitha anët. Dikur thuhej se do të kishte qenë një mrekulli mbi të gjitha mrekullitë nëse do të imagjinohej një tragjedi e Eskilit e ruajtur në formën zanore si është luajtur në lashtësi. Sot kjo nuk është më një ëndërr. E gjithë bota është nën vrojtimin e syrit gjigant që quhet teknologji e informacionit të numerizuar. Asgjë nuk u humbet shqisave të kësaj teknologjie. Imagjinoni vetëm një fakt: sipas statistikave, njeriu i sotëm shkruan vetëm sms afërsisht tre mijë karaktere në ditë, pa llogaritur sa shkruajnë në postë elektronike, në mesazherinë e “Facebook”, në qindra forma të tjera që ofron teknologjia e informacionit virtual. Njerëzit punojnë në një zyrë dhe në fakt vetëm formalisht janë aty, sepse secili ka linjën e vet të ekstrakomunikimit. Njerëzit gjithnjë e më formalisht janë “fqinjë” me njëri-tjetrin. “Wikileaks” deri më tani nuk ka pasur punë me sekretet e vogla të miliarda njerëzve: prej moshave më të reja, deri te nënëmadhja britanike 90-vjeçare që ka faqen e vet elektronike dhe një pjesë të madhe të kohës e kalon në “Facebook”. Por e gjithë bota është e hapur, e zbuluar, para vëzhgimit të “Wikileaks”-ave të tjerë. Dhe është një kujtesë shumë instruktive për botën e sotme paraqitja e këtij fenomeni, jo për ta kthyer atë te mbyllja, por për të menduar për atë që quhet koherencë dhe që shkon kundër dyfishësisë, hipokrizisë.

Proza dhe poezia popullore para dixhitalizimit

Qindra mijë faqe prozë dhe vargje popullore shqiptare që gjenden në dorëshkrim në Arkivin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, priten të hidhen në format dixhital. Përpara këtij procesi, studiuesve të Institutit u lind detyra të bëjnë katalogimin e kësaj pasurie folklorike. Studiuesit u mblodhën dje në hotel "Mondial" në një simpozium shkencor, nga i cili pritet një rezultat për skemën e kategorizimit të kësaj pasurie.


Agron Xhangolli, drejtor i Departamentit të Folklorit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit propozon një skemë sesi mund të katalogohet kjo pasuri. Te "Proza" bëjnë pjesë përrallat, legjendat, anekdota, trashëgimia popullore realiste, fjalët e urta, gjëegjëzat. Të Pasuria në vargje të kishte tri nëndarje themelore: epika, lirika, liriko-epika. Te epika, epika historike dhe legjendare.


Te lirika: Këngët e Punës, Këngët e Motmotit, Këngët e Lindjes e të Djepit, Këngët e Dasmës, Këngët e Synetit, Vajet, Këngët e Dashurisë, Këngët e Mërgimit. Te pasuria liriko-epike: baladat.


Studiuesja Miaser Dibra referoi për klasifikimin e baladave popullore, këngëve për fëmijë, këngëve të dashurisë, këngëve folklorike me temën e emigracionit; studiesja Afërdita Onuzi u ndal te klasifikimi i këngëve të festave kalendarike të motmotit, te këngët e punës, etj..


Të gjitha kumtesat, të botuara edhe në vëllimin "Klasifikimi dhe dixhitalizimi i Prozës dhe Poezisë Popullore Shqiptare", i paraqiten Këshillit Shkencor të Institutit, që vendos për skemën përfundimtare të katalogimit.


"Ky nuk është thjesht një proces për të ruajtur arkivat nga dëmtimet apo humbjet. Ne duam që me ruajtjen, të realizojmë paralel edhe klasifikimin", thotë Xhangolli për rëndësinë e procesit të dixhitalizimit.


Arkivi i Prozës dhe Poezisë Popullore përmban rreth 1.700.000 vargje, 10.000 proverba, 9000 faqe prozë (përralla, tregime, legjenda), si dhe mbi 100 volume të studiuesve që kanë mbledhur folklor gojor në terren.

Një histori e së Keqes

Dalëngadalë po krijohet në shqipe një seri e plotë e veprave letrare dhe filozofike të Marquis de Sade dhe Georges Bataille.


Të dy ndihmojnë për një kuptim të natyrës së artit letrar dhe rolit të tij te qenia njerëzore. Rasti i romanit-ese "Historia e syrit" i Bataille-it dhe disa çështje analoge me mendimin filozofik të Sade-it


"Njeriu s'di asgjë dhe ne ndodhemi të gjithë në zemër të natës. Por të paktën mund t'i ngulim sytë për të parë çka na mashtron, çka na pengon të kuptojmë thirrjet e ankthit, na pengon më saktë, të kuptojmë se gazi dhe dhimbja janë e njëjta gjë, hareja e njëjta gjë me vdekjen." Georges Bataille, Zonja Eduarda dhe tregime të tjera


Titulli i këtij shënimi do donte të njoftonte tërheqjen drejt disa ideve të cilat, në kërkim të një trupi, enden sa nga letërsia në filozofi. Rasti vjen prej tekstit letrar të Georges Bataille-it (1897-1962), "Historia e syrit" (Histoire de l'oeil), botuar nga autori frëng më 1928 me pseudonimin Lord Ausch.


Aliazhi letërsi me filozofi është krijuar tek kjo vepër që nuk i kalon 100 faqet, si lidhje klasike e natyrës së artit me rolin e tij te qenia njerëzore e një kohe tjetër.


Njohja e botës nga librat për shumë njerëz është ku e ku më e dobët se njohja nga përvojat. Ka nga ata që besojnë se njohja nëpërmjet fiction-it i përket vetëm realiteteve imagjinare, ajo që shkrimtarët do donin të ndodhte apo që ka gjasë të ndodhë.


Si objekt studimi, Bataille e trajtoi gjerësisht lidhjen art-qenie njerëzore tridhjetë vjet pas botimit të "Historisë së syrit", kur shkroi një histori të së Keqes.


"Letërsia dhe e keqja" (1957) ishin një seri esesh që u botuan në revistën e tij "Critique" ku flet për Proust-in, Sade-n, Baudelaire-n, Genet-in, Kafka-n, Blake-un, Emily Brontë-n etj., përpjekje autentike për të dalluar problemin e të Keqes në burim të krijimit të këtyre autorëve.


Te "Historia e syrit" ai merret me realitetin e erosit në kufirin transhendental të jetës nga vdekja. Është një problem për të cilin ai i detyrohet shumë Donatien Alphonse François - Marquis de Sade (1740-1814). Bataille e lexoi dhe shkroi për të si askush tjetër.
Kur flitet për erosin në kufi të jetës me vdekjen, të dy këta autorë libertinë nuk shohin kufi ndarës, po një shtrat të përbashkët, aq saç i përkasin të njëjtës mitër dhimbja dhe kënaqësia.


Erotizmi është pëlqimi i jetës në gjirin e vdekjes, thotë Bataille në krye të studimit që shoqëron "Historinë e syrit", i përdorur si parafjalë për veprën me të njëjtin titull, "Erotizmi".


Për të dhënë një kuptim për pëlqimin e jetës në gji të vdekjes, ai shtyn të njëjtën portë pas të cilës shfaqen të dy ekstremet. Për zakonet njerëzore është e papranueshme që ajo portë të lidhë ndonjë farë kënaqësie me vdekjen apo me dhunën, sepse ka të bëjë me ndërgjegjësimin për të përbashkëtat e skajeve të natyrës dhe qenies njerëzore çka është një proces i vështirë.


Për analizimin e tij i njeh meritë të jashtëzakonshme Sade-it dhe Bataille vetë ia mban ndezur flakën që Sade-i pruri për këtë vetëdijesim i cili nuk vjen nga instrumentet njohëse dhe rregulluese të qytetërimit, po nga një sferë e papërcaktuar e qenies.


Ç'është kjo sferë e papërcaktuar e pajisur me vetëkuptueshmëri?


Në udhëtime imagjinare sodomike e libertine Sade-i krijonte një hapësirë për meditimet mbi natyrën njerëzore: për vesin që shpie në thellësi të rrezikshme, për virtytin - vepër e mendimit të thelluar, për ferrin në gji të jetës.


Burri libretin, i lirë seksualisht dhe gruaja e devotshme; burri incestuoz dhe gruaja incestuoze; burri që do modelin e gruas, vazo e farës së tij - modeli i botës sipas burrit krijues; prifti që i thur himn ndërgjegjes ku natyra shkruan tërë detyrat njerëzore; janë ndër karakteret e veprave që Sade-i shkroi i izoluar në Bastijë, "ena" në të cilën u dogjën dalëngadalë kufizimet e ndërgjegjshme të njeriut, nga flaka e një pasioni të cilin e përforconte edhe më shumë pamundësia e plotësimit.


Bataille i referohet gjatë "Filozofisë së sallonit" ku individualiteti arsyetues i Sade-it po përgatiste një ndërgjegje të çliruar e cila e pranon të Keqen "si mënyrë e vetëdijshme të jetuari: çka e bën qenien ajo që është dhe jo ajo që duket. Qëllimi është krijimi i "QENIES SUPREME KEQADASHËSE, ateiste dhe gjakftohte".


Për të shkuar drejt këtij thelbi, natyrës i duhet njohur statusi i lëvizjes së përjetshme dhe instrumentet që mbajnë gjallë ciklin e pashtershëm. Shkatërrimi është njëri nga ligjet e para të natyrës, thotë Dolmanseja, një personazh sodomit te "Filozofia e sallonit". "Dhe mizorja është ndjenja e parë që natyra ka stampuar tek ne. Mizoria është brenda natyrës. Ne të gjithë lindim me një dozë mizorie, të cilën e zbut vetëm edukimi, por edukimi nuk është brenda natyrës."


Arti i Sade-it, shkruan Bataille, qëndron në krijimin e gjendjeve torturuese. Nën këtë gjendje qeniet gëzojnë një pasion absolut dhe ndihen krijesa sovrane që nuk njohin ligjet, zakonet, ndëshkimet dhe që ekzistencën e tjetrit e bëjnë të pavlefshme.


Pa transgresionin dhe mëkatin natyra nuk është më natyrë, domethënë e rrezikshme.
Te "Historia e syrit" personazhet provojnë dashurinë, seksin, dhunën dhe përjetojnë vdekjen në kufijtë e mizorisë.


Flashbacku zbulon ngjarje të së shkuarës me intensitetin e së tashmes. Megjithëse nuk kanë pushtetin e dikurshëm, ngjarjet që rimerr kujtesa e bartin mizorinë si një konstante që shkon drejt të ardhmes së (pakorrigjueshme) njeriut.


Narratorit tonë dashuria për babanë gjatë pubertetit i ishte kthyer në një krupë të pavetëdijshme. Në mënyrë po aq të pavetëdijshme ai u përpoq të gjente në jetë dhe në mendimet e tij barazvlerësit e kësaj historie nga fëmijëria.


I rritur në kushtet e një edukimi të rreptë, ishte 16-vjeçar kur e kap ankthi për gjërat e seksit. Atëhere takon Simonën (emri i apostullit), një vajzë me përparëse të zezë me jakë të ngrirë, e babëzitur për gjërat që trazojnë ndjenjat, një vajzë e prirur "të ndërmendë gjakun, llahtarën e beftë, krimin, gjithçka që rrënon pa reshtur lumturinë dhe ndërgjegjen e qetë".


Çifti i zbulimeve të "jetës së brendshme" në aventurën e dashurisë së parë, takon Marselën, e mbyllur në çmendinë (marrëzia është një formë mizorie), më pas e vetëvrarë (dy të rinjtë bëjnë seks pranë kufomës së saj).


Personazhet janë të paracaktuara për të keqen, domethënë ata jo vetëm që thyejnë çdo rregull në mënyrë djallëzore, por ndjejnë kënaqësi nga shkatërrimi dhe vdekja. Këtë stad Bataille-i e konsideron njohje e së keqes, e të keqes së vërtetë, e të keqes më të pastër.
Personazhet janë adoleshentë.


Fëminia dhe adoleshenca janë, prej natyre, kundër botës së të rriturve, kundër rregullave, për rrjedhojë, janë mosha të njeriut të paracaktuara për të keqen. "Në edukimin e fëmijëve, preferenca për çastin e tanishëm, përfaqëson përkufizimin e zakonshëm të së keqes", shkruan Bataille.


Gjatë udhëtimit në Andaluzi, Simonës që i parapëlqejnë ndeshjet me dema, i vjen të bëjë dashuri fill pasi toreadorit i varet syri i djathtë. Vdekja i kishte ardhur aty ku iu ngulën brirët e demit. Nuk është mazohizëm? Po ç'mund të jetë?


Radha i vjen priftit Don Aminado i tunduar përballë kësaj "bloody girl" mu në rrëfyestore. Çdo viktime të këtij çifti ai që iu dhunohej i pari pasi fitonin kënaqësinë deri në delir, ishte syri, vetëm njëri sy. Ky organ që përfaqëson metaforën kryesore të rrëfimit dhe të cilit i referohen një zinxhir sendesh dhe organesh analoge për nga forma dhe "funksioni", ka një "histori".


Në një traktat anatomie rrëfimtari i "historisë së syrit" vëren se herdhet e kafshëve dhe të njerëzve kanë formën vezake, pamjen dhe ngjyrën e kokërdhokut të syrit. Një lidhje ekziston me kujtimet e fëmijërisë, kur ai e adhuronte të atin, megjithëse me sifiliz, i verbër dhe i paralizuar: "...gjëja më bezdisëse ishte mënyra me të cilën shikonte.


Duke mos parë asgjë bebja e syrit nëpër natë, përhumbej deri lart nën qepallë: kjo lëvizje ndodhte zakonisht në çastin e përgatitjes së ilaçeve... kur urinonte sytë i bëheshin thuajse të bardhë dhe i merrnin një shprehje të hutuar, objekt i tyre ishte një botë që vetëm ai mund ta shihte, pamja e të cilës i shkaktonte një të qeshur të përhumbur". Pamjen e syve të bardhë ai e lidhte me atë vezëve.


Këto kujtime, dhe ndër to dita kur e gjeti në një përrua nënën e cila nuk e kishte përmbushur qëllimin e vetëmbytjes, nuk kanë më asnjë pushtet tek narratori. Së paku ai beson se ato i rikthehen të shformuara dhe të veshura me një kuptim të turpshëm.


Te "vërejtjet filozofike" - filozofia që e sheh jetën të lidhur ngushtë me gjërat më intime - që pajisin romanin, Bataille-i përmend tri forma të erotizmit: erotizmin e trupave si i rëndë dhe i kobshëm; erotizmin e zemrave si erotizëm i lirë dhe erotizmin e shenjtë si një ide e pazakontë sipas të cilit asgjë nuk duhet ta trazojë subjektin.


"Erotizmi hap ndaj vdekjes. Vdekja hap ndaj mohimit të kohës individuale", shënon ai. "...Riprodhimi dhe vdekja kushtëzojnë ripërtëritjen e vazhdueshme të jetës.


Ato kushtëzojnë çastin gjithmonë të ri. Prandaj ne nuk mund të kemi një tjetër vështrim mbi kënaqësinë e jetës, përveçse një vështrim tragjik, por gjithashtu prandaj tragjedia është shprehje e kësaj kënaqësie."


Siç shihet, energjia e së Keqes nuk mund të mblidhej kurrë pa ndalimin. Nëse do të hiqeshin ligjet, ndalimet, zakonet që shoqëria ka vendosur me qëllim frenimin, rreziku nuk do të ekzistonte, sepse nuk do të ekzistonte një qëllim që synon shthurjen e formave të organizuara.


Jeta seksuale (e lidhur me kënaqësinë) dhe vdekja (e lidhur me dhimbjen), janë dy çështje themelore për njeriun. Me tabutë ndaj tyre feja ka krijuar një shtresë të rëndë vetëdijeje të jashtme.


Arsyetimet e Sadit për këto dy ndalime, për vdekjen dhe aktivitetin seksual, shtrihen në kufijtë imagjinarë të një bote utopike humane.


"Në njërën anë shkrimet e Sadit shpalosën mospajtimin e ndërgjegjes me dhunën, por nga ana tjetër, dhe këtu qëndron vlera e tyre e veçantë, ato kanë prirjen ta bëjnë dhunën të kapshme për ndërgjegjen, t'i japin kuptim të ndërgjegjshëm asaj së cilës njerëzit i patën kthyer shpinën duke u fshehur pas iluzioneve dhe mohimeve kokëforta.


Përmes tyre refleksionet mbi dhunën fitojnë maturinë dhe frymën vëzhguese që janë tipare dalluese të ndërgjegjes... Një formë dhune që ka qetësinë e arsyes." Prandaj Bataille-i mendon se Sade-i është një autor që nuk është kuptuar, që nuk është vlerësuar dhe që fitoi famë sa qe gjallë vetëm për të keq.


"Historia e syrit" është lexuar fillimisht si një vepër pornografike deri kur u pa tek ajo dimensioni filozofik brenda një lloj letërsie e quajtur e "transgresionit", siç u përmend më sipër.


Te "The Pornographic Imagination" (1969) Susan Sontag thotë se pornografia si zhanër duhet të gjykohet në bazë të strukturës së saj narrative. Ajo kundërshton Theodor Adornon sipas të cilit narrativat pornografike nuk përbëhen veçse nga një seri vinjetash që paraqesin aktivitetin seksual të njeriut.


Ajo e sheh Georges Bataille-in rast domethënës të letërsisë transgresive që ka meritën e ballafaqimit të erosit me thanatosin.
Edhe Roland Barthes-i ishte kundër përcaktimit të "Historisë së syrit" një narrativë pornografike, ndaj iu referohet një sërë metaforash që u përmendën tashmë.


"Historia e syrit" ka elementë autobiografikë prandaj është parë edhe si një tekst terapeutik dhe psikanalitik.


Nëna e Bataille-it tentoi disa herë të vetëvritej, i ati u verbua dhe paralizua. Në prag të Luftës së Dytë Botërore autori u bë frekuentues i seminarit katolik por hoqi dorë nga besimi më 1922. Provoi ushtrinë, vuajti nga turbekulozi dhe depresioni. Në vitin 1920 u përfshi në lëvizjen surrealiste prej të cilës Andre Bretoni e përjashtoi. Udhëtoi drejt Madridit ku ndoqi Shkollën e Studimeve Spanjolle. U influencua nga Hegel, Freud, Marx, Marcel Mauss dhe Friedrich Nietzsche.


Themeloi disa gazeta që kishin në vëmendje sociologjinë, besimin dhe letërsinë. Ishte i pari që botoi mendimtarë si Barthes, Foucault, Derrida, Sollers dhe pati influencë te ta. U ndje ndikimi i tij edhe në teoritë psikanalitike të neofrojdistit Jacques Lacan.
Shkroi ndër të tjera "Viti diellor", "Sakrificat", "Zonja Eduarda", "Eksperienca e brendshme", "Fajtori" etj.. Vepra e fundit ishte "Lotët e Erosit" në vitin 1961, një udhëtim në historinë e erotikës dhe dhunës.


Ai e kishte thënë pse kjo fushë përbënte për të objekt studimi. Nuk mendonte se thelbi i kësaj bote është epshi, sepse njeriu nuk kufizohet tek organi i qejfit. "Megjithatë ky organ i turpshëm e i paemër mund t'i thotë akoma ca sekrete të vlefshme."


Për këtë shkrim janë shfrytëzuar: Georges Bataille, Historia e syrit, Tiranë 2004; Georges Bataille, Zonja Eduarda dhe tregime të tjera, Tiranë 2008; George Bataille, Letërsia dhe e keqja, dorëshkrim i përkthimit shqip; George Bataille, Erotizmi, Tiranë 2006; D.A.F de Sade, Filozofia në odën e pasqyrave, Tiranë 2006; Markezi dë Sad, Ëzhenia e Franvalit, Tiranë 2003.

Elsa Demo

SHEMBULLI I FATOS KONGOLIT

Lexova këto ditë librin e fundit të Fatos Kongolit. Është autobiografik. Titullohet "Iluzione në sirtar". Kam lexuar që dikush e ka qortuar në gazetë autorin dhe librin në fjalë, por sipas meje ky libër duhet të shkaktojë një shok kulturor në këtë vend.


Duhet ta shkaktojë, por nuk di nëse mund ta bëjë, pasi këtejpari nuk ndodhin tronditje; këtejpari çdo gjë është një ligatinë, ku uji i ndenjur është përzierë me llucën, dhe kaq.
Në këtë libër Kongoli kalon në revistë jetën e vet, dhe ndalet përgjithësisht tek momentet shumë delikate e tek dobësitë e veta.


Shkurt, i bie vetes bam, e bam, e bam, gjë që nuk është shqiptare. Kongoli pra është e kundërta e Saliut. Ky i fundit e fsheh jetën e vet, ndërsa Kongoli e nxjerr në shesh. Nxjerr në shesh edhe faktin që ka qenë dëshmitar në gjyqin që i është bërë dikujt për motive politike.


Duhet të ketë qenë dëshmitar bash në atë kohë, kur Berisha bënte shëtitje në Drilon me fëmijët e diktatorit (kjo është një përkitje pa asnjë domethënie; thjesht e thashë, ngaqë kështu më rezulton). Ky fakt i jetës së tij nuk është publikuar asnjëherë.


Është Kongoli vetë që e thotë. Është një hesap, që ai e ka pasur me veten, dhe që me këtë libër e ka larë. I ka bërë dëm vetes? Sipas meje, absolutisht jo. Përkundrazi, Kongoli në sytë e mi është rritur pas këtij libri.
E thashë këtë për të nënvizuar një përfundim.


Nëse ka njerëz të varur tek Berisha për shkak të së kaluarës së tyre (bashkëpunim me Sigurimin e shtetit, dëshmi e denoncime nëpër gjyqe, etj, etj), ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: të rrëfehen e të bëjnë një mea culpa. Kongoli nuk e ka bërë për këtë (s'ka gjë se politikisht ka qenë gjithnjë afër Berishës).


Kongoli e ka bërë për një qëndrim a zgjedhje etike, morale, kulturore, për të cilën ia vlen të diskutohet gjatë në këtë vend. Është një libër që ta jep këtë shans, dhe shoqëria shqiptare nuk duhet ta lërë t'i ikë.


Fatos Kongoli


Fatos Kongoli Fatos Kongoli lindi në vitin 1944. Ai njihet si një nga fitgurat kryesore dhe përfaqsuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Kongoli, lindi në Elbasan dhe ka studiuar matematikë në Kinë. Pjesën më të madhe të jetës së tij ja përkushtoi matematikës, ndërsa në vitet 90të, pas-diktaturës, ai filloi t'i prezantohej publikut duke shprehur dhe talentin e tij tregues. Më pas ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri".
Novela e tij e parë, titulluar “I Humburi” (Tiranë, 1992) përshkruan ngjarjet e Marsit 1991, kur gati 10,000 refugjatë shqiptarë ju drejtuan brigjeve detare për tju larguar Shqipërisë së asaj kohe. Personazhi kryesor, Thesar Lumi ose I Humburi, përfaqson gjithë të humburit e tjerë të cilët hedhin sytë drejt horizonitit me njohurinë e plotë se “Egzistenca ‘e tyre’ është një egzistencë mediokre, e cila i ka rrënjët tek asgjëja e që nuk shkon gjëkundi”. Lumi, pasi provon të largohet nga Shqipëria (si gjithë të tjerët), momentin e fundit ndryshon mëndjen dhe kthehet sërisht në shtëpi. “U ktheva në lagjen time në mbrëmje. Asnjë nuk më pa të ikja dhe asnjeri nuk më pa kur u ktheva.”

PROSTITUCIONI SHQIPTAR ,,MUZIKA LIVE,, DHE AJO,,TALLAVA,,

Kodi Penal


VEPRA PENALE KUNDËR MORALIT DHE DINJITETIT
Neni 113 - Prostitucioni
Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.


Neni 114 - Favorizimi i prostitucionit
Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet ndaj një të miture ose me anë të përdorimit të dhunës, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 114/a - Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese


Shfrytëzimi i prostitucionit i kryer: 1 Me të mitur 2 Ndaj disa personave 3 Me persona që rezultojnë lidhje të afërta gjinie, krushqie, kujdestarie ose duke përfituar nga raportet zyrtare 4 Me mashtrim, shtrëngim, dhunë, ose duke përfituara nga paaftësia fizike dhe mendore e personit 5 Ndaj një personi që shtyhet ose shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. 6 Në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose nga persona të ngarkuar me funksione shtetërore dhe publike - dënohet nga shtatë deri në 15 vjet burgim.


Neni 115 - Mbajtja e lokaleve për prostitucion
Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet
jetë vjet.

REPORTAH NGA SHQIPËRIA

F.C., është vetëm 17 vjeçe. Jeton bashkë me të ëmën, në një apartament në unazën e re. Prej më shumë se tre vjetësh prostituon. Së fundmi është arrestuar sërish nga forcat e policisë në kuadër të operacionit të koduar "Liqeni". Mosha e saj, bukuria apo dhe fakti që është punëtore seksi, nuk përbën më habi për agjentët e policisë. Por 17-vjeçarja kurrsesi nuk pranon të padisë dy miqtë e saj, Elis Tafa 23 vjeç, dhe Emilano Rrapushin 23 vjeç, të dy të arrestuar bashkë me të dhe me një vajzë të dytë, për të cilët policia thotë se janë "tutorë".


Për oficerët e policisë vajza dëshmon se dy të rinjtë i ka vetëm shokë dhe se u jep "para për qejf" pasi ata i gjejnë klientë. Gjatë dëshmisë ka thënë se ka kaluar edhe 10 meshkuj në një natë por asnjëherë nuk është dhunuar dhe nuk ka asnjë ankesë e asnjë denoncim për të bërë.


Madje, dëshmia e vajzës në polici ka edhe një rast të rrallë "seksi me klering". Për një nga klientët vajza dëshmon se nuk kishte para. Por si kasap që ishte i ka afruar vajzës 10 kile mish viçi, vlera e të cilit ishte e përafërt me çmimin që kish kërkuar vajza për shërbimin. Vajza ka pranuar ofertën e kasapit vetëm pasi është konsultuar me "shokët". Falë këtij "bashkëpunimi" edhe operacionet me të suksesshme të policisë përfundojnë me ca orë qëndrimi në qeli të vajzave dhe me rrëzim të akuzave në gjykatë të personave të akuzuar si tutorë të prostitutave.


F.C., është një nga ato punëtoret e seksit ku bukuria apo hijeshia e moshës që gjithsesi zbehet shpejt, nuk mund të ekspozohet nëpër rrugicat e ndotura të periferisë. Përveç kësaj, çmimi i vajzave si 17-vjeçarja e arrestuar e "Liqenit" është shumë i lartë për klientët e tallavave. Ka vajza si e mitura e kësaj historie që frekuentojnë vetëm hotelet luksoze në Tiranë dhe çmimi i shërbimeve të tyre shkon deri në 300 euro nata.


"Nga hetimi i bërë deri më tani ka rezultuar se klientët në gjendje të mirë financiare siguroheshin nga shtetasit Elis Tafa dhe Emiljano Rrapushi, me qëllim shfrytëzimin e tyre kundrejt pagesës në hotelet luksoze në Tiranë të shtetasve Z.M., 21 vjeçe, F.C., 17 vjeç, lindur e banuese në Tiranë", - thuhet në deklaratën e operacionit të koduar "Liqeni".
Raste të ngjashme kanë qenë të shumta që janë zbuluar nga policia e Tiranës gjatë muajve të kaluar. I ngjashëm është "Red Lights", ku u prangosën dy tutorë dhe tri vajza, të cilat shfrytëzoheshin si punëtore seksi prej tyre. Besim Lami dhe Gentian Buzi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni për një periudhe 4-mujore në hotele të ndryshme në kryeqytet, 3 vajzat me iniciale G.M., 24 vjeçe, lindur në Korçë e banuese në Tiranë, O.C., 22 vjeçe, lindur në Skrapar e banuese në Tiranë, dhe F.Ll., 23 vjeçe, lindur dhe banuese në Krujë. Këto vajza u arrestuan në një hotel luksoz në Tiranë, duke ushtruar prostitucion me klientë të ndryshëm kundrejt shumës që varionte nga 200 deri në 400 euro. Janë këto fakte që duket se ka përligjur thashethemet e ekzistencës së rrjetit të "seksit elitar" ku ndërmjetësit janë shpesh taksistët e zonave VIP të Tiranës. Më të vjetrit në këtë zanat, dinë të të çojnë në vendin e duhur dhe tek vajza e duhur sapo të krijojnë bindjen që je vërtet dikush që po kërkon vetëm seks dhe ke mundësi të paguash mirë. Të huajt janë klientët më të preferuar. Sipas oficerëve të Seksionit Kundër Trafiqeve pranë Policisë së Kryeqytetit janë edhe disa gazeta njoftimesh që janë kthyer tashmë në një lloj mundësie "gjuetie".


Lokalet me muzikë "tallava", edhe strehë prostitucioni

Enden në të gjithë hapësirën mbytëse të lokalit, kinse për të pastruar tavllat e cigares. Ca të tjera tunden në skenën e improvizuar. Kanë pak tesha në trup dhe nuk kanë aspak droje të afrohen menjëherë me klientët që thonë se kanë ardhur aty "për të shijuar muzikën". Në lokalin pranë Zogut të Zi në Tiranë numërojmë 7 femra që vijnë rrotull. Muzika, alkooli dhe mugëtira e lokalit i ofrojnë "valltareve" atë që u duhet. Kohët e fundit, të ashtuquajturat "lokale me muzikë tallava" janë shndërruar në koperturën më perfekte të vajzave e grave që ofrojnë seks me para. Në ndryshim nga shtëpitë publike mungojnë vetëm kthinat "e përshtatshme".


Suzana, nëna që ju shuan katër fëmijët e gjorë pak javë më parë në Sukth, punonte në një lokal të ngjashëm tek zona e ish-frigoriferit në kryeqytet. Dhjetëra gra në zgrip të pamundësive për mbijetesë detyrohen të bëjnë të njëjtën gjë. Lokali me një emër maceje që vëzhguam për këtë reportazh, është vetëm një nga lokalet e këtij lloji.
Ofrojnë "muzikë live" apo "tallava", dhe janë vendosur në periferitë e kryeqytetit si zona e ish-Kinostudios, pranë spitaleve, "Stacionit të Trenit", "Lapraka", "Zogu i Zi", disa syresh në zonën e "21 dhjetorit" dhe ndonjë tek-tuk afër qendrës. Në gjithsecilin prej tyre po të hysh e vëren menjëherë që nëse nuk ke ardhur "për atë punë", je i tepërt.
Paguhet deri në 50 mijë lekë të vjetra dhe më shumë për një akt seksual. Për gratë e ofruara shfaqja si "valltare" është mënyra më e mire. Kopertura "muzikore" ka evituar edhe kontrollet e policisë. Ato janë "punonjëse lokali" në rast se dikush pyet pak si shumë.
E në fakt sapo këmba të shkel një ambient të tillë ato të servirin pijet. Nuk janë gra të bukura, por edhe klientët e tyre janë ca më zi. Kryesisht burra mbi të 50-tat, punëtorë krahu ose të moshuar të veshur keq. Tutorë nuk ka. Policia shkon shpesh në këto ambiente, por shumica e aksioneve rezultojnë të dështuara.

2010/12/25

QEVERIA QË S’ QEVERIS MË

Qeveria që s’qeveris më është kjo qeveri qe pretendon të jetë prapë në pushtetin e ardhshëm të Kosovës. Pra, qeveria e kaluar (e), do të jetë serish qeveri e ardhshme, duke anashkaluar faktet dhe arsyet e rënies nga pushteti, dhe kjo rënie ishte dhe mbete për tu gjykuar si shkaku i paaftësisë së saj politike për të qeverisur vendin me mandat të plotë

Nga Bekim Rexhepi


Qytetari aktivë


Qytetaret e Kosovës e kanë për obligim të reagojnë në mënyrë aktive për sa i përket çështjes vitale të të ardhmes se tyre. Zgjedhjet e fundit akoma të pa përmbyllura si duhet, për shkak të shumë problemeve teknike, për shkak të vjedhjes së votës, për shkak të manipulimit, për shkak të kontestimeve të shumta dhe të tjera si këto, duhet ta bëjnë qytetarin të dali në aksion, të kufizoj çfarëdo pushteti mbi ta që pretendon se ka legjitimitet politik, e të bëjë çfarë të dojë mbi shoqërinë apo individin. Qytetari mbetet aktivë nëse nuk heshtë kur autoriteti i ligjit cenohet nga pushteti personal i një individi apo të një kaste. Derisa qytetari është aktivë ai mbetet edhe i lirë. E kundërta, pasiviteti i çdo qytetari karshi autoritetit të ligjit, sikur i thotë në jehon pushtetit personal apo kastës të ndërhy në lirinë e tyre. Jo vetëm ne kësi rasti, qytetari duhet të tregoi vetveten mbi të drejtën e tij, sepse në shumë raste të qeverisjes së vendit ata madje anashkalohen nga vendimmarrja e tyre demokratike. Nuk është aq demokratike një vendim i një qeverie, e cila edhe pse del nga zgjedhje të lira e demokratike, prapë merr vendime pa qytetarin. Marrja e vendimeve pa qytetarin në vetvete përbën një shkelje demokratike, sepse legjitimon një pushtet pa kufizime mbi shoqërinë dhe individin. Demokracia nuk mund të mësohet, nëse për të nuk kemi dhe nuk ushtrojmë kujdes të veçantë dhe të vazhdueshëm. Kujdesi për demokracinë është obligim, por është edhe një konditë themelore e lirisë. Shqiptaret në vitet e fundit po bëjnë përpjekjet e tyre për demokracinë, po e provojnë, po ecet më të, po e mësojnë atë, dhe e gjithë kjo është një proces, një zhvillim i domosdoshëm i tyre. Duhet pranuar se shqiptaret e kishin të vështirë këtë kalim në demokraci sepse e kaluara e tyre ishte e rëndë dhe e ndryshme. Okupimi i trojeve të tyre, vuajtja nën regjime dhe diktatura kanë ndikuar mjaftë që proceset dhe zhvillimet të jenë të ngadalta dhe jo të pritshme.

Qeveria që s’qeveris më


Qeveria që s’qeveris më është kjo qeveri qe pretendon të jetë prapë në pushtetin e ardhshëm të Kosovës. Pra, qeveria e kaluar (e), do të jetë serish qeveri e ardhshme, duke anashkaluar faktet dhe arsyet e rënies nga pushteti, dhe kjo rënie ishte dhe mbete për tu gjykuar si shkaku i paaftësisë së saj politike për të qeverisur vendin me mandat të plotë. Nuk e mbylli si duhet mandatin, e përmbylli para kohe këtë mandat, u përfol dhe u vërtetua se nuk ishte e aftë të qeverisë. Madje sa për të sqaruar kjo qeveri mandatin e saj e përmbylli duke e votuar vetveten në largimin të qeverisës se vendit sepse ishte bërë e pamundur të qeverisej pa numra legjitim deputetësh. Procesi zgjedhor akoma nuk ka mbaruar për shkak të parregullsive dhe manipulimit të tyre, duket se në disa komuna ku janë evidentuar shkelje të rënda dhe vjedhje votash, komisioni zgjedhor ka vendosur ti përsërisë ato. Në disa komuna, disa parti pajtohen me ripërsëritjen e tyre, disa të tjera e kontestojnë gjithë procesin si të deformuar dhe kërkojnë të përsëriten serish zgjedhjet. Derisa po evitohen parregullsitë në qendrat e votimit në gjithë vendin, partia pretenduese se i ka fituar këto zgjedhje e që është partia bartëse e qeverisë së kaluar, është dhe mbetet përgjegjësja kryesore e manipulimit të zgjedhjeve të jashtëzakonta. E sigurt është se sido qe të kenë qenë këto zgjedhje nuk kanë prodhuar fitues të plotë qe do të mund të formonte qeverinë si e vetme. Pa koalicion është e pamundur krijimi i qeverisë, vështirësitë janë të pranishme sepse manipulimi i tyre ka pamundësuar besimin politik dhe udhëheqjen e përbashkët. Ky mos besim u krijua me qeverisjen e kaluar, e cila e mbaroi mandatin para kohe dhe rënia e saj i dha grusht të rënd bashkëpunimit ndërpartiak, i cili u bë i pamundur edhe në këto zgjedhje. E vërtetë është se zgjedhjet janë manipuluar nga strukturat e brendshme të qeverisë se kaluar, ajo është përgjegjëse dhe kjo i pamundëson çfarëdo qeverisje të mëtutjeshme sepse të manipulosh dhe të qeverisësh është jo demokratike, jo qytetëruese dhe jo e pranueshme brenda çfarëdo standardi. Kjo fitore e manipuluar e partisë dhe bartësja e qeverisë se kaluar nuk mban aspak moral qeverisës për të ardhmen, sepse u provua se kishte shkelje serioze në zgjedhje e fundit. Si mund të qeverisësh?- kur ke shkelur rregullat e zgjedhjeve të lira. Si mund të mbaj moral një qeveri qe ka prekur zgjedhjet? – kur këto zgjedhje se paku nga kjo qeveri do të duhej të garantoheshin. Pra, kjo qeveri e kaluar s’qeveris më, me të ardhmen.

Akuza në agjendë akuzash


Aq më shumë e bënë të pamundur dhe me pak moral të qeveris me Kosovën Hashim Thaçi, pas akuzave të Dicke Marty-t. Agjenda e zgjedhjeve në Kosovë sikur pësoi një cunam me akuza të rënda dhe demonizuese, për Kosovën, për UÇK-në dhe për vet Hashim Thaçin. Ky demonizim i Kosovës duhet të kapërcehet me kujdes, për të mos krijuar fytyrën e vrazhdët të përfytyrimit monstruoz të një deputeti evropian nga Zvicra. Akuza dhe kundër akuza nuk japin dy fitues të vërtetë. Ndaj për të pasur fituesin në anën tonë, ne duhet ti ofrojmë bashkëpunim ne atë qe nuk demonizon realisht fytyrën tonë. Në fakt preku Kosovën, UÇK-në dhe Hashim Thaçin, janë të rënda akuzat e Dicke Marty-t. Por, dalja nga këto akuza zhytëse nuk janë kundër akuzat, vetëm një ofertë e sinqertë e palës shqiptare për të hetuar deri në maksimum dhe me transparencë maksimale do ta heq maskën e ndyrë të akuzave ndaj nesh. Çdo provë tjetër është e gabuar sepse kjo luftë nuk bëhet me Serbin dhe me ndonjë deputet serb. Këtu kemi një eurodeputet nga një vend qe ka mbështetur legjitimitetin e pavarësisë dhe ka njohur shtetësinë e vendit. Pra, tentativa për ta gjykuar një deputet evropian si një deputet serb është një gabim i pafalshëm sepse pavarësisht të drejtës për të hetuar diç të dyshuar dhe pavarësisht krimit të mundshëm të një grupi nuk mund të pësoi vendi. Sepse më mirë është të provohet se sa të pësohet, nëse jemi të pastër ne atë që prolongohet pse të mos hetohet?! Le të hetohet, por, megjithëkëtë ne posaçërisht duhet të jemi të kujdesshëm dhe të sigurt në të gjitha rezultatet hulumtuese, sepse mund të jetë një komplot i organizuar ndaj dhe shumë çështjeve tona.
...
Hashim Thaçi, duhet ti hap rrugë këtyre akuzave dhe jo të mbaj në agjendë demonizimin e vendit me akuza të tilla. Procesi zgjedhor dhe evidentimit i problemeve zgjedhore të finalizohet, ti epet shansi më normal qytetarit qe serish të votoi në ato komuna ku u evidentuan probleme dhe deformim zgjedhor. Fituesi të krijoj qeverinë me ose pa koalicione një qeverisje të re dhe me të, të filloj jeta politike e vendit…Thaçi me të gjitha premisat nuk mund të qeverisë më me Kosovën…

24-12-2010

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...