Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/01/31

KËRSHËRIA NË PAJTIM ME MUNDËSINË

PANTEONI I RRALLUAR

AKADEMIK RPOF.DR. REXHEP QOSJA




Në letërsinë tonë akoma nuk kemi pasur ndonjë shkrimtar që ka sjellë farë befasie të posaçme me seriozitetin e nisjeve krijuese dhe dukuri të tilla, sigurisht, nuk mund të priten edhe për një kohë, pak a shumë, të gjatë. Për shkak të kushteve në të cilat janë rritur, shkrimtarët tanë piqen ngadalë, prandaj edhe shkrimet e tyre të para, shpesh, nëse jo gjithmonë, janë trajtuar si përpjekje krijuese. As Adem Zejnullahu nuk bën përjashtim prej kësaj dukurie të përgjithshme, megjithëse vjershat e përmbledhjes së tij të parë, Kur zgjohen ernat, janë diçka më tepër se sa përpjekje. Hapi i parë i këtij poeti të ri është, pak a shumë, serioz dhe këtë më së miri e dëshmon kujdesi i tij ndaj punës që ka bërë, disiplina që ka treguar gjatë gëdhendjes së vjershave. Ai ka pritur ta botojë përmbledhjen e parë në moshën kur, këtu ndër ne, mund të jeshë krijues serioz, por edhe kritik i krijimtarisë së vet. Ato gabimet që mund të vërehen tek fillestarët tanë në librin e tij janë të rralla dhe, në qoftë se ekzistojnë, atëherë janë shumë më të vogla se tek disa moshatarë të tij.

Përkushtimin krijues të Adem Zejnullahut e dëshmon edhe interesimi i tij pjesërisht i gjerë që ka treguar për motive dhe probleme të ndryshme jetësore. Ai nuk është ndalur vetëm në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve thjesht intime, subjektive, por e ka çelur zemrën edhe ndaj problemeve të ndryshme jetësore që janë shfaqur dhe shfaqen në realitetin tonë. Edhe pse nuk e ka shumë të gjerë rrethin e motiveve të frymëzimit, kryesore është se Adem Zejnullahu e sheh edhe botën e jashtme e jo vetëm botën e zemrës së vet. Për këtë shkak lirika e tij realizohet kur në planin subjektiv, e kur në planin objektiv dhe i shpreh të dy format e disponimit: harenë e gëzimin rinor, por edhe dhembjen e lehtë që në këtë mes është njëfarë peshe intelektuale e vargjeve të tij. Për poezinë e Adem Zejnullahut mund të thuhet ashtu siç thotë ai pak naivisht për zemrën njerëzore në vjershën e disponimit romantik me titull Zemra:

Herë buzëqesh si lulja e majit
Herë rënkon në jone të vajit.
Ngazëllimin rinor dhe optimizmin jetësor ai e ka motivuar nëpër pjesën më të madhe të vjershave të kësaj përmbledhje me ndryshimet e shquara pozitive që janë bërë në jetën e popullit të tij. Duke qenë vargje të një rilindje jetësore është e kuptueshme pse nëpër këtë pjesë vjershash më së shpeshti përsëriten fjalët rreze, lule, diell, rini, e të tjera. Me drita të çelura e ka këngëtuar Adem Zejnullahu edhe vendlindjen e vet, e cila në kujtesë i lajmërohet si një kopsht i bukur prej të cilit ka marrë me vete mbresa të paharruara përnga pesha e tyre. Një ngjyrë tjetër të disponimit kanë poezitë në të cilat ai zhvillon njëfarë dialogu intim me të kaluarën. Në raste të këtilla ai kthehet më i mrrolur, më serioz dhe vargjet e tij e shprehin përvojën e një poeti i cili të duket se e ka shijuar jetën në shumë aspekte të saj. Kur e ven historinë para gjyqit të vet poetik, ai, si edhe shumica e poetëve tanë të tjerë, mund të thotë me ndjenjën e dhembjes se:

Kjo tokë kishte erë lule gjaku
Dhe rrugë të thella humnere;
(Kjo tokë)

Më i kthjellët nuk kthehet Adem Zejnullahu as në rastet kur provon të shpupurishën nëpër ndjenjat intime. Kurdo gjendet i vetmuar ai e ndjen veten të pikëlluar, por kurrë jo aq sa ta quajë veten të dëshpëruar. Një disiplinë të këtillë të ndjenjës e ka treguar ai në vjershën Zogu i vetmuem, në të cilën shihet se edhe vetmia e drejton orientimin e tij nga bota e jashtme dhe kujtimet:

Duert i shtrij diku kah lindjet
Me i zanë n´kalim
Kalor´sit që i shkelin grindjet.
Përkundër krijuesve filllestarë që fillojnë të vjershërojnë me shprehje të fryra dhe ndjenja të çjerra, Adem Zejnullahu është prej sojit të poetëve që në pjesën më të madhe të rasteve janë në gjendje t´i frenojnë ndjenjat rinore dhe mos të dalin kurrë në skaje. Atë gabimin, të cilin esteti anglez Raskin e ka quajtur gabim që e shkakton ndjenja, në vjershat e tij fare rrallë mund ta diktojmë. Adem Zejnullahut asnjëherë nuk i ka ndodhur, ashtu siç u ndodh fillestarëve, zakonisht, që prej shprehjes së madhështrishme të zbresë tek shprehja naive. Edhe pse në vjershën Kangëve të pakëndueme thotë:

Vërshoni o ndjenja si vërshon në vjeshtë lumi,
Nëpër fushat e krahnorit tim t´brengosun,
Se dje o pardje kur thneglat u zgjuen nga gjumi
Keni lind si prej livadhit të sosunl
prapë ndjenjat e tij nuk vërshojnë përtej brigjeve të një shprehje të matur dhe të motivuar. Vetëm në tingëllimat që ja ka kushtuar shëmbëlltyrës së Skënderbeut, Adem Zejnullahu i ka lejuar vetes një grimë luks që shprehjen spontane dhe emocionalisht të arësyetuar ta zëvendësojë me shprehje pak a shumë retorike dhe ndjenjë të papërmbajtur. Kur një poet nuk është në gjendje të krijojë ndjenjën dhe përfytyrimin brenda vargjesh, atëherë ai flet për to dhe doemos bëhet deklamativ në shprehje dhe patetik në emocione. Kryesisht konciz dhe kursimtar në shprehje, Adem Zejnullahu i krijon e sugjeron ndjenjën dhe përfytyrimin me anën e strukturës metaforike të vargjeve të veta. Edhe pse jo në të gjitha rastet, ai ka gjetur, shpesh, masën e duhur në pikëpamje të shprehjes sugjestive, të fshehtë, por ka ditur të evitojë edhe atë thatësinë figurative të krijuesve fillestarë. Skajet në të cilat gjendet jo rrallë një numër i moshatarëve të tij: ose hermetizmi i plotë — për shkak se nuk kanë mendime të forta as ndjenja të qarta, ose shprehja retorike dhe patetike — për shkak se nuk mund ta ngrisin përjetimin gjer në shkallën e një vizioni të caktuar, në vjershat e tij, për fat, nuk mund të pikasen. Adem Zejnullahu nuk vuan, ose vuan rrallë prej „tepricës" së fjalëve, prandaj vargu i tij është njëmend varg poetik. Shembëllë e një shprehjeje të tillë të dendur dhe kuptimplote, ndonëse poetikisht modeste, është vjersha e vogël Ekstazë dashunie:

Në krahnor flaka jote zjarr,
Në sy portreti yt vegim,
Në vesh fjala jote kumbonë,
Në rrugë hija jote më ndal!
Në përmbledhjen e tij të parë nuk mund të vërehen ato rëndjet e njohura pas metaforave dhe simboleve, po as ngecja në nivelin e shprehjes tradicionale të vargut në poezinë tonë. Adem Zejnullahu nuk ngurron që ta krijojë vargun me metafora dhe figura të njohura poetike, të cilat në poezinë e tij tingëilojnë si të reja. Në vargjet e tij dalin të lezeçme „jonet e vajit", „kupa me vner", ashtu siç janë të lezeçme në tërësi formulimet e këtilla: „Po shkoj me valixhen e kujtimeve ndër duer", „zogjt fluturojnë deri në qerpikun tand", e të tjera.

Megjithë këto kualitete të poezisë dhe këto virtyte të poetit Adem Zejnullahut, në vjershat e tij mund të vërehen edhe të meta që provojnë se ai akoma është duke kërkuar shprehjen e vet karakteristike. Ashtu siç është i ngushtë rrethi i ideve dhe mendimeve të tij, po ashtu, akoma është e varfër edhe fuqia asociative e vargjeve të përmbledhjes Kur zgjohen ernat. Të bëjnë përshtypje të kërkimeve të një krijuesi akoma të papërvojë disa shprehje përgjithësuese, sikundër është rasti kur i drejtohet Migjenit me fjalët „Për lule të njerëzimit në shkamb u shndërrove", apo edhe të ndikimeve akoma të papërvetësuara mirë, sikundër është rasti kur thotë: „Me sytë e padjallëzuem të mendjes e kokës", „Se do t´çmendem n´këtë natë, unë zog n´vetmime", „Por si me qetësue gjakun që n´tretje po m´ven", e të tjera të ngjashme. Përpos sinkopimit të fjalëve — si manier që ka zënë të përtëritet me të madhe në poezinë tonë kohëve të fundit — në vargjet e Adem Zejnullahut mund të pikasen edhe ca shenja të tjera të epidemisë që i ka kapur shumicën e poetëve tonë më të rinj. Ato fantazmat e quajtura Orfeu, Bukuria, Koha, Khajami duket se ju kanë shtihuar edhe vargut të tij. Këtu do të hynte edhe baratimi me fjalët, për poezinë plotësisht abstrakte, siç janë historia, njerëzimi, e të tjera. Madhështisë së Skënderbeut ai ja ka paguar borxhin artistik edhe me një rekuizit të njohur prej poezisë sonë neoklasiçite: me Febin e famshëm, „pseudonim" i zotit Apolon.

Megjithëse vargjet e rimuara shquhen me një muzikalitet të lezeçëm, kurse vargjet e lira me ngjyra të gjalla, në përmbledhjen e Adem Zejnullahut mund të gjenden vjersha që në pikëpamje të ritmit qëndrojnë në skajin më prozaik të prozës pa ritëm të kujdesshëm:

Sytë e tyne — dikur shndërrue
Në gurra lotësh t´kristaltë
Për diellin e andrruem
— Që ua ktheu shpinën e zjarrtë
Dhe tani ma s´e shohin
As lulen ma të bukur
Të kopshtit t´palulëzuem
Që biu në sythin e dhimbjeve
Me ngjyrën e gjakut
(Balada e zogjve)

Pavarësisht prej zbaticave që mund të vërehen në përmbledhjen e tij të parë, Adem Zejnullahu ka edhe vjersha që e dëshmojnë prirjen e tij. Poezitë e tij më të bukura janë Po shkoj, Zemra dhe sidomos cikli me titullin Intima (që shqip do të duhej të quhej Vjersha intime, meqë Intima është sllavizëm), prej të cilit mund të shihet se kësaj radhe suksesin më të madh e ka pasur në fushën e lirikës thjesht intime. është e qartë se Adem Zejnullahu e ka filluar veprimtarinë e tij krijuese poetike me ndjenja dhe mendime të qarta, që me kohë do të bëhen akoma më të forta dhe me shprehje të përkujdesur, që me kohë do të bëhet artistikisht edhe më funksionale. Kësaj radhe, kërshëria e tij krijuese ishte në pajtim me mudësinë e shprehjes.

1969

Çerkin Ismaili, “Gjirmë shpirti”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “URA”, Prishtinë, 2010.

POETIKË E MEDITIMIT REFLEKSIV



Nga Prof. Dr. Adem Zejnullahu


Pas botimit të dy romaneve mjaft të suksesshme , kur u përftua bindja se Çerkin Ismaili përfundimisht iu ka përkushtuar prozës, para lexuesve doli me librin me poezi “ Gjirmë shpirti”, në të cilin kryesisht ngërthehen poezi me ndiesi refleksive në të cilat përsiat mbi fatet dhe fatkeqësitë e njeriut dhe kolektivitetit në përditshmërinë e një aktualiteti sa të zymtë po aq edhe të brishtë shoqëror, që shfaqen si realitet i një morbiditeti traumatik, sa me nyansa historike e sa me ngjyrime supersticioze.
Kur hyhet në botën meditative të poetit , në vështrimin e parë, duket sikur mesazhi filozofik paksa errëson mesazhin dhe imazhin poetik të poezisë, ngase aty nyjëtohet e sintetizohet totaliteti i realitetit tonë jetësor, nyjëtohet një lloj absurdi jetësor sui generis , në kaosin e të cilit gjëllin njeriu ynë i inisiativave dhe përpjekjeve të vogla dhe dhembjeve e traumave të mëdha, i dënuar që jashtë lëkurës, botës dhe unit të vet ta “...zezojë jetën,..’ tërësisht i tjetërsuar dhe i dalur nga qenia morale prej njeriu.Në këtë katrahurë jetësore njeriu jo vetëm e harron botën e vet ndjenjore , të cilën e përjeton si një lloj sakatosje shpirtërore,si një lloj dënimi fiktiv ,mbase edhe fizik, por stepet para dilemës ogurzezë kur nuk e njeh identitetin e vet: “Në këtë kaos, ec e njihe veten!”, këlthitin heronjtë lirikë të poezisë së Ismailit, këlthit individi, këlthit edhe kolektiviteti i molepsur, i thyer dhe i mundur në arenën e luftës me jetën, kur , papandehur i shfaqet silueta e vet heterogjene me: “...Trurin e shpërlarë!” , me “Gropë në tru”, që dergjet në gjumin e fatalitetit sa historik aq edhe supersticioz.Sjelljet e pakontrolluara dhe fare kuturu të kësaj qenieje në poezinë e Çerkin Ismailit shfaqen në trajta fantazmagorike , robotësh , kluonësh, si “... fëmijë të epruvetës moderne !” që nuk i ngjasojnë njeriut të njëmendësisë së mirëfilltë natyrore.
Ky prototip i njeriut të poezisë së Ismailit është qenie që dita- ditës denatyralizohet e desocializohet e dehumanizohet ; është një lloj inkarnimi i njeriut të metamorfizuar, që “/...fle me një sy gjumë/ me ëndrra të gurta../”, është një soj i lig i Kainit i prirur për violencë që nuk ngopet me torturën mbi Abelin, është një surrogat njeriu i cili mëton që në mënyrë ataviste të kthehet në burim, të metamorfizohet në majmun, atëherë kur: “/Majmunit s’ia do zemra të bëhet njeri! “ Kjo çoroditje spirutuele e njeriut, kjo sakatosje ndjenjore dhe morale , ky tjetërsim i tmerrshëm dhe fare latent, në poezinë e Ismailit vjen i copëzuar, i fragmentarizuar, vjen në trajta dromcash e storiesh filmike që kuptimësohen në tërësinë e strukturuar përmbajtësore të gjirmës shpirtërore poetike .
Këto copëza jetësore shfaqen përnjëherë, papritur si një lloj “Deus ex machina”, që godasin botën morale dhe botën fizike të njeriut,i cili fare pavetëdije, ngadalë, por sigurt, gradualisht del jashtë “Homo sapiens-it” të vet dhe normës më sublime të koshiencës njerëzore . Kjo qenie njerëzore që:

Në tru i kanë hapur gropë
E zverkun ia shpojnë me turjelë...
jeton e vdes

Me ëndrra të zbërdhylta pa i njohur
Dhembjet as dashuritë e kësaj toke...

Është kjo një botë e zbrazur shpirtërore e njeriut , që jo vetëm ka prirje t’u shfaqë dhembje të tjerëve në llakërdinë e ”Homo hominum-it” modern, por mbetet aktor i nonsensit çmendurak në dramën e trishtë të shthurjes dhe nëpërkëmbjes morale:

Shitem në ankand si plaçkë e vjetër
Herë mirë e herë lirë-
Varësisht nga klientët mbretër.

Pse , more rrejnë
Kohë e skllavërisë ka mbaruar?

Këta bij të ”Gjenit të trishtë../Me zemra të mërdhira ...” të lindur nga dashuria biblike , apo ”Dashuri mëkatare .../”si e quan poeti, në poezinë e Ismailit, varësisht nga momentet e krijuara të disponimit poetik , paraqiten qenie të pa trajta njerëzore , si hije që shfaqen të dehumanizuara në zigzaget e banalitetit jo vetëm poetik që: ”Zar linçimi hedhin në kërthizë!”.
Nga ky kaos, nga kjo llakërdi, nga kjo çoroditje enorme e portretit moral dhe fizik të njeriut,që fut tmerr, poeti sikur kërkon shpëtim, sikur kërkon shtigje daljeje nga këto” ”...udhë pa udhë gjarpëri ”, duke u orvatur të dalë jashtë valës së kraterit vullkanik, ku zien lava e ”... lëngatat bëjnë kërdi”, gjithnjë , në kohën kur ”Antartiku poshkrihet,”
Poeti vëren se diçka misterioze e jashtënatyrshme , çnjerëzore po ngjet si në botën e njeriut ashtu edhe në universin në të cilin gjëllin njeriu.Poeti përpiqet t’iu shmanget notave moralizuese të poezisë që gjakon mëshirën si një lloj katarsisi altruist për ta shpëtuar nga situatat të cilat i kurdis vetë njeriu viktimë,i ngatërruar në kurthet që vetë i ka kurdisur me apo pa vetëdie. Gradualisht poezia e Ismailit i kundërvihet kësaj gjendje, duke i dhënë vjershës konatacione të një rebelizmi lirik, duke shpërthyer fuqishëm lëvozhgën e molepsjes altruiste të dorëzimit para të keqes, dhunës e hipokrizisë . Vështruar në këtë plan, poezia e Ismailit është poezi filantropiste , e cila i kalon caqet e një revolte të brendshme me gatishmërinë për t’u përleshur me dukuritë devijante të shoqërisë, gjithnjë duke mëtuar që poezinë ta nyansojë si poezi të sakrificës dhe rebelizmit poetik.
”Gjirma ”, prushi i vatrës së egos së poetit i mbuluar me hi, që simbolikisht digjet në heshtje, ”stralli e eshka” që presin me durim, por kur e do momenti dinë të nxjerrin shkëndija , dinë të digjen si ”urnë kryengritëse,” në krematorin e absurdit postmodern, në poezinë e Çerkin Ismailit duket sikur vijnë si revoltë e brendshme, që zihet brenda unit të poetit dhe përtej tij nuk dalin, por ndodh e kundërta kur shfaqen si protestë që zgjerohet në kryengritje të ashpër fjalësh:

Urna ime kryengritëse
Zgjohet strall e eshkë
Gjirmë me erë shkrumbi!

Sepse poeti nuk mund ta durojë të cënuar ” ...nderin qytetar!”. Nuk mund ta shohë sakatosjen morale e shpirtërore të njeriut. Kërkon ndihmë shpëtimi duke u kthyer në mitologji.Ia ka lakmi Prometheut dhe sakrificës së tij filantropiste për t’i dalur në ndihmë njerëzimit. Ia ka ëndja edhe atij si Prometheut ta mbajë të ndezur zjarrin promethoik e :”Me gaca të ndezura ta ngroh Atdheun /”.
Në momente të dëshprimit poetik kur duket se gjithçka mërdhin, se asgjë nuk lëvizë, se e tëra e jetës është stisur në amorfitet gati nihilist, shfaqet Prometheu duke pozuar njeriun e përvuajtur shpirtërisht dhe fizikisht me shkëmbin mbërthyer në shpinë, që sodit Atdheun dhe ngushllon eshtrat në varre :

Sonte vjen Prometheu, vjen Prometheu
Sonte do ngrohemi e do ndezim zjarre;
Cep më cep sonte do sodis Atdheun-
Dhe do t’i ngushlloj sonte eshtrat në varre...!

Të gjitha këto zigzage të jetës, poeti jo vetëm i ndien shpirtërisht, por i përjeton intimisht, i merr me zemërdhe i matë me zemër, humb durimin me të cilin ia ka ëndja të përleshet, ”Kur ndërgjegjja gjuan me gurë!”, kur i kurdisen kurthe pas kurthesh, kur i nxirren dredhë pas dredhësh në shpinë, i lodhur, i rraskapitur nga ndeshtrashat e jetës, duke hapëruar nëpër ”Kohën zezonë”, fatet apo pafatësitë i buzëqeshin ironikisht, tallen me të kur:

Për skllavërinë e të gjallëve
Nëntë dredhë-
Në shpinë m’i kanë nxjerrë!

Për kokëfortësinë e të vdekurve
Nëntëdhjetë e nëntë dredhë
I kam paguar me fajde!

Është kjo ”/... koha e pa kohë... e krizës globale /” një realitet i zbërdhyltë, me të cilin njeriu ynë, ky ”...moralist i gjorë” deshi apo nuk deshi duhet të mësohet me ”Krimbin në kokë”, e ”Korbin e Po-es”, që pa mëshirë i brejnë rrashtën e i pinë bebëzat e syve, duke bartur mbi supe peshën e mëkatit njerëzor të ngjizur që në barkun e nënë Evës me:

Mollën e ngrirë të Adamit
Guri në fyt-
Dhe mëkatin e Kainit
Heshtë në zemër!.

Cikli i dytë ”Kthimi” i kësaj përmbledhje me poezi është i motivuar nga katrahura e luftës së fundit, të cilën poeti e përjetoi shpirtërisht dhe fizikisht. Vjershat e këtij cikli kryesisht trajtojnë temën e eksodit të dhimbshëm dhe kthimit të njeriut në vendlindje. Është një dozë optimizmi, një delikatesë e ndjenjës ndjellamirë, një entuziazëm i poetit, një shkëndi shprese pas skenave të tmerrshme të psikologjiosë së luftës kur sheh se ”Po ikin barbarët,” kur sheh njeriun e përvuajtur dhe të kërrusur ”Me flamur të leckosur” përgjatë bregut të Drinit duke u kthyer në Atdhe :

Me jehonën e Dragobisë
Me ushtimën e Lurës
Në oazën e djegur...

Është ky njeriui i përçudshëm i poezisë së Çerkin Ismailit, që me ”Këngën e mordes”, në gojë dhe me plagët e freskëta që i kullojnë gjak:



Nëpër mina hedh valle
E dafina mbëlton në prush...

me dashurinë jetike për tokën e Atdheun.
Po ky njeri i ambicieve të mëdha fle e zgjohet, jeton e vuan me dhembjen e madhe të ”Baladës së zhvarrimit”,që i rri barrë në qafë e guri në zemër kur shfaqen thasët prej najlloni që kthehen me eshtra nga dheu i huaj. Poeti ka dhënë tabllo të rënda psikologjike nga atdhesimi i eshtrave:

Shitur
Stërshitur
Djersitur arritën në Atdhe
Kafkëshpuar
Brithyer
Synxjerrë
Me shifra e pa shifra
Me ADN e pa ADN
Me erë dheu të huaj
Me pritje Doruntine e Gjok Konstandini
Në ndëgjegje harrimi!

Në pikëpamje artistike, ky libër i strukturuar në katër cikle , mbase edhe tërë poezia e këtij autori, është e brumosur dhe e ngjeshur mirë me një figuracion të begatshëm artistik.
Metaforat, simbolet, krahasimet, epitetet, shumëllojshmëria e vargjeve , strofave, rimave,
ritmit, alitracionet e shpeshta, antitezat, gradacionet e tj. si forma intertekstuale dhe nëntekstuale të ligjërimit poetik janë elemente figuracioni që skalitin poezinë e Çerkin Ismailit.
Për ta bërë mendimin më të përafërtë me lexuesin, ndryshe nga tendencat e krijimit të poezisë enigmatike që po shfaqen në poezinë tonë të sotme,Çerkin Ismaili është kujdesur që gati çdo poezi,me një varg apo me një strofë, ta dekompozojë mendimin , ta sublimojë meditimin poetik në rrafshin optik dhe sensual, në mënyrë që rrëfimi të jetë sa më i kapshëm, sa më i logjikshëm , sa më praktik dhe sa më modern. Vështruar në këtë plan, më duket fare i drejtë mendimi i poetit Din Mehmeti për poezinë e Çerkin Ismailit në librin me poezi ”Tela Të këputur”(1977) se ”Ky libër me poezi i poetit Çerkin Ismaili kap kulmet e poezisë së sotme moderne që shkruhet te ne dhe në botë.”

Google

Google

2011/01/30

KOSOVA, NJË MËSIM LIRIE





Libri i të vegjëlve kurë nuk u shkrua ashtu si duhet, por ai vazhdon të transmetohet i shpëndarë nëpër kohë. Demokracia s´është vetëm dizajn, por punë e vazhdueshme, vazhdimësi dhe krijim, më thotë Sami Makolli, një teknolog i zoti, një patriot i madh, dhe një bisnesmen i suksesshëm. Sami Makolli u lind në Prishtinë më 1971, nga një familje e formuar patriotësh. Samiu i takon brezit të revoltës gjithëpopullore në Kosovë. I edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë, ai kurrë s´pushoi së punuari për liri dhe pavarësi të vendit të tij. Angazhimi i Samiut për t´i këputur prangat e serbit ishte pjesë e jetës së tij. Samiu edhe para, edhe gjatë luftës ishte i kyqur në Lëvizjen ilegale për çlirimin e Kosovës. Liria s´ka të fshehur thotë Samiu, pa liri dhe sovranitet të Kosovës çdo gjë do ishte e mangët dhe e zbrazët. Në periudhën e Luftës 1996-1999 unë dhe familja ime; babi, Brahimi, nëna Ajetja, dhe katër vëllëzërit e mi, Dritoni, Fatoni, Meritoni, dhe Agoni ishim pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në Luftën për lirinë e Kosovës. Thirrjes së Kosovës për t´i dalë zot vendit tonë, ne iu përgjigjëm duke u veshur me rrobat e UÇK-së, dhe duke i shtrënguar fort armët. Në gjitha betejat e mia në jetë tregon Samiu, unë i falenderohem babit, mençurisë së tij, dhe sakrificës së tij. Aktivitetet tona në Lëvizjen Ilegale të Kosovës, ishin të pareshtura. Luftë pa beteja nuk ka. Prandaj, unë dhe

familja ime ishim pjesë e UÇK-së, pjesë e forcave përparimtare të kohës. Sa herë e vërteta dhunohet për të bëhet luftë dhe luftohet. Nga ky aspekt unë e lexoja të ardhmen e Kosovës. Lufta ishte e domosdoshme tregon Samiu, sepse pa liri, ne vetëm mund të ëndrronim të ardhmen tonë. Masakrat dhe gjenocidin serb e kemi përjetuar tepër rëndë, por, populli thotë, dasëm pa mish nuk ka. Andaj ne e dinim se të luftosh për liri, në rrugën e saj njeriu edhe vritet. Liria është e shtrenjtë, ajo kushton, me vuajtje, plagë, burg dhe rënie. Këto ishin kushtet që na i afronte realiteti ynë. Pra të vehesh në mbrojtje të atdheut në çastet e duhura, unë kujtoj se është një akt sa i guximshëm aq edhe i domosdoshëm, dhe sublim. Përmbajtja e UÇK- së ishte çlirimtare dhe patriotike. Me këtë motiv ne iu bashkuam UÇK-së, Ushtrisë që bëri histori. Prandaj, të gjithë të rënëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, unë u përulem me rrespektin më të madh. Rexhimi i Millosheviqit, Rankoviqit dhe Qubrilloviqit ishin prangat që e vrisnin Kosovën. Lufta e jonë kundër Serbinë ishte e domosdoshme, jetike. Ajo nuk i kuptonte traktet dhe komunikatat tona. Serbia ishte e padëshiruar në Kosovë, sepse ajo ishte pushtuesi ynë. Serbia nuk do t´ia mbathte kurrë nga Kosova nëse Kosova nuk do të ngritej e tëra në këmbë. Unë kujtoj shprehet Samiu, se pakica serbe në Kosovë, herët a vonë do ta kuptojnë se ata janë pakicë dhe asgjë më shumë në mjediset tona. Andaj, në saje të Luftës sonë Çlirimtare, ne sot po i gëzojmë të mirat e saj. Fitorja jonë mbi pushtuesin serb, thotë Samiu nuk lë hapësirë që pakica serbe më të „qeverisë“ apo ta sundojë shumicën shqiptare. Koha e sundimit serb në Kosovë ka mbaruar. Pas luftës tregon Samiu unë jam orientuar në profesionin e teknologut. Në këtë drejtim unë kam patur sukses. Kapitalizimi i Kosovës nuk është aq i lehtë. Në vitin 2 mijë ne hapëm një shitore për shitjen e teknologjisë së shtypit, fotokopjeve, printerave, faksave dhe pjesëve rezervë. Unë kam bërë një marrëveshje me firmën e njohur RICOH dhe INFOTEK. Në këtë firmë unë jam Distributor ekskluziv i kompanisë globale RICOH. Në këtë punë unë jam angazhuar bashkë me 4 vëllëzërit e mi, për mirëvajtjen e firmës sonë. Në duqanet tona anë e kënd Kosovës ne kemi të punësuar rreth 40 punëtorë. Me këtë bisnes ne kemi përmirsuar ekonominë familjare, dhe kemi punësuar një numër të konsiderueshëm të punëtorve. Unë kujtoj se këto janë frutet e Luftës dhe të Pavarsisë së Kosovës. Liria dhe pavrsia janë pasuria më e vlershme për një popull të qytetëruar. Andaj, ti gëzohemi kësaj pasurie të madhe të popullit tonë. Sukseset e Kosovës ditë e për ditë do të jenë më të mëdha.

Rrustem G e c i - Dortmund

Roland Gjoza - një mbret i fjalës

Shkrimtari, publicisti, eseisti dhe skenaristi, Roland Gjoza, një vit jete ka që na kulturon me fjalën e tij të shkruar. Shkrimtar i shquar, eseist i shquar, skenarist i shquar, dhe mbi të gjitha poet i fjalës së shkruar. Poetika e Gjozes është e gjerë dhe e thellë. Kraharori i shkrimtarit Gjoza, është i mbushur me tregime dhe gjevahire poetike. Gjuha e pastërt, dhe e mirëfilltë prej shkrimtari, Gjozen e bën ta quajmë një mbret të fjalës. Roland Gjozen e njoha në Tiranë, në oborrin para TVSH-së, nëse s´gaboj në vitin 1993. Biseduam shumë pak, ndoshta më shumë u qamë, sepse, Shqipëria aso kohe ishte në hallet e ndërtimit të demokracisë. Që nga ajo kohë Roland Gjozen e lexoj në të gjitha shkrimet. Eseja e këtij shkrimi ka për qëllim të bëjë publik një shkrimtar të rrallë të tregimit shqip dhe të fjalës poetike në tregim. Në Kosovë, Roland Gjoza çmohet nga lexuesit dhe rrethet letrare. Arti Gjozes është art i sipërfaqeve të zjarrta dhe thëllimave të prushta. Veprimtaria letrare e Roland Gjozes, është e gjerë. Gjoza deri tani ka shkruar mbi njëzet vepra, në poezi, prozë, ese dhe kinematografi. Bota poetike e Gjozes është e gjelbërt me të kuqe. Asnjëherë se kam pyetur veten thotë Gjoza, a je lodhur, dhe ku po vemi. Jetën që m´është dhënë duhet ta jetoj. Në udhën e krijimit, Gjoza nuk ndalon as te ëndrra e tij. Në vepren poetike „bukë dhe verë“, Roland Gjoza shkruan; Ajo s´e pa se s´kishte si ta vinte re trëndëfilin…/ një flutur që mbaroi te maja e këpucës së saj / të dashurosh nuk je krejt i pa faj. Poezia e Gjozes është shpërthese njerëzore dhe humane. Vargu i Gjozes jo gjithëherë është i kulturuar. Zemërimi i revoltës shpirtërore të Gjozes hetohet kudo në krijimet e tija. Jeta e shkrimtarve të shquar e tëra është me trazime e shpërthime të mëdha. Sepse, nën qiellin tonë, herë-herë edhe Brutët vrasin. Roland Gjoza i mbijetoi „rënies“ në saje të veprave të tij, në saje të shpirtit të madh prej poeti. Vepra e Roland Gjozes nuk mund të thuhet as për së afërmi në një ese kaq të shkurtër. Por, përmes kësaj eseje unë përshëndes Shkrimtarin Roland Gjoza, për veprat e tija të shkëlqyera dhënë letërsisë sonë të bukur. Deshi apo s´deshi dikush, vepra e Gjozes është vepër e mirëfilltë për lexuesit dhe studiusit e letërsisë. Sukses zotit Gjoza! I mirëpresim botimet tuaja, sukses!..

Rrustem Geci - Dortmund

2011/01/28

Presidenti apel: Të pezullohet çdo lloj proteste!

Kreu i shtetit reagon për zhvillimet më të fundit në vend, jep të dhëna mbi takimin me delegacionin e BE-së
“Sot zhvillova dy takime me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë, të kryesuar nga zoti Miroslav Lajçak, me të cilin bisedova rreth situatës dhe klimës së rënduar politike të krijuar në vendin tonë sidomos pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, duke ndarë shqetësimin e jashtëzakonshëm për këtë gjendje.
Së bashku diskutuam rreth mundësive për të gjetur një rrugëzgjidhje të menjëhershme nga kjo situatë, që përveç të tjerash dëmton rëndë edhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë”.
Kështu e ka nisur presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaratën e tij mbi zhvillimet më të fundit në vendin tonë.
“Që në fillim, me cilësinë e Presidentit të Republikës shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes politike në Shqipëri.
Gjithashtu, në përputhje të plotë edhe me qëndrimet dhe me mesazhet e vazhdueshme të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ritheksova qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucionet në vend”, deklaroi ai.
Duke shtuar se nën frymën e konsensusit si dhe sipas standardeve demokratike, si kryetar i shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate thekson me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane.
“Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional.
Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!”, tha mes të tjerash Presidenti i Republikës.
Duke shtuar se qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë.
“Duke mos vënë në pikëpyetje për asnjë çast të drejtën legjitime të çdo subjekti politik dhe individi për të demonstruar paqësisht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unision me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënojmë dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme.
Është nevojë imediate dhe jetike që të rifitohet qetësia, të rigjehet maturia, vullneti i mirë si dhe gjuha e dialogut institucional nga të gjitha palët e politikës, sepse vetëm funksionimi normal i hapësirave dhe mjeteve demokratike nga ana e institucioneve kushtetutese e të pavarura do të na sillte sërish në normalizimin e jetës së qytetarëve dhe funksionimit normal të një shteti ligjor, modern e demokratik, siç i ka hije vendit dhe popullit tonë”, tha më pas Topi.
Duke risjellë në mendje faktin se nuk duhet harruar se zgjedhjet vendore po afrohen gjithnjë e më shumë, dhe në prag të tyre është detyrim ligjor dhe moral i mbarë klasës dhe aktorëve politikë shqiptarë që të garantojnë me përgjegjësinë më të madhe një klimë të qetë, një zhvillim normal dhe administrim korrekt të zgjedhjeve dhe rezultateve që do të dalin prej tyre.
“Qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacënuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik! Ajo që duhet bërë, duhet bërë sa më shpejt dhe sa më drejtë në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e garantuar dhe e lumtur!”, tha Topi.

Moisiu: Refuzimi i prokurorisë, rënie e shtetit

I ftuar në Top Story, ish-presidenti Alfred Moisiu foli për ngjarjet e 21 janarit. Zoti Moisiu fajësoi si organizatorët ashtu edhe qeverinë për dhunën që shoqëroi demostratën ku gjetën vdekjen e 3 persona.
“Përgjegjësi ka edhe opozita që nuk kontrolloi turmën, por natyrisht përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria sepse në fund të fundit ajo vrau. Të sulmosh institucionet është shumë e rëndë por pushteti nuk mund të sulmohet me cadra në këto raste, ose ky puc sic po përmendet në këto kohët e fundit. Puci bëhet nga njerëz brenda qeverisë që mbështeten nga njerëz ta armatosur”, tha Moisiu.
Më tej ish-presidenti komentoi edhe gjuhën e ashpër mes dy kampeve në vend. Ai këshilloi politikën të mos dalë në konkluzione të parakohëshme pa u shprehur ende organet përkatëse. Moisoi kritikoi gjithashtu edhe jetën parlamentare, e cila sipas tij por zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. “Puna parlamentare nuk po zhvillohet sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit”, tha ai.
Më tej ish-presidenti foli edhe për refuzimin e urdhër-ndalimit të prokurorisë për gjashtë gardistët e lartë që akuzohen për shpërdorim detyre. Fakti që u injoruan vendimet e prokurorisë, tha ai, për mua përbën rënien e shtetit ligjor.
Ish-presidenti vlerësoi se akuzat ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror janë të pabaza, pasi sipas tij në të tilla raste duhet të vepronte më shumë policia kriminale.
“Policia kriminale duhet të funksiononte më shumë se sa SHISH. Nuk me duket e drejtë që për këtë punë t’i kërkohet llogari Shërbimit Informativ. SHISH ka qenë një problem në vazhdimësi, ka qenë nën goditjen e qeverisë që në 2005, unë kam patur një debat me kryeministrin në atë kohë për ligjin e SHISH”, tha Moisiu.
Zoti Moisiu apeloi për uljen e gjakrave dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët pasi kjo, sipas tij, është e vetmja mënyrë për të zgjidhur cdo problem.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...