Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/14

Shqiptarët në Republikën e Kosovës praktikisht janë të izoluar nga BE

Nga Flori Bruqi



Kosova do ta kalojë vitin 2011 në izolim, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë. Për dallim nga vendet e rajonit, qytetarët e Kosovës edhe gjatë këtij viti do të jenë të detyruar t’u drejtohen ambasadave të shteteve përkatëse në vend po qe se dëshirojnë ta vizitojnë ndonjërin nga vendet anëtare të BE-së. Në fund të vitit që lamë pas, BE-ja hoqi regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, proces që përfundoi qysh në dhjetorin e 2009-ës për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.Pavarësisht deklaratave shpresëdhënëse të zyrtarëve kosovarë dhe atyre evropianë, Kosova ende nuk ka filluar dialogun zyrtar, e as nuk posedon strategjinë për liberalizimin e vizave me BE-në.Drejtorja e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, për radion Evropa e Lirë ka thënë se mungesa e dialogut zyrtar me BE-në për çështjen e vizave, krijon pasiguri te qytetarët e Kosovës lidhur me afatin kohor për këtë proces. “Mungesa e një dialogu formal në mes të Kosovës dhe BE-së për liberalizim të vizave, është ajo që i lë qytetarët e Kosovës – jo vetëm në izolim, por edhe në pasiguri të plotë lidhur me atë se kur, realisht, mund të presin të lëvizin pa viza”, thotë Hajrullahu për radion Evropa e Lirë. Sipas saja, për shkak të mungesës së një vlerësimi konkret të Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, është vështirë të parashikohet koha se kur Kosova do të mund të hynte në listën e bardhë Shengen.Mirëpo, autoritetet kosovare janë shprehur të bindur se kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë strategjinë për liberalizimin e vizave nga BE-ja. Ministri në dorëheqje për Integrime, Besim Beqaj, ka thënë se gjatë këtij viti institucionet kosovare do të përmbushin të gjitha kriteret e vëna nga Brukseli për t’i prezantuar ato në fillim të vitit 2012.
Riatdhesimi, ri-integrimi i personave të riatdhesuar, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të tjera vlerësohet të jenë kushtet kryesore, të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.Ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi, vlerëson se nuk janë zbatuar tërësisht këto kritere. Muharremi shprehet lidhur me synimin e ekzekutivit kosovar që në fillim të 2012-ës t’i ketë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme. “Duke i pasur parasysh të gjitha këto kushte dhe kritere të tjera, mendoj që është tepër ambicioze dhe nëse nuk ndodh ndonjë çudi në vitin e ardhshëm, Kosova nuk do të mund të hyjë në listë të bardhë të Shengenit në fillim të vitit 2012”, vlerëson Muharremi.Një deklaratë të ngjashme me atë të Beqajt, e pati dhënë, kohë më parë, kryeministri i vendit në dorëheqje, Hashim Thaçi, duke thënë se brenda 15 muajve të parë të mandatit eventual të ri si shef i ekzekutivit të Kosovës, qytetarët e vendit do të mund të lëvizin pa viza në shtetet evropiane.Ndërkohë, afati kohor për nisjen e dialogut zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u përmend së fundi nga përfaqësuesit e lartë evropianë ishte “shumë shpejt”

OPOZITA DITËZEZË





Nga: Bekim  REXHEPI

Opozita ndërron kahen, akoma pa qua qëllimin në vend!. Nëse, dje filloi me hetimin e kutive pa mbërri fund e rrugës, sot e fillon me kontrollin e kutive, qa do të thotë kjo, se nesër mund të kërkohet prapë diçka tjetër. Në këtë rrugëtim të partisë socialiste kemi vërejtur paqartësi, pasiguri në hapat e saja dhe në shumë vendime,të cilat dolën jashtë angazhimeve për shtetin dhe interesin e tij.Është e qartë se zgjidhjet në formë të marrëveshjes janë të arritura të vetëdijes politike, ndërsa partia socialiste ka shpërdoruar të gjitha këto forma dhe ka provuar metoda të tjera, të padëshiruara, duke u shmangur nga të gjitha marrëveshjet e mundshme politike.
 Prej kohesh kemi parë aksionet e saja, të cilat na lënë në kujtesë një rrugëtim të zorshëm të saj drejtë qartësisë politike. Partia Socialiste marrëveshjeve fare pak u kushtoi kujdes, madje të gjitha marrëveshjet me rivalin i konceptonte si humbje, si humbje e gjithçkaje dhe më këtë pozicionim përfundimisht bë edhe kundër gjithçkaje. Ky pozicionim i PS-së, i pamundësoi edhe rivalëve të saj PD-LSI, të mos tregojnë aspak mëshirë ndaj opozitës, e cila nuk pranon humbjen, nuk e do vendin assesi vendin e saj si opozitë. Në shumë raste opozita-Partia Socialiste, nuk e respektoi rregullin demokratik, nuk respektoi as edhe elektoratin e saj ku ay e kishte vendosur të mbetet në opozitë. PS-ja duke krijuar disa formulime të zbehta dhe thuajse inobligative për shumë çështje në vend, ka krijuar asi iluzione se mund të rrëzoi shumë lehtë qeverinë. Këto dhe si këto iluzione të krijuara nga PS-ja kanë provuar të frenojnë, të bllokojnë shumë procese politike në vend. Fytyra e opozitës u mavijos pikërisht ndaj futjes së Shqipërisë në NATO,kapërcej të gjitha pritshmërit nacionale, ajo u pozicionua me deklarata e protesta,goxha dhe ngjashëm me disa struktura anti-Shqipëri. Dhe po ashtu një tjetër pozicionim i ngjashëm i PS-së, u tregua edhe me liberalizimin e vizave për qytetaret e Shqipërisë, ku BE e hapi këtë të mirë, këtë mundësi për shqiptaret. Ndërsa, akoma i pa shpjegueshëm mbetët pozicionim i PS-së, karshi dy këto marrëveshje të mëdha në vend.Një parti socialiste do të mund të jetë e dobishme vetëm po të ketë qasje më të mirë për qytetaret për vendin dhe po të tregojë pak kulturë demokratike. Një kulturë demokratike tek partia socialiste nuk ekziston dhe as që mund të pritet një ndryshim pozitivë. Përkundrazi, partia socialiste në vend se ta zhvillojë këtë kulturë sikur dëshiron më shumë ta rikthej në skenë sistemin e vjetër diktatorial. Pra antagonizmat e partisë socialiste mjerisht po zbehin fytyrën e demokracisë në vend,po e rëndojnë atë edhe shumë, ndërsa “përkujdestarët” e saj tërheqin vërejtjen se kjo parti qe quhet opozitë po bëhet edhe e zezë ditë për shqiptaret. Thellon përçarje, nxitë manipulime, krijon premisa te një gjendje krizë në Shqipëri, dhe krijon opinion negativë sa këto ngërçe politike nuk mund të tejkalohen pa ndërhyrje nga jashtë. Janë provuar edhe nga jashtë këto ndërhyrje diplomatike, por duket e kot me një parti si kjo socialistja në Shqipëri, e cila ka lidhë kast, pykë – vetveten se pari dhe iniciativat qe synojnë progres në vend. Ka mbajtur parlamentin dhe shumë debate në zhurmë, për shumë çka dhe pa marrë asgjë mbi kurriz të përgjegjshëm. Një opozitë pa peshë mbi kurriz, pa përgjegjësi nuk mund të quhet parti serioze në politikë dhe më këtë gjendje as që mund të pritet farë qasje ndryshe. Ndërsa e dimë se tërë fuqinë e saj të mundshme e ka harxhuar në debate akuzash dhe thirrje për të frenuar e bojkotuar proceset në vend.
Hija e panterit
Prej kohesh selia rozë është kthyer në humor, padyshim edhe panteri i saj nuk i ka shpëtuar dot, në këtë listë u futë edhe hija e tij qe ka emrin Gramoz Ruci. Ky komunist me yll e mbi yll, zvarritet në parlament duke përqeshur demokracinë në vend, por ja qe demokracia i lejon deri në kllapa funksionin verbal të tij, kaq mund të bëj hija e zezë e panterit Rama. Rama pak sa i lodhur, dhe paksa i ftohur me zhvillimet sikur ka vënë në lëvizje të trilltë Ruqin, për të rritur akoma më shumë antagonizma ekstrem dhe ekskluzivizëm subjektivë që gjithsesi kan për qëllim të kapërcejnë interesat e vendit dhe të zmadhojnë armikun në trajtën e tjetrit. Mbase është kështu dhe kështu shpërthen bastioni recidivë i panterit rozë,gjatë gjithë këti viti shpresojmë qe në vitin tjetër do të reflektoi një ndryshim brenda selisë rozë dhe interesi i vendit do të gjejë më shumë shprehje se sa ato qe dominuan deri me tani.

Kërkohet angazhim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve





Familjarët e personave të zhdukur kanë  kërkuar nga institucionet e vendit angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.Të zhdukurit gjatë luftës  së Kosovës duhet  të kërkohën me ngulmë gjatë bisedimeve me Serbinë, duke kërkuar që në këto bisedime, kurdo që të mbahen të përfshihen edhe familjarët e të zhdukurve.Shumica e premtimeve të dhëna prej pushtetarëve nuk janë plotësuar, nuk janë  realizuar premtimi për miratimin e ligjit për të zhdukurit e luftës 98-99, nuk është hartuar lista e konsoliduar e të zhdukurve në Kosovë, e po ashtu nuk ka përfunduar çështja e 400 mbetjeve mortore.Ekzistojnë edhe shumë  shqetësime që aktualisht preokupojnë familjarët e të zhdukurve, si raportet në mes udhëheqësve vendorë dhe ndërkombëtarë në Zyrën për mjekësi ligjore dhe raportin e Dick Marty.

Flori Bruqi

Në prag të kaktusit për nënkresë…




Shkruan: Suzana  KUQI


Për arësye që nuk do zor të merren me mend, do të mundohem t’i rrëshkas tundimit të përgojoj njerëzit e mi të afërt paçka se ndonjë grimcë mund edhe të më ketë shpëtuar. Por fundja përse janë fqinjët, po e nis me fqinjën time, me atë. Me fytyrë engjëllore e një shikim që po të ringjallej Botiçeli, do t’i digjte të gjitha madonnat që ka pikturuar e mbi hirin e tyre do të bënte një e vetëm një, zonjëzën që do të kish sytë e fqinjës sime. Këtu le të më kuptojë kush më lexon, nuk kam as idenë më të vogël sa madonna ka pikturuar ai, por për të krijuar një ide se sa këmbëngulëse është ndjesia ëngjëllore që të imponohet kur e shikon atë figurë lëvizëse qoftë edhe nëpër shkallë. Le të mos flasim për ëmbëlsinë e zërit, zogjtë fshihen të turpëruar kur flet ajo.
A është e bukur fqinja ime…?
Kam qenë e mendimit se bukuria është privilegj i rinisë, por kur shoh atë bindem se njerëzit që lindin për të qenë të bukur mbesin të tillë deri në fund. Vitet që në trungjet e pemëve shënojnë rrathë, e në fytyrën njerëzore rrudha, këto të fundit ja kanë vizatuar me aq hijeshi sa ja kanë zëvëndësuar freskinë me ëmbëlsi e fisnikëri në mënyrë të tillë që bukuria veç se ka ndërruar formë duke e lënë gjithnjë magjepsëse e të parezistueshme. Dikush do të mendojë se me këto cilësi ajo në mos do të ishte shënjtore të paktën murgeshë, ose siç ndodh shpesh e kundërta, një ngrënëse burrash… Murgeshë nuk është, për të kundërtën nuk di shumë ç’është e vërteta, di vetëm se ka një djalë…
Eh ç’i bëra vehtes… Mbase nuk do ta kisha nisur këtë thashethemnajë me veten në se nuk do të ishte bërë shkak diçka që më ndodhi mbrëmë. Pyetja që i ribëja vehtes në ishte gabim i rastit, apo nënvetëdija ime kish marrë të njëjtën rrugë ku udhëtonte vetëdija e fqinjës, të cilën e pranoj se gjithnjë e kam gjykuar e dënuar padiskutimisht… më vinte në një dilemë të madhe, isha apo s’isha në rregull nga trutë kur…
- Mirëmbrëma!- përshëndetën ata pothuaj me një gojë. Dhe unë:
- Mirëmbrëma bir! Mirëmbrëma Klara!
Që m’u thaftë gjuha, m’u thaftë deri në rrëzë, nuk mund të thoja vetëm një “mirëmbrëma”? Vajza nuk e zgjati, hyri në dhomën e djalit, ai mbajti këmbët pak sekonda, aq sa ishin të mjaftueshme të më shigjetonte me sy në mënyrë të tillë sa e ndjeva veten të plagosur për vdekje nga turpi e duke uruar të vdisja atë moment e po atë moment të varrosesha, ashtu sa hap e mbyll sytë.
Klara… është emri i të dashurës së mëparëshme të tim biri…
U ktheva e u rrotullova në shtrat siç rrotullojmë peshqit kur i skuqim në tigan të gjeja arësyen e gafës sime, fundja nuk mendoj se kam rrjedhur aq shumë nga trutë sa t’i ngatërroja emrat. Diçka më rrëshqiste, diçka që nuk e kapja dot, një si lojë aspak e paqtë, e lashtë, që nuk ngutej të dilte nga shpella… e megjithatë më diktonte rregullat e lëvizjet e saj…
… fillo e thirre si padashur me emrat e të fejuarave të mëparëshme të tët biri…Kjo ish levizja e parë e pavullnetëshme që m’u diktua… sepse…
… nuk ka lindur ende ajo vajzë… e kurrë nuk do të lindë një që të meritojë djalin tënd…
Sillem në krahun tjetër. “S’ke turp”, i them vehtes, si mund të mendosh kështu, ajo vajzë…
… mundohuni ta mashtroni vehten sa të doni se ju gufon zemra kur e shihni ashtu të re e të bukur, të shkathët e punëtore… Thoni sa të doni se djali juaj ka lindur me këmishë që ka gjetur një vajzë të tillë… Madje këto, mund t’ja thoni kujtdo, gjithkush mund t’ju besojë. Por… nuk do ta besoni vetë. Ai dyshim i heshtur do të jetë këmbëngulës e më këmbëngulëse dëshira që ta kapni flagrant në ndonjë veprim a punë që prek dorë e saj, në ndonjë fjalë së cilës ju do t’i jipni mijëra kuptime me përjashtim të asaj që ka dashur të shprehë ajo, do të jeni në gjëndje t’i dëshifroni shikimin e t’i zhvishni buzëqeshjen deri sa të arrini në atë pikë sa t’ju rezultojë e paaftë, e pa sinqertë, madje e shëmtuar e për më tepër që nuk ju do… E kur arrini në këtë pikë…
… bindeni se djali ka humbur kryet krejtësisht pas saj…
… i miri, i bukuri, i ëmbli i nënës… nuk ka sy veç për të, nuk ka buzë e zë veç për të, gjithshka veç për të… e të kujtohet ajo fjala…
… një gruaje i duhen njëzet vjet,( këto kohët e fundit ajo njëzeta është shtuar), për ta bërë djalin burrë, ndërsa një gruaje tjetër i nevojiten vetëm pesë minuta për të ta bërë budalla…e kjo…
… nuk durohet…
… e ju do te ndërgjegjësoheni se nuk doni ta shihni me sy atë vajzë që ju largon djalin…
…e asaj, vërtet dashuria i ka mbyllur sytë para shumë të metave që mund të ketë i dashuri, ama e ka pajisur me shqisën e gjashtë, nuhat rrezikun që i kanoset… në ajër…
Jo po thonë se femrat janë mollë e sherrit… 
Mundohu të mos u ndahesh të paktën sa kohë të jenë në shtëpi. Gjej ndonjë sebep a shkak, zemrën gur dhe rri aty. Edhe kur vështrohen ëmbël dhe nga ajo rreze shikimi je e përjashtuar, edhe… kur të të vijë ndonjë batutë e tipit:
- “Mama shiko sa të bukur i ka sytë!
- “Të bukur, të bukur. Por sa para vlen. Nuk është e pagëzuar…- ish përgjigjur fqinja ime.
- “Nuk të dëgjova bir, përsërite të lutem… – u mundova të fitoj ca sekonda unë duke ngrënë vehten me dhëmbë.
- “…sa të bukur i ka sytë!
- “ Po mor bir, shumë të bukur i ka…- më në fund kish gjetur rrugë përgjigja ime pas dhjetës së numëruar duke filluar nga njëshi.
- “Oh! Të faleminderit…- kish cicëruar gëzueshëm ajo, por ai cicërim ish bërë tullë kur arriti timpanin tim.
M’u desh të thërrisja në ndihmë kujtimet që të mblidhja vehten.
- “Marshallah sa e mirë dhe e bukur nusja, çfarë fati që patët…”- i thosh një kushërirë vjehrrës sime, dhe unë… isha bërë pa peshë, isha ngritur në ajër aq sa takoja me kokë tavanin.
- “ Eh, është fillimi”,- ja kish prerë shkurt ime vjehrrë. Dhe një gur i rëndë nuk do të ish vërtikur ashtu, gjithë kockat më dhimbën kur u përplasa me dyshemenë. U çova dhe i dorëzova armët atë mbrëmje. I lashë vetëm. Të nesërmen i rroka prapë…  

Revolucioni i zi





Nga: Brikena  BOGDO

Më së fundi e kuptuam, me shembull konkret, pas hamendësimeve të shumta se cila ishte diferenca e protestës me demonstratën. Me protestë kuptohet dalja kundër një qëndrimi, me demonstratë kuptohet demonstrimi, paraqitja e qëndrimit tënd. Demonstrimi i 21 janarit ishte dhuna dhe forca. Një televizion privat i kushtoi një kohë tepër të gjatë çështjes nëse doli apo jo Kryeministri dhe vëzhgoi nga dritarja. “Pse shef” është mentaliteti i të fortit, të cilët kërkojnë domosdoshmërisht dhe në mënyrë irracionale konflikte, përplasje edhe nëse nuk ekziston ndonjë arsye racionale.
Kjo është pasiguri politike, për sa kohë veprimi ngrihet mbi antilegjitimitet. E tërë fryma “protestuese” e fund-janarit, të jepte ndjesinë e një tentative për përsëritje të ‘97. Por të mos harrojmë, se ka një ndryshim rrënjësor me ato trazira të para 13 viteve. Tashmë Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe projektet “luajmë luftërash”, tingëllojnë tejet foshnjarake. Nuk ka bazë, as institucionale, as logjike, as reale. Duke qenë pjesë e NATO-s prerje kokash robespieriane, të kundërshtarëve politikë, nuk mund të ketë më. Atëherë, e vetmja rrugë e mbetur është të krijohet terror dhe frikë psikologjike.Ndërkohë krijohet edhe një pasiguri institucionale e rreme “Do rrijë në pushtet Berisha apo jo? Do bien institucionet, si ai i Parlamentit? Të krijojmë një gjendje psikologjike e ankthshme”. Jo vetëm drejtuesit e opozitës, por tashmë, por edhe njeriu më i thjeshtë, ka aq kulturë demokratike për të kuptuar që një qeveri nuk rrëzohet, as me protesta, as me sharje, as me fyerje. E gjithë kjo re e zezë pasigurie, kujt i shërben? “Të luash luftërash” është shndërruar “të luash frikërash” njerëzore, që është një nga sentimentet më të thella të instinktit njerëzor. Sot, aq më tepër që jemi në një periudhë paqeje, kërkojmë siguri. Pas sulmit të kullave binjake, e gjithë bota jonë ra, duke e lënë veten të drejtohemi nga terrori dhe menjëherë të gjithë u detyruam të kërkojmë siguri.Kreu i majtë u ekspozua ndaj tri humbjeve. Së pari, humbi shansin për t’u quajtur një lider evropian, drejt së cilës kemi tendencë të natyrshme. “Pas meje, ishallah përmbytje” është koncept luigjian dhe u përhap më tej në figurat diktatoriale. Së dyti, humbi përfundimisht reputacionin për një figurë dhe politikë “open-minded” dhe rikonfirmoi planet masone. Ai po rezulton mjeshtër i skenarëve të fshehtë. Në protestat e para një viti, askush nuk ishte në gjendje të zbulonte, deri në sekondën e fundit, planin e grevës së urisë. Të gjithë u shtangën përpara një mirorganizimi në detaj. E njëjta ndodhi me demonstratën e datës 21 janar, ku me sa duket vetëm agjenturat e huaja vunë në dijeni, për atë çka po thurej, duke sjellë paralajmërime paraprake, si nga BE-ja ashtu dhe nga ambasada amerikane. E treta, humbi edhe elektoratin e tij, i cili iu distancua, duke lënë në shesh jo më shumë se 300 vetë. Më pak se 300 metra, në Tiranë zhvillohej një jetë në normalitet.Në ato 100 metra, ku zhvillohej beteja, kishte shumë urrejtje. Politika e urrejtjes iu kthye në bumerang, pasi ai po godet jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të ardhmen e tij, si figurë politike personale. Nuk është vizionar, duke mos kuptuar, se deri ku është kufiri i tij.Kufijtë, që ne vendosim, na shpëtojnë nga kaosi dhe anarkia. Kemi rastin e qartë, të komshiut tonë jugor, Greqisë. Protestat e atjeshme të para ca kohërave, i vunë vulën perceptimit të rënies dhe shpërbërjes së shtetit. Duhet patjetër edhe ne të krijojmë këtë perceptim, sepse njëra palë ka humbur zgjedhjet? Një forcë politike nuk përbën Shqipërinë, sepse kështu bie në grackën e ideologjive komuniste. Dhe në fakt deklaratat e tij këtë tregojnë. “Një betejë që është për të gjithë grupet shoqërore në këtë vend. Është një protestë përtej së majtës”. Në fakt rezultoi proteste përtej së majtës, së djathtës, së qendrës. Ajo u bë pronë e krimit.Është dita e popullit (Ngjela) Kush është populli? Çfarë përfaqëson ai në një demokraci? Është masë amorfe? Është e drejtueshme? Është e manipulueshme? A mund të flasësh sot në emër të saj? Dhe këtu, dështon gjithkush, që i delegon vetvetes të drejtën, të flasë në emër të të gjithë popullit. Kjo ishte thembra e Akilit të komunizmit. Ata dështuan, sepse e konsideruan popullin një masë të njëtrajtshme, me unipersonalitet, me unipsikologji, uni-ideologji, unimentalitet, unishtresor, unipartitizëm. Demokracia është alternative dhe alternim. Kush janë këta përfaqësues të “Zërit të Popullit”? Ta lemë “Zërin e Popullit” thjesht një gazetë partiake.U konsiderua një situatë e dalë jashtë kontrolli, ku përfaqësuesit e PS-së, por tentonin fort, të shmangnin dhunën dhe nuk po ia dilnin. Kjo ishte show i një “Çorganizimi të organizuar”. Në 16 e 30 minuta filloi qetësimi i turmës, që deri në atë periudhë po godiste fort, me emrin e Edit në gojë. Më 16 e 30 minuta funksionoi pult-dirigjimi. Teori masone, “të krijosh një kaos, për të qenë ti faktori i zgjidhjes”. Deri në ato momente, situata ishte krejt kritike. Pas daljes publike të Ramës përfundoi skenari. Ata partizanë që dolën nga dyert e PS-së, me miell, vezë e këpucë, për të ndotur Kryeministrinë apo ministritë, hodhën gurë për të ndotur krejt Shqipërinë.Ishte pikërisht “Fiks Fare”, që denoncoi blerjen e disa protestuesve të PS-së, para një viti, ku njerëzit paguheshin me lekë në dorë. Edhe kjo demonstratë është e përfolur për një blerje spektakolare të demonstruesve, ku shifrat arrinin deri në 300 mijë lekë të vjetra, për ata që ishin në ballë për të nxitur dhunë.  Dhe historia, që nga antikiteti e në vazhdimësi, e ka treguar që diktatorët, të cilët kanë prodhuar diktaturë, kanë ardhur nga e majta, duke shfrytëzuar një ideal popullor, për ta përdorur më pas për interesa personale. Opsioni i zgjedhjes midis ekstremizmit dhe moderacionit është i tipit etik moral. Një popull i mençur, me kulturë dhe traditë demokratike, zgjedh moderatorin. Një popull i mençur dhe i moderuar preferon të limitojë dëmet, numrin e të vdekurve dhe të plagosurve edhe në kampin kundërshtar. Një popull vërtet i mençur nuk dëshiron kacafytje, përleshje. Ai preferon një konfrontim miqësor, megjithëse kjo mund të prodhojë hipokrizi, mashtrim apo iluzion.
Popujt e mençur dhe të moderuar megjithëse, mund të kenë rënë pre e diktatorëve në një periudhë të caktuar të historisë, dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur (moderatorin), në momentin e duhur për të prodhuar demokraci. Rama gjithmonë e ka treguar që është ekstremist. Ai sot shpërfill institucionet demokratike, parlamentin sovran i plurimendimit, ku do apo nuk do, me ligj apo me karton, moderohen edhe idetë më ekstremiste.  Protestat e zgjatura me muaj për të rrëzuar qeverinë janë modele të ndjekura gati prej 10 vitesh në Evropën Lindore dhe janë të quajtura revolucionet shumëngjyrëshe. Ky tip protestë-revolucion, është më i moderuar nga format e dhunshme të marrjes së pushtetit dhe prandaj merr ngjyrime portokalli, rozë etj.Në Shqipëri, morën ngjyrën e kuqe greva e urisë, pasi tek grevistët predominonin veshjet me ngjyrë të kuqe dhe se fundi ngjyrën e zezë, me protestën e 21 janarit. Këto revolucione synojnë që, nëpërmjet protestave “paqësore” të përmbysin pushtetin, sipas tyre, të korruptuar duke shkaktuar krizë politike dhe institucionale. Sot, revolucionet disa ngjyrëshe, konsiderohen të mbyllura. Ka shume arsye, përse ky model revolucioni është i mbyllur, sidomos për Shqipërinë. Një prej tyre është deklarimi i ndërkombëtarëve, ku Shqipëria cilësohet vend demokratik. Por, këta demonstrues dëshirojnë të revokojnë revolucionet.Lëvizjet e dhunshme po rezultojnë tendencë e të gjithë të majtës, e cila po përpiqet me të gjitha mjetet për të marrë pushtetin, pa programe dhe politikë të mirëfilltë.Nuk mundet të barazohemi me Tunizinë. Aty ishte një president i cili kishte zënë rrënjë prej 20 vitesh. Si filloi protesta, atje? Me një vetëflijim, duke hedhur një protestues benzinë vetes. Si filloi ne kryeqytetin e Shqipërisë? Duke flijuar të tjerët, duke iu futur thikën pas shpine, për të realizuar revolucionin e zi.Edi, më së shumti, mundet të ketë pasues politikisht, pasi është figura, apo truri i majtë, por nuk pasohet nga askush, si një figurë e gatshme të udhëheqë një luftë antikorrupsion. Projekti antikorrupsion “Hapur”, i USAID-it ka disa kaseta, ku janë të filmuara dokumente e fakte të korrupsionit brenda në bashki. Ai nuk është figura me kredibilitet për këtë luftë.Nga të gjithë shqiptarët, rrjedhimisht doli pyetja se përse pikërisht ne duhet t’ia kalojmë me kaq vështirësi, problemin e tranzicionit dhe patjetër të asistojmë non stop, me skena dhune. Vetë pozicioni gjeopolitik ka favorizuar shkëmbime force dhe pushteti, midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo është pasqyruar në pozicionimin e faktorit të brendshëm, kah njërit, apo tjetrit. Krahu i djathtë është pozicionuar historikisht, kah Perëndimi dhe krahu i majtë, kah Lindja.Historikisht, kah Perëndimi ka rezultuar shpëtimi ynë dhe kah Lindja, shkatërrimi ynë. Ende sot, e majta shqiptare drejtohet kah Lindja, nga armiqtë historikë shqiptarë. Ata kanë thurur planet më ogurzeza ndaj shqiptarëve, ashtu siç ishte ai i datës 21 janar. U përkthye kjo datë si dita e shpëtimit të shqiptarëve dhe kthesave të mëdha. Në fakt, ishte vazhdimi i planeve më ogurzeza, që janë luajtur historikisht nga Lindja, në kurriz të këtij vendi.

Çamëria midis viteve 1930-1933





Shkruan: Eugen  SHEHU

Në fillim të viteve 30-të të shekullit të kaluar,pati shqiptarë që besuan se vuajtjeve të banorëve të Çamërisë, mund t’u vinte fundi.Kjo për dy arsye. E para, se shteti amë sa vinte e fuqizohej.Zëri i Shqipërisë pati nisur të ndjehej fort,falë politikës së jashtme të zgjuar, të Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogut.Politika në fjalë,nuk nguronte të shprehej post ë tjerave, edhe për dhunën sllave apo greke,duke marrë në mbrojtje bashkëkombasit e vetë, të cilët jetonin pa drejtësisht nën qeveritë sllavo-helene.Është fakti i pamohueshëm se,pamvarsisht prej indiferencës së kancelarive evropiane, rreth çështjes çame,Këshilli i Lidhjes së Kombeve,disa herë i kërkoi llogari Athinës, mbi terrorin e saj fizik e psikologjik të ushtruar ndaj popullatës shqiptare myslimane atje,si edhe  ndaj një varg masave represive të helenëve që synonin asimilimin e shqiptarëve etnikë në zonën prej Filatit e deri në Gjirin e Artës dhe Prevezës.Arsyeja e dytë lidhet me faktin se pikërisht në këtë periudhë,në gjirin e politikanëve të Athinës,patën nisur kundërshtime e përplasje të hapura, që çuan deri në eleminimin e njëri-tjetrit. I ardhur në krye të qeverisë me grusht shteti (në vitin 1928) tanimë Veneziello po përplasej me grupin e kolonelëve kundërshtarë të cilët e kishin kërcënuar me jetën e tij.Por të dy këta zhvillime, asesi nuk mund të ndalnin rreprezaljen e andartëve grekë ndaj shqiptarëve etnikë të çamërisë. Mandej sipas vetë burimeve të historiografisë greke, ka qenë kryeministri grek Veneciello, i cili,në vitin 1930 pas disa ankimeve nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, për Komandantin e divizionit të Janinës, i thotë këtij të fundit në mënyrë ironike ;„Pse i vrisni shqiptarët në Janinë ? Shumë gabin ! Qeveria e jonë ka marrë masa për këtë.Ne kemi mbyllur të gjitha shkollat shqipe,pra shqiptarët janë të detyruar ose të shkojnë në Turqi,ose të mësojnë gjuhën tonë.Gjuha është baza.Me kohë, nga frika ata do harojnë të flasin edhe gjuhën e tyre dhe gjithshka merr fund“. Në gushtin e vitit 1930,Kryetari i Partisë „Bashkimi Demokratik“ i Greqisë, Papanastasiu,ndërrmori nismën për mbajtjen e një konference ballkanike.Në këtë Konferencë që do të mbahej në muajin tetorë,midis të tjerave hidheshin die për një miqësi e respekt midis kombeve të ballkanit,për të çuar më përpara fatet e vendeve respektive.Natyrisht se ftesat në fjalë iu dërguan edhe qeverisë  së shtetit amë,madje ato u publikuan edhe në shtypin helen,si shembull të tolerancës etnike dhe dëshirës për fqinjësi të mirë nga ana e shtetit helen. Ndërsa atdhetarët shqiptarë, të cilët ndiqnin me vëmendje situatën e nderë në çamëri, nuk munguan t’i përgjigjeshin kësaj nisme me kritika të ashpra dhe të drejta. Kështu në shtypin e kohës atdhetari ,Namik Delvina,posaçërisht për Konferencën në fjalë do të shkruante ; „Kur Sqhperia vete në Lidhjen e Kombeve pa sjellë ndonji fitim… çdo të sjellë dërgata e sajë në Athinë ? ç’do t’u paraqesë vallë Athina pjesmarrësve,vuajtjet e shqiptarëve nën sundimin e Greqisë, apo peripecitë?“.( Gazeta “Rilindja e Arbërisë“ – Tiranë, 26 gusht 1930 ).Edhe pse qeveria shqiptare e asaj kohe,mbajti një qëndrim shumë të prerë në konferencën në fjalë,sërish asgjë nuk u arrit.Sikurdoherë, edhe kësaj radhe, helenët u përpoqën t’i thoshin Evropës së vjetër se diçka po bëjnë. Por që konferenca në fjalë ishte vetëm një përpjekje për të fshehur apo lustruar dramën e madhe të shqiptarëve, këtë e treguan reprezaljet që në fillimin e vjeshtës të vitit 1930. Kun ë qytetet e mëdha të çamërisë si Janina,Filati, Preveza, Gumenica etj, vazhdonte met ë njejtën egërsi si edhe më parë dëbimi i shqiptarëve etnikë, për në viset e Anadollit.demagogjia për kinse shpërblimin e pronarëve çamë,sish tjetër veçse gënjeshtra e radhës e Athinës.Ndërkohë që me dhjetra gazeta helene nuk linin faqe pa folur, për 4-5 fshatra me grekë në viset mbrenda shtetit amë, ato heshtnin përballë qindra e qindra krimeve nga ma të shëmtuara që u bëheshin shqiptarëve të pambrojtur.Ishin po këto gazeta, të cilat në rolin e zëdhënisit të terrorit grek,sulmonin në gjdo kohë qëndrimin e atdhetarëve shqiptarë si në çamëri ashtu edhe në shqipëri, për kinse dezinformim të opinionit evropian.Natyrisht, k¨to bori të shkatëruara të andartëve grekë, nuk mund të bënin që të heshtëte opinioni publik si mbrenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.Madje, mu në Gjirokastër, në qytetin e lakmuar kurdoherë prej Athinës, gazeta e drejtuar nga atdhetari i shquar Xhevat Kalajxhiu, do të shkruante ,“ Tragjedia e vëllezërve tanë përtej kufirit po vazhdon pa pushim, ajo është një tragjedi e pashembullt në histori. Kanë 19 vjet që po vuajnë çdo ditë torturën e vdekjes.Nga 19 vjet e këtej, pësimet e tyre nuk përshkruhen dot… Greqia po ndjek me gjakëftohtësi një politikë sistematike për vdekje, me tortura kundrejt çamërve.Nuk mjaftuan rrepjet, gjveshjet, lënia vatrat e tyre stërgjyshore dhe të venë në Anadoll… Druri dhe rrepjet janë në urdhër të ditës. S’ka aspak dyshim se po vazhdohen metodat që përdorin sot autoritetet greke, një ditë, nuk do të mbetet këmbë shqiptari në çamëri“. ( Gazeta  „ Demokracia „ – Gjirokastër më 24 tetorë 1931 ).Po në këtë kohë,në bazë të një ligji i të ashtuquajturës reformë agrare, pronarë të cilët kishin më shumë se 300 ha tokë, u merrej teprica për nevojat e shtetit. Por edhe kësaj radhe „pazaret“ e qeverisë helene dulën shpejt. Pushteti vendorë në çamëri,në bashkëpunim të ngushtë me korofillakët grekë, nisi ti rrëmbejë edhe kopshtet e shtëpive të shqiptarëve,pasi sipas ligjit në fjalë,ata nuk përfshiheshin as si grekë e as si turqë.Pra që sipas Athinës, duhet e të deklaroheshe,ose turk ose grek, nëse deklaroheshi si turk, atëherë me plaçkat e trupit, për 4-5 ditë e shihje vehten në Azi. Por është e kuptueshme që rrëmbimi i tokave të shqiptarëve etnikë në çamëri, deri tek kopshti i zarzavateve, nuk ishte qëllim në vetvehte, ç’prej vitesh, mbi bazën e planeve të hartuara në Athinë, këto toka iu jepeshin të krishterëve ardhacakë, vetëm e vetëm që vendi të popullohej me të tillë, për të zhdukur tek e mbrëmja rracën shqiptare. Fillimishtë u sulmuan trevat ku shqiptarët etnikë përbënin pjesën dërmuese të popullsisë vendase,gjithshka kontrollohej me saktësi prej pushtetit vendorë, i cili mbante qëndrim të rreptë ndaj shqiptarëve, të cilët kundërshtonin trimërisht masa të tilla kolonizuese. Në fillim të viteve të 30-të, të shekullit të kaluar në trevën e çamërisë, sipas statistikave helene, bëhej fjalë për rreth 1500 familje të krishtera, të shkuara në Anadoll. Në një letër që atdhetarët çamë u dërgonin autoriteteve shqiptare, për të ngritur zërin rreth këtij problemei, post ë tjerave shkruajnë tekstualisht ; „Fshatrat që deri tani po vuajnë më shumë nga dyndja e refugjatëve në Anadolli janë ; Arprica,Dhrohomia,Galbaqi,Gardhiqi , Nista,Vola etj“.(A.Q.SH.-Tiranë.Fondi 251,dosja 232.Fl. 9). Në fillim të vitit 1932,disa krerë nga parësia çame e Filatit i dërguan një protestë Veneziellos, si edhe disa kancelarive evropiane, ku jepnin të dhëna të plota mbi tokat e rrëmbyera padrejtësisht nga shteti dhe që në vend të shpërblimit, tanimë kërkohej t’u merrej edhe shtëpia për tiu dhënë ardhacakëve.Veneciello, si kurdoherë premtoj se do t’ua „zgjidhte“ kërkesat dhe dërgoi në mars të vitit 1932 gjeneralin famëkeq Koçona, së bashku edhe me 350 ushtarë të divizionit të 8-të. Natyrisht Koçona, nuk kishte punë me pronat por ai kishte shkuar në Filat për të ndjekur disa çeta të ardhura nga shteti amë.Mirëpo se çfar donin këto çeta në Filat, këtë e dinin vetëm Veneciello dhe Koçona, ndërsa shumë nga paria e kësaj treve u burgos, u rrah , ndërsa disa u zhdukën, kinse kishin strehuar „ çeta e ardhura nga Shqipëria“. Pas kësaj, protestat e banorëve çamë ndaj Athinës,nisën të dërgohen kancellarive evropiane, vetëm nëpërmjet shtetit amë. Si shkak i trazirave të mbrendshme në Athinë, Veneziello u rrëzua në fundvitin 1932. Në vend të tij hypi Panajot Calldari, i cili që në ditët e parat ë qeverisjes, megjithëse pat premtuar shumë, vazhdoi të njejtin skenarë ngjethës ndaj shqiptarëve të çamërisë.Kështu amabasadori shqiptarë në Athinë, në një letër të atyre ditëve, e bën me dije qeverinë e vet në Tiranë, se nga trevat e Gumenicës, me dhjetra familje shqiptarësh myslimanë, po përgaditeshin të shkonin në Anadoll, pasi që rrojtja aty ishte e pamundur.Kjo do të kryhej nga vetë prefekti i qarkut të Gumenicës, i cili kishte marrë përsipër të shkonte në Athinë e të gjente para për të blerë pasurinë e mbi 300 familjeve të fshatit Smokovinë. Paratë do t’u paguheshin në dorë këtyre çamëve, vetëm kurë ata të kishin arritur në Anadoll dhe për këtë prefekti u kishte treguar sigurimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. Po kështu ishte rënë dakord edhe mbi 150 familje nga fshati Volo. Ndërkaq në të dy rastet shqiptarët etnikë të çamërisë, do të firmosnin të gjithë (mbi 16 vjeç e lartë) një deklaratë ku mudis të tjerave do të deklaronin „ se po largoheshin nga vendi i tyre me dëshirë“.(A.Q.SH-Tiranë „Koleksioni dokumentash pas vitit 1912“ dosja 1042, fleta 158 ).
Sikur të mos mjaftonin tërë këto,banorët myslimanë të çamërisë, duhej të përballeshin edhe me bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët  të krishterë të tyre, kisha ortodokse helene në vend që të kryente misionin e vet duke i ndihmuar sadopak myslimanët shqiptarë, ajo ndërsente mbi ta lukuninë e kriminelëve të krishterë. Teqetë eshumta në çamëri u rrafshuan krejt mbrenda viteve 1913-1920, ndërsa xhamitë e pakta mbikqyreshin nga gjandërmaria greke se kush hynte dhe kush delte. Për gjdo trazirë që ndodhte, të parët që jepnin llogari ishin myftinjtë çamë, pamvarsisht se mbi ta nuk rëndonte asnjë lloj faji. Me dhjetra prej këtyre myftinjëve dhe hoxhallarëve të çamërisë u dergjen burgjeve të tmerrshme të Janinës apo Korfuzit, derisa vdiqën pa marrë vesh askurrë pse u dënuan.Për të drejtat e shqiptarëve në këtë kohë, pos dhjetra atdhetarëve shqiptarë, ka kontribuar edhe „publiçisti Zvicerian Wiliam Martin“(Gazeta „Liria Kombëtare“ Gjenevë 2 shkurt 1932 ).Nderkaq vazhdonte në mënyrë sistematike, ndonëse jo fare legale,shpërngulja me dhunë e shqiptarëve mysliman për në shtetin amë.Kjo shpërngulje bëhej pothuajse e detyrueshme në kushtet kur ata ndonëse në tokën e tyre stërgjyshore, mbeteshin pa asnjë  pëllëmbë toke,ndonëse kishin jetuar në shtëpi dy apo tri katëshe, paskëtej jetonin në çadra, ndonëse kishin patur gjithë ata pasuri,tanimë vuanin për  bukën e gojës.Kanë qenë këta arsyet që me mijëra shqiptarë etnik të çamërisë,i kthenin krahët përgjithmonë vendlindjes, me pikëllimin e patreguar në shpirt, ndaj dhe fati më i mirë, këta shqiptarë i priste në shtetin amë, ku pamvarsisht prej vështirësive, së paku gjenin një lloj përkrahje nga shteti amë i atyre viteve si edhe solidarizimin e popullit.Ndërsa të tjerët ata që u detyruan të merrnin rrugët e Anadollit, atëherë harrimi binte përjetësisht mbi ta. Aq shumë po rritej numri i shqiptarëve  që largoheshin nga çamëria, saqë u mendua se po kthehej në bumerang për vetë politikën dhe diplomacisë dinake që thurej si rrjeta e marimangës, nëpër zyrat e fshehta të Athinës. Vetëm brenda viteve 1931-1932, janë sipas statistikave,rreth 12 mijë banorë të çamërisë të cilët të larguar përgjithmonë prej trevave amtare, kanë kërkuar ndihmën e shtetit amë.Përballë kësaj gjendjeje,Athina, dërgon në Janinë deputetin Mella dhe gjeneralin Neokli Boçari për të hetuar rreth numrit të saktë të shqiptarëve të larguar.Në bisedat që emisarët e Athinës patën me autoritetet vendase në Janinë,post ë tjerave është deklaruar se ; „Nuk mundemi të lejojmë ndjekjen e çamëve me këtë shpejtësi… se mundet të na ndjekin 70 mijë grekër që ne kemi në Shqipëri“.( A.Q.SH – Tiranë. Fondi 252,dosja III, faqe 6 ).Me dëshirën e vetë çamëve të cilët shkonin në shtetin amë, Mbretëria shqiptare i vendoste ata në zonat pranë kufirit, sidomos në vijën Sarandë-Delvinë, duke u falur toka dhe duke i ndihmuar për ngritjen e shtëpive.Nga ana tjetër gjatë viteve 1930-1933,u ndje haptas veprimtaria e etshme e sillogjeve vorioepirote. Këto sillogje megjithëpresionin e ushtruar prej Lidhjes së Kombeve, herë tulateshin e herë vepronin ilegalisht, por asnjëherë nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre antishqiptare, e sidomos në rastin kur ministri shqiptar i arsimit, në vitin 1932, Mirash Ivanaj, dha urdhërin për të mbyllur shkollat greke në jug të vendit (përderisa Athina të çelte shkolla shqipe në çamëri), këto sillogje reaguan në mënyrë arrogante,duke ngritur zërin deri në Gjenevë për këtë problem.Ironia e fatit kishte të bënte me atë, se ndërsa kërkonin të mos mbyllnin shkollat për fëmijët grekë në Shqipëri,ishin po këto sillogje që nxisnin nëpërkëmbjen e të drejtave më elementare të fëmijëve të çamërisë.Edhe në këtë rast atdhetarët shqiptarë reaguan menjëherë ndaj veprimeve shovene të sillogjeve famkeqe,veçanërisht në shtypin shqiptar,por edhe në atë evropian, burra të tillë si ;Xhevat Kallajxhiu,Ihsan Libohova,Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Kostë Cerkezi, Faik Konica,Mehmet Konica,patër Fishta… etj, dëshmuan me fakte konkrete se ç’fatkeqësi po jetonin shqiptarët e jugut prej dhunës helene.Gjithashtu, nuk duhet lënë menjanë faktin se këto sillogje, je vetëm që donin të përligjnin krimet e çeverisë helene ndaj çamëve, por u përpoqën me gjdo kusht e mjet,të mbjellnin farën e përqarjes e të vëllavrasjes, edhe ndaj shqiptarëve të krishterë e myslimanë në çamëri. Janë të njohura një varg ngjarjesh në Filat,Gumenicë, Prevezë e Janinë, ku shqiptarët të krishterë të paguar apo frikësuar nga Athina, mblidheshin duke deklaruar se vëllezërit e tyre myslimanë ishin kriminelë, se ata duheshin të zhdukeshin nëpër shkretërirat e Anadollit. Ndërsa vetë këta të krishterë të mjeruar të implikuar me marëzitë e sillogjeve vorioepirote, të deklaronin se qeveria helene i trajtonte ata njëlloj si grekërit e tjerë, por , është gjithashtu i njohur fakti, që sillogjet në fjalë, ndonëse konsideroheshin si bashkime me vullnet, nisën të lëshojnë metastazat e tyre edhe në jugun e shtetit amë, ku nëpër listat e zeza regjistroheshin me forcë e madje paguheshin për veprimtarëne e tyre nëpër të krishterët mbrenda kufijve politik të 1913-ës.Mjaft prej këtyre të shiturve tek sillogjet vorioepirote, Athina,u pati dhënë në dorë shuma të mëdha floriri.Qëllimi ishte që këta të krishterë të blenin sa më shumë pasuri të patundshme sidomos në vijën e kufirit të shtetit amë, me çamërinë, me ç’rast ata kërkonin të punonin mbrenda dinakërisë shekullore helene. Sa më shumë prona të blinin aty të krishterët, aq më shumë,vite më vonë andartët grekë do të kishin baza për akte diverzive.Si strehë e sillogjeve vorioepirote në vitet 1931-1933 mbrenda kufijve të shtetit amë,shërbenin pos të krishterëve të shitur tek Athina edhe dy tri kisha në fshatrat Sopik,Goranxi,Smines etj. Lidhur me këtë veprimtari, natyrisht nuk ka qëndruar duarkryq shteti shqiptar i asaj kohe.Janë me dhjetra shqiptarë të krishterë, të thirur nga organet kompetente të cilët kanë dhënë llogari për veprimtarinë e tyre, në dëm të shtetit e kombit të tyre.« Lidhur me veprimtarinë e Asfalisë në fshatin Smines, Xhevdet Shaban Kasimi nga Konispoli, ish nëpunës i nënprefekturës së atjeshme, dëshmon ; « Rreth vitit 1933, gjindarmërija e rrethkomandos së Konispolit, zbuloi degën e sillogut të Vëllasit të Smines.Qëndra ishte shtëpia e Anagnost Filit. U gjetën dy barrë kali me dokumenta,urdhëresa, letërkëmbime, si edhe vula zyrtare të asaj dege ku shkruhej «  Dega e Sillogut të Vëllahut “.Ato u shpunë në Konispol së toku me Anagnosin dhe prej andej në Gjirokastër”.( I.Hoxha “Viset kombëtare shqiptare në shtetin Grek” – Tiranë 1998 , faqe 237 ).Është e kuptueshme se veprime të tilla shovene, pamvarsisht se çfar pasoja do të kishin, nuk mund të merrnin peshën e duhur në Shqipërinë e vitit 1933, të ngërthyer në dhjetra e dhjetra probleme të brendshme dhe të jashtme. Sidoqoftë janë disa nota proteste që qeveria shqiptare në vjeshtën e vitit 1933 i ka dërguar Athinës, duke e bërë me dije se për veprimtarinë e dënueshme të sillogjeve vorioepirote.Sipas koncepteve të atëhershme të Mbretit Zog, acarimi i mëtejshëm të marrëdhënieve me Athinën ( ka pasur zëra që të shpërnguleshin me forcë 20-30 mijë grek që ishin në shtetin amë) nuk do t’i shërbente as diplomacisë as politikisht zhvillimeve të kombit tonë.

Barra e fajit


Nga: Astrit  LULUSHI
Pema njihet nga frutet e saj, njeriu nga ajo që bën; së pari si qenie shoqërore – punëtor, politikan, qeveritar, parlamentar – pastaj si qenie intelektuale – krijues, poet, shkrimtar. Mungesa e njërës është më keq sesa humbja e të dyjave. Sepse ato çfarë prodhohen përcaktojnë qenien – i mirë, i aftë, largpamës – cilësi matëse që e bëjnë një individ të dallohet nga tjetri për shkallën e qytetërimit, sesa për pamjen fizike, a përbërjen etnike a kombëtare, kur bëhet fjalë për popull.

Çdo jetë ka moshen e vet të prodhimit; kohën e artë, stinën e vjeljes.Të lumtur ndjehen ata për të cilët kjo shkallë e jetës ka ardhur; me shpresë jetojnë ata që presin kjo stinë të vijë; por koha e artë duket se është kapërcyer pa u kuptuar a pa u ndjerë për njerëzit që jetojnë në një kohë kur shpresat shuhen dhe kur çdo përpjekje duket e kotë.Ndërsa besonte se kishte besim, udhëtari i shkujdesur shuhet, ndjen panik, kur i thonë se treni ka mbërritur në stacionin e fundit, por jo ai; kur rruga e tij pa pritur mbyllet me mur, apo me shenjën “Ky eshtë kufiri yt”! Për njerëz, që dallgët përpiqen t’i sfidojne vetëm nga bregu, vdekja – rezultati i pashmangshëm i luftës së pabarabartë – bëhet shërim për plagët e shkaktuara nga sjellja e tyre. Si rrjedhim,Brezit që vjen do t’i duhet të fillojë çdo gjë nga e para, pa asnjë ndihmë të trashëguar.Vdekja e një personi i ngjan kohës së shkuar. Të dy nuk kthehen më,por prej kësaj ikjeje – mendja e të gjallit ndriçohet. Eshtë momenti i gjykimit; njeriu në mendje, si në gjyq, rikujton, riekzaminon çdo gjë dhe arrin në përfundimin se, vetëm i gjalli gënjen, prandaj faji eshtë i tij dhe jo i kohës së shkuar dhe as i atij që ka ikur.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...