2011-02-14

Revolucioni i zi





Nga: Brikena  BOGDO

Më së fundi e kuptuam, me shembull konkret, pas hamendësimeve të shumta se cila ishte diferenca e protestës me demonstratën. Me protestë kuptohet dalja kundër një qëndrimi, me demonstratë kuptohet demonstrimi, paraqitja e qëndrimit tënd. Demonstrimi i 21 janarit ishte dhuna dhe forca. Një televizion privat i kushtoi një kohë tepër të gjatë çështjes nëse doli apo jo Kryeministri dhe vëzhgoi nga dritarja. “Pse shef” është mentaliteti i të fortit, të cilët kërkojnë domosdoshmërisht dhe në mënyrë irracionale konflikte, përplasje edhe nëse nuk ekziston ndonjë arsye racionale.
Kjo është pasiguri politike, për sa kohë veprimi ngrihet mbi antilegjitimitet. E tërë fryma “protestuese” e fund-janarit, të jepte ndjesinë e një tentative për përsëritje të ‘97. Por të mos harrojmë, se ka një ndryshim rrënjësor me ato trazira të para 13 viteve. Tashmë Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe projektet “luajmë luftërash”, tingëllojnë tejet foshnjarake. Nuk ka bazë, as institucionale, as logjike, as reale. Duke qenë pjesë e NATO-s prerje kokash robespieriane, të kundërshtarëve politikë, nuk mund të ketë më. Atëherë, e vetmja rrugë e mbetur është të krijohet terror dhe frikë psikologjike.Ndërkohë krijohet edhe një pasiguri institucionale e rreme “Do rrijë në pushtet Berisha apo jo? Do bien institucionet, si ai i Parlamentit? Të krijojmë një gjendje psikologjike e ankthshme”. Jo vetëm drejtuesit e opozitës, por tashmë, por edhe njeriu më i thjeshtë, ka aq kulturë demokratike për të kuptuar që një qeveri nuk rrëzohet, as me protesta, as me sharje, as me fyerje. E gjithë kjo re e zezë pasigurie, kujt i shërben? “Të luash luftërash” është shndërruar “të luash frikërash” njerëzore, që është një nga sentimentet më të thella të instinktit njerëzor. Sot, aq më tepër që jemi në një periudhë paqeje, kërkojmë siguri. Pas sulmit të kullave binjake, e gjithë bota jonë ra, duke e lënë veten të drejtohemi nga terrori dhe menjëherë të gjithë u detyruam të kërkojmë siguri.Kreu i majtë u ekspozua ndaj tri humbjeve. Së pari, humbi shansin për t’u quajtur një lider evropian, drejt së cilës kemi tendencë të natyrshme. “Pas meje, ishallah përmbytje” është koncept luigjian dhe u përhap më tej në figurat diktatoriale. Së dyti, humbi përfundimisht reputacionin për një figurë dhe politikë “open-minded” dhe rikonfirmoi planet masone. Ai po rezulton mjeshtër i skenarëve të fshehtë. Në protestat e para një viti, askush nuk ishte në gjendje të zbulonte, deri në sekondën e fundit, planin e grevës së urisë. Të gjithë u shtangën përpara një mirorganizimi në detaj. E njëjta ndodhi me demonstratën e datës 21 janar, ku me sa duket vetëm agjenturat e huaja vunë në dijeni, për atë çka po thurej, duke sjellë paralajmërime paraprake, si nga BE-ja ashtu dhe nga ambasada amerikane. E treta, humbi edhe elektoratin e tij, i cili iu distancua, duke lënë në shesh jo më shumë se 300 vetë. Më pak se 300 metra, në Tiranë zhvillohej një jetë në normalitet.Në ato 100 metra, ku zhvillohej beteja, kishte shumë urrejtje. Politika e urrejtjes iu kthye në bumerang, pasi ai po godet jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të ardhmen e tij, si figurë politike personale. Nuk është vizionar, duke mos kuptuar, se deri ku është kufiri i tij.Kufijtë, që ne vendosim, na shpëtojnë nga kaosi dhe anarkia. Kemi rastin e qartë, të komshiut tonë jugor, Greqisë. Protestat e atjeshme të para ca kohërave, i vunë vulën perceptimit të rënies dhe shpërbërjes së shtetit. Duhet patjetër edhe ne të krijojmë këtë perceptim, sepse njëra palë ka humbur zgjedhjet? Një forcë politike nuk përbën Shqipërinë, sepse kështu bie në grackën e ideologjive komuniste. Dhe në fakt deklaratat e tij këtë tregojnë. “Një betejë që është për të gjithë grupet shoqërore në këtë vend. Është një protestë përtej së majtës”. Në fakt rezultoi proteste përtej së majtës, së djathtës, së qendrës. Ajo u bë pronë e krimit.Është dita e popullit (Ngjela) Kush është populli? Çfarë përfaqëson ai në një demokraci? Është masë amorfe? Është e drejtueshme? Është e manipulueshme? A mund të flasësh sot në emër të saj? Dhe këtu, dështon gjithkush, që i delegon vetvetes të drejtën, të flasë në emër të të gjithë popullit. Kjo ishte thembra e Akilit të komunizmit. Ata dështuan, sepse e konsideruan popullin një masë të njëtrajtshme, me unipersonalitet, me unipsikologji, uni-ideologji, unimentalitet, unishtresor, unipartitizëm. Demokracia është alternative dhe alternim. Kush janë këta përfaqësues të “Zërit të Popullit”? Ta lemë “Zërin e Popullit” thjesht një gazetë partiake.U konsiderua një situatë e dalë jashtë kontrolli, ku përfaqësuesit e PS-së, por tentonin fort, të shmangnin dhunën dhe nuk po ia dilnin. Kjo ishte show i një “Çorganizimi të organizuar”. Në 16 e 30 minuta filloi qetësimi i turmës, që deri në atë periudhë po godiste fort, me emrin e Edit në gojë. Më 16 e 30 minuta funksionoi pult-dirigjimi. Teori masone, “të krijosh një kaos, për të qenë ti faktori i zgjidhjes”. Deri në ato momente, situata ishte krejt kritike. Pas daljes publike të Ramës përfundoi skenari. Ata partizanë që dolën nga dyert e PS-së, me miell, vezë e këpucë, për të ndotur Kryeministrinë apo ministritë, hodhën gurë për të ndotur krejt Shqipërinë.Ishte pikërisht “Fiks Fare”, që denoncoi blerjen e disa protestuesve të PS-së, para një viti, ku njerëzit paguheshin me lekë në dorë. Edhe kjo demonstratë është e përfolur për një blerje spektakolare të demonstruesve, ku shifrat arrinin deri në 300 mijë lekë të vjetra, për ata që ishin në ballë për të nxitur dhunë.  Dhe historia, që nga antikiteti e në vazhdimësi, e ka treguar që diktatorët, të cilët kanë prodhuar diktaturë, kanë ardhur nga e majta, duke shfrytëzuar një ideal popullor, për ta përdorur më pas për interesa personale. Opsioni i zgjedhjes midis ekstremizmit dhe moderacionit është i tipit etik moral. Një popull i mençur, me kulturë dhe traditë demokratike, zgjedh moderatorin. Një popull i mençur dhe i moderuar preferon të limitojë dëmet, numrin e të vdekurve dhe të plagosurve edhe në kampin kundërshtar. Një popull vërtet i mençur nuk dëshiron kacafytje, përleshje. Ai preferon një konfrontim miqësor, megjithëse kjo mund të prodhojë hipokrizi, mashtrim apo iluzion.
Popujt e mençur dhe të moderuar megjithëse, mund të kenë rënë pre e diktatorëve në një periudhë të caktuar të historisë, dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur (moderatorin), në momentin e duhur për të prodhuar demokraci. Rama gjithmonë e ka treguar që është ekstremist. Ai sot shpërfill institucionet demokratike, parlamentin sovran i plurimendimit, ku do apo nuk do, me ligj apo me karton, moderohen edhe idetë më ekstremiste.  Protestat e zgjatura me muaj për të rrëzuar qeverinë janë modele të ndjekura gati prej 10 vitesh në Evropën Lindore dhe janë të quajtura revolucionet shumëngjyrëshe. Ky tip protestë-revolucion, është më i moderuar nga format e dhunshme të marrjes së pushtetit dhe prandaj merr ngjyrime portokalli, rozë etj.Në Shqipëri, morën ngjyrën e kuqe greva e urisë, pasi tek grevistët predominonin veshjet me ngjyrë të kuqe dhe se fundi ngjyrën e zezë, me protestën e 21 janarit. Këto revolucione synojnë që, nëpërmjet protestave “paqësore” të përmbysin pushtetin, sipas tyre, të korruptuar duke shkaktuar krizë politike dhe institucionale. Sot, revolucionet disa ngjyrëshe, konsiderohen të mbyllura. Ka shume arsye, përse ky model revolucioni është i mbyllur, sidomos për Shqipërinë. Një prej tyre është deklarimi i ndërkombëtarëve, ku Shqipëria cilësohet vend demokratik. Por, këta demonstrues dëshirojnë të revokojnë revolucionet.Lëvizjet e dhunshme po rezultojnë tendencë e të gjithë të majtës, e cila po përpiqet me të gjitha mjetet për të marrë pushtetin, pa programe dhe politikë të mirëfilltë.Nuk mundet të barazohemi me Tunizinë. Aty ishte një president i cili kishte zënë rrënjë prej 20 vitesh. Si filloi protesta, atje? Me një vetëflijim, duke hedhur një protestues benzinë vetes. Si filloi ne kryeqytetin e Shqipërisë? Duke flijuar të tjerët, duke iu futur thikën pas shpine, për të realizuar revolucionin e zi.Edi, më së shumti, mundet të ketë pasues politikisht, pasi është figura, apo truri i majtë, por nuk pasohet nga askush, si një figurë e gatshme të udhëheqë një luftë antikorrupsion. Projekti antikorrupsion “Hapur”, i USAID-it ka disa kaseta, ku janë të filmuara dokumente e fakte të korrupsionit brenda në bashki. Ai nuk është figura me kredibilitet për këtë luftë.Nga të gjithë shqiptarët, rrjedhimisht doli pyetja se përse pikërisht ne duhet t’ia kalojmë me kaq vështirësi, problemin e tranzicionit dhe patjetër të asistojmë non stop, me skena dhune. Vetë pozicioni gjeopolitik ka favorizuar shkëmbime force dhe pushteti, midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo është pasqyruar në pozicionimin e faktorit të brendshëm, kah njërit, apo tjetrit. Krahu i djathtë është pozicionuar historikisht, kah Perëndimi dhe krahu i majtë, kah Lindja.Historikisht, kah Perëndimi ka rezultuar shpëtimi ynë dhe kah Lindja, shkatërrimi ynë. Ende sot, e majta shqiptare drejtohet kah Lindja, nga armiqtë historikë shqiptarë. Ata kanë thurur planet më ogurzeza ndaj shqiptarëve, ashtu siç ishte ai i datës 21 janar. U përkthye kjo datë si dita e shpëtimit të shqiptarëve dhe kthesave të mëdha. Në fakt, ishte vazhdimi i planeve më ogurzeza, që janë luajtur historikisht nga Lindja, në kurriz të këtij vendi.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...