Nga Flori Bruqi
Kosova do ta kalojë vitin 2011 në izolim, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë. Për dallim nga vendet e rajonit, qytetarët e Kosovës edhe gjatë këtij viti do të jenë të detyruar t’u drejtohen ambasadave të shteteve përkatëse në vend po qe se dëshirojnë ta vizitojnë ndonjërin nga vendet anëtare të BE-së. Në fund të vitit që lamë pas, BE-ja hoqi regjimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, proces që përfundoi qysh në dhjetorin e 2009-ës për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.Pavarësisht deklaratave shpresëdhënëse të zyrtarëve kosovarë dhe atyre evropianë, Kosova ende nuk ka filluar dialogun zyrtar, e as nuk posedon strategjinë për liberalizimin e vizave me BE-në.Drejtorja e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, për radion Evropa e Lirë ka thënë se mungesa e dialogut zyrtar me BE-në për çështjen e vizave, krijon pasiguri te qytetarët e Kosovës lidhur me afatin kohor për këtë proces. “Mungesa e një dialogu formal në mes të Kosovës dhe BE-së për liberalizim të vizave, është ajo që i lë qytetarët e Kosovës – jo vetëm në izolim, por edhe në pasiguri të plotë lidhur me atë se kur, realisht, mund të presin të lëvizin pa viza”, thotë Hajrullahu për radion Evropa e Lirë. Sipas saja, për shkak të mungesës së një vlerësimi konkret të Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, është vështirë të parashikohet koha se kur Kosova do të mund të hynte në listën e bardhë Shengen.Mirëpo, autoritetet kosovare janë shprehur të bindur se kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë strategjinë për liberalizimin e vizave nga BE-ja. Ministri në dorëheqje për Integrime, Besim Beqaj, ka thënë se gjatë këtij viti institucionet kosovare do të përmbushin të gjitha kriteret e vëna nga Brukseli për t’i prezantuar ato në fillim të vitit 2012.
Riatdhesimi, ri-integrimi i personave të riatdhesuar, menaxhimi i integruar i kufijve, siguria e dokumenteve të udhëtimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të tjera vlerësohet të jenë kushtet kryesore, të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.Ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi, vlerëson se nuk janë zbatuar tërësisht këto kritere. Muharremi shprehet lidhur me synimin e ekzekutivit kosovar që në fillim të 2012-ës t’i ketë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme. “Duke i pasur parasysh të gjitha këto kushte dhe kritere të tjera, mendoj që është tepër ambicioze dhe nëse nuk ndodh ndonjë çudi në vitin e ardhshëm, Kosova nuk do të mund të hyjë në listë të bardhë të Shengenit në fillim të vitit 2012”, vlerëson Muharremi.Një deklaratë të ngjashme me atë të Beqajt, e pati dhënë, kohë më parë, kryeministri i vendit në dorëheqje, Hashim Thaçi, duke thënë se brenda 15 muajve të parë të mandatit eventual të ri si shef i ekzekutivit të Kosovës, qytetarët e vendit do të mund të lëvizin pa viza në shtetet evropiane.Ndërkohë, afati kohor për nisjen e dialogut zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u përmend së fundi nga përfaqësuesit e lartë evropianë ishte “shumë shpejt”