Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/30

Me fat martesa - Dramë nga Jusuf Zenunaj







«Me fat martesa» e Jusuf Zenunajt në gjuhën rumune


Pas librit me poezi Prej shkëmbit rrjedhin lotë, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht drama Me fat Martesa, e poetit dhe dramaturgut kosovar, Jusuf Zenunaj. Është vepra e parë e një autori nga Kosova, të cilit i botohet një dramë në gjuhën rumune. Libri Me fat Martesa, de facto, del në dy gjuhë (shqip dhe rumanisht), duke patur për ideator Jeton Kelmendin, redaktor të versionit në gjuhën rumune, Mihai Antonescun, autor të pikturës në ballinë, Ramë Ukajn, ndërsa autorë të përkthimit, Adriana dhe Sherban Tabaku. Libri del në dritë nën përkujdesjen e redaksisë së revistës Albanezul / Shqiptari. Nga Përmbajtja : Bibliografia në gjuhën rumune, drama e Jusufit në gjuhën rumune, drama e tij në gjuhën shqipe, dhe bibliografia në gjuhën shqipe. Subjektin e dramës përkatëse e gjeni në luginë të këtij prezantimi të shkurtë, që ka për mision njohjen e lexuesit me afirmimin e vlerave shqiptare edhe në gjuhë të huaja. Kush ka kohë mund ta lexojë ngase është fjala për një subjekt delikat ku gërshetohen elemente të tradhëtisë bashkëshortore dhe tema tjera që ndërlidhen me Kosovën dhe jetën e shqiptarit në mërgim.



Mysafiri i Drakulës - Libër nga Vladimir Marku



(Tregime nga autorë të ndryshëm)

Përktheu nga anglishtja dhe përpiloi: Vladimir Marku

Në vend të parathënies

Dikur përktheja tregime që më pëlqenin, pa menduar se ato do ta ndjenin veten më mirë në ndonjë gazetë, revistë apo libër. Në tollovinë e dy dhjetëvjeçarëve të fundit, vura re, jo pa çudi, se shumë prej këtyre tregimeve, shtypur në makinë shkrimi, pothuaj të palexueshëm dhe të zverdhur prej kohës dhe mospërfilljes, kishin mbijetuar. Bredhur kisha nga të katër anët dhe shtëpi ndryshuar kisha plot herë, ato tregime ishin aty. Pa gjasa të ishin aty, por të paharruara në mendjen time. E si mund të harroja “Mosha për dashuri” të Pol Burzhesë, idesë të së cilit i jam referuar në romanin tim të parë “Kapitulli i Fundit”, shkruar në Greqi dhe botuar në Tiranë, tek “Marin Barleti, në 1992? Po si mund të dilte nga mendja ime Xhek Londoni me “Kur qeshin perënditë…”?
Dhe u ngrita një ditë të gërmoja në dosjet e mia, sepse i kisha premtuar Z. Zyhdi Morava tregimin “Mosha për Dashuri” për gazetën “Drita”. Përfundova këmbëkryq mbi dysheme dhe gishtërinjtë filluan të shfletonin miq të vjetër që psherëtinin pluhurin e harresës. Derisa … ja … ja edhe një tjetër, sikur të dalloja përmendore e lexoja epitafe në një panteon “vuajtësish”, siç janë shkrimtarët: Xhek London, Katherin Mansfield, Pol Burzhe, Marcel Prevost, Reeve, Zhan Ajkard … dhe ideja lindi. T’i fus në një libër. Më erdhi keq që nuk gjeta një tregim për Shekspirin në natën e tij të parë të vënies së një drame në skenë, ose një tregim tjetër me një titull ku kishte fjalët “Kompleksi i Edipit”, nëse e mbaj mend saktë. Gjithashtu edhe një tregim mbi Venusin e Illosit … Nuk lashë vend pa kërkuar në shtëpi e në internet. Pa sukses dhe nga “inati” vizitova dhe huazova nga një tregim nga Fitzgerald, Fokner, Uajld, Poe, Mopasan, Hawthorne, Kafka etj. Shokët e mi e morën vesh dhe më sugjeruan të mos lija jashtë Borgesin dhe Chopin.
Po Markesi, Greene, Joyce … oh, sa shumë shkrimtarë të mëdhenj që ka, yje dhe megayje, konstelacione … ka gjithmonë jetë për jetëgjatët si ata.
Hmm, diçka nuk shkonte dhe ajo gjë që nuk shkonte më rrinte para syve në kompjutër: Çehovi, Kuprini, Turgenjevi, Paustovski … Po si mund të kishte një vëllim pa Çehovin? Dëgjova klithmën e pulbardhës dhe para syve kisha “Mbi dashurinë”. U mata disa herë t’i hyja përkthimit, por e lashë, titullpërkthyer, me premtim. Një vëllim më vete për autorët e lindjes do të ishte më me vend. Kafka duket se ka “shtetësinë e dyfishtë”. Shokët e dashur ma miratuan idenë, shokë që i dua shumë dhe më gjenden pranë me një këshillë në kohën e duhur. Dhe ja ku e keni këtë vëllim tregimesh në dorë. Gjatë përkthimit e ktheja tregimin nga autori dhe pastaj nga ju, dhe anasjelltas. Mos resht, miku im …


Mysafiri i Drakulës


(Tregime nga autorë të ndryshëm)

Përktheu nga anglishtja dhe përpiloi: Vladimir Marku

© Vladimir Marku

Përmbajtja:


- Mosha për dashuri - Nga Pol Burzhe
- KUR QESHIN PERËNDITË - Nga Xhek London
- Morela - Nga Edgar Allan Poe
- Gjigandi egoist - Nga Oskar Uajlld
- Rrënojat rrethore - Mga Jorge Luis Borges
- Përpara ligjit - Nga Kafka
- Psikologji - Nga Katherine Mansfield
- Pranë kufomës së Shopenhauerit - Nga Guy de Maupassant
- Një trëndafil për Emilin - Nga William Faulkner
- Krimineli - Nga Fitzgerald
- Egoizmi; ose Gjarpri në gjoks - Nga Nathaniel Hawthorne
- Një grua e respektueshme - Nga Kate Chopin
- Gruaja dhe macja - Nga Marcel Prèvost
- Vazua prej Argjile - Nga Zhan Ajkard
- Në kafaz - Nga L. E. Reeve
- Pasqyra - Nga Katulle Mendès
- Zemrat e Humbura - Nga M. R. James
- Mysafiri i Drakulës - Nga Bram Stoker
- Dashuria e parë - Nga Emilia Pardo-Bazan
- Heipni - Nga Alan Paton
- Ishulli prej betoni - Nga J. Roxher Beikë
- Rasti i vjedhjes së Programit Politik (Rrëfyer nga doktor Uatson)



http://www.gazetakritika.net/literatur/mysafiri/mysafiri_d.html

Polonia, unë dhe bjondet - Nga Vladimir Marku





Rrallë në jetë mund të ndodhë të njohësh një njeri aq të këndshëm dhe erudit sa Vladimir Marku. Jashtë të gjitha konvencioneve dhe manive tipike shqiptare të të dukurit, Ladi përpiqet të japë e të marrë gjithçka është jetësore në marrëdhënie me njerëzit. I panegociushëm si edhe në këtë libër, realist e kompromentues.





Polonia, unë dhe bjondet - Nga Vladimir Marku

(Libër alternativ)

Rrallë në jetë mund të ndodhë të njohësh një njeri aq të këndshëm dhe erudit sa Vladimir Marku. Jashtë të gjitha konvencioneve dhe manive tipike shqiptare të të dukurit, Ladi përpiqet të japë e të marrë gjithçka është jetësore në marrëdhënie me njerëzit. I panegociushëm si edhe në këtë libër, realist e kompromentues. - Mimoza AHMETI

(Pasi të lexohet ky libër, në Shqipëri dhe Kosovë do të ketë modë floku në përputhje me personalitetet e vajzave)

http://gazetakritika.net/literatur/poloni/polonia_bjondet.html

Mister në Virpazar - Roman nga Vladimir Marku




Nëpërmjet romanit, “Mister në Virpazar”, Vladimir Marku na paraqet një ngjarje virtuale misterioze mbështetur mbi konceptet e tij sureale, mbi subkoshiencën, forcat okulte dhe haluçinacionet. I tërë romani në thelb ka enigmën e lëvizjes së shpirtrave dhe fantazmave, nëpërmjet të cilave autori kërkon të “gjallojë” botën e fshehtë, atë të përfytyrimeve mbushur me tension, dashuri dhe frikë, ku realja dhe irealja shkrihen në dimensionet e njëra tjetrës. Ai thotë se përtej fasadës fizike të sendeve dhe objekteve, të kohës e hapësirës, ekziston edhe një plan tjetër, i cili duhet të merret parasysh sepse pikërisht aty ndodhet energjia potente e një lënde të padukshme e cila kapet nga shqisat tona paranormale. Ideja e tij e kapërcen dukshëm kufirin e referuar të fantazisë dhe realitetit dhe arrin deri në përcaktime filozofike. “E vërteta, thotë ai, në të vërtetë, shkon kaq larg sa, në fakt, ne nuk e njohim atë”. Ai këmbëngul mbi llogjikën shkencore të dukurisë, madje jep edhe ide interesante mbi ndikimin e fushës ndërgjegjësore, e cila na kujton ritet e hershme pagane të festave të natyrës dhe lutjet e popujve të ndryshëm primitivë për të ndikuar mbi fenomenet e natyrës dhe pjellorinë e tokës. Duket sikur autori çertifikon dukuri të tilla dhe beson në efektet e tyre “çudibërëse”. Proza e Markut, synon kështu të lëvrojë parcela të reja intriguese duke na sjell emocione të thella dhe ndjesi të holla. Ai mëton të na ndërgjegjësojë se rreth e qark vetave tona si dhe brenda tyre, zhvillohen jetë paralele dhe hierarkike më të larta e më të pastra se sa ajo që preket e zhvillohet përditë para syve tanë. Ai mëton gjithashtu të na ndërgjegjësojë me kulturën e një fushe jo shumë të populluar tek lexuesi shqiptar. Është pikërisht ky tipar që e bën atë një prozë të shpenguar dhe rebele në ndjekjen e hullive letrare të traditës së derisotme. (Nga Nuri Plaku)

http://gazetakritika.net/literatur/mister_vir/mister_ne_virpazar.html


Roli Pellazgo-Ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve Evropiane



Libër nga Elena Kocaqi

Historianët flasin dhe shkruajnë për kulturat e krijuara nga popuj prehistorik dhe historik, por në lidhje me etnicitetin e popujve që krijuan këto qytetërime, ata flasin pak ose aspak. Me ose paqëllim ata e trajtojnë problemin e etnisë së këtyre popujve si çështje jo parësore. Duke lënë pas dore një temë të tillë, shpesh janë bërë edhe gabime trashanike në histori, pasi nuk janë studiuar kultura dhe gjuha e kombeve, që janë pasardhës direkt të këtyre popujve antik, me qëllim që të nxirret në pah e vërteta historike.

Kanë qënë historianët e huaj dhe veçanërisht austriakët, gjermanët dhe së fundmi amerikanët, që i kanë mëshuar me të drejtë rolit të etnisë më të vjetër evropiane. Kjo çështje fatkeqësisht nuk është parë fare nga historiografia shqiptare, pasi historianët shqiptarë janë marrë më tepër me vërtetësinë se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve, gjë që nuk diskutohet fare nga qarqet e historisë botërore, duke lënë pas dore shtrirjen dhe rolin etnik pellazgo-ilir dhe kulturën e tyre.

Historianët shqiptar duhet të jenë të parët që të shkruajnë, pasi një mangësi e historianëve të huaj është mosnjohja e gjuhës shqipe, e cila është çelësi i zbërthimit të kësaj historie. Edhe nëse ata do të dinin shqipen, nuk do njihnin dot dialektet dhe nëndialektet e saj të cilat edhe unë që jam shqiptare, nuk i njoh në nivelin e duhur.

Sigurisht që historianët dhe gjuhëtarët e huaj, nuk dinë se shqipja gjendet në të gjitha gjuhët e Evropës dhe në të dy gjuhët klasike antike, të cilat pa shqipen shpesh nuk kanë kuptim. Kjo gjetje e shqipes në këto gjuhë është justifikuar nga disa historianë që nuk dinë asnjë fjalë shqip, si huazim që ka bërë shqipja dhe në mënyrë tepër naive edhe gjuhëtarët e Shqipërisë, vazhdojnë t’u mbajnë këngën duke mos bërë asnjë studim serioz në lidhje me këtë çështje.

http://www.gazetakritika.net/literatur/pellazg/roli_pellazgo.pdf

Realiteti shqiptar në romanin e ri të një shkrimtari në Diasporë


Shkrimtari Thani Naqo dhe romani i tij i ri ''Murmashët''

Realiteti shqiptar në romanin e ri të një shkrimtari në Diasporë


Nga Alfred Papuçiu


Kushdo që zbret në Tampa të SHBA, nga bashkëatdhetarët, do të gjejë një pritje të ngrohtë nga ata që janë vendosur aty prej vitesh. Cdonjeri prej tyre ka një histori të veçantë. Dikush është mbyllur në vetvete dhe sheh vetëm mundësinë për një jetë më të mirë për familjen. Por ka edhe nga ata që mendojnë edhe për të mirën e bashkëbesëlidhësve të tjerë. I kudo ndodhur është njëri prej tyre, që përveç punës së përditëshme, bisedon me bashkëkombasit e tij, jep mendime dhe i dëgjon ata, gjen kohë për të hedhur në letër mendimet e tij për shoqërinë, jetën e bashkëatdhetarëve, hallet dhe gëzimet e tyre. Ai quhet Thani Naqo që vjen nga një familje e dëgjuar e Ziçishtit. Gjyshi i tij ka qënë vendosur prej kohësh në Amerikë dhe aty i la kockat e tij. Edhe të afërm të tjerë aty i kanë varret e tyre, apo të tjerë nuk dihet ku prehen…Thani i kujton ata here pas here dhe rrëmon për të ndërtuar gjenealogjinë e familjes së afërt dhe të largët… 
GK
Libri i tij i parë me tregime, “Shtëpia e përgjumur”, është botuar në vitin 1977, kur ishte student në Fakultetin Ekonomik.  Njëri nga recezentët ka qënë shkrimtari Dritëro Agolli dhe, në kapakun e dosjes ku qe dorëshkrimi, ai kishte shkruar : të botohen kështu siç janë. Botim të parë për publikun Thani kujton tregimin “Duke kërkuar manarin”, i cili fitoi çmimin e parë në konkursin e letrarëve në Korçë. Gazeta Bashkimi e botoi atë. Ka qenë pragdimri i vitit 1972. Ishte gjimnazist, mustaqe porsadirsur dhe ende nuk kishte vënë brisk në faqe.  Pastaj ai nisi të botojë libra me poezi, me tregime, romane, të shkruajë skenare filmash…Fitoi dhe çmimin e dytë me poezinë për Nënë Terezën, dhënë nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë. Poezitë dhe lirikat e tij përmbajnë nota realiste për vëllezërit e tij nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ndër të tjera ka botuar librat me poezi dhe lirika “Fate paralele”, “Capkënet e mëhallave të botës” “Sinfonitë e stinëve”, romanin “Përgjumje iluzionesh”, skenarin e filmit “Përsëri pranverë”., etj.
Dikush mund të thotë nga ju se unë jam tepër entuziast kur është fjala për poezitë, tregimet, romanet e shkrimtarit Thani Naqo që jeton  në Florida të SHBA. Por e them pa doreza se pas botimit të disa vëllimeve me poezi dhe lirika, romani i fundit i tij "Murmashët" është pritur me tepër interes nga lexues edhe në Largo e Clearwater të Floridës, ku unë pata fatin të kem në dorë kohët e fundit romanin me autograf nga autori. Disa prej tyre ja kanë shprehur edhe Thanit në bisedat e lira, por unë mendova se me disa rreshta të shpreh atë që ndjejnë ata duke lexuar këtë roman, që shënon një arritje të shkrimtarit tonë të urtë, të ditur e me vizion të largët. Jo vetem shkrimtarë, por edhe lexues të pasionuar pas letërsisë shqipe, miq të tij në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Amerikë e gjetiu, në mesazhet e tyre shprehen se shpesh në personazhet e sjella në roman prej Thanit ata gjejnë veten apo atë të bashkëbesëlidhësve të tyre. 

- Romani përmban shumë nota reale, nga jeta e përditëshme e bashkëkombasve tanë jo vetëm në Amerikë por kudo ku ata jane vendosur përkohësisht apo përgjithmonë.
- Thani Naqo është një vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar në Shqipëri por edhe në Diasporë. Siç shprehet vetë autori: “Në romanin Murmashët i kam mëshuar më tepër realitetit të përjetuar dhe fantasia letrare mbështet qëllimin tim. Realiteti në këtë libër është konceptuar nga këndvështrimi një emigranti të rregjur në botën Perëndimore.  Ndjesitë dhe subkoshiencën e tij ia përcjell lexuesit shqiptar. Ky pozicionim në këtë vepër është krejt i ndryshëm nga pikpamja tradicionale shqiptare dhe kjo do ta bëjë që lexuesi të përdredhë vetullat i habitur. Pra, lexuesi do të ndodhet midis përplasjesh moralesh tradicionale të nacionaliteteve botërore. Ajo, që për botën e zhvilluar Perëndimore është e natyrshme, për tradicionalizmin shqiptar shfaqet me nuanca dramatiko-tragjike”.
- Gjuha e qëlluar e përdorur në roman i përshtatet tepër personazheve të krijuara prej tij.
- Romani lexohet me një frymë dhe është e vështirë të shkëputesh prej tij kur fillon e lexon. Shume prej lexuesve kanë qëndruar edhe në orët e vona të natës për të parë ecurine e romanit dhe të personazheve të tij. “Murmashët" nuk është aq shumë fantazi, sepse ajo është bota e brendëshme njerëzore.
- Pas romanit të Thani Naqos "Pergjumje iluzionesh", lexuesi ndjen se ka një vazhdimësi figurash të arritura dhe ngjarjesh që lidhen me Diasporën shqiptare këto vite të tranzicionit.
- Tek Thani Naqo sheh të mishëruar figurën e shqiptarit patriot dhe të palodhur që me art dhe me një penë te hollë sjell ndjenjat, pasionet, virtutet, dashurinë, mallin, si dhe traditat e mira të bashkëkombasit. I uroj nga zemra shkrimtarit tonë Thani Naqo të vazhdojë të shkruajë dhe të na japë vepra të tilla të arrira që i duhen lexuesit shqiptar, përballë një morie veprash të autorëve të huaj që shpesh me pa të drejtë serviren nga shtëpitë tona botuese dhe reklama maramendëse e tyre. Nuk jam kundër paraqitjes së vlerave të veprave të shkrimtarëve të huaj me zë, por jo që çdo gjë e huaj të na serviret dhe të harrohet letërsia e bukur shqipe. Do të uroja qe romani “Murmashët » të përkthehej edhe në gjuhën angleze pasi nderon letrat shqipe. 


Murmashët - Roman nga Thani Naqo

(Demonët bëjnë sikur flenë)


1
Letrën e kishte lexuar disa herë dhe sot në mëngjes Artan Bareli pati ndjesinë se ç’shkruhej në të i dinte të gjitha përmendësh. Ardhja e Anita Traboninit në Amerikë i zgjoi kujtesën e një çerek shekulli të shkuar dhe ai kishte rënë në kurthin e ankthit që sjell pritja. 

Ndezi cigaren dhe hodhi shikimin mbi kurorat gjigante të pemëve tropikale. Tufa e shpendëve murmashë oqeanorë vinte rrotull mbi to dhe kjo i kujtoi se shiu do të befte së shpejti. Thëthiu etshëm cigaren dhe pa dashje i doli psherëtima që u pasua me rrathë tymi mbi kokën e tij. 
-Eh, Anita Trabonini - tha gati me zë. 
Termometri amerikan tregonte 90 gradë nën hije, zagushi e mbetur pezull, por e nxehta e tropikut Artan Barelin nuk e bezdiste aspak. Nëse qëndronte në sallonin e pritjes, atij i duhej të përballej me ankimet e përditshme të nënës për dhimbjen e kockave nga reumatizma, ndërsa pompa, që përdorte i ati me astmë, lëshonte kërcitje dhe atij i linin përshtypjen se dikush ecte përmbi lajthi. 
Pasioni i dikurshëm për gdhendje në dru iu rizgjua tre muaj të shkuara kur ai u ndje i ngeshëm nga papunësia për shkak të krizës ekonomike. Rastësisht i pati zënë syri në një garash-shitje gleta, thika dhe çekiçë; i zoti i tyre kishte ndërruar jetë dhe, mikesha e tij, trupmadhe e tejet e shëndoshë, i kërkoi dhjetë dollarë për to. 
-Mjaftojnë për qirinjtë e përshpirtjes - kishte thënë ajo, ndërsa ai u pati hedhur një sy relieveve në dru. Talenti i gdhendësit të vdekur tregonte haptazi maninë e tepruar ndaj frutave dhe perimeve.
-Ishte vegjetarian. Sa kam unë njërën këmbë - kishte bërë shaka e zonja e shtëpisë - aq peshonte trupi i Xhonit. Ama, i tha lamtumirë kësaj bote, i ngopur me të gjitha - dhe ai mezi kishte mbajtur të qeshurën kur përfytyroi skenën romantike të seksit të tyre.


LIRIZMI NË ART

Nga Thani Naqo





Sa emra krijuesish lirikë në llojet e artit rënditen në trojet dhe rrethinat korçare?

Janë shumë dhe asnjëherë nuk kanë për tu sosur.

Prozatorë të tregimit, novelës dhe romanit. Dramaturgë dhe komedianë. Skenaristë dhe kineastë. Kompozitorë, serenatistë të famshëm, piktorë, fotografë, aktorë dhe...ca më shumë poetë!

Talentin e tyre e ka tërhequr kërraba e muzës nga lirizmi dhe lirizmi përshkon jo vetëm prozën, artin skenik, artin kinematografik, por edhe pikturën, fotografinë, muzikën dhe...ca më shumë poezinë!

Në këtë trevë të gjërë, me strumbullar Korçën, trevë e cila shtrihet nga maja e Gramozit dhe ndjek rrjedhën e lumit emërmadh Devoll dhe shkon gjer në Shën Naum ,e gjer në Kolonjë, është kultivuar shija krijuese nën presninë e bukurisë natyrore, e ndërthurur me ndikimin e kulturës ndërshtetërore ballkanike, por ky ndikim shkon edhe ca më thellë, deri në Kërthizë të Evropës, piqendra e mërgimtarëve të këtyre trojeve.

Të përkundesh nën rritmin e këngëve të djepit, të përkundesh në krahët e nënës që vë në gjumë fëmijën me këngën rritmike, të përkundesh në preherin e gjyshes që tregon e ritregon përrallat dhe legjendat më të magjishme dhe ca më shumë, të rritesh nën tingujt e kitarave të serenatave dhe të dashurosh nën ndikimin e magjishëm të vargjeve dhe muzikës lirike, jeton me lirizmin e jetës dhe nuk mbetet boshllëk në jetën e kujtdo.

Të gjitha këto që përmënda pak më lart kanë ndikuar në formimin e karaktereve krijuese.

Vargjet lirike bëhen këngë edhe atëherë kur ato duan ti pengojnë sepse magjia e tyre i jep guxim muzikantit të hedhë në pentagramin e zemrave melodi lirike.

Më shkon mendja se edhe i famshmi Vangjush Mio, ndërsa penelonte mbi kanvacë përfytyrimet e tia, patjetër ka fishkëllyer këngët e bukura korçare dhe talenti i tij shpërrthente nën tingujt e kitarave të serenatave duke i dhënë gjallërinë peizashit, me ato kombinime ngjyrash, pikërisht ashtu sikundër e dëshironte një qytet i civilizuar.

Atëherë, përse në pikturën e tij gjeniale ka aq shumë lirizëm?

Lirizmi, në çdo fushë të artit, përcjell mesazhin e çiltërsisë, gjallëron artin e prozës, por ca më shumë rrit magjinë e poezisë.

Lirizmi përcjell mesazhe të hapura e të fshehta në zemrën e dashuruar dhe ai, lirizmi, ka sfiduar edhe censurën më të egër komuniste, siç ka qënën ajo e jona. Nëpërmjet këngëve të serenatave korçare lirizmi shtriu rezonancën edhe në rrethinat e tjera në Kolonjë, Devoll, Poradec, por i shriru rrënjët gjithandej trojeve shqiptare.

Poezia lirike nuk është bejte sikundër mund të mendojë dikush. Poezia lirike është më e vështira në gjininë e poezisë. Kërkon kohë dhe durim për të lëmuar vargun dhe krehur edhe gërmën e tepërt. Kërkon shkallën e tejnjohjes të krahasimeve dhe kompleksitetit natyrë-qënie humane, sepse pa metafora dhe pa ndjeshmërinë e hollë që përcjell detajet artistike, duke ia përshtatur shijeve të kohës, ajo nuk do të quhej POEZI LIRIKE.

Kërkon tempin dhe rritmin muzikor, pa të cilën, ajo do të çalonte, do te mbetej e shurdhuar dhe melodi pa vlerë.

Është vargu më i civilizuar, i ndjenjave intime të zemrës. Lirizmi nuk ka drojtje dhe nuk do t'ia dijë për çensurë dhe autoçensurë dhe as për hezitimet patriarkale, por mbjell lule edhe në kopshtin më intim të femrës dhe mashkullit. Lirizmi në art nuk është perversitet dhe amoralitet, sikundër mund të mendojë dikush. Shpesh bëhet kaq i "paturpshme"" sa mer guximin civil të pudrojë arome djalërie dhe vajzërie. Poezia lirike, proza që përshkuhet nga lirizmi, kënga, komedia, kinokomedia, etj, kërkojnë ndiimën e humorit lirik më të hollë kur vjen çasti për të shprehur bukurinë e natyrshme.

Lirizmi në art bashkon në një shtrat të bukurën e natyrës me hijeshinë e qënies humane.

Poezia lirike është maja e majave në artet botërore, sepse ajo, poezia lirike, nuk ndjehet e lirë në një Atdhe jo të lire dhe pikërisht për këtë, e gjen shtegun në çaste gazmore për t'i kënduar me zjarr edhe lirisë dhe pleks erotizmin me lirinë si dy pjesë të pandashme të jetës.

Lirizmi, në çdo fushë të artit, nuk është perversitet dhe as amoralitet, nëse këndohet çiltërsisht.

Ti këndosh dashurisë, edhe asaj më intimes, nuk është sakrilegj.

Lirizmi, në çdo lloj arti, lë shpirtin e lirë në ëndërrimin idilik, pa të cilën nuk ka kuptim jeta. Nëpërmjet ëndërrimit përsoset subkoshienca, zbukurohet shpirti njerëzor dhe rritet komunikimi poetik midis njerëzve dhe përmirëson jetën e kujtdo. Lirizmi në arte trasmeton tek të tjerët harmoninë që ndjen krijuesi, pavarësisht nga "kusuret" që bien mbi të nga lexues dhe shikues mediokër dhe patriarkalë.

Lirizmi ka guximin të shkulë nga rrënjët trishtimin dhe ankthin dhe nuk e pranon vargun e përçudnuar.

Lirizmi ka marë përsipër barën e rëndë shekullore që t'i këndojë jetës, t'i japë shprese asaj, t'i thurrë hymn edhe lules së veshur me gjemba.

Mirëpo herë- herë bëhet tekanjoz, shfaqet delikat, lodron dhe loton por, shpejt e gjen çastin e volitshëm dhe shpërrthen dufin e humbjes duke hapur shtegun e ri të shpresës.

Lirizmi ngre në valle fukarain, sepse kënga nuk është monopol. I këndon shpresës se e nesërmja nuk vonon. Nuk do t'ia dijë aspak se tavolina është e mbushur me mishra të pjekura dhe verëra të zgjedhura, mjaftohet edhe me një qepë, një kokër ulli dhe, me gotën e parë, shpërthen në harmoni ndjenjat dhe të bën të harrosh se je i varfër. Lirizmi nuk druhet t'i këndojë djaloshit, i cili "në një tra e mban shtëpinë" dhe kjo nuk e pengon të bëhet dhëndërr. E nxit poetin dhe poeti vë në seder lexuesin t'i kacaviret pa frike qiellit dhe t'a rrëmbejë hënën e nxehtë flori, për një unazë dhe gjerdhan për të dashurën e tij.

Lirizmi mbush me ndjenja zemrën ku strehohehen dashuritë.

Arti lirik nuk çirret, nuk deklaron, nuk pranon përçartjen poetike, por ai nuk pranon as miqësinë me ndjenjat e ftohta. Nuk i pëlqen të flasë për pushkë, por përgatit shpirtin atdhetar që të rrëmbejë pushkën kur e lyp nevoja. Nuk u këndon reve kërpudhore, as raketave dhe bombave, as stralleve dhe gjakderdhjeve. Ngre tempuj humanë dhe jo kështjella.

I këndon ditës që lind, vesës në livadhe, i këndon aq bukur femrës që "mbi bar në kuriz ka rënë", mbasi në atë cast mbillet fara e jetës dhe "guguçja mbi degë gugit".

Mëkon krijuesin me qumështin e qënies njerëzore.

Shpeshherë shfaqet fondamental, pasi shpirti nuk i ndahet lehtë nga natyra që e ka lindur, por gjen shtegun dhe arrtaiset nga burgu i partiarkalizmit.

I këndon natyrës dhe ngjyrat e saj ia penelon qënies humane.

Mbjell në zemër farën e lirisë dhe të rebelizmit. Lirizmi, në çdo fushë të artit, përligj dëshirën për heroizëm dhe flijim.

Bart magjinë, që të kujtojn në çdo çast, se jeta është e bukur, sado e vështirë, ajo duhet jetuar. Nuk bën pazar me biznesin e hidhur të fjalës, por e tret atë dhe ka guximin t'i tregojë krijuesit se çfarë e pret atë dhe pasuesit e tij nëse i këndon ndryshe jetës.

Tallet me vargonjtë e hidhur kur robërojnë shpirtin dhe ndihmon qënien humane të jetojë ndryshe. Hap lajmin e gëzueshëm dhe mbledh njerëzit gazmorë. Nëse dikush nuk është formuar i tillë, d. m. th. hokator e gastor e i çiltër, ajo ka magjinë dhe e ndryshon atë shpesh brenda një nate.

Qesh me krijuesin e vetmuar, ia shkel syrin dhe i flet me guxim:

Qesh, mos u bëj mjeran!

Mos var vetullat.

Këndo!

Jeta është edhe këngë!

Përmasat e madhështisë të çdo dashurie ia dedikojmë lirizmit dhe i detyrohemi vetëm atij.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...