Nga Ismail Kadare
Paris, 21 maj 2011
Ndërkohë që tensioni postzgjedhor në
Shqipëri është rritur për shkak të rezultatit ende të pashpallur, ka
reaguar nga Parisi shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili i ka
propozuar sot kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha të
tërhiqet nga kandidimi i tij për bashkinë e Tiranës.
Përmes një letre të hapur shkrimtari ynë i madh e këshillon
kandidatin demokrat se tërheqja e tij nga kjo garë do t’i nderonte të
gjithë dhe do të ishte një shans për zgjidhjen e kolapsit politik që ka
mbërthyer vendin.
“Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të
paqartë, do t’ju propozoja një gjest, që, sot për sot është i rrallë,
gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi
për kryetar bashkie”, thotë Kadare.
Kadare shkruan se ia drejton këtë letër të hapur kandidatit Basha me
shpresën se propozimi që i jep do të ndihmojë në zgjidhjet e kolapsit
politik.
“I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë
vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të
ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur
jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”, shkruan në fillim të letrës
shkrimtari ynë i madh.
Kadare saktëson gjatë letrës se “Që të jem i saktë gjer në fund, do
të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsie
etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik”.
Kadare shprehet se këtë propozim ia bën Bashës duke menduar se tërheqja e bashës është më e lehtë pasi ai është në pushtet.
“Propozimin për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por
mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet,
sesa për tjetrin , që është shef i opozitës”, thotë zoti Kadare.
Shkrimtari madh, mendon sakaq se tërheqja e Bashës do të jepte një mesazh të drejtpërdrejtë për brezin e ri.
Ai thekson se me këtë propozim për tërheqjen nga gara për Tiranën ai e nderon kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Letra e plotë e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar Lulzim Bashës
Zoti Lulzim Basha,
I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë
vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të
ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur
jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.
S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi,
që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së
brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte
fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.
Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili
nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar
politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër
pikëpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit
do të ishte i drejtë dhe i saktë.
Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër
të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të
kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është
nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë
kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të
paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë,
gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare : tërheqjen nga kandidimi
për kryetar bashkie.
Nuk e kam vështirë të marr me mend , në këtë rast, reagimet e
militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e
gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë
asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të
popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë
propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje
preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë
ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja
secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për
ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës.
Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë
apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin
gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e
ka vështirë të jetë me njërën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt
mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të
gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.
Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se
gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar
të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja
nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një
fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë
fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar,
I.Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes
shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive
europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.
Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të
qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është
një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të
emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se
mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.
Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin
e ri shqiptar, duke pêrfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i
tillë, përpara se të nderojë një politikan, një krah apo një stinë të
politikës, na nderon të gjithëve.
Jemi mësuar me shprehjen “turp i përbashkët”, që mirë a keq, e kemi
përjetuar gjatë shumë viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër: “nder
i përbashkët”. Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.
Miqësisht, me shpresë,
Ismail Kadare, shkrimtar
Paris, 21 maj 2011
“Piovra”
asht nji polip deti me 8 kambë (oktopod), me bulb pa shtyllë kurrizore,
që merr forma të ndryshme simbas nevojes. Ajo e ndrron ngjyren simbas
ndryshimeve të ambjentit. “Piovra” leshon nji lang të zì si boja e
shkrimit per ta çorjentue dhe per ta gllabrue viktimen, si dhe per tu
kamuflue. “Piovra” asht titulli i filmit televiziv mbi mafien italiane
ku rolin kryesor e ka luejt Mikele Plaçido.
“Piovra” komuniste shqiptare!
Gjatë diktatures staliniste në Shqipni u persekutuen patriotët dhe intelektualt shqiptarë me kulturë demokratike europiane. Drejtimi
i vendit rà në duert e kuadrove të pregatitun në vendet antishqiptare
Beograd e Moskë dhe ma vonë në Pakin. Këto kuadro drejtojnë edhe sot
Shqipninë. Mbas rrëzimit të diktatures, këto u ndanë në dy grupe: Në ate
“Ngjyrë Rozë” dhe në ate “Ngjyrë Blù”, me nji trajner të perbashkët
Ramis Alinë. Shqiptart që dolen jashtë e ndjekin me dhimbje të madhe
rivalitetin e tyne per grabitjen e pasunisë kombtare dhe per pasunimin
sa ma shumë në dam të shtresave te thjeshta të popullit. Shqiptart e
mbetun në Shqipni janë të pafuqishme të ndrrojnë situaten per shkak se
vendi asht i kaperthyeme politikisht dhe ekonomikisht nga kjo “Piovra”
mafjoze komuniste. Nji nder elementët e sajë aktiv asht edhe shkrimtari i
diktatures komuniste Ismail Kadaré, të cilit i kan vue në dispozicion
të gjitha mjetet e komunikimit publik dhe nuk lejojnë asnjeri ti
kundravehet. Ismail Kadarè me parulla të shtira demokratike dhe
atdhédashurie shperndanë vazhdimisht dhe e ndot ambjentin mbarshqiptare
me atë langun e zì per të mashtrue viktimat e tija naive. Ai arrine deri
në atë pikë megallomanie sa të pohojë se ikja e tij në Francë në
shtator 1990 paska qenë nji goditje e rand per ramjen e komunizmit në
Shqiperi, në nji kohë që të rijtë e futun neper ambasada i quejti
jashtëqitja e shoqnisë shqiptare. Kur para diktatorit Enver Hoxha janë
dridhë të gjithë ç’prej kryeministrit Mehmet Shehu e poshtë dhe janë
eleminue të gjithë si flluska sapuni, kush e beson se e paska pasë zor
diktatori me eleminue nji shkrimtar të madh me idè demek “liberale” si
Kadarè po të mos i kishte sherbye atij verbërisht, gjithmonë dhe per çdo
gja ?!? Kot nuk ia ka lanë të shoqes Nexhmie Hoxha si sekretar të
Frontit Demokratik, ku organizohej eleminimi i të gjithë intelektualve
kundershtar të komunizmit!!!! Dhe tash mbas 20 vitesh të rrëzimit të
diktatures, ky shoku Isamil Kadarè, po na lëshon fetfà nga Parisi si
pashà maje kali, tue i sugjerue atyne “Ngjyrë blu” “per terheqjen nga
kandidimi për kryetar bashkie” në favor të Piovres së vet të
zemres “Ngjyrë Rozë”: “Letër Bashës: Tërhiqu nga kandidimi ! Zoti
Lulzim Basha, I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda
dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se
ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të
cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.”
Së pari, kush i jep këtë të drejtë Ismail Kadarès, sekretarit të Nexhmie Hoxhes, të flasë në emer “të shumices së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit”?!?
A nuk e kupton ky njeri se kohnat kan ndryshue dhe se ajo rinia
shqiptare, e quejtun prej tij “jashtëqitje”, tashma asht e lirë, me sy
të hapun dhe me nji vizion të qytetnuem europian mbi të Drejtat e
Njeriut ?!
Kur ky i vetzgjedhuri “personalitet mbarshqiptar” e shihka “kolapsin e papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”
pse nuk e len jeten e Parisit dhe nuk shkon aty pranë popullit të
“vet”?! Pse nuk nderhyn e nuk u thotë atyre piovrave të veta, që të ia
lirojnë vendet në pushtet, në kryesitë e bashkive dhe në gjykata, kësajë
rinije shqiptare të pregatitun në prendim me kulturë të vertetë
demokratike dhe me aftesi të nalta bashkëkohore profesionale
prendimore?!?!
Por ky shoku Ismail Kadarè kerkon që me
çdo kusht dhe me çdo mjet mashtrues ti sherbejë dhe të ia sterzgjasë sa
ma shumë jeten Piovres së vet komuniste, me të cilen i ka të lidhuna
ngusht interesat egoiste personale.
“Ujku qimen e ndrron, por vesin JO!!!”.
Paul Tedeschini-Itali, e hanë, me 23 maj 2011
( Linku i shkrimit
http://kosova.albemigrant.com/?p=29585 )
Lulzim Basha i pergjigjet shkrimtarit Ismail Kadare: Terheqja do te ishte akt antidemokratik
Kandidati per kryetar te baskise se Tiranes, i
Aleances per Qytetarin, i pergjigjet letres se z.Kadare ku i propozohej
terheqja nga gara. Lulzim Basha vlereson se "duke u terhequr, une fyej
votuesit, komisioneret, ligjvenesit, ligjet, gjykatat dhe vete
demokracine". Ai thekson se "me terheqjen per shkak te presioneve
politike, i bie te mos behen me zgjedhje ne Shqiperi". Me tej z.Basha
thote se "cdo terheqje e imja ne keto kushte jo vetem do te ishte nje
akt antidemokratik, por besoj se nuk do te pranohej as nga rivali im per
Bashkine e Tiranes sepse per pasoje edhe legjitimiteti i vijimit te
kryetarit aktual te Bashkise do te ishte i kompromentuar".
Basha thote se "gara dhe demokracia i vlejne te ardhmes
europiane te Shqiperise" "nderkohe qe dhurimi ne tavoline ose pazaret ne
favorin tim apo te kundershtarit, e demtojne ate", ndaj vlereson se
eshte "me mire nje gare deri ne voten e fundit sesa nje gare e munguar".
Kurse shpreh bindjen: "Jam i bindur se rrethimi i institucioneve,
kercenimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me
te pranueshme sesa votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe
vendimet e institucioneve".
Basha shprehet me tej i bindur se "rrethimi i institucioneve,
kercenimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me
te pranueshme sesa votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe
vendimet e institucioneve".
Kurse vijon letren e tij per z.Kadare: "Une respektoj vullnetin e
te gjithe atyre qe kane votuar pro meje, qe kane votuar per nje
ndryshim ne Tirane, si edhe ata qe kane votuar kunder, duke lexuar dhe
respektuar cdo vote te tyre, respektoj ata qe po presin me qytetari, pa
dhune, pa presion, si qytetare te vertete evropiane".
Ne perfundim, z. Basha angazhohet: "Jam i gatshem te takohem
para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim per Bashkine e
Tiranes per nje pakt moral dhe qytetar per respektimin e ligjit, per te
pritur me qetesi vendimin e institucioneve, per t'i dhene fund gjuhes se
dhunes dhe per te pranuar verdiktin e qytetareve te shprehur me vote".
Letra e plote pergjigje e z. Lulzim Basha:
I nderuar Zoti Kadare,
Lexova me vemendje letren tuaj dhe ju falenderoj per shqetesimin
qe shprehni ne lidhje me te ardhmen europiane te Shqiperise. Ky
shqetesim i perbashket duhet te na preokupoje te gjitheve. Ndaj perfitoj
nga kjo mundesi te paraqes kendveshtrimin tim mbi faktet.
Ne keto zgjedhje kane votuar me shume qytetare te Tiranes se
asnjehere tjeter ne historine e saj. Votuesit e kane shprehur tashme
vullnetin e tyre dhe institucionet perkatese jane duke bere nderkohe
numerimin e votes. Qytetaret kane vendosur se kush e ka fituar kete gare
dhe se kush do te vijoje te administroje qytetin.
Une kam vendosur te respektoj te gjitha procedurat normative qe
parashikon procesi i numerimit te votes ne respekt te shtetit ligjor
duke frymezuar nje qendrim paqesor qytetar dhe ne sherbim te
stabilitetit e paqes sociale.
E gjithe filozofia e fushates sime eshte mbeshtetur ne degjimin
dhe dialogun e drejtperdrejte me qytetaret. Ndaj sot e kam te pamundur
te mbys zerin e mbi 124 mije qytetareve te cilet i jane pergjigjur
pozitivisht planit dhe projektit tim per shnderrimin rrenjesor te
kryeqytetit te shqiptareve, qe mjerisht po perjeton nje kolaps urban,
mjedisor dhe mund te themi ekzistencial. Nuk jam une ai qe vendos nese
do te behem apo jo kryetari i ardhshem i bashkise. Ky eshte vendimi i
votuesve dhe une nuk kam asnje te drejte, qe ne asnje rrethane te
braktis zgjedhjen qe ata kane bere.
Une besoj se gara dhe demokracia i vlejne te ardhmes europiane
te Shqiperise. Nderkohe qe dhurimi ne tavoline ose pazaret ne favorin
tim apo te kundershtarit, e demtojne ate. Me mire nje gare deri ne voten
e fundit sesa nje gare e munguar.
Duke u terhequr, une fyej votuesit, komisioneret, ligjvenesit,
ligjet, gjykatat dhe vete demokracine. Me terheqjen per shkak te
presioneve politike, i bie te mos behen me zgjedhje ne Shqiperi. Vertet
mund te shpresohet te kalohet me lehte nje sfide imediate, por me cmimin
e madh te renies se demokracise. Sistemi yne demokratik eshte me mire
te perballoje sfida te veshtira sesa te shpalle se perfundimisht nuk ben
dot zgjedhje.
Une nuk mendoj se instalimi i nje pushteti qe do mbante peng
kryeqytetin ne kundershtim me vullnetin e zgjedhesve eshte me europian
dhe demokratik sesa rotacioni politik qe eshte baza e cdo demokracie.
Cdo terheqje e imja ne keto kushte jo vetem do te ishte nje akt
antidemokratik, por besoj se nuk do te pranohej as nga rivali im per
Bashkine e Tiranes sepse per pasoje edhe legjitimiteti i vijimit te
kryetarit aktual te Bashkise do te ishte i kompromentuar.
Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kercenimet me djegie
dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me te pranueshme sesa
votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe vendimet e
institucioneve.
Une respektoj vullnetin e te gjithe atyre qe kane votuar pro
meje, qe kane votuar per nje ndryshim ne Tirane, si edhe ata qe kane
votuar kunder, duke lexuar dhe respektuar cdo vote te tyre, respektoj
ata qe po presin me qytetari, pa dhune, pa presion, si qytetare te
vertete europiane.
Jam i gatshem te takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe
kurdo me rivalin tim per Bashkine e Tiranes per nje pakt moral dhe
qytetar per respektimin e ligjit, per te pritur me qetesi vendimin e
institucioneve, per t'i dhene fund gjuhes se dhunes dhe per te pranuar
verdiktin e qytetareve te shprehur me vote.
Me respekt,
Lulzim Basha
*******
Letra e madhe e Kadaresë dhe adresa e pasaktë
EDI LESI
E madhe, e gjerë dhe e shtrirë kudo është mendjemadhësia në Tiranë.
Ka mendjemadhësi vend e pavend, dhe më shumë atje ku mendjet janë në të
vërtetë të vogla. Në përgjithësi, Tirana mund të quhet një qytet
mendjemadh, se të këtillë janë jo pak banorë këtu. Një mendjemadhësi e
çartur do të ishte të bëje replikë me Ismail Kadarenë. Unë kam lexuar
gjithçka që shkrimtari ynë i madh ka botuar. Jo vetëm letërsinë dhe
eseistikën apo studimet, por edhe intervistat, mesazhet, shkrimet dhe
letrat e tij. Sa herë, në emisionet e mëngjesit në televizione ku
shfletohen gazetat, shoh se Kadareja është diku, ai vetë ose të tjerë që
flasin për të, e mbaj vrapin te kioska më e parë për të blerë shtypin.
Kur e kur, rrëmoj në bibliotekën time për të gjetur një libër të
Kadaresë për ta rilexuar. Ndonjëherë, kur ndodh një ngjarje e
rëndësishme në Shqipëri, them vetë me vete: a thua do të flasë Kadareja?
Mendimi i tij është vetvetiu asiatër dhe sipëran, për shkak të distancës
që ka me palët dhe duke qenë se përmasat e tij nuk kanë aspak nevojë të
rriten duke mbajtur anë a kah. Mendimi i tij është një mentor i vyer
për këdo që ka diçka në dorë dhe për krejt vendin nëse gjendet në
udhëkryq. Është i vyer mesazhi i tij, sepse nuk ka asnjë dyshim që
Kadareja e do Shqipërinë dhe kombin.
Ismail Kadare nuk mund të rrinte indiferent në një situatë aspak të
favorshme politike të krijuar pas votimit të 8 majit. Siç bënë të ditur
mediat, ai i dërgoi dje pasdite një letër Lulzim Bashës, ku i kërkon të
tërhiqet nga kandidimi për kryetar Bashkie. Ai thotë se kjo do ta
shpëtonte vendin nga cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën
përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në
histori. Kadare thotë se këtë letër, këtë kumt, mund t’ia kishte dërguar
edhe Edi Ramës, por zgjodhi Lulzim Bashën, meqenëse ky i fundi është në
pushtet, ndërsa tjetri në opozitë.
Kjo është letra e një shkrimtari të madh; si e tillë, të bën të
reflektosh thellë. Ai i thotë Bashës se një gjest i tillë do të nderonte
atë dhe vendin. Nga asnjë lloj pozicioni, unë nuk do të mund të bëja
dot një replikë me Kadarenë. Pretendoj se nuk jam një nga
mendjemëdhenjtë e këtij qyteti, dhe i këtillë do të përpiqem të mbetem.
As mosha, as profesioni, as dijet nuk do të më jepnin të drejtë të
kundërshtoja shkrimtarin e madh. Vetëm në një cilësi mund të them se nuk
jam dakord me këtë kërkesë të Kadaresë: si votues i 8 majit.
Herët në mëngjes atë të diel i jam drejtuar qendrës së votimit dhe pa
qenë asnjë moment ndërdyshas, kam votuar që Lulzim Basha të jetë
kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. I bindur se ky qytet ka
nevojë për ndryshim, dramatik madje. I vendosur së pari se duhet të
mbaronte koha e qeverisjes së metropolit në mënyrë despotike, sipas
trilleve të kryetarit. Gjithaq, me shpresë te programi dhe premtimet e
Lulzim Bashës për një administrim krejt të ri të Tiranës, ku spikat
vendimmarrja konsensuale dhe pyetja e qytetarëve për shumë projekte.
Deri më sot, çfarë ka ndodhur në qytet, është marrë vesh vetëm pas
sendërtimit të projekteve dhe vendimet janë nyjëtuar gjithherë në një
zyrë, diku, mes një grupi të vogël njerëzish rreth kryetarit.
Me këtë gjykim dhashë verdiktin tim jo vetëm për të qenë në rregull me
ndërgjegjen, por duke pasur një ndjenjë të fortë empatie se kësisoj do
të vendosin shumica e votuesve të Tiranës. Dhe sot janë afërsisht 125
mijë qytetarë të kryeqytetit që kanë shkruar një letër, e kanë hedhur në
kuti dhe kërkojnë që Lulzim Basha dhe projekti i tij të vijnë në fuqi.
Në një farë mënyre, Ismail Kadare po kërkon që unë të heq dorë nga vota
ime. Po u kërkon gjithashtu edhe 125 mijë qytetarëve të tjerë të bëjnë
këtë gjë. Sepse kjo nuk është më një çështje personale e Lulzim Bashës
dhe të ardhmes së tij. Ai është sot i dënuar të bëjë të kundërtën e asaj
çka kërkon shkrimtari i madh. Basha përfaqëson ëndrrën për ndryshim.
Tirana është një qytet i majtë, ku Edi Rama ka fituar herën e fundit me
rreth 20 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij. Sot rezulton se
në kutitë e 8 majit ka më tepër vota për Lulzim Bashën. Kjo është një
përmbysje dramatike, si ato të Homerit. Ky truall është shumë tragjik,
gjë që e ka nxitur shpesh Kadarenë në letërsinë dhe studimet e tij.
Epike mund të quhet edhe përmbysja që ka ndodhur më 8 maj. Edi Rama po i
bën rezistencë këtij realiteti të ri, frymës së re, duke u kapur pas
kleçkave të procedurës. Fakti është se ai jo vetëm ka humbur mijëra
mbështetës, por ka humbur edhe zgjedhjet. Ka marrë më pak vota se Lulzim
Basha.
Edi Rama duhet të tërhiqet nga ky konflikt politik dhe pasojat që po
sjell për vendin dhe të ardhmen. Ai përfaqëson të vjetrën në këtë rast,
që rreket të qëndrojë me çdo kusht. Askush nuk e di nëse e reja do të
jetë më e mirë. Por, të paktën, është konfirmuar se qyteti e kërkon
ndryshimin. Nuk mund t’i kërkohet sot Tiranës të tërhiqet nga dëshira
për të marrë një rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo e 11 viteve. S’mund
t’i thuhet një ëndrre të zhbëhet, të kthehet mbrapsht.
E kam lexuar dy-tri herë letrën e Kadaresë. Është mbresëlënëse. Vetëm se duhej t’i drejtohej Edi Ramës, jo Lulzim Bashës.