Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/28

BORKO STEFANOVIÇ – NJË MIK I MADH I AMERIKANËVE?!

Në drejtim kinse të përmirësimit të raporteve politike Kosovë-Serbi, kohën e fundit, vëmendja e tërë opinioni vendor dhe atij ndërkombëtar, është orientuar kah do bisedime të ashtuquajtura “teknike” që po zhvillohen në mes të këtyre dy shteteve. Pa marrë parasysh qëllimin e vërtet të tyre, ato çfarë ne në realitet po shohim, nuk janë asgjë tjetër, veçse disa premisa transparente të anës tjetër konspirative të këtyre bisedime, të cilat, si informata zyrtare të bëra përmes medieve vendore dhe ndërkombëtare, neve qytetarëve (qyqarëve) të zakonshëm, na lejohet të dimë në këtë drejtim
Në të vërtetë, dukja e ngjarjes skenike e tërë kësaj pjese teatrale, është vërtet ashtu sikurse edhe ne po e shohim në ekzekutim. Tashmë, edhe përpiluesi i skenarit dihet, aktorët kryesor po ashtu (një mashkull dhe një femër), ndërsa vendi i ndodhjes së ngjarjes, aty-këtu, varësisht ku e lyp nevoja e momentit të duhur (Bruksel-Prishtinë-Beograd).
Tanimë, perdet janë ngritur, reflektorët janë ndezur dhe loja (aktrimi) ka filluar.
Duke u bazuar në rrjedhojat e gjertanishme të ngjarjeve nga akti i parë, kam përshtypjen se përfundimin e këtij projekti “madhor” teatral -politik, shumica e publikut tonë dëshiron ta sheh fundin ashtu si ju është premtuar-me “hepy end”, ndërsa, unë, si një pesimist i papërmirësueshëm i te gjitha veprimeve dhe ndërmarrjeve të kësaj elite tone politike ne pushte, atë e vlerësoj si komedi me elemente të sigurta të përfundimit (prologu) tragjiko-komik.
Edhe pse gjatë aktrimit, aktorët në rolet kryeso nga të dy palët, fillimisht janë treguar nga pak me emocione (tremë), ekipi i fuqishëm realizues që qëndron prapa këtij projekti, patjetër është kujdesur që këto mangësi të pritshme fillestare të mos vërehen aq nga masa.
Loja vazhdon! Populli me shumë ankthe dhe emocione të tensionuara, vëmendshëm e përcjellë këtë performacë  iluzore që po zhvillohet para syve të tij. Si duket, atyre, shumë pak në këtë lojë, po ju intereson skenografia, enterieri, kostumografia, niveli artistik ... ata po presin vetëm përfundimin. Epologun e këtij dramatizimi.
E, nga ana tjetër, mu aty në publikë janë disa që ende pa përfunduar kjo lojë teatrore, e dinë shumë më parë epilogun e saj... Janë, pra, “ATA” disa, të cilëve si mysafir nderi, ju janë rezervuar ulëset e rreshtave të parë. Janë, pra, mu “ATA” disa, të cilëve me këtë rast shumë pak ju intereson ngjarja, sepse atë e dinë që më parë, por vetëm loja, ekzekutimi, aktrimi sa më i mirë, përshtypja dhe efekti mbresëlënës tek të tjerët ...
Janë, pra, pikërisht “ATA”,  producentë, regjisorë ....dhe ekzekutorë kryesor të kësaj loje skenike në prapavijë, të cilëve, në fund, kur të ndizen reflektorët dhe bien perdja, ne si publiku i mjerë vetëm duhet t'iu duartrokasim dhe asgjë tjetër...
Borko Stefanoviç, një mik i madh i amerikanëve?!
Gjithmonë publiku që shikon një pjesë teatrale, më së paku në atë moment merret me mënyrën se si është bërë përgatitja e vënies në skenë e të gjithë atij projekti teatral.
Pa tentuar që me këtë rast edhe ne të merremi me detajet tjera rreth parapërgatitjeve të madha ndërkombëtare në këtë drejtim, në pika të shkurta desha të ndalem në biografitë e shkurtra të dy aktorëve në rolet kryesore: Edita Tahirit, nga pala kosovare, dhe Borko Stefanoviqit nga ajo serbe.
Edhe pse, në shikim të parë na duket se që të dy për këto role, janë përzgjedhur nga shefat e tyre shtetërorë, e vërteta qëndron diku tjetër. Edhe Edita edhe Borko, në fakt janë pro-amerikanë, gjë që qartë reflekton se interferencën dhe bekimin kryesor në këtë përzgjedhje e kanë bërë SHBA-të.
Afërsia e aktores sonë kryesore në këto bisedime, z. Edita Tahiri, me politikën amerikane, është e ditur për ne kaherë dhe kjo aspak nuk mund të vihet në dyshim. Pro-amerikanizmi i saj ka një historik të gjatë që nga koha e akademisë së saj politike rugoviane. Përndryshe, me arsimim paraprak superior është inxhiniere e Elektronikës dhe telekomunikimit, ndërsa në studime postdiplomike: magjistër-e e Administratës Publike, e shkolluar në Universitetin e Hardvardit – SHBA.
Ka qenë një prej  pjesëmarrësve në procesin negociator të Rambujesë.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007, si kryetare e ADK-së, hyri në koalicion me PDK-në dhe pikërisht fal këtij bashkimi, ajo arriti të merr vota të mjaftueshme dhe të zgjidhet si deputete e Parlamentit të Kosovës në mandatin e kaluar.
Edhe pse partnere e koalicionit të Thaçit, ajo shumë pak ishte e afërt dhe e preferuar nga ai. Bile-bile, thuhej se as nuk flisnin në mes veti. Mu për këtë, një kohë të gjatë edhe ishte lënë pas dore për ndonjë emërim të saj në poste të larta qeveritare. Pas të ashtuquajturës riformatizimit të qeverisë “Thaçi 1”, emërimi i saj  si ministre e  Ministrisë së Administratës Publike, u bë vetëm pas interferimit ndërkombëtar, gjegjësisht të SHBA-ve. Po ashtu, edhe në qeverinë “Thaçi 2”, Edite në këtë rolë kryesor përkrah Borkos së Serbisë, u gjet pikërisht fal SHBA-ve. Përndryshe, sa për më i preferuari dhe më afër zemrës për këtë rol i Hashim Thaçit, ka qenë bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë, Bekim Çollaku.
Nga ana tjetër, aktori partner në këtë pjesë teatrale i Edita Tahirit, Borko Stefanoviq nga Serbia, aktualisht me funksion është drejtor politik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Serbisë. Para këtij funksioni, Stefanoviqi,  disa vite ka qenë zëvendës i ambasadorit të Serbisë në SHBA, Ivan Vujaqiqit. Përndryshe, në Serbi ai është i njohur si kontribuues mi i madh i themelimit të lobit serb në SHBA me titull: “Serbien Unity”
Me zgjedhjen e Barak Obamës si president të Shteteve të Bashkuara, atëbotë, mediat serbe kanë raportuar një lajm sensacional se shefi i shtabit të Obamës, Ram Emanuel, i quajtur Rambo, është  një mik i madh i serbëve. Atë si mik serbëve ju ka afruar, pikërisht Borko Stefanoviq, zëvendësambasador i Serbisë në SHBA dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të z. Vuk Jeremiq.
Emanuel dhe Stefanoviq, gati tri vjet në Uashington, kanë punuar së bashku për forcimin e marrëdhënieve të mira serbo-amerikane. Pra, Borko Stefanoviq është njeriu më përgjegjës për formimin e grupit ndikues (lobues) pro serb në Kongresin Amerikan.
Tupani bie për ata që kanë veshë, apo?!
P.S. Sa për kuriozitet, për dashamirët kosovar të muzikës “ROCK”, në lidhje me Borkon, desha të bëj edhe një informatë: ai është BAS-KITARIST i  rok grupit të mirënjohur nga Novi Sadi, me titull “Generacija bez budućnosti (GBB) “ (“Gjenerata pa të ardhme” përkthim.).

Nga Daniel Gàzulli: RABINDRANATH TAGORE

Sa herë, kur lundroj në urtësinë botënore, poezi a filozofi qoftë, them: Sikur asht shkrue për ne. Sepse arti nuk ka kohë as hapsinë. Ai asht universal. Atëherë, pa përtesë, ulem e hedh në shqip për bashkatdhetarët trashigiminë ma të vyeme të pendave të arta. Një të tillë deshta t’ju paraqes sot: Rabindranath Tagore (1841-1941), shkrimtar e poet i madh indian, nobelist (1913), asht shprehja ma e ndritun artistike e popullit të Tij. Ai plotëson e i rri përkrah, nga një tjetër kandvështrim, të madhit Mahatma Gandhi (1869-1948), shprehje e shpirtit paqësor jo vetëm të popullit indian, por të mbarë njerëzimit.

RABINDRANATH TAGORE

MOS U LIGSHTO

Mos u ligshto, mbaju fort,
e do të fitosh.
Nata po iken:
guxim, mos u ligshto.
Shiko, në ball të lindjes,
përmes pëlhurës së pyllit
nalt
asht ngritë ylli i mëngjesit.
Guxim, mos u ligshto.

Janë bijë të natës, që në errsinë shtegtojnë
dëshprimi, dembelia, dyshimi:
ata, të pasigurtë, nuk janë
bijë të agimit.
Vrapo, nga errsina dil;
shiko, tej hidh vështrimin,
qielli po çelet.
Guxim, mos u ligshto.

“Dritëhijet e medaljes enigmë…” një roman me vlera unikale

Dr.sci.Fatmir Terziu

Patriarkaliteti gjithmonë përpiqet të gjejë forma dhe metoda të ndryshme për të pikturuar gratë me tre qëndrime diversive dhe të debatueshme. Tre qëndrimet që vetëm diktohen me ‘grua të devotshme’, ‘grua për burrë’ dhe ‘grua model’ janë vetëm pjesë e një ajsbergu me të cilin ushqehet dhe është ushqyer politika. Këto në fakt, janë qëndrimet e fshehura që bazohen tek ‘shijet’ që diktohen nga epshe mashkullore, epshe që vijnë e diktohen pas dëshirash të sëmura që shpesh riskohen pas të qënit një “femër me aromë” apo ‘perëndeshë e perëndeshës’. Thjesht objekte frymore, vetëshpallëse për syrin e mashkullit. Kjo në disa raste edhe për syrin bashkëshortor. Pra, edhe kur ky është bashkëshorti i saj (?!) Në këtë patriarkalitet shpesh gjejmë një "vetquajtje më pak njerëzore, pra një njeri që në fatin diversiv të tij, vjen si një modulitet i pakapshëm, më saktë si një ‘Perëndeshë’, duke harruar këtë femër se duhet të jetë ajo me atë që së pari lidhet me kuptimin e mirëfilltë ‘një nënë të përkushtuar’, dhe një femër tipike, pra një njeri, thjesht me sensin: njeri të pastër. Këto ide që shkrimtarja Vilhelme  Vranari  (Haxhiraj) tenton t’i fusë në kalibrin e saj dialektik me romanin e ri “Dritëhijet  e  medaljes enigmë…” janë aspekte filozofike me të cilat ajo tenton të zbulojë botën e ndrydhur femërore në lidhje me mjaft situata të zhdërvjellta, por gjithmonë nga këndi i vëzhgimit mashkullor. Duke vënë personazhin e saj, Edlirën, në rolin e paramenduar bukur, Vranari sfumon atë varg që lidhet me aspektet që sipas mendimit tim, janë mjete të politikës seksuale që patriarkaliteti i sëmurë i një sistemi të kalbur është përpjekur  t’i vendosë në siparin e tij politik e më pas me to të luajë si një modul intrigues apo si një mostër-politikë të shpallur për gratë e të gjitha moshave. Ky lloj patriarkaliteti gjithmonë tenton t’u bëjë kurth grave, me një ‘ideal’ të sëmurë, duke mohuar individualitetin e tyre. Në të gjitha këto tri qëndrime, grave thjesht u mohohet sublimiteti jetik, që është qëllimi origjinal i lirisë së tyre. Këto tre qëndrime e kanë kthyer gruan, pra atë grua që trajton shkrimtarja Vranari, thjesht në objekt. Në rastin e parë, objekti është vetë kjo grua, në rastin e dytë është ndjenja e saj për të dashur dhe në rastin e tretë, është ajo që lidhet nga shtypja e nevojave fizike dhe psikologjike të saj si qënie njerëzore. Jo më kot e gjithë kjo strukturë e plotë filozofike vjen tek pjesa e parë e romanit nën titullin kuptimplotë “Shkëlqim i rremë”. Në këtë shkëlqim të rremë, është stili i veçantë i Vranarit që paraqet melosin e gjuhës së bukur, simbolikën e qartë dhe të goditur, atë simbolikë që vjen mes një semantike të përsosur, ku çdo fjalë plotëson një kuptim shtesë, ku çdo grupfjalësh ka një mesazh më vete. Aroma është një kompleks përshkrues. Aroma është një dukuri që vjen dhe prek ndjenjat. Senset diktohen dhe drejtohen nga spektri i njohur për lexuesin, por aroma si një fjalë me shumë kuptime nuk vjen thjesht për të treguar togfjalëshat ‘aromë e shampos’, ‘aromë pranvere’, aromë manushaqeje’, apo ‘aromë mahnitëse’, ajo vjen si një ritëm në tërë aspektin metafizik, për të ndikuar në sensibilitetin tonë të ndjenjave, për të shtuar kurreshtjen për botën që konvergon dhe dirigjon ndjesinë tonë. Është aroma, kjo fjalë që të bën të ndjehesh e nuhasësh tërë atë përshkrim model, por është kjo fjalë që vjen me tërë forcën e saj për të diktuar një aspekt që ndriçon më shumë se duhet në atë hapje për të ndjekur me kërshëri ngjarjen: “Hyra në banjë. Afshi i ngrohtë i ujit m’u përplas në fytyrë. Gjithë ëndje nuhatja aromën e shampos, kremit të flokëve, apo të trupit që përdorte ime shoqe. Një aromë mahnitëse, të cilën ajo e ka për zemër, aromë manushaqeje, që edhe gjatë dimrit, të sjell ndërmend hapat e para të pranverës.“Sa kënaqësi! Aromë pranvere! Aromë dehëse! Aromë gruaje…Aromë dashurie. Gjithçka që më dhuron çasti, i bën shqisat e mia të ndjeshme. Madje, kënaqësia e beftë e atij mëngjesi, sikur më ftonte drejt mëkatit. Kjo aromë ndjell tek unë ndjenja sensualiteti. Çudi e  madhe me ne meshkujt! Mjafton një aromë dehëse dhe kërkojmë ta shijojmë çastin me të gjitha shqisat,”- mendoja ndërsa prekja mjekrrën. Dola nga banja. Aroma e kafesë më gudulisi hundën. Isha ende me rrobdeshambër, kur nxitova drejt kuzhinës. Zhurma e kafetjerës që vinte deri aty, më tërhoqi si magnet.  Kur hyra, ime shoqe ishte duke hedhur kafenë nëpër filxhanë. Bashkë me aromën e kafesë që avullonte në tavolinë, u përzie dhe aroma e mirë e pas rrojes ose më mirë me freskinë që dhurohet pas një tualeti të kujdesshëm. E dija që Edlirës i pëlqenin shumë këto, ndaj iu ...”
Në tërë këtë shkëlqim të remë filozofia e  qëlluar e Vranarit lidhet me atë aspekt tejet jetik që prek përditshmërinë. Vetë në këtë aspekt ajo thekson “Nganjëherë njeriut i duhet të harrojë gjithçka; lodhjen, ngjashmërinë mes ditëve, edhe që jemi të rritur apo me përgjegjësi të shumta, sepse rutina është e lodhshme. Herë pas here çiftet duhet të dalin nga vetja, të harrojnë vitet, hallet dhe të shndërrohen në moshën e pakthyeshme të fëmijërisë. Është e domosdoshme të bëhet diçka e tillë, pasi shpesh herë jeta kthehet në monotoni. Madje nganjëherë sikur kemi nevojë të harrojmë edhe veten, për të qënë tjetërkush në çaste të caktuara.” Me gjithë këtë mesazh shkrimtarja plotëson atë anë të psikanalizës që lidhet me dukurinë e jetës. Jeta në tërë aspektin e saj merr një frymë të lehtë, kur depërtohet mes një origjinaliteti të pafryrë, mes një larmie gjërash të prekshme deri në detajin më të vogël.
Duke udhëtuar mes këtyre detajeve sublime e të prekshme, “Dritëhijet  e  medaljes enigmë… bëhet një bashkëudhëtar i qetë nga fjala në fjalë, nga grupfjalëshi në togfjalësh, nga fjalia në fjali dhe nga faqja në faqe. Kapitujt bëhen më të kapërcyeshëm dhe leximi të jep kënaqësi. Mes fletëve të romanit, dashuria, lakuriqësia, butësia e lëkurës, freskia dhe aroma e trupave, po aq edhe koha, aspektet që lidhet me çiftin burrë e grua, ajo që lidhet me ndjesinë, kohën, profesionin, suksesin, biznesin, fëmijën e çiftit me emrin Igli, pastaj gjeografia që lidhet me masterin e studimeve të Edlirës, e që fillon me tërë ato emra Itali, Çeki, Greqi, Rumani e përfundon në Angli, është një arsye më shumë që të lehtëson udhëtimin filozofik për të kuptuar të plotë lidhjen jetike dhe arsyen me profesionin e bukur të gazetares, të gazetares së lidhur edhe me ATSH-në.
Vranari kështu luan jo thjesht me atributet e artit dramatik në prozën e saj, por në mënyrën më të përsosur të arsyes gatuan fabulën mes dramaciteteve të jetës bashkëshortore për të plotësuar mesazhin sublim. Janë këto mesazhe sublime që merren me tema të tilla dhe me interes të pranishëm për publikun, për të cilat ato janë të shkruara, ashtu si edhe të luajtura në heshtje me dramatizim të madh. Për një audiencë shqiptare të kohës sonë, marrëdhëniet bashkëshortore shfaqen me interes vital, por janë edhe marrëdhënie që diktohen me problematikën e tyre. Për një audiencë të ditëve të sotme, në rrafshin më të gjerë, lidhja e cituar nga Vranari me tërë problematikat e saj është e një rëndësie të lartë edhe për kultura të tjera. Marrëdhëniet shoqërore, të cilat janë duke u bërë gjithnjë e më të theksuara në mendjet e njerëzve, dhe të cilat mund të jenë të destinuara të jenë subjekt tjetër i madh për artin, i nënshtrohen jo rastësisht penës së mjaft penave sot në botë. Shumica prej nesh janë ende në mes të luftës së përzgjedhjes për tema të tilla në të lexuar. Aspektet morale të pyetjes, kërkesat etike dhe altruistike, po aq edhe ato kërkesa praktike janë shumë këmbëngulëse për ne që të shohim këtë përzgjedhje si një të tërë, ose për ta parë atë në mënyrë të qartë, si material për artin, për ta parë atë si të bukur në tërë kompleksin që lidhet me kulturën, identitetin, globalizmin në art, por edhe me stilin, strukturializmin, postmodernizmin dhe mjaft kritere të tjera që duhen apriori vënë në dritaren e duhur të vlerësimit. Duhen vënë në atë dritare me xham të pastruar mirë, me qëllim që koha të mos ‘qërrohet’ duke vëzhguar kohën për brezat. Në këtë pikë fjala e Vranarit në këtë roman është jo thjesht pikasje, as përzgjedhje e gabuar, por një art më vete. Dhe arti i përket artistit. Artisti, që ecën larg, shumë larg, ndoshta edhe pak përpara moshës së tij, duke treguar bukurinë dhe kuptimin, këto dy aspekte metafizike të jetikes, natyrshëm janë vetë flamuri i përzgjedhjes, që ndodhet në një majë të pakapshme. Ky artist kurrë nuk kalon pa rënë në sytë e gjeneratës së re, dhe me veprën e tij dikton vendin ku flamuri është vendosur, jo me dëshira e stile tashmë të perënduara ‘politiko-miqësore’ të rrëfimit kritik-mik. Brezat gjejnë kështu mesazhin e këtij artisti duke pritur atje ku është ngulur flamuri, për ta shijuar atë arritje si të gjitha gjërat e bukura që presin gjetjen dhe zbulimin, përzgjedhjen e tyre. Vranari është artistja, e cila jo vetëm i ka vënë pikërrëfimin rrugës së bukur prozaike shqiptare, por është edhe arsyeja që rrëfen vendin ku është ngulur flamuri në një mjedis më të gjerë krijues, e pse jo me nivel tashmë botëror për forcën e mesazhit dhe fabulës së saj. Ajo, më shumë se çdo tjetër në këtë pikërrëfim, përdor për bazë të artit të saj ndjesi të interesit jetik, jashtë moshës së saj, por në një pikëtakim me kohën, vendin dhe situatat që gatuhen nga fabula dhe mesazhi. Në këtë pikë ajo është një model!
Në unitetin, kohë dhe vend, gjithashtu, ajo përmbush idealet sublime të lidhjeve në çift, por edhe hapësirat që groposin fate të ndjeshme, duke simbolizuar aspekte patriarkale në kushte moderne, në kushte ku liria e individit dhe epshi janë aspekte të ndikueshme. Në tërë këtë fabulë veprimi gjithnjë është i mbyllur në një moral, dhe në asnjë aspekt të ndikuar nga kjo hapësirë, lidhjet apo dyzimet mes elementit burrë dhe femër, edhe kur në mes është e panjohura, ‘kamerrierja’, janë lidhje që ndikojnë dhe reflektojnë art. Çdo akt i një shfaqjeje të tillë na jep para syve skena përditësie, ku çdo skenë është dhënë pa shumë ndryshime të sfumuara dhe na vihet përpara memorjes si në një skenë. Në roman veprimi është i hapur dhe aspak i kufizuar në aritmetikë kohore, ai nuk funksionon spontanisht, por as nuk ndjehet si në shtëpinë e një kukulle për të prezantuar trupa të ngurtë, apo edhe të zjarrtë që thjesht ndjejnë, shijojnë dhe bëjnë dashuri, dhe në asnjë rast apo çast nuk është shfaqja e jashtëzakonshme, apo e papritura, por ndjenja vjen si kahera, aq e zakonshme dhe e natyrshme, me më shumë se dy apo tre kuptime të fuqishme.
Ai lexues, kritik, studiues apo analist, i cili është mësuar të mendojë për komplot dhe mes veprimit të tij si sinonim i fjalës, i duhet të veçojë dy terma në marrjen e plotë të kuptimit të fabulës së Vranarit në këtë roman. Fjalët e përzgjedhura dhe fjalitë e këtij romani kanë komplot në bollëk, por asgjë nuk ndodh në to, më shumë se çdo gjë në faqet e tij është dialektika e pjekur e fabulës dhe mesazhit kuptimplotë. Veprimi bëhet në shpirtin e një karakteri ose në lidhje të plotë në mes të karaktereve. Ka disa incidente të ndjeshme që fuqizojnë fabulën dhe natyrshëm përveç tyre që shijohen si të tilla, nëse një lidhje të tillë do ta deshifronim me aventurat e shpirtit njerëzor, [nëse do ta quanim si të tillë] ku koincidenca lidhet me momentin psikologjik. Kjo koincidencë e momentit psikologjik dhe simbolik është aq e vazhdueshme, sa që i jep romanit një hapësirë të gjerë metaforike me plot detaje në lidhjet aq të vjetra e të reja të sfondit patriark.
Këto lidhje të vjetra e të reja e transformojnë më tej idenë e autores në një shtrat tjetër ku derivatet fshihen pas një ‘shkëlqimi të remë’ e dominohen nga e dukshmja dhe e padukshmja, që mbetet një gangrenë mes jetës dhe profumit të saj. Në pjesën e dytë autorja zgjedh si një tematikë të ndërlidhur korrupsionin. Këtë plagë të ndyrë, të keqe e të përbotshme Vranari e sheh në aspektin global. Në këtë aspekt globalizmi nuk është vetëm një parashtrim, por edhe një shtysë retorikë në planin parësor. Kjo e keqe e përbotshme që del në faqet e romanit është një shkatërruese e ashpërr e tërë strukturës pas së cilës qëndron ajo që autorja e ka vizatuar pas shkëlqimit të rremë të jetës. Në faqet e romanit krimineli bën ligjin, pronari dhe i pafajshmi burgosen. Dhe kur mendohet të vendoset drejtësi (ku djali i formuar jurist me magjistraturë të kryer në Britaninë e Madhe, arrin dhe dënon nënën e tij, një ishprokurore kriminele). Por vetë ky djalë me edukatën dhe kulturën e mësuar në Angli mëson se ajo, nëna e tij dhe të tjerët e ndëshkuar nga drejtësia dhe ligji marrin pafajësinë. Në tërë këtë amplitudë të trajtuar në mënyrë të tendosur dhe mjaft interesante, fabula dhe mesazhi janë dy derivate filozofike, që mposhtin çdo ndjenjë, që ftillojnë deri në maksimum interes. Djali i specializuar në Angli pas kësaj skene joligjore jep dorëheqjen, sepse mëson se ligjin e bën paraja dhe korrupsioni i gjallë.
Autorja me këtë stil të kombinuar dhe jolinear ka prurë një veçori tipike të prozës që lëvrohet sot, duke argumentuar mes dy ideve dhe duke kombinuar mes tyre me anë të paralelizmës së dy ngjarjeve, ku njëra zhvillohet në Angli dhe tjetra në Shqipëri. Gjeografia që sjell autorja është një dëshmi vlerash dhe mes dy kulturave prezanton dy identitete në dy hapësira të ndryshme. Ajo kështu kërkon të godasë mjeshtërisht dhe fuqishëm fenomenin e korrupsionit, këtë temë që po e shkatërron vendin, shoqërinë, individin dhe pengon integrimin. Duken si dy tema të ndara, por janë në varësi të nëjra-tjetrës. Me këtë “Dritëhijet  e  medaljes enigmë…” mbetet natyrshëm një roman me vlera unikale, ku Vranari na sjell shansin e përzgjedhjes së vlerave mes mesazhit dhe fabulës duke konkuruar ndjeshëm në hapësirën krijuese botërore.

Nga Reshat Kripa Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

I nderuar zoti Kadare,

            Shkas për këtë u bë letra e juaj, në të cilën  i kërkoni zotit Lulzim Basha, të tërhiqet nga gara për kryetar bashkie kundrejt zotit Rama. Natyrisht ju do të habiteni dhe do të mendoni se kush është ky person i panjohur që më drejtohet? Dhe keni te drejtë. Për t’u sqaruar po ju a shpjegoj më poshtë:
            Kemi lindur të dy në një ditë, më 28 janar 1936. Por rrugët e jetës i kemi patur të ndryshme. Ndërsa orbita e juaj vinte gjithmonë në ngritje, ajo e imja ecte në drejtim të kundërt. Kjo edhe për faktin pasi unë, së bashku me dy shokë të mi, kur ishim në vitin e parë të gjimnazit të Vlorës, në moshën 15 vjeçare,  krijuam një organizatë klandestine dhe shpërndanim trakte kundër pushtetit komunist. Natyrisht u arrestuam dhe u dënuam. Unë u lirova pas pesë vjetësh.  Vazhdova përsëri shkollën e mesme, atë të sistemit të natës, të cilën e përfundova me të gjitha notat dhjeta. Kisha një dëshirë të zjarrtë të vazhdoja universitetin në degën e letërsisë, për të cilën, t’ju them të vërtetën, kisha një farë prirje. Por kjo kënaqësi m’u refuzua. Unë vazhdoja të isha armik i popullit.
            Fillova të shkruaj disa tregime dhe ndonjë poezi, por e gjeta të mbyllur derën e botimit. Në një moment dëshpërimi i grisa të gjitha ato që kisha krijuar dhe që nga ajo ditë nuk e mora më penën. Vetëm pas ndryshimeve demokratike, ndonse në atë kohë po i afrohesha të gjashtëdhjetave, fillova përsëri të shkruaja. Deri më sot kam botuar mbi 130 artikuj të ndryshëm nëpër gazetat e vendit dhe në mediat elektronike, kam mbajtur mbi 60 kumtesa nëpër aktivitete të ndryshme si dhe kam botuar nje liber me kujtimet e rinise time te copetuar, nje liber me tregime dhe dy romane. Ia le lexuesve te çmojnë nëse ato kanë vlerë apo jo.
            Të gjitha këto më bënë që ta shikoja letërsinë e realizmit socialist si një letërsi boshe që i mungonte shtylla kurrizore. Përjashtim bënin vetëm një pakicë e shkrimtarve të asaj periudhe dhe në krye të tyre qëndronit ju. Në veprat tuaja, krahas ndonjë shprehje mendimi negativ për shtresën së cilës unë i përkisja (për shembull shoferi i furgonit të mishit që ëndëronte se kur të vinte dita do të vriste dhe do të vriste komunistët) apo hymnizimit të disa liderve komnuistë, shikoja edhe një alegori për të ardhmen, gjë të cilën të tjerët nuk guxonin ta shkruanin. Kështu që m’u krijua një bindje se ju do të jeni shkrimtari i së ardhmes së letërsisë shqipe. Dhe me të vërtetë nuk u gabova.
            Ja, pra, ky jam unë. Siç e shihni nuk bëjë pjesë në rradhët e militantëve të asnjë partie. Është e vërtetë që jam antar i Partisë Demokratike, por kam mbajtur gjithmonë një qëndrim kritik kur punët nuk venin mirë në këtë  parti. Madje kam arritur deri aty sa t’i kërkoj dorëheqjen edhe Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur Partia Demokratike humbi disa nga qytetet e mëdha të vendit. Një gjë të tillë e kam bërë hapur, në faqet e shtypit shqiptar.
            Më falni nëse u zgjata pak si tepër për jetën time, por e quajta të domosdoshme t’u paraqitesha me hollësi pasi doja të më njihnit mirë kush jam. Ndaj ju drejtohem dhe ju them se tani, me letrën drejtuar zotit Basha, keni gabuar. Dhe kjo për arsyet që do t’i rendis më poshtë:
        A nuk do të ishte më mirë që një thirrje të tillë t’ia drejtonit zotit Rama? Kjo për faktin se ai ka tre legjislatura që sundon mbi Tiranën dhe qytetarët janë lodhur tashmë me
sundimin e tij autokrat. Ejani dhe shikoni se në ç’gjendje e ka katandisur kryeqytetin ky kryebashkiak i dështuar. A e dini se ne, në kryeqytetin tonë, nuk ngopemi dot me frymë, pasi kudo jemi të rrethuar me beton, se rrugët janë në gjendje mjerane, se fondet e bashkisë nuk dihen se ku kanë përfunduar, se bizneset po shuhen për shkak të politikës diskriminuese të taksave të bashkisë. Përjashtim këtu bëjnë ato biznese që janë të lidhura me fije të padukshme më kryebashkiakun.
            A e dini, zoti Kadare, se në personin e Edi Ramës nuk shohim socialistin e vërtetë me tipare europiane. Ai nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë. Unë nuk jam socialist, por do të doja të kisha në krye të një partie opozitare një njeri me karakteristika të theksuara qytetarie dhe patriotizmi. Këto i mungojnë “heroit tonë”. Ai e nisi karrierën e tij politike në fillimet e vitit 1991, si një ultra i djathtë që kërkonte ekzekutimin e të gjithë ish komunistëve, papritur dhe pakujtuar na shndërrohet në një ultra të majtë që me manovrimet e tij dinake arrin të rrëmbejë frenat e Partisë Socialiste. E keni lexuar, besoj, biografinë e Benito Musolinit? Edhe ai, si Edi ynë, nga një aktivist i shquar i Partisë Socialiste italiane, u shndërrua në kryetar të Partisë Fashiste që i shpalli luftë të hapur gjithë socialistëve të botës duke u lidhur me kolegun e tij të Gjermanisë, Adolf Hitlerin. Një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm tipat me tipare të theksuara anarshiste dhe revanshiste.
            Ju thoni që këtë tip ta bëjmë përsëri kryetar bashkie dhe ndoshta pas dy vjetësh edhe kryetar qeverie. Zoti na ruajtë nga një gjë e tillë! A e dini se qysh nga viti 2005, kur ai hipi në fronin e socialistëve, Shqipëria nuk po gjen qetësi? A e dini se ishte ai që, me gjithë thirrjet e herë pas herëshme të autoriteteve ndërkombëtare për ta ndaluar, përgatiti 21 janarin 2011, ku u vranë katër vetë, për të cilët ende nuk dihet se kush i vrau?
            Sa për zotin Basha, besoj se e keni ndjekur fushatën e tij elektorale. Ishte modeli më i mirë i një fushate me të vërtetë europiane. Është njeriu i së ardhmes së vendit.
            Thirrjen tuaj ju thoni se e bëni  për interesat e larta të vendit dhe e quani dorëheqjen e zotit Basha një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar. Unë nuk mund të jem dakord në këtë pikë me ju. Do ta quaja kapitullim para një të keqeje më të madhe një veprim të tillë dhe t’i dorëzohesh një të keqeje për hir të një ndjenje emancipimi është që të biesh me këmbët e tua në batakun e krijuar nga ata që nuk njohin asnjë normë kombëtare.
Në rast se do të pranonim një gjë të tillë atëherë do të pranonim “turpin e përbashkët” (siç shkruani juve), në vend të “nderit të përbashkët”.

   Me respekt!

                         Reshat     Kripa
            Kryetar i Shoqatës Antikomuniste
  të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

2011/05/27

ZOGU I STUHIVE



 
 
Vullnet Mato
 
ZOGU I STUHIVE

Kur isha gjashtë vjeç dilja këmbëzbathur,
te pragu i shtëpisë përdhese buzë detit.
Ditë me radhë një zgalem krahëhapur,  
më vërtitej përqark si balona rreth perit.

Më ftonte të fluturonim përtej horizontit,
mes reve e dallgëve ku vezullonte kaltërsia. 
Pastaj, çuditërisht, më hyri brenda gjoksit
dhe rrihte krahët fort mes brinjëve të mia.  

Atëherë gjithçka në trup m’u bë fluturuese,
krahët papritmas më morën fuqi reaktive,
zemra më rrihte me dallgë shkumëzuese,    
sepse  kisha brenda vetes zogun e stuhive.

Por koha e kuqe më prangosi atin pa faj
dhe më vuri përballë kafaze për kufizime. 
Me shënjestrën e çiftes së gjahtarëve të saj,
më përgjonte tinëz pasionin për fluturime.

Më detyronte krahët si pulat t’i shtrëngoja, 
të duroja breshrin bujtës në lëkurën time,
ushqimin e peshkut me lëpjetë ta ndërroja,
të më vdiste brenda vetes zogu i stuhive.

Atëherë ika zogun ta shpëtoja hapësirave,  
nga kaltërsitë detare në errësirat e pyllit,
për të mësuar nga instinktet e egërsirave,
dinakërinë e fshehjes nga drita e diellit.

Aty një mëllenjë në fluturimin rastësisht,
më çukiti zemrën fort me sqep vajzërie.
E fsheha te strofka mes pyllit me ahishtë,
sepse  kisha brenda vetes zogun e stuhive.

Gjatë ndëshkimit për shpirtin tim fluturak,
zvarrita krahët nëpër baltëra vështirësie,  
por njoha skutat më të errëta për almanak,
me skenat e plota të atij ferri marrëzie.   

Kur energjia reaktive të më shuhet tërësisht,
krahët do m’i rimarrin zgalemët e kaltërsive,
fluturimin e penguar të vazhdoj përjetësisht,
sepse  kisha brenda vetes zogun e stuhive.

Nga Përparim Hysi : "Relaks?!"




1."Dreqja" e mirë


Paska dhe"dreqe" të mirë,më është mbushur mëndja top
E pashë sot një të tillë,desha ta marrë në krahë- hop!
Por u shmang,më bëri bisht dhe u shkri nga buzëqeshja
Gojëhapur mbeta çuditërisht:-Sa e mirë që ishte " d r e q j a..."


2.Ç'janë ata gjinj?!


Ç'janë ata gjinj "kas?!",mënd dhe po çajnë fustanin
A e di?Më vë në ngasë dhe më fut mua shejtanin
Sado që jam i moshuar,zënë e më bëjnë karshillëk
S'duroj dot pa i"kafshuar",le të thonë,mandej: jazëk!!!


3.Një lule në ballkon


Dol  një lule në ballkon;është si zambak i bardhë
Dhe nga unë veç shikon;mënd  më ha me sy të gjallë?
Po dhe unë nuk e ha thatë;e përciell andej shikimin
Se më kthen si djalë në vakt(s'e harroj "vijëshënimin..." )


4.Tinëzisht


Do të vij tinëzisht,sikur do të vjedh
Një merak që kam,trupin ma rrënqeth
Dhe hyra "tinëzisht",merakun e nxora
Tinëzisht siç hyra,ashtu edhe dola.


5.Nga    Amerika


Një zonjë e bukur,porsi trëndafil
Qenin e saj puth,siç puth një bandill
E shoh nga larg skenën dhe bëhem nervoz
Ah,pse s'jam qeni!Ah,se sa xheloz!...


6.Analogji


Ja: nga lindja doli dielli
Pak nga pak skuqet dynjaja
Po kur dole ti,moj Leni,
Pse u skuqa,fukaraja?!....


7.Po kalon një symëshqerrë


Tek kaloi një symëshqerrë nga ato që "hanë" azat
Ktheu dynjanë në lylyver,sikur dita u bë natë
Pra,dynjanë e ktheu përmbys,më nuk shihja gjë me sy
Dhe  rashë pak si në "krizë",që më plaçin që të dy...


8.Unë që shkruaj për dashurinë


Unë që shkruaj për dashurinë,s'e kam patur shesh me lule
Unë shkruaj se heq mërzinë;dashuri,mërzinë  ma shkule.
Se ka patur plot"beteja"( në s'jam"vrarë",po jam "plagosur")
Por nga rruga  nuk ktheja;ndonjëherë...dhe jam  dreqosur


9.Nuk  e di


Nuk e di pse gjoksi yt seç më ngjan si furrrë me prush
Ndaj atje më mbesin sytë,sado skuqem si rrallëkush
Dua të digjem ,të shkrumbitem;le të bëhem copra hiri
Mu në "furr me prush"hidhem,me gjallesë m'u mbush shpirti.


10.Ende "xixa" më bën gjaku


Në  jam thinjur,në jam zbardhur,prapë huqet s'i kam lënë
Tek të shoh me dhëmbët  zbardhur,unë prej qafe të kam zënë
Mos më mat me kut prej plaku;as mos pyet ti,si a qysh?
Ende "xixa" lëshon gjaku,sado që jam babagjysh.


                           
27 maj 2011

Ёndra shekullore e Kosovës -ribashkimi me atdheun amë*


Prof.dr. Eshref Ymeri


       Më 12 qershor të vitit në vazhdim, mbushen 12 vjet që nga koha e përfundimit të luftës në Kosovë. Që asokohe dhe deri tani, Kosova vazhdon të ndodhet nën një administrim ndërkombëtar, i cili duhej të kishte marrë ngjyrime simbolike pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Normalisht, çdo qytetar i thjeshtë i Kosovës, gjatë kësaj periudhe, ka pasur të drejtë  të shpresonte dhe të besonte se vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos asaj evropiane, duhej të përqendroj tërësisht te Kosova, pas gjithë atyre krimeve që kreu kundër saj shovinizmi serbomadh, të cilat zanafillën e kanë te Kongresi famëkeq i Berlinit dhe Konferenca po aq famëkeqe e Ambasadorëve në Londër. Por, çuditërisht, pas përfundimit të luftës, ndodhi krej e kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, zoti Lamberto Zanier, siç bëhet e ditur nga faqja e internetit e 16 prillit 2011, ka deklaruar se “pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. Me shpalljen e pavarësisë, Kosova nisi rrugën e saj, por nuk ka mundur ende t’i shkojë deri në fund. Aktualisht është e bllokuar në mes të rrugës”.
       Me pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, sipas fjalëve të zotit Zanier, duhet nënkuptuar Bashkimi Evropian, i cili filloi të përkëdhelte Serbinë, në vend që ta vinte para përgjegjësisë për krimet e rënda që kreu në Kosovë.
Botimi i librit të Karla del Pontes dhe raporti i senatorit Dik Marti, të cilët kërkojnë të vendosin shenjën e barazisë mes kriminelit dhe viktimës, janë dëshmia më e pastër e faktit se Bashkimi Evropian, nën presionin e neocarizmit rus, është radhitur përkrah Serbisë dhe kërkon që edhe Kosovën ta ndëshkojë pa të drejtë për krime lufte, duke akuzuar, çuditërisht,  për një gjë të tillë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
       Në këto kushte, ka ardhur e është krijuar një rreth vicioz për perspektivën e Kosovës. Qëndrimi përkëdhelës i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë ka sjellë si pasojë që kjo e fundit, në veriun e Kosovës të krijojë një vatër të përhershme infeksioni politik që e ka bërë të pamundur stabilizimin e situatës për gjithë këto vite me radhë. Qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i nuk kanë bërë asgjë për zbatimin e rregullave të një shteti ligjor në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
       Veç kësaj, fryma e platformës së Ahtisaarit për një Kosovë multietnike, i ka dhënë krah pakicës serbe që ajo të mos njohë dhe të mos zbatojë kurrfarë normash juridike. Shpallja e Kosovës si një vend multietnik është një blasfemi që përdoret kundër së vërtetës historike. Është për të ardhur keq që korit të multietnizmit i bashkohet edhe klasa politike kosovare që deri tani ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë formalisht vendin.
       Prandaj, për të dalë nga ky rreth vicioz ku është katandisur Kosova, bëhet më se i domosdoshëm ribashkimi i saj me atdheun amë, çka është një ëndër shekullore e popullit shqiptar të Kosovës.
       Por ribashkimi i Kosovës me atdheun amë nuk është shpëtimtar vetëm për Kosovën. Ai po aq shpëtimtar është edhe për atdheun amë, Shqipërinë Londineze. Për ta nënvizuar edhe më shumë rëndësinë historike të këtij ribashkimi edhe për atdheun amë, dëshiroj të ndalem në një fakt konkret.
Qytetari shqiptaro-francez, gazetari Ervin Baku, para disa vjetësh, ka dërguar nga Brukseli këtë informacion mjaft domethënës për një të përditshme shqiptare:
“…Shqipëria me origjinë është e krishterë. Sot ajo është 70% myslimane… Kjo e shqetëson shumë Evropën Perëndimore ku aspirojmë të integrohemi. Po e them troç dhe pa doreza: nuk është as korrupsioni, as krimi i organizuar, as trafiqet që po na vonojnë kaq shumë hyrjen në Evropë. Jo. Aderimi dhe vazhdimi në Konferencën e Vendeve Islamike përbën një handikap tejet të konsiderueshëm drejt Evropës së Bashkuar.
Kjo nuk do t’u thuhet kurrë zyrtarisht politikanëve shqiptarë nga interlokutorët e tyre evropianë. Por mua personalisht më është thënë më se një herë në tavolinat e Brukselit dhe Strasburgut. Dhe më është thënë nga personalitete eminente të Bashkimit Evropian. Ndaj dhe vendosa t’i ndaj këto radhë me lexuesit e mrekullueshëm të “Koha Jonë” (Citohet sipas: Gazeta “Koha Jonë”, 15 gusht 2006).
Klasa politike që ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë Shqipërinë Londineze, domosdo që e ka ndier këtë presion të nëndheshëm që i është bërë nga ana e strukturave të Brukselit dhe të Strasburgut dhe ka marrë masa për t’u ardhur atyre në osh. Në vitin 2003, parlamenti kaloi ligjin për gjendjen civile, sipas të cilit duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë përmes vetëdeklarimit të gjuhës, përkatësisë etnike dhe fesë. Gjatë këtyre tetë vjetëve që kanë kaluar, këtij ligji paradoksal, të pahasur kund në legjislacionin ndërkombëtar, nuk i është bërë kurrfarë publiciteti në mjetet e informimit masiv të Tiranës. Por një ditë të bukur, një ministër i qeverisë Berisha, zoti Genc Pollo, aty nga fundi i vitit 2010, njoftoi publikisht se në prill të vitit 2011, do të fillonte regjistrimi i popullsisë, sipas atij ligjit të sipërpërmendur që deri tani ishte vënë “nën surdinë”.
Për kryerjen e këtij regjistrimi, domosdo paradoksal, Brukseli dhe Strasburgu paskëshin “emëruar” Athinën si “dado” të Tiranës. Dhe qëllimin  e “përkujdesjeve” të veta për punën e këtij regjistrimi, Athina e shprehu publikisht përmes deklaratës shoviniste të konsullit grek në Korçë Teodoros Ikonomus, i cili kërkoi që popullsia e Korçës të vetëdeklarohet si popullsi greke.
Në pikësynimet e heshtura afatmesme të Brukselit dhe të Strasburgut, pikësynime këto që përputhen tërësisht me strategjinë e kahershme të shovinizmit grekomadh, fshihet një manovër tepër djallëzore: të bëhet regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim të kombësisë, në mënyrë që të realizohet një rritje skandaloze e numrit të elementit ortodoks, të blerë me asprat e Athinës, me të vetmin qëllim që të arrihet në shpalljen edhe të Shqipërisë Londineze si një vend multietnik. Dhe qëllimi final i këtij aksioni politik është shndërrimi i kombit shqiptar në një bashkësi laramane multietnike, pa fizionomi kombëtare. Pra, sipas finales së këtij aksioni politik, në Evropën Juglindore nuk ekzistuaka një komb shqiptar, çka përbën një shtrembërim të së vërtetës historike për ekzistencën  mijëravjeçare të etnisë shqiptare në trojet e veta etnike kompakte.
Ishte pikërisht arsyeja paradoksale e regjistrimit të kësisojshëm të popullsisë në Shqipërinë Londineze, që bëri të dilte në skenë zoti Kreshnik Spahiu dhe Aleanca Kuq e Zi, që deri tani ka grumbulluar mbi 30 mijë firma për hedhjen poshtë të ligjit të gjendjes civile për regjistrimin e popullsisë.
Nga sa u parashtrua, bëhet urdhëruese domosdoshmëria e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë, për ta shpëtuar kombin shqiptar nga fryma e multietnizmit që kërkohet t’i imponohet, për të kënaqur epshet shoviniste të fqinjëve tanë sllavogrekë. Sepse ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë Londineze do të krijojë kushte për afirmimin edhe më me forcë të identitetit të kombit shqiptar, si një komb unik, me perspektiva të shkëlqyera zhvillimi, me troje kompakte në Evropën Juglindore, për hapjen e perspektivës edhe për ribashkimin e trojeve të tjera etnike në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqinë Veriperëndimore.
Është e qartë se Unioni Gjithkombëtar Shqiptar do të hasë në shumë pengesa për arritjen e këtij objektivi madhor. Pengesat kryesore për arritjen e këtij objektivi të shenjtë do të hasen, para së gjithash, në radhët e elementit brendashqiptar, të përfaqësuar nga një takëm intelektualësh që hanë bukë në trojet shqiptare, por që bëjnë duanë e shovinizmit serbogrek, i cili përçarjen e kombit shqiptar e ka pasur në qendër të strategjisë së vet shekullore. Këta intelektualë le të mos harrojnë një amanetporosi që u ka lënë brezave pasardhës Shoqata “Vatra”, e cila, më 28 janar 1918, në letërprotestën e vet, drejtuar  kryeredaktorit të gazetës “Mançester Gardian”, shkruante:  
“Shqiptarët u detyruan t’i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë” (Citohet sipas: Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. II. Tiranë, 1987, f. 663).
Nënkuptohet që Unionit Gjithkombëtar Shqiptar do t’i duhen mjete të fuqishme financiare për ta jetësuar objektivin madhor që i ka vënë vetes përpara. Këto mjete financiare do të jenë të nevojshme jo vetëm për përballimin e një pune të drejtpërdrejtë sqaruese në radhët e popullit të thjeshtë, por edhe për hapjen e një kanali të posaçëm televiziv, përmes valëve të të cilit do të komunikohet drejtpërsëdrejti me teleshikuesit për domosdoshmërinë e ribashkimit me atdheun amë. Prandaj duhet kërkuar edhe ndihma e biznesmenëve kosovarë me orientim kombëtar. Në të njëjtën kohë, Unioni Gjithkombëtar Shqiptar duhe të përgatitet edhe për zhvillimin e një referendumi mbarëkosovar, në mënyrë që të vilet drejtpërsëdrejti mendimi i çdo qytetari për domosdoshmërinë e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë dhe klasa politike në pushtet të vihet para një fakti të kryer.

Santa Barbara, Kaliforni
20 maj 2011
-------------------------------
* Kjo kumtesë është lexuar prej zotit Cenë Pushkolli në Tribunën Politiko-Diplomatike që organizoi Unioni Gjithkombëtar Shqiptar në Hotel Grand në Prishtinë më 24 maj 2011. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...