Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/07/20

I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT, ATDHETARIT E SHKRIMTARIT TË SHQUAR, SULEJMAN KRASNIQI



Nga Prof. Murat Gecaj(Publicist e studiues-Tiranë)


1.


       Sulejman Krasniqi  


Në mëngjesin e ditës së djeshme, u shua përgjithnjë, në kryeqytetin Tiranë, shkrimtari i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Jam njohur me të shumë vite më parë, kur në Shqipëri sundonte regjimi monist dhe ai ishte student e unë punoja në shtypin e fëmijëve. Por edhe më tej, në shoqërinë e disa të njohurve tanë kosovarë, ne kemi mbajtur lidhje e kemi patur respekt të ndërsjelltë. Bile, ruaj dhe botime të tij, me shënime dashamirëse. Prandaj edhe unë, e kam kujtuar dhe do ta kujtoj atë përherë, me nderim e dashuri të veçantë.
Kohët e fundit, kisha dëshirë ta takoja përsëri Sulejmanin dhe iu drejtova me një mesazh të bijës, Albanës, në Gjenevë, nëse kishte ndonjë adresë të tij Interneti. Me korrektësi, ajo m’u përgjigj se ai nuk kishte dhe se ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Sigurisht, u pezmatova për këtë gjë, pasi mora vesh se, miku im i mirë dhe shkrimtari i ndjenjave të pastra atdhetare, po vuante. Sigurisht, atëherë nuk e dija që, pas disa ditëve, pra pikësrisht sot, do t’i ngushlloja për të jatin, Albaën e Sokolin dhe bashkëshorten e tij.

2.

Në bisedat me Sulejmanin, por dhe nga leximet, kam mësuar se ai ka lindur më 7 dhjetor 1937, në Hoçë të Vogël, të Komunës së Rahovecit të Kosovës. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje. Për ndjenjat e tij atdhetare, rregjimi serb e burgosi, duke e akuzuar se dëshironte që Kosova të shkëputej nga Serbia dhe të bashkohëj me Shqipërinë. Për këtë arsye, më pas ai erdhi këtu dhe e dërguan për të jetuar në Lushnjë! Më tej, ndoqi e kreu studimet, në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës (1963-1967). Me pasionin e njeriut të punës e profesionit, shërbeu pa u lodhur, mësues në rrethet Mat e Tiranë, deri sa doli shkrimtar në profesion të lirë.  



Kryeministri Sali Berisha, duke ngushëlluar familjarët e Sulejman Krasniqit

Emri i Sulejman Krasniqit u bë shpejt i njohur, në Shqipëri e jashtë saj, si me artikujt e shumtë në shtypin e kohës, por dhe me librat që publikoi. Në të gjitha ato, binte në sy theksi i veçantë atdhetar dhe dashuria e malli për vendlindjen. Botimet e tij u vlerësuan, duke iu dhënë Urdhëra Pune e “Çmimi I Republikës” (1981), për librin kushtuar “Heroit të Popullit”, Bajram Curri. Më pas, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij botuese, edhe kur ishte i rënduar nga gjendja shendetësore.
Kur shohim skedarin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytetin Tiranë ose shfletojmë libra të Sulejman Krasniqit, mësojmë se titujt e tyre janë të shumtë e të larmishëm, shumica me temë atdhetare. Ja, për shembull, po përmendim vetëm disa prej tyre. 

 Ndër veprat e këtij shkrimtari të njohur renditen edhe: “Tri motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e komitëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Mic Sokoli”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top, o Bajram Curri”, “Dardanët”, “Heronjtë e borës”, “Oso Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu, dy herë i pushkatuar” e “Belbacakja”. Po kështu, në vitet e fundit, publikoi librat: “Europë, deri kur do ta keqpërdorësh durimin e Kosovës” (Tiranë, 1996), “Rapsodia e kosovares”, roman në vargje (Prizren, 1999), “”Makthi i hijeve” (Tiranë, 2000), “Rebeli i bajraqeve” , roman (Tiranë, 2000), “Jetëshkrim…”(Tiranë, 2011). 



Një nga librat e shumtë, nga S.Krasniqi

3.
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi, pas një sëmundjeje të gjatë, u bë i njohur qyshë dje, përmes stacioneve radiotelevizive të Shqipërisë dhe sot përmes gazetave të përditshme. Me këtë rast, një mesazh ngushëllimi i dërgoi familjes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Gjithashtu, ai shkaktoi pikëllim edhe në Republikën e Kosovës. Nga atje, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dërgoi një mesazh, ku thuhej, ndër të tjera: “Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare, që u ka lënë brezave të Atdheut të tij të dashur”.
Për ta nderuar jetën dhe veprën atdhetare e letrare të Sulejman Krasniqit, nga ora 12.00-14.00, e ditës së sotme, trupi i tij i pajetë u vendos në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Me këtë rast, erdhën për t’i bërë atij nderime dhe për ta ngushlluar familjen: miq, kolegë e të njohur të shumtë; shkrimtarë, arsimtarë e artistë; personalitete të jetës politike e shoqërore; nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, erdhën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, përfaqësues të partive politike e tjerë.
Mbi arkivolin e të ndjerit u vendosën kurora të shumta dhe buqeta me lule të freskëta. Ndër to, ishte dhe kurora e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pastaj u zhvillua ceremonia e rastit, në Varrezat e kryeqytetit.

Tiranë, 17 korrik 2011

Huazuar:http://tribunashqiptare.net/?p=516

2011/07/19

Jo regjistrimit të popullsisë sipas midesë së shovinizmit grekokaragjoz!

Prof.dr. Eshref Ymeri 

 Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhe të ngrihen më këmbë dhe ta hedhin poshtë nismën e qeverisë Berisha për regjistrimin e popullsisë, sipas formularit të zotit Pollo. Aleanca Kuq e Zi, sipas një informacioni që kam nga Tirana, është duke u përgatitur për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese formularin Pollo. Jam i bindur që gjykatësit e nderuar të gjykatës Kushtetuese do të mbajnë po atë qëndrim të lartë atdhetar ndaj formularit Pollo, siç e mbajtën edhe ndaj vendimit tradhtar të deputetëve tradhtarë demokratikas lidhur me hapësirat tona ujore në kufi me Greqinë. Në këtë fushatë që ka ndërmarrë zoti Pollo për t'u hedhur hi syve mbarë shqptarëve lidhur me regjistrimin e popullsisë, vihet re heshtja tërësore e opozitës socialiste. Me sa duket, të dyja klanet e politikës shqiptare - demokratët dhe socialistët - janë tërësisht solidarë në qëndrimin tradhtar që mbajnë ndaj interesave kombëtare në raport me shtetin më karnaval të Evropës - Greqinë. Për të marrë firmën e qelbur greke për hyrjen në Bashkimin Evropian, demokrato-socialistët janë gati ta nxjerrin Shqipërinë në bregun e pazarit të shovinizmit leckaman grekomadh. Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhet të kujtojnë kontributin shumëvjeçar të gazetës "Rimëkëmbja" dhe të zotit Abdi Baleta, i cili ka paralajmëruar me kohë, pas fillimit të proceseve demokratike, se sulmi frontal grek për korruptimin e klasës politike shqiptare, me qëllim greqizimin e shkallëshkallshëm të Shqipërisë, do të përballohet me një kosto shumë të lartë. Sot duhet të ushtojë fuqishëm zëri i mbarë shqiptarëve të vërtetë, në përkrahje të zotit Abdi Baleta, të Prof.dr. Pullumb Xhufit, të zotit Kreshnik Spahia, Nuri Dragoi, Sabri Godo, të Prof. Alfred Uçit, të Prof.dr. Sabit Brokaj, të kryetarëve të gjykatave Sarandë, Përmet, Shkodër dhe të shumë intelektualëve të tjerë. Ky zë duhet të ushtojë fuqishëm edhe në radhët e diasporës shqiptare. Ky zë duhet të ushtojë edhe më fuqishëm në përkrahje të Aleancës Kuq e Zi, kundër regjistrimit të popullsisë, sipas formularit të veglës së shovinizmit grekomadh në Shqipëri, zotit Genc Pollo. Heshtja e Brukselit për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, sipas qejfit të shovinizmit grekokaragjoz, dëshmon shkoqur fare se Bashkimi Evropian kërkon ta shpallë Shqipërinë multietnike dhe mbarë hapësirat shqiptare si hapësira multietnike, ashtu siç e kanë shpallur Kosovën si vend multietnik, çka është një paradoks i kulluar. Me sa duket, Brukseli po punon nën rrogoz, nëpërmjet Greqisë karagjoze, që Shqipërinë ta pranojë në Bashkimin Evropian, pasi kjo të shpallet si vend multietnik, me qëllimin final se në Evropën Juglindore nuk na ekzistuaka komb shqiptar në troje etnike kompakte shqiptare. Ky është një qëndrim armiqësor i Evropës ndaj kombit Shqiptar, i kësaj Evrope, e cila, në raport me etninë shqiptare, është po ajo, të cilën e pati stigmatizuar aq bukur Nderi i Kombit Shqiptar - Gjergj Fishta: Kurva e Motit.

Eshref Ymeri

Santa Barbara,Kaliforni 18 korrik 2011

Shkrimtarin Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare ....

Nga Flori Bruqi,Prishtinë


Në jetën letrare shkrimtari Sylejman Krasniqi  mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si atë të Republikës më 1981, me romanin Mic Sokoli si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të qenë vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit. 


Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit më 7 .12.1937, në një familje atdhetare kosovare. Studimet i nisi në gjimnazin e Prizrenit. Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, dënohet me 14 muaj burg me akuzën për “ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën “Pioneri” në Prishtinë. 







Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje. 


Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit. Pas ndjekjes serbe u detyruar të lërë Kosovën e të vijë në Shqipëri, ku vazhdoi edhe studimet, pasi më parë provoi kampet e punës në Jug. 


Por pas la një premtim, të mos e ndalte për asnjë moment luftën për pavarësimin e Kosovës. Dhe, nëse do të kishte një lajm të madh në jetën e tij, ishte pikërisht shpallja e Pavarësisë së Kosovës. 


Luftën e tij e vazhdoi me anë të letërsisë, madje u nderua edhe me çmime, çka e çonte edhe më larg jehonën e veprave të tij. Për romanin “Mic Sokoli ai do të vlerësohej me “Çmimin e Republikës”. 


Më pas do të vijonin edhe çmime të tjera.
Vdiç Balzaku shqiptar ,shkrimtari Sulejman Krasniqi

Për atë, Shqipëria dhe Kosova ishin një. 

Nuk kishte kufij. Lindi në Kosovë e vdiq në Shqipëri. Zemra rrahu dhe foli shqip…
Pas një sëmundjeje të gjatë, që e kishte tërhequr disi nga jeta aktive kulturore, ndërroi jetë shkrimtari Sulejman Krasniqi.

 Emra të njohur të letrave shqipe, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur, dje, në një ceremoni mortore, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Lamtumirë për njeriun që do të kujtohet si simboli i rezistencës, që krijimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet dhe padyshim u bë edhe një frymëzim lirie. 

“Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, UÇK-në”, u shpreh dje kryeministri shqiptar prof.dr. Sali Berisha.

 Ndërsa Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar familjarëve u shpreh se “me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”.


Sulejman Krasniqi numëron mbi 20 vepra, të cilat janë kryesisht me karakter historik. Bajram Curri, Mic Sokoli, Shote Galica, heronjtë e lirisë do të zinin një vend kryesor në krijimtarinë e tij. 

E po kështu edhe ngjarje të mëdha si Lidhja e Prizrenit, masakra e Tivarit etj.

1. “Pushka top Bajram Currit”,
2. “Tri motra, tri histori”, 
3.“Lindita”, 
4.“Njeriu dy herë i pushkatuar”, 
5.“Qielli i përflaklur”,
 6.“Prijësja e komitëve”, 
7.“Mic Sokoli”, 
8.“Rebeli i bajraqeve” etj.
Këto janë disa nga titujt e librave që  shkrimtari i madh Sylejman Krasniqi ka lënë pas. 

Sipas shkrimtarit Bardhyl Londo, kur Sulejman Krasniqi erdhi në Shqipëri nga Prizreni në vitin 1958, solli me vete botën e shqiptarëve të atjeshëm, por njëkohësisht edhe botën e shqiptarëve që gjeti këtu.
 “Iu kushtua kryesisht romanit historik, lëvroi me pasion të veçantë historinë e Shqipërisë, e ngriti atë në art në romanet e shumtë që ka lënë”, tha  Bardhyl Londo. “Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t’iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit”, kështu do të shprehej kohë më parë shkrimtari kosovar, i cili me zgjuarsi i shpëtoi censurës dhe njëkohësisht i shërbeu edhe kauzës së lirisë së vendit të tij, të cilin ai nuk mundi ta shihte për 60 vjet me radhë, qysh se kaloi kufirin që ndante trojet shqiptare.

Shuhet Sulejman Krasniqi, Topi mesazh ngushëllimi

          Prof.dr.sc.Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik , ngushëlloi familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 74-vjeçare. 

"Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjine nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit", thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Përmes këtij mesazhi, Presidenti Topi shpreh vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar. 

"Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë", përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar.



        Prof.dr.sc.Sali Ramë Berisha
Në homazhet e zhvilluara dje  mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi”, u shpreh Berisha.
            Prof.dr.sc.Jakup Krasniqi
Me rastin e vdekjes së Sulejman Krasniqit, atdhetarit, veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ngushëlluar familjen Krasniqi. 

“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare që u ka lënë brezave të atdheut të tij të dashur”, kështu do të shprehej kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi.
  “Me lot në sy e me mall të pashuar për Kosovën, së cilës ishte detyruar t’ia kthente shpinën, Sulejmani shpesh thoshte, mos vdeksha pa u kthyer sërish atje dhe pa e parë të lirë vendlindjen time. Ai e jetoi ditën e çlirimit të Kosovës dhe e kremtoi pavarësinë e sovranitetin e saj”.

Ramon Sanchez Lizarralde, një spanjoll i dashuruar me shqipen


Ramon Sanchez Lizarralde


Binte shumë shi atë ditë. Një shi i imët, i shtruar, që s’kishte ndërmend të pushonte. Shiu tipik i vjeshtës së shtyrë të Tiranës.Ai mbërriti i përpiktë në librarinë që e kishim shndërruar në një studio televizive, ku zhvillonim bisedat me shkrimtarë e përkthyes, i tëri qull. Edhe pse ndërtesën ku ishte hapur panairi i librit, për të cilin ai kishte ardhur në Tiranë, dhe vendin tonë të takimit se ndanin veç ca dhjetëra metra distancë. As çadër s’kishte pasur me vete, edhe pse e njihte mirë Tiranën dhe klimën e saj. Ndoshta mendonte se libraritë e mbyllura apo panairi i librit nuk do t’ia bënin të nevojshme ecejaket e gjata nëpër rrugë. Mbërriti i buzëqeshur… dhe shkujdesshëm u përpoq të rregullonte flokët e lagur para se të fillonin regjistrimin e intervistës… Ramon Sanchez Lizarralde ishte përkthyesi që veçmas më kishte tërhequr vëmendjen. Prania e një grupi të vogël përkthyesish të letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme europiane, ishte ngjarja më e rëndësishme e panairit të librit të atij viti. Cilët ishin këta përkthyes? Si kishin rënë në kontakt me gjuhën e këtij vendi të vogël e me letërsinë tonë? Fundja, pse e kishin bërë këtë zgjedhje, ç’i kishte joshur?… Kureshtja funksiononte njëlloj në rastin e të gjithëve, të përkthyeses polake, italiane, angleze… porse përkthyesi spanjoll qëndronte veçmas në këndvështrimin tim, edhe pse historia e lidhjes së tij me shqipen dhe me letërsinë shqipe ishte më të vërtetë e veçantë. Jo vetëm më e hershme e për pasojë më e thellë dhe e fortë. Porse fillonte në një epokë tjetër. Ai kishte mbërritur në Shqipëri para rënies së diktaturës dhe kishte jetuar gjatë këtu, duke pasur mundësinë të prekë me dorë terrenin, të njohë nga afër vetë autorët e letërsisë shqipe. Kishte nisur në fillim pandërgjegjshëm të hynte nëpër labirintet e shqipes, kaq të ndryshme nga gjuha e tij, e kishte shijuar dhe kishte nisur të zbulonte një nga një veprat e mëdha. Kishte adhuruar Kadarenë, por jo vetëm… E në fund të të gjithë kësaj, kishte besuar se ishte detyrimi i tij të çonte diçka prej letërsisë shqipe në Spanjë, duke u mbushur një boshllëk që gabimisht deri asaj kohe kishte qëndruar i zbrazur në libraritë e atij vendi. E filloi nga Kadareja. E pashmangshme kjo. Sepse ky shkrimtar që i kish kapërcyer prej kohësh kufijtë e vendit të vet, duhej çuar edhe në Spanjë. Kadareja duhej lexuar edhe nga spanjollët… Dhe kështu filloi rrugëtimi i një përkthyesi të dashuruar me gjuhën shqipe… Ramon Sanchez Lizarralde gjatë intervistës njëorëshe, por edhe më pas, gjatë kohës se një kafeje, më tregoi gjithçka rreth vetes, pasionit për përkthimin dhe veçanërisht për letërsinë shqipe. Për punën që iu desh të bënte me botuesin e parë që mori përsipër të nxirrte në spanjisht “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Për procesin e vet përkthimor të ndarë në faza, që i shijonte veçanërisht netëve dhe me së shumti në shtëpinë e vet që kishte në mal, larg nga qyteti i zhurmshëm dhe shpërqendrues. Më tregoi për “zhytjen” në thellësitë e letërsisë së Kadaresë që ishte pasuar me një miqësi me shkrimtarin… Për vështirësitë shkaktuar nga dallimet mes dy gjuhëve apo mendësitë, por edhe për ndonjë të përbashkët që herë-herë ia lehtësonte përkthimin…  E pastaj vijoi për njohjet me shkrimtarë të tjerë shqiptarë dhe për vendimin për t’i përkthyer edhe ata në spanjisht… Ramon Sanchez Lizarralde prej disa ditësh nuk është më mes të gjallëve, porse puna e tij e jashtëzakonshme e bën atë të jetë i pranishëm. Puna e jashtëzakonshme e një ndërmjetësi mes letërsisë shqipe dhe lexuesve spanjollë… Intervista e mëposhtme të rikthen jo thjesht në një çast të së shkuarës, në një ditë nëntori kur në Tiranë shiu nuk donte të pushonte. Por mbi të gjitha të rikthen në periudhën e gjatë të dashurisë së Sanchezit, që të gjithë shqiptarët e njohin me letërsinë shqipe dhe autorëve të kësaj gjuhe…
Prej shumë vjetësh përktheni letërsinë shqipe për lexuesit e vendit tuaj, pse keni zgjedhur shqipen, dhe jo një gjuhë tjetër të “madhe”?
Unë kam punuar për një kohë të gjatë në ndërmarrjen botuese “8 Nëntori”, në kohën e regjimit të Hoxhës. Dhe, kur u ktheva në Spanjë, vura re që e dija gjuhën shqipe dhe e njihja letërsinë shqipe. Ishte si një lloj detyrimi etik për mua, ndërkohë që në Spanjë nuk dinin asgjë për letërsinë shqipe. Kështu ka qenë në momentet e para, pasi kisha jetuar katër vjet në Shqipëri.
Identifikoheni me Kadarenë, pra jeni përkthyesi i tij në spanjisht. Si do ta përkufizonit tërheqjen tuaj ndaj letërsisë së këtij shkrimtari?
Botimi i Kadaresë në spanjisht në fillim ishte një zgjedhje e dyfishtë, imja dhe e botuesve spanjollë. Kadareja ishte një autor i njohur dhe ishte e natyrshme që prej tij të mund të fillohej të përkthehej letërsia shqipe. Veç kësaj, shijet letrare në Spanjë janë të ndikuara nga Parisi dhe Kadareja e kishte kapërcyer “pengesën” franceze.
Ju e çuat për së pari Kadarenë në Spanjë nëpërmjet “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Çfarë kujtoni nga vështirësitë e atij përkthimi të parë?
Problemet e fillimit kishin të bënin me papjekurinë time. Strukturat e gjuhëve tona janë shumë të ndryshme dhe ka shumë probleme për të kthyer një ligjërim nga njëra gjuhë në tjetrën. Veç kësaj, kur te “Gjenerali” fillojnë të dalin në skenë fshatarët e sidomos kur shfaqet plaka Nicë me kockat e gjeneralit Z., vështirësitë bëhen me të vërtetë të mëdha. Tani unë e kam shumë të qartë, Ismaili është një nga romancierët e parë që përshtati gjuhën qytetare për letërsinë. Këtu puna funksionon lehtësisht, por kur hyjnë personazhet e tjerë, që vijnë nga një botë që për më tepër s’mund të krahasohet me botën spanjolle, problemi vështirësohet.
E megjithatë, edhe pse Gjenerali është vepra e parë që keni përkthyer, vështirësinë më të madhe e keni pasur gjatë përkthimit të “Kronikë në gur”…
Është e njëjta logjikë. Atje flasin gjithmonë plakat. Vetë Gjirokastra është një territor shumë i veçantë. Kurse Kadareja nxjerr në pah shumë gjëra nga e kaluara dhe sidomos shumë gjëra personale dhe të brendshme. Në të njëjtin këndvështrim, ka qenë shumë i vështirë «Viti i mbrapshtë». Njerëzit e shtresave të ndryshme flasin krejt ndryshe. Kadareja i përdor shumë ngjyrimet gjuhësore. Është e vështirë të gjesh mënyrën si ta japësh atë në spanjisht.
Si e keni gjetur përkthimet e disa gjërave tipike, të themi vrasjen me juk që e gjejmë të Kadareja?
Fjala konkrete nuk më kujtohet, por më kujtohet problemi. Por ka një avantazh. Së paku në këtë rast. Bëhet fjalë për diçka që edhe në mendësinë spanjolle ekziston. Sigurisht në një formë të përafërt. Mund të ndodhte në disa zona të vendit. Kësisoj s’kisha nevojë të bëja një spanjollizim të frazës.
Shpesh përkthyesve u lind nevoja për shpjegimet e situatave të caktuara? A i përdorni ju shpjegimet? 
Nevoja për përdorimin e shpjegimeve varet nga autori. Nëse do të flisnim për Kadarenë, duhet thënë se ai është specialist për t’u treguar të huajve, për t’ua shpjeguar gjërat deri në detaje brenda vetë librit. Dhe kjo e lehtëson punën e përkthyesit.  Mund të përmend “Prillin e thyer” për shembull, ku Kadareja e shpjegon Kanunin deri në detaje për lexuesit. Por, ka autorë të tjerë që në këtë pikëpamje janë të vështirë, siç do të përmendja Mitrush Kutelin. Kam përkthyer një vëllim me tregime, por ishte shumë i vështirë Kuteli. Unë mendoj se i duhen dhënë lexuesit edhe karakteristikat e veçanta të një letërsie. Nëse njerëzit lexojnë një libër shqiptar apo kinez, ata duhet të njohin aty Shqipërinë apo Kinën, gjërat nuk duhen spanjollizuar.
Ju përmendet “Prillin e thyer”, bazuar te Kanuni, unë do të përmend edhe dy vepra të tjera bazuar në legjenda “Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”. Si keni vepruar ju për të marrë informacion rreth terrenit ku në raste të tilla Ismail Kadare lëviz? 
Gjithë botimet e legjendave shqiptare, ashtu si dhe gjithë botimet e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” apo versionet e tjera, i kam lexuar. Është e domosdoshme të merret informacion mbi gjërat për të cilat shkrimtari flet, ndryshe mund të bëhen gabime shumë të rënda.
Sa ndryshojnë apo sa ngjajnë mendësitë shqiptare dhe spanjolle? Sa ua vështirëson apo lehtëson procesin e përkthimit kjo gjë?
Ka shumë elemente që dallojnë. Por midis spanjishtes dhe shqipes ka një element të rëndësishëm që bashkon: arabët kanë qenë 8 shekuj në Spanjë dhe kanë lënë shumë gjurmë në gjuhë. Dhe kjo na afron në ngjyresat e fjalëve që ka shqipja, pasojë e gjurmëve që ka lënë te ju Turqia. Edhe pse ngjashmëria është shumë më e vogël, do të flisja edhe për gjurmë që kanë mbetur në të dyja vendet, në mentalitet.
A mund të thuhet e njëjta gjë për diktaturën…
Po, ka edhe një anë mentaliteti më modern. Edhe ne kemi pasur problem me diktaturën 40-vjeçare të Frankos. Që do të thotë se njerëzit janë më të përgatitur të kuptojnë mjediset shqiptare për të njëjtat çështje të diktaturës që edhe spanjollët i njohin. Në parim, krijohet ideja e një ndryshimi të mundshëm, pasi Franko ishte fashist dhe Hoxha komunist, por gjithsesi vuajtjet e njerëzve ishin të njëllojta.
Shumë nga përkthyesit përdorin përkthimet paralele për t’u bindur për saktësinë e punës së tyre. Si procedoni ju dhe cilët janë përkthyesit, përkthimet e të cilëve ju kanë vlejtur si variante krahasuese në tryezën tuaj të punës?
Sidomos në 3 ose 4 romanet e para, unë e kisha gjithnjë versionin e Jusuf Vrionit në tryezë. Patjetër, se doja të siguroja veten. Kurrë s’e kam bërë përkthimin nga frëngjishtja, por doja të kuptoja më shumë e të bindesha, sidomos në raste të veçanta. Më vonë s’e kam ndjerë këtë nevojë. Tashmë jam brenda mendësisë së Ismailit. Veç të tjerave, kemi edhe marrëdhënie të mira dhe të shpeshta. Nganjëherë, para se të dalë libri, unë kam marrë vesh shumë gjëra rreth tij, pasi Kadareja m’i ka treguar. Atij i pëlqen të flasë për projektet e tij.
Edhe pse mund të quheni, pothuaj, përkthyesi ekskluziv i Kadaresë, ka edhe të tjerë autorë shqiptare që ju i keni kthyer në spanjisht: Kuteli apo anonimët, të cilët i keni përzgjedhur nëpërmjet përrallave popullore shqiptare. Cili është krahasimi që mund të bëni mes autorëve letërsive apo kohëve prej nga vijnë ata? Ç’marrëdhënie keni krijuar me veprat e ndryshme gjatë procesit?
Kur fillova së pari me përrallat, kisha bërë një punë paraprake shumë të madhe. Kisha lexuar mbi 500 përralla përpara se të fusja kokën brenda mendësisë dhe të zgjidhja më pas. U detyrova të lexoja antologji të tëra edhe me përralla të spanjollëve apo italianëve. Nuk gjeta ndonjë ngjashmëri mes përrallave shqiptare dhe atyre spanjolle. Por ngjashmërinë e pashë me përrallat italiane. Prandaj u mora gjatë me Italo Kalvinon, me vëllimin e tij me përralla italiane. Atje gjeta një sistem shumë të afërt, madje shumë tema ishin të njëjta. Si të thuash te Kalvino gjeta çelësin për përrallat shqiptare. Jam në përkthim e sipër të përrallave të “Ciklit të kreshnikëve”. Është një punë që po zgjat prej vitesh. Por jo të gjitha përkthimet zgjasin njëlloj në kohë. Nëse do të bëja një krahasim, do të thosha, për shembull, se “Lul Mazrekun” e përktheva në 3 muaj, kurse përrallat, në pesë vjet. Sigurisht nga që Kadarenë e njoh mirë tashmë, kurse problemet gjuhësore dhe të mentalitetit te përrallat kanë qenë shumë të mëdha.
Nëse do t’i referohesha një studiuesi të Kadaresë, do të evidentoja rreth 2000 fjalët e formuara prej tij apo të nxjerra nga sëndukët e shqipes. Si procedoni ju në raste të tilla? A ekziston mundësia për t’i kthyer në spanjisht, sidomos fjalëformimet?
Te fjalëformimet del një problem shumë i madh, pasi rregullat e gjuhës spanjolle nuk e pranojnë kaq lehtë fjalëformimin, madje edhe në rastin e autorëve që bëjnë letërsi të mirëfilltë. Por në shumicën e rasteve, duhet t’i gjej. Nëse nuk e kam atë mundësi të veçantë në gjuhën time, më duhet të krijoj diçka, por me shumë kujdes. Ndërsa për fjalët e vjetra nuk e kam tashmë të vështirë. Në fillim nuk i gjeja ato as në fjalor, por tani ndryshon puna. Sidomos pas përvojës së përrallave popullore, kam grumbulluar disa mijëra fjalë të dala nga qarkullimi ose turqizma apo krahinorizma, me të cilat kam ndërtuar edhe një fjalorth të vogël personal. Sidoqoftë, duhet gjetur në çdo rast një mënyrë.
Si do ta përshkruanit procesin tuaj të përkthimit?
Çdo gjë varet nga libri që kam në dorë. Në rastin e Kadaresë, atë e boton një ndërmarrje botuese në mënyrë të vazhdueshme dhe unë e kam fituar të drejtën të bëj sugjerime. Por, në rastet e të tjerëve, është më e vështirë. Botuesit i duhet një version francez. Pas kësaj edhe procesi ka varësitë e veta.
Nuk është e njëjta gjë si me përrallet popullore, si me Kadarenë apo me poezinë. Një libër poetik mund të më kushtojë një vit, edhe pse jo një vit me punë të vazhdueshme. E megjithatë, imazhet dhe figurat punojnë brenda në kokë për një kohë më të gjatë edhe kur realisht nuk jam mbi tryezë duke përkthyer.
Zakonisht punoj natën, jam pak si lakuriqët. Por edhe kjo ndryshon. Kur kam mësim në fakultet apo kur kam udhëtime apo konferenca, oraret ndryshojnë. Zakonisht preferoj të iki nga Madridi, ku edhe jetoj, e të shkoj në një shtëpi që kam në mal. Dhe kjo sidomos për procesin nistor, për variantin e parë. Pasi unë bëj gjithmonë një version të parë, bile pa u futur në vështirësitë e vogla. Të themi, nëse kam një fjalë që nuk e kuptoj mirë, e le ashtu siç është, në kllapa, dhe vazhdoj që të përkthej më poshtë. Në versionin e dytë futem në imtësi.
Dhe pastaj, hapi i tretë. Unë bëj versionin përfundimtar duke menduar në spanjisht që teksti të rrjedhë në gjuhën time.
Kur ju përkthyet “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në spanjisht, ekzistonin në bibliotekat e spanjollëve vetëm «Daullet e shiut», përkthyer nga frëngjishtja dhe “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit, sigurisht nga latinishtja… tashmë është një situatë tjetër, por le të qëndrojmë në një detaj. Pse e ripërkthyet “Daullet e shiut”?
Përkthimi nga një gjuhë e dytë është i ligjshëm vetëm kur nuk ka përkthyes nga gjuha origjinale. Përkthyesit nga frëngjishtja, që e kishte sjellë për herë të parë në shqip “Daullet e shiut”, i duhej të punonte mbi një tekst për origjinën e të cilit gjithsesi nuk ishte absolutisht i sigurt. Kësisoj u bë i nevojshëm ripërkthimi i atij libri.
Do të vazhdoni të identifikoheni me Kadarenë? Apo keni edhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë që ju tërheqin?
Fatos Kongoli është një tjetër nga të zgjedhurit e mi prej letërsisë shqipe. Po shoh se si tingëllon në spanjisht “Lëkura e qenit”. Herët a vonë Kongoli do të botohet në spanjisht. Dhe jo vetëm. Por punoj me botuesit për autorë të tjerë si dhe baladat shqiptare e “Ciklin e kreshnikëve”.

ARTA MARKU

Në vend të “ëndrrës” së modelit ekonomik


Akademik prof.dr.sc.REXHEP MEIDANI,Tiranë
Gjuha e modeleve nuk i ka munguar Shqipërisë edhe vite më parë. Kështu, në vitet e komunizmit, është folur për “fanar të kuq” në buzë të Adriatikut, diku për “model ushqimor” triumfues, diku për “ngrënie bari”, diku për “edukim politeknik” e “popull-ushtar”, diku “për zhvillim me forcat tona”, diku për model ekonomik pa pronë private, e ku di unë se çfarë akoma?! Dhe dihet rezultati. Por, sot, në kuadër të një ekonomie të ndërvarur në plan publik e privat, në rrafsh rajonal e global, as duhet shkuar në mend që mund të ecet me një “model ekonomik” tonin, aq më tepër që në procesin e integrimit europian kërkesat detyruese dhe reformat e nevojshme janë tërësisht të projektuara më parë, të zbatuara apo provuara në vendet kandidate apo anëtare të BE-së. Ndërkohë, duhet rritur kujdesi, vigjilenca e nikoqirllëku, në rrafshin ekonomik-financiar, sidomos në sajë të problemeve vluese në Greqi apo shenjave që po vihen re sot në ekonominë italiane; të dyja këto vende ku jetojnë dhe punojnë pjesa më e rëndësishme e emigracionit shqiptar të tranzicionit. Gjithçka që ndodh atje në planin ekonomik-financiar pasqyrohet, në një mënyrë apo tjetrën, edhe në ecurinë tonë ekonomike. Prandaj, për të ngacmuar deri diku ndjeshmërinë e specialistëve të ekonomisë, financave apo të vetë bankave, krahas politikanëve e zyrtarëve që mbulojnë fushat e mësipërme, po ndalojmë sado pak në situatën italiane…
* * *
Kriza e borxheve në zonën euro po bëhet sa komplekse, po aq shqetësuese, si në planin financiar, ashtu dhe politik. Sikur të mos mjaftonte kriza e borxhit (shtetëror apo sovran) të Greqisë, këto ditë tregjet kanë filluar të ndiejnë tronditjen italiane, pas asaj portugeze, irlandeze  e spanjolle. Deri diku, pritej diçka e tillë. Aq më tepër që shumë vende të BE-së kanë një problem masiv borxhi. Kështu, borxhi grek ndaj GDP-së kap vlerën 150%, por dhe Italia nuk është prapa (me afro 120%). Portugalia e ka këtë borxh shtetëror rreth 95% të GDP-së (me një pritshmëri në 3 vitet e ardhshme për të kapur vlerën 130%). Sidoqoftë, shifra e borxhit e llogaritur në përqindje të GDP-së nuk është patjetër metrika e vetme apo më e mira, sepse çështja reale në këto vende mbetet ajo e realizimit të të ardhurave dhe krahasimi i tyre me borxhin përkatës. Madje, në rastin e Shqipërisë, jo thjesht borxhi (që i deklaruar është afro 60%), por realizimi i të ardhurave ndaj shpenzimeve është sot problemi kryesor, për ta ulur këtë borxh.
Çështja tjetër është ajo e shkurtimit të shpenzimeve apo “mbledhja e rripit”. Ndërkohë rritja e taksave, me gjithë nevojën për këtë gjë, krijon zbythje, pikërisht kur, vitet e fundit, këto vende kanë pësuar tkurrje apo vuajnë rënien ekonomike. Në fakt, një ekonomi ose nuk rritet, ose ngadalësohet më tej, kur shkurtimi i shpenzimeve çiftëzohet me rritjen e taksave. Sepse, veprime të tilla e heqin paranë nga ekonomia, nuk e fusin atë aty. Po ashtu, për strukturimin e borxhit duhet të merren parasysh dy rregulla bazë, që në pamje të parë duken evidente: 1. Rruga e vetme për zgjidhjen e një krize borxhi është reduktimi i tij; 2. Ristrukturimi i një borxhi të shumanshëm është kompleks dhe kërkon kohë.
Kjo vlen si për qeverisjen, ashtu dhe biznesin. Në një botë në ndërveprim e kooperim, kur një kompani shfaq probleme financiare, gjëja e parë që ajo duhet të bëjë është që të pakësojë shpenzimet, duke u fokusuar në thelbin e biznesit të saj. Dhe kjo ka kuptim. Pra, sapo kompania është para një krize borxhi (ndryshe nga ajo e likuiditetit apo shfaqja e një problemi ciklik, që kapërcehet kur mbyllet cikli i tij), ajo duhet të ndjekë dy rregullat e mësipërme. Madje, pas një planëzimi të ri më të mirë dhe trajtimit të gjitha mundësive për kalimin e borxhit, ajo duhet të riorganizojë buxhetin e saj me synim rritjen e konkurrencës. Shpesh, ky ristrukturim çiftëzohet me atë operacional, po për të reduktuar borxhin. Një gjë e tillë, për rastin e qeverisë, brenda binomit sovranitet-ndërvarësi (kur termi i sovranitetit bëhet kryesor), nuk është aq e lehtë. Sepse, nuk mund të lihen mënjanë interesat, rregullat apo kërkesat e BE-ja, ndërkohë që pesha kombëtare bëhet mbizotëruese nën trysninë e qytetarëve apo të bankave përkatëse. Në kushte të tilla, ndërhyn fuqishëm edhe politika. Me këtë lidhet dhe rregulla e tretë: 3. Mos bëj politikë me një krizë borxhi. E thënë ndryshe, një krizë borxhi duhet të zgjidhet në mënyrë teknike-financiare, por jo politike. Analiza financiare fokusohet dhe kërkon zgjidhje afatgjata, ndërsa analiza politike, shqyrtimi politik është afatshkurtër. Shpesh dhe i gabuar apo për interesa pushteti. Pra, një krizë borxhi nuk mund të zgjidhet me masa gjysmake apo afatshkurtra. Aq më tepër që kriza e borxhit shtetëror apo e huadhënies sovrane nga vetë natyra është e mbushur me pasiguri dhe rreziqe. Kjo vihet re dhe brenda BE-së. Vendet anëtare, së bashku e individualisht, duhet të gjejnë rrugët e reduktimit të borxhit të tyre dhe kapitalizimit më të mirë të bankave të veta. Një situatë e tillë kërkon një ristrukturim kompleks nëpërmjet një planëzimi të kujdesshëm, analize të gjithanshme dhe realizimi të mençur, larg retorikës politike; dhe mbi të gjitha, drejtim të zgjuar e vendimmarrje plot kurajë. Këtë duhet të ketë parasysh edhe politika shqiptare, sidomos ajo qeverisëse.
* * *
Përpjekjet e deritanishme europiane nuk kanë rezultuar të suksesshme në kapërcimin e situatës tepër kritike greke. Kjo dhe për arsyen që, në kapërcimin e infeksionit grek, BE-ja, në tërësi, rezultoi e pavendosur. Shqetësimi sot është që të mos arrihet, deri aty, në rastin e Irlandës dhe Portugalisë apo aktualisht në Spanjë e Itali. Por le të ndalojmë tani në rastin e Italisë.
Aktualisht, për Italinë GDP-ja është me afro 5% më poshtë fundit të vitit 2008 dhe në total është rritur vetëm me 7%, që nga viti 1999 (vit i adoptimit të euros). Pra, me një zhvillim më të dobët se mesatarja e zonës euro. Dhe sot, duket si e vështirë rritja ekonomike e saj, veçanërisht me borxhin e saj të sotëm (prej afro 120% të GDP-së). Edhe konkurrenca apo kompetiviteti i ekonomisë italiane ka rënë në vite. Krizën e saj, deri tani, thjesht e ka frenuar mbajtja nën kontroll e pozicionit të saj fiskal, shpesh duke manovruar me vjeljen e të ardhurave, që kalojnë shpenzimet përpara pagesave të interesit. Megjithatë me borxhin prej gati 1.8-1.9 trilionë euro që ajo ka, gjithçka varet nga besueshmëria e investitorëve për të mbajtur të ulëta pagesat e interesit. Në vitin 2011 pritet që të paguhet një shumë prej 73 miliardë eurosh si interes. Ndërsa, për një kalim nga 4% në afro 6%, pagesa e interesit kërkon dhe 35 miliardë euro të tjera. Yield-i aktual (me maturim 10-vjeçar) për borxhin ka kapur 5.5% dhe ka prirje të rritet më tej. Pra, Italia ndodhet kështu në një rreth vicioz. Madje, në fund të vitit 2013 Italia duhet të rifinancojë një borxh prej 500 miliardë eurosh. Për më tepër, nëse italianët i tërheqin paratë nga bankat e tyre dhe i dërgojnë jashtë, kurse investitorët e sektorit privat i shesin bonot italiane, atëherë mbetet të përfshihen për mbulim vetëm strukturat shtetërore. Në një skenar të tillë, italianët (si grekët) mund të dalin nga ky cikël vetëm me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera, duke e bërë problemin e ristrukturimit të borxhit politikisht më të ndjeshëm në nivel europian.
* * *
Këto lloj simptomash duken si familjare. Një gjë e tillë e ka rritur shqetësimin ndërkombëtar, mbi të gjitha të anëtarëve të zonës euro. Janë rritur dyshimet mbi stabilitetin qeverisës, dhe po ashtu po shfaqet një skepticizëm i thellë mbi financat e vendit, që mbartin një përzierje të rrezikshme, duke u krahasuar me borxhin e saj kombëtar në krahasim me atë të vendeve të tjera.
Por, sa shqetësuese është realisht situata në Itali? Në fakt, “sulmi” aktual investitorëve nuk përbën ndonjë surprizë, madje që me futjen e euros ekzistonte ky shqetësim për Italinë, në sajë të borxhit të madh të saj. Në këtë kuptim, pritej që tregjet të testonin “vulnerabilitetin” e ekonomisë italiane, ndërkohë që kohët e fundit paralajmërimet kanë qenë të shumta, përfshirë dhe mosfunksionimin si duhet të masave shtrënguese qeveritare, rritjen e dobët ekonomike, produktivitetin e ulët, tregun e ngurtë të punës etj. Nga ana tjetër, edhe pse Italia u ngjan vendeve të tjera periferike të BE-së, ajo, në shumë aspekte, shfaq diferenca të konsiderueshme në krahasim me të tjerat. Në sajë të tyre, alarmi i sotëm mbi tregjet ndoshta duket si i tepruar.
Në radhë të parë, Italia ka një ekonomi të madhe dhe të larmishme. Ajo është një nga shtatë ekonomitë kryesore në botë (G7), me potenciale të konsiderueshme industriale e krijuese. Në Itali janë të instaluara disa nga kompanitë globale me peshë. Po ashtu, prodhimi i makinave, dizenjimi industrial apo ai i modës përbëjnë disa nga sukseset e eksportit italian, krahas industrisë së saj të turizmit. Në radhë të dytë, në Itali vihet re një nivel i lartë kursimi. Madje, nga norma konkrete e kursimit Italia i afrohet Japonisë. Shumë italianë, për këtë arsye, i investojnë paratë e tyre në bono shtetërore (apo bono thesari). Kjo bën që 55% e borxhit kombëtar të jetë në duart e vetë italianëve. Madje, në këtë kuptim, ky vend ka më pak arsye të trembet nga një largim kapitalesh të investitorëve të huaj, si p.sh. në Irlandë. Në radhë të tretë, edhe pse borxhi italian është i stërmadh, ky vend ka arritur edhe më parë që ta përballojë atë. Kjo lidhet edhe me faktin se tregu i bonove italiane është më i madhi në botë, pas ShBA-së dhe Japonisë, dhe si i tillë ai ka avantazhet e veta. Kështu, gjithmonë gjenden investitorë që kërkojnë të blejnë bonot italiane, pra nuk është e vështirë që t’i rishesësh ato. Në këtë kuptim, Italia nuk ka pasur probleme serioze në rifinancimin e borxhit të saj.
Edhe skeptikët më të mëdhenj nuk arrijnë deri aty sa të mendojnë që Italia do të ndeshë vështirësi financiare të ngjashme me ato greke, të paktën jo tani për tani. Po ashtu, krahasuar me Greqinë, pjesa dërmuese e borxhit kombëtar është financuar në terma afatgjatë borxhi. Titujt e sigurt, që janë lëshuar nga pala huamarrëse në favor të palës huadhënëse, do të arrijnë një vlerë prej afro 80 miliardë eurosh në fund të vitit 2011. Qeveria ka nevojë për borxh të ri për t’i zëvendësuar ato. Veç tyre, kërkohet dhe një shumë tjetër prej 90 miliardë euro për një borxh të ri afatshkurtër. Pra, në tërësi, Italia duhet të përballojë kosto në rritje për financimin e borxhit ekzistues. Këtë shqetësim e bën më të prekshëm edhe fakti që yield-i apo norma e interesit e bonove me një maturim 10-vjeçar arriti në vlerën 5.5%. Kurse, sipas përvojës së anëtarëve të tjerë të eurozonës, niveli kritik i arritur është afro 7%. Kur kapërcehet ky nivel i yield-it, atëherë tregjet fillojnë të “dalin nga binarët”, të zhvillohen sipas “qejfit”, aq sa bëhet tepër i vështirë stopimi brenda tyre. Madje, nëse Italia futet në rrethin vicioz të rënieve ekonomike, nga njëra anë, dhe rritjeve të yield-it të bonove të thesarit, nga ana tjetër, pasojat mund të rezultojnë shkatërrimtare për eurozonën, shoqëruar potencialisht dhe me ndonjë krizë të re bankare.
Një problem më vete është sjellja e investitorëve. Ata duan të dinë se si do ta shlyejë qeveria italiane borxhin e saj.  Aq më tepër që rritja ekonomike është mjaft e dobët. Në katër-mujorin e parë të vitit ishte gati 0.1%, shumë poshtë mesatares së eurozonës prej 0.8%. Po ashtu, konstatohet një produktivitet në rënie dhe një popullsi në vjetrim, shenja këto që nuk janë dhe aq premtuese për një të ardhme të afërt. Në kushte të tilla, për të shmangur rrezikun, duhet të balancohet buxheti deri në vitin 2014, me anë të masave shtrënguese; dhe më tej të reduktohet niveli i borxhit. Dhe, për këtë kërkohet ndërgjegjësim politik dhe publik. Aq më pak eufori apo përafrim “ëndërrimtar”!… Kjo vlen aq më shumë për Shqipërinë, për vetë ekonominë shqiptare.

Financat: ‘Virgin’, në treg në kohën e socialistëve



 “Kontrabanda e naftës ‘Virgin’ është favorizuar nga socialistët dhe ka gjetur lulëzim në treg pikërisht në kohën e tyre”. Kështu i është përgjigjur Ministria e Financave akuzave të PS-së për skandalin me naftën, që së fundi çoi në pranga 13 persona. Gjatë një deklarate për mediat, vetëm pak moment pas akzuave të radhës nga selia rozë, përmes deputetit Taulant Balla, zëdhënësja e ministrisë, e ka quajtur reagimin e socialistëve, shqetësim “pasi u janë prishur interesat mafizoze”.
“Gjatë vitit 2009 është arritur të bllokohet një sasi prej 18 mijë tonë naftë virgin si pasojë e masave të marra në tregun e brendshëm. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk është treguar asnjë litër naftë ‘virgine’”, tha zëdhënësja, duke sqaruar se kjo naftë është tregtuar lirshëm nën qeverisjen e administratës socialiste.
Sipas saj, Drejtoria e Doganave dhe Tatimeve kanë qenë aktive gjatë vitit 2009 në parandalimin e tregtisë së naftës virgin, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2008. Më tej, Ministria e Financave, sqaron se qeveria rriti akcizën për naftën virgine në 18 lekë për litër nga tetë  lekë për litër që ishte vendosur nga qeverisja socialiste si dhe po synon ngjyrosjen e karburanteve me synim mosngatërrimin e tyre.
“Është vendosur një akcizë si dhe u ndalua dhe nafta D2 nën të cilën maskohej dhe nafta virgine”, theksoi zëdhënësja.
Hetimet për skandalin e naftes ‘Virgin’ shtrihen edhe ne Kosovë. 

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se hetuesit do të kërkonin informacione nga Doganat e Kosovës për hetimet që janë duke u bërë. Mirëpo, Stavileci ka sqaruar se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë nga shteti shqiptar.


Rafineria që vepron në Kosovë dhe që ka të drejtë të importojë naftë të papërpunuar,  tash e katër vjet nuk punojnë me naftë “virgin”. 



“Kulla Exim” punon me lëndën e parë, të papërpunuar që emërtohet si “gazoil industrial” dhe “petrolium për përpunim.
Me përpunimin e ‘gazoilit industrial’ përfitohet nafta, e cila shitet pastaj në tregun kosovar. Kurse ‘petroliumi për përpunim’ përdoret për përfitimin e vajit solar, për nxehje për fabrika, që është një lloj i mazutit.
“Kulla Exim”, sipas të dhënave  nuk bën importimin e naftës së papërpunuar nga Shqipëria, por nga tregu i Bullgarisë dhe nga Greqia.

Kurse pronari i firmës “Dilloni Benz”, Fadil Berjani, ka thënë se më shumë naftë me cilësi të dobët është duke hyrë nga Mitrovica.“Tashme janë formuar institucionet e Kosovës dhe besoj se Ministria e Tregtisë do të ndërmarrë masa në ndaljen e kontrabandës nga veriu i Kosovës, kontrollin e rreptë të cilësisë. Gjithashtu do të ishte mirë që të fillohet të aplikohet euro-dizeli”, ka thënë Berjani.
Por sa i përket tregut të naftës, ai ka dyshimet se është duke u shfrytëzuar për pastrim parash.
“Shumë kompani që merren me pastrim parash janë duke i shitur derivatet nën çmimin e furnizimit dhe kjo duhet të hetohet nga institucionet tona”, është shprehur pronari i kompanisë “Dilloni Benz”.
Nafta “virgin”, sipas medieve shqiptare, nuk shitet në tregun e vendit, pasi nuk shërben për asgjë, përveçse për të prodhuar benzinë, që në kushtet teknike është e pamundur.
“Virgin” është një nënprodukt nafte, që del nga sasia bruto e prodhimit, me synim për t’u bërë benzinë.









Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...