Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/07/21

Miqte e mi: kujdes nga virusi!

Nga Fatime KULLI

 

Miqte e mi: kujdes nga virusi!
Nje virus po perhapet ne facebook ne te gjithe boten,virusi eshte nje trojan qe quhet ''koobface'' i cili te vjedh informacionet e tua dhe pushton sistemin shut down.MOS E HAP linkun ''Barack Obama-Clinton''..githashtu mos prano si friend SMARTGIRL 15 ,edhe ajo eshte gjithashtu nje virus,nqs ndonje prej miqve te tu e pranon si friend,atehere virusin e merr dhe ti! Bejeni copy dhe shperndajeni kete shqetesim!

2011/07/20

DËBIM NGA TOKA E QIELLI



Vullnet Mato
 
DËBIM NGA TOKA E QIELLI

Kam takuar njeriun
më të rrallë të globit,
përdhunuesin e një
minorenie të shenjtë,
dënuar përjetësisht
nga mallkimi i Zotit,
mos pranohet në tokë,
as në qiell kur të vdesë.

Tentova të vras veten
tri herë me radhë,
tha mëkatari i dënimit
të pazakonshëm,
vetëvrasjen s’e kryej dot
me asnjë armë,
Zoti më ndal dorën
në çastin e kobshëm.

S’të pranoj, më thotë
më një zë të padukshëm,
të më ndysh ferrin,
as parajsën jo se jo,
se e kam plot femra
Edenin e këtushëm,  
dhe nëntokën ku ti,
pa mëkate s’duron!...

Tani unë pres
dhjetëvjeçarët e ardhshëm,
kur rruga për në galaktika
të jetë shtruar,
dhe njerëzit të vizitojnë
planetët e ngjashëm,
të shkoj të vdes
te ndonjë planet i pabanuar...     

"Pulishti" i Bakes...( Tregim humoristik )

Nga Përparim  Hysi
 
 
     Është korrik.Sa kam filluar pushimet  e shkollës dhe,për të marrë ca rreze,para se të shkoj në plazh,kam dalë gjysmëlakuriq në ballkonin tim,në katin e dytë.Njerëz rrotull nuk ka dhe atje,po lexoj-më sakt po rilexoj"Lufta e Paqja" të Tolstoit.Kur lexoj,përqëndrohem i tëri dhe nuk dua që t'më traozojë njeri.Dua unë,po ja tek më sheh plaka Qeriba që më vërsulet që poshtë.-More mos je atje në Grykë të Devrisë (1) që nuk të sheh njeri,që më ke dalë ashtu "karkanxhhuall!" si ata karçinët kur shkojnë për ujë? Me këtë nuk ke si ia bën.Të vë përpara dhe nuk të ndahet.Përpiqem t'i bëj sulmit "dredha".-Oh,i them,-moj hallo Qeriba po ja dua të marrë ca rreze,se dielli i plazhit të djeg e të pjek.Po,po,ju të rinjtë,as pyesni më tej.Ku leh qen e ku del tym,ku ia bën daullja,bym!-shpotiti ajo.-Pse nuk  ke një copë kanotjere a fanellë,apo të ka lënë Zengjineja,dac? (2).Po,jo moj hallë,- e ula tonin fare unë,po kam dalë vet kështu.
Ndërkaq,pashë që dikush erdhi dhe po vinte drejt saj.-Shyqyr,- thashë,- se kush e duron bodecin e saj.Më la mua dhe hodhi sytë andej nga tjetri dhe,ndërsa ai afrohej,ajo ia nguli mirë shikimin.Qe me gjyslyke.I hoqi dhe,si i fshiu me cepin e fustanit,i vuri prapë.E pa mirë e mirë të panjohurin dhe bërtiti:-More shohin apo nuk shohin mirë këto "shalladuqet" e mia apo je ti,"Pulishti i Bakes?!!!".-Unë jam hallë Qeriba,unë.I tëri.-Tiiiiiiiiiii,- shfaqi habinë ajo.Po si e kam atë hanko Zymbylen,po Fëllëza si më është?Se qemë gjitonë atje në V... (3) dhe shkëmbenim tepsitë bashkë.I panjohuri u përgjij,me të njëjtën fjalë:-Të pyeçin të mirat dhe ke shumë të fala.Tjetra e përfshiu dhe njëherë dhe "pllaq-plluq" e puthi në faqet sikur ta kish djalin e saj.Unë e ndiqja gjithë këtë shfaqje nga ballkoni.E lashë "Lufta e paqja" dhe po vështroja këtë takim të përmallshëm aty,në këmbë,tek oborri para pallatit.Kur ky"Pulishti i Bakes" i kërkoi adresën e një skraparliu tjetër në fshatin tonë ( se jemi shumë familje me origjinë nga Skrapari këtu.Plaka Qeriba që andej është,po dhe prindërit e mi)  ,ajo e mori prej dore,si të ishte fëmijë,dhe i tregoi  për shtëpinë që  kërkonte.
Po më brente kërshëria.Kjo plaka Qeriba është si një minierë.Duhet të ngërmosh në të,për të nxjerrë "xehërorët" që fsheh.Po mos kujtoni se është kollaj.I ka parë shumë lëkura dhe,me që burri i ka vdekur heret,u bë dhe grua dhe burrë.Po qe burrë kalaur burrit në fjalë,fuqi dhe në huqe.E gjatë si një shkop bariu,por e fortë si një dru thane.Nuk u  sëmurë kurrë.Im atë xhëku e ngacmonte-se qenë nga një anë- i thoshte:-Moj hanko Qeriba,po si nuk u sëmure qoft dhe njëherë,që të të sillnim ndonjë vazo me reçel? Dhe ajo:-Hazis aga,sëmundja është si puna e ujkut.Ujku,kur bie në tufë,zgjedh më të shëndoshën.Dhe sëmundja ç'do të marrë tek unë,veç të më marrë të keqen.Dhe shkriheshin gazit.Ah,sa për sytë,nga një i shuar nuk shoh mirë,po më erdhi ai dhëndërri dhe më solli këto "shalladuqet".Pastaj,po të kishte njeri që e dëgjonte këtë fjalë"shalladuqe",zinte dhe shpjegonte.Kur m'u futën për çupën,më thanë se të kemi gjetur një djalë nga Gjirokastra.Epo birinxhi,se janë kursimtarë këta.Erdhën dhe krushku tek do lexonte diçka,i tha të birit:-Pa më nxirrë aty nga çanta ato"shalladuqet".Unë po sa  dëgjova këtë fjalë,i them krushkut:-Krushk aga,në ke huqe ti,dhe ne kemi huqe.
Më fal,- tha sterraniku(se ka vdekur tani),po nuk thashë huqe,po shalladuqe,se kështu u themi syzvae na.Dhe që atë kohë dhe vet syzave u them shalladuqe.Dhe qeshte...
 
                                  *      *     *  
 
Unë prita sa u kthye hallë Qeribaja,vesha këmishën ( në xhep futa një "shukë"me duhan të grirë") dhe i dola përpara.Hallë Qeriba,-i thashë,- të kam sjellë këtë duhan.-Hair ishalla,se ju,dhaskalët,nuk e kini dorën të lirë.E pinte duahnin me llullë dhe e kish filluar qysh kur i kish vdekur i shoqi.E kam kujtim nga ai,ndaj e pi me llullë,- toshte.Mëduket se kështu e kujtoj.Pastaj,si e mori duhanin,më tha:-Ç'doganë kam për të paguar?-Hiç,asgjë,- bëra si qoti unë.-Mirë,- më tha,-rrofsh e marrçë një nuse të mirë! -Po hallë Qeriba,-bëra unë kur po shkonte brënda,- të dëgjova që atij mikut,i the"Pulishti i Bakes" dhe as nuk t'u zëmërua.Si është puna? -Thashë unë ç'e gjeti dhaskalin që u bë dorëlëshua?/ Ky do vergjinë për duhanin.Doganë mbi doganë.Dhe ia dha të qeshurit.Kjo punë,mor djalë,nuk tregohet në këmbë,po do ulur shehs.Prandaj,hajde brënda.Tek më ftoi të ulesha mbi divan,vet u ul shesh nbi një poste të madhe,mbi të cilën,si një hanko e vërtetë,vuri një shilte.
 
                                         *     *    * 
 
Dhe filloi.-Ç'dëgjove nga ballkoni, qe një paranomë që këtij,dalit të Bakes( e quajnë Dylber në fakt ) i mbeti nga fëmijëria.Po me paranomet është keq:të ngjiten dhe nuk ka njeri që të t'i heqë.Të ndjekin pas:do apo nuk do ti.I ati,Dylberit,Belul Devria qe jo vetëm burrë i zoti,por dhe me kamje.Kamje që e kish vënë me djersë të ballit.Kish 4 çupa dhe nuk la baba e dervish teqeje pa shkruar që e  shoqja,Zymbylja,të lindte dhe një djalë.Sekush i paska thënë:-Ti,Belul,je bektashi i mirë,por që të zëjë ajo lutja jote,bën mirë të shkosh dhe në një kishë .Bëri tutje nga Berati (epo mbushur me kisha është ky qytet) ,paska bërë dhe një kurban atje dhe u kthye në fshat.Kur desh perëndia dhe në krye të vitit.Zymbylja e Belulit, bëri djalë.Ky që pe ti.Beluli po zuri qiellin me dorë.Emrin ia vuri Dylber,por tek ajo kisha shkoi prapë.Pritfti donte ta shpinte ujtë në mullirin e tij dhe i thotë:-Djali të të rrojë,po mirë ështët'i ndërrosh emrin se kështu thotë ky"libri" i shnënjtë.Beluli u turbullua pak,po emë rkauri,-tha,- nuk i vë unë.Dhe ç'bëri?E mbante ngado me vete dhe në sytë të tërë botës,e përkëdheltedhe i thoshte:-Pulishti i bakes.Domethënë,i vogli i babait.Po gjithmonë,ama,po atë fjalë:-Pulishti i bakes.Pulishti bakes këtu,e pulishti bakes atje,iu ngjit ky paranomë dhe iu bë rrodhe pas vetes.Djali po rritej dhe,kur shkoi në shkollë,të gjithë i thoshin "Pulishtii bakes".Hë-hë dhe një ditë prej ditësh,vdiq shpirtziu,Belul.Djali qe gati për nuse dhe kudo:-Pulishti i Bakes po shkon me dhënë.Po shkon në muli.Emri "Dylber" humbi si ajo kova kur bie në pus.Kudo në fshat dhe veç "pulishti i bakes".Tani dhe i vinte rëndë,po ç'të bënte?Drejt e tek kryeplaku i fshatit.-E,-Pulishti i bakes,- përse je munduar?- e pyeti.Qe djalë kokëunjiur dhe nuk zëmërohej kollaj,por  paranoma qe e rëndë dhe i thotë kryeplakut.-Dua  që t'më hiqni këtë paranomin.Kryeplaku qe dhe izgjuar,por dhe dinak.E dinte që nga gjëndja ky qe mirë,ndaj i tha:-Për të bërë këtë,duhet të shtrosh një gosti që të vijë i gjithë fshati dhe aty ta heqim paranomin. .Një rrugë e dy punë:edhe hanë e pinë,por dhe marrin vesh emrin e ri.
Mirë,-tha ky,- dhe që të nesërmen, e shtroi gostinë.Mishra në hell dhe rakia gjym,hesapi.Mirëpo nga anët tona (nënkutpo nga Skrapari) ,rakia pihet pak me terezi.Jo çdokush ngre dot dolli dhe,ve çkësaj,që të hash bukë,kjo do ndodhë veç kur ai që drejton sofrën (tavolinën tanithi) ,të ketë kërkuar bukë nja tri herë në intervle kohe që zgjasin goxha.Kur njerëzit ishin bërë çakërejf,i zoti i gostisë po priste që kryeplaku të bënte  njoftimin.Prit,prit dhe hiç.Mezi i natës kish kaluar dhe ky i afrohet kryeplakut.Kryeplaku qebërë xurxull (kish harruar fare, ç'kish premtuar) dhe,kur pa të zotin e gostisë që xhëç i thoshte,ashtu i pirë siç qe,i thotë:-Çfarë do?-Po pres për atë njoftimin,për t'më hequr paranomin.-Pse si të thërrisni deri tani?-pyeti i dehuri.
-Pulisht,pulishti i bakes!!! -Aha,- tha kryeplaku dinak,dëgjoni,o milet:"Që sot e tutje mos dëgjoj njeri që këtij djalit të Belul Devrisë t'i thotë "Pulishti i Bakes!".Djali,siç e shikoni është rritur dhe këtë gosti ndaj e ka shtruar.Që sot e tutje,ai nuk do quhet "pulisht",po "gomar!!!"...
Epo ta gëzoj!-bërtitën gostiarët,që të gjithë të dehur. Unë u shkriva nga ky rrëfim i plakës Qeriba,po  asaj nuk ia ha qenin shkopin,tek më përcillte,më tha:"Vergjinë e duhanit,e vole.Meslenë e dëgjove dhe mos të shoh më si karçinë atje mbi ballkon.E përqafova dhe në ballkon veç me këmishë,se kushedi seç paranom të vë plaka Qeriba dhe hajde gjej kryeplak të ta heqë,mandej...

* toponim gjeografik në Skrapar

** emri i të ndjerës,sime ëmë.

                                                  
     20 korrik    2011

Kur Kryeministri i vendit bën fyerje publike

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri
 
 
 
Ndoqa fjalën e zotit Kryeministër në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku ai u shpreh për regjistrimin e popullsisë. Të gjithë ata që janë kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, zoti Kryeministër i etiketoi si "njerëz pa fe dhe pa flamur". Më kujtohet fjala e zotit Kryeministër edhe kur shumë shqiptarë u shprehën kundër vendimit të parlamentit demokratikas për falje hapësirash ujore shovinizmit grekomadh. Një ndër këta shqiptarë, ishte edhe topografi i shquar, kolonel Myslim Pasha. Asokohe zoti Kryeministër e ofendoi rëndë, publikisht,  kolonelin e nderuar dhe atdhetar, duke e quajtur "sharlatan". Por kur Gjykata e nderuar Kushtetuese e hodhi në koshin e plehrave vendimin e parlamentit demokratikas, zoti Kryeministër nuk e tërhoqi fyerjen që i bëri kolonel Pashës.
Një ndër ata shqiptarë që është kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, pra, sipas midesë së shovinizmit grekomadh, jam edhe unë. Pra, sipas deklaratës publike të zotit Kryministër, edhe unë, edhe ata që janë kundër regjistrimit të popullsisë sipas formularit Pollo, qenkemi "njerëz pa fe dhe pa flamur"!!!  Pra, zoti Kryeministër, si edhe në rastin e kolonel Pashës, i fyen publikisht të gjithë ata shqiptarë që kundërshtojnë mënyrën e regjistrimit, sipas formularit të qeverisë, të përfaqësuar nga zoti Pollo. Kurse unë mendoj se të gjithë kundërshtarët e kësaj mënyre regjistrimi, duke filluar që nga "Aleanca Kuq e Zi", zoti Abdi Baleta, Prof.dr Pullumb Xhufi, Prof. Alfred Uçi, Prof.dr. Sabit Brokaj, zoti Sabri Godo dhe mijëra e mijëra shqiptarë të nderuar që kanë nënshkruar peticionin kundër këtij lloj regjistrimi, kan si fe dhe kryefe shqiptarinë dhe si flamur kanë Flamurin Kombëtar me fushë të kuqe dhe me Shqiponjë të zezë Dykrenare në mes. Kurse njerëz pa fe dhe pa flamur janë deputetët demokratikas të parlamentit shqiptar, të cilët ligjin për regjistrimin e popullsisë e kaluan vjedhurazi, pa pasur numrin e nevojshëm, por duke mashtruar me praninë e paqenë të deputetëve Maliqi dhe Dibra. Janë pa fe dhe pa flamur edhe për faktin që peticionin me dhjetra mijë firma të "Aleancës Kuqezi", e anashkaluan me mospërfillje. Unë e kuptoj që sot koha është e tradhtarëve, por Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet e shqiptarëve. Para ca muajsh, zoti Abdi Baleta iu drejtua publikisht zotit Kryeministër për çështjen e regjistrimit, por zoti Kryeministër nuk reagoi fare. Nu veproi drejtë. Edhe sot gaboi me deklaratën që lëshoi nga kolltuku i Kryeministrit. Nuk është ogur i mirë kur Kryeministri i vendit bën deklarata publike të gabuara, madje edhe fyese.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
20 korrik 2011

Shpirti i turmës dhe i askushmërisë

Nga Saimir Lolja


Në fushën e shkencës së shpirtit (psikologjisë, e thënë joshqip) në lidhje me turmat kanë shkruajtur shumë autorë. Ndër ta, i spikatur është Zigmund Frojdi me librin e tij “Psikologjia e turmave dhe analiza e unit” të botuar më 1921. Ndërsa shpirti i askushmërisë, që lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të, vetëm se është përmendur aty këtu. Prandaj më poshtë do të shtjellohet më tej shpirti i turmës dhe për herë të parë ai i askushmërisë.
Shpirti i Turmës

Shpirti i turmës bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çeshtje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfar quhet e mirë dhe çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, sepse në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të bëjë.
Njeriu me mendësi turme ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij ngashëron, kredhet përqark, i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Një mendësi i tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk sillet në mënyrë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë.
Njeriu në turmë kthehet pa e kupuar në nja narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje mjetet e vetme të narcisitit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë, ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira dhe bukuri.
Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambjent, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq, ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët e tij”. Njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa shpirtërisht.
Njeriu në turmë kthehet në fëmijërinë e tij kur ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe kështu tani besimi i tij shkon andej nga fryn era, andej nga shfryn sundimtari i turmës. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke kujtuar paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Ai e kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1, dhe shpejt e shpesh bën keq dhe gabime. Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit. Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk e kupton se pse i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt. Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në qiell, sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e thënë jo shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë, sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
Njeriu në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të brendshme, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes, të ketë kureshtje, kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është një askush. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij, sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta ndjente vetveten dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa të gjente një turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij është bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
Njerëzit në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Meqenëse ky shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetsojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë, ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.

Askushmëria

Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria, fillon të ndriçojë në shpirtin e tij një flakë pishe e zbehtë në degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim rruge, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme mund të marrë një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
Ashtu si natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi, gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme, ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra, duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëhere jeta është e paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe me absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u kërkuan “vëllezër” edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë. Njerëzit u bashkëmblodhën dhunshëm mendërisht, fizikisht dhe jetësisht. U punua për të krijuar të ashtëquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e dëshiruar të barabartë e të edukuar me shpirtin e turmës.
Për askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di të emërojë dhe pse është emëruar; ai pret urdhër nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë; ai është një vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e di ç’është e çfar përfaqson kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare, çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të mos jetë thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të qenë një njësh dikushi, një sundimtar, ai i hyn rrugës së krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai flet për gjëra të parësyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon ngjyrimet.
Turma dhe Askushmëria

Mendësitë e turmës dhe askushmërisë të para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Por në skajin tjetër, kur shpirti i turmës dhe i askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme, atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh të mashtrimit dhe vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë shpirt dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet, humbet vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në rastin më të mirë vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij.
Veç shpirtligëve, njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të dy këto mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve. Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma më shumë. Njerës të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të tillë në pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj ka fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin. Historia shqiptare vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe qëllime të ngushta vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta thonë këtë gjë (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë këtë jo nga një shkak i përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u shpartallua në fillim të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut (askushmërisë) dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e turmës.
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të. Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin, bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes me ide, shkollimit shkencor, edukimit të njeriut si e pse të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë. Pra çeshtja shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu të mos mendojë e të mos flasë me NE.

ME RADIO TIRANËN JU HYNI SI MIQ NË FAMILJET SHQIPTARE

Nga Sokol Demaku

 

Historiku i Radio Tiranës  fillon së pari me hapjen më 28 nëntor të vitit 1938 te Radio Tiranës. Pikërisht kjo datë shënon dhe inaugurimin dhe transmetimin e parë të Radio Tiranës e cila në atë kohe është përshkruar nga një entuziazëm i madh në tërë Shqipërinë.
Në një botim që mban datën 30 nëntor 1938 shkruhej se:
Transmetimet e emisioneve radiofonike do të jepen në sallën e Bashkisë ku ishte instaluar në një dhomë të posaçme aparati marrës i stacionit të Romës .
Kurse stacioni kryesor dhënës është instaluar, siç dihet, në Laprakë ku ka qënë dhe stacioni i vjetër i Radios.
Stacioni kishte një aparat madhështor që zë një sallë prej afër 8 metrash gjatësi. Atje përmblidhen të gjitha veglat dhe instalimet për transmetimin e emisioneve në çdo orë. Stacioni radiofonik kishte një fuqi në antenë prej 3 kw dhe transmetimi do te bëhej me valë të shkurtra. Emisionet do të jepeshin me valë 40 m . Fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qyteteruar, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe,Vasfi Samimi, Marie Paluca,Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku.
Nga 16 prilli i vitit 1940 programet e Radio Tiranës nisën të jepeshin dhe në valë të shkurtra.
Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot bëjnë Radio Tiranën, tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor.
Radio Tirana vijon në një pjesë te madhe te emisioneve të saj ta shoh dëgjuesin si protagonist çka do të thotë, jo vetëm të jetë pranë gjithçkaje ka lidhje me interesat e tij, por ta bej pjese aktive, duke kërkuar nga ai bashkëpunimin, ne studiot e hapura, bashkëbisedimin, si dhe ne hapësirat e komunikimit për te plotësuar preferencat e mbërritura direkt prej tij…

 

Gazetarët e Radio Tiranës, janë të parët që kanë përcjellë të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërinë e asaj kohe dhe kanë ditur të mbajnë publikun pas tyre, duke synuar të jenë mbi të gjitha profesionistë. Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social apo çdo ngjarje artistike, është përcjellë pikësëpari nga Radio Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin. Radio Tirana sot është një kompleks i organizuar që transmeton programe për dy kanale, si dhe bën mbulim ndërkombëtar në valë të mesme dhe të shkurtra. Radio Tirana prodhon tërësisht programet që ajo transmeton, si lajmet, kulturën, shkencën, ekonominë, muzikën, dramatizimet për të rritur dhe fëmijë, sportin, etj.
Është kënaqësi të jesh në mesin e punonjësve të Radios shtetërore shqiptare të cilët adhurojnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, traditën edhe kulturën shqiptare. Ata thonë se jemi kudo që flitet shqip, zëri ynë është në çdo vatër aty ku f litet dhe shkruhet shqip pa marrë parasysh kufijtë, pa marrë parasysh vendin se ku shqiptarët jetojnë, ne jemi aty me zërin tonë dhe informacionet tona për Shqipërinë dhe për shqiptaret në përgjithësi e tani edhe për Kosovën shtet. Zëri ynë është në qiellin ballkanik, është aty ku duhet të jetë me informacione për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën dhe kosovarët por edhe për trojet tjera shqiptare si dhe shqiptaret në botë. Ne jemi të lumtur qe kemi një bashkëpunim me shqiptaret ne diasporë.
Është e hënë pas dite, pak para mbrëmjes, jemi në shoqëri me miqtë tanë e dihet si zakonisht në mesin e tyre Viron Kona edhe profesor Murat Gecaj, i cili me humorin e tij e bënë ndejën gjithmonë interesante dhe te lezetshme.
Profesor Murati na thotë se nesër nga ora 10;00 e paradites jemi mysafire në Radio Tiranë. Kjo ishte një sihariq për ne të dy dhe ne këtë pranuam me gjithë dëshirë. Po thotë profesor Murati do jemi mysafirë në departamentin radios ku është drejtor një Tropojanë, koleg i yni, publicist dhe poet i njohur e udhëheqëse e programit do jetë mikesha ime me të cilën shpesh herë bëjmë program radioje bashkë.
Ne ishim në vizitë në Radion shtetërore shqiptare pra në Radio Tirana dhe u sjellim mbresat në një reportazhe nga biseda me disa nga ata të cilët e sajojnë programet këtu.
Ishim mysafirë në programin “Ritme vere” të gazetares Kozeta Hoxha. Emisioni i parë i vitit ”Ritme vere” nën drejtimin e saj dhe drejtorin e Departamentit te Programit te Parë, poetin Jaho Margjeka, i cili ka bërë zë me librat e tij të botuara deri me tani si në prozë e poezi.
Jemi në programin e verës të gazetares Kozeta Hoxha e cila me zërin e saj radiofonik dhe të ëmbël i jep ngjyrën dhe tonin e duhur emisionit të saj ”Ritme vere”. Ne jemi në rubrikën “Mysafiri i ditës” i cili emision kishte fillimin e tij ketë sezon ditën qe ne ishim mysafir ne studiot e Radio Tiranës, ku dëgjuesit morën informata të hollësishme mbi punën dhe aktivitetin bashkëkombësve në shtetin suedez. Ishte kjo një kënaqësi për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë të arriturat e shqiptareve në Suedinë e largët. Pastaj Kozeta prezantoj poetin dhe bashkëkombësin tonë Bahtir Latifi Kryetar i Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë në rubrikën “Kopertina e librit” ku prezantoj librin e Bahtirit me titull “Jeta e ëndrrave tona” botuar kohë më parë në Bukuresht të Rumanisë, nga e cila përmbledhje Kozeta lexoj poezi për dëgjuesit e Radio Tiranës të programit “Ritme Vere”.
Më pas u ndamë nga Kozeta me ftesën që në muajin tetor do jemi mysafirë të emisionit të saj që i kushtohet arsimit.
Duke ndjekur programet tona në Radio dhe në Internet, ju sikur vini vetë në Shqipëri thotë poeti Jaho Margjeka drejtor departamenti në Programin e parë i cili ka njohuri të shumta për punën e diasporës shqiptare në Evropë sepse vite me radhë nga afër si gazetar ka përcjellë punën e klubeve dhe shoqatave të shqiptarëve në perëndim. Jaho thotë se ju përmes programeve të radio Tiranës hyni si miq në familjet shqiptare, përjetoni me to gëzime dhe hidhërime, vizitoni qendra turistike, objekte historike, njiheni me jetën shqiptare, shijoni magjinë e artit muzikor shqiptar dhe gjeni mjaft tipare të përbashkëta me jetën tonë këtu në trojet jetike shqiptare dhe me atë të tuajën atje n ë mërgim.
Me këtë arritje Radio Tirana mbron misionin shoqëror dhe autoritetin e Radios Kombëtare Shqiptare ndër auditorin gjithnjë e më të madh në tërë botën.
Jini me ne, kudo që të jeni – nga Amerika deri në Australi dhe nga Suedia deri te Afrika e Jugut” thotë drejtori Jaho i cili është shumë entuziast në punën e tij dhe të bashkëpunëtorëve te tij në Radio Tirana. .

FLUTURIMI PËR TURQI

Nga Luan Çipi



KEMER

Luan Çipi

Pas Antalies, që është qytet me mbi një million banorë dhe qendër rajoni, nevizituam qytetin turistik të Kemerit.Qyteti i Kemerit është vendosur në bregdetin e Mesdheut dhe ndodhet 40 kilometra larg Antalias. Kemeri, para 30 vjetësh, ishte një fshat i vogël, por, me bumin turistik, sipas strategjisë së zhvillimit të shpejt turistik të Republikës Turke, këtu u ndërtuan në forma të ndryshme e deri koncesionare, qendra të fuqishme me mbi 70 hotele gjigandë dhe objektet e nevojshme infrastrukturore, që e kthyen atë në një nga qendrat turistike të rëndësishme të Rivierës Turke. Pas kësaj edhe zona për rreth në prodhimin bujqësor e blegtoral dhe me industrinë e lehte e ushqimore, u vu plotësisht në shërbim të turizmit.



Një nga arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve të shumtë në Kemer është bukuria verbuese e natyrës, ku, deti pyjet dhe malet vijnë së bashku, ka ujë deti të pastër, ndërsa pyjet me gjelbërim halor gjithë vitit, që shtrihen buzë detit aty pranë në gjithë gjatësinë detare, me gjethet e tyre të harlisura janë në mbrojtje të plazheve të Kemerit përrallor dhe nën diellin e shumëkërkuar, në gati 300 ditë të vitit.
Gjatë udhëtimit në det me një jaht, apo anije me vela, turistët, që vijnë të dëshiruar nga Rusia, Ukraina, Kazakistani, Armenia nga vendet Baltike, po edhe nga e gjithë bota, të nisur sipas tureve të organizuara nga porti i Kemerit, në detin blu drejt jugut apo veriut, kanë mundësi për të shijuar bukurinë natyrore dhe gjiret më të mirë të Qarkut të Antalias.
Gjatë këtyre tureve, turistët kanë mundësi për pushime të këndshme dhe aktive në disa drejtime të studiuara dhe të organizuara më së miri, që gërshetojnë veprimet e disa agjencive të interesuara këtu. Në këtë drejtim ndihmojnë guidat e organizuara për vizitë me autobusë komod në pikat kryesore turistike me atraktive, si dhe në qendrat kryesore tregtare të qytetit të Antalies Një shans interesant është për të parë breshkën karakteristike të deti, njohur për madhësinë e saj, si dhe bukuri të tjera natyrore të rralla.
Gjatë udhëtimit aty pranë shihet qyteti i lashtë Olympos, si një nga qytetet port, si dhe ngjitur me të, vendpushimi i njohur Tekirova, që është një tjetër qendër gji, ku ndërthuret deti me një natyrë mahnitëse panoramike dhe të tërhequr nga vlerat historike.

Gjatë një dalje në det anijet me turiste mund të bëjë një ndalesë për notim në gjiret e Detit Mesdhe, ku udhëtuesit janë të organizuar në aktivitete rekreative, për të parë në vazhdim qytetin e lashtë të Phaselis, fare afër Kemerit, themeluar në vitin 690 para Krishtit dhe që ndodhet 35 km, nga Antalia, në afërsi të fshatit Tekirova. Vijohet me qendrën tjetër të lashtë portale, Rhodians, të famshëm sidomos për digën 200 metro të lart, që tani më shumë është nën ujë. Phaselis dallohet si një zonë pyjore e pasur, ndërsa Rhodians, ishte një nga portet kryesore të Mbretërisë Antike të Lycia, në fund të shekullit të 17 para Krishtit. Në kohët e lashta qyteti ishte i famshëm për portin e saj, rrethuar me mure e diga ku më e madhja ishte ajo me lartësi 200 metër, që ndodhet në jug-perëndimore, e quajtur Cape. Pjesa më e madhe e digës është dhe sot nën ujë. Në pjesën perëndimore të qytetit duken portat e ndërtuara në kohën e perandorit Hadrian. Në ditët e sotme në qytet, në gjendje të mirë, arriti të ruhet grupi i dyqaneve tregtare përgjatë rrugës kryesore, me një plan urbanistik të pazakontë, me banja sauna dhe gjimnazin.
Duke vazhduar udhëtimin turistik me anije ndeshim me qendrën tjetër antike, Bath, ndërtuar në shekullin e 3-të që ruan gjallërinë edhe në vitet pasues. Më në jug është Agora Gate, ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian (117-138), nga ku vijnë edhe statujat e lashta, si dhe teatri me shkallët e gurta me aftësi mbajtëse 1500-2000 spektatorë.
Gjatë udhëtimit me anije në bregdetin Kemer – Antalia të jepet rasti të vizitosh Parkun Ekologjik, ku shihen specie të rralla si pallonjtë,.ketrat, mjellmat, lepujt dhe deri te strucët.


Një kuriozitet i veçantë është Teleferiku, i vendosur në një lartësi prej 2365 metra mbi nivelin e detit në malin Tahtali Kemer të Antalias, që është ndërtuar së bashku nga Turqia dhe Zvicra, dhe që është teleferiku me shina më i gjatë në Evropë dhe i dyti në botë, me gjatësi 4350 ml. Udhëtimi nga baza deri në maj të malit me teleferik zgjat vetëm 10 minuta.. Zona Kemer, me futjen e teleferikut në veprim, vazhdon të zhvillohet shpejt edhe në drejtim të turizmit alternativ. Falë teleferikut, së bashku me sezonin veror turistik, shërbimet ofrohen edhe gjatë sezonit të dimrit.
vazhdimi të udhëtimit përgjatë rrugës, rreth 20 minuta pas qendrës Phaselis, kalohet në Ulupynar. Këtu, në një kodër të gjelbër na jepet kënaqësia e veçantë për të ngrënë trofta, ulur në tavolina të rregulluara bukur, nga ku soditen ujërat e ftohta të një lumi. 
Agjencitë e specializuara organizojnë edhe udhëtime brenda ditës me automjete të vegjël xhip nga Kemeri në malet Taurus, që ne nuk i provuam, po vetëm sa u informuam: Kushdo, që disponon patentë shoferi dhe me shpirt aventure është i ri dhe i fuqishëm, është i lirë të udhëtojë në një xhip me qira me një udhëzues që merr paraprakisht këtu, dhe nëse dëshiron, mund të bashkohet në kolonën me 20-30 automjete, për të përshkuar rrugë të ngushta dhe të vështira si dhe pengesa me ujë, çka e kthen në një ngjarje gjurmëlënëse dhe fort interesante udhëtimin e guximtarëve të lumtur.
.Gjatë udhëtimit me xhip, agjenci të posaçme organizojnë ndalesë në afërsi të një lumi malor, për ata që duan të notojnë dhe të kthehen përmes Olympos, ndërsa të tjerët mund të kalojnë Urën e bukur antike mbi lum, që mjeshtër muratorë të zgjedhur e kanë rinovuar në përshtatje me origjinalin, që i referohet periudhës së Lycianit super të lashtë. 
Rrethi historik Kemer, me plazhet më të mira në Rivierën Turke dhe me det të pastër është një nga vendpushimet më të mirë në zonën e Antalias. Shumica e plazheve në Kemer kanë merituar flamuj blu, shenjë ndërkombëtare e cilësisë së lart të bregdetit, të dhëna nga Ente të Specializuara Ndërkombëtare për pastërtinë dhe sigurinë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...