Maja KocijançiqMaja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit.
“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.
“Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut”, ka thënë Kocijançiq, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

Pohimet për kompromis me Serbinë, janë hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka potencuar vendimin se policia e Njësisë Speciale e Kosovës do të vazhdojë të qëndroj në pikat kufitare 1 dhe 31.
Ndërkaq ministri i Brendshëm i Qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, i konfirmoi RTK-së se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë në pikën 1 të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Bernjak, kurse në pikën 31, në Jarinje,
Ai tha se situata është më e paqartë. Konfirmimi i ministrit Rexhepi pasoi pohimet për tërheqjen e njësisë speciale nga dy pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Më heret, burime të RTK-së brenda KFOR-it, thanë se me ndërmjetësimin e komandantit Erhard Byhler ishte arritur kompromisi sipas të cilit njësitet speciale do të tërhiqen, kurse në në pikat doganore do të vendosen njësitet e rregullta të piolicisë dhe punonjësit doganor.
Branko Niniq, kryetari paralel i Leposaviqit, përkundër apelit që u ka bërë qytetarëve serbë për të dal në protestë dhe për bllokuar rrugët, nuk ka pasur sukses, sepse vetëm 20 persona kanë dal në rrugë dhe situate për gjatë kufirit në Jarinje është e qetë, derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po e mbikëqyrin situatën.
Ndërsa në Bërnjak situate është e tensionuar, ende po vazhdojnë të shtënat mes grupeve të serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it.
Kurse në Qendrën Mjekësore Familjare në Mitrovicë është dërguar një polic i plagosur, jeta e të cilit është në rrezik, ka konfirmuar drejtori i kësaj qendre, Agim Peci.

Forcat e policisë speciale të Kosovës janë tërhequr nga pika kufitare Jarinje, përkatësisht porta 1, citohen të kenë thënë zyrtarë të Prishtinës.
Ndërsa sipas zyrtarëve serbë forcat speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga pika kufitare Bërnjak apo porta 31.
Jo zyrtarisht thuhet se kjo është arritur pas një marrëveshjeje në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe negociatorit serb në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq, me ndërmjetësimin e komandantit të KFOR-it, Erhard Byler.
Por mes Thaçit dhe Stefanoviqit nuk ka pasur takim. Sipas medieve në bazë të kësaj marrëveshjeje në pikat kufitare do të kthehen policia e rregullt e Kosovës, shumica e të cilëve të nacionalitetit serb.
Ndërkohë pritet që rruga të zhbllokohet nga protestuesit serbë. Edhe mediet serbe njoftojnë se forcat speciale të policisë së Kosovës janë tërhequr diçka para orës 13:00.
Më pas zyrtarë serbë do të shkojnë në pikën kufitare për t'u bindur që përbërja nacionale e policisë është e njëjtë sikur para marrjes nën kontroll të këtyre pikave kufitare. Mediet serbe nuk zënë në gojë doganierët.

Shefi i delegacionit serb në bisedime, Borko Stefanoviq dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kanë qëndruar gjatë paradites në pikat kufitare,që tashmë janë nën kontroll të Policisë së Kosovës.
Në këto pamje të Tanjugut, dy zyrtarët qeveritarë serbë shihen dukshëm të nervozuar teksa ecin përkrah veturave të shumta të policisë dhe atyre të KFOR-it.
Po ashtu ata janë takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, në përpjekje për ta tejkaluar situatën.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që u vendosën gjatë natës në pikat kufitare në veri, në kufi me Serbinë, do të tërhiqen si pjesë e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga NATO, citon agjencia Associated Press, një zëdhënës të NATO-s.
Aksionet e kryera gjatë natës janë kritikuar nga Bashkimi Evropian, i cili po ndërmjetëson aktualisht bisedimet për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Njësitët speciale të armatosura lehtë kanë depëruar një natë më parë në zonën e kontrolluar nga serbët dhe kanë marrë kontrollin e një pike kufitare, para se të bllokoheshin nga serbët lokalë, ndërsa ishin rrugës drejt pikës tjetër kufitare, njofton AP.
Qeveria ka thënë se aksioni ka për qëllim rivendosjen e rendit në veri.
Zëdhënësi i NATO-s, Hans Uihter tha se policia e rregullt do të marrë kontrollin në pikat kufitare dhe se numër më i madh i pjesëtarëve shqiptarë të policisë do të vendosen atje krahas pjesëtarëvë serbë të policisë.
Aksioni pason vendimin e autoriteteve të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, duke mos lejuar kështu hyrjen e mallrave serbe, ndalesë kjo që Serbia ka nisur ta zbatojë që nga viti 2008.

Kryeparlamentari Prof. Dr.Jakup Krasniqi dhe shefat e grupeve parlamentare e kanë përshëndet vendimin e Qeverisë për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare të Kosovës në veri, duke thënë se ky ka qenë një obligim kushtetues dhe ligjorë i Qeverisë së Kosovës, për shtrirjen e autoritete të Qeverisë në tërë territorin e Kosovës.
Shefat e grupeve opozitare, kanë thënë se nëse do të merreshin vendime të tilla më herët, pozicioni i Kosovës në bisedime me Serbinë do të ishte më i fortë, mirëpo kjo nuk e zbeh vendimin e djeshëm për marrjen nën kontroll të dy pikave doganore.
Kryesia në mbledhjes e sotme ka caktuar për rend të ditës dy seanca, për të enjten dhe të premten, ndërkaq është pajtuar që ta fusë në mënyrë urgjente si çështje Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se përkrah çdo veprim të institucioneve të Republikës së Kosovës, që ka mbështetje në Kushtetutën e vendit dhe që është në funksion të sundimit të ligjit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për Policinë e Kosovës dhe bën thirrje për asistencë edhe të institucioneve gjegjëse ndërkombëtare me qëllim të kthimit të rendit dhe të ligjit në Veri të Kosovës", thuhet në një deklaratë të partisë opozitare, LDK-së.
"Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vetëm sundimi i rendit dhe i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës krijon kushte për jetë të qetë dhe prosperuese për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre", thuhet ndër të tjera në deklaratën e LDK-së.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të arsyeshëm dhe të kuptueshëm vendimin për vendosjen nën kontroll të pikave doganore në veri të Kosovës. Në komunikatë mes tjerash thuhet se “ky vendim e pason vendimin paraprak të javës që shkoi për moslejimin e hyrjes së mallrave prej Serbisë dhe qarkullimin e tyre në Kosovë”. “Vendimi për moslejimin e mallrave prej Serbisë në Kosovë, në kuadër të reciprocitetit karshi Serbisë, është praktikisht i pamundur të zbatohet pa i marrë nën kontroll këto dy pika doganore. Prandaj, vendimi i fundit i Qeverisë është i kuptueshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë”, thuhet në komunikatë. Po ashtu, ky grup parlamentar opozitar shfaq shpresën se qeveria “nuk ka menduar vetëm hapin e parë”. “Shpresojmë që qeveria ka nisur me zbatimin e një plani, të një strategjie më të gjerë për ta bërë Kosovën sovrane e me integritet territorial. Hapi i këtillë është pozitiv dhe i drejtë, por hapi mbetet veçse një hap. Hapi nuk e bën ecjen. Ecjen e përbëjnë hapat, shumë hapa të bashkërenduar”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.