Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/08/07

HARBIMI NË PLLAJËN MAGJEPSЁSE

 
image Milianov Kallupi



Rreth vëllimit poetik me tanka “Harbimi i kujve” i  Milianov Kallupit
HARBIMI NË PLLAJËN MAGJEPSЁSE
“Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet.”
Nga Nexhat Rexha, Prishtinë
Frymëmarrja artistike në vëllimin poetik me tanka ”Harbimi i kuajve” i Milianov Kallupit, vjen  si puhizë bashkë me aromën frymëzuese dhe natyrshëm të bën për vete, nëpër bulimin dekorativ të valëvitjes  edhe nëpër oazat dhe shtegtimet e njeriut ëndërrimtar, gjithnjë në kërkim kah pllajat magjepsëse. Ndërsa, trokitjet  harbuese hulumtojnë vezullimin  në kërkim të pashtershëm për portën e ëndërruar dhe hyrje-daljen në detin e pafund,duke  kërkuar hapësirë kalëruese e për  të pa ngjyrat e fluskave të pa përsëritshme të lumit Shkumbin dhe  për të shijuar njelmësinë e detit të pa fund.
Nëpër 112 tankat e këtij vëllimi, lexuesi mund të bjerë në dashuri me peizazhet, që reflektojnë imazhe reale e imagjinatave, që ka flora dhe fauna  e paraqitur  në vargjet e këtyre lirikave, por që në brendi ato kanë mbështetje origjinale në të gjitha variantet  e mundshme të topografisë burimore. Shprehja artistike  në këto lirika pesëvargëshe,është e ngjeshur me brumë të gatuar mirë dhe shprehje funksionale,që brenda vetes  rrezatojnë  të mundshmen për t`i dhënë efektin  dhe kuptimësinë  mesazhit diskursiv.
Shtrirja  kohore në lirikat e Milianovit, shpalosin lidhjet  e gjata shoqërore  të pakëputshme në arealin e  dridhjeve  fizike e psikike të fazave të ndryshme  historike. Mirëpo,në thellësi të vargjeve figurat e zgjedhura të japin shpresën  për dashurinë në kërkim të së bukurës. Në horizont shfaqen  mrekullitë  e fuqishme dhe prania e tyre  krijon karakterin  emocional të dëshirueshëm,sepse lidhja e gjallesave në këtë harbim të kuajve është  personifikim i realizuar e formësuar bukur me  të njohurat dhe të panjohurat e kësaj infrastrukture ,që krijon afërsinë dhe bashkërisht përfaqësojnë lëvizjet në kërkim të lirisë së përgjithshme.
Tërësia kuptimore e vargjeve  të këtyre tankave kanë harmoni në çështjet  e brendshme, sepse esenciale për autorin është mbarështrimi i zgjedhjes së problematikës,që ai ka  shtruar edhe si lëndë edhe si kuptim, që ndërlidh pikëpamjet natyrore me mundësinë objektive, kuptohet gjithnjë me vëmendjen  për atë që vë në spikamë. Pra, që në vargjet e  para, autori  ka bashkëjetuar me kështjellën,gjegjësisht me të kaluarën e heshtur të vendlindjes,
Semantika  e zgjedhur në këto tanka  zgjon kërshërinë për zgjim të ndërgjegjes dhe jep artikulim të vëmendshëm, për t`i dhënë impuls  shkëlqimit në vijimësi. Nëpër vargjet e ngjeshura  të kësaj vepre hasim  edhe mllefin edhe dashurinë, të cilat ruajnë në vete plotninë e tyre në  harmoni e latim me inserte,që karakterizojnë lidhjen e të gjitha fenomeneve natyrore.
Ai me kompaktësi  ka orientuar kah rruga e lumturisë,sepse dashuria është ajo që  mund kohët,autori shprehet përmes vargjeve:*** ”Nuk di se kush/ në kohën time/ hapi një hon të thellë./ Që të mos gremisem/duart më zgjat një lofatë” fq.26.
E kaluara te të gjithë brezat e njerëzimit lë mbresa të pashlyeshme, sa do të thjeshta qofshin ato,varet nga momentet jetësore si janë përjetuar dhe si janë regjistruar në memorien e përjetuesit këto mbresa,të cilat  njeriun  shpesh herë e kthejnë  në retrospektivë. Milianov Kallupi me elegancë artistike, atyre përjetimeve iu ka dhënë përjetimin edhe për moshën e njerëzve te pjekurisë,ato janë çaste, të cilat të kthejnë në meditime dhe ndriçojnë  të gjitha pikat e kujtesës. Rikthimi nëpër krajatat e jetës zgjon emocione dhe autori  të jep çiltërsinë rinore,edhe pse koha  për  dikend mund të jetë edhe e pamëshirshme, në tërë atë bukuri që kanë dhuruar stinët me lulet e natyrës shqiptare. Ai shprehet përmes vargjeve:”Te kjo shpatinë/si ti, mbretëresha ime./zbardhin  luleqershitë./ A ,të ishe dhe ti këtu,/kurorë të të thurja.”/Fq.32.          
Autori  bukur i ka kënduar shtegtimeve,të këtyre kohëve,duke zgjedhur fjalën dhe asaj i ka dhënë funksionalitet e gjuhë poetike. Kjo gjallëri  sa reale ,po aq ëndërrimtare  me figuracionin e brendshëm  ruan edhe rolin transformues dhe lexuesi  mund të ndjej  aromën  në shtegtim të kërkimit për pagjumësi. Prandaj, “Aktorët në skenën e Butrintit”,vijojnë lojën e tyre. Loja e skenës dhe loja e jetës shpalosin ballafaqimin më kompleks,por autori  në anën tjetër shpalos edhe  të bukurën dhe të shëmtuarën. Ai shprish, atë që ka prodhuar njerëzimi  e koha me të gjitha faqet e saj, e guaska  sikur ka ruajtur diçka të rëndësishme, kurse dy kumria, që duken mbi degët  e kumbullës  zhvillojnë dashurinë publike në puthje  sikur çlirojnë plagët e të kaluarës.
Poezia e shtruar në këto tanka, shkon në favor të shpërndasrjes me tendencë të afirmimit të kësaj forme poetike, që në letrat shqipe ,nuk është e shfaqur në këtë modalitet. Mjetet shprehëse që Milianov Kallupi i ka përdorur në vargjet e kësaj vepre janë elementë të pranueshëm, sepse ai ka shfrytëzuar  shfaqjet motivuese me peizazhet e përjetimit,duke paraqitur ambientin burimor edhe si figura artistike edhe si elementë dominues me lidhjen evolutive brenda pasqyrimit tematik, si: trëndafili, shelgu, kumbulla ullinjtë, e si; mjellmën, pulëbardhën, harabelin, pelivesën blu, pastaj  gurgullimën, liqenin, luginat,brigjet e deri te Devolli e Shkumbini për të arrirë në majën e Malit të shenjtë shqiptar Tomori. Të gjitha këto gjetje ekzistuese ,kanë marrë figuracion dhe kanë dhënë efektin artistik,gjithnjë në fokusim të përcaktimit sa më bindës.
Pra,këto veçori e bëjnë veprën më përfaqësuese në procesin e cilësisë estetike,të veprave që po shkruhen në këtë  decenien  e parë të këtij fillim shekulli. Botimi i vëllimit poetik “Harbimi i kuajve”i Milianov Kallupit është botim reprezentativ dhe vjen në dorën e lexuesit për komunikim  tri gjuhësh,në gjuhën e autorit,në atë kroate,në përkthim të poetit Mustafa Spahiu, si dhe  në gjuhën maqedone në bashkëpërkthimin  të, Ismet Bitiqit dhe Mustafa Spahiut. 

FIGURACION I DHIMBJES

image Mazllum Saneja


Per librin “Leximi i vetmisë”,  i Mazllum Sanejes

FIGURACION I DHIMBJES


Poeti, përkthyesi, shkrimtari dhe krijuesi i mirënjohur Mazllum Saneja edhe në veprën e tij më të re “Leximi i vetmisë”, botoi Shtëpia botuese “Komograf”, Varshavë, 2010, vazhdon po atë bisedë artistike e krijuese me lexuesin e poezisë dhe krijimtarisë së tij, të cilën e pati filluar që me vëllimet e tij të para “Këlthitje”, 1973, “Heshtja e një kohe”, Tiranë, 1976, “Shpuzë e ftoftë”, Prishtinë, 1988, pastaj “Shëmbëllime të trazuara” “Pe një ëndërr”, “Vetëtimë jete”, e të tjera si dhe një numër edhe më të madh përkthimesh nga shqipja në polonishte dhe anasjelltas, e antologjish, që janë mirëpritur nga lexuesi dhe nga juritë duke u laureuar me disa çmime letrare kombëtare, e pse jo edhe ndërkombëtare.

Makro dhe mikro strukturimi i veprës

Vepra më e re e Mazllum Sanejes “Leximi i vetmisë”, që në fillim na ballafaqon me këtë sintagmë kaq domethënëse poetike, sa që kur të lexohen materialet në të, duket se janë mendime dhe shtresime që depërtojnë nga shpirti dhe dhimbja e poetit, në këtë rast krijuesit të saj, për të shpërfaqur atë me një lehtësi, por edhe përjetim edhe tek lexuesi. Sintagma “leximi i vetmisë” ka dy shtylla mbi të cilat peshon kuptimi dhe domethënia filozofike e saj. Leximi në këtë rast ka kuptimin e një shpalimi të dhimbjeve dhe mallit të subjektit poetik të shpërfaqur figurativisht, ndërsa vetmia ka konotacion me unazën më intime dhe më mallëngjyese të mërgimit, të ndarjes dhe të jetës larg atdheut, që kurorëzohet me mallin dhe dhimbjen e thellë. Ky bashkëdyzim fatmirësisht nuk qëndron i tkurrur, por shtrihet në të gjitha poret e veprës.
Kjo më se miri shihet edhe në ndërtimin strukturor të veprës. Vepra “Leximi i vetmisë” ka ndërtim në dy stadet, që janë makro dhe mikro sistemi strukturor i saj. Këto dy stade kanë mini strukturat e veta.Makro struktura ka shtrirje në dy hemisfera artistike dhe janë:Pjesa e parë: “Albumi i familjes sime”, poezi,  dhe
Pjesa e dytë: “Ditari im 1985 – 2010”, prozë, e cila është një hemisferë tjetër që shtrihet në këtë vepër. “Albumi i familjes sime”, poezi, që ndahet në gjashtë mikro njësi apo qerthuj poetikë dhe nga 32 forma poetike apo poezi me tematikë dhe kredo figurative të nyjëtuar dhe të dimensionuar sipas tipit të strukturës së veprës.
Kjo pjesë e veprës ka gjithsej pesë qerthuj (cikle) poetikë: 1. “Albumi i familjes sime”dhe ka vetëm një poezi 2. “Vetëm fillikat”, ka dymbëdhjetë poezi, 3. “Të gjallët dhe të vdekurit e mi”, nëntë, 4. “Leximi i vetmisë”, poashtu nëntë dhe 5. “Memento”, vetëm një poezi prej të cilëve tre janë kryesorë, ndërsa dy të tjerët: “Albumi i familjes sime” dhe “Memento” mund të jenë edhe prologu dhe epilogu i kësaj makro pjese. Pas leximit të poezive mund të konstatohen dy gjera që janë evidente. Disa nga këto poezi janë të botuara edhe në veprat e mëparme të këtij poeti dhe ai i ka ribotuar edhe këtu, mbase, për të mos i harruar, apo më mirë, për ta “larë” borxhin ndaj mallit, dhimbjes personale dhe mërgimit që është hallkë më vete për të gjithë të mërguarit, apo kurbetçarët, siç njihen në fjalorin e popullit.
Ndërkaq elementi i dytë që dallohet poashtu është sepse poeti Mazllum Saneja u ka kushtuar nga dy e më tepër poezi familjarëve të vet, si dhe miqve, shokëve dhe të tjerëve, si: dy-tri poezi për motrën Shuretën, vëllezërit, pastaj dy poezi ia kushton mikes se vet Evës, e të tjera.
“Ditari im 1985 – 2010” që është prozë, apo hemisfera tjetër që shtrihet në këtë pjesë ka nën njësitë e veta që tash janë shënime ditari personal i autorit, duke filluar që nga data 30.III.1985 e deri më 20.VI.2010.
Kjo pjesë e veprës, pra “Ditari im 1985 – 2010” fillon me fjalën hyrëse “Pika vese” të shkrimtarit Saneja i cili ndër të tjera thotë: “ Fundi i shkurtit 1985. Zura të shkruaj ditarin tim. Një ditar mërgimtari në mërgim. Më përshkonin mbresa të mëdha të papërshkrueshme dhe emocione plot ngashërim”. Ndërkaq si nën njësi, apo mikro elemente të kësaj makro strukture, janë të gjitha datat e shënuara që nga 30 marsi 1985 e deri më 10 qershor të vitit 2010.

Kredoja poetike e dhimbjes dhe mallit

Kredoja poetike e krijuesit Mazllum Saneja në këtë gjysmë vëllimi të poezisë, sepse pjesa tjetër e veprës është ditar i shkruar në prozë, është dashuria e pafund dhe malli i zjarrtë për Kosovën, për vendlindjen e tij Gjakovën, dashuria për njerëzit e për familjen, për vëllezërit, prindërit, motrat, shokët, krajatat e jetës, të cilat ai i kujton dhe i rikujton për t’i futur në brendësi e pastaj për t’i nxjerrë me ndjenjë e mendim refleksiv në vargje poetike pas më se tridhjetë vjet mërgimi. Kështu autori shpalon në kuadrin e krijimit poetik edhe përkushtimin që është një thirrje e ndjeshme dhe e fshehur në thellësitë e shpirtit të tij prej malli të mërgimtarit: “Në kujtim të gjallëve dhe të vdekurve të mi. Autori”. Kjo kredo poetike që është moto përkushtuese e këtij vëllimi, e kësaj vepre, nuk është e tkurrur, nuk është e ngushtë, nuk është veç sa për t’u thënë, por ajo depërton dhe udhëton qoftë heshtazi, qoftë haptazi që nga veprat e mëhershme poetike të tij, që ngritin kokë në figura e vargje të poezive me tematikë e kredo të këtillë. Andaj, ai vjen i përmallur të puthë tokën mëmë, që e lindi, që e rriti dhe e pa buzëplasur tek e linte për një jetë më të mirë diku atje larg në Poloninë e ftoftë, në Poloninë e ëndrrave e të mrekullive që ishin skalitur në imagjinatën e mërgimtarit Saneja, poet e krijues.. Shpirti i poetit tash i ngjan kraterit të një vullkani, ku shpërthen gjithë ajo dhimbje e gjithë ai mall përvëlues, ndaj ai merr penën dhe derdh vargje ende pa prekur dheun e shtrenjtë të Gjakovës e Kosovës, në qytete e krahina polake, në tren, në avion, mes udhëve qiellore, që e çojnë drejt dashurisë së tij të madhe, njeriut, familjes dhe atdheut.

Malli intimë dhimbjeje poetike

Poeti Mazllum Saneja niset nga konkretja, nga imtësitë dhe çastet e provuara nga jeta, të përjetuara thellë intimisht të cilat edhe di t’i shndërrojë në vargje në mënyrë poetike, ndaj shpesh figurat që ai përdor befasojnë me gjetjen, shtrirjen dhe domethënien e vet. Intima e dhimbja në vargjet e këtyre poezive shpërthejnë me gjithë fuqinë e shpirtit me pezëm që e mban zemra. Ky pezëm kthehet shpeshherë në dhimbje dhe poeti ka arsye të jetë i pikëlluar të cilin pikëllim ai arrin ta derdhë në vargje. Pena e poetit pikon trazime kur kujton, madje edhe kur shkon "të vizitojë" të dashurit e tij tashmë të ikur në botën tjetër, në varrezat e qytetit. Janë këto vargje të dala nga shpirti, për humbjen e tyre dhe këtë çast dhimbjeje ai ka ditur ta japë me forcë tronditëse me këto vargje:

            Lejleku solli në fluturim
            shaminë me lot
            nga varri i motrës sime

për të vazhduar me vargjet e tjera kushtuar babait, nënës, vëllait e të tjerëve.
Zëri mallëngjyes i mërgimtarit bëhet përcjellës i të gjitha domethënieve që si përjetime shfaqen edhe në formë të strukturimi poetik e letrar të gjendjes së subjektit, të nënshtresimeve që i percepton ai. Të gjitha këto shtresohen mirë dhe më kujdes duke u zhvilluar nëpër stazat shkëlqyese poetike. Edhe pse aty - këtu ndihet ndonjë ofshamë që del nga thellësia e shpirtit, ajo nuk rri e tillë por suksesshëm shndërrohet në figuracion poetik. Kjo formë e poezisë së tij është thirrje jetësore ngase poeti Mazllum Saneja është i vetëdijshëm për çka shkruan. Ai zhvillon një dialog me subjektin lirik, në ndonjë rast edhe me vetveten, me  njerëzit, kohën, bashkëkohësit dhe familjarët e tij, andaj si poet i dhimbjes njerëzore, mallit, dashurisë, etj., këto ndjenja i bën bazë figurative e  ideoemocionale të poezive të tij. Edhe pse gjendet larg vendlindjes dhe atdheut të dashur, ai përsëri mbetet i lidhur me mijëra fije të padukshme, që burojnë nga zemra dhe këto lidhje shpirtërore nuk i këput kurrë, pavarësisht nga mërgimi i pamëshirshëm. Këto bëhen udhë zemre, të cilat e kthejnë tek njeriu, tek familja, tek vendlindja e atdheu si qenie të përmallur
Vepra “Leximi i vetmisë” e Mazllum Sanejes , nuk do të ishte e plotë pa poetikën e prozës së ditarit, e cila ia ka zgjeruar me sukses një ndjenjë shumë të hollë që është si vegim i dashurisë për jetën dhe njeriun. Në këto shënime në formë ditari ai shfaqet një person intelektual që mban shënime të tilla për t’i shndërruar në vepër. Ditar kanë shkruar shumë personalitete të shquara të jetës dhe historisë, por ditari i këtij shkrimtari dallon për një nuancë, e cila është e veçantë, madje edhe tipike individualiste e përjetimeve dhe ndjenjave të autorit të dashuruar përmallshëm dhe, i cili si poet luan bukur me vargun, që me të drejtë mund të quhet varg i thellë, përbajtësor dhe ndijesor. Me këtë vepër, ai tregon se ka pasuruar përvojën e tij krijuese jo vetëm me ndjenja, por edhe me ide, motive e vizione të reja. Pra, vetë libri paraqet një fazë të re të pjekurisë së këtij autori dhe të përgjegjësisë së tij ndaj artit në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, duke paraqitur një evoluim të pandërprerë dhe duke e mbushur me shprehje të pasura ideoartistke dhe emocionale. Ndaj kjo vepër, sikurse edhe të tjerat të këtij autori, do të jetë e mirëseardhur, sepse ai paraqitet me dinjitet, para lexuesit.


Halil Haxhosaj

Klithmat e sinqeritetit

 

image Sejdi Berisha


 Për librin poetik,  “Kërkoj dhembjen time” –të Sejdi Berishës Pejë, 2011
 Klithmat  e sinqeritetit

“Kërkoj dhembjen time” është një formë e fuqishme e të kënduarit poetik e ndërlidhur me mendimin filozofik dhe njerëzor, formë e etjes njerëzore për ta fisnikëruar dhe sublimuar rrugëtimin dhe përplasjet shpirtërore, të cilat autori i ka shndërruar si në një udhëtar apo në një pelegrin për ta gjetur dhe përjetuar ngrohtësinë e mendjes dhe të shpirtit, por edhe për tu përballur me të gjitha sfidat, të cilat autori sikur i shndërron në pjesën më të ngrohtë dhe më të përjetuar.”

Këto ditë doli nga shtypi vepra e njëzetë e shtatë e shkrimtarit dhen publicistit, Sejdi BERISHA. Në këtë vepër me poezi e me titull karakteristik dhe shumë të zjarrtë por edhe fisnik, autori përmes vargut shtron kërkesën si fenomen, e cila kërkesë e kësaj forme, gjithnjë ka qenë vetëm ëndërr, synim, dëshirë e mall dhe njëherësh faktor fondamental për ta rrumbullakuar tërë atë që njeriu e shndërron në ecje, në kërkim dhe shpresë për njerëzoren dhe për të lumturën, por gjithsesi edhe për të madhërishmen. Andaj, “Kërkoj dhembjen time” është një formë e fuqishme e të kënduarit poetik e ndërlidhur me mendimin filozofik dhe njerëzor, formë e etjes njerëzore për ta fisnikëruar dhe sublimuar rrugëtimin dhe përplasjet shpirtërore, të cilat autori i ka shndërruar si në një udhëtar apo në një pelegrin për ta gjetur dhe përjetuar ngrohtësinë e mendjes dhe të shpirtit, por edhe për tu përballur me të gjitha sfidat, të cilat autori sikur i shndërron në pjesën më të ngrohtë dhe më të përjetuar. Të cilat gjëra, respektivisht, përplasjet dhe rrugëtimin, shkrimtari i kthen në një sfond të çuditshëm por të ngrohtë njerëzor, që, edhe krijuesit, edhe lexuesit por edhe opinionit të gjerë, elementet e tillë, njeriut, i cili, shpeshherë zihet pisk dhe ndodhet në situata të palakmueshme shpirtërore, i dhurojnë energji për këngën e madhështisë dhe të dëlirësisë.
Për këtë arsye, “Kërkoj dhembjen time” me të drejtë shndërrohet në kërkues të arsyes, që vuajtjet dhe dhembjen për t’i ngritur si çështje fisnike e cila ndërgjegjëson dhe njeriut i krijon mbase edhe kënaqësi dhe gatishmëri për t’u përballur me jetën, gjë kjo e cila jo rrallë njeriun e vë në dilema dhe në sprova për të ecur vertikalisht. Andaj, poezitë në “Kërkoj dhembjen time” janë një shprushje serioze dhe ndijimore e mendimit dhe e përjetimit të thellë por edhe filozofik të hapjes dhe të ballafaqimit me probleme. Këndimi në këtë mënyrë, gjithsesi disponon edhe me peshën e thelbit të humanes dhe të qëndresës të për t’iu qasur zgjidhjes së labirinteve të jetës. Këto kacafytje dhe shtegtime të poetit kërkojnë “shpëtim” dhe prehje tek mendja, mendimi dhe veprimi i secilit njeri, në të gjitha format, në të gjitha fushat e jetës. Por, mund të thuhet edhe ndryshe. Krijimtaria e shkrimtarit, Sejdi Berisha, në këtë vepër është edhe klithmë e sinqeritetit për t’i hulumtuar, përjetuar dhe për t’i studiuar “fasadat” e jetës por edhe për t’i hulumtuar muzetë e saj.
Librin “Kërkoj dhembjen time” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 120 faqe.
Sejdi BERISHA:“Mallkimi i heshtjes”-Shkrime refleksive, 2011

Këto ditë doli nga shtypi edhe vepra me shkrime refleksive “Mallkimi i heshtjes” i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ky libër i cili është i njëzetë e teti i këtij krijuesi, edhe si tërësi por edhe si i ndarë në kaptina veç e veç, shpreh atë thellësinë e përjetimit dhe të realitetit e të mospajtimit me te, si veçori e qëndrimit krijues dhe njerëzor të shkrimtarit, i cili, edhe dëshiron të rrëfejë por edhe e ka për synim e zjarrmi për të shpjeguar në rrafshin e mirëfilltë të analizës filozofike dhe refleksive të gjitha rrjedhat që synojnë dhe shfaqin lumturinë, por që dhembjen e kanë shoqërues kudo. Për këtë, autori, Sejdi BERISHA konsideron se gjërat që heshtën apo që ngelin përbrenda vetvetes, me dijen apo pa dijen e autorit por edhe të vetë individit, ato i ngjajnë klithmës, e cila, për habi nuk dëgjohet! Kjo, ngase çdo gjë që heshtet, puthitet me mallëngjimin, të cilin edhe nuk mund t’ia rrëfesh askujt.
Për këtë arsye, autori, me të drejtë na “imponon” indinjatën shpirtërore si mallkim të heshtjes. Vetë titujt e shkrimeve apo të kapitujve të librit, përshkohen me mesazhin alegorik mbase edhe këshillëdhënës në të njëjtën kohë, që i ngjajnë edhe lutjes dhe këmbëngulësisë për sinqeritetin, lumturinë dhe për madhështinë si thesar të njerëzores. Këtë fenomen shprishjeje dhe këtë detyrim analitik por edhe shumë human e hasim pothuaj se tek të gjitha shkrimet refleksive, siç i quan autori, si bie fjala: “Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hijen e mëngjesit...!”, “Jeta me vrap dhe kafshimi i gjarprit...!”, “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes...!”, “Loja e shkrimit dhe leximi alegorik...!” etj.
Pothuaj se në të gjitha kaptinat e librit, mallkimi i heshtjes troket si diçka që njeriun e detyron ta “zbërthejë” vetveten, por edhe sikur kjo “performansë” e jetës, mallkimin e vë në rolin e zërit që nuk hesht! Andaj, “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi BERISHËS, sikur është një qortim i natyrës tjetërfare nga atë që e hasim zakonisht në jetën e përditshme.
Këtë vepër me cilësi të veçantë dhe me peshë filozofike, autori e fillon me një shkrim sinjifikativ në trajtë udhëpërshkrimi, me titull “Toka që të mallëngjen dhe ta madhështon historinë...!”, përmes së cilit, që në fillim opinionin e “detyron” për ta lexuar dhe analizuar librin, dhe kështu për ta mësuar gjithnjë e më mirë historinë e tokës së vet, historinë e njeriut të vet. Ndërkaq, e përfundon, po ashtu me një shkrim, që po ashtu reflekton në vetëdijesimin e njeriut e që mbanë titullin jo vetëm simbolik: “Përurimi i librit në Tiranë dhe rruga e kombit...!”
Për ta bërë sa më kuptimplotë dhe joshëse “bërthamën” e mendimit të kësaj vepre, autori edhe shkrimet i fillon me këtë moto: “... Mendja ta hapë ose ta mundëson fenomenin e rebelimit, e cila gjë kuptohet si veti e veçantë për mospajtimin, vuajtjen dhe mbrojtjen e rrugëtimit të lirë të njeriut...
... Kujtojeni se sa vështirë është kur e harron vetveten në momentet më të nevojshme, atëherë ku i nevojitesh fjalës sate, dritës dhe zjarrit, heshtjes dhe zërit...”.
Kjo do të thotë, se “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi Berishës, reflekton kuptimin e thellë të jetës dhe bashkë me te edhe disidencën ndaj gjërave që nuk përkojnë me realitetin e që në të vërtetë janë përditshmëri e kohës.
Librin “Mallkimi i heshtjes” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 212 faqe.       

“Athinë – Tiranë, ditari i krizave”

 

image Robert Goro


Toena hedh në qarkullim librin e gazetarit të njohur Robert Goro,
 “Athinë – Tiranë, ditari i krizave”

Shtëpia botuese Toena hedh në qarkullim librin e gazetarit Robert Goro, “Athinë – Tiranë, ditari i krizave” (Shënime për marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet 1993 – 1996).

Në faqet e këtij libri autori u hedh një vështrim analitik ngjarjeve që dominuan marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet e para të hapjes së Shqipërisë pas përmbysjes së regjimit komunist dhe që u acaruan në mënyrë të skajshme dy herë: në verën e vitit 1993, pas deportimit të një kleriku grek nga Shqipëria, dhe në pranverë 1994, pas sulmit në repartin ushtarak shqiptar në Peshkëpi të Gjirokastrës, autorësinë e të cilit e mori përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut).Libri hapet me një kronikë referuar një shkrimi të gazetës amerikane Wallt Street Journal, ku thuhej se parashikohet konflikt i armatosur në zonën e minoritetit (mars 1993) dhe mbyllet me vzitën e presidentit grek, Kostis Stefanopulos në Tiranë, (mars 1996), kur mes të dy vendeve u nënshkrua Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit.Për periudhën që përfshihet në libër, autori ka qenë i vetmi gazetar shqiptar i akredituar në Greqi dhe i ka përcjellë aktivisht të gjitha zhvillimet; në këtë sens libri përfiton një vlerë të veçantë dhe hedh dritë mbi shumë ngjarje, për të cilat publiku i gjerë mund të ketë pasur vetëm një imazh të trubullt e të zbehur edhe më shumë nga distanca kohore

R.Goro tregon presionet greke ndaj Tiranws

Mosbesimi reciprok Greqi –Shqipëri
 “Populli dhe qeveria greke i pritën fillimisht krahëhapur emigrantët, por brenda një kohe të shkurtër Athina zyrtare tregoi prirjen që praninë e emigrantëve të paligjshëm ta shfrytëzonte si një mjet presioni për realizimin e pretendimeve që lidheshin me minoritetin grek që jetonte në Shqipëri dhe që pjesa më aktive e tij, në masë të madhe, kishte emigruar gjithashtu në Greqi.”

Zhvillimet në marrëdhëniet midis Greqisë e Shqipërisë kanë dominuar shpeshherë aktualitetin në të dy vendet. Një mosbesim reciprok, i kultivuar sidomos gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, nuk u arrit të zbehej edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri dhe vërshimit në Greqi të dhjetra mijëshqiptarëve që kërkuan një fat më të mirë duke emigruar në vendin fqinj.Populli dhe qeveria greke i pritën fillimisht krahëhapur emigrantët, por brenda një kohe të shkurtër Athina zyrtare tregoi prirjen që praninë e emigrantëve të paligjshëm ta shfrytëzonte si një mjet presioni për realizimin e pretendimeve që lidheshin me minoritetin grek që jetonte në Shqipëri dhe që pjesa më aktive e tij, në masë të madhe, kishte emigruar gjithashtu në Greqi.Ky presion solli si rezultat dy krizat më serioze në historinë e re të marrëdhënieve: më 1993, me shkakun e dëbimit nga Shqipëria të një prifti grek, që akuzohej për veprimtari antishqiptare, dhe më 1994, pas sulmit terrorist prej ekstremistësh të ardhur nga Greqia, në qendrën e rekrutëve në Peshkëpi të Gjirokastrës, me ç’rast humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë.Të dy krizat u shoqëruan me dëbime masive të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, duke qenë ata të vetmit që paguan “haraçin” e rëndë për acarimet në mes Athinës e Tiranës.Nga ana tjetër, ato kriza, ndikuan që “betoni” i hedhur ne themelet e marrëdhënieve dypalëshe, të krisej qysh në fillim; krisje që, me gjithë përpjekjet e admirueshme të qeveritarëve në të dy kryeqytetet, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite t’i trandin herë pas here marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, që ndërkaq, mbeten shumë të mira, të paktën sipas deklaratave zyrtare në të dy anët e kufirit...Vështrimi historik i marrëdhënieve midis Greqisë e Shqipërisë, vëzhguesit të vëmendshëm i sjell ndërmend një shprehje frazeologjike greke: “Bashkë nuk bëjmë, veç nuk mundemi”... Nëpër vite në sfondin e marrëdhënieve dypalëshe ka pasur edhe tensionime të tjera, më të ulëta se ato që do të shikojmë në këtë libër, tensione që shkaktoheshin herë nga njera palë, e herë nga tjetra. Dhe gjithmonë, si në një sherr vëllezërisht, vinte periudha e pajtimit dhe e dashurisë së madhe, për t’u tollovitur përsëri dikur më vonë...Për fund: pas një qëndrimi aktiv prej gati 17 vjetësh në Greqi, autori ka përshtypjen se problematika e marrëdhënieve greko-shqiptare (apo shqiptaro-greke) mund të analizohet më mirë në një vepër fiction-i, se sa në një punim publicistik. Jo vetëm pse arkivat greke të asaj periudhe (ku është i domosdoshëm hulumtimi për të mbërritur në përfundime të sakta), duan edhe ca dekada që të hapen, dhe nga ana tjetër, duhej hulumtuar më shumë pjesa shqiptare e ngjarjeve – që objektivisht ishte e vështirë për t’u realizuar në kuadër të këtij libri. Por më së shumti pse ajo problematikë bazohet me të tepërt, - për mendimin modest të autorit-, në paradokse, se sa në arsye të qenësishme.Prandaj, u përzgjodh mënyra e rreshtimit kronologjik të ngjarjeve (ndërthurur edhe me analiza të atypëratyshme, një pjesë e mirë të publikuara asokohe në BBC, Koha Jonë dhe Koha të Prishtinës), me shpresën se arrihet të rikrijohet e plotë ose pothuaj e plotë, ajo periudhë, “krizash e vranësirash”, si në një film dokumentar, pa retushe të shumtaNë këtë mënyrë, ndoshta edhe lexuesi e ka më të lehtë të nxjerrë përfundimet e veta.
Për autorin

Robert Goro ndodhet që prej vitit 1993 në Athinë, Greqi, ku punon si korrespondent i seksionit shqip të radios britanike BBC.Në Greqi ka krijuar e drejton gazetën Tribuna, e përjavshme në gjuhën shqipe.
Ka botuar librat: Takohemi pasdite (tregime, 1990),Një këngë për Edit Pafin (roman, 2000), FYROM: Supermacia e inferioritetit (publicistikë, 2001),Dosja 1990-1991, dëshmia e Kiço Mustaqit (publicistikë, 2004).

Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut

 

image “KRITIKA NDRYSHE – II”


TEMPULLI I DIJES NË SYRIN E KRITIKËS LETRARE
XHELADIN MJEKU
Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut
I. HYRJE NË TEMPULL
          Kur merr guximin të futesh rrugës së gjatë dhe sfidimit prej vështruesit serioz në matjen e të gjitha barometrave dhe kaheve të zhvillimit të letërsisë në këto vitet e fundit, sidomos në periudhën e tranzicionit, ku u hapën mundësitë e daljes në skenën letrare dhe krijuese shumë emra të anatemuar, krijues të rinjë dhe sidomos krijuesit nga mërgata, që ishin të panjohur për opinionin lexues në trojet etnike, nuk ka dyshim se ke vënë vetes një sfidë. Këtë rrugëtim e nis me  përkushtimin më serioz Fatmir Terziu, i cili ua hap portën këtyre krijuesve që të grumbulluar në një libër voluminoz me shkrime e analiza kritike dhe letrare për librat dhe rezultatet e tyre, bën që të kemi një njohje më të gjithanshme të shumë penave, që deri vonë ishin pothuajse enigmatik dhe fare pak të njohur. 
         Nisur nga ky supozim sikur fitohet përshtypja se po hapen portat e një tempulli të madh të njerëzve të veprimtarive të shumta kulturore, krijues të poezisë, prozës, kritikës, dramës dhe vlerave të mëdha letrare në përgjithësi. Triumfalisht do të shëtisim nëpër të gjithë kapitujt e këtij libri, për të takuar emra të shumtë krijuesish, veprat e të cilëve premtojnë në zhvillimin dhe lërimin e vlerave të qëndrueshme letrare dhe shkencore, në përgjithësi. Të takosh në një vend aq emra krijuesish, të njohësh veprimtarinë e tyre dhe të kesh një pasqyrim të përafërt për zhvillimet e krijimtarisë së tyre, është një vlerë e konsiderueshme për lexuesin e rëndomtë, por edhe për studiuesin e kësaj dege të letërsisë kombëtare. Të rralla janë rastet kur vijnë bashk krijues nga atdheu dhe mërgata, në numër kaq të madh, e që pasqyrojnë botën letrare në formën më të plotë. Këtë mundësi na e krijon Fatmir Terziu me librin e tij voluminoz “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, që tashmë disponojmë.  
            Që në fillim të këtij vështrimi kapim fijet e organizimit të librit, që i paraprinë Hyrja dhe pastaj vazhdohet me katër kapitujt që pasojnë: Kapitulli i parë–Kuptimi, efekti kontekstual dhe komprehensioni; Kapitulli i dytë–Diskursi, interpelacioni, metafizika dhe filozofia e fjalës; Kapituli i tretë–Poezia, raportet e saj me jetën, bashkëkohësia, triniteti dhe…cili është kuptimi i ekzistencës së saj, dhe Kapitulli i katërt–Përtej analizës, rrumbullaksojnë një material voluminoz për kahet e zhvillimit të letërsisë shqiptare këtyre dy dekadave të fundit. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur prej rreth 90 burime të ndryshme, që plotësojnë lëndën e shtjelluar, duke dhënë dëshmi të mjaftueshme për studimin e autorëve të përzgjedhur në libër. Edhe  indeksi i emrave të përfaqësuar, si ndihmesë tjetër janë udhëzuesit e gjetjes së emrave të përfaqësuar brenda kopertinave të librit voluminoz dhe të ndërtuar me përkushtim  “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, të Fatmir Terziut, - studim kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej afër 500 faqesh.
           “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” është  vepër që i   plotëson nevojat e lexuesit të njoh gjithë materjen e përmbledhur aty, një ndihmesë e mirë për të mësuar për  angazhimet e Terziut në organizimin dhe ndërtimin e një vepre studioze. Nga ky prizëm mund të konkludohet se, në materjen e kësaj vepre shkencërisht të realizuar mund të vëzhgosh e kuvendosh lirshëm me të gjitha format e shtjellimit dhe problematikat që kap në analizimin e veprave të nduarnduarta letrare. Kjo vepër, realisht me plotëkuptimin e fjalës, është studim i mirëfillt dhe më ndryshe se që jemi mësuar të takojmë në raste të shumta; e shkruar më ndryshe se në rastet e rëndomta në  fushën e kritikës letrare shqiptare.
 Konteksti i kësaj përgjigjeje është organizimi dhe shtjellimi  bashkëkohor në kritikë dhe analizë të veprës letrare, bazuar në psikanalizë. Kjo është veçanita e këtij libri studimor, ku përfshihen autorë shqiptarë në prozë dhe poezi,  që premton një pikënisje në kritikën ndryshe, me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare.

II. PERSONIFIKIMI I FIGURAVE TË HARRUARA DHE VLERAT E PAKONTESTUESHME

            Që në fillim hetohet përfshirja e një numri të konsiderueshëm emrash që ishin pjesa e harruar apo fare pak e njohur në qarqet letrare këtu tek ne, duke aluduar në pamundësinë e ndjekjes së hapit me shpejtësinë e daljes në opinion të shumë emrave të rinjë, sidomos në dy dekadat e fundit të tranzicionit të vendit. Brengosëse është edhe fakti se përzgjedhjet e mëhershme të shkrimtarëve të brezave të mëparshëm kishin mbetur si pjesa obligative e mësimit të letërsisë, kurse komisione të reja për të ndryshuar gjendjen, duke përfaqësuar edhe emra të rinjë që kanë bërë emër dhe vlerë të qëndrueshme në letrat shqipe nuk kanë nxjerrur në dritë asnjëherë deri tash.
              Elita krijuese letrare në hapësirat shqiptare e prezantuar këtu edhe me një qëndrim serioz të kritikës letrare është shembull i mirë se ka ikur koha e personalizimit dhe e interpretimit të kufizuar si parapëlqime të grupeve dhe individëve të caktuar nga qarqet pushtetore dhe të sferës së politikave organizative të kulturës.
             Në librin që po shqyrtojmë “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” të  Fatmir Terziut takojmë një aradhë të tërë autorësh në gjini të ndryshme shumë të njohur, më pak të njohur apo të rishfaqur në hapësirën mbarë kombëtare, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga  mërgata, që krijojnë në prozë dhe poezi, si Ismail Kadare, Zija Çela, Halit Shamata, Izet Shehu, Pëllumb Kulla, Agron Tufa, Agim Shehu, Klara Buda, Puntorie Muça-Ziba, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Vullnet Mato, Dhimitër Xhuvani, Thani Naqo, Kujtim Agalliu, Halili Jaçellari, Myrteza Mara e ndonjë tjetër, dhe në poezi, si Isuf Luzaj, Agim Gjakova, Preç Zogaj, Iliriana Sulkuqi, Zyhdi Dervishi, Moikom Zeqo, Zejnepe Alili-Rexhepi, Arian Leka, Anton Çefaj, Skënder Rusi, Nehas Sopaj, Sazan Goliku, alias Pandeli Koçi, Ndoc Gjetja, Ramadan Musliu, Skënder Hasko, Vojsava Nelo, Din Mehmeti, Iliaz Bobaj, Lindita Agolli, Mujo Buçpapaj, Ndue (Tomë) Ukaj, Medije Vraniqi, Vangjush Ziko, Abdylazis Islami, Agim Spahiu, Bajame Çeliku-Hoxha, Petraq Risto, Uran Kostreci, Rahmi Tuda, Sotir Lashova, Julia Gjika, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kostaq Duka, Sherif Bllaca, Dritan Buna, Ylber Merdani, Elinda Marku, Gëzim Llojdia, Merita Bajraktari-McCormak, Selman Lokaj, Xhevat Latifi, e ndonjë tjetër, nduarnduarshmëria e  krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një thesar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqiptare, që krijohet këtyre dekadave të fundit.
            Objekti i studimit për krijimtarinë e shumë krijuesve të Letërsisë Shqiptare, për probleme të caktuara, të veçanta dhe të dallueshme nga njëra-tjetra shërbejnë si modele të të arriturave në letërsinë bashkëkohëse shqiptare nëpër dekada. Autori i studimit ka përzgjedhur midis shumë prozatorëve dhe poetëve, disa krijues shumë të përveçëm, për të cilët ka ndërtuar nga një  pasqyrë në disa plane letrare me vlera për letërsinë që po krijojnë, e  që deri më sot  kanë munguar, ose është folur fare pak për ata. Vlerësuar  në specifikat e  gjithësecilit autor, ata konsiderohen si modele të  sukseshme në fusha të veçanta të letrave shqipe dhe natyrshëm të letërsisë  sonë kombëtare.
           Nga këto fakte  libri plotëson nivelin e vlerave të studiuara dhe të gjetura te krijimet e larmishme të autorëve, ku struktura e tij bëhet sa e larmishme dhe interesante, aq edhe  e dobishme për studimin e krijimtarisë shqiptare në vazhdimësi.

III.             LABIRINTHET E BOTËS IMAGJINATIVE

            Periudha kohore e përfshirë në shkrimet kritike të Librit “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” përfaqësohet të shumtën në dy dekadat e fundit dhe nis me shqyrtimin  analitik të termave modernizëm dhe pasmodernizëm, të cilët janë ndër termat më të debatueshëm edhe në dekadat e mëparshme, jo vetëm në mesin e studiuesve në fushën sociologjike, historike e filozofike, por edhe në ato letrare dhe artistike, veçanërisht. Me përkushtim prej profesionisti të kualifikuar Fatmir Terziu nuk ndalet në konstatimet përgjithësuese për modernizimin dhe pasmodernizmin, por vazhdon rrugëtimin e tij studiues në analizat konkrete në fushën e letërsisë, duke konsultuar edhe mendimet e studiuesve më të afirmuar perëndimorë në problematikën e pasmodernizmit në letërsi.  Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe, duke konsultuar gjithnjë me kujdes literaturën më bashkëkohore dhe duke u bazuar në përvojën teorike të vendeve më të përparuara të perëndimit. Që në faqet e para të këtij libri mësojmë se autori njeh dhe përdor me  saktësi literaturën bashkëkohore që i shërbenë si instrument studimi dhe shqyrtimi analitik të dukurive e risive letrare në prozë dhe në krijimtarinë poetike.
            Poashtu harmonizimi i natyrshëm i pikëvështrimeve teorike të studiuesve dhe  shkrimtarëve të vendeve të tjera me ato të autorëve shqiptarë është një tjetër dëshmi prej studiuesit me formatin më të kompletuar të ngritjes profesionale dhe të përkushtimit për studime cilësore sa më të argumentuara. Një gjetje tjetër në masë të konsiderueshme tek autorët e shumtë shqiptarë në studimet e Terziut është  edhe lidhja qenësore e arritjeve më të veçuara të tregimtarisë shqiptare të ditëve tona jo vetëm me rrjedhat përkatëse të modernitetit, por edhe me nektarin e papërsëritshëm të gurrës tregimtare të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve, që lehtëson komunikimin e saj me një rreth më të gjerë lexuesish shtresash e interesimesh nga më të ndryshmet.
            Librin e Fatmir Terziut “Kritika Ndryshe - Një vëzhgim në brendësi të prozës e të poezisë shqipe-II” me plotë të drejtë, mund të konkludojmë se është një vepër e mirëfilltë studimore, që ka si objekt studimi:  Postmodernizmin, Funksionin estetik, Artin e fjalës,  kritikës letrare, etj. për të  vlerësuar veprat letrare; pastaj leximi i kujdesshëm i poezisë dhe mënyra  gjithëpërfshirëse e  saj në vrojtimin e analizës komplekse bashkëkohore.
           Në një mendim përmbyllës të këtij analizimi, veç të tjerash, evidentohet çështja  thelbësore, të themi përmbajtja artistiko-shpirtërore e krijimtarisë poetike të çdo krijuesi, poeti ose   poeteshe  që fiksohet me objektivin vrojtues të Fatmir Terziut.
IV.MESAZHI OSE TEMPULLI QË RREZATON DIJE
            Këtë nëntitull do ta kisha vënë që në krye të shkrimit me besimin se paraqet mjaft bindshëm dhe sigurtë gjithë qëllimin që ka kjo vepër voluminoze. Mesazhi i gjithë kësaj sikur përmbyllet me vështrimin e lëndës së prezantuar këtu, aq më shumë kur takojmë një laryshi autorësh dhe tematikash të prezantuara me pedantëri dhe seriozitet nga autori. Mund të flitet gjatë për vlerat dhe rëndësinë e veprës, por një çështje është mbase e vërtetë në këtë rast. Nëse në mësimet parauniversitare përcaktimi për lekturën e domosdoshme është i rregulluar me normativa pedagogjike, në fushën e studimeve albanistike, e veçanërisht për letërsinë, do të ishin me interes tituj shkencërisht të dëshmuar  si ky i Fatmir Terziut të preferoheshin si obligues për tu lexuar, qoftë si literaturë e mirë studimi, qoftë si libër-lekturë e llojit të veçantë, ku takon brezat  e krijimtarisë moderne në një kulm të fuqishëm dhe meritor. E them këtë nga bindja se një vepër si kjo sikur të shpie në një bibliotekë të përzgjedhur, ku asnjëri nga autorët nuk të lëshon t’i ikësh përballjes me të arriturat dhe vlerat e krijimtarisë së tij.
            Fatmir Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm kriteret e hartimit të një libri të përmasave të gjëra shkencore në nivelin ndërkombëtar, duke njohur  mirë letërsinë kombëtare dhe botërore,  paisjen me një kulturë të gjerë,  një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në këndvështrimet e tyre, prandaj me të drejtë vlerësojmë se ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Me punën e palodhshme për një periudhë të gjatë kohore që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, autori ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë.
          Në letërsinë e sotme, siç do të theksonte edhe vetë autori i librit Fatmir Terziu, ka prurje të shumta letrare që ka nevojë të studiohen dhe të seleksionohen më tutje.  Gjithnjë duke iu referuar mendimit të tij, shfaqja e mendimit të plotë, pa rezerva në letërsi, krijon tablon e plotë të një krijimtarie të re, ku krijuesi duke analizuar të djeshmen, duke jetuar të sotmen me problematikat e veta, jep mesazhin e së nesërmes.
          Kritiku Fatmir Terziu me  këtë  vepër të vëllimshme  studimore, dhe me librin paraprak të po kësaj natyre dëshmon  se në Shqipëri dhe gjithandej kah krijohet letërsia shqiptare, tash pas daljes nga anonimiteti i periudhës së izolimit tejet të gjatë, po rilind letërsia moderne, për të cilën autori jep mjaft shembuj dhe vlerësime nga kritika bashkëkohore në botë, si krahasim i ndërsjellë i arritjeve të suksesshme dhe vlerash të pakontestuara, që gjithnjë e më shumë janë mirëpritur edhe në vendet tjera, ku janë prezantuar, qoftë si përkthime, apo si krijime në gjuhën e vendeve ku jetojnë e krijojnë autorë të etnisë shqiptare.
          Në kontekst të një vrojtimi të këtillë konsideroj se ky është një përparim i suksesshëm i kritikës letrare shqiptare, duke iu falënderuar entuziastëve të kalibrit të Fatmir Terziut, me synimin e përafrimit me standarde më të përparuara të kritikës bashkëkohore.

Per librin e Gjekë Marinajt "Protonizmi"

image Gjekë Marinaj


Për librin e Gjekë Marinaj: ”Protonizmi: Nga Teoria në Praktikë”, Vizione Letrare

IMAZH I TEJDUKSHËM I MENDIMIT RACIONAL
“Ky studiues i një shije të hollë, i pajisur nëpërmjet shkollës amerikane, por edhe i vetëpajisur me një kulturë të gjërë të njohjes, dallohet për një fluks të këndeve të shikimit analitik, shijen dhe intuitën e kapjes dhe analizës, po më së shumti ai veçohet ndër studiues të tjerë, për teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë edhe si fjalë drejtuese në titullin e librit.”
Nga Qazim D.Shehu
Poeti, studiuesi dhe përkthyesi Gjekë Marinaj, është i njohur për lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë për shkrimet e tij, që përcjellin një analizë të qetë e të shtruar, po njëkohësisht edhe të thellë  të dukurive e problemeve letrare, të cilat janë përvijuar e kanë marrë trajta në hapësira e kohë të ndryshme.Ky studiues i një shije të hollë, i pajisur nëpërmjet shkollës amerikane, por edhe i vetëpajisur me një kulturë të gjërë të njohjes, dallohet për një fluks të këndeve të shikimit analitik, shijen dhe intuitën e kapjes dhe analizës, po më së shumti ai veçohet ndër studiues të tjerë, për teorinë e vet: “Protonizmin”, vënë edhe si fjalë drejtuese në titullin e librit.Protonizmi i Marinajt sillet nga idetë e zbulimit të vlerave pozitive, si vlera të artit të vërtetë, duke qëmtuar pa lupën e një studiuesi pedant egocentrist, po në emër të zbulimit dhe inkurajimit të së mirës.Kjo nuk nënkupton mungesën e vështrimit kritik, as sensit realist, as mungesat e argumentave në të mirë të mbështetjes së tezave të shumta që ai hedh në tekstet e tij.Entuziazmi i kritës së tij nuk i përket një retorike horizontale, me lavdërime detyruese për lexuesin, po më së shumti ai mbetet një entuziazëm i natyrshëm që  brumoset vetvetiu në lëmin e sjelljes së fakteve, detajeve, fragmenteve jetësore që ai shpalos për shkrimtarë të ndryshëm  botërorë, kryesisht amerikanë, po edhe poetë të diasporës shqiptare.Gjekë Marinaj me dijen dhe intuitën e një studiuesi që nuk i njeh paragjykimet dhe klanet e paravendosura, merr në analizë autorë për të cilët ndoshta nuk është folur shumë, apo është folur pak.Kjo tregon, në optikën e tij se letërsia është tekst, shprehësi dhe forcë arti, nëse ajo përkohësisht do të ndikohej nga klanet apo nga njohjet, kjo do të ishte një lumturi e përkohshme për të, e, Marinaj është një studiues i tekstit.Çfarë e dallon më së shumti metodën hulumtuese dhe shtjelluese të tij nuk është zor të kuptohet.Ai e kap fenomenin në tërësinë e një kohe, inkuadron veprën në jehonën e saj ndër lexues, veçon çfarë të reje ajo sjell, ndërfut elemente nga jeta e autorit, asnjëherë pa harruar planin e qartë të ndërtimit konceptual të asaj që do thotë.Kjo metodologji, në kahun e saj protonik, bën që të aktivizohen ide dhe mbresa nga autori që përcillen me një stil t ë rrjedhshëm elegant, i cili nuk e bën kritikën e tij fraziste, po përkundrazi ajo grimcohet herë herë nga mendime intelegjente dhe nga një tis i hollë ndjenje dashamirëse që vjen vetvettiu nga leximi i veprave të mira, e nga letërsia serioze. Ai e ka parasysh thënien e Kadaresë se në tempullin e artit hyhet me dashuri dhe jo me urrejtje, një thënie që nuk është vënë re e as nuk është zbatuar nga disa shkrimtarë të sotëm të cilët kur flasin për letërsinë shqipe e mbajnë hapin vetëm te shokët e zborit dhe të konvikteve, dhe kujtojnë se duke servirur shembuj të tillë, ia kanë mbushur mendjen edhe të tjerëve. Zgjerimi i optikës së shikimit për rrjedhat e letërsisë, kur në skenën e saj ka vërtet emra të talentuar, është tregues i atyre njerëzve seriozë, të cilët e ndjekin letërsinë po edhe kanë shpirtin të pangarkuar me dogmën e anësisë.Marinaj i rrëzon mitet e krijuara nga psika socrealiste, strukturat e ngrira të hierarkive apriori, emrat që standartizohen për hir të fatit, përsëritjes së shpeshtë po edhe të komisioneve vlerësuese shtetërore, apo botuesve promovues, shumica e të cilëve nuk i lexojnë librat që botojnë, pa u nisur fare të rrëzojë ato, po më së shumti duke i harruar e duke mos i njohur këto praktika penguese që ndodhin tek ne.Kthjelltësia e gjykimit të tij, arrin të mbështetet  e të sprovohet përmes analizës, e cila shtjellohet  nga nisje vetëm letrare, sepse siç thotë Horaci:”Kur diçka e ke të qartë , fjalët vijnë vetë”. Po cilët janë autorët që merren në konsideratë dhe shtjellohen në libër.Ata vijnë nga letërsia amerikane si: Riçard Pauers, me romanin “Jehona e Kujtesës”, Toni Morrison, Ralf Ualldo Emerson, Frederick Turner, Emil Dickension, etj.Si një njohës i letërsisë amerikane autori zbulon  vlerat e saj, natyrisht pa marrë përsipër të thotë shumëcka për të, po njëkohësisht duke pretenduar të thotë atë që duhet, në mënyrë që t`i sjellë dicka lexuesit mbi vlerën e kësaj letërsie e cila nuk mund të themi se është aq e panjohur me autorët si:Mark Tuen, Xhek London, Teodor Drajzer, Ernest Heminguej, Uollt Uitman , etj.Autori e di  këtë ndaj orvatet të na sjellë autorë të rinj, po edhe të panjohur.Vështrimi i tij kalon në plane të një zbërthimi me pak faqe, pa i inkuadruar këta autorë në një vështrim të përgjithshëm të letërsisë amerikane, po gjithnjë duke synuar që të japë vlerat e tyre të vërteta. Nga gjithë shkrimet, padyshim, më i bukuri është ai për Emil Dickension, një shkrim i shkruar me sjelljen e detajeve jetësore nga jeta e poeteshës , e cila sa qe gjallë, botoi vetëm shtatë poezi, dhe poezinë e shkroi si mundi madje edhe në kartmonedha, shenjë e sigurtë se cfarë ndodh me poetët e vërtetë, të cilët shpirtin e tyre dinë ta shprehin pa marrë parasysh asnjë vlerë materiale.Detajet që autori jep, vëzhgimet e holla që bën, kujdesi i përzgjidhjes në servirjen e tyre, i bën këto artikuj të lexohen herë pas here si testamente poetikë, si vlera të njëmendta që nxisin fantazinë e lexuesit,sepse Marinaj esenë e tij e nis gjithnjë me një motivim nxitës, merr shkas nga ndonjë rast, e di ta shtjellojë me një sens mase që të kalojë lehtë , po jo pa gjurmë tek lexuesi.Për poeten Emily Dickinsion ai thotë:”Poetët nuk vdesin, ata kalojnë vetëm në orën e njëzet e pestë të ditës”Ky titull origjinal , pastaj përcaktimet që bën ai për poezinë në tërësi , si prelude poetike shërbejnë si një karrem i mirë joshës për ta parapërgatitur dhe futur lexuesin në një rrjedhë  të rrëfimit dhe informimit si dhe analizës.Pothuajse në cdo shkrim Marinaj është i kujdesshëm që titujt të shprehin në esencë  boshtin ideotematik të shkrimit, po njëkohësisht ato të të mbeten në mendje, e, kjo buron nga meraku po njëkohësisht edhe nga protonizmi i tij.Sot çdo poet e ka të nevojshme të njihet me sa më shumë përvojë të letërsisë botërore, aq më tepër kur në përcaktimin e Marshall Lohan bota është një fshat global.E në këtë globalizëm duhet parë edhe letërsia shqiptare, e cila, për hir së vërtetës po shkëputet nga jehonat e ideologjisë së dikurshme dhe po mundohet të kapë kuotat e mordernitetit permes mëvetësisë duke iu rikthyer letërsisë së vërtetë.Në këtë globalizëm dhe liri qarkullimi cilët janë shkrimtarët që që qarkullojnë lirshëm në shtjellën ciklonike të globalizmit çngjyrosës.Natyrisht ka, lexuesi mund t`i marrë me mend, po autorët që sjellë Marinaj nuk janë në radhët e para, e megjithatë ato që ai ka sjellë nuk duhen neglizhuar, sepse përbëjnë atë ikje të shkrimtarëve shqiptarë të cilët asnjëherë nuk e harruan identitetin e tyre, dëshirën për të shkruar, madje patën dhe kanë si temë temën e atdheut dhe të mallit.Këta janë përkatësisht, me ndonjë mungesë informacioni jashtë tekstit:Faruk Myrtaj, Ramiz Gjini, Agim Shehu, Luigj çekaj, Dalan Luzaj, Shefqet Dibrani, Naum Prifti, Rozi Theohari, Ndue Hila, etj.Janë poetët dhe shkrimtarët që iken në Perëndim për një jetë më të mirë, po jo për një letërsi më të mirë, sepse letërsia e mirë bëhet edhe pa ikur jashtë shteti.Autori nuk orvatet ta fshehë njohjen për to, madje këtë njohje e shteron aq sa e zotëron. Ai nuk i vështron ata në një zhvillim panoramik , po kjo hartohet, se vështrimi panoramik vjen si një kuptim i relativizuar, nga fakti i të gatuarit në një shoqëri që vuajti shumë drama dhe mungesa të panumërta.Nuk e kam informacioni se si e ndjejnë veten shkrimtarët e diasporës, në një mjedis të huaj, po kam përshtypjen se me mjetet teknike të informacionit do ta ndjejnë mirë, përderisa sot është e rëndësishme të mbash lidhjet e të mundësosh komunikimin me lexuesit shqipfolës.Si njohës i letërsisë në tërësi dhe i letersisë shqipe posacërisht, Marinaj nuk tutet të shprehë vullnetin po edhe guximin e tij pët t`i drejtuar syte edhe nga letërsia e Diasporës, një letërsi që po konturohet brenda një zgjerimi të tematikës jo vetëm me atdhe dhe mall, po me mjaft tema globale dhe ekzistenciale.Edhe për shumë kohë, gjersa këto krijues të ikin nga Shqipëria të shtrënguar prej halleve dhe derteve ekonomike, të detyruar për të gjetur një jetë më të mirë, kjo letërsi do të dallojë  prej konturimit monotematik, një konturim që e përcakton atë si letërsi jashtë atdheut po që mbart tema brenda atdheut.Zakonisht atdheu shihet me syrin metonimik të përfaqësimit mosrealizues për shkak të regjimit.Gjekë Marinaj studion mirë rrethanat si u shkrua kjo, burimet e saj tematizuese, shqetësimin e heroit lirik, frymën përçuese dhe transparente të saj, pa u orvatur shumë të bëjë përcaktime të thella tekstuale, aq sa ia lejon kufiri i një artikulli reçensionues.Megjithate ai na bën me dije se një lexim është gjithnjë një tekst i hapur , i cili mund të lexohet jo vetëm në situate të ndryshme, por edhe nivele të ndryshme të kuptimit.Kjo është bukuria e tekstit dhe e letërsisë, veçse të mos harrohet se protonizmi i Marinajt na sjell reflekse dhe pahun e dashamirësisë intelektuale larg çdo lloj paragjykimi dhe prapamendimi ndjellakeq.Referencat janë të shumta, sidomos ato janë referenca jetësore artistike, po edhe referencat nga personalitete dhe krijues të botës, çka dëshmon për kulturën e gjërë të autorit që rri gjithnjë syçelë në spikamë të gjërave.Me protonizmin e tij ai arrin shumëherë edhe në glorifikime, çka është e natyrshme, brenda protonizmit dhe vërejtjet pothuajse mungojnë, duke na kumtuar se për një autor gjithmonë mbetet të thuhet ajo çka është më e mira, të tjerat kuptohen vetë, dhe këtë studiuesi nuk e bën për xhentilencë të tepruar, as për konformizëm, vetëm se kërkon të tregojë se duke studiuar e përhapur të mirën në art, artin si një vlerë njerëzore, rritet dhe përmasohet edhe shpirti jonë.Stili shtjellues, renditja e koncepteve, organizimi tërësor i ligjëratës kritike, janë për t`u marrë shembull në aspekte të gjëra komunikative që zotërojnë.Lënda kalon me reflektimin e saj ideotematik, përmes një shtjellimi të qartë konkret, të detajuar me shembuj mbështetës dhe të qepura mirë në kohë.Interesante janë shkrimet gazetareske të autorit. Edhe në këtë lëmë ai ka njohuri të mira. Njeh mirë rrjedhat e shtypit shqiptar në botë, që nga Athina në Nju Jork, ndjek me vëmendje çfarë shkruhet në të, përcjell lajme dhe evenimente kryesore, njëkohësisht nuk rri pa përmendur edhe se çfarë i duhet më shumë shtypit shqiptar sot.Ndonëse këto lloj shkrimesh zënë vend më pak ato mbeten intersante, lexohen si një gjë tjetërsoj nga analizat letrare.Marinaj tregon se është një studiues i zoti, këmbëngulës dhe në të shumtën e rasteve ia del të përcjellë informacion të ri për një lexues sat ë specializuar dhe të gjërë.Mënyrën se si ai rreshton informacionet, si analizon faktet, në çfarë përgjithësimesh relation me të vërtetat që i njeh, guximi për t`i thënë, e profilizon atë si një eseist të shkëlqyer, ekzigjen dhe këmbëngulës.Marinaj dshmon se për letërsinë ia vlen të shkruhet gjithnjë , për letërsinë e cila sjell kumte njerëzore,pë rata shkrimtarë që u ballafaquan me sfida në jetë, e,që veprën e tyre nuk e gatuan në dhoma komode po në shtjella të forta të një stuhie shpirtërorëe duke ecur rrugëve të vështira të fatit dhe emigracionit.Duke zgjedhur elementin biografik si burim për të hyrë në tekst, apo elementet kohorë, lëvizjet e ndryshme filozofike e kulturore per të spjeguar tekstet, Marinaj e adreson tekstin në një kohë të caktuar, çka është normale dhe e natyrshme,për të na dhënë më mirë fluksin e ideve dhe të mesazheve të qarta.Libri i autorit Gjekë Marinaj dëshmon për ngrohtësinë e shtjellimit, mprehtësinë e vëzhgimit, analizat e shtrira dhe interesante,është një libër që mund të lexohet me kënaqësi, gati si prozë artistike, çka ndihmon këtu edhe të qenit poet e autorit,edhe të qenit pedagog, lektor,si dhe njohës i letërsisë bashkëkohore amerikane, dheletërsisë bashkëkohore shqiptare e botërore në përgjithësi.

Lindja e ceshtjes came

image Çeshtja Çame 1820-1943


Mbi një shekull histori dhe dokumente  tw reja mbi  krimet  greke  në Çamëri  
Çeshtja  çame,  1820-1943
“Studimi i Blerima Sadikut  plotëson  një boshllëk në historiografinë e Çamërisë. Ajo, me përkushtim dhe ego shkencore, ka ditur  të hedhë dritë në disa periudha të rëndësishme në historinë e Çamërisë, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura, duke i bërë të ditur lexuesit pjesën  e munguar të historisë së largët e të afërme të Çamërisë.”
Nga Hajredin Isufi, historian

Vepra studimore e Blerina N. Sadikut “Lindja e çështjes çame: 1820-1943” është i pari që u kushtohet në mënyrë tërësore dhe të dokumentuar disa temave pak të njohura në dije e shkrime. Menjëherë të bie në sy se kemi të bëjmë  me një vëllim, i cili është rezultat i një pune serioze. Organizimi  dhe parashtrimi i materialit i vjen në ndihmë lexuesit jo vetëm të ndjekë  rrjedhën e ngjarjeve, por edhe për të përfytyruar në shkallë të gjerë zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  në krahinën e  Çamërisë për një periudhë më shumë se një shekullore (1820-1943).Kreu i parë i studimit mban titullin “Lufta e qeverisë  greke  ndaj komuniteteve të huaja”. Është  një ndarje  shkencërisht e domosdoshme për të hapur rrugën e një kërkimi të mëtejshëm. Që në vitin 1820 midis  grekëve dhe etnive të huaja u hap  një hendek i madh. Rezultati ishte se gjithë ata që nuk ishin në fe e në kombësi greke shpalleshin armiq e kundërshtarë të Greqisë dhe ndiqeshin, vriteshin e persekutoheshin me  egërsi.  Historia dëshmon se objekti i sulmeve  të grekëve ishin shqiptarët, vllehët, hebrenjtë, sllavo-maqedonët dhe  turqit e Thrakës. Këto komunitete filluan ta shihnin  me armiqësi  njeri-tjetrin. Më e dhunshme ndaj etnive  të huaja ishte Greqia. Ajo  synonte të  krijonte një shtet  kombëtar mbi një bazë etnike dhe nuk nguroi t’u mohonte ekzistencën etnive të huaja në shtetin grek. Greqia  tendencën raciste ndaj komuniteteve të huaja në përgjithësi,  të myslimanëve  shqiptarë  dhe hebrenjve  në veçanti, e ktheu  në platformë urrejtjeje, deri në shfarosje. Grekët brenda tyre donin vetëm llojin e vet. Autorja  Blerina N. Sadiku në këtë kapitull sjell të dhëna me interes  që i ilustron dhe me burime arkivore  të huaja    papublikuara deri më tani. Në kapitullin e dytë trajtohet  me hollësi  “Çamëria  në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)”. Është hera e parë në historiografinë shqiptare që studiuesja e re  i jep lexuesit dhe  studiuesit  shprehjen më të lartë  të qëndresës  së shqiptarëve në Çamëri në mbrojtje të trojeve të tyre nga lakmitë e shovinistëve grekë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.Në  kapitullin në vijim, që titullohet “Problemi  çam dhe  përpjekjet e patriotëve për zgjidhjen e tij në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920)”, autorja, Blerina Sadiku, hedh dritë mbi zhvillimin, drejtimin e karakterin e luftës politike të zhvilluara  brenda  dhe kryesisht jashtë vendit, nga patriotët  shqiptarë për problemin çam gjatë Luftës së Parë Botërore e në kohën  kur zhvillonte  punimet e saj Konferenca e Paqes.Kreu i katërt dhe i fundit  i librit mban  titullin  “Lufta për shkollën shqipe në Çamëri 1908-1943”, ku, gjithashtu, ndriçohet  një prej  nyjeve  kyçe paraprirëse  të luftës  për shkollën shqipe në krahinën  e Çamërisë. Ky është një prej kapitujve më të rëndësishëm në këtë vëllim për të kuptuar  se sa përpjekje  bënë rrethet patriotike çame për  hapjen e shkollës kombëtare shqipe në Çamëri në vitet 1908-1940 dhe pengesat e vështirësitë që ata  ndeshen. Mirëpo, sikurse  del nga  studimi  i Blerina  Sadikut, jo vetëm që rrethet  patriotike çame në Paramithi, Margëlliç, Mazrek, Filat, Pargë etj., nuk  iu  nënshtruan  veprimeve të dhunshme të qeverisë osmane  e më pas të asaj greke, por, përkundrazi, luftuan me aq sa mundën të përhapnin  në Çamëri shkrimin e librin shqip.Studimi i Blerima Sadikut  plotëson  një boshllëk në historiografinë e Çamërisë. Ajo, me përkushtim dhe ego shkencore, ka ditur  të hedhë dritë në disa periudha të rëndësishme në historinë e Çamërisë, të cilat kanë qenë pak ose aspak të njohura, duke i bërë të ditur lexuesit pjesën  e munguar të historisë së largët e të afërme të Çamërisë. Vepra e kësaj studiueseje na tregon se historia e dramës çame  nuk mund  të rishkruhet duke u mbështetur  gjithnjë  në ato burime  që dihen e të njohura deri dje,  por duke hulumtuar  për burime të reja, për t’i sjellë lexuesit pjesët e munguara të historisë së  asaj treve, që është e pasur me histori  dhe figura të shquara.
Durrës, 28. 02. 2011.

Promovohet libri “Lindja e çështjes çame: 1820-1943” i Blerina N. Sadikut
“Çështja çame” në një monografi shkencore
“Sipas prof. dr. Pëllumb Xhufi, “libri “Lindja e çështjes çame, 1820-1943”, i studiueses së re Blerina N. Sadiku pasuron në një mënyrë origjinale historiografi në mbi Çamërinë, e cila, me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës.”

Një monografi shkencore për Çamërinë në momentin e duhur, ilustruar me dokumente dhe dëshmi, shumica e të cilave publikohen për herë të parë. Shoqata "Çamëria" dhe shtëpia botuese "Naimi"-Shtëpi Botuese & Studio Letrare" organizojnë promovimin e librit "Lindja e çështjes çame: 1820-1943" të autores Blerina N. Sadiku. Promovimi u bë ditën e premte në mjediset e hotel "Tirana International", Tiranë. Mernin pjesë edhe personalitete të kulturës dhe politikës si profesorët Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Hajredin Isufi, shkrimtari Sabri Godo, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Artan Tane, kryetari i partisë së BDI-së dhe deputet në parlamentin e Shqipërisë Shpëtim Idrizi, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Në aktivitet  përshëndeti në emër të MTKRS, ministri Ferdinand Xhaferraj. Një grup profesorësh dhe studentësh të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, të prirë nga prof. Emil Kabashi, ishin, gjithashtu, prezent në provimin e monografisë për Çamërinë. Sipas prof. dr. Pëllumb Xhufi, “libri “Lindja e çështjes çame, 1820-1943”, i studiueses së re Blerina N. Sadiku pasuron në një mënyrë origjinale historiografi në mbi Çamërinë, e cila, me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës. Ky libër, që përveçse është një akt i vërtetë dashurie i autores Blerina Sadiku ndaj tokës së të parëve të saj, është, gjithashtu, një shpalosje të vërtetash historike, nga ato që dikush do të donte të mbeteshin të fshehta e të panjohura përjetë.Ndërsa prof. dr. Shaban Sinani nënvizoi se “Blerina N. Sadiku e sheh lindjen e çështjes çame si pjesë të historisë së rindërtimit gjeopolitik të Ballkaneve pas daljes prej sundimit otoman; që pati kostot e veta të rënda tek popujt e hershëm, sidomos tek shqiptarët. Kjo është një çështje tejet e ndërlikuar, me implikime të drejtpërdrejta të fuqisë së traktateve ndërperandorake, të ndikimit të Fuqive të Mëdha, të historisë dramatike si u caktuan kufijtë e shteteve që u pavarësuan nga ish-perandoria osmane, deri tek marrëveshjet dypalëshe, të hapura e të fshehta, që kjo e fundit ndërtoi me shtetin grek, me qëllim që të garantoheshin interesat e tyre të përbashkët”. Për historianin dhe autorin e disa librave për çështjen çame Hajredin Isufi, “monografia e re “Lindja e çështjes çame” e Blerina Sadikut na tregon se historia e dramës çame nuk mund të rishkruhet duke u mbështetur gjithnjë në ato burime që dihen e të njohura deri dje, por duke hulumtuar për burime të reja, për t’i sjellë lexuesit pjesët e munguara të historisë së asaj treve, që është e pasur me histori dhe figura të shquara”.Autorja Blerina N. Sadiku, pasardhëse e një prej familjeve më të njohura të Çamërisë-familjes patriote Sadiku, duke falënderuar asistencën e profesorëve P. Xhufi dhe H. Isufi gjatë procesit të hartimit të librit, si edhe, më në fund, botimin cilësor të shtëpisë botuese “Naimi”, tha se interesimi për t’u njohur me historinë dhe dramën e Çamërisë është bërë pjesë e pandarë e jetës së saj, duke nisur me diplomën universitare të mbrojtur me temën “Diplomacia shqiptaro-greke ndaj çështjes çame 1913-1944”, e për të vijuar me këtë libër të ri që doli në qarkullim pas një pune të pandërprerë prej afro 5-6 vjetësh dhe pas një kërkimi dhe konsultimi të gjerë me dokumentet dhe literaturën në arkivat shqiptare, greke, italiane, gjermane etj. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...