Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/18

Serbët planifikojnë sulme me nitroglicerinë?

 

  • Dy maune me nitroglicerinë janë fshehur nga grupet kriminale serbe në ish-uzinën ushtarake në veri të Mitrovicës. 

    Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, këto dy maune të premten janë sjellë nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve alternative. Grupet kriminale autobotet i kanë marrë nën kontroll dhe i kanë vendosur në ish–bazën ushtarake të ish–Jugosllavisë ku janë të vendosur edhe mbi 40 serbë të armatosur. 

    Autobotet kanë targa të qytetit të Pançevës së Serbisë. 

    Sipas burimeve, grupet kriminale këtë material tepër të rrezikshëm kanë ndër mend ta përdorin kundër konvojeve të KFOR-it si dhe atyre të Policisë së Kosovës nëse këta hynë në veri të Mitrovicës. 

    Portali “LajmeShqip” ka raportuar dje se pas orës 18:00 është zhvilluar një takim midis kryetarit të të ashtuquajturës Komuna Veriore e Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, dhe kriminelit të njohur të veriut, Zvonko Veselinoviq, për të marrë udhëzime për veprime të mëtejme. 

    Portali raportonte se autobotet janë fshehur në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve të banuar me shqiptarë.

Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi kërkojnë ndaljen e Serbisë

 

  • Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, gjatë një takimi në Nju Jork me delegacionin shtetërore të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

    Delegacioni shtetëror i Kosovës, në përbërje të të cilit janë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, janë takuar të dielën në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas vendosjes së policëve dhe doganierëve në dy pikat kufitare në veri.

    Në këtë takim delegacioni shtetëror i Kosovës ka informuar numrin një të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dërgimin e doganierëve dhe policëve në veri, i cili është bërë në bashkëveprim me EULEX-in dhe KFOR-in, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

    Me këtë rast delegacioni shtetëror i Kosovës kërkoi nga Ban Ki-Mun përkrahjen e tij ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri, si dhe kërkuan që të bëjë presion ndaj Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.

    Nga ana e tij Ban Ki-Mun i dha mbështetje procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën dhe njëherësh kërkoi nga ta që ta ruajnë rendin dhe qetësinë, të jenë konstruktiv dhe të vazhdojnë dialogun me Beogradin për çështje praktike, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Ndryshe, delegacioni shtetëror i Kosovës ka udhëtuar dje për në SHBA, gjatë së cilës do të kenë një varg takimesh bilaterale me liderët e vendeve të ndryshme gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ve si dhe me udhëheqës të lartë amerikanë.

Hashim Thaçit i shtohen “armiqtë”nga Partia Demokratike e Kosovës

 

  •  Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nevojë që të reformohet, të ecë në hap me kohën dhe të tregohet e përgjegjshme si në raport me strukturat e saj udhëheqëse, gjithashtu edhe me qytetarin e vendit.

    Vendimet që merr krye në vete kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, duhet të zhvendosen aty ku e kanë vendin – në organet e partisë, ku do të kontribuonte fuqishëm e gjithë kryesia e partisë.

    Kështu mendon sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili gjatë një prononcimi për “Zërin” ka thënë se është i përqendruar dhe do të përqendrohet çdoherë që ta ndryshojë gjendjen e brendshme në këtë subjekt politik.

    “Në të ardhmen e afërt të gjitha angazhimet e mia dhe përpjekjet (do të jenë) për ta reformuar partinë, për ta bërë një subjekt politik të përgjegjshëm, për të qenë në shërbim të vendit dhe atdheut, do të publikohen”, ka thënë ai.

    Njëri nga figurat kryesore të partisë më të madhe në vend thotë se mënyra se si merren vendimet në këtë parti nuk është demokratike.

    “Vendimmarrja jo gjithherë është në organet e duhura, prandaj edhe angazhimi im ka qenë dhe vazhdon të mbetet që vendimmarrja të mbetet në organet e partisë, në organet që kanë dalë nga një kongres ose kuvend i partisë, organe që parashihen me statutin e Partisë Demokratike dhe natyrisht ta respektojmë edhe programin e partisë, një program dhe një statut që janë të miratuara nga kuvendet e saj”, është shprehur ai.

    Sekretari Krasniqi, nuk është i vetmi person në këtë subjekt politik që mendon se partia më e madhe në vend duhet t’i hapë dyert ndaj reformave.

    Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Hydajet Hyseni, thotë se të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të reformohen. 

Dosjet sekrete ne “Wikileaks”,

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm.

Që nga publikimi i dosjeve sekrete të “Wikileaks”, mediat dhe opinioni publik shqiptar janë të ndara: në ato që i konsiderojnë të vërteta dhe në ato që mendojnë se janë thjesht përmbledhje të shtypit të përditshëm dhe një burim informacioni i pabesueshëm. Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë parlamentare për sesionin e ri, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e sqaroi më së miri këtë dualitet opinioni, duke theksuar se këto dosje janë të paligjshme, por opinioni publik mund të arrijë në konkluzionet e veta mbi përmbajtjen e këtyre dosjeve. Kjo deklaratë e ambasadorit amerikan ishte anticipuar nga forcat politike dhe grupimet brenda tyre ndaj nisën luftën mediatike për t’i diktuar opinionit publik se cila parti apo figurë politike dilte më e njollosura në kabllogramet e Ambasadës amerikane. Propaganduesit nisën betejën për të njollosur figura të caktuara, duke mbuluar mëkatet e disa të tjerëve. Shumë kabllograme nisën të publikohen pjesërisht, duke u përdorur jashtë kontekstit, duke sulmuar figura të caktuara në mënyrën më tendencioze të mundshme. Nofkat ‘spiun’ apo ‘informator’, si etiketime ndaj disa emrave të përmendur në kabllograme, u kritikua edhe nga ambasadori Arvizu, i cili u bëri apel zyrave propagandistike të mos përdornin nofka të tilla, të cilat të kujtojnë ish-Sigurimin e Shtetit. Në të shumtën e kabllogrameve të publikuara përmenden shumë emra, të cilët i transmetojnë Ambasadës amerikane qëndrimin e partisë së tyre, ose në audiencë më të ngushtë, mendimin e tyre personal. Në shumë kabllograme shkruhet se: sipas Kastriot Islamit... sipas Ilir Rusmalit... sipas Vasilika Hysit... sipas Eglantina Gjermenit... sipas Gjergj Bojaxhiut... sipas Mero Bazes... sipas Ben Blushit... sipas Pandeli Majkos... Erion Veliajt... sipas Bamir Topit... e shumë emra të tjerë të njohur. Nëse të gjithë këta emra, dhe të tjerë, të përdorur në kabllograme do të ishin ‘spiunë’, kjo do të thotë që i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare është tradhtare ndaj atdheut. Ky nonsens propagandistik shiti disa gazeta, por mori kritika nga përfaqësuesi në Shqipëri i vëllait tonë të madh amerikan që vazhdon ta ndjekë situatën në vend në detajet më të vogla. Manipulimet propagandistike, të përdorura kundër apo në avantazh të disa individëve të caktuar janë shndërruar në truke amatoreske dhe të turpshme. Nëse dikush i lexon të gjitha kabllogramet në anglisht në faqen e “Wikileaks” (këtu mund t’i gjeni të gjitha http://wikileaks.org/origin/39_7. html) ato duket se japin një pasqyrë tjetër nga ajo që na serviret në media. Këto dokumente nxijnë tërësisht imazhin e politikës sonë si majtas edhe djathtas, si qeverinë edhe opozitën, si presidentin edhe parlamentin, ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin. Ndaj, për ata që i konsiderojnë të pavërteta le ta bindin opinionin publik me transparencë të plotë për të gjitha politikat e ndërmarra deri tani dhe punën që do të bëjnë në vazhdim, dhe, për ata që i konsiderojnë të vërteta le të mos interpretojnë pjesëza të kabllogrameve, ku përmendet kundërshtari, por le të pranojnë si të vërteta edhe kabllogramet ku njolloset figura e tyre ose e partisë apo institucionit që përfaqësojnë. Teksa i lexon kabllogramet të bën çudi sesi mbahen në hije nga disa media të caktuara kabllogramet si: 09TIRANA511 me titull “Lëvizje brenda PS përpara takimit”, ku komentohet për bojkotin e opozitës dhe frikën që ka SHBA-ja se një bojkot do dëmtonte rëndë PS-në dhe Shqipërinë. Kabllogrami 09TIRANA351 me titull “Nga shoqëria civile në politikë”, e cila ngre pyetje mbi katapultizimin e disa figurave të shoqërisë civile në listat e deputetëve. Kabllogrami 09TIRANA537 me titull “Çfarë ndodhi me G-99-n?”, ku shkruhet për dështimin e partisë të drejtuar nga Erion Veliaj. Kabllogrami 10TIRANA65, në të cilën Presidenti Topi e përshkruan mazhorancën si uzurpuese institucionesh, ndërsa opozitën si e paaftë për të bërë opozitë profesionale, e cila me mungesën e saj në Parlament ka penguar shumë reforma të rëndësishme për vendin. Disa kabllograme të anashkaluara nga zyrat propagandistike politike janë: 08TIRANA 314, 08TIRANA823, 09TIRANA164 dhe 09TIRANA637, të cilat komentojnë për figurën politike të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, dhe përpjekjet e tij për të ndaluar ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Këto kabllograme, të analizuara në ditët e sotme, tregojnë se Ilir Meta kishte pasur të drejtë në përpjekjet e tij dhe grevën e urisë që organizoi brenda Parlamentit për të ndaluar manovrat e koalicionit momental PD-PS për të eliminuar partitë e vogla, ndaj dy partitë e mëdha i detyrohen një apologji publike. Gjithashtu në këto kabllograme përshkruhet imazhi politik dhe aftësia menaxhuese e Metës, i cili sipas kabllogramit, “ndonëse u dëmtua rëndë nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor, arriti të rikthehet në mënyrë impresionuese”, dhe pas marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, përshkruhet nga ambasadori Withers si menaxher i mirë, politikan këmbëngulës, i cili do të ndiqte linjën e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Të vërtetat e pathëna të “Wikileaks” kanë të bëjnë edhe me akuzat ndaj Kryeministrit. Në fakt, nëse opozita i konsideron të vërteta kabllogramet, sidomos ato të cilat flasin për uzurpimet e institucioneve nga kreu i ekzekutivit, po në këto dosje shkruhet se kreu i opozitës ka të njëjtin stil autoritarist si kryeministri, që do të thotë se opozita po akuzon kryeministrin dhe veten me të njëjtën armë. Cilido që u beson disa të vërtetave të selektuara të “Wikileaks” dhe ëndërron largimin e Berishës dhe ardhjen e Ramës si një lider me parime dhe metoda të reja drejtuese, le të lexojë kabllogramin 09TIRANA453 të datës 08/07/2009, ku ambasadori Withers komenton mbi ngjashmëritë e frikshme që Rama dhe Berisha kanë me njëri-tjetrin. Nga ky kabllogram shkëpusim: ‘5 (C). Në takime të veçanta, Baze dhe Pandeli Majko e përshkruajnë Ramën plotësisht si Berisha, por me disa ndryshime. Rama, si Berisha, merr vendime politike pa u konsultuar me drejtuesit e PS... Shumë kontakte me ambasadën konfirmojnë se tendenca e Ramës për të marrë gjithçka për vete e bën atë një drejtues të egër dhe kapriçioz....’ Ambasadori e mbyll kabllogramin me titullin “Ndoshta, fundja ne nuk dallojmë nga njëri-tjetri”, duke iu referuar ngjashmërisë Rama – Berisha. Në të ai shkruan komentet e tij përmbyllëse: “Sigurisht që ngjashmëria shqetësuese midis stilit drejtues së Ramës dhe Berishës është një frymë autoritariste që i karakterizon këta dy burra. Rama dhe Berisha bashkëpunuan për një vit e gjysmë për të zvogëluar pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjyqësorit. Si Rama ashtu edhe Berisha njihen nga partitë respektive si maniakë kontrollues, të cilët u dërgonin sms kandidatëve gjatë debateve televizive ‘live’ duke i dërguar pikat që duhet të diskutonin dhe udhëzimet. Përpjekjet e Berishës për të zvogëluar pushtetin e institucioneve të pavarura do riafirmohen me mandatin e tij të dytë... dhe tendenca e Ramës për ta përqendruar vendimmarrjen në duart e tij, sugjeron se ai do të vazhdojë të ngulmojë në dobësimin e institucioneve të pavarura nëse këto institucione do të sfidojnë autoritetin e tij. Thuhet se media është gogoli i Ramës. Pavarësisht se kush përfundon të qeverisë vendin kur Parlamenti të mblidhet në vjeshtë, institucionet apolitike dhe media e lirë do të vazhdojnë ta gjejnë veten nën presionin politik. WITHERS.” Ambasadori Arvizu i bëri apel politikës të bashkëpunojë për të ardhmen e vendit, sikurse u bëri apel propaganduesve politikë dhe manipulatorëve mediatikë të mos sillen si ish-Sigurimi i Shtetit duke sajuar histori spiunësh dhe përralla të bazuara mbi pjesëza të së vërtetës. Opinioni publik, si ata që mund të përdorin internetin apo kuptojnë anglisht, si ata që nuk kanë mundësi t’i lexojnë vetë kabllogramet e “Wikileaks”, ka të drejtën të mirinformohet dhe të mos u censurohet informacioni, në mënyrë që të arrijë në konkluzionet e veta, e më pas këtë konkluzion ta tregojë me votë kundër apo pro figurave politike të përmendura në kabllograme. Thuhet se e vërteta do të na çlirojë, por nëse popullit i serviren shumë versione të së vërtetës, ne nuk do të çlirohemi kurrë prej pengmarrjes politike, por do të prangosemi edhe më shumë në vitet dhe dekadat në vazhdim

Letërsia për fëmijë, niveli artistik i autorëve kushtëzon botimet

 

b_95_75_16777215_0___images_5KULTURE_letersia-femije.gifLetërsia për fëmijë dhe të rinj po ndeshet vitet e fundit me një sërë problemesh, sa i përket prurjeve letrare, mungesës së drejtë të përkthimit të saj në gjuhën shqipe etj. Në stendat e librarive sot shikojmë shumë botime, por sipas autorëve shqiptarë, letërsia e sotme për fëmijë ka probleme të cilat vijnë në radhë të parë nga numri i pakët i shkrimtarëve që shkruajnë për fëmijë, në ndryshim nga disa vite të shkuara, kur u krijua një grup shkrimtarësh të talentuar. Pandeli Koçi i njohur për botimet e tij në këtë fushë, tregon se në mungesë të një kritike letrare, që ndjek krijimtarinë për fëmijë,
është e vështirë të japësh një mendim sadopak objektiv, edhe pse mund të kesh lexuar një pjesë të konsiderueshme librash. “Jam i mendimit se në këta 20 vjet të tranzicionit demokratik (për të mos thënë dramatik), letërsia për fëmijë është krijuar nga shkrimtarët duke mos e pasur më të detyruar realizmin socialist, çka ka sjellë natyrshëm heqjen e skemave dhe lirimin e fantazisë krijuese të autorëve, çideologjizmin e shpolitizimin e letërsisë. Ky proces ende i papërfunduar, ka ngritur dukshëm cilësinë artistike të veprave, por problemi qëndron në nxjerrjen në pah të vlerave e antivlerave”, tregon shkrimtari. Sipas tij, sot boton gjithkush, pavarësisht se sa i përgjigjen këto botime qoftë dhe nivelit mesatar të letërsisë aktuale. “Nuk është kurrfarë paradoksi që dikush, që ka mundësi monetare dhe boton seri me libra, ai ka dhe aftësitë për reklamimin, tregtimin e mbivlerësimin e librave të tij. Por duke ia lënë kritikës së heshtjes librat pa vlera ose me vlera të dyshimta artistike, mund të themi pa hezitim dhe pa optimizëm të tepruar se letërsia jonë për fëmijë ka pasur e ka vepra që i përgjigjen denjësisht nivelit të letërsisë së huaj më të mirë për fëmijë”, pohon ai. Mes këtyre problemeve, që has sot letërsia, emra të tjerë të botimeve për fëmijë tregojnë se ngritja e nivelit artistik nga vetë autorët për fëmijë kushtëzohet nga talenti, kultura, dijet e përgjegjësia e tyre krijuese. Përballë këtij fakti, shumë botues pohojnë se letërsia për fëmijë duhet të krijohet nga autorë shqiptarë edhe për faktin se koncepti dhe botëkuptimi i tyre është më pranë botës shqiptare në ndryshim nga librat e autorëve të përkthyer, që nuk shqipërohen cilësisht.
Balet rus, në sezonin artistik të teatrit “Migjeni”
Një grup studentësh nga Shën Peterburgu (Rusi) çelën sezonin e ri artistik në teatrin "Migjeni", të qytetit të Shkodrës. Shfaqja, e cila erdhi në kuadrin e javës së kulturës ruse në Shqipëri bazohet mbi motive tradicionale ruse, duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe mesazhin e lidhjes midis dy popujve. Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni u shpreh se këtë sezon janë programuar dhe të tjera aktivitete artistike dhe kulturore. Ai pohoi se në prag të 100 vjetorit të lindjes së Migjenit, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për një mbrëmje poetike, me pjesët më të mira të Migjenit, me regji të aktorit të mirënjohur Bruno Shllaku. Drejtori i “Migjenit” gjithashtu tregon se ka filluar puna për vënien në skenë të një drame të autorit Fadil Kraja, e cila do të ngjitet në skenë në 80 vjetorin e lindjes së tij. Vepra do të jetë me regji të Fatbardh Smajës, ndërsa ky aktivitet pritet të shoqërohet edhe me një nderim të vetë dramaturgut Kraja. Ndërkohë, është programuar të rikthehet në skenë sërishmi “Big Brother Shkodra”, komedia e cila muaj më parë shënoi suksesin më të madh të viteve të fundit në këtë skenë.
“Amnistia” rikthehet në Tiranë
Filmi “Amnistia” me regji nga Bujar Alimani vjen sërish në Tiranë. Në festivalin “Human Right International Film Festival”, që do të zhvillohet në datë 26 shtator do të vijë sërish historia e Alimanit, por do të jetë dhe në 30 shtator në festivalin “PrimFilmFest” në Kosovë. Filmi i parë artistik i regjisorit Bujar Alimani vjen pas një suksesi në Festivalin e Filmit në Berlin dhe në Festivalin e 12-të të Filmit në Leçe, ku mori çmimin "Cineuropa". Regjisori është shprehur për suksesin që ka pasur ky film, se ne këtë dramë ai ka shfaqur realitetin shqiptar. Në këtë film, trajtohet një histori dashurie mes dy njerëzve të cilët duhet të përballen me probleme të mprehta sociale. Dy personazhet rreken të gjejnë vetveten në një lidhje jashtëmartesore, ky një veprim i pamoralshëm prej shoqërisë. Xhirimet janë realizuar mes Tiranës dhe Pogradecit. Filmi vjen nën interpretimin e aktorëve Luli Bitri, Karafil Shenës, Todi Lupi, Mirela Naskës etj. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnerë Greqinë dhe Francën.

Alfred Moisiu: Kushtetuesja riktheu moralin dhe të drejtën e nëpërkëmbur


nga Artemisa HOXHA

Politika shqiptare ka reaguar ditën e djeshme pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të disa neneve të ligjit të Gjendjes Civile, që i hapnin rrugë manipulimit të popullsisë. Ata e kanë konsideruar këtë vendimin si më të drejtin që mund të jepej për shqiptarët, ndërkohë që duke pritur arsyetimin ligjor të këtij vendimi, ata në të njëjtën kohë kanë kërkuar pezullimin e regjistrimit të popullsisë. Në një prononcim për gazetën “Sot”, ish kreu i shtetit Alfred Moisiu, theksoi se Gjykata Kushtetuesi rivendosi një të drejtë të nëpërkëmbur. “Vendimi ishte i drejtë. Kushtetuesja vendosi në fund të fundit në vendin e vet një të drejtë kushtetuese të nëpërkëmbur”, është shprehur Moisiu. Ndërkohë që pak kohë më parë Moisiu ka reaguar dhe lidhur me censusin e popullsisë, duke theksuar se mënyra e regjistrimit është një goditje morale që  i bëhet kombit shqiptar dhe sipas tij këtë goditje nuk mund t`ia japë shteti i vetë. “Problemi komb dhe kombësi nuk parashikohet fare në Kushtetutë. Kushtetuta pranon vetëm shtetësi. Unë nuk e di se ku janë bazuar ata që kanë hartuar ketë formular. Nuk e di nëse kjo është bërë nga mosdija nga keqdashja. Ajo që mund të them është se ai formular duhet korrigjuar dhe kjo punë duhet parë seriozisht”, është shprehur Moisiu.
Meksi
Lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese ka reaguar dhe opozita, e cila ka mbrojtur këtë çështje. Në një prononcim për gazetën”Sot”, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi ka deklaruar se ky vendim në të vërtetë është përgjigje e një kërkese që ka mjaft sensibilitet për shqiptarët. “Kjo ishte një përgjigje e një kërkese që ka sensibilitet”, është shprehur Meksi. Ndër të tjera duke respektuar vendimet e dhëna nga ky institucion i lartë, deputetja socialiste ka nënvizuar se ky vendim i fundit i Kushtetueses tashmë mbetet vetëm për t`u zbatuar. “Derisa këtë vendim e ka dhënë një institucion siç është Gjykata Kushtetuese, ky vendim duhet respektuar nga të gjithë dhe nuk ka më vlerë të diskutohet”, është shprehur më tej Meksi. Ndërsa deputetë dhe juristë të tjerë të PS po presin arsyetimin ligjor të kësaj gjykate, për të gjykuar me baza ligjore këtë vendim.
Shehu
Ndërkohë që zëra pro këtij vendimi të dhënë nga Kushtetuesja dhe me shumë rëndësi për popullsinë shqiptare, kanë dalë dhe brenda kampit të djathtë. Për gazetën “Sot”, deputeti Tritan Shehu është shprehur se ai ka qenë gjithmonë kundër regjistrimit të kombësisë në gjendjen civile. Shehu ka bërë të ditur qëndrimin e tij për regjistrimin vetëm për përcaktimin e shtetësisë dhe jo atë të kombësisë. “Unë kam qenë gjithnjë për regjistrimin vetëm të shtetësisë në gjendjen civile dhe jo atë të kombësisë, siç u kërkua nga disa. Mendoj që vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ishte i drejtë”, është shprehur deputeti i mazhorancës.
BE: Regjistrimi i popullsisë, i rëndësishëm për statistika
Bashkimi Evropian e konsideroi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, si të domosdoshëm dhe deklaroi se pikërisht për këtë arsye ka qenë mbështetësi kryesor edhe në anën financiare i këtij projekti. Përfaqësuesi i delegacionit të BE, Francois Begeot ka theksuar se BE ka dhënë një ndihmë të madhe për këtë proces, i cili mendohet se do të përmirësojë statistikat zyrtare të Shqipërisë. “Censusi duhet parë si një operacion kritik dhe shumë i rëndësishëm dhe që do të ndihmojë INSTAT të krijojë një sistem statistikor të besueshëm sepse statistikat që kanë të bëjnë me popullsinë janë më të rëndësishmet për një vend. Ne kemi dhënë një ndihmë konstante ndaj këtij procesi, sepse ne besojmë që përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon”, është shprehur Begeot. Ndër të tjera ai ka pohuar se përmirësimi i statistikave zyrtare është një garanci për demokracinë dhe një input i rëndësishëm për të patur një menaxhim të mirë të vendit dhe që ndihmon rritjen ekonomike. Ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila në themel të misionit të saj ka zhvillimin human thotë se një pasqyrë e qartë të dhënash do të lehtësonte ndihmën ndaj shtresave në nevojë dhe politikat për sektorët kyç. “Censusi do të ndihmojë për një shpërndarje më të mirë të buxhetit dhe burimeve në tërësi. Ai do të krijojë një pikturë më të qartë të barazisë gjinore në vend dhe do të kontribuojë për një targetim më të mirë të mbështetjes për arsimin, shëndetësinë dhe asistencë sociale. Përdorimi aktiv dhe i duhur i tij do të promovojë zhvillimin human në vend dhe do të ndihmojë ambiciet e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimi Evropian dhe arritjes së objektivave të mijëvjecarit”, tha zyrtari evropian. Në 1 tetor INSTAT  do të nisë zyrtarisht procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave i ashtuquajtur censusi 2011, për të cilin është angazhuar një buxhet prej 14 milionë euro dhe ku do të punësohen rreth 15 mijë vetë.
PDIU kërkon heqjen e etnisë nga pyetësori
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen antikushtetuese të ndërrimit të kombësisë, sipas procedurave të parashikuara në ligjin për gjendjen civile. PDIU, në deklaratën zyrtare bën me dije se pret zbardhjen e argumentimit të Gjykatës Kushtetuese, për të parë nëse në të është përfshirë edhe përcaktimi i antikushtetueshmërisë të censusit të popullsisë, sikurse PDIU kishte kërkuar publikisht nga Gjykata. Ndër të tjera, në këtë deklaratë PDIU i ribën thirrje qeverisë shqiptare, të heq nga pyetësori pyetjet mbi etninë dhe fenë, edhe pse kjo duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Censusi duhet të zhvillohet në ndihmë kombit dhe shtetit shqiptar, pra pa pyetje mbi përkatësinë kombëtare dhe besimin e individëve. Edhe në rast se Komisioni Shtetëror i Censusit, në kundërshtim me vullnetin e popullit, vijon këtë projekt, PDIU do të bëhet garat i amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend.
Gjykatat kërkuan shfuqizimin e ligjit
Disa muaj më parë, gjyqtari i rrethit Sarandë çoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ligjin për "Gjendjen civile" ku përdorej termi kombësi. Kryetari i kësaj gjykate Alltun Cela i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shpalljen të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit “kombësia” të përcaktuara në ligjin e datës 11.5.2009 për Gjendjen civile .Në kërkesën e tij gjyqtari ka nënvizuar se ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore apo gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë. Ndërkohë, mazhoranca qeverisëse ka deklaruar se ligji është kushtetues dhe se regjistrimi në bazë feje dhe etnie është një detyrim evropian.
Braçe: Shqiptarët fituan mbi antikushtetueshmërinë
Një nga deputetët e Partisë Socialiste që ka mbrojtur më shumë ligjin kundër përcaktimit të nocionit të kombësisë në regjistrimin e gjendjes civile, ka qenë dhe deputeti Erjon Braçe. Në statusin e tij, në rrjetin sociali facebook, Braçe ka deklaruar se të gjithë shqiptarët fituan me këtë rrëzim të ligjit dhe tashmë askush nuk ka të drejtë që të ndërrojë kombësinë.  “Mbaroi! Fituan shqiptarët! Vendos Gjykata Kushtetuese: antikushtetues ligji i gjendjes civile që krijon mundësi për ndryshim të kombësisë!”, është shprehur Braçe. Ndër të tjera ai është shprehur se është shumë i lumtur që ka një shtetësi shqiptare. Në këtë frymë kanë qenë dhe deputetë të tjerë të majtë, që kanë mbështetur vendimin e dhënë nga Kushtetuesja. 

SHBA: Arben Ristani spiunon Berishën tek ambasada amerikane

nga Adriatik Doçi

b_95_75_16777215_0___images_kokaa_arben-ristani-ere.gif Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani është rrëfyer në ambasadën amerikane, madje ka spiunuar edhe kundër Partisë Demokratike. Ashtu si shumë politikanë të tjerë, edhe Ristani i ka shprehur shqetësimet e tij në ambasadën amerikane. Më konkretisht, Ristani i ka shprehur shqetësimin ish-ambasadorit Xhon Uidhers lidhur me rrezikshmërinë që paraqesin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për shkatërrimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit,
flet për shqetësimet që ia ka shprehur Arben Ristani lidhur me sabotimin e zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha politike. Në kabllogramin e tij, Uidhers theksoi se Ristani ishte shumë i shqetësua për sjelljet e partive politike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. “Më interesant ishte momenti kur Ristani tha se kishte shumë frikë se zgjedhjet do të prisheshin në momentin kur të fillonte procesi i numërimit të votave. Ai deklaroi se partitë politike, sidomos PD dhe PS, e ka kanë humbur besimin tek institucioni që administron zgjedhjet, duke shtuar se ky fakt e dëmton shumë procesin zgjedhor”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers pohon në kabllogramin e tij edhe frikën e Ristanit mbi një skenar për të t’i nxjerrë fletët e votimit të pavlefshme. “Ai tha se mund të aplikohen metoda duke i bërë fletët e votimit të papërshtatshme për t'u numëruar. Ai tha se kjo lloj sjellje ka ndodhur edhe në të kaluarën. Partia që humb zgjedhjet bëhet si e çmenduar dhe shkakton kaos, me qëllim për t’i njollosur ato. Në 2007 për shembull, ai tha se janë thyer qëllimisht kutitë për t’i nxjerrë ato të pavlefshme”, thuhet në kabllogram. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
Akuza prokurorisë
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, në kabllogramin drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, njofton se Ristani ka akuzuar organin e akuzës, pasi nuk ka çuar për ndjekje penale peronat që kanë prishur procesin zgjedhor në zgjedhjet e kaluara. “Ai fajësoi gjithashtu prokurorisë, sepse ajo asnjëherë nuk ka ndjekur penalisht ndonjë nga komisionerët që kanë shkelur ligjin gjatë administrimit të zgjedhjeve”, thuhet në kabllogram. Sipas telegramit, Ristani ka folur për vështirësitë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zbatuar Kodin e ri Zgjedhor. Uidhers nuk sqaron nëse vështirësitë kishin të bënin me presionet politike mbi KQZ, apo me aftësinë profesionale të anëtarëve të KQZ.
Ristani, ankohet për buxhetin
Në kabllogramin drejtuar DASH, Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, thekson se Ristani ishte akuzuar edhe për buxhetin e pamjaftueshëm për administrimin e zgjedhjeve. Ish-ambasadori amerikan shpreh gjithashtu habinë se përse Ristani nuk tha asnjë fjalë për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor i opozitës.
LSI, sërish apel për Reformën Zgjedhore
LSI duke e shqetësuar për Reformën Zgjedhore. Në emër të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i bëri edhe njëherë apel forcave politike të nisin punën për arritjen e një pakti kombëtar me qëllim marrjen e një opinioni pozitiv nga BE në tetor. “Lëvizja Socialiste për Integrim rithekson domosdoshmërinë e nisjes sa më parë të një procesi për të arritur në një pakt kombëtar për integrimin, për t’i dhënë cilësi dhe shpejtësi të re procesit të integrimit në BE. Ne vlerësojmë se ky pakt në formën e një marrëveshje të shkruar politike, ose edhe të një ligji duhet realizuar sa më parë me qëllim që BE dhe partnerët e tjerë të marrin mesazhin e qartë se angazhimi i partive politike në procesin e integrimit të vendit nuk është taktik po është i vërtetë dhe jep rezultate konkrete”, tha Haxhinasto. Duke e vënë theksin tek integrimi i vendit, Haxhinasto tha se është e rëndësishme të mblidhet sa më shpejt edhe tryeza e integrimit.
PD: Opozita e pa qëndrueshme
Mazhoranca qeverisëse thekson se opozita është e paqëndrueshme. Deputetja demokrate Mesila Doda tha se kryesocialisti Edi Rama po provon se kursi i tij i ri nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim publik.  Sipas zonjës Doda, loja e Ramës “Një ditë voto në Kuvend, një ditë jo”, nuk ka lidhje me kontributin e PS-së për integrimin, siç ai me deklarata pozitive është rikthyer në këtë sesion të ri parlamentar. Doda ftoi opozitën të jetë serioze në nisjen e punës për përmbushjen e prioriteteve të Bashkimit Evropian, prej dy vitesh të bllokuara në axhendën e Kuvendit. Sipas Dodës, koha është që Rama të mësojë të lërë dredhitë politike, pre’ e të cilave përherë ka rënë vetë lideri i opozitës. Reagimi i zonjës Doda erdhi pasi socialistët refuzuan të miratonin kodin ajror, hekurudhor, e detar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, e ndërsa vetëm një ditë më parë kishin dhënë votat për miratimin e Kodit Rrugor.
Uikiliks, si u manipuluan zgjedhjet e ‘96
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers informon Departamentin Amerikan të Shtetit se pse Berisha ishte kundër Gloverit. “Pikëpamjet e Bashës, ishin të kopsitura mirë, por përsëri nuk e fshihnin dot faktin që kundërshtimi i Gloverit prej qeverisë buron me të gjithë gjasat nga një armiqësi e vjetër e kryeministrit Berisha ndaj saj, për shkak se ishte kryetare e ODIHR-it në kohen e zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 1996-ës, një prej momenteve më të errëta të karrierës së gjatë të Berishës", thekson Uidhers. Sipas tij, qëndrimi i ekzekutivit reflekton gjithashtu një tjetër tendencë të Berishës, besimin e tij se mund të kontrolloje çdo aspekt të zgjedhjeve të ardhshme, përfshirë personat e mandatuar për të bërë vlerësimin e tyre dhe komentet përkatëse.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...