Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Një biznes me leverdi



Tregim Nga Robert GORO


Një javë pasi u kthye nga Greqia, Genci erdhi përsëri në shtëpinë time dhe lëshoi mbi tryezë një çantë të zezë:

- Më jep diçka për të pirë, - tha, - Si u gdhive, - shtoi pastaj.

- Si muti! -, iu përgjigja.

Qemë ndarë para tri orësh, e kishim gdhirë duke pirë dhe në çastin që Genci i pat rënë ziles, sapo më kishte ardhur, - pas shumë mundimesh e me poaq zbrazje zorrësh, - gjumi.

Shkova në kuzhinë dhe kërkova te dollapi nën lavapjatë, gjë prej gjëje! Dhe, nëse kishim ndaluar më pesë e gjysmë, ishte se përtonim të shkonim për të blerë pije të tjera.

Mbi lavapjatë s’di nga kish rënë një shishe me uthull, deri te gjysma. E zbraza në një gotë, i hodha dy lugë sodë buke dhe e përzieva. E provova. Bukuri!, si vera “Adriatik” qëmoti...

- Po ti? – pyeti Genci duke marrë gotën.

- Kaq kishte mbetur.

Sa të mbaroja fjalën, e kishte tharë gjysmën e gotës. E la mënjanë, dhe hapi çantën.

- Ç’janë këto? – pyeta me sy të shqyer.

- Të miat... Ose më mirë, tonat.

Çanta ishte plot me pako pesëmijë lekëshe.

- Hajvan!... Mos më thuaj se i ke vjedhur!

- Ça fantazie paske!, - qesëndisi.

Piu pak verë dhe vazhdoi.

- Mos ki frikë, i kam fituar me djersë. Pse kujton se shkova në Greqi?

- Di unë, për qejf më the...

- Kalova pesëdhjetë kile bar...

- Bar?... Hashash!? E thua me gjithë mend:

- Po, ishte punë e thjeshtë fare, për dy minuta nxorra dy milionë dhrahmi.

- Genco, a e di ç’të pret po të kapën?

- Ishte hera e parë dhe e fundit, të betohem!

- Nejse, ajo është puna jote. Por mos të të rrejë mendja se mund t’i mbaj këtu këto para.

- Do t’i mbash, se do të bëjmë një biznes bashkë.

- Falemnderit, po s’kam nevojë!

- Është biznes i ndershëm dhe me shumë leverdi.

- Të thashë jo! Hajde, mbaro verën dhe zhduku, se dua të fle!

- Po iki, - tha, - por do të vij prapë. Paret po t’i le këtu. Grisi, digji, flaki nga dritarja, në daç, futi te Sudja. Po më mirë mbaji, pse do të na duhen!

Dhe u ngrit.

- Dale!, - i thirra, - Ku shkon, çfarë biznesi është?

I shkoi buza vesh më vesh.

- Do të të them, po prit dy minuta, të shkoj të marr një shishe.

Futi dorën në çantë, tërhoqi ca kartmonedha dhe doli.

Prej një viti e kisha bërë shtëpinë kuplara. Prindërit kishin ikur prej tre vjetësh në Greqi, si shumë të tjerë. Babai, tornitor me të gjashtën, kishte gjetur punë menjëherë, mamaja bënte punën që bënin gjithë shqiptarkat në Greqi, pastronte shtëpitë e grekëve. Fitonin mirë dhe më dërgonin çdo muaj nga pesëdhjetë mijë dhrahmi. Siç i merrja, ashtu dhe i lija nëpër bare e pijetore. Deri kur kisha njohur Gencin, në bar America, një natë janari kur deri në mëngjes kisha bërë tym, ose më mirë kafe e konjak, 60 mijë lekë. Po pinim kafe dhe fërnet tek Çimi, përbri hotel Dajtit dhe po i enjtja bythën duke i rrëfyer historitë e jetës sime. Genci më pat ndërprerë dikur për të më thënë se ishte gjynah t’i lija paret lokaleve, kur kisha alamet shtëpie në dispozicion. Me paret që harxhoja për një natë, mund të kisha pije për një javë të tërë e të bëja dhe qejfin tamam. S’qenkësh ide e keqe, mendova pas ca javësh, kur pashë me habi se ende kisha në xhep para nga kuota mujore. Shkollës ia kisha varur fare. Kush ia kishte ngenë mësuesisë... E bëja jetën siç më vinte dhe, kurdo që të vdisja, do të vdisja i ngopur. Shtëpia – shtëpi, paraja – para e dafllaku sheshit. Ç’ të kërkoja tjetër nga jeta?

I thashë me zë fjalët e fundit, tek u ngrita t’i hapja derën Gencit, që hyri me një shishe Jack Daniels në dorë.

- Hajt, - tha duke trokitur gotën, - Na vaftë mbarë!

- Prit, më parë më thuaj përse është fjala.

E ktheu gotën me eks dhe e mbushi përsëri:

- Prandaj erdha, ç’kujtove?

Nxorri nga xhepi dy paketa cigare, Davidof për vete, Royal për mua.

- Unë do të ve paret, ti talentin. Do të bëjmë filma.

Regjisura ishte pasioni im i vetëm që flinte nën avujt e alkoolit.

- Me pesë milion lekë?... Ato s’dalin as për bobina!

- S’është nevoja për bobina, do të xhirojmë me videokasetë. Filma pornografikë.

Më vinte ndoht nga filmat pornografikë dhe më tepër më pështiroseshin krijuesit e tyre, që më ngjanin të gjithë me pederë.

- Ah, jo! Të falemnderit! Është punë që s’bëhet!

- Çdo punë bëhet kur të sjell para! Bleva një video profesionale, do t’i shumëfishojmë kasetat e do t’i shesim. Tek e fundit askujt nuk do t’i dalë emri. A e di se sa shitet një kasetë porno? Njëzetë, tridhjetë mijë lekë. Le që do t’i sheshim dhe jashtë. Jam lidhur me një grek, tre milionë dhrahmi për çdo film na jep. Do të bëhemi pasanikë plako, e do të kemi një qerre me femra nën hyqëm. Punë pa zarar e me qarr të madh, më beso!

- Thashë, jo!

- Nuk mund të thuash jo! Ç’më the për hashashin, po të më kapin?... Kujton se nuk e dija rrezikun, kur pranova ta çoj në Greqi? Mirëpo e bëra vetëm e vetëm pse kisha këtë qëllim, të mbledh pare që të fillojmë biznesin me filmat. Kam dashur prej kohësh të ta thoshja, mirëpo, pa para...

Po më thyente.

- E kush do të jetë ajo femër që do të pranojë të zhvishet e të shkërdhehet para kameras?

- I kam menduar të gjitha. Do të vemë një njoftim në gazetë, thjesht, “kërkohen aktore amatore”. Do të vijnë 50, 100, do t’u themi të na recitojnë diçka, do t’ua vemë syrin disave, atyre që ia bëjnë “mu”, do t’ua themi me marifet. Kush nuk pranon po t’i japësh njëmijë dollarë... Tre – katër do të dalin patjetër, do të të luten madje, ta jap me firmë!

Vaftë në të sëmës! Shtrënguam duart dhe u sulëm t’i nxirrnim fundin uiskit.



Për t’u mbyllur gojën komshinjve, në hyrje të pallatit vumë një tabelë me mbishkrimin “G & B Film”. Ditën e parë, sapo doli njoftimi, erdhën 23. Shumica qenë për t’u prerë kokën. Por kishte dhe ca gërdalla, që i rrente mendja se me gjithë vitet që kishin mbi kuriz, e sfidonin Pamela Andersonin. U bënim nga një plan me kamera, kur ato recitonin diçka. Punoja bashkë me Fred Çipinin, që kishte kryer një kurs për kameraman në Gjermani dhe ishte kthyer me ëndrrën që të hapte një televizion privat, natyrisht, kur ta lejonte ligji. Fredi ishte i domosdoshëm, jo thjesht për shkak të profesionit, se sa për shkatë e kripura që më bënin të harroja brerjet e ndërgjegjjes. Sepse hera-herës, më hante përbrenda, mendoja se nuk kishim asnjë të drejtë t’i mashtronim ato krijesa të pafajshme, të cilat shtynin derën e shkallmuar të apartamentit tim, me një ndjenjë sikur po kapërcenin pragun e Hollivudit. Do të merrni përgjigje te Çimi, u thoshnim dhe ato largoheshin me bindjen se nesër, e shumta pasnesër, do të gdhiheshin yje kinemaje...

Protagonistja e parë erdhi vetë. Ishte 25 vjeçe, dy metra e lartë, që patjetër të detyronte t’ia ngulje sytë vjedhurazi kur ecte rrugës. Vithet e bukura gati sa s’plasnin nën shtrëngimin e minifundit të zi prej lëkure. Dekolteja, - ç’dekolte, e kishte të çarën gjer në kërthizë-, i nxirrte jashtë gati gjithë gjoksin, me sisët e mëdha si t’i kishte mbushur me silikonë. Fytyra e gdhendur vezake, dukej aq engjëllore dhe e zbehtë, nën kurorën e flokëve të verdhë, dhe sytë çapkënë, me një shkëlqim të lëngët, tregonin se ajo ishte një vajzë mjaft e sigurt për jetën e vet.

- Më quajnë Stela!-, tha sapo hyri.

- E dimë -, ia preu Fredi.

- Nga e dini, njihemi?

- Jo, po një alamet femre si ti, vetëm Stela mund të quhej...

Qeshi me gjithë shpirt dhe i vezulluan dhëmbët e rregullt e të mëdhenj, të bardhë si dëbore.

- Stela, mirëseerdhe! -, i zgjata dorën, - Moa ia ve re Fredit, është shakaxhi i madh.

- No problem!-, tha duke marrë një cigare nga paketa mbi tavolinë.

Kishte kaluar mbi një javë nga publikimi i njoftimit, më shumë se 80 femra kishin ardhur për audicion dhe asnjerës nuk kishim guxuar t’i tregonim të vërtetën. Dita-ditës, besimi po më fashitej dhe kisha një parandjenjë se do të ndodhte diçka e keqe, diçka që ndërkaq nuk mundja assesi ta përcaktoja. Genci, që mund të më ndihmonte, ishte nisur përsëri për në Greqi, sigurisht, me ndonjë thes tjetër hashash. Fredi ishte vetëm për fjalë, ndonëse bënte shaka krejt të pacipa me kandidatet, - të cilat i përgjigjeshin po në mënyrë të pacipë, duke e menduar këtë si një rregull të pashkruar; - Fredit pra i kyçej goja t’u thoshte një fjalë për punë të filmit. Dhe dy-tri nga ato kishin qenë vërtetë protagonistet që kërkonim.

Vendosa të hyja drejt e në temë:

- Stela, ti ke ardhur për filmin, apo jo?

- Natyrisht!, - u përgjigj duke më ngrënë me sytë e saj zhbirues, - Ku ta dija se do të gjeja këtu djem kaq të mirë; ata që bëjnë filma i përfytyroj, nuk di pse, nga gjashtëdhjetë vjeç e lart.

Po skuqesha.

- Puna është se filmi, si të ta them, është disi i veçantë... Ka disa skena...

- Pornografike?

- Eh, po!

- E kisha marrë me mend, - tha buzëgaz, - me gjithë këta aktorë të papunë në Tiranë, s’kishit pse kërkonit amatorë.

Mori një cigare tjetër.

- Sa paguani?-, pyeti duke e fryrë tymin drejt fytyrës sime.

- Njëmijë dollarë.

U mbyt, u kollit, sa i dolën sytë vendit.

- Njëmijë dollarë? - tha kur u qetësua.

- Po, njëmijë dollarë.

- I ke këtu?

Vura mbi tavolinë tri pako me dhjetëmijëshe. Një milion e pesëqind mijë lekë.

- Paratë e dy vjetve për një të zhveshur, - tha e menduar pa i hequr sytë nga tufat e parave. - Dakord, - tha pastaj, - vetëm se duhet të pyes të dashurin tim.

- Të dashurin tënd?!... E ç’hyn i dashuri këtu?

- Duhet, për të qenë ju të mbrojtur, se mua s’ka ç’më bën. Keni dëgjuar për Magnumin?

Ishte një nga kapot më të rrezikshëm të vendit. Kishte bërë ca vrasje në Itali, dhe prej vitesh e kërkonte Interpoli, por ai kapardisej mes Tiranës; mbante gjithmonë me vete një Magnum, prandaj dhe e thërrisnin kështu; ndoshta dhe ai vetë e kishte harruar emrin e vërtetë.

- Harroje atëherë!, - ia preva pa u menduar.

- Jo, dua ta bëj, por duhet t’i them, kuptomë! Ai s’ka për të pasur kundërshtim, bile do t’i bëhet qejfi, jam e sigurt! Por gjithsesi, duhet ta ve në dijeni.

- Po mirë, vendos ti vetë...

Dhe i futa prapë paratë në sirtar.

U ngrit. Ndjeja keqardhje që po ikte, por këtë, natyrisht, nuk mund t’ia thoshja.

Bëri një grimacë sikur më shkeli syrin e u nis për te dera.

- Stela! -, thirra. Qëndroi pa kthyer kryet.

- Stela, duhet të të them dhe diçka tjetër, - dhe i shkova pranë: - Nuk është se vetëm do të zhvishesh, do të ketë edhe disa skena... më hard, më kupton?

- Sigurisht që të kuptoj, - tha e qetë, - ndryshe do të ishte film erotik e jo pornografik... Mos ki merak!, - shtoi, - i kam marrë parasysh të gjitha, vetëm se duhet t’i them Magnumit.

Dhe doli. Ndërsa mua më bëhej se vazhdonte të sillej nëpër dhomë, si një efekt i komplikuar kinematografik.



Erdhi po atë pasdite:

- Çdo gjë në rregull, - tha, - kur duhet të fillojmë?

- Po deshe, qysh tani.

- Kush do të jetë partneri?

U stepa për një çast. Pastaj, duke u përpjekur të ngjaja sa më i natyrshëm, i thashë: - Unë.

- Ma kishte marrë mendja dhe, që të jem e sinqertë, më pëlqente të ishe ti partneri.

Fjalët e saj më tronditën. Jo pse i shprehu Stela, por pse shi në atë çast e kuptova se unë nuk mund ta bëja dot atë rol. Më dukej vetja një lloj pushti dhe nëpërmenda neverinë që ndjeja për filmat pornografikë. Më tmerronte mendimi se tani do të isha unë objekt i neverisë sime. Dakord, ta bënim filmin, përderisa do të nxirrnim para, por të luaja edhe vetë, kjo shkonte shumë...

Mirëpo, nga ana tjetër, s’kisha nga t’ia mbaja. E dija se krijuesit e filmave pornografikë prezantoheshin vetëm me pseudonime, të njëjtën gjë do të bënim dhe ne. Mirëpo, unë isha si parja e kuqe në gjithë baret e Tiranës, më njihnin, të paktën si surrat, shumë njerëz. Si do të përballesha me ta. Dhe sidomos, ç’do të mendonin ata për mua. Të qenë thjesht skena erotike, do ta ndieja veten të nderuar. Skenari që kisha shkruar më pëlqente, ishte një përsiatje rreth dashurisë së vërtetë dhe seksit me pagesë në shoqërinë e konsumit. Mirëpo, i konceptuar si një film me pretendime ideo-artistike, nuk do të kishte asnjë vlerë. Duhej servirur i mbytur në një salcë pornografike. Por unë kisha shumë arsye që mos ta gatuaja atë salcë. Dhe kisha dhe një arsye që më detyronte të veproja kundër vullnetit e dëshirës sime. Kisha bërë një marrëveshje me Gencin dhe nuk mund ta shkelja, aq më tepër që kishim një fitim të garantuar.

Stela ndërkaq kishte mbaruar punë me leximin e skenarit. Fredi do të bënte edhe punën e grimierit e të parukierit, por Stela, si të kishte gjithë jetën aktore, i kishte marrë vetë të gjitha masat.

Krejt lakuriqe, vetëm me një këmishë timen hedhur dosido mbi trup, vuri kutinë e makiazhit mbi lavamanin e banjës dhe u përqëndrua e tëra tek pasqyra.

- Të kam zili!-, më foli Fredi tek po lëvizte nëpër dhomën e gjumit, në kërkim të pozicionit më të përshtatshëm për prozhektorin.

Nuk i fola, pse po vrisja mendjen si do të isha në rol.

- Nuk i paska ka të lyera flokët, qenka bionde natyrale,- vazhdoi Fredi avazin.

- Nga e ditke ti?

- Nuk ia pe leshin?

Stela ishte zhveshur pa zor, para syve tanë, por unë nuk kisha guxuar ta vështroja.

Në vend të trurit kisha një lëmsh të ngatërruar, gjithë nyje të mëdha. Kur Stela erdhi më në fund e u shtri në shtrat, provokuese dhe epshndjellëse, unë e kuptova arsyen e vërtetë të turbullimit tim: nuk mund të bëja seks në prani të të tjerëve, qoftë Fredi, apo dhe vetëm kamera.

- Oh, nonën!, - thirra, - Nuk e bëj dot!

- Çfarë nuk bën dot?,- thanë të dy me një gojë.

- Nuk mund ta luaj rolin.

- Futja kot! – u zgërdhi Fredi, - lavdi Zotit, nuk je dhe peder!

- Jo, Fred, nuk mundem! Duhet të gjejmë një protagonist tjetër. Duhej ta kisha menduar qysh në fillim. Nuk mund të bëj seks në këtë mënyrë.

Stela u ngrit ndenjur dhe veshi këmishën.

- Mos nuk të pëlqej unë, mos nuk të ndez?

- Më ndez kaq shumë, sa më djeg të tërin, por, si të ta shpjegoj... E pranoj, jam rrotë, por nuk mund ta bëj!

Nuk më bëhej vonë se çfarë mund të mendonin Stela me Fredin, nuk jepja një dysh se çfarë do të thoshte Genci. Kisha gabuar, kur mora përsipër edhe rolin e protagonistit, më mirë të gjenim një tjetër, do ta paguaja nga pjesa ime. Nuk më tërhiqte asgjë në këtë histori. Dhe sidomos nuk më tërhiqte Stela, që dukej si një bishëz e pambrojtur ashtu e habitur dhe këmbëkryq mbi shtrat.

- Po sikur ta bëjmë ndryshe? – tha Fredi.

- Si do ta bëjmë ndryshe, do të luash ti?

- Ku ta kisha atë fat, por s’kam kujt t’i le kameran. Pse mos ta bëjmë vetëm me Stelën?

- Si?

- Stela, të pëlqen të masturbohesh?

- Dikur, aty nga viti i dytë gjimnaz jam masturbuar për herë të fundit, - tha Stela duke nënqeshur, - Lavdi zotit, qysh atëherë nuk më munguan më partnerët.

- Fredo, je i madh!- thirra me një entusiazëm të shtirë.

Filluam të xhironim. Unë bëja thjesht punën e suflerit, i kujtoja Stelës ato pak batuta që duhej të thoshte dhe nuk kishte fare nevojë ta drejtoja unë si regjisor. E mundonte dhe e ledhatonte trupin e saj kaq natyrshëm, a thua se s’kishte askënd tjetër në dhomën e saj të gjumit.

Mbaruam pas dy orësh. Stela u fut të bënte banjë.

Fredi ngriti gishtin e madh: Ke të paktën 90 minuta film. Ishte fantastike. Gjynah që e le thatë...

Nuk ndjeja asnjë lloj pendese. S’kisha humbur ndonjë gjë të madhe, nuk kisha humbur asgjë. Stela kishte Magnumin e vet dhe mua, një teke më shumë apo një më pak, as më ndreqte as më prishte punë, - po përpiqesha të bindja veten.

I dhashë paratë Stelës, i futi në çantë pa i numrëruar.

- Gjithsesi u ndjeva bukur, - tha, - kur do të dali filmi?

- Nuk e di me saktësi. Duhet bërë montimi, muzika... Nëse kemi përsëri nevojë, ku mund të të gjejmë?

Shkruajti diçka te paketa ime e cigareve:

- Ky është numri i komshijes, mund të lini porosi tek ajo...



Kur e pashë filmin të përfunduar, më pëlqeu, ndonëse nuk kishte asnjë shenjë nga skenari im. Stela ishte një aktore e shkëlqyer dhe kur të gjenim partnerin, mund të realizonim edhe skenarin tim.

Genci erdhi drejt e nga aeroporti.

- Nuk më durohet!, - thirri që tek dera, - Pa të shohim se ç’kryevepër keni bërë.

Shtypa pultin dhe në ekran doli sigla “G & B Film”.

- Oooh, - tha i eksituar Genci, - Mrekulli!

Në çastin që filloi sekuenca e parë, me Stelën cullak mbi shtrat, nuk di si u gjenda për tokë me nofull të shkalafitur. Në fillim ndjeva shijen e gjakut në gojë, pastaj gjuha shkoi vetvetiu tek një boshllëk në mishrat e dhëmbëve. Një palë shkelma më goditnin me tërbim në gjithë trupin. Fare turbull arrita të shquaj sytë e shqyer të Gencit dhe grushtin e tij që si vare po vinte drejt fytyrës sime. U shmanga dhe futa kryet mes duarve.

- Genco, ç’pate? – munda të bërtas.

Nuk fliste, por vazhdonte të më godiste ku të mundte. Gjeta pak forca, u ngrita në gjunjë, i mbështolla një grusht sa më doli krahu vendit, ra për tokë dhe iu hodha përsipër me gjithë peshën e trupit. Ia lidha duart mbrapa dhe vura gjunjtë mbi to.

- Genco, po të pyes, ç’pate? – thirra përsëri.

- Shkërdhatë muti! Bythëqirë! Ajo është motra ime!



1996-2007



Ilustrimi: Robert Henri (1865-1929): Nudo

ËNDËRRAT E NËNË MARIES



Tregim

Myslim Maska

Nënë Maria është gjashtë vjeçe. E vockël, e bukur si një kukull. Ka sy jeshil e me qerpikë të gjatë.

Befas, u zgjua Nënë Maria nga një ëndërr e tmerrshme. U llahtaris Nënë Maria!... I rrëmbyen djalin e vogël e të vetëm. Duke qarë me ulërimë, flaku jorganin dhe ashtu siç ishte me rrobat e gjumit, d.m.th. me këmishën e bardhë e të shkurtër, kërceu si një ketrushe dhe u sul tek lodrat.

Për çudi, djali “lodër” ishte aty. E puthte dhe e puthte pambarim Nënë Maria e përkëdheli e përkëdheli e i tha qindra fjalë që i kish dëgjuar nga nëna dhe gjyshja.

E shtrëngoi fort në gjoks dhe u shtri përsëri në shtrat.

Binte shi. Frynte erë. Stuhi e madhe që shkuli e fluturoi tutje reklamat përballë shtëpisë së saj dhe kudo. Era mjaulliste, kuiste, qante, ndoshta këndonte. Pas pak u shndërrua në një sinfoni të padëgjuar dhe të pakompozuar ndonjëherë. U mallëngjye Nënë Maria. U mallëngjye shumë, sa nisi të qante. Dhe ashtu nëpërmjet lotëve pa ca qendisma të mrekullueshme, të bardha e transparente plotë dritë, si ato që thur dëbora dhe i shohim në çastin që del dielli. Befas, Nënë Maria ndjeu brënda vetes një llampë gjigante që e mbushi plotë dritë. Ndjeu në thellësi të shpirtit se diçka po gufonte, po shpërbëhej, po shndërrohej në një tjetër formë e trajtë. Për një çast iu duk vetja si një qiell me yje maji, të ndritshëm, vezullues, të mahnitshëm. U ngrit dhe doli në ballkon. Një pamje marramëndëse! Qindra fëmijë loznin me topa bore. Qeshnin, bërtisnin, rendnin e rrokulliseshin nëpër dëborë… U mrekullua Nënë Maria dhe duke u kthyer për në dhomë, tha me vete: O Zot, sa e bukur qënka jeta!

Në çastin që mbylli derën e verandës dhe shkoi për të fjetur, dikush e kapi pas këmishës së gjumit, lehtë, fare lehtë, ashtu siç ndodh në ëndërr dhe i foli me zë të ëmbël:

- Mami, mami, kam ftohtë, po mbërdhi. Më lagu dëbora.

Nënë Maria u trëmb, por në çast u vezullua kur e pa. Ishte djali i saj. E rrëmbeu menjëherë në krah. Nuk mbante mend sa kohë kishte pa e parë. E përkëdheli, e puthi në ballë, tek sytë, në flokë, në gushë, kudo, kudo. Shpirt i mamit, xhan i mamit. Dhe ashtu të përqafuar u futën në shtrat. Ndoshta ishte dita më e bukur e jetës së saj. Pas pak Nënë Maria ndjeu se brënda krahëve s’kishte asgjë. U trondit shumë dhe qante duke u rrotulluar në shtrat. Ishte vetëm, fare vetëm. Një boshllëk tronditës e i tmerrshëm,marramëndës. Pas dy– tre orësh Nënë Maria duhej të zgjohej për të dhënë provimin e diplomës në psikologji. Nënë Maria është njëzetetre vjeçe.

Është e mirë Nënë Maria. Sa e bukur është Nënë Maria! Edhe bota rreth e rrotull është e bukur. Është e bukur si një ëndërr. Kështu thotë Nënë Maria.

Nënë Maria po fle në dhomën e vogël, aty ku fle gjithmonë. Po fle vërtetë apo jo?, Këtë s’e dimë të saktë, sepse Nënë Maria më shumë sheh ëndërra sesa fle. Nuk e lënë të qetë ëndërrat. Ja, po bie borë.Mijëra petale këpucëbuta e mbushin botën me bardhësi. Plot me jetë e mbushin jetën, plot me dritë. Gjithçka vezullon e ndrin. Kristalet e borës i merr në dorë Nënë Maria dhe i hedh në qiell. Dhe qiell e tokë mbushet me miell. Dhe njeriu ndjehet më mire. Më i bukur, më i dlirë. Shpirt flori!...

Befas, Nënë Maria zgjohet. Është plot dyzetëegjashtë vjeçe. Është e bukur Maria! Do të ishte shumë më e bukur sikur të kujdesej pak për flokët. Para disa vitesh ajo shkonte në floktore rregullisht dy herë në javë. Tani vetëm fshin, pastron, merr pluhurat, gatuan dhe shtrihet ku t’i vijë për mbarë: Në divan ose në krevat. Shtrihet, jo se e ka nevojë të brëndëshme shpirtërore për t’u shlodhur, por thjeshtë i është bërë rutinë. S’mund të rrojë dot pa ëndërra Nënë Maria, sidoqofshin ato, të bukura apo të tmerrshme. Pa ëndërra Maria s’mund ta konceptojë jetën.

Është gjashtë vjeçe Nënë Maria. I rrëmbyen djalin e vetëm. Të voglin, të bukurin. Flaku jorganin dhe si një ketrushe, kërceu tek këndi i lodrave. Ashtu siç ishte me këmishën e gjumit dhe me dy jaseminë nëpër flok. E gjeti aty djalin “lodër” e shtërngoi fort në gjoks dhe u shtri në shtrat. E nanurisi ashtu siç kishte dëgjuar nga nëna dhe gjyshja. Menjëherë sa e mori gjumi, nënë Maries gjashtë vjeçare, iu shfaq një çupëzë e vockël dhe shumë e bukur:

- Kur të rritem unë do të martohem me djalin tënd, dhe buzëqeshi.

- Përralla, - tha Nënë Maria. Përralla me mbret. Ku di unë se ç’është martesa? Unë gjashtë vjeçe jam. Po kur e pa me vëmendje, u habit! Kurrë s’kishte parë rreth e rrotull një bukuroshe të tillë, (pothuaj moshatare e saj), e brishtë, e imët, me sy të zjarrtë e flokë të artë. Sa e bukur! – tha. Cila nënë s’do e deshte një nuse të tillë për djalin e vetëm?

Është njëzetetre vjeçe Nënë Maria. Mbron doktoratën për psikologji. I dashuri e pret në sallë. E prêt kudo: Në rrugë, lulishte, parqe, klube, taverna, trena, metro, aerodrome…

Ishte dyzetegjashtë vjeçe Nënë Maria, kur ndodhën ca ndryshime të mëdha, të ashtuquajtura demokratike. Epidemia e “Mortajës”, epidemia e ikjes…Iku dhe djali i saj në një kryeqytet të një shteti të huaj. Ngushëllonte të tjerët, dhe s’dinte të ngushëllonte veten. Kjo i dukej një hipokrizi kaq e madhe, saqë menjëherë sa largoheshin klientët, mbyllte derën e klinikës dhe qante me ngashërim. Po djali i saj, i biri, ylli, drita e syrit të saj, e vetmja gjë e bukur e kësaj bote, ç’bëhej, ku ishte? Dhjetë vjet, asnjë lajm, asnjë letër, asnjë telefon. Pesëdhjetëegjashtë vjeçe Nënë Maria! Pret e prêt. Dhe e lodhur, e këputur, e dërrmuar nga pritja, pi hapjen e saj: GJUMIN, ashtu siç u rekomandon dhe klientëve të saj të sëmurë psikologjikë. Shtrihet në divanin e sallonit dhe menjëherë e zë gjumi. Nuk e dimë saktë, sa orë fjeti, por nëpër gjumë, nëpër ëndërr, si në një humbëtirë, dëgjoi ca trokitje të lehta në derë. U ngrit menjëherë, ashtu, brënda ëndërrës dhe hapi derën. Gati sa s’i ra të fikët. I biri me nusen. I rrëmbeu të dy në krah, i puthi dhe i përqafoi pambarim. I bekoi dhe i uroi. I puthi në sy, në faqe, në flokë, i shtrëngoi fort pas vetes duke i përkëdhelur në shpatulla dhe kur e ndjeu se u bë një me ta, u largua pakëz dhe i pa të dy në sy. Nusja sikur ishte ajo që e kishte parë dikur në ëndërr, kur ishte gjashtë vjeçe. Po, ajo ishte. Ajo ishte kokë e këmbë. E puthi dhe e bekoi përsëri, por sikur puthi diçka imateriale, pa trup, pa peshë. Kur puthi djalin, iu duk se vinte erë baltë, por s’i kushtoi rëndësi, ndoshta nga rruga e gjatë,– tha me vete, dhe si e dehur nga gëzimi, duke çaluar shkoi e u shtri përsëri në divan. Nusja, ashtu puplore siç ishte, bardhoshe, imateriale, me hapa hënore, shkoi menjëherë drejt saj. I puthi dorën që ishte duke ngrirë, i uli qepallat, dhe duke i thënë, natën e mirë Nënë Maria, u fshehën në errësirën e përjetëshme

Lirika halorësh në lëkurën time të ndezur

Jak Përpali , lindi në Nikaj – Mëtur të Tropojës, diplomuar si ekonomist, por që me penën e vet konkretizoi katër libra me poezi; me pjalm ndjenjash e tematika të një shijeje të hollë.Hapësira e tij poetike shpërfaqet midis reales dhe irreales e që çmohet për vërtetësinë artistike, për t’i kthyer similitudat në metafora.

Raportin e drejtpërdrejtë me atdheun e tejmbush krahina e fisi.Ky krijues rrezaton, përtej asaj terrine që të mbytin autorët e zërave minorë.Autori më kujton maksimën “Kur fjala zë vend, ajo është nisur për rrugë të gjatë”.

Jak Përpali është poet i ardhmërisë.




Poezi nga Jak Përpali



Pa frikë



Nuk kam frikë. E dua vdekjen të më vijë

Me rroba të bardha.



E shndritshme të jetë

Shërim i botës sonë, të egër e të sëmurë.



Një ditë do ta puth, në portën e saj.

I lutem të mos më kthehjë këtu më kurrë!



Ditët e mia



Nëpër kohën e shprishur, prek ditët e mia që shkuan

Të pakta, të strukura në fajësi me vetveten.

Kërkoj t’i nxjerr, t’i kthej në përballje,

Më tepër më tkurren, më thellë më fshihen.



Era



Era me flatrat e tejdukshme shkruan thershëm

Lirika halorësh në lëkurën time të ndezur.



Vjen qielli i dikurshëm që bridhte përmbi mua

Me britma demash që shkumëzojnë ajrin.



Dhe mbrojnë barkun e hënës,

Mbetur shtatzënë me sytë e mi.



Ti



Flokonte borë

Rigonte shi,

Rrezinte diell

Ti

Do çmendeshe nën atë qiell?!



Nuk i fal



Një poezi

Një letër

Një fjalë

Një puthje

Një karafil

Një dorë

Një hënë

Një nishan

Dhe dy pika të vala loti,

Nuk i fal dhe nuk i harroj

Edhe sikur të më lutet Zoti.



Poetët



Vajza, mos i puthni poetët, do t’i humbni të gjitha rrugët

Duke pikturuar trëndafila bojëgjaku dhe mjedra

Që shtrydhin ylbere të pakapërcyeshëm në etjen tuaj

Do ecni nëpër shira xixëllonjash që nuk bien në tokë.



Kanë lindur të mallkuar dhe duan të shpëtojnë

Duke ju shkruar lirika dallëndyshesh në retinën e syve

Duke notuar nëpër dallgët e zemrave tuaja të çelura

Duke pushuar në pëshpërimën e limaneve tuaja të avullt.



Në çdo puthje tjetër do të ndiheni të plakura.

Vajza, do të qani duke braktisur të dashurit

Që nuk fluturojnë brenda një vështrimi

Në shtatë liqene dhe në shtatë qiej.



Ndryshe

Një flok vështrimi fluturon mbi qerpik

Një grusht pëshpërima rrjedhin nëpër duar

Mbu buzë çukit një qukapik.



Ato



Ato nuk kanë qenë të dashurat e mia,

Ti kot je trishtuar dhe s’më flet.

Vetëm atëherë kur më ke puthur Ti

Kam qenë hyjnor dhe poet.



Shtatë ditë + 1



E hënë

Një prekje e beftë, një përqafim i ndrojtur, i shpejtë

Një fjalë mbi urën e shenjtë, një pritje në rrugë

Një thirrje që bie dhe jehon tjetërkund.



E martë

Dy molla në duar, dy buzë tunduar

Dy kfshime, dy currila të bardhë

Dy vështrime, dy pendime, dy dhimbje

Dy fjalë, dy ikje, për të ardhë.



E mërkurë

Tre fshehje në qoshe, tre takime me dridhje

Tre ledhatime zgjimi, tre ditë mosharrimi

Tre herë mes lumit, në guvat e fundit.



E enjte

Katër ditë i pirë, katër ditë i lirë

Katër net i thyer, pa dritare, pa dyer

Katër këngë vaj, me fajtorë dhe të pafaj

Katër gra hije dhe katër zogj të shtirur

Katër burra kurva që vijnë të pathirrur.



E premte

Pesë puthje në gjinj, pesë puthje në buzë

Pesë puthje nishanit, pesë gjuajtje me gurë

Pesë kthime mbrapa, me frikë, hapa – hapa

Pesë premtime, me fshehje dhe pendime.



E shtunë

Gjashtë ditë pa folur, gjashtë net pa gjumë

Gjashtë qenë rrotull, gjashtë dete me shkumë

Gjshtë mace të zeza që duan një grifshë

Gjashtë tulipanë që mbijnë në ranishtë.



E diel

Shtatë herë pranë, shtatë herë larguar

Shtatë albatrosë në dete të rrëzuar

Shtatë detarë që mbyten pas tyre

Shtatë male me kripë në dritën e syve.



Dita e tetë

Do mbetesha i paplotë pa ditën e tetë

Po hyjnitë më thanë: “Fillo, krijoje vetë”

Dhe pikërisht ajo është Dita Ime

Që ka shpëtuar nga ndotjet e stinëve.

Kthim në fëmijëri



U kthyem në fëmijëri të luanim me hënën vogëlushe

Po asjo s’ish më lodër, në pikëllim të rëndë qe kthyer.

Vonë e besuam shkretëtirën që ndiqte ëndrrat tona

Dhe flladin që shkonte mbi zemrat gati në të thyer.



Në muret e pusterrit u rrëzuam e na humbën duart,

Në bregun e njomur me argjend, zvarrë u ngjitëm

U përqafuam e prapë nuk u mbajtëm, u lëkundëm

Na lëshuan këmbët!... Së bashku shkitëm, u mbytëm.



Tani jam hije... Të vështroj ty si një hije tjetër përballë

Me rëndesën e humbjes që kërrkund s’mund ta hedhësh

Më mbetet të të bart në rrugë të humnershme.

Ti... Do shtrydhësh retë, nëpër shira të më mbledhësh.



Ndanë ujëvarash



Është mallkim nëse u linde dhe urrite ndanë një ujëvare

Dhe një ditë largohesh për të mos u kthyer.

Ajo do të zhurmojë gjithmonë pas teje.



Sytë e shlyer nga peizazhet me pluhur

Do kërkojnë ngjyrat që dikur lotonin ylbere

Dhe në çdo rrugë, do kërkosh nga një ujëvarë.



Degëthyer



Shkoj dorën mbi kërthizën që të rrënjëzon së thelli

Mbi pushin e verdhë që ndizet flakëbutë,

Ndërsa shtrihesh me ndritje fërgëlluese.



Kujtoj gjithçka që më ke thënë kur po vinim këtu

Dhe druaj se do të gërvish diçka mbi bardhësinë tënde

Pa t’i shëruar ato gjurmë, që prej kohësh të therrin.



E dridhshme si pemë degëthyer, e vetme nëpër erë.

Majat e fjalëve të tua më shpojnë si thonj të mprehtë

Dhe mbi prekjet e ngrohta të gishtërinjve bie brymë.



Në imazhin tënd kafshon sërish një dhëmb i verdhë

Ndërsa më buzëqesh për të ma fshehur zemrën.

Diçka ndjej

Më bien hovet, tkurrem dhe ngre vështrimin përtej.



Pikëza gjaku të shkasin midis gjinjëve,

Duke të pikturuar korbat e Van Goghut në bark.

Post festum Panairit të Prodhimeve Bujqësore në Prishtinë

  
     Nga Selatin Kaçaniku 


A (SA) JEMI TË PËRGADITUR PËR PANAIRE ?




Mendoj se jemi në rrugë për të qenë të përgaditur. Le të shpresojmë se këtë do ta arrijmë më shpejtë se të tjerët ?!




AUTODIDAKTË OSE JO ?!

Nuk ka asgjë të keqe nëse shumica prej nesh jemi kyçur në panaire si autodidaktë. Pas luftës pothuajse çdo gjë filloi nga niveli zero.



Imponon etuziazmi, guximi, dëshira, qëllimi i mirë…edhe ëndrra. Do të ishte keq nëse në gjithë këtë organizim do të mungonte ndershmëria, sinqeriteti dhe vullneti i mirë ?! Këto çështje do t i diskutonim me të gjithë.





INSTITUCIONET tona, me staf profesional, të asrimuar dhe të edukuar për kulturën e panaireve janë të obliguara që të insistojnë në profesinalizëm e kulture të nivelit të duhur edhe te organizatorët e
panaireve, edhe te pjesëmarrësit por edhe te vizitorët. Të gjithë këta njëherësh janë edhe konsumues edhe ofertues të produkteve të ndryshme qoftë si mallra ose shërbime.si në panair, si në jetën e përditshme,
si në vendin e punës.


Nuk është turp nëse gjatë punës mësojmë, avansohemi dhe ngrisim profesionalitetin në punë si orvatje për të ngritur cilësinë e ofertës për konsumatorin, të cilin, në rastin e panaireve, e përbëjnë edhe bizneset edhe konsumatorët.





 Por edhe Shteti dhe instititucionet e tij janë poashtu konsumues dhe përfitues nga ofertat dhe vlerat e panairit. Të gjithë së bashku kemi të drejtë dhe obligim t i ndihmojmë këto procese jo vetëm duke e ngritur drejtëpërsëdrejti cilësinë por edhe duke insistuar në ngritjen dhe ofrimin e cilësisë në kuptimin më
të gjërë.


Institucionet e angazhuara nuk duhet të mjaftohen vetëm me vënien në listen e projekteve të realizuara të edhe një panairi. Ato, nëse paraprakisht i kanë caktuar detyrat, kërkesat ose objektivat duhet të
vlerësojnë përmbushjen e tyre në mënyrë që ky vlerësim të shërbejë si pasqyrë, model ose formë e avansimit të organizimit vitin e ardhëshëm ( panairin e rradhës ), gjë që do të ndihmonte shumë në krijimin e
traditës dhe të tradicionales.


Stafi, aparati…kabineti e këshilltarët shumë të numërtë të akcilit institucion të Shtetit duhet ta kenë gjithëmonë parasyshë nivelin dhe rolin reprezentues të punëdhënësve të tyre karshi popullit e qytetarit
i cili, në momente të caktuara shfaqet edhe në foirmatin e konsumatorit, edhe në ate të elektoratit, edhe…formate këto shumë sensitive dhe shumëcipërisht të rëndësshme.



 E, formati konsumator i popullit, i qytetarit…i elektoratit ishte format kyç e kauzal i çdo panairi, edhe i këtij të fundit i cili “ tradicionalisht “ zhvillohej pa përfaqësuesin e vetëm të konsumatorit të Kosovës, pa termin dhe pa emrin “ konsumator “ në fjalorin e disa prijësve të institucioneve të Shtetit – emër ky i cili nga institucionet e Kosovës shfrytëzohet vetëm kur të kanë “ presion “ nga institucionet ndërkombëtare dhe me
këtë emër “ kuhtëzohen “ projektet dhe donacionet e caktuara ?!


E, kur jemi te ndërkombëtarët le ta themi edhe këtë: Panairi prezanton fuqinë, kapacitetet dhe potencialet adsorbuse e absorbuese të tregut, ku informohen edhe të interesuarit vendorë edhe ata ndërkombëtarë.
Ndaj, duhet bërë kujdes e duhet ta kemi për qëllim organizimin e panaireve ndërkombëtarisht të hapura për hyrje dhe dalje të ekonomisë, të bizneseve, të prodhimeve, të kulturave e standardeve biznesore e
afariste…



BIZNESET prodhuese e kanë më lehtë. Duke i përmbushur standardet dhe ligjet tjera të aplikueshme në biznese e kanë shumë të dukshme dhe shumë afër formën e cilësisë. Bizneseve iu mbetet që, për t i bërë të
njohura shijet, nevojat, intereset e të drejtat, të mësojnë dhe të gjejnë rrugë e forma për t ia shprehur ato institucioneve, asociacioneve të biznesit dhe organizatorëve të panaireve–pa i ” amnistuar “ edhe donatorët e sponzorët ?!


Bizneset, nga panairi në panair, duhet të prezantojnë të arriturat, zhvillimin dhe ngritjen e tyre duke shfrytëzuar kushtet dhe mundësitëqë i ofron panairi për reklamimin e tyre.
Vet bizneset, edhe nëpërmes institucioneve e asociacioneve, duhet të insistojnë në gjetjen e mundësive për mbrojtjen dhe prezantimin e veçantë të origjinës e të origjinalitetit të produkteve por edhe për
krijimin, afirmimin dhe mbrojtjen e emrit.



“ Prodhuesit “ e lëngjeve psh, të cilët ( shumica ) në të vërtetë janë paketues / ambalazhues, do të mund t i shfrytëzonin tok në një vend:
Institucionet, asociacionet dhe prodhuesit e frutave për të bërë kontratë e për t ia “ imponuar “ prodhuesve të bazave për prodhimin e lëngjeve që ta organizojnë grumbullimin e frutave vendore në mënyrë që
këta paketues / ambalazhues në të ardhmen vërtetë të prodhojnë lëngje – prodhime vendore ( ashtu siq i ofrojnë e reklamojnë pa të drejtë dhe në mënyrë jo të sinqertë ), duke iu shmangur kështu bazave ( shumica)
artificiale të përbëra nga bashkdyzimet kimike që kanë vetëm ngjyrë,shije e aromë artificiale?! .





ASOCIACIONET e bizneseve duhet t i “ identifikojnë “ rolet dhe obligimet ( jo vetëm të antarsisë së asociacioneve ) karshiperformansave të (pa)mjaftueshme të panaireve të cilat si shfaqje reprezentative e të arriturave të bizneseve reprezantojnë një superstrukture biznesore që mund të merret edhe si pasqyrë e ekonomisë së Vendit. Këto asociacione duhet të jenë një urë lidhëse dhe bashkorganizjmi mes bizneseve pjesëmarrëse, institucioneve të angazhuara, organizatorëve dhe konsumatorëve qofshin ata vizitorë
qofshin ato biznese që i gëzojnë e shijojnë frytet e panairit.




ORGANIZATORËT


Vitin e kaluar mora kritikë të ashpër për vlerësimet e mia me që me to njëri nga organizatorët e panaireve nuk ishte i kënaqur. U kërkua nga unë që e-mail adresat e këtij organizatori t i largoj nga lista ime në
të cilën shumë biznese, institucione, asociacione, mediume, gazetarë…kërkojnë t i inkuadroj. Kjo, nga se “ organizatori i ofenduar “ nuk ishte i gatshëm të pranonte mendime ndryshe as të dëgjonte
zërin e konsumatorit – edhe nëse “ nuk ka të drejtë “.


Shih çudinë, nëpanairin tjetër të rradhës performansat e organizimit të panairit po nga ky organizator ishin shumë më të larta. Evaluimi im, si duket, i bëri hajr ?!


Tanimë ishin të bindur se konsumatori vështron, soditë, analizon dhe vlerëson.
Ky edhe është qëllimi i kritikës, e kritika është vlerësim që nuk don të thotë të jetë vetëm negativ.
Një mençuri e popullit tone thotë: “ Fjala n sy osht hallall “ e tjetra “ Ai që ta don të mirën ta thotë n sy, ai tjetri pas shpine “?!




VIZITORI i panaireve është KONSUMATORI ndërsa edhe biznesi pjesëmarrës është konsumator përderisa e konsumon shërbimin e organizatorit dhe konsumon vlera e oferta tjera për nevoja personale e jo për shitje ose rishitje.



 Në mungesë të kritikëve, analistëve… kronistëve të panaireve KONSUMATORI ka të drejtë dhe obligim t i vlerësojë shërbimet që i ofrohen, pra edhe këto të organizimit të panairit, pa i marrë
parasyshë frustrimet e organizatorit. Kaherë ka perënduar koha e “ shitjes së maces në thes “.



Është obligim imediat i organizatorit dhe i institucioneve e donatorëve të angazhuar që t ia mundësojnë kënaqësinë dhe të drejtën konsumatorit biznesor dhe vizitorit evaluimin e sukseshmërisë së panairit. Pra, është obligim edhe anketimi i nivelit të satisfaksionimit të konsumatorit me ofertat dhe me vlerat e arritura të organizimit të panairit. Këtu shihet edhe obligimi i kyçjes së konsumatorit qysh nga hudhja e shkronjave të para të organizimit. Kjo aq më pare se të gjithë pretendojnë ( të paktën publikisht e deklarojnë ) se panairi i
dedikohet konsumatorit, se prodhimet i ofrohen e ekspozohen konsumatorit, se pretendohet njohtimi dhe përafrimi i bizneseve prodhuese me konsumatorin….



Përplot goja konsumatorë; Konsumatori zot Shtëpie…

E, konsuatori mungon?! Mungon në parapërgaditje, mungon në hapje, mungon, mungon, mungon…?!

Sepse të gjithë këta lakmojnë vetëm paranë e konsumatorit por jo edhe praninë e tij, jo edhe të drejtën e evaluimit ?!






KULTURA
Populli e thotë: Duke njohur e respektuar këdo në të vërtetë njeh dhe respekton vehten. Duke mosnjohur as respektuar të vetmen pikereferuese të kauzës së konsumatorit në Kosovë, aktualisht Organizatën
KONSUMATORI, don të thotë të mosnjohësh e të mos respektosh vetvehten - duke qenë edhe vet, edhe familja konsumatorë, duke marrë rrogë ngakonsumatori taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit të Kosovës,duke pasur përplot gojën konsumator - para të cilit, mbi gjunjë tëpërulur, të gjithë klithin, lusin, apelojnë e përgjërojnë. KONSUMO PRODHIME VENDORE ?!



Me ligjet pozitive në fuqi institucionet e Kosovës janë të obliguara ta informojnë, arsimojnë dhe ta ngrisin nivelin edukativ e kulturor të konsumatorit ( fizik e juridik ) duke pretenduar vetëdijësim sa më të lartë të tyre e me qëllim të emancipimit të të gjithë pjesëmarrësve në tregun e prodhimeve, mallrave e shërbimeve, ku ( më falni në humbjen e modestise ) konsumatori është faktori dhe pjesëmarrësi kryesor – sepse e fuqizon dhe e evaluon ofertën e tregut me paranë e tij.

Ky obligim njësoj i takon edhe asociacioneve biznesore të cilat edhe në panaire duhet të jenë pranë bizneseve duke iu ofruar edhe konsulencë me qëllim të ngritjes së nivelit të prezantimit dhe të organizimit të panairit në kontekst të rritjes së përfitimeve nga ky prezantim i të arriturave të bizneseve Në veçanti ky obligim i takon asociacioneve që kanë edhe përvoja vetanake në organizimin e panaireve të cilat do të duheshte t i ndanin me bizneset pjesëmarrëse dhe me konsumatorët e tyre.

Edhe bizneset, me rastin e shprehjes së dëshirës për pjesëmarrje në panair, para nënshkrimit të kontratës duhet të kërkojnë nga organizatori prezantimin e plotë të objektivave dhe demonstrimin teorik të të priturave, të jehonës dhe sa e si do t i këthehet investimi nga pjesëmarrja në panair në nxitjen e biznesit.

INTERAKTIVITETI jo vetëm mes bizneseve, institucioneve, asociacioneve,donatorëve, bankave, konsulentëve e konsumatorit duhet të zgjërohetedhe me bartësit e fushave dhe të segmenteve tjera shumë të pranishme por edhe të nevojshme në biznes.

 Të bërit biznes në Kosovë është një fushë tepër e ngarkuar me sfida e vështirësi të cilat mund të trajtohen edhe në panair.

 Edhe kontakti më i afërtë me konsumatorin,jo vetëm ai në distancë dhe jo vetëm ai në “ allësh – verësh “ do të ishte shumë kurioz dhe me interes. Jo të gjitha institucionet, jo të gjitha asociacionet…jo të gjitha agjensitë i qëndrojnë pranë bizneseve dhe konsumatorëve në panair.
HAPET FUSHATA E KORRJE-SHIRJEVE
E, pa bashkpunim, njohje e respektim reciprok, pa INTERAKTIVITET të mirëfilltë nuk mund të sigurojmë shtrirje serioze të bizneseve e të prodhimeve vendore në treg, nuk mund të sigurojmë as emër, as eksport ?!
Brucelloza në fermën e dhive (dyshohet për brucellozë)
Po, është shumë e vërtetë: PANAIRI I MIRË mund të organizohet vetëm së bashku, assesi ndryshe. Çdo trajtë tjetër e organizimit të panairit do të ishte improvizim e improvizimi nuk është mjet i mire i arritjes.
Çdo anashkalim i akcilit pjesëmarrës të tregut të prodhimeve, mallrave e shërbimeve e bën panairin të mangët dhe jokomplet e së këndejmi edhe jokompetent.

Çdo “ kursim “ në (mos)organizimin e aktiviteteve përcjellëse e të nevojshme të panairit, ngjarje këto që e kompletojnë, e avansojnë, e afirmojnë më shumë, i mundësojnë interaktivitet e interdisiplinaritet e bëjnë panairin tepër të zbehtë. Pretendimet se njëra palë din më shumë se pala tjetër, më shumë se konsumatori pjesëmarrës dhe konsumatori vizitor, eliminon bashkpunimin imediat dhe flet për një karakter psikologjik joafarist e defetist i cili i bën hije panairit.

Organizimi i një panairi vetëm si shfaqje publike, si show medial, si paradë politike, si rrahagjoksje zyrtarësh e shërbyesish civilë të institucioneve, asociacioneve, donatorëve…dëshpron bizneset dhe mashtron ekonominë e në veçanti konsumatorin.

08.10.2011.

Selatin Kaçaniku, dhe KONSUMATORI, Prishtinë, Kosovë,
ok.kosova@gmail.com,
044/200-458



*******




Nga Flori Bruqi



Prishtinë: Hapet Panairi i Prodhimeve Bujqësore





Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke hapur Panairin e Prodhimeve Bujqësore sot në Prishtinë tha se sektori i bujqësisë është duke u bërë gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe se agrobizneset janë duke luajtur rol kyç në këtë fazë zhvillimore.





“Qeveria e Kosovës ka dyfishuar përkrahjen financiare për sektorin e bujqësisë, por duke filluar nga viti i ardhshëm, këtij sektori do t’i rritet mbështetja financiare në masë shumë më të madhe, sepse në planin tonë ekonomik për vitet e ardhshme bujqësinë e kemi radhitur tek prioritetet kryesore duke e konsideruar si gjenerator të zhvillimit ekonomik në periudhën afatmesme”, tha kryeministri Thaçi ne hapje te panairit të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës...







Ai tha se e ardhmja e sektorit të bujqësisë është shumë e ndritur dhe se do të vazhdohet të kultivohet partneriteti me të gjitha palët e interesit, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen pengesat dhe të arrihen suksese të reja në këtë fushë.


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerant Stavileci me këtë rast ka thënë se prodhimtaria bujqësore është njëra prej aktiviteteve më të qëndrueshme ekonomike në zonat rurale dhe qëllimi kryesor i organizimit të këtij panairi është që nëpërmjet promovimit dhe marketingut të produkteve bujqësore, t’i shndërrojmë nevojat dhe kërkesat e shoqërisë në mundësi përfitimi të ndërsjella për konsumatorët dhe agrobizneset tona.





“ Krahasuar me rajonin, vendi ynë mbetet ende një vend që prodhimtarinë vendore nuk e konsumon në nivelin e duhur dhe përveç që mungon gatishmëria, mungon edhe një marketing më i madh nga ana e agrobizneseve”.







Ministri Stavileci me këtë rast theksoi se duke i parë këto mangësi, së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës dhe me aktorë tjerë të kësaj fushe, nëpërmjet organizimit të panaireve të tilla po synojmë të përforcojmë sinergjinë ndërmjet gjithë aktorëve të tregut dhe t’i plotësojmë këto mangësi, duke ngritur njëkohësisht vetëdijen në masë për rëndësinë ekonomike të konsumimit të prodhimtarisë vendore, si dhe duke nxitur edhe prodhuesit për përmirësimin e cilësisë së prodhimeve të tyre.









Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se nga lufta e këtej, bujqësia më tepër iu është lënë prodhuesve bujqësor se sa ka qenë në rend të politikës ekonomike.







“ Kjo neglizhencë nuk ka të bëjë vetëm me projektimin e dobët të strategjisë sonë ekonomike, e cila nuk i përdor përparësitë tona komparative dhe resurset ekzistuese por shpesh tenton t’i kopjoj artificialisht trendet moderne në tregun botëror në kondidat e një ekonomie të pazhvilluar. Kjo neglizhencë në vete përbën dhe një paragjykim diskriminues, sipas së cilit bujqësia është veprimtaria e cila është e prapambetur, tha ai.







Gërxhaliu theksoi se fatmirësish ky botëkuptim ka nisur të ndryshoj.


“Manifestime si ky panair kanë një rëndësi të madhe për vendin tonë. Ato duhet të na bindin se bujqësia përbën shansin tonë të zhvillohemi më shpejtë ekonomikisht duke u mbështetur në burimet dhe resurset tona. Ato duhen të na bindin se nëse nuk kemi pasur fatin që ti kemi burimet e naftës, kemi pasur fatin ti kemi kushtet për tu bërë fuqi bujqësore në rajon. A do ta shfrytëzojmë këtë shans – kjo varet vetëm prej neve”, tha Gërxhaliu.





Ne hapje të panairit foli edhe Nils Rosemann zv.drejtor i Zyres Zvicerane per zhvillim dhe bashkepunim ne Kosove


Në panair prodhimet e veta i ekspozojnë më shumë se 50 biznese prodhuese në lëmin e bujqësisë nga Kosova dhe rajoni.



******

Dr.sc.Elez Biberaj:“Shqipëria në tranzicion”



Instituti i Studimeve Ndërkombëtare publikoi botimin e librit të dr. Elez Biberaj “Shqipëria në tranzicion, rruga e vështirë drejt demokracisë 1990 2010”.

Botimi i Institutit u përcoll sot nga një ceremoni e posaçme në Universitetin Europian të Tiranës ku morën pjesë diplomatë, studiues, historianë, studentë, zyrtarë të lartë, dhe politikanë.

Dr. Teuta Dobi, tha se universiteteve shqiptare u mungojnë studimet politike të thelluar shkencërisht dhe të paanshme politikisht si libri i Biberajt.
“Ne e ndjejmë akoma mungesën e studimeve të paanshme dhe që i shikojnë gjërat mbi interesat e palëve. Kjo gjë mungon në akademi, në media, në politikë dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

 Ky libër është një mundësi më shumë për t’i parë dukuritë e tranzicionit shqiptar mbi palët, mbi interesat e vogla dhe të ngushta të implikuar politikisht, mbi akademizmin e shtirur dhe esencialist të trashëguar nga komunizmi, por me një këndvështrim liberal dhe analizim profesional të ngjarjeve, siç ka punuar dr. Elez Biberaj”, tha ajo.
Profesori i njohur shqiptaro-amerikan Nikolla Pano tha se libri i dr. Biberaj zë një vend me rëndësi në studimet ndërkombëtare mbi çështjet shqiptare dhe rajonale.


“Ky libër përmban një analizë shumë të thellë. Na ka dhënë një portret të vërtetë të Shqipërisë se si kanë rrjedhur ngjarjet vërtet nga 1990 deri në 2010”, tha ai.

Autori i librit, Elez Biberaj tha se e shkroi librin fillimisht për të plotësuar boshllëkun e madh të informacionit që ekzistonte në SHBA për Shqipërinë. Synimi kryesor ishte që libri të lexohej nga publiku amerikan dhe ligjvënësit e tij. Ai tha se Shqipëria ka shumë sfida përpara, se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozita më të mira se sot, dhe se ata janë ndër faktorët më të rëndësishëm në Ballkan.
“Ajo që më shqetëson është ndjesia se ritmi i përgjithshëm i demokratizimit duket se është ngadalësuar. Demokracia, vlerat demokratike, sipas mendimit tim, ende nuk kanë hedhur rrënjë të thella në radhët e elitave politike partiake, institucioneve, por as tek radhët e popullsisë në përgjithësi. Mendoj se ka nevojë për një hapësirë më të madhe demokratike në të gjitha fushat”, tha ai.

Libri i Biberajt u prit me interesim nga studiuesit dhe diplomatët, edhe për faktin se përfshin ngjarjet shqiptare nga fillimet e demokracisë 1990-92 deri në vitin 2010. Për shumë vjet drejtues i “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, aktualisht drejtor i divizionit të Euroazisë në VOA, dr. Biberaj është autor i shumë studimeve për Ballkanin dhe Shqipërinë, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në bibliotekën e studimeve politike shqiptare.



Elez Biberaj u lind më  me 16.11.1952 , në një fshat të banuar me shqiptarë në Plavë  të  Malit të Zi, një vit pasi prindërit e tij ishin detyruar të linin vendlindjen e tyre, Shqipërinë, si pasojë e regjimit totalitar. Katër vitet e para të shkollës fillore i ndoqi në fshatin Hot   në gjuhën serbokroate, ndërsa klasët nga e pesta në të tetën i ndoqi në Gjakovë. Pasi u regjistrua në shkollën e mesme në Prizren  , në janar të vitit 1968, bashkë me familjen e tij emigroi në Itali Gjashtë muaj më vonë arriti me familjen në SHBA . 


Biberaj punën e tij si gazetar në Voice of America - redaksia e gjuhës shqipe, e ka filluar në dhjetor 1980. Këtu pas disa viteve më 1989 merr poziten e redaktorit përgjegjës të redaksisë së gjuhës shqipe, ndërsa më 2004 emërohet redaktor përgjegjës për redaksitë në gjuhët Evropiane.
Me këtë rast i janë shprehur mirënjohje për punën e tij që kishte bërë në afirmimin e Zërit të Amerikës jo vetëm ndër shqiptarët por edhe ndër popujt tjerë të Ballkanit e Evropës Lindore. Ndër shprehësit e mirënjohjeve ishte edhe ambasadori i OSCE-së  Uiliem Uoker.
Biberaj u bë i njohur në mjediset Kosovare sidomos pas Demostratave të Kosovës të vititi 1981 kur në Kosovë paraqitet një boshllëk i informacioneve për ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë. Biberaj është një ndër gazetarët i cili ka përcjellë për mëse 27-të vite, lëvizjet e Doktrinës së shejtë serbe   dhe nga shumë analistë raportimet e tij janë marrë me seriozitet të veçantë.

Me rastin e marrjes së detyrës së re më 2004, Elezi u shpreh para teleshikuesve shqiptar:
Unë fillova punë në Zërin e Amerikës në dhjetor të vitit 1980, në një kohë kur shqiptarët jetonin nën regjimet shtypëse komuniste dhe kur kontaktet midis shqiptarëve dhe amerikanëve pothuajse nuk ekzistonin
Shumë shqiptarë, në atë kohë, e shikonin Zërin e Amerikës si të vetmen dritare shprese. Kolegët e mi dhe unë u angazhuam me gjithë shpirt për përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës: t'u tregonim dëgjuesve të vërtetën rreth shoqërisë së tyre dhe zhvillimeve në botë; të nxisnim respektin për të drejtat e njeriut; të përhapnim lirinë dhe demokracinë; të nxisnim interesat amerikane në Ballkan, si dhe miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve.

Flori Bruqi

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...