2011-12-10

Replikë e ashpër midis Florin Krasniqit dhe Bekim Haxhiut (Kamishit)


 Seanca e Kuvendit të Kosovës të mërkurën, sikur shumica syresh është përcjellur me akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës, ndërsa kulmi arriti kur deputeti i Vetëvendosjes Florin Krasniqi u përplas verbalisht me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Duke kërkuar që mos t’ia ndërpres fjalën derisa flet, deputeti i Vetëvendosjes disa herë i është drejtuar atij të PDK-së që ta mbyllë gojën, ndërkaq ky i fundit në reagimin e tij, e ka quajtur Krasniqin ‘bubrrec’ i cili nuk mund ta frikësojë askënd.
Gjithçka ka nisur derisa Florin Krasniqi po fliste në foltore për masat e reciprocitetit me Serbinë, ndërkaq nga vendi deputeti Bekim Haxhiu i ka ndërhyrë, ndërsa gjithë kjo ndodhi derisa seanca drejtohej nga nënkryetari nga komuniteti turk, Enis Kervan.
Reagimi i Krasniqit ishte i ashpër, duke i thënë disa herë Haxhiut ‘mshele gojën’, në mënyrë të vrazhdtë dhe i tensionuar.
Ndërsa Haxhiu ka reaguar duke e quajtur Krasniqin njeri pa edukatë dhe pa karakter që kërkon t’ua mbyllë gojën të tjerëve.
Pas seancës, Haxhiu nuk ka dashur të flas para kamerave, ndërsa Krasniqi ka thënë se nuk është pishman për fjalët e rënda me të cilat është përballur me Haxhiun.
“Sjellja ime ndoshta nuk ka qenë korrekt, por ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme”, ka thënë Krasniqi.
Më tej deputeti i Vetëvendosjes ka thënë së shumë prej deputetëve të PDK-së nuk janë korrektë dhe gjatë fjalimeve të deputetëve të tjerë ndërhyjnë duke folur edhe në mënyrë banale.
“Kjo që po ndodhë në këto debate në Kuvend, nganjëherë po merr kahje jo të mirë, por unë mendoj se prapa kësaj ka një arsye. Sjellja ime nuk ishte shumë korrekte me deputetët e PDK-së, por ata janë shumë banalë. Gjatë fjalimeve të deputetëve, lëshojnë fjalë banale prej sallës, është tepër fyese. Unë mendoj që një deputet duhet të flas, të tjerët ta dëgjojnë. Ata nuk dëgjojnë, fyejnë, banalizojnë, kështu që kjo praktikë unë mendoj që duhet të marrë fund”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka rikujtuar se në parlamentet e vendeve evropiane deputetët bëjnë zhurmë kur flet qeveria, por jo t’u ndërhyjnë deputetëve të tjerë në fjalën e tyre.
Në këtë mënyrë, Krasniqi e ka arsyetuar edhe atë që ka thënë brenda në seancë, ngase ka pranuar se shpeshherë ndërhyn derisa flet dikush prej kabinetit qeveritar, por jo edhe ndaj deputetëve.
Nuk është hera e parë që Florin Krasniqi përplaset në Kuvend me Bekim Haxhiun, mirëpo ai mohon të ketë diçka personale me deputetin e PDK-së.
“Nuk kam as me Kamishin as me askënd. Nuk kam ardhur këtu deputet për çështje presonale, por për të mirën e përbashkët. Nëse dikush bëhet pengesë për të mirën e përbashkët, nëse Kamishi, Bekim Haxhiu ka marrë detyrë prej shefit të tij të ballafaqohet, unë s’kam problem, nuk kam asgjë personale, as me të as me askënd”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi.
Në seancën e sotme derisa po vazhdonte debatin për masat e reciprocitetin me Serbinë për të cilën ishte ftuar në interpelancë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, deputetët Bekim Haxhiu e Florin Krasniqi kanë pasur përplasjen e radhës.
Të dy i janë drejtuar njëri-tjetrit me akuza duke e quajtur shoqi-shoqin njeri të paedukatë, ndërsa nuk kanë munguar edhe etiketime si ‘bubrrec’, ‘llullë’, ‘banal’, etj.


Ata replikuan edhe ne nje moment tjeter kur Bekim Haxhiu kishte rendin sipas radhes te del ne foltore e te cilin rend e shfrytezoi per akuza ndaj Florin Krasniqit,duke e akuzuar se po paraqitet amerikan dhe se ka harruar nga ështe .Florin Krasniqi është njeri i pa kulturë.Ne replikë Florini tha se unë kam kulturë dhe tarditë dhe se nuk kam ardh ketu te marr kulturë nga Kamishat dhe Lluallat.

Poezi e emocionit dhe e mesazhit atdhetar


Libri i ri

Doli libri i Engjëll Koliqit: “Nën kurorën e lisit plak”

Poezi e emocionit dhe e mesazhit atdhetar

 



Këto ditë, në botim të Shtëpisë Botuese “Rugova Art” doli libri i poetit tonë të mirënjohur, Engjëll Koliqit. Diskursi i kësaj poezie të Engjëll Koliqit vjen si prurje poetike përmes gjuhës vetanake metaforike dhe botës ndjenjore shumë të theksuar, sa që nganjëherë të ngërthen me çiltërsinë dhe me thjeshtësinë e saj, por mbetet identitet i krijimit të subjektit krijues, për ta ndërtuar botën dhe vizionin e tij prej krijuesi.Në aspektin ndjenjor kjo poezi shpërfaqet me një gamë të gjerë përjetimesh që mbruan në vete, por edhe që mbetet si krjim i ndjenjave të holla dhe gjithsesi e pasur edhe si mendësi dhe si mesazh poetik, që përmbanë në tërë ligjërimin e saj poezia. Mbase kjo poezi vjen sikur një imazh shpirtëror ndjenjash që ndërton botën imagjinative dhe ndjenjore aq thellësisht mbi një taban gjuhësor dhe ritëm poetik sa që krijon në veçanti një qëndrueshmëri të identitetit të kësaj poezie, për kohën kur është shkruar dhe për përkushtimin poetik ndaj kujt është ndërtuar ligjërata poetike.Engjëll Koliqi krijon me frymëzim dhe vetëm atëherë kur ai i vjen dhe e cyt poetin ta thotë përmbajtjen dhe ndjenjën e saj, për ta bartur të recepienti, duke e ambientuar me të aq natyrshëm.Shqetësimi i subjektit krijues në këtë poezi mbase mund të kategorizohet në disa pika vrojtimi, si shqetësim për mërgimin, vendlindjen, atdhedashurinë, etninë, personalen, prindoren, erotikën, humanen etj, që në njëfarë mënyre e përbëjnë atë vokabularin tematik e motivor të poezisë së Koliqit etj.Libri ndahet në disa njësi ciklore si:Në paraëndërr, Shekujt thërras, Në sytë e tu kam dritën, Mos vallë vonë u gjetëm, dhe Vravashëk e pafikur, duke e shqur në tërësi këtë poezi si ndërtim si ndjenjë dhe si tërësi krijuese me veçantitë e saj identitare.Botoi Rugova Art,Prishtinë 2011, ISBN:978-9951-536-22-6.


N.S.K


Korrupsioni e çon presidenten kosovare Atifete Jahjagën në Amerikë




Presidentja e Kosovës ,Atifete Jahjaga  në adresimin e saj të parë para deputetëve të Kuvendit, që nga koha e marrjes së “timonit” të së parës së shtetit, të enjten i bëri thirrje Beogradit zyrtar jo vetëm që të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj shtetit të Kosovës, por edhe të mos i përkrahë strukturat ilegale kriminale në pjesën veriore.

Jahjaga u shpreh e ashpër sa i përket nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, duke thënë se tagri i korrupsionit është faturë e shtrenjtë, të cilën po e paguajnë qytetarët, dhe është pengesë e integrimit të vendit në Evropë.

Atifete Jahjaga, që para tetë muajsh me konsensus politik u zgjodh presidente e Kosovës, respektoi obligimin kushtetues, e cila përmes një fjalimi politik iu është drejtuar ligjvënësve kosovarë në këtë fund vit, porse nuk raportoi për punën e saj të deritashme.

Ajo foli për nevojën e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe hyrjen në marrëdhënie tregtare me BE-në, derisa ia bëri të qartë Serbisë se periudhat e hegjemonizmit në Ballkan kanë përfunduar. Sipas saj, shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri. Ajo u shpreh e vendosur se me Serbinë nuk do të negociohet në asnjë formë për çështjet që prekin sovranitetin e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës, ka deklaruar Jahjaga, është e pakthyeshme, integriteti territorial është i paprekshëm dhe për këtë ajo u zotua se ekziston mbështetja e fuqishme ndërkombëtare. Ajo tha se vendi është i bashkuar për veprim kur është në pyetje forcimi i shtetit, edhe pse rruga, sipas saj, nuk është e lehtë.

E para a vendit tha se qartësimi i rrugës evropiane është i domosdoshëm dhe ky është një interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe BE-së. Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo kërkoi nga BE-ja që të jetë garantuese e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy palëve.

Presidentja përshëndeti edhe nismën për fillimin e heqjes së barrikadave, duke iu drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës në gjuhën serbe që t’i kthejnë sytë kah Prishtina dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve, me të drejta të barabarta.

Në adresimin e saj para deputetëve të Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga shprehu shqetësimin e saj për nivelin e lartë të korrupsionit dhe pohoi se thirrja për zero tolerancë kundër korrupsionit duhet të jetësohet dhe për këtë kërkoi front të përbashkët për ta luftuar.

Madje, ajo nuk hezitoi që të deklarohet se pikërisht krimi dhe korrupsioni “po e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës, po e zbehin të ardhmen e vendit dhe po i ndalon investitorët që të investojnë në Kosovë”.

“Kjo është edhe arsyeja pse nesër ( e premte) do të udhëtoj për vizitë zyrtare në SHBA. Atje do të takohem me sekretaren amerikane të Shtetit, kryeprokurorin amerikan, Drejtorin e FBI-së, dhe udhëheqësit e Pentagonit, për të kërkuar përkrahje dhe asistencë në përditësimin e veprimeve që suksesi në këtë luftë të jetë i garantuar”, ka thënë ajo para ligjvënësve.

Ajo konfirmoi se me t’u kthyer nga kjo vizitë në Kosovë, do të themelojë Këshillin Anti-Korrupsion, të cilin do ta udhëheqë, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Fjalimi i presidentes u vlerësua gjithëpërfshirës dhe me nota të larta nga forcat politike opozitare.

Në veçanti Ismet Beqiri i LDK dhe Burim Ramadani i AAK-së përmendën zotimin e Jahjagës për formimin e Këshillin Anti-Korrupsion.

“LDK do t’i ofrojë mbështetje të nevojshme në këtë pikë”, ka thënë Beqiri. Ndërkaq, Burim Ramadani u shpreh skeptik në premtimin e presidentes në luftimin e korrupsionit, përderisa siç u shpreh ai, “në qeveri të jetë PDK-ja”. Sipas tij, në pushtet duhet të vijë një parti tjetër për t’u luftuar vërtet korrupsioni në Kosovë.

Presidentja formon Këshillin Anti-Korrupsion

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të udhëtojë të premten për një vizitë njëditore në SHBA, për të kërkuar ndihmë nga shteti amerikan në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ajo tha se pas kthimit, menjëherë do të formojë Këshillin Anti-Korrupsion.



Vëllezërit Bruno dhe Saimir Krasniqi fajtorë për shumë krime në Amerikë




Vëllezërit shqiptarë Bruno dhe Saimir Krasniqi u shpallën fajtorë nga një juri në Nju Jork, për një sërë krimesh përfshirë mashtrime, vrasje, konspiracion për vrasje, rrëmbime, trafikim lëndësh narkotike, vënie zjarri, grabitje, pengim i drejtësisë, transport i lëndëve narkotike dhe përdorim armësh zjarri.

Preet Bharara, prokurori i Distriktit Jugor të Nju Jorkut, që bëri publik njoftimin, shprehet se dy vëllezërit ?ishin drejtuesit e njërës prej organizatave kriminale më brutale dhe të dhunshme?. Ai shton se gjashtë vjet pas vrasjeve brutale që ata orkestruan, vendimi i jurisë i dha fund mbretërisë së terrorit të Krasniqve dhe i solli para drejtësisë shkaktarët e këtyre krimeve të tmerrshme.

Organizata kriminale e Bruno dhe Saimir Krasniqit vepronte mes të tjerash në Nju Jork, Miçigan dhe Konektikat.

Mes krimeve të tjera, ata u shpallën fajtorë për vrasjen në vitin 2005 të Erion Shehut, një anëtar i një bande rivale në Queens të Nju Jorkut, si edhe ekzekutimin e Erenik Grezdës një anëtar i organizatës së tyre, pasi dyshonin se kishte bashkëpunuar me një bandë tjetër kundër tyre.

Bruno dhe Saimir Krasniqi përballen me dy burgime të përjetsshme, si edhe dënime me 60 vjet burh për akuza lidhur me narkotikë dhe armë zjarri.

Zoti Bahrara vlerësoi grupin e punës së Ballkanit të FBI së për krimin e organizuar. Ai mes të tjerash vlerësoi edhe autoritetet shqiptare për ndihmën për hetimin dhe ekstradimin e Almir Rrapos, ish këshilltar i lartë i ish zëvendës kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Rrapo u arrestua në Shqipëri nën akuzat për lidhjet me organizatën Krasniqi dhe pjesëmarrjen në vrasjen e Shehut dhe trafikim narkotikësh.

In memoriam për Ali Ohrin


 



Nga Riza Lahi

Këto ditë u largua nga jeta i ndjeri Leka Zogu, larguar nga atdheu i tij bebe 3-4 ditësh. Unë personalisht, as 
kam qenë ndonjëherë monarkist, as kam ati për monarkët por më a bërë përshtypje nga i ndjeri që na la, të folurit e gjuhës shqipe me një gegënishte të bukur si edhe qetësia me të cilën ai e ka shoqëruar në përgjithësi katrahurën konstante politike në vendin tonë. Unë do të thoja pa asnjë hezitim, se i ndjeri ka qenë politikani që ka dëmtuar më pak se secili prej “politikanëve profesionistë” popullin e tij në periudhën postkomuniste. Dukej se ai në “oborrin mbretëror”, ndiqte qetësisht çfarë ndodhte në vendin tonë, nuk i hidhte benzinë zjarrit dhe me një flegmatizëm të bukur malësorësh shtatlartë, jepte mendimin e tij duke e matur fjalën me kujdes dhe kur e pyesnin. Të ndjerin Leka Zogu, pavarësisht një fletë e dyshimtë dhe e errët që ia ka lënë faturë popullit të tij i ati dhe që quhet “Shën Nauni” e kemi dëgjuar të flasë pa kompromis për tokat shqiptare jashtë kufirit tonë shtetëror, madje, siç kemi mësuar nga burime të ndryshme, sidomos monarkistët shqiptarë me banim në SHBA kanë mbledhur ndihma të konsiderueshme për popullin e Kosovës kur rroku armët për liri.
Mbreti Ahmet Zogut – për disa shqiptarë, strateg që organizoi rrëshqitjen spektakolare për të shpëtuar popullin e tij nga masakra që do të pasonte lufta pabarabartë e me superfuqinë fashiste e për disa të tjerë një tradhtar, hajdut, që erdhi në fuqi me bajoneta serbe, që vrau Luigj Gurakuqin, Bajram Currin dhe që la në mjerim luftëtaren, komandanten kosovare Shote Galica – la të vetëm një djalë. Leka Zogun e pat me një nënë hungareze e nga familja aristokrate e hasburgëve, ndërsa vetë, si shumica e liderëve të botës, që nga De Goli e deri te Ce Dun qe katundar; nga Mati, nga fshati Burgajet. Mirëpo, mua më ka takuar të takoj të njihem nga afër me dy persona që kanë qenë pjesëtarë të “oborrit mbretëror”. I pari ka shërbyer atje me rrogë, i dyti, oh, nuk mori rrogë kurrë. Që të dy flisnin me shumë respekt për bosin e tyre. Respekti thuajse i verbër i atyre, mua më ka pas çuditur. Ende nuk e shpjegoj dot, se si ka ndodhur që, si të atin, edhe Leka Zogun, ta donin me vetëmohim njerëzit që kanë ndenjur e shërbyer pranë tyre. Nuk e di, në ka qenë e mundur që Enver Hoxha të kishte pranë vetes njerëz që ta duan me kaq fanatizëm, si ata që ka patur Leka Zogu.
Dua të flas për njërin prej atyre besnikëve. Më plakun, i cili ka disa pak kohë që ka ndërruar jetë, edhe ai. Quhej Ali Ohri dhe ishte një nga idealistët e bukur që di të prodhojë raca e shqiptarëve. I specializuar si kavalier në shkollat ushtarake të Italisë, ai ka vazhduar tërë jetën e tij dinjitoze ta mbajë lart titullin e “kavalierit”, të njeriut besnik ndaj fjalës së dhënë, korrekt, shumë të vëmendshëm, që i shkonte aq bukur pamja e tij prej burri shtatderdhur, si një bredh i lartë dhe i mplakur por që, si të gjithë bredhat e botës, vazhdojnë të kenë hijeshinë e species së tyre. Në një darkë miqësore që shtroi një atashe ushtarak, në mes të vetëm katër shqiptarëve, ishte edhe ai – një funksionar i lartë i sigurisë së oborrit të SHT, zotit Leka Zogu. Kur i tregova se nga isha, Ali Ohri më tha se kishte përkthyer nga italishtja një libër kushtuar rrethimit të qytetit tim, se ia kishte botuar Shtypi ynë Ushtarak, se kishte për autor një gazetar italian që kishte përjetuar gjithçka gjatë atij rrethimi të tmerrshëm, ku u pat vrarë me tradhti Hasan Riza Pasha. E lamë të ma dhuronte të nesërmen librin e shkruajtur nga gazetari i së përmendurës milaneze “Corriere della Sera”, Gino Berri, i cili ka pas hyrë në Shkodrën e atyre ditëve si drejtor i Postës italiane, me emnin e rremë Giovanni Bertini, duke iu shmangur urdhrit të Valiut e komandantit të Shkodrës, Hasan Riza Pashës, që nuk lejonte gazetarë të huej brenda Shkodrës së rrethuar.
Doli në orën e caktuar nga dera kryesore e “Pallatit Mbretëror” me librin në dorë – “Gino BERRI: Rrethimi i Shkodrës. Tetor 1912 – Prill 1913. Ditar i një korrespondenti të luftës”, më qerasi me një kafe në klubin e bukur me lulishte përpara “Pallatit Mbretëror” dhe m’ i nguli sytë e tij të rreptë dhe të pafrikshëm prej shpatari kavalerie , si i hodhi një vështrim dhuratës që i kisha sjellë si kompensim për librin… Dhurata ishte libri im shumë lluksoz kushtuar Shkodrës – “Maratonomaku nga Shkodra”.
“Shkodra yte ma ka një borxh”
“Shkodra nuk i ka borxh askujt”
“Mua, po. Një…”
“Cili është borxhi?”
Si më përgëzoi për librin, duke më hedhur sytë zhbironjës, si një shpatar përpara një bejlegu, hapi gojën. Mustaqet e tija elegante m’u dukën shumë të ashpra: “Kur po kapitullonte Italia fashiste rinia shkodrane organizoi një demonstratë në mes të qytetit dhe unë mora urdhër të prerë që të përleshesha me demonstruesit me forcën e armëve të mia dhe të vartësve që komandoja…”
“Ju keni vazhduar të ishit oficer i ushtrisë fashiste kur të tjerë kishin rrokur armët për liri dhe po vriteshin nga fashizmi?”
“Po. Vazhdoja t’i shërbeja betimit ushtarak që kisha dhënë…”
“Para flamurit me sëpatën e liktorit fashist?”
“Po! Para flamurit shqiptar me sopatën e liktorit!”
“Sa vartës kishit, zoti Ohri?”
“Tetëdhjetë e katër kalorës. Urdhrin e kisha që, në krye të këtyre kavalierëve – që të gjithë italianë – të grija me shpata rininë e paarmatosur shkodrane, sapo të shpërthente demonstrata!”
“Dhe?”
“Ia thashë në sy eprorit tim, se nuk do t’ia zbatoja urdhrin dhe ai, si më kërcënoi, ma përsëriti atë dhe më urdhëroi të largohesha.”
“E dinit çfarë ju priste për këtë moszbatim urdhri luftarak në kohë lufte?”
“Po…Sigurisht….”
U pamë në heshtje sy më sy. Në një rast të tillë, nuk ka njeri në botë që ta kuptojë më mirë gjendjen e një oficeri se sa një oficer tjetër karriere. Vazhdoi: “Të tetëdhjetë e katër kalorësit e mi nuk morën urdhër kurrë nga unë që të grinin e copëtonin me shpata a me plumba djemërinë shkodrane që demonstronte. Do të kishte vajtur gjaku deri në gju, mjaftonte vetëm një fjalë e imja, e Ali Ohrit. Për moszbatim urdhëri, më dërguan të çarmatosur menjëherë në shtatmadhori, te gjenerali i plotfuqishëm i trupave italiane. Ndenja në këmbë. Jashtë ishin rojet që do të zbatonin çfarëdo urdhri të gjeneralit.
“Ohri, ti nuk ke zbatuar urdhrin e eprorit tënd?”, më pyeti, sapo hyra.
“Urdhri ka qenë i gabuar, zoti gjeneral!”
“Urdhri zbatohet një herë, pastaj dilet në raport për atë, nëse ishte i gabuar apo jo. Këtë e di çdo rekrut, jo më …”
“Urdhri ka qenë krejtësisht I pazbatueshëm nga unë. Në këtë rast bëhej fjalë për nderin tim. Ju e dini që unë jam shqiptar. I vetmi shqiptar oficer i ushtrisë italiane në Shkodër. Urdhri ishte të vrisja njerëz të popullit tim. Ishin që të gjithë të paarmatosur. Shqiptarët nuk luftojnë me njerëz të paarmatosur. Për më tepër, nga fisi im, ka disa burra që kanë dhënë jetën për popullin e tyre. Unë nuk mund të veproja ndryshe nga ata. Duke masakruar popullin tim”
“E dini se çfarë ju pret, Ohri, për moszbatim urdhri në kohë lufte?”
“Jam gati të pres çfarëdo dënimi, zoti gjeneral.”
Mirëpo, gjenerali nuk e dha urdhrin për pushkatimin tim, që mund të bëhej menjëherë dhe pa gjyq, gjë që po e prisja”
Ndërsa mbaronim kafetë, Ali Ohri pa, mes fotografive të “Maratonomaku nga Shkodra”, edhe nipin e ish monarkut shqiptar, Lekën e Dytë. I shpjegova se, njëri nga heronjtë e librit tim, ish kampioni i boksit, talenti Sokol Buliqi, kishte një histori me SHT Leka Zogu dhe bashkëshorten e tij, të ndjerën Suzan ; fotografia në fjalë ishte futur në libër me propozimin e kampionit. Buliqi kishte fituar një ndeshje me kampionin serb të boksit dhe SHT Leka Zogu e kishte thërritur në selinë e tij patriotin tim që shërbente në Pallatin Mbretëror si “bodyguard”. Buliqit ia pat larguar emocionin e pasigurisë pikërisht e ndjera Suzan. Ajo duke e parë djaloshin e zbehur me dashuri, boksoi vetë në ajër. Pra, e kishin thërritur ta përgëzonin për fitoren. SHT Leka Zogu, siç shkruhet në librin në fjalë sipas tregimit të Sokol Buliqit, nxori një tufë të madhe me para dhe ia zbrazi në pëllëmbë boksierit fitimtar: “Merri e prishi me shokët tuaj me rastin e fitores mbi boksierin sërb. Ti na ke nderue Shqypninë”.
Ali Ohri, duke e mbajtur librin si peshtaf para duarve më pyeti: “A t’ia dhuroj Nalt Madhnisë këtë libër në emrin tuaj?”
“Jo, këtë radhë libri është dhuratë për Ali Ohrin. Një herë tjetër…Unë librin ua dhuroj vetëm miqve të mi personalë. Askujt tjetër. Që të gjithë e dinë këtë”.
Ali Ohri, atëherë, e futi librin në çantë duke më falënderuar.
Jam krejtësisht i bindur që kavalieri Ali Ohri e ke ruajtur librin në mes të relikeve të tija personale.
Edhe më shumë se arritjet në karrierën e tij prej oficeri, edhe më shumë se kontributet në fushën e kavalerisë dhe kuajve të ushtrisë, Ali Ohri ka meritën e hulumtimit së pari dhe shqipërimit e botimit të ditarit të gazetarit italian kur Shkodra rezistonte. Mbase janë dy rrethimet më të skëterrshme shoqëruar me rezistencë heroike, që Shkodra i ka provuar gjatë historisë së re – në kohën e Skënderbeut dhe kur Shqipëria sapo kish shpallur pavarësinë nga Turqia dhe ky, për të cilin po flasim. Për rrethimine parë, ja, ne kemi Veprën e Barletit. Po për të dytin? Dakord, vepra letrare e Filip Ndocaj “Shkodra e rrethueme…”, por letërsi dokumentare, pra, shkencore të asaj periudhe? Janë llokma floriri faktet e gjalla që sjell pena e gazetarit të asaj periudhe. Në librin e shqipëruar nga Ohri shikojmë jetë të përditshme, të prekshme, mbi bazën e gazetarisë së mrekullueshme klasike të kohës – pra, me një lakonizëm brilant – Shkodrën e përditshme. Me radif shkodran që shkon të shikojë familjen në shtëpi dhe, kur gjen të shoqen me tre fëmijët duke vdekur nga uria, nxjerr pushkën dhe, si i vret me dorën e tij që ata të mos vuajnë më , shkon në llogore sërish të mbrojë qytetin; një tjetër radif merr leje për pak dhe verifikohet që, në ënd që të kishte shkuar në familje aq pak kohë sa kishte, kish qenë te dashorja; një fëmijë i rrëmben bukën nga dora një gruaje , dhe ikën me vrap duke flakur në baltën dimrore paratë e bukës; vrasja e Komandantit turk dhe pandehmat e kohës për te…Libri mbyllet me tregimin e një kapiteni sërb për sfidën e stërguximshme të dy “zonjushave shkodrane” para syve të atij dhe të së shoqes. “Dy zonjusha të reja, na panë drejt në sy, mua dhe time shoqe, dhe në mënyrë provokuese, njëra prej tyre hapte e mbyllte xhaketën e veshur ku tregonte flamurin shqiptar…Këta…askush nuk na do…”
Për këtë periudhë ekzistojnë shënimet e shoqëruara me hartat e luftës të oficerëve osmanë A.Nazif e M. Kiramettin dhe disa libra të tjerë në italisht e gjermanisht. Ka qënë edhe ditari i një gruaje shkodrane të kohës të quajtur Nine Shiroka – Daragiati; një mrekulli të tillë e kish pikasur At Gjergj Fishta, por autorja nuk ia dha dhe nuk gjenden askund.. Mësojmë se edhe Gjon Kamsi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e veta në një pasqyrë besnike të ngjarjeve në rrethim, por… Ali Ohri, si e gjeti librin kushtuar atdheut të tij në një bibliotekë të Milanos, e shtiri në dorë, e përktheu dhe nuk gjeti tjetër botues, përveçse asaj të ushtrisë, gjë që do të thotë se, me siguri, shumica e kopjeve , kushedi se në cilat biblioteka repartesh ndodhen pa u lexuar nga lexuesit masivë…Sigurisht, së paku “Pallati mbretëror”, pa le ndonjë tjetër shtëpi botuese, do të bëjnë, mendojmë, përpjekje që të ribotohet për publikun e gjerë “amaneti për Shkodrën” për të cilën Ohri një herë në jetën e tij, u bë gati të shkonte para murit të pushkatimit. Ky burrë, besnik i idealeve të tija monarkiste, shërbeu deri në fund të jetës së tij në Oborrin Mbretëror, duke refuzuar prerë rrogën dhe çfarëdo shpërblimi tjetër material.

Një heshtje që fliste shumë




Eshref Ymeri
 
Një heshtje që fliste shumë
 
       Sa herë që vjen muaji dhjetor, kujtesa më shtegton në vite dhe më bën të përfytyroj ca ngjarje kohësh të largëta kur jam njohur me një personalitet të shquar të kulturës shqiptare, krijuesin e heshtur dhe përkthyesin e talentuar Robert Shvarc, i cili ka lindur pikërisht më 10 dhjetor. Isha në moshë të re kur pata lexuar për herë të parë përkthimin fantastik të librit “Harkui i Triumfit”. Aq shumë më pati rrëmbyer shqipja e latuar e atij përkthimi, saqë mikut tim të vjetër, zotit Rait Beqiri, i lutesha të m’i lexonte me zë ca framente të veçanta të atij libri befasues. Kur vitet kaluan dhe puna e solli që të prezantohesha dhe të njihesha më nga afër me zotin Shvarc, e kuptova se cila kishte qenë arsyeja që ai paskesh qenë dashuruar aq shumë pas krijimtarisë artistike të Remarkut.
       Në periudhën mes Luftës I dhe Luftës II Botërore, në vendet perëndimore pati qarkulluar shprehja “brez i humbur”, apo njerëz të pushtuar nga pesimizmi. Me këtë shprehje (në frengjishte génération perdue, në anglishte lost generation) nënkuptoheshin njerëz pak të dobishëm për shoqërinë, që ishin formuar në vitet e degradimit politiko-shoqëror në një vend të caktuar, të prirur për të qëndruar jashtë politikës dhe të çorientuar moralisht.  Ajo u bë lajtmotivi i krijimtarisë së shkrimtarëve të tillë, si Ernest Heminguej (Ernest Miller Hemingway - 1899-1961), Erih Maria Remark (Erich Maria Remarque, Erich Paul Remark - 1898-1970), Anri Barbys (Henri Barbusse - 1873-1935), Riçard Orlington (Richard Orlington  1892-1962), Ezra Paund (Ezra Weston Loomis Pound - 1885-1972), Xhon Dos Pasos (John Roderigo Dos Passos - 1896-1970), Ficxherald (Francis Scott Key Fitzgerald - 1896-1940), Shervud Anderson (Sherwood Anderson - 1876-1941), Tomas Vulf (Thomas Clayton Wolfe - 1900-1938), Nataniel Uest (Nathanael West - 1903-1940), Xhon Ohara (John  O'Hara - 1905-1970). Ky brez i humbur përbëhej nga të rinj që ishin mobilizuar për në frontin e luftës në moshën 18-vjeçare. Mes tyre kishte nga ata që nuk kishin arritur të mbaronin shkollën dhe që kishin filluar të vrisnin herët. Pas mbarimit të luftës, njerëz të tillë nuk mundën t’i përshtateshin dot jetës paqësore dhe shumë nga ata e mbyllën jetën me vetëvrasje, kurse disa të tjerë përfunduan në çmendinë. Mendohet se këtë shprehje e ka përdorur për herë të parë shkrimtarja amerikane Gertruda Stajn (Gertrude Stein - 1874-1946), por më pas shprehja në fjalë u bë e njohur në saje të përmendjes së saj në romanin e Ernest Heminguejit me titull A Moveable Feast (Festa që është gjithmonë me ty) (1964).
       Në mars të vitit 1979 pata kaluar me punë në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë Huaja të Shtëpisë Botuese “8 nëntori”, në sektorin e përkthimeve në gjuhën ruse. Ishte vlugu i punës për përkthimin në gjuhë të huaja të, demek, veprave të Enver Hoxhës. Përkthimi bëhej në tetë gjuhë (në anglishte, në frëngjishte, në spanjishte, në rusishte, në gjermanishte, në italishte, në greqishte dhe në arabishte). Sektori i gjermanishtes ishte më pak i kompletuar me specialistë të përkthimit. Prandaj, me ndërhyrjen e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, pranë sektorit të gjermanishtes, ku i vetmi përkthyes ishte zoti Alfred Sejdia, qe ftuar një specialist nga Gjermania Perëndimore, nga radhët e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Gjermane. Por meqenëse vëllimi i punës që duhej të përballohej ishte i madh, zoti Robert Shvarc dhe zoti Ali Dhrimo, po me ndërhyrjen e institutit të larpërmendur, qenë ftuar si bashkëpunëtorë të jashtëm për të përshpejtuar ritmet e përkthimit. Pikërisht asokohe u njoha me zotin Shvarc në mjediset e redaksisë. Më 01 gusht të vitit 1981 mua më emëruan përgjegjës të asaj  redaksie dhe asokohe vëllimi i punës përkthimore u shtua edhe më tepër. Prandaj u pa e arsyeshme që zoti Shvarc të transferohej nga Radio-Tirana në Shtëpinë Botuese. Pikërisht koha e drejtimit të redaksisë më krijoi mundësinë që ta njihja shumë më tepër dhe të miqësohesha me të. Në figurën e tij zbulova një njeri të heshtur, por me zemër të madhe, një njeri me një shpirt të ndjeshëm që të çudiste me çiltërinë e tij të pakundshoqe dhe me erudicionin e tij të admirueshëm. Kemi pasur raste kur kthenim edhe ndonjë gotë dhe në bisedë e sipër shpërfaqej si pakuptuarazi një tjetër tipar i karakterit të tij shumëplanësh: humori i tij karakteristik, i shoqëruar me një leksik të kursyer. Shprehja e tij e parapëlqyer “u lodhe, or qyq!” më ka mbetur e skalitur në kujtesë për domethënien alegorike që ngërthente në vetvete. Buzëqeshja e tij origjinale shpërfaqte pastërtinë mahintëse të shpirtit të tij të ngrohtë deri në befasi. Por megjithatë, edhe kur buzëqeshte, nga honet vështrimit të tij të thellë herë-herë vetëtinte një hije melankolie. Kur vazhdonte punën si përkthyes në Radio-Tirana, më pati qëlluar njëherë ta shikoja tek përkthente jo në zyrë, por në mesoren e katit të tretë që ndahej me xham me oborrin e brendshëm të Radios. Më pati çuditur ajo pamje. Ndoshta qe prishur me kolegët e zyrës, ndoshta ata i bënin zhurmë kur përkthente dhe nuk e linin të përqendrohej apo ndoshta ishte ndonjë arsye tjetër në këtë mes. Por më pas, kur e njoha mirë natyrën e tij eksplozive ndaj padrejtësive dhe hipokrizisë, erdha e krijova bindjen se pamja e tij e dikurshme në atë mesore të Radios, ulur në një karrige, me makinën e shkrimit para vetes mbi tryezë, mishëronte në vetvete shprehjen më të kulluar të simbolikës shvarciane: ai e ndiente veten të huaj në kushtet e dhunës enveriane, kur fjalës dhe mendimit të lirë i qenë prerë flatrat dhe i ishin hedhur vargonjtë e diktaturës.
       Mes pëkthyesve shumë të talentuar, kishte nga ata që, për shkak se kërkoheshin ritme të përshpejtuara përkthimi, ishin të detyruar që përkthimin ta bënin me diktim: përkthimin ia diktonin drejpërsëdrejti në gjuhë të huaj ose një daktilografisteje, ose një përkthyesi apo përkthyeseje më të re. Por zoti Shvarc asnjëherë nuk e pati praktikuar një metodë të tillë pune. Përkundrazi, ai asnjëherë nuk përkthente drejtpërdrejt në makinën e shkrimit. Ai, fillimisht, materialin e përkthente në skeda gjysmëformati, e kontrollonte mirë e mirë dhe mandej e hidhte në të pastër me makinën e shkrimit.
       Meqenëse bashkëshortja e tij e nderuar, zonja Ariste, ishte kolege pune me time shoqe (që të dyja mësuese), patëm mundësi të njiheshim edhe familjarisht. Kam pasur rastin që të shkoja për vizitë në familjen e zotit Shvarc. Banonte në një hyrje të thjeshtë me një dhomë e një kuzhinë, në lagjen “Ali Demi”, aty afër fushës së sportit. Mbi tryezën e tij ndodhej një makinë e vogël shkrimi, përmes tastierës së të cilës ai, për vite me radhë, i mbajti të hapura dritaret e kulturës së huaj, në mënyrë që kjo, përmes përkthimeve të tij të shumta artistike nga autorë të mirënjohur botëror, të bëhej pjesë e thesarit edhe të kulturës sonë kombëtare.
       Më vinte shumë keq që zoti Shvarc e pinte tej mase atë duhan të mallkuar: sa fikte njërën cigare, ndizte tjetrën. Me sa duket, duhani ishte “miku” i tij më “i afërt” në qetësimin e tallazave të shpirtit të tij të trazuar. Ishin ato cigare të shkreta që erdhën e ia bluan zemrën ca nga ca, derisa ia shkurtuan jetën para kohe. Pikërisht atë shpirt të trazuar vetë zoti Shvarc e pati plazmuar me një vërtetësi të dhimbshme në tri poezi aq prekëse që zoti Amik Kasoruho, një mik i ngushtë i tij dhe një personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare, i heshtur edhe ky si vetë thjeshtësia, i ka botuar për herë të parë në një intervistë që i ka dhënë gazetës “Koha jonë” të datës 12 dhjetor 2010.
       Vitet kalojnë. Njerëzit e shquar të kulturës sonë kombëtare, si çdo qenie tjetër njerëzore, pas përfundimit të “piknikut” mbitokësor, përfundojnë në botën e përtejme. Detyra e brezave që vijnë pas është që këtyre përfaqësuesve të shquar të kombit t’u ngrejë përmendoren që meritojnë, duke i bërë të pavdekshëm në panteonin e figurave të shquara kombëtare. Për fatkeqësinë tonë kombëtare, ne këtë panteon vazhdojmë të mos e kemi ende edhe sot e gjithë ditën. Presidentët e vendit ndokënd edhe e kanë nderuar me medaljen “Nderi i Kombit” apo “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kryetarë të bashkive ndokënd prej tyre e kanë pas shpallur edhe “Qytetar Nderi”. Por të huajt që vijnë të vizitojnë vendin tonë nuk do të kërkojnë nëpër arkivat e Presidencës apo të bashkive se ç’medalje apo ç’titull nderi kanë marrë figurat e shquara të  kulturës sonë kombëtare. Ata duan të shikojnë diçka  konkrete në mjediset publike, si në çdo vend tjetër të qytetëruar. Midis këtyre figurave të shquara duhet të kenë vendin e tyre edhe përkthyesit tanë të talentuar. Pikërisht kontributin e shquar të përkthyesve në pasurimin e kulturës kombëtare kishte parasysh poeti i madh rus Aleksandër Sergejeviç Pushkini (1799-1837), i cili breznive të mëvonshme u ka lënë si trashëgim edhe një aforizëm të shkëlqyer:
       “Përkthyesit janë kuajt postarë të iluminizmit”.

2011-12-05

Dashuria për atdheun, lufta dhe roli i ushtarakut në luftë ishin filozofi kombëtare për kolonel Tahir Zemaj


Vështrim rreth librit “Madhështitë e Kolonelit”, të autorit Miftar Dragidella

 
                   FILOZOFIA E KOLONELIT!...

          (Ose: "Dashuria për atdheun, lufta dhe roli i ushtarakut në luftë ishin filozofi kombëtare për kolonel Tahir Zemaj"
 

          Ka kohë që në Kosovë, po shkruhet një histori e re dhe se, atje për një kohë të shkurtër janë botuar libra të shumtë. Një pjesë e këtyre librave për tematikë, gjithsesi kanë luftën e fundit, me personazhe e personalitete të UÇK-së.

          Tani më, në libraritë publike dhe nëpër bibliotekat e lexuesve shqiptar kohën e fundit ka zënë vend, edhe një libër i kësaj natyre, me autor gazetarin e njohur Myftar Dragidella, ”MADHËSHTITË E KOLONELIT” ose: “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”, botoi Shtëpia Botuese "SIPRINT", Prishtinë 2011.
          Duke e lexuar me kujdes, dhe mbase edhe me ëndje, sëpari dorëshkrimin që ma dha autori, mendoj se ky libër e plotëson dukshëm një zbrazëtirë që ka mbetur pas vrasjes qyqare të kolonel Tahir Zemajt. 
E them këtë, sepse autori qëmton mendime, fakte se koloneli ishte i dashur për shumicën e popullit të Kosovës në veçanti dhe, në përgjithësi, për gjithë shqiptarët. Dhe, duke punuar me përkushtim, me zell, me pasion dhe dashuri për kolonelin, autori ia ka dalë mbanë, ka arritur të tregoj se edhe pas vrasjes qyqare, kolonel Tahir Zemaj ishte dhe mbeti ndër figurat më të respektuara të luftës së fundit në Kosovë.
          Mirëpo, libri, është fryt i shumë autorëve që së bashku e ndajnë suksesin, pasi e gjithë bota imagjinare e universit të të gjithëve, lexohet përmes rrëfimeve, përmes kualitetit artistik, përmes saktësisë së ngjarjeve, përmes sinqeritetit që ata kanë ndje ndaj heroit Tahir Zemaj, ndaj filozofisë se tij ushtarake, kombëtare dhe ndaj sinqeritetit të tij që kishte për luftën dhe popullin e Kosovës brenda kësaj lufte. 

Prandaj, duke e lexuar këtë libër, lexuesi përballët më potencialin intelektual të ushtarakut që ai nuk e thotë në veten e parë, me vetëlavdërim, por e thonë të tjerët: “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”. Kjo është veçanta e librit, është të thuash, nga të rrallët libra të shkruara kështu.
          
Heroi, kolonel Tahir Zemaj, edhe tani nuk hesht, por flet. Ndryshe, flasin të tjerët për Te dhe, ai ndjehet i gjallë. Ai nuk hesht ngase flasin veprat e tij, miqtë e tij, flet i gjithë populli i Kosovës. S´janë pak autor që flasin për te, dhe jo të tillë që flasin e shkruajnë për të plotësua një kërkesë, por ata flasin e shkruajnë për ta thënë atë që e meritonte kolonel Tahir Zemaj. 
Këto shkrime, artikuj, evokime, përkujtime, intervista, data historike, nuk janë vetëm tregime të rëndomta artistike, dekor i librit, ato janë kronologji e një drame tragjike nëpër të cilën kaluan luftëtarët e UÇK-së, kaloj populli shqiptarë. Sepse përmes jetës dhe veprës se heroit, rrëfehen, ringjallën biografitë e shumë dëshmorëve dhe luftëtarëve. Kurse, forma e bashkimit të të gjitha këtyre rrëfimeve brenda këtij libri është një art modern, është tregim i veçantë i literaturës sonë sepse, rrëfimet e llojit të tillë mund t'i lexosh kudo në literaturën serioze, por më pak në letrat shqipe.
          Më duket se pas gjithë kësaj, lexuesi heton së në librin, ”MADHËSHTITË E KOLONELIT”ose: “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”,  nuk mungon as ironia deri në vishkullimet qortuese se pse gjithë koha e luftës nuk u shkrua drejtë, saktë dhe nga kronistët serioz.

 Kështu, nga Ai (Komandanti), jo pak herë sikur e dëgjojmë qortimin për ato deformimet e pseudo kronistëve që ngjarjet e luftës nuk i shkruan ashtu siç ishin, por i përshtaten për momentin. Më të drejt recensenti i këtij libri z. Maxhun Smajli thotë: “Autoret nuk u përpoqën ta zbukurojnë të vërtetën, edhe pse ajo u dukej e sikletshme disave...”
         

 Libri, siç tregon edhe vetë titulli ,”MADHËSHTITË E KOLONELIT” e, sidomos nëntitulli, “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”, përbëhet nga kapitujt: I pari: Biografi, vrasje, varrim, dhembje..., Kapitulli i dytë: “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”. Kapitulli i tret: Ata që vranë kolonel Zemaj, janë kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë se Kosovës. Dhe, kapitulli i fundit, Tahir Zemaj - Heroi i Kosovës.
          

Në secilin kapitull, emërues i përbashkët që del nga secili bashkautor i këtij libri, shpaloset dhembja për kolonel Tahir Zemaj, sepse ai ju ka dashtë Kosovës, thonë ata. Ata janë akademiket, intelektualët, bashkëluftëtarët, poetet,  shkrimtarët, gazetarët, politikanët shqiptar dhe botëror. Janë përfaqësues të shteteve mike të Kosovës që i kanë njohur meritat e kolonelit. 
Të gjitha këto të thëna me mjeshtri edhe me dhimbje për kolonelin, secila deklaratë, secili mendim dhe secili shkrim përkujtimor i ka specifikat e veta të veçanta, shikuar nga këndvështrimi i tyre i pavarur, i pa imponuar, por që të gjithë bashkohen në një mendim: në madhështinë e kolonelit Tahir Zemaj.
          

Duke shëtitur nëpër faqet e këtij libri, lexuesi kureshtar dhe në veçanti, mbështetësit e filozofisë kombëtare do të mësojnë për jetën dhe veprat e kolonelit, jo nga cilido e kushdo, por nga krijuesi i pavarësisë së Kosovës, Dr, Ibrahim Rugova, i cili e çmonte aq sa e meritonte kolonel Zemaj. 

Pastaj, janë kumtesat nga përvjetorët që janë mbajtur nga presidenca e Kosovës nën patronatin e Dr. Fatmir Sejdiut. Janë fjalët e rastit nga Mr. Nimon Alimusaj, Akademik Mark Krasniqi, shkrimet e autorit të  librit botuar në gazetën kombëtare “Bota sot”. Fjala e Agim Mehmetajt, ish zëvendësministër i Mbrojtës i Qeverisë së Republikës së Kosovës e Herry Bajraktari. Pastaj: Eprori ushtarak Shpend Shala, Hazir Krasniqi, Ibrahim Berisha, Sylejman Kollqaku, Anton Kolaj, Islam Spahiu, Smajl Çekaj, Astrit Zemaj, Luz Thaqi, Gani Geci, Agim Aliçkaj, Nazif Ramabaj, Hafiz Gagica, Halit Muharremi, Nekibe Kelmendi, Rexhep. Elezaj, Maxhun Smajli, Ibadete Abdullahu, Flori Bruqi, Sabit Rrustemi, Idriz Zeqiraj e shumë të tjerë.
          
Pastaj, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dënon vrasjen e Tahir Zemajt, Presidenti i Republikës se Shqipërisë Alfred Moisiu ngushëllon Presidentin Rugova për vrasjen e Zemajt, Kongresisti amerikan Eliot Engel, senatori amerikan Robert Doll, Peter Rondorf i Zyrës Gjermane ka dënuar aktin e vrasjes se kolonelit, Beri Fleçër, zëdhënësi i UNNMIK-ut, Intelektualët nga Tirana ngushëllojnë familjen Zemaj, institucionet dhe popullin e Kosovës. Aty janë reagimet e mërgatës shqiptare nga të gjitha vendet e botës e, sidomos reagimet e degëve të  LDK-së. 
          

Libri ,”MADHËSHTITË E KOLONELIT”ose: “Kështu kanë thënë për heroin Tahir Zemaj”, është i begatuar edhe me shumë fotografi, fotografi këto që kanë vlera të pamohueshme për kohën dhe heroin. Në libër janë  shumë intervista që flasin për luftën e kolonel Tahir Zemajt, flasin për virtytin dhe dashurinë e tij për atdheun, flasin për filozofinë e tij ushtarake dhe strategjitë e luftimeve.
 Aty ka shkrime të marra nga gazetat shqipe. Ka edhe prononcime për figurën madhore të heroit Tahir Zemaj edhe nga intelektual dhe bashkëkombës, për çka libri bëhet shumë më tërheqës, më argumentues, më i veçantë dhe më interesant për lexuesit e të gjitha moshave.
          

Me një fjalë ky është libër, (me gjithë disa lëshime, kryesisht të natyrës teknike si: radhitje kompjuterike, fotografi të dyfishuara, e disa shkrime të përsëritura pa nevojë),është një dokument i kompletuar, një kronikë e kohës sonë, është një histori e llojit të vet, është një antologji e bukur për një pjesë të biografisë se kolonel Tahir Zemajt, e shkruar dhe e thënë ca më ndryshe nga ato që jemi mësuar ti lexojmë gjer tani.
          Ky libër, mbase, është një shembull i mirë se si duhet nderuar Heroi i Kosovës!...
                             Arif Molliqi
__._,_.___
--------------------------------------------------
ahir Zemaj lindi më 28 dhjetor 1951 në Strellc të Epërm, të Pejë , Kosovë. Shqiptar i angazhuar gjate luftes se UÇK-se ne Kosovë. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i mbaron në Strellc dhe Isniq. Pas tyre ndjek gjimnazin “11maji”, në Pejë, pas vitit të dytë orientohet në drejtimin shkencor. Ai rrjedh nga një familje punëtore e fshatare, ka katër vëllëzër dhe tri motra. Dëshira e babës së tij, si e çdo prindi të etur për arsimin e fëmijëve të vet, ka qenë t’u krijonte mundësi fëmijëve për shkollim. Zemaj përmend dëshirën e babës së tij që njëri nga djemtë të studjonte në një akademi ushtarake. “ Vëllai i madh nuk ka qenë shumë i lidhur me familjen dhe prindërit, ndaj kam pranuar të konkuroj dhe kam fituar të drejtën për t’u regjistruar në Akademinë Ushtarake. Kam kaluar pa asnjë pengesë kontrollet psiqike dhe fizike. Kështu kam filluar studimet në Akademinë Ushtarako-Teknike në Zagreb. Gjatë vitit të parë kam pasur vështërsi të jashtëzakonshme lidhur me gjuhën. Të gjitha provimet i kam dhënë duke përdorur fjalorët dy gjuhësh dhe ia kam arritur. Megjithatë, Zagrebi ishte larg nga shtëpia ime, gjë që më pengonte edhe në mësime. Ndaj kam kërkuar të takohem me gjeneral Ramiz Abdylin, Kryeshef i Akademisë Ushtarake në Zagreb. Në atë takim ai më ka sugjeruar që të vazhdoja vitin e dytë në Beograd në akademinë e forcave toksore. Rrjedhimisht vitin e dytë. Me disa provime shtesë, e fillova në Beograd. Kemi qenë 28 shqiptarë të regjistruar. Aty kam gjetur edhe Ahmet Krasniqin. Kjo kohë i përket vitit 1969. Plan-programi mësimor ka qenë shumë i ngarkuar. Ka pasur më tepër lëndë shkencore se sa ushtarake. Matematika, fizika, mekanika, kibernetika, elektroteknika etj, program i ngjeshur mësimor që nuk përballohej lehtë nga studentë që kishin ardhur nga gjimnaze apo shkolla të mesme pa një traditë të konsoliduar. Në fund të vitit të dytë kemi mbetur vetëm dy vetë, unë dhe Ahmet Krasniqi. Në vitin e tretë dhe të katërt kemi vazhduar specializimin në Sarajevë, ku edhe jemi diplomuar. Gradën e parë si “nëntoger” e kemi marrë në Beograd. Në qershor të vitit 1973, kemi filluar punë. Kam kërkuar që të emërohem në Pejë, për fatin tim kërkesa më është pranuar dhe kam filluar punë në kazermën e Pejës. Aty kam qenë komandues i togës së përzier që përfshinte lloje të ndryshme armësh, të lehta e të mesme. Në atë post kam qëndruar një vit. Nënkolonel Ali Muhaxheri, i cili ka qenë një njeri dhe ushtarak i mrekullueshëm, me vizione të qarta atdhetare, punonte në degën e korparmatës së Kosovës. Kam kontaktuar me të. Ai njeri ka pasur dije të gjëra ushtarake, por edhe për shumë gjëra të tjera. Ai më ka nxitur të mësoj e të përvetësoj më thellë disa dije speciale ushtarake. Aty kanë qenë fillesat. Jam promovuar në postin e komanduesit të kompanisë. (Në ndryshim nga terminologjia që përdoret në Shqipëri, në ushtrinë Jugosllave të asaj kohe, pozitat e drejtuesve ushtarak deri në rang batalioni janë quajtur komandues dhe jo komandant. Një ndikim i tillë është reflektuar edhe gjatë luftës në Kosovë, ku, një drejtues skuadre është quajtur komandant – kjo mund ta ketë krijuar edhe atë përshtypjen që ka pasur “shumë komandantë” në luftën e Kosovës. Kur janë mbledhur tre veta, njërin e kanë shpallur komandant ! Rrjedhimisht, ka pasur dhjetëra “komandantë” në një fshat). Deri në nivel batalioni e sipër, kemi të bëjmë me komandant, hiearki që shkon deri në komandant armate. Shkallën e dytë të kualifikimit ushtarak, magjistraturën e kam pasë regjistruar në Beograd dhe ato provime i kam dhënë me sukses. Në Sarajevë jam specializuar për komandant dhe aty kam njohur edhe një epror shqiptar, i cili më vonë është përfshirë në Shtabin Suprem të Republikës së Kosovës, zotin Agim Mehmeti. Ai ka qenë mësimdhënës në akademinë e ulët ushtarake në Sarajevë. Pas pak kohe ai u burgos për shkaqe politike, humbi edhe karrierën ushtarake. Kam qenë komandant në krahinën e Timokut, pastaj kam punuar në organet e zbulimit dhe të kundër-zbulimit pranë organit të Sigurimit për shtete ballkanike. Përsëri ka qenë Muhaxheri, i cili në atë kohë bënte stazhin për komandant divizioni për të marrë gradën e gjeneralit, që më ka sygjeruar “t’i lë punët nëpër shtabe dhe të filloj të aftësohem për komandant – do të thotë të punoja me trupat dhe jo në administratën ushtarake”. Propozimi i tij ka qenë që unë të kaloja në njësitë operative dhe të merrja postin e zëvëndës komandantit të batalionit. Vetëm pas një viti jam emëruar komandant batalioni në Zajeqar, në një moshë shumë të re për atë detyrë. Kjo në vitin 1980. Nuk kam përmendur disa kurse, speciale për zbulim dhe kundër zbulim, pastaj një tjetër për një armë-raketën tokë-tkë të tipit “malutka” 9K11M, minahedhësit 82 milimetra, madje kam qenë i vetmi instruktor i kësaj arme në Armatën e Dytë. Armë të cilën e kam përdorur më vonë në luftë kunër forcave serbe në Kosovë. Ka qenë e vetmja armë artilerike e këmbësorisë, vonë kemi marrë disa minahedhësa 120 në luftën e Kosharës. Më kujtohet - thotë Zemaj – i ashtuquajturi « kundërrevolucion » i vitit 1981 në Kosovë. Ushtria, edhe pase me kushtetutë e kishte të ndaluar që të përzihej në trazirat e brendshme, i futi hundët. Eprorët shqiptarë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë duke e paguar disa herë shumë shtrenjtë. Presioni ndajh eprorëve shqiptarë u rrit jasht mase, ndërkohë, që në mënyrë enigmatike disa kolegë disa kolegë të mi, oficerë shqiptarë « u zhdukën » ! Kjo gjë ka ndodhur edhe me shumë ushtarë shqiptarë. Në Krahinën e Timokut, ku unë shërbeja gjatë asaj kohe, nuk kanë ndodhur këto gjëra dhe jo krejt për meritë timen, pasi edhe komandanti i divizionit ka qenë shqiptar. Për pesë vite nuk ka ndodhur asgjë, asnjë ushtar i plagosur apo i vrarë, asnjë epror i zhdukur. Sigurisht që tentimet për të na provokuar, me qëllim që të na akuzonin e më vonë edhe të na gjykonin nëpër gjykatat ushtarake, kanë qenë të shpeshta, por kanë dështuar.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...