2012-01-18

Magjistari i fjalëve



Një grua doli në tribunë dhe bëri të ditur që, personi për të cilin po prisnim, ishte i gatshëm të fillonte me ligjëratën e tij. “Zonja dhe zotërinj, kritiku i shquar dhe profesori i letërsisë në Universitetin e Oxford-it, John Carey. Ju faleminderit për praninë tuaj”, tha ajo dhe u largua nga foltorja. Profesor Carey pyeti nëse zëri i tij ishte mjaftueshëm kumbues deri në fund të sallës dhe nisi fjalimin mbi biografinë që po promovohej: “William Golding: Njeriu që shkroi ‘Zoti i Mizave’”. Autori i biografisë Carey dha një leksion të mrekullueshëm për peripecitë, krijimtarinë dhe gjithë jetën e novelistit Golding. Kur kreu Carey -si e do zakoni nëpër kësi lloj takimesh- u ul në tryezën skaj foltores për të nënshkruar librat e blerë.

Rreshti ishte i gjatë dhe pas nja një çerek ore më erdhi radha edhe mua ta përshëndesja dhe të merrja firmën e tij. Duke parë kolonën pas meje, shtrëngova dorën e kritikut shpejt e shpejt dhe i thashë që meritonte lëvdata ngase nuk kishte asnjë jetëshkrim për nobelistin Golding. Tek po bëhesha gati të shkëpusja dorën time nga e tija dhe të merrja librin e firmosur, profesori ngriti shikimin dhe më pyeti nga isha me origjinë, ngaqë anglishtja ime kishte aksent europian. “Jam shqiptar”, ju përgjigja shkurt. Befas dhe ende duke tundur dorën time, Carey u ngrit nga karrigia dhe filloi të fliste për shkrimtarin Ismail Kadare. Mandej, vazhdoi të më bombardonte me pyetje, në e kisha lexuar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, …, “Vajza e Agamemnonit”?! Thënë të vërteten, nga një anë po më pëlqente që midis Upper East Side, në njërën ndër pjesët më të pasura dhe sofistikuara të New-York City-t, një autoritet letrar si John Carey po fliste në superlativ për një shkrimtar nga atdheu im origjinal.

Por, nga ana tjetër, zura të sikletohem në mos njerëzit që po prisnin në rresht do të zemëroheshin që po ja çonim pakëz si gjatë. Sidoqoftë, qenë pikërisht disa prej pritësve që gjetën zgjidhjen optimale, pasi që na u afruan profesorit dhe mua dhe lutën Careyn t’u tregonte se si ishte emri i autorit për të cilin po fliste aq me miradi. “Ai quhet Ismail Kadare. Magjistar i fjalëve dhe një shkrimtar brilant. Kam qenë në jurinë e “Man Booker International Prize”, kur ju dha çmimi Kadaresë në vitin 2005. Absolutisht magjik; shkrimtar i shkëlqyeshëm!”, iu drejtua ai atyre që ishin përreth tij.. Ishte 8 qershor 2010. Përjashta, në Rrugën 86 dhe Avenynë Lexington, New-York City i gjallë, i ndezur dhe i bukur po lahej nga rreze të forta të diellit...... Kështu ndodhi edhe në shtator 2010, kur mora avionin përmes Gjermanisë prapa për New-York.

Personi afër meje ishte pjesa mashkullore e çiftit që më kishin pyetur nëse e kishin shkruar drejtë emrin e Ismail Kadaresë në librin e John Careyt mbi William Goldingun, para gati gjashtë muajsh. E ftova burrin të më bashkëngjitej dhe ai u ul në ndenjësen përskaj. Për pak më shumë se një orë, bashkëbiseduesi im ndau me mua me entuziazëm shumë gjëra që kishte mësuar për Kadarenë dhe shqiptarët si dhe gjashtë librat që ai dhe gruaja e tij kishin lexuar prej autorit nga Gjirokastra.

Në çdo intermexo, kur ndalej të fliste për skena nga novelat e Kadaresë, zotëria shtynte revistën “The New Yorker” te ana ime e tavolinës dhe lexonte sa një paragraf sa një tjetër. “Ja këtu për shembull:…Kadare pashmangshmërisht krahasohet me Orwellin dhe Kunderan, por ai është një ironist shumë më i thellë se i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti… ose këtu…ai nganjëherë i shëmbëllen Jose Saramagos, një tjetër tradicionalisti postmodern…ose ja këtu nën portretin e tij…

Kadare shkruan kthjellshëm për të patejdukshmen dhe të padepërtueshmen…”, bënte me gisht burri nëpër faqet e shkrimit mbi Kadarenë. Kur erdhi koha të ngrihesha, i kërkova falje zotërisë dhe shtova se unë mendoja që libri më i mirë i Kadaresë ishte “Kronikë në gur”. Ai u çua në këmbë dhe, duke marrë pozën e njeriut që di për çfarë flet, tha: “Edhe unë edhe gruaja e kemi lexuar “Kronikën” dhe kemi pasur diskutim se cili është libri më i mirë i Kadaresë. Sido që të jetë, të dy jemi pajtuar që “Pallati i ëndrrave” është numër një”.

Qesha me gjithë zemër dhe në të kthyer kah dera, burri më kapi për krahu dhe foli për herë të fundit: “Kadare është vërtetë magjistar i fjalëve. Gruaja ime dhe unë kemi bërë plan të vizitojmë vendin e Kadaresë vitin që vjen, në maj”. I urova udhëtim të mbarë atij dhe bashkëshortes së tij dhe i lashë lamtumirën dashamirit..... Biseda për magjinë e Kadaresë na kishte habitur të dyve. Por, e mira e së mirës, së pakut tash e dija çfarë do t’i blija nuses sime si dhuratë për festën: një libër të ri të magjistarit të fjalëve, Ismail Kadare.

"Gjuetia e zemrave" nga Hamdi Nuhiju





Mendimi perëndimor, i ndërtuar mbi postulatet e renesancës, është mjaftuar me  shkencizmin dhe ka ndërtuar një botë që e përgënjeshtron dhe e mohon të Vërtetën Hyjnore. Në këtë botë, e cila e ka “vrarë zotin”, çdo gjë është e lejuar dhe njeriu tenton  të zërë vendin e Zotit.

Njeriu i sotëm i sheh vlerat shpirtërore si gërmadha dhe mbeturina të rrjedhave historike, mbi të cilat ai duhet të ndërtojë një botë të re ku do të sundojë racionalizmi shkencor, i cili do të pranojë si të qenë vetëm atë që është e perceptueshme. Si rrjedhim, për empirizmin shkencor, përveç realitetit fizik, nuk ekziston kurrfarë realiteti tjetër, pra as edhe realiteti shpirtëror. Pa dyshim se ata që nuk pranojnë asnjë të vërtetë jashtë vëzhgimit dhe përvojës janë të shurdhër dhe të verbër ndaj të Vërtetës së Madhe.

Për rrjedhojë, shkenca moderne është përpjekur që të çojë në refuzimin e mendimit fetar, në mohimin e rolit të fesë dhe mbase edhe në zhdukjen tërësore të saj, ndërkaq rezultati ka qenë i kundërt me pritjet e kësaj mendësie naive.

Krenaria boshe, arroganca intelektuale dhe mbrapshtia e shkencëtarëve ateistë ka shkaktuar vyshkjen e anës shpirtërore, injorimin e aspektit metafizik të njeriut, tëhuajësimin e tij dhe dhënien pas besëtytnive dhe absurditetit. Dehja nga qytetërimi, si rezultat i humbjes së transcendencës dhe dhënia pas materializmit vulgar ka çuar në hedonizëm, në degjenerimin shoqëror dhe në dhënien pas lakmive shfrenuese. Njeriu laik po përpiqet të konsumojë deri në ekstremitet lumturinë e “parajsës” tokësore. Kjo ka rezultuar në zbrazëtinë dhe pakuptimësinë e jetës së tij, duke e privuar atë nga një qëllim më i lartë dhe e ka shtyrë atë të bëjë një jetë të pakuptimtë, një jetë të marrëzishme, të pashpresë dhe të dëshpëruar.

Ana tragjike e gjithë kësaj është se madje edhe disa intelektualë myslimanë, të verbuar nga shkëlqimi i jashtëm perëndimor, konsiderojnë se vetëm përparimi material dhe teknologjik është i domosdoshëm dhe e injorojnë kështu elementin shpirtëror.

Mirëpo, njeriu ka një sërë nevojash të përhershme dhe të pandryshueshme. Përparimi shkencor, ekonomik dhe revolucioni i komunikimit nuk janë në gjendje të përmbushin nevojat e thella psikologjike dhe shpirtërore të qenies njerëzore. Vetëm feja mund t’i përmbushë nevojat e përhershme shpirtërore të tij.

Në hipokrizinë e botës kaotike, shpeshherë, njeriu bashkëkohor e gjen veten në një botë ku, sikurse në xhungël, dominon dhe ngadhënjen jo më i drejti dhe më i ndershmi, por më i forti. Njeriut të sotëm, për shkak se ia ka kthyer shpinën dritës hyjnore, e Vërteta i është bërë e huaj dhe e largët, prandaj kërkon strehim në dritën e shekullarizimit dhe laicizmit, duke u zhytur në errësirën e hipokrizisë dhe blasfemisë. Sipas tij, edhe nëse ekziston apo jo Zoti, kjo nuk ka rëndësi.

Me largimin nga rruga e shpalljes hyjnore, ai është bërë armiku më i madh i vetvetes. Por njeriu nuk është në rivalitet me Krijuesin, por është mëkëmbës dhe rob i Allahut. Pikërisht për këtë, muslimani pason dritën dhe udhëzimin e Krijuesit dhe vepron në përputhje me fjalët dhe veprat e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhammedit a.s.

Autori i librit “Gjuetia e zemrave” përçon porosinë se qëllimi final i jetës është adhurimi dhe robërimi vetëm ndaj Allahut. Në brendinë e këtij libri, lexuesi do të gjejë tema të llojllojshme, që flasin për imanin si ndjenjë e lindur/fitrah, dashurinë ndaj Krijuesit, adhurimin, turpin si pjesë e besimit, dijen dhe pastrimin e zemrave dhe ndriçimin e tyre me nurin hyjnor.

Një libër për Çamërinë
Të tjera fakte historike i shtohen historisë çame. Shoqata “Çamëria” dhe shtëpia botuese “Naimi” organizun kohë më parë  promovimin e librit monografik “Lindja e çështjes çame”, të autores Blerina N. Sadiku.

Studiuesit: Prof. dr Pëllumb Xhufi, Prof. dr. Shaban Sinani dhe Hajredin Isufi, historian, do të flasin për vlerat e këtij libri, njofton ''Panorama''.

“Libri ‘Lindja e çështjes çame, 1820-1943′, i studiueses së re Blerina N. Sadiku, pasuron në një mënyrë origjinale historiografinë mbi Çamërinë, e cila, me gjithë botimet e shumta të këtyre njëzet vjetëve të fundit, vazhdon të mbetet deficitare në raport me interesimin e lexuesit e të vetë shkencës.

“Ky libër, – thotë në përcjelljen e librit Prof. dr. Pëllumb Xhufi, – përveçse është një akt i vërtetë dashurie i autores Blerina Sadiku ndaj tokës së të parëve të saj, është, gjithashtu, një shpalosje të vërtetash historike, nga ato që dikush do të donte të mbeteshin të fshehta e të panjohura përjetë”.

Botohet "Dëshmi për Shkupin shqiptar"



Dëshmi për Shkupin shqiptar" është titulluar botimi i ri i historianit, Skënder Hasani, në të cilin shtjellohet në detaje dokumenti italian për përbërjen etnike të Shkupit gjatë vitit 1912-të dhe 1941-të ku dëshmon dominimin e shqiptarëve në Shkup.

Sipas Hasanit, ky dokument i hedh poshtë të gjitha pretendimet se shqiptarët janë pakicë në Shkup. "Ky dokument i hedh poshtë ato qarqe politike që sajuan regjistrimet ku tregonin se shqiptarët janë pakicë minore në këtë qytet.

Udhërrëfyesit e ndryshëm të mesjetës japin dëshmi se Elevija Çelebija i shekullit të XVII ka cekur se në Shkup flitet gjuha shqipe, dhe jo siç pretendon enciklopedia maqedonase që kanë ardhur në qytet pas luftërave turke", thotë historiani Hasani.

Për të rikthyer autenticitetin historik demografik dhe kulturor të Shkupit, kanë kontribuar edhe projektet e përbashkëta të Shtëpisë Botuese, Shkupi me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë.

"Mund të ndërtojnë buste, mund të ndërtojnë çfarë të duan, por historinë e Shkupit assesi nuk mund ta ndryshojnë.

Vetë fakti i këtij dokumenti ku flet për shqiptarët e Shkupit, flet se si për Shkupin kanë dashur në të kaluarën dhe sot ti ndërrohet struktura e popullsisë, mendoj se kjo nuk do të arrihet", tha Arsim Sinani.

"Shoqata e Botuesve Shqiptarë, i ka paraparë në mënyrë të veçantë hulumtimet, publikimet dhe ngjarjet e rëndësishme të popullit shqiptar", u shpreh historiani Naim Halimi.

"Shtëpia Botuese, 'Shkupi' do të tentojë të thellojë bashkëpunimin me Shoqatën e Historianëve shqiptarë dhe gjatë këtij viti do të përpiqemi të japim kontributin tonë maksimal në botimin e veprave që do të jenë në shpalosjen e të kaluarës shqiptare në Shkup", tha nga ana tjetër Azam Dauti, nga SHBSH. SHBSH, madje promovoi edhe filmin e metrazhit të shkurtër "Monumentet Historike në Shkup".

Fakte të reja në 100 vjetorin e Pavarësisë



Drejtori i këtij institucioni, Beqir Meta, ka bërë me dije se është përcaktuar grupi i punës që do të botojë korpusin e parë prej 15 volumesh që i përket kësaj periudhe. Sipas Metës, vëllimi i parë i këtij korpusi do t’i referohet atmosferës që përgatiti Pavarësinë e Shqipërisë dhe vetë Pavarësinë

Instituti i Historisë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, do të botojë materiale që i takojnë periudhës historike 1912-1991, marrë nga arkivat e huaja. Drejtori i këtij institucioni, Beqir Meta, ka bërë me dije se është përcaktuar grupi i punës që do të botojë korpusin e parë prej 15 volumesh që i përket kësaj periudhe. Sipas Metës, vëllimi i parë i këtij korpusi do t’i referohet atmosferës që përgatiti Pavarësinë e Shqipërisë dhe vetë Pavarësinë. “Një korpus do të ketë 2 ose 3 volume te dokumentave diplomatike italiane, franceze, gjermane dhe dokumente nga arkivat kombëtare të Britanisë së Madhe”, është shprehur Beqir Meta. Grupet e punës do të drejtohen nga një komision i përbashkët për të unifikuar gjithë metodat e botimeve të këtyre dokumentave. Deri në fund të vitit pritet të botohen 15 volume me dokumenta, të cilat do të jenë në shqip dhe në gjuhën origjinale. Ky korpus, për historinë e Shqipërisë do të publikohet edhe on-line. Sipas Metës, ky dokumentacion i ri do të mundësojë edhe krahasimin me faktet historike dhe argumentet që kemi patur deri më sot. “Duke bashkuar edhe metodën objektive të shkrimit të historisë do të krijohen premisa të favorshme që të rishkruhen çështje të veçanta të historisë sonë kombëtare, të ketë rivlerësim të ngjarjeve historike”, është shprehur drejtori i Institutit të Historisë. Në kuadër të aktiviteteve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar do të zhvillohet edhe një konferencë ndërkombëtare, ku do të marin pjesë studiues dhe historianë, shqiptarë e të huaj, për çështjet shqiptare, këto 100 vite si dhe studiues që kanë për të thënë fakte të reja për Shqipërinë.

Premierit Hashim Thaçi i shtohen “armiqtë”



Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nevojë që të reformohet, të ecë në hap me kohën dhe të tregohet e përgjegjshme si në raport me strukturat e saj udhëheqëse, gjithashtu edhe me qytetarin e vendit.

Vendimet që merr krye në vete kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, duhet të zhvendosen aty ku e kanë vendin – në organet e partisë, ku do të kontribuonte fuqishëm e gjithë kryesia e partisë.

Kështu mendon sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili patë thënë një prononcimi për “Zërin”  se është i përqendruar dhe do të përqendrohet çdoherë që ta ndryshojë gjendjen e brendshme në këtë subjekt politik.

“Në të ardhmen e afërt të gjitha angazhimet e mia dhe përpjekjet (do të jenë) për ta reformuar partinë, për ta bërë një subjekt politik të përgjegjshëm, për të qenë në shërbim të vendit dhe atdheut, do të publikohen”, ka thënë ai.

Njëri nga figurat kryesore të partisë më të madhe në vend thotë se mënyra se si merren vendimet në këtë parti nuk është demokratike.

“Vendimmarrja jo gjithherë është në organet e duhura, prandaj edhe angazhimi im ka qenë dhe vazhdon të mbetet që vendimmarrja të mbetet në organet e partisë, në organet që kanë dalë nga një kongres ose kuvend i partisë, organe që parashihen me statutin e Partisë Demokratike dhe natyrisht ta respektojmë edhe programin e partisë, një program dhe një statut që janë të miratuara nga kuvendet e saj”, është shprehur ai.

Sekretari Krasniqi, nuk është i vetmi person në këtë subjekt politik që mendon se partia më e madhe në vend duhet t’i hapë dyert ndaj reformave.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Hydajet Hyseni, thotë se të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të reformohen. 

Hashim Thaçi president, Ramush Haradinaj kryeministër?

Heshtja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjatë muajve të fundit në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës, duket se nuk është e rastësishme. 

Udhëheqësit e partisë opozitare, që në të kaluarën ishin shumë të zhurmshëm dhe kritikë ndaj formës se si qeverisej Kosova, kanë nisur negociatat me kryeministrin Hashim Thaçi për mundësinë që pas zgjedhjeve të ardhshme së bashku të hyjnë në koalicion qeverisës.

Përfaqësuesit e dy subjekteve politike, që në opinion deklarohen si “ujku e dhia”, të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të AAK-së, kohën e fundit janë duke u takuar fshehurazi nëpër vende të ndryshme.

Burime brenda AAK-së kanë treguar se kryeministri Thaçi është shumë i interesuar që t’i zbusë raportet me këtë parti opozitare dhe se ai është duke punuar vazhdimisht që t’ua mbushë mendjen “të fortëve” të Aleancës që në të ardhmen së bashku ta ndajnë pushtetin.

“Janë takuar disa herë, kryesisht në restorante. Në takime nga ne kanë qenë Blerim Shala dhe Daut Haradinaj. Kryeministri u ka ofruar atyre që nëse kthehet Ramushi nga Haga të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve. Propozimi i tij (Thaçit) është që ai të bëhet president e Ramushi kryeministër”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...