Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/03

nga Flori Bruqi :Kush është GJETO TURMULAJ ?






GJETO TURMULAJ
 ka lindur në Razëm të Vrithit, në Shkrel të Malesise se Madhe më 12 Gusht 1942. Shkollën fillore e ka kryer në Vrithë, shkollën 4 vjet "unike" në Fier, të mesmen të përgjithshme pa shkëputje nga puna në gjimnazin "Hydajet Lezha" në Lezhë. Ka shkruar shume poezi, vjersha e rapsodi. Shkruan tek revista "Kuvendi" në Michigan, në revisten "Jeta Katolike" në New York, gazetën "Illyria", New York dhe në revistën fetaro-kulturore në Tuz të Malsisë Madhe "Zani i Shëna Ndout". Ka botuar dy libra me poezi dhe dy në prozë..
Ka botuar:
FJALA SI FILLIM, poezi (2002)
SA LARG, poezi (2004)
UDHA E AKNKTHIT, proze (2007)
GJURM NE ZEMËR, proze (2007)

Bisede me detin

Frynte erë e lehët pranvere
mbi një shkëmb u flisja valëve:
sa është larg Shëngjini prej këtu?

Deti u përgjigj:
largësia matet me zemrën e grishur...
por pyeti një herë Yjet
ata do të flasin me ty
o gjak i pashprishur...

Drita e një ylli zbriti mbi mua
e më tha:
- Jo, jo asgjë nuk është si atje
dashuri kjo hapësirë për ju nuk ka
uji i rrah brigjet me tërbim pa nda`
po toka përse s’të flet çfarë ka...?

Rëra e Jodi nuk qeshin si në Shëngjin
qepriku lot me përvëlim pikoi mbi det
e ajo pikë u bë oqean
zemra strukej si zog shtegtar i pakrahë
shkumbët e detit mbi mua loznin pa dert
e dallga përshkundej në shkëmb e zemëruar

Eh, Oqeani ky gjigand përjetësisht i nervozuar
se si më kërcënon me batice
Atë çast dënesa ime më rrëzoi përdhe
e mallëngjimi u tret deri në brengë
mërgimtar i kohës kisha mbetur peng
klitha, u çjerra, vikata...
me një zë që s’mund ta mbyste as nata
o ofshamë e mjerë më largo këtë mallë
e ti fryma ime shuaju siç shuhen këto valë!

Stamford, më 8 prill 2008

Varur ne tri gozhda

-Meditim në Krezhme nga homolia e Meshes-

Një i vetmi Biri i Hyjit,
në Tre vehtje Hyjinore.
Tre mbretër e adhuruan në lindje.
Tri dekada e tre vite jetoi në tokë,
Tri herë u lutë te kopshti i Gjetsemanit,
Tri herë e mohoi Simon Pjetri ,
Tri herë u rrëzua me Kryq rrugës Golgotes,
Tre Kryqe u vendosen në malë të Kalvarit
Tri gozhda e mbajtën të varur,
Tri orë qëndroji i kryzuar deri në vdekje.
Të Tretën ditë u ngjall nga vdekja,
Ai që ishte
Ai që është
Ai që do të vijë!
Jezusi, Alfa dhe Omega
Jezusi, shpresa e njerzimit,përvujtëria,
JEZUSI vetë dashuria...

Mars, 2008.

VITET E MIJA

" Vargje për vehte,me dat.12.Gusht
në ditën e 65- vjetorit të lindjes"


Më blasfermuan ne gjygj vitet e mia!
Ankimi i tyre ishte ;
-"Ky njeri i kotë
na tërhoqi zvarre për 65 vjet,
e penetroi si nje shurdh memec."

Në "gjykatë" mengjezet e Femijerise
abstenuan.!
Pranverat e Rinisë...
vendosen :
jo denim,ato vite tani më u harruan...

Vjeshtat e Burrerisë u justifikuan,
po ky u përçap i vetem fillikat,
me halle ,tallaze e punë,
e le ta falim të ziun.

Dimrat e Pleqerise me mberthyen;
-O plakush,nga neve nuk ka ikje,
fletet e kalendarit po grisen
dhe për ty jemi në pritje.

I vetedijshem e mora fjalën :
-O vitet e mija;
-Më ndjeni, për 65 minuta,që paskam jetuar .
Eh...po, s'munda të beja hiç me shume!
Gjyqi s'pranoi "meshiren" të me falë....!
E tani rri e pres"denimin" e "grupmoshes se bardhë".

Stamford, 2007.
"MALLI S'KISHTE FJETË GJUMË"

Meditim në vendlindje

Më një shëtitje të trishtë në hullin e memories
hyra në shtëpinë e vjetër.
Deres i'a putha faqen gjithë ankth,
e ajo më ledhatoi me mall.

Votra e zjarrit me një zë dëshpërimi më qortoi:
-Përse je përhumbur?
Harku i oxhakut me buzëqeshi
Vargojtë mbi votër, fytyrën me njohën,
Guri i votres u zgërdhi, e tha:
-Hej më paske vjedhur ngjyrën,!
Dhomat, me flakën hidhnueshëm,
larg netve te harruara...

Të qoshja e shtëpisë, data e gdhendur në gurë,
qe mbuluar nga myshku,
Edhe hekurat e dritareve holluar
prej ndryshku...

Aty në trupin e arres, germa e emrit tim
ishte rrit bashke me trungun
Në livadhet për rreth, me ngjau,se lulet rriteshin
pa kolor, dhe pa aromen e perfumit.
Madje edhe lëndinat, të tjetërsuar nga korrozioni.

Dielli i korrikut,zemrën s'ma ngrohte,
Edhe hana e nervozueme, lindte,lindte tepër
vonë
Ehhh, rinisë time, i kishin humbur gjurmët
përgjithmonë.
Malli s'kishte fjetë gjumë, kaq mote...
-Sa mot?

O streha ime e dikurshme, nën atë çati harrimi,
O vegim,o dritë e frikshme,
me jep ate shpres
të jetoi edhe keto pak vite që me kan mbetur
deri në të largëtat kujtime,
sikurse jeton vargu i poetit në dhimbje?

Razem, Malesi e Madhe, 20. Korrik, 2006.


"TË LUMES TEREZË"

Memorie në përvjetor
Shqipnija e lindi Gonxhe,
Humanizmi e pagezoi "Motër"
me shembull përvujtnie engjellore.
ndriçoi në të 5 Kontinentet...
Jeta për të tjeret,
i fali emnin...
-Nane, pa u ba Nanë,!
zemër madhe sa vet globi.
Vigania e Kalkutes te Indisë.

Misionare e shekullit 20'të,
mbolli shpres ku kje,
i semuri i verbti e sakati,
përhapi dashni ku ishte deshprimi,
jetimi,lebrozi e i pa strehi,
Sheroi mjaft plage të randa
të urise e mjerimit,
atyre...ua shpërndau fitimet e çmimit"Nobel".

Në vegimet shejtnore që përhapi,
si në Psalm porositi:
Më e madhja forc në botë, është lutja
me obligimin zemërpastër
të jetes toksore e të Amshueme.

sa herë e kujtojme të Lumen Terezë,
besojm se:
mbi ne lëshon dritën e Shejtë
me fuqi hyjnore, të Jezusit në Parajse!

5 shtator. 2006.



NJË DITË HOMAZHI.

KUSHTUAR FAN NOLIT !

-MEMORIUM-



Poetë e Shkrimtarë të thjeshtë

...mbi varr të Apostull Nolit u përkulëm

si para një tempulli u lutëm...!

...Ende me vehte

pyesnim...

e pyesim...

e pyesim?

Po, ku ishte...Prometeu ynë..

Poeti , pavdekshmi...i shekujve ?



Zogjtë në Forest Hill...sikur na ligjëruan...

Po,ju...cilin kerkoni...;

-Nolin Kryepeshkop !?

Nolin poet

Nolin përkthyes

Nolin Autoqefal

Nolin muzikant

Nolin politikan

Apo Nolin Rilindasin Shqyptar....!?

jo..dhe jo...Ai...

Ai nuk“gjendet”ketu ndër varre...në Boston!

Ai për amshim qëndron Atje..në Fron...!



Në përkujtim të 101 vjetorit të celebrimit meshës parë në gjuhën shqipe,

nga Imzot Fan Stiljan Noli.

Boston, 22.Mars.2009.

nga Flori Bruqi: Kush është Bardhyl Mezini








Bardhyl Mezini ka lindur në qytetin e Vlorës. Është diplomuar si zooteknik dhe e ka ushtruar këtë profesion në rrethin e Fierit. I dhënë pas profesionit, letërsia ngeli më tepër një kënaqësi se sa një synim. Megjithatë asnjëherë nuk ka qëndruar larg saj. Në gjininë e fabulës e ndien veten më komod.Prej vitit 2000 ka emigruar në SHBA (Micigan).Eshte anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ka botuar librat me fabula:

Gomari refugjat

Parlamenti i Ezopit

Kohë dhelpërish

Është bashkautor në antologjinë “Perëndim i malluar”







Bripërdredhuri



Mëshqerën porsa ka parë,

Fillon mburret kau larë.



Une jam njëshi në fshat,

Me këta brirë të gjatë.



Tjetra bukur ia ka hedhur:

C’dërdëllis, o bripërdredhur

Nuk e di që je i tredhur?!...





Qeni i dekoruar



Qenit që lehte cdo natë

I varën një dekoratë.



Macja, xheloze u bë,

Shkon ia heq, kur ai fle.



Zotërisë perpara ia con,

Dhe i tha:-E shikon?



As këtë nuk ruan dot!

Kjo tregon që leh kot!....

Helmi i fjalës



Nën trung një druvar,

Akrepin sa ka parë,

Atë bisht,tha, të helmuar

Sot kam për ta shkurtuar.



Tha akrepi i zënë mat:

-pse më bie me sëpatë?

Helmin e kemi njëlloj,

Unë në bisht e ti në gojë…..



Miza e kalit



Kishte ngordhur një mizë kali,

Shkoi zogu që ta hante.

Sa afrohet këmbët ndali,

Pasi erë të keqe mbante.



Keshtu bëri dhe zhapiku,

Milingona,qukapiku

Dhe shumë e shumë të tjerë,

S’e hëngrën, si vinte erë.



Bleta që skenën kish parë,

U flet e nervozuar:

Erë do mbajë,more qyqarë,

Në bythë kali ka jetuar.



Alo…Alo…



Zonja ka rënë në hall,

Me te bukurin papagall.

Gjithë sekretet e shtëpisë,

Ia ligjëron njerëzisë.



Kulmin arriti një herë,

Sa pa të zotin në derë,

Përplas krahët,shpupurin:



“-Alo!..Alo, shpirti im,

Burri nesër ka shërbim….”

nga Flori Bruqi:Ziko Kapurani(1951-Jeton)





Ziko Kapurani
, u lind më 6 janar 1951 në sarandë. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Korcë. Pavarësisht nga talenti i spikatur, ai u godit nga diktatura duke kaluar dekada të tëra nën zgjedhën kooperativiste. Prej vitesh punon e jeton në Selanik. Ka botuar këto libra:Në degëzë ahishte, poezi, 1998. Dashuritë e mia, poezi, 1999. Një tango e vjetër, poezi, 2000. I kthyer në re, poezi , 2003. Të ndaluarit, tregime.Pemë në borë, poezi-greqisht. Valixhia e rëndë, tregime,greqisht 2008.



Therrisni


Therrisni zogjte-
Do cicerojne plepat.
Therrisni rritesin e kuajve-
Do oshetijne stallat.
Therrisni rete-
Do tunden gjethet,dallga.
Therrisni pleqte-
Do ngrihen kollitje, kujtime.
Therrisni dashurite-
Do feshferije zemra ime.



Eshte nje qytet

Eshte nje qyteze ne kete bote
Shume thjesht quhet:"qyteti im"
Hartat e medha e marrin per te vogel
Dhe emrin e saj s'e mbajne shenim.

Ajnshtajne s'linden atje,as shopene
As ka rruge qe s'maten me cape
Ka nena qe lindin Asdrene
Kitara qe ul yjet neper parqe.

Bota nuk pa prej c'guri ai ish
Shtepite me pjergulla mbi oborr
Henezat qe dilnin shpesh prej avllish
Dhe e benin qytetin nderqiellor.

Atje ato prita me peme e lule,
Dhe brodha pas tyre si neper enderr
cdo nate qyteti u stolis si nuse
Cdo nate me nisi dhe mua dhenderr.

...Hartat e medha e marrin per te vogel
Dhe emrin saj se marrin shenim
C'na prishi?! Emrin tend moj Korce
E shkruan ne zemer shpirti im.

Lojë me gurë



Të le, Shqipëri,

Dhe pas

Gurë hedh.



Kthehem tek ty përsëri

Dhe gurët mbledh,

Nga kthehem

T’i hedh.



C’lojë, me gurë,

Që s,munda ta le.

Kurrë,

Kurrë.





Nga larg


Do të vesh për krahë dy re

Për këpucë dy dallgë deti

Pantallona Vjosën do vë

Dhe kapele dy pyje bredhi,



Si një zog përralle do ngrihem

Ta ndjej tokën time të largët

Nga qielli ta shoh një qëndisje

Se plagë ajo është nga afër.





Burimit te pyllit.



Ti s'rrjedh me i kristalte nen shkemb,

Nga buzet s'me hyn ne zemer.

Tjeter te gjej sot ne tjeter vend,

Tjeter me gjen nen nje qiell tjeter.



Ne gota fine te shesin ty ne treg

Dhe une zbraz xhepat te te pi

Gjersa iken nga streheza, c'pret,

Te na presin me violi?!

nga Flori Bruqi: Iljaz Arif Bobaj(1951-Jeton)




Iljaz Arif Bobaj,u lind në fshatin Lazarat të rrethit të Gjirokastrës në vitin 1951,në një familje me tradita letrare.
Shkollën fillore e filloi në vendlindje,por e vijoi dhe e përfundoi në qytetin e Delvinës,ku u shpërngulën familjarisht.Ka kryer studimet e larta në degën matematikë-fizikë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër dhe më pas edhe në Universitetin ''E.Çabej'',në Gjirokastër,po në këtë degë.
Prej vitit 1997 ka emigruar së bashku me familjen e tij në qytetin e Patrës,Greqi,ku jeton edhe sot.
Me krijimtari letrare është marrë që në bankat e shkollës,duke botuar në organet e shtypit të kohës kryesisht fabula,poezi,epigrame,tregime,(për të rritur dhe fëmijë) dhe publicistikë.


Është autor i librave:


1.Dora dhe faqja,(fabula).
2.Dhelpra dhe gjyqtari,(fabula).
3.Jetën e pres si të vijë,(poezi).
4.501 fjalë të urta,(fjalë të urta).
5.Molla e sherrit,(fabula).
6.Legjenda e Syrit të Kaltër,(legjendë për fëmijë).
7.Tregu i fjalës,(epigrame).
8.Dino Buzzati ndalohet në doganë,(tregime satirike).
9.777 fjalë të urta,(fjalë të urta).
10.Testamenti i bukurisë,(poezi).
FSHATI I BRAKTISUR

Një mëngjes mbeti i shkretë.
I hapi sytë e dritareve sa mundi,
po më kot,
banorët e vet nuk i pa gjëkundi.


Si vello e zezë,
e mbuloi heshtja e frikshme,
me memecërinë e saj të trishtë.
Dalngadalë shtëpitë u rrënuan,
dritaret një nga një i mbyllën sytë.


BRENDA VETES


Takimet linim ku kish njerëz,
po s'na bashkonte gjë me ta,
se vetëm vetja na mjaftonte,
se brenda saj gjenim gjithshka.


Dhe iknim,brenda vetes mbyllnim,
gjithshka që kishim bashkarisht,
takoheshim,i hapnim dyert,
gjithshka bashkonim ne sërish.


Kështu e mbajtëm ç'kishim tonën,
të patrazuar unë e ti,
vullkan i shpirtit zjarr e valë
dhe digjet,edhe s'lëshon hi.


ATDHEU IM


Historia jote,
zinxhir i artë,
vende-vende i prerë.


Jo pak copëra të tij,
i kanë rrëmbyer të tjerë.


VENDLINDJA


Vendlindja ime,
u lodh duke më pritur
dhe unë u lodha me mend duke shkuar.


E humbëm njeri-tjetrin,
duke e dëshiruar.


2002


NË LOJËN TËNDE


Me bukurinë tënde vrastare,
jetova gjëmën e paparë,
kam qenë vullkan,po kurrë i shuar,
kam qenë i urtë,kam qenë i marrë.


Kam qenë fitues edhe humbës,
kam qenë gjithshka,kam qenë asgjë,
si një që e tërheq nga dora
dhe kur të duash prapë e lë.


Unë s'isha veçse një qyqar,
në lojën tënde të pasosur,
sa herë ke dashur më ke vrarë,
më ke shëruar e plagosur.


Dhe mbeta prapë kështu si mbeta,
ngritur në qiell,vënë përfund,
përherë gjysmak,fëmijë dhe burrë,
sa e gjej veten,prapë e humb.


2001





POETËT


Në jetë,
janë krejt të zakonshëm,
të thjeshtë,
të urtë,
të varfër,
punëtorë.


Në libra,
janë perandorë.


2006

KËNGA SHQIPTARE


Herë e butë si një petël,herë e ndjerë si një fllad,
herë ledhatore si vala,herë e ngrohtë si një mall.


Herë e lehtë si një pendë,herë e rëndë si tërmet,
herë e trishtë si vetmi,herë e hareshme si det.


Herë e qetë si shushurimë,herë e beftë si shpërthim,
herë e shpejtë si vetëtimë,herë e thellë si gjëmim.


Herë valzore si një nuse,herë flatrore si shqiponjë,
herë nazike si një vajzë,herë e rëndë si një zonjë.


Me finesën,hijeshinë,rrallësinë e këngës sonë,
cila këngë tjetër di,të hedhë valle gojë më gojë ?


Vijmë me të dhe me të ikim,brezash në pafundësi,
jetën tonë e lëmë në këngë,shpirtin tonë e lëmë aty.


2000


NË PARK


Të vegjëlit shlodhin trurin dhe lodhin trupin,
me lodra,vrapime.
Të rriturit shlodhin trupin dhe lodhin trurin,
duke bluar mendime.


2004
NË OLIMPIAN E LASHTË

Zeusi u nxeh,mori perënditë dhe iku,
duke djegur qiellin me pishtarë të zjarrtë.
Qytetin e pambrojtur koha e ka tretur,
kolonat ia ka thyer,
gurët ia ka shpërndarë,
si copëra kockash të një skeleti gjigand.
. . .
Vetëm lavdia ka mbetur e gjallë.


Olimpia e lashtë,2002


QANTE NJË VAJZË E HIJSHME


Qante një vajzë e hijshme si zanë,
në skutat e hidhërimit e strukur,
po prapë qe e magjishme fytyra e saj,
edhe lotin e kish të bukur.





BOTA E PYLLIT


E madhe,paanë,magjike,e bekuar.
E vogël,e vetme,e mbyllur,e harruar.


E butë,e ëmbël,e ndjerë,miqësore.
E egër,e zymtë,e nderë,djallëzore.


E qetë,paqësore,e lirë,e shtruar.
E gjallë,shamatore,e vrrullshme,e trazuar.


E ngrohtë,mikpritëse,joshëse,bujare.
E ftohtë,e huaj,e mjegullt,tinzare.


E re,e freskët,e brishtë,përrallore.
E vjetër,e thinjur,e rudhur,shekullore.


E qeshur,e hijshme,e këngës,e bleruar.
E trishtë,e vrarë,e lodhur,e hutuar.
. . .
Bota e pyllit,
e madhe,e bukur,e mistershme,
e thellë,e dhimbshme,si bota e njerëzve.

RRJEDHA SPONTANE E VARGJEVE




 
 
Ismail SYLA 
 
Mendime e vlerësime mbi krijimtarinë poetike të poetit AVNI AZIZI 

Ismail SYLA

Kritiku dhe studiuesi letrar Sabri Hamiti është autor i një shkrimi diskurziv “Ese mbi librin e parë” në të cilin vërtetohet anticipimi mbi tre poet që paraqiten me libra të arrirë që në fillim të daljes para publikut lexues, kurse botimi i mëtutjeshëm verifikon parashikimin mbi ta. 

Nga poetët që krijojnë dhe botojnë aktualisht, emri i Avni Azizit është shpresëdhënës se do të paraqitet në të ardhmen me libra të arrirë dhe të drejtpeshuar mirë në çdo aspekt, në radhë të parë duke u bazuar në lirikat e librit të tij të parë “Buzëqeshjet e thyera” dhe botimet e ndryshme nëpër periodikun tonë. Përmbledhja e parë e Avni Azizit përmban poezi të realizuara në shkallë të lakmueshme, qoftë në rrafshin e ideve të qëndrueshme, qoftë me atmosferën lirike që sugjestionon me spontanitetin dhe rrjedhën e shpenguar të ligjërimit lirik. Këto rrafshe të ligjërimit poetik i gjejmë në një pjesë të poezive më të mira në përmbledhje, që dëshmojnë talentin e poetit për të krijuar vlera të mirëfillta artistike.   
Autori që në fillim poezia “Portat e poezisë” e kupton botën e artit dhe kërkon futjen në atë botë duke shkëmbyer konkreten (bilbilin dhe trëndafilin) me abstrakten (feniksin) dhe të pamundurën të humburën që dëshiron të ri konstruktohet si realitet mendor dhe shpirtëror (Atlantidën). Rruga jetësore e njeriut, arti i pushtimit të caqeve të gjakuara në poezinë “Deti im” shfaqen me një spontanitet dhe siguri duke krijuar imazhin e fiktives, Ideales, aktin e krijim-frymëzimit kur nisë “gëlltitja e gjërave” e gjërave e jep poezia “Natyrë e gjallë” – Abazhuri gëlltiti errësirën / Taketukja pakon / Fletët gëlltisin shkronjat / Frymëzimi njeriun.
   Një varg tjetër poezish janë të tipit metapoezi (poezi për poezinë) ku shtrohen kritere dhe kërkesa të caktuara estetike. Edhe thërmiat lirike me intensitet erotik shquhen për vrejtëshmërinë e hollë të poetit që shpesh kurorëzohen suksesshëm me mbështjellje metaforike. Në poezinë e tij përgjithësisht aktivizohet një numër i madh “fjalësh jo poetike” por të përdorura në kontekst të ideve nuk mbesin jashtë funksionit lirik kjo edhe është përparësi krijuese e autorit. Në përmbledhje hetohen edhe vargje ide dhe imazhe që janë mjaftë funksionale po të ruajnë drejtpeshimin brenda poezisë si njësi e pavarur dhe substanciale e ndjenjave ideve dhe realizimit stilistik.

Bajram KOSUMI 

Që me librin e tij të parë « Buzëqeshjet e thyera » (pranverë e thyer, prill i thyer, dashuri e thyer) poeti Avni Azizi e arrin standardin e poezisë bashkëkohëse shqipe. Ecja nëpër rrugën e rrahur të poezisë rrallëherë i krijon poetit siguri të gjatë, e për këtë është i vetëdijshëm edhe poeti. Ai mëton të krijojë tjera marrëdhënie me poezinë : ia dhuron asaj bilbilin e trëndafilin dhe i kërkon Feniksin dhe Atlantidën.   
Ky qëndrim ndaj poezisë nuk është vetëm programatik, sepse në disa poezi të këtij libri shënjohen prirje për thyerjen e standardes. Këto prirje nuk anojnë, siç ndodhë shpesh te poetët e rinj, kah eksperimentimi, por shprehen në ligjërimin e ngulitur poetik, në idetë, në krijimin e natyrshëm të figurës, etj.  Botimi i librit « Buzëqeshjet e thyera » të Avni AZIZI –it e pasuron poezinë shqipe dhe i hapë portën e poezisë poetit të ri.
Korrik 1995

BARASPESHA E MENDIMIT TË SHFAQUR POETIK 

Merxhan Avdyli

Baraspesha e mendimit, fuqia e fjalës dhe shtresat kuptimore janë përbërësit themelor të bërjes së poezisë së Avni Azizit. Intelekti, intuita dhe invencioni janë shenja dalluese që shquhen në përgatitjen poetike të poezisë së këtij poeti. Intima, përkushtimi dhe refleksi i japin vulë të veçantë poezisë së tij. Lidhja e tërësisë poetike, në përmbledhjen “Buzëqeshjet e thyera” bashkë me leximin e lehtë dhe të këndshëm të shpijnë te kuptimi i drejt i poetikës së një poeti që po vjen, i cili ndonëse fillimtar, në poezi, është fitimtar.
    Një aftësi e theksuar e Avni Azizit në poezi është krijimi i artit thënës, i artit që të thënës i jep domethënie të veçantë, që domethënien e veçantë e kuptimëson pa hamendje dhe hutueshëm. Poezinë e Avni Azizit askush nuk mund ta lexojë pahetueshëm. Te poezia e tij shumëçka është e dukshme dhe e tejdukshme, e pasur dhe e pastër, e krijuar për t u lexuar dhe për të mbetur.

Përmbledhja e poezive “Buzëqeshjet e thyera” ndahet në katër njësi të veçanta poetike. Secila tufëz poetike, e ndarë nga tërësia, i ka karakteristikat e veta të veçanta, të cilat së bashku mbulojnë titullin e përmbledhjes, e cila si tufë e parë e poezive të këtij poeti të ri, del mjaft interesante.
   Cikli i parë i përmbledhjes mban titullin “Shpresë e shpaluar”. Në poezitë e këtij cikli vihet re një prirje e përgjithshme e intimitetit të autorit një si shpalim i shpresave. Kemi këtu ballafaqimin e gjërave në të cilat shpresa vetanake, udhëtimi individual, apo qoftë edhe dhembja, të poetizuara dalin mjaft mirë të realizuara artistikisht. Poezia e parë me titull “Portat e poezive” është njëra prej poezive më të mira dhe më të realizuara, e cila shpreh dëshirën intime të autorit për të qenë poet, përkatësisht shpreh përpjekjet e tij për të krijuar marrëdhënie intime me vet poezinë, për të arritur deri te gatishmëria e poetit për të këmbyer me poezinë një feniks dhe një Atlantidë, për një trëndafil dhe një bilbil.  Një raport të ngjashëm poeti dëshiron të krijoj edhe me muzën e poezisë dhe të muzikës, Evterpin nga e cila, në fund kërkon, madje edhe t’ia mbuloj trupin me fjolla lirike, dëshirë të cilën e konfirmon te poezia “Unë dhe Evterpi” Po te ky cikël i poezive ndeshemi edhe me dëshirën e poetit për të qenë udhëtar i palodhur, qoftë drejt detit. (Poezia Deti im)  Vetmia malli, dhembja janë gjithashtu nocione, jo vetëm filozofike, as jo vetëm poetike, të cilat përplotësojnë mendimet e shprehura artistikisht dhe i japin rëndësi të veçantë poetikës së poetit në fjalë.
    Cikli i dytë i përmbledhjes që titullohet “Pamja e natyrës së gjallë” ngërthen në vete poezinë paksa më të konkretizuar. Lirizmi i këtij cikli është ndërtuar mbi baza të figurave nga natyra, qoftë konkrete apo edhe abstrakte, duke u dhënë shpirt sendeve të ndryshme por edhe dukurive të ndryshme natyrore, duke u dhënë atyre formë të veçantë. Të kësaj natyre janë poezitë: “Natyrë e gjallë”, “Nata e ndezur”, “Ura” e ndonjë tjetër. 
“Duke pritur buzëqeshjet” emërtohet cikli i tretë i poezive, ku janë të përfshira poezitë, në të cilat objektivi poetik është i përqendruar në tashmërinë tonë shoqërore, politike dhe kombëtare. Tek këto poezi dalin në pah preokupimet e poetit për fatet e atdheut, në të cilin “diejt rrezojnë e valët gjëmojnë”, për fatin e Kosovës, të cilin “sa herë e kemi përmendur, buka na është zënë në fyt” “për tokën “nga prangat e përgjakur” për të ardhur deri tek përkushtimet poetike, që janë brenda sferës poetike të autorit, si ndaj të burgosurit, martirit, luftëtarit të lirisë etj.  Është interesant se përkushtimet e këtij poeti nuk janë përkushtime të pa definuari, ato shpeshherë janë fare të qarta, me domethënie dhe kuptimplota.
      Cikli i katërt dhe i fundit mban titullin “Rritja e barit të egër” në të cilin ndeshemi me një poetizim më të theksuar, përmes, ironisë, madje edhe sarkazmës të dukurive të ndryshme, të veprimeve të ndryshme, të veseve të këqija njerëzore. Kemi këtu, madje edhe një shpalim të prirjeve të ndryshme të mashtrimit, apo të moralit të dyfishtë, që mundohen të arrijnë deri tek qëllimet e tyre me refleksione negative. Të gjitha këto dukuri, bashkë me bartësit e tyre, fishkëllehen nga poeti si p.sh. te poezitë “Erërat”, “Pritje e rrejshme”, Nostradamusi”, “Misionari”, Vizitori”, “Petku i ri” e ndonjë tjetër në të cilat veç pasurisë figurative nuk mungon as pasuria e mendimeve të shprehura.
Prandaj për poezinë e Avni Azizit mund të thuhet, pa hezitim, se është poezi në të cilën ekziston një baraspeshë e mendimit të shfaqur poetik, me kuptimin e asaj që thuhet e që shprehet e ka kuptimin e vet, e ka plotësinë, të cilës nuk i mungon domethënia, që bashkë me shtresat e saja kuptimore dhe me fuqinë e fjalës, e cila është e shprehur me një lirizëm lehtë të kapshëm përbëjnë krejt bazën poetike në të cilën është ndërtuar poezia e Avni Azizit.
Lidhja e tërësisë poetike në përmbledhjen “Buzëqeshjet e thyera” bashkë me leximin që është fare i lehtë, dhe aspak i bezdisshëm, por, madje edhe i këndshëm të shpiejnë deri te kuptimi i drejtë i poetikës së një poeti që po vjen, i një poeti i cili që në përmbledhjen e parë të tij ani pse fillimtar është fitimtarë, është fitimtarë sepse ngadhënjen në përpjekjet e tij për ta krijuar poezinë ashtu çfarë mëton ta bëj.
Një aftësi tjetër e Avni Azizit është edhe krijimi i artit thënës, i atij arti që asaj të thëne i jep, madje domethënie të veçantë, duke e kuptimësuar pastaj atë hetueshëm. Prandaj poezinë e poetit Avni Azizit askush nuk mund ta lexoj pahetueshëm, sepse te poezia e tij shumëçka është e dukshme dhe e tejdukshme, ajo është poezi e pasur figurativisht dhe e pastër gjuhësisht, është poezi që është krijuar për t’u lexuar dhe për të mbetur.
Duke u bazuar në lirikat e këtij libri ekzistojnë shpresat se ky poet në të ardhmen mund të dëshmohet. 

ËSHTË LEHTË TA NJOHËSH POETIN...

Bajrush Xhemajli

     Njeriu, me shumë njerëz mund të takohet edhe të rrijë me ta, e ndodhë të mos i njoh apo edhe të mos dojë t’i njoh, madje shumë prej tyre as që ka pse t’i njoh, ndërsa me shumë të tjerë, edhe pse ndoshta kurrë s’i ka parë, mund t’i njoh fort mirë! E poetin Avni Azizi nuk është vështirë ta njohësh.
Në pjesën e çliruar të tokës shqiptare, poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, detyrohet t’i “lutë” minatorët. “vetëm ju të më jepni motivet. Motivet. E për poetin që e përjeton rëndë robërinë, nuk është vështirë t’i gjejë ato në Kosovën e trazuar - vullkan, madje ky poet i kësaj toke të robëruar sikur çuditet me ata “poet” të cilët në mungesë frymëzimi shkarravisin ashtu që “Nëpër ashensor shkruajnë vargje të poezive lirike” (Antiart) dhe në këtë mënyrë e banalizojnë aq keq artin.
   Motivet frymëzuese Avniu i gjen në të kaluarën tonë historike, në realitetin e ashpër në të cilin jeton ky popull i robëruar, në meditim, në ecje... Filozofinë popullore nuk e merr vetëm si dekor poetik por e pragmatizon, nga që bajlozët “Të gjithë njësoj janë të zinj” andaj patjetër duhet që “Zjarri të mos shuhet kurrë / për udhëtarin e vonuar / e për flamur bëhu edhe urë” (Më tha një plak). Mbi të gjitha poetin e mundon Kosova në pranga. Dhembjen për tragjiken e popullit të ndarë, gjysma e të cilit mezi frymon nën peshën e rëndë të robërisë e ka shprehur në mënyrë emocionale. Për Kosovën e vuajtur do të thotë plot dhembje: “Sa herë të kemi përmendur / Buka në fyt na është zënë” andaj edhe s’pushon së medituari për ata që për t’ia hequr prangat e robërisë flijuan pjesën më të mirë të jetës nëpër burgje e shumë nga ata edhe u martirizuan, u shndërruan në përmendore, të cilat poeti i viziton me pietet: Kaluam pranë lapidarit / Ku shkrihej buzëqeshja e heroit në të / E morëm një pjesë të buzëqeshjes së tij’ ( Buzëqeshje).
   Aq sa është e gjatë robëria, po aq do të jetë e gjatë përpjekja e të robëruarit për t’u çliruar, andaj burgjet e okupatorëve janë të mbushura me të burgosur, gjeneratat e të cilëve ndërrohen e shumë prej tyre edhe riburgosen. Këtë realitet e përjeton thellë ky mjeshtër i fjalës së shkruar, tamam si t’i kishte kaluar vetë këta rrathë të ferrit dantesk. Ai sikur sheh si në shuplakë të dorës jetën në këtë kazamat ku jemi Shkëlzeni, Fehmiu, Hysniu, Bajrami..., që sapo kanë shkelur në dekadën e tretë të jetës, mbajnë burgun e parë të tyre dhe ndjehen tamam si nxënës ndaj të riburgosurve të cilët edhe për nga mosha janë më të vjetër – ndaj bacit Shefki, Ramadanit, Xhavitit, Dinit...: “Aty nxënësit tuaj do t’i gjeni / Në qelitë ku keni qëndruar dikur / Përsëri së bashku do të jeni / Me inicialet e shkruara në mur” (Të burgosurit).
   Veçse poeti i shqetësuar për fatin kombëtar, nuk do të mjaftohet në riprodhimin artistik të këtij realiteti të ashpër objektiv; ai ato motive të cilat ia japin ata që kanë “Fjalën flamur/ zërin atdhe / zemrën gurë” (Hapi yt), nuk do vetëm që t’ia transponojë vetëm artistikisht veprimtarinë e tyre atdhetare, por ai, meqë e ndjenë”... si gumëzhinë historia” (toka) dhe meqë është i bindur se, me gjithë përgjumjen narkotike që ka krijuar aktualisht kreu politik shqiptar, “Doemos një ditë / nga gjumi do të zgjohen pritjet / Me flakën e ëndrrave / Do të shuajnë dashurinë e dheut” (“Zgjimi i pritjeve), andaj edhe vetë poeti do të vihet në dispozicion të kauzës sonë supreme me tërë qenien e tij, sepse, “Edhe unë jam një atom / I tokës nga prangat përgjakura / Tokës që po i japim frymë” (Toka) madje ai nuk do të kursej asgjë: zemrën, fjalën e tij të kulluar, ëndrrën... aq sa me tërë zemërgjerësinë dhe sinqeritetin thotë: “Urdhëroni këtë pjesë jete / që më ka mbetur / Ja urdhëroni ... / Merrni të gjitha (Urdhëroni) gjë që vërtet është e madhërishme.
Veçse poeti i shqetësuar për fatin kombëtar, nuk do të mjaftohet në riprodhimin artistik të këtij realiteti të ashpër objektiv; ai ato motive të cilat ia japin ata që kanë “Fjalën flamur/ zërin atdhe / zemrën gurë” (Hapi yt), nuk do vetëm që t’ia transponojë vetëm artistikisht veprimtarinë e tyre atdhetare, por ai, meqë e ndjenë”... si gumëzhinë historia” (toka) dhe meqë është i bindur se, me gjithë përgjumjen narkotike që ka krijuar aktualisht kreu politik shqiptar, “Doemos një ditë / nga gjumi do të zgjohen pritjet / Me flakën e ëndrrave / Do të shuajnë dashurinë e dheut” (“Zgjimi i pritjeve), andaj edhe vetë poeti do të vihet në dispozicion të kauzës sonë supreme me tërë qenien e tij, sepse, “Edhe unë jam një atom / I tokës nga prangat përgjakura / Tokës që po i japim frymë” (Toka) madje ai nuk do të kursej asgjë: zemrën, fjalën e tij të kulluar, ëndrrën... aq sa me tërë zemërgjerësinë dhe sinqeritetin thotë: “Urdhëroni këtë pjesë jete / që më ka mbetur / Ja urdhëroni ... / Merrni të gjitha (Urdhëroni) gjë që vërtet është e madhërishme.
   Këto vargje s’kanë se si të mos ma kujtojnë altruizmin e poetit hungarez Shandor Pëtef, i cili filloj me vargje e pastaj, po me të njëjtin temperament dhe vendosmëri, edhe me tërë qenien e tij i sfidoi mbretërit të cilët veç ishin bërë pengesë për ecjen përpara të shoqërisë njerëzore. Pra poetin e ri e njoha në vargjet e tij të cilat padyshim në vetvete përmbajnë artistiken – të bukurën, të mirën, dhe të madhërishmen. Veçse për këto anë të poezisë, ashtu si edhe për shtresat kuptimore të vargut poetik të tij, për figuracionin e metaforat që përdor, për sintaksën e vargut etj, me siguri që nuk do të mungojnë kritikët letrar të cilët do ta japin fjalën e tyre meritore si për vargjet e shkruara ashtu edhe për ato që do t’i shkruaj në të ardhmen ky poet i ri e i talentuar. 

   Me këtë rast  vetëm desha të theksoj se vargjet e poezisë së tij patriotike, padyshim se, ndër të tjera, kanë edhe dobi të madhe utilitare për kohën dhe rrethanat që po i mbijetojmë si popull i robëruar, anë kjo e cila nga shumë poet lëre që s’kultivohet por edhe përçmohet! Pra, poezia e tij patriotike është një klithje e fuqishme për ndërgjegjësimin e ngjeshjes së radhëve për liri. Me këtë vepër, poezisë sonë atdhetare, padyshim që i janë shtuar vargje të mirëfillta, të cilat do t’i qëndrojnë kohës. Poetit të ri i uroj nga zemra suksese të reja drejt Olimpit poetik.

Shqiptari Bekim Fehmiu – artist dhe shqiptarët si komb ishin bashkë?



Shkruan: Xhevat REXHAJ



Të merresh me tema të ndryshme në ditët e sotme kur jetojmë si shtetas të lirë të Republikës së Kosovës në veçanti, dhe si shqiptarë në përgjithësi nuk është e lehtë. Për këtë duhet ose të jesh realistë dhe i drejtë ose të jesh i varur nga mendësia e jonë ende naive dhe primitive për rrethanat dhe kushtet kur jemi duke jetuar. Kjo vjen nga fakti se ne shqiptarët fatkeqësisht ende jetojmë me stereotipa dhe mentalitete jo vetëm ballkanike por thjeshtë të ndryshkura nga e kaluara e jonë jo e mirë në të gjitha sferat jetësore që i patëm.



Ne shqiptarët që lindem dhe u rritëm pa dëshirën tonë në një shtet që ishte njerkë për neve, e patëm fatin dhe fatkeqësinë që të ishim pjesë e një shoqërie ku një arritje e vogël e ndonjë shqiptari në ndonjë lami të caktuar jetësore, ishte kënaqësia më e madhe e jona. Ne shqiptarët ishim të lumtur kur ndonjë shqiptarë përfaqësonte emrin tonë në sport, kulturë apo diç tjetër, ne mburreshim ngase ishim të etur që të njiheshim edhe te të tjerët se çfarë vlerash kemi si komb edhe pse të pushtuar nga jugosllavizmi. Gjendja fatkeqësisht nuk ishte edhe aq më e mirë as në shtetin amë ngase socio-komunizmi enveristë ishte i izoluar total nga bota demokratike, dhe populli vuante nga diktatura e egër.



Të gjitha këto ndoshta luajtën një rol në perceptimet dhe orientimet tona se çdo gjë çka ishte e lidhur me jugosllavizmin ishte jo shqiptare, pra ishte thjeshtë serbe, dhe se edhe ata shqiptarë që korrnin suksese të ndryshme në arenat e atij shteti dhe në arenat ndërkombëtare, nuk duhej të përfilleshin, ngase kinse nuk përfaqësonin emrin shqiptarë por diç tjetër?



Ne shqiptarët aso kohe dinim pak ose hiq se një femër me emër dhe mbiemër shqiptare ishte nder gratë më të njohura në botë, Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, ne shqiptarët kishim Rifat Gjotën e Madh, ne kishim A. Salihun,Xh. Pecin,N. Gashin,M. Bogujevcin boksier të gjithë me renome ndërkombëtare, F. Vokrrin, Xh. Muriqin, Xh. Prekazin,K. Shalën, futbollistë me nam ndërkombëtar, kishim profesor dhe shkencëtar me referenca ndërkombëtarë, kishim njerëz të shumtë të artit dhe kulturës e sportit që ngritën emrin e shqiptarit në piedestalin më të madh të mundshëm edhe pse rrethanat politike nuk i favorizonin ata, por ata u tregonin gjeneratave të ardhshme se kombi duhet me vepra e jo me fjalë. Të gjithë këta dhe mijëra të tjerë ishin luftëtarë të denjë të çështjes kombëtare, këta më shumë se të tjerët luftën e bënë me mjete demokratike dhe me zell të madh për emancipimin dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Të tillët edhe nëse ne duam ti harrojmë nuk i harron historia ngase ishin pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare edhe pse nënë pushtim politik.



Në gjithë këtë vorbull paragjykimesh tona ne ende nuk po mund të krijojmë ndjenjën e të dashurit dhe të respektit tonë ndaj vlerave madhështore që dha kombi ynë në përgjithësi e individët në veçanti. Populli shqiptarë kishte artistë të mëdhenj, A. Shalën, F. Begollin, Xh. Qenën, H.Shehun e qindra të tjerë të cilët formuan dhe zhvilluan artin, teatrin dhe filmin kosovar-shqiptarë, vetëm ata e kanë ditur se si ishte të punohej dhe të mendohej shqip atyre viteve dhe dekadave. Po ato vite kishim doajenët e teatrit dhe filmit me përmasa të mëdha edhe ndërkombëtare, Enver Petrovcin e madh dhe të papërsëriturin, të ndjerin tani më, Bekim Fehmiun. Po, par dy ditësh Bekimi ia mori jetën vetes, Bekimi ndërroi jetë dhe shkoi në amshim, po Bekimi jetoi dhe punoi në Beograd, kishte gruan jo shqiptare, ka dy djem Hedonin dhe Uliksin por mbiemrin e kanë shqiptarë-Fehmiu. I madh ishte Bekim Fehmiu, më i madh se Jugosllavia e atëhershme, i fortë ishte Bekim Fehmiu më i fortë se ai shtet, i mençur ishte Bekimi më i mençur se rrethanat politike të pafavorshme për te dhe shqiptarët, artistë i madh ishte Bekimi më i madh se të gjithë artistët e atij shteti, shqiptarë ishte Bekimi se gjakun dhe emrin e kishte shqiptarë më i madh dhe më i fortë se shumë shqiptarë të tjerë patriot të vetëquajtur, Bekimi ishte vetë madhështia e të qenit shqiptarë.



A e njihnim ne Bekimin, po, a e donim ne Bekimin ,po, a e çmonim ne Bekimin jo?! Nuk e çmonim sa duhet ngase ai jetonte në Beograd, kishte tjetër grua dhe për ne ishte i huaj? Koha e hanë kashtën thotë populli, zhvillimet politike të atëhershme sollën ndarje edhe më të mëdha ndaj nesh e Bekimit,ne mundoheshim me mjetet tona të çliroheshim nga okupimi ndërsa Bekimi tani më i ndjerë kishte metodën e vetë të ndihmës për çlirimin e Kosovës, ai qysh me 1987 pas kongresit të shkrimtarëve të ish Jugosllavisë në Novi Sad kur i Madhi i kombit Dr. Ibrahim Rugova iu tha mjaftë më serbëve, dhe shkatërroi shoqatën e atëhershme, duke u thënë serbëve se Kosova do pavarësi, Bekim Fehmiu ndërpreu aktivitetin e tij nga artisti në shenjë proteste të shovenizmit serb kundër shqiptarëve, a nuk është kjo madhështi kur një njeri i tillë si Bekimi ndërmerr kësi hapi, po ishte. Po çfarë bëmë ne shqiptarët për Bekimin asgjë, e harruam e lamë të vetëm në greminë, e hedhim si dimë vetëm ne shqiptarët të i hedhim vlerat, mbaroi lufta dhe ne Bekimin e harruam krejtësisht, ne i duheshim atij ngase edhe ai na duhej neve më shumë. Bekim Fehmiu nuk ishte patriot me bateria, nuk ishte popullist, nuk ishte fjalamanë ai ishte artistë dhe ishte me gjak e me zemër shqiptarë, ai nuk ishte as Ali Shukri e as Sinan Hasan pro serb, jo ai ishte vetë shqiptari që jetoi dhe punoi si shqiptarë duke ia rritur emrin kombit.



Vdiq Bekim Fehmiu, mjetet tona të informimit e jepnin lajmin diku nga fundi, politikanët pritnin se kush i pari do thotë diçka nga frika e njëri tjetrit, u treguan të vegjël dhe të dobët këta politikanca kosovar, ngase e dinin se Bekimi ishte më i madh se ata, dhe se ishte më kombëtar se ata, Bekimi nuk vodhi dhe nuk vrau shqiptarët, Bekimi nuk bëri korrupsion dhe kriminalitet në kurriz të popullit, Bekimi nuk iu nënshtrua diktatit politik të politikuajve tanë por mbeti ai që ishte, i Madh si artist dhe i Madh si shqiptarë. Ku mbeti qeveria e Kosovës dhe zyra e kryeministrit, mbeti aty ku e ka vendin në marrinë e strofullit të vetë, se çka din dhia çka a tagjia, thotë prapë populli, aq din edhe qeveritarët.



Rrallë lindin njerëz të mëdhenj, ata meritojnë kujtesën tonë të përhershme, i tillë ishte Bekim Fehmiu, artisti më i famshëm shqiptarë i të gjitha kohërave, të vegjël jemi ne karshi veprës së tij ngase ma shumë e çmoi bota artdashëse sesa ne shqiptarët, bashkëkombësit e tij, ndoshta do e respektojmë më shumë pas vdekjes së tij se kështu e kemi adet ne shqiptarët. Ishte shumë me rëndësi të lexohej intervista e djalit të tij Hedonit, ku ai tregoi prejardhjen prej gjyshit e sot, Familje e shkolluar dhe familje me veti vërtet shqiptare, ai tregoi konkretisht se çfarë domethënie kishin emrat e fëmijëve të familjes Fehmiu, andaj edhe fëmijët e tij kanë gjak shqiptari, se baba është trungu i familjes themi ne shqiptarët, e kemi detyrim që edhe fëmijët e tij të i nderojmë, së paku.



Shpirti i Bekim Fehmiut do të jetë në Prizren, në kryeqytetin e shqiptarëve ngase Bekimi ishte kryevepra e artit shqiptarë.

nga Flori Bruqi :Cikël poetik nga Radije Hoxha,` Dija`.






Radije Hoxha-Dija


















Radije Hoxha,` Dija` është shqiptare me prejardhje nga Kosova. E lindur ne Shkup. Shkollen fillore dhe te mesme (te mjeksise, dega infermiere) i kreu ne Shkup, Maqedoni. Studjoi mjeksine ne Universitetin e Prishtines, ne Kosove.Ka diplomuar per Mjeksi Tradicionale Kineze, dega Akupresure dhe Tui-na masazh “Belladona bimed”, ne Shkup, ne klasen e prof. dr. Edvin Dervisevic (Bosna & Hercegovina).Ne Prishtine kreu shkollen Art of Living ( ideator dhe udheheqes i saj eshte Sri Sri Ravi Sankar, nga India), ne klasen e mesueses Snjezana Nisevic (nga Kroacia).Ka punuar 7 vjet gazetare ne Shkup (Maqedoni) dhe 3 vjet ne radio IRIB ne Teheran (Iran), redaksia e programit ne gjuhen shqipe. Aktualisht jeton ne Prishtine, punon gazetare dhe moderatore e programeve te kultures, ne Radio Televizionin e Kosoves- Radio Kosova.

Veprimtaria letrare

Eshte anetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptare ne Maqedoni, anetare e Haiku Klubit Shqiptar “Ha” ne Tirane dhe anetare e Haiku Klubit Kroat “Karolina Rijecka”. Ka marre pjese ne shume manifestime kulturore poetike, ne Ballkan dhe ne Azi.Poezite e saj jane perkthyer ne anglisht, maqedonisht, kroatisht, boshnjakisht, rumunisht dhe turqisht, ndersa jane botuar ne disa revista letrare ne rajon.

Veprimtaria letrare:

1.“Zoti me do naten” eshte botuar ne Shkup, nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptare ne Maqedoni, ne vitin 1995.

2. “Une behem Ajo” (poezi) botuar poashtu ne Shkup nga i njejti botues, ne vitin 1997. Ky liber, ne ate vit, ne Manifetimin Nderkombetar letrar- poetik “Ditet e Naimit” ne Tetove, fitoi cmimin “Libri i Vitit”.

3.“Mosdija”, botuar ne vitin 2000 nga Shtepia Botuese “Buzuku” ne Prishtine. Libri u shperblye me botim.

4.“Gjeniu pleqnon çmendine time”, botuar nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptare ne Maqedoni, ne vitin 2005.

Ne manifetimin poetik “Ditet e poezise Korcare” ne Shqiperi, ky liber fitoi “Cmimin e Kristalte”.

5. Haiku poezi eshte ne doreshkrim dhe se shpejti pret te shohe driten e botimit.

Etj.

Jeton dhe vepron si gazetare në Prishtinë.



Kam mundur



Kam mundur te kem lindur ne Paris,
me Senen lezbike te puthem vajzerisht.
Te jem gruaja e shtate e ndonje sheiku barktrashe,
Qe diten Zotit, e naten Burrit i lutet,
per pak dashuri (nje here ne jave).


Gjithcka kam mundur te behem:
zezake, e verdhe, xhuxhe, cigane, insekt,
burre shteti, grua mileti `si Cicolina`, prefekt, difekt,
semundje ngjitese, lidhese, pikepyetje a pikecuditese.


Edhe Zotit kam mundur ti behem grua,
te shetis sarajeve, aty ku askush s’mund te shkoje!
Te ngrej Kishe e Xhami
dhe fshehurazi te te mbaj peng
nen dry...
por...
Ja qe rastesisht jam Dija
dhe s’di c’te bej me Ty...!

Atje ne parajse isha femi...




U vonove i dashur,
Nente muaj.
Nente muaj pa Ty...
Vdiqa...!
Atje ne parajse isha femi...




Zoti im




Me bluan si grurin...
Te gatuaj buke te bardhe,
Shtrohem...
Kembekryq
Ulesh ne sofer
Dhe si zot i shtepise
Thyen buken...


Martohu me nje vetmi tjeter miku im!


Ne Deja vu-te boshnjake
pushojne shikimet e perhumbura te Mitrovices,
Sahara e Ajshes nga Maroko ne Drenice.
Kacubat e manaferrave rimojne me qepallat e vajzave
qe fshihen nga dielli i vitit 1999.


Martohu me nje vetmi tjeter miku im!
Ti thua:
Paramendoji puthjet qe kembehen si te burgosurit...
Sa shume te burgosur kemi per te kembyer, miku im,
sa fjale te pathena te dashurise kemi per te liruar...


Ky Rekuiem ne A-dur, qe nuk perkthehet ne anglisht,
ia ben: Pssst,
botes ne gjoksin tend
dhe perkund foshnjen
qe futet ne parajse,
bashke me nje doreshkrim te zbehur.


Martohu me nje vetmi tjeter miku im,
Shkelja syrin mesyshit!




Poezi Haiku


***
O buf somnabul
ne varrin e Hedajatit
henen e kerkon?


***


miza e kalit
ne gishtin e unazes
firmos martesen


***


shiu me frak gri
gejsha me nxitim fshihet
ne akuarel


***


vjeshta pijanece
krejt qiellin e shet
per nje pije

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...