Bardhyl Mezini ka lindur në qytetin e Vlorës. Është diplomuar si zooteknik dhe e ka ushtruar këtë profesion në rrethin e Fierit. I dhënë pas profesionit, letërsia ngeli më tepër një kënaqësi se sa një synim. Megjithatë asnjëherë nuk ka qëndruar larg saj. Në gjininë e fabulës e ndien veten më komod.Prej vitit 2000 ka emigruar në SHBA (Micigan).Eshte anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ka botuar librat me fabula:
Gomari refugjat
Parlamenti i Ezopit
Kohë dhelpërish
Është bashkautor në antologjinë “Perëndim i malluar”
Bripërdredhuri
Mëshqerën porsa ka parë,
Fillon mburret kau larë.
Une jam njëshi në fshat,
Me këta brirë të gjatë.
Tjetra bukur ia ka hedhur:
C’dërdëllis, o bripërdredhur
Nuk e di që je i tredhur?!...
Qeni i dekoruar
Qenit që lehte cdo natë
I varën një dekoratë.
Macja, xheloze u bë,
Shkon ia heq, kur ai fle.
Zotërisë perpara ia con,
Dhe i tha:-E shikon?
As këtë nuk ruan dot!
Kjo tregon që leh kot!....
Helmi i fjalës
Nën trung një druvar,
Akrepin sa ka parë,
Atë bisht,tha, të helmuar
Sot kam për ta shkurtuar.
Tha akrepi i zënë mat:
-pse më bie me sëpatë?
Helmin e kemi njëlloj,
Unë në bisht e ti në gojë…..
Miza e kalit
Kishte ngordhur një mizë kali,
Shkoi zogu që ta hante.
Sa afrohet këmbët ndali,
Pasi erë të keqe mbante.
Keshtu bëri dhe zhapiku,
Milingona,qukapiku
Dhe shumë e shumë të tjerë,
S’e hëngrën, si vinte erë.
Bleta që skenën kish parë,
U flet e nervozuar:
Erë do mbajë,more qyqarë,
Në bythë kali ka jetuar.
Alo…Alo…
Zonja ka rënë në hall,
Me te bukurin papagall.
Gjithë sekretet e shtëpisë,
Ia ligjëron njerëzisë.
Kulmin arriti një herë,
Sa pa të zotin në derë,
Përplas krahët,shpupurin:
“-Alo!..Alo, shpirti im,
Burri nesër ka shërbim….”