Falënderoj nga zemra tre burra nga Deçani - Mustafë Ramaj ,Cen Vishaj dhe Beqë Lika për pasionin me të cilin ma përtërinë ngjarjen e lavdishme të Llaushës – autori...
Mbushë Llausha me të blertën
E pikëllueme në pranverë
Njëzetmjë burra mësuesin
Përshëndesin dhe një herë
Lamtumirë, o Halit Geci!
Pru Drenica luftëtare
Njëzet mijë burra për ty
Të qoftë e lehtë toka shqiptare!
Dikush shtërngon grushtet fort
Dikush lotë po nxjerr nga pak
Dikush mërmërin: “Halit
S’më del shpirti pa marrë hak!”
Po…Nga mbinë këta tri maska?
Mos i prunë majat e Sharrit
A mos amanet i nxori
Kjo lëndinë nga fundi i varrit?
Fshehur si miu mes turmës
Sytë shqyen katërsh UDB ja
Maskat britën shqip: “O popull
Është krijuar UCK ja
Kosova, nana e burrnisë
S’asht mësue faqen me koritë
Loke! Më ka ardhë dita jeme
Për nder tand sot pushkë me qitë!
Burra, lirinë kush s’ta falka
Nuk bahet dasma pa dash!
S’ka le ai që e tremb Kosovën!
Të puthsha grykën, o kallash!”
Mas tri maskave - tre palë sy
Që shkreptijnë si baruti
Me zi i mbajnë maskat këta burra
Muja, Rexha e Dauti
Një prej nesh duhet të zbëlohet!...
Kuvendojnë trimat për pak
Dhe Dauti i Dukagjinit
Përmbi turmë maskën ç’e flak
Moj Llaushë, kurr s’je tronditur
Për kaq gëzim në ditë varrimit
Përqafojnë dy maskat tjera
Dautin e Haradinit
“Unë…e njoha atë që foli
Me njatë za që bubullon
Kangën “Kreshtat e Kosovës”
Veç ai, tjetër s’e këndon
Kangën “Kreshat e Kosovës”
S’e këndon kush me çifteli
Se ai burrë me Beqë Gashin
Mujë Krasniqi emni i ti
Në daç me kangë, në daç me fjalë
N’ daç me pushkë, n’daç me sakica
…Por një ditë ra Mujë Krasniqi
Trim…nga ata lind veç Drenica…