Lulzim Logu ka lindur në B. Curri, në vitin 1960, shkollën e mesme e ka kryer në vëndlindje, më pas është diplomuar për biologji, në vitin 1984.
Me shkrime publicistike, cikle me poezi për fëmijë dhe të rritur, me prozë dhe kritike letrare ka filluar të merret herët, ndërkohë që ka botuar këta libra:
- 1. Kohën e ëngjëllit – Poezi, 1999, Tiranë
- 2. Hiri – Poezi, 2002, Tiranë
- 3. Pinoku i qytetit magjik- Poezi, 2002, Tiranë
- 4. Tropoja, enciklopedia e vogël, 2008, Tiranë
- 5. Akoma hiri im – Poezi, 2009, Prishtinë
- 6. Kujtimet e ujqërve gri – tregime, 2009, Tiranë
Për një kohë të gjatë ka drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve, dega Tropojë, Klubin Letrar: “ Tropoja”, aktualisht drejton Shoqatën e Shkrimtarëve të Tropojës, është anëtar i Lidhjes së Poetëve Nderkombëtarë të Globit, W.P.S, është botuar në gjuhen angleze dhe ruse, në disa cikle poetikë.
Jeton dhe punon në B. Curri.
Flutura.
Prej teje
I doja shumë zogjtë
Pastaj më vonë fluturat.
Por kisha harruar
Më shpejt se çdo gjë tjetër
Fluturat të ikin prej dore?!...
Njeriu.
Njeriu qëkur ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu sot vdes për një orë liri
Njeriu, të vetën pronë, mund ta bëjë hënën
Njeriu, zvarriset i mjerë , në uri.
Njeriu, vuan, për të bukurën dhe shpresën
Korret nga sida dhe vdes me drogë
Njeriu, për atdhe mund ta bëjë dhe marsin
Njeriu kryqëzohet si lypsar në botë.
Njeriu, sot matet me kohën, ta mundë atë
Njeriu, diku në glob, rrethohet me tel si kafshë
Beson pafund, shan pafund zotin
Dhe se ndan dot ferrin me parajsë.
Njeriu, qëkur, ëndërron lumturinë e madhe
Njeriu, sot vdes, për një orë liri
Njeriu, pareshtur thyen mite, piedestale
Dhe kurrë s’gjen qetësi.
Ah, njeri!
1991.
Kur të kthehesh.
Kur të kthehesh, do të jetë vonë
Zëri më është mekur
Dhëmbët më kanë rënë
Si ujk i vetmuar flë gurëve të bjeshkës
Dhe vdekja rri mbi mua si hënë…
1999.
Ajo.
Ajo shkoi, siç shkojnë gjërat që vijnë rrallë
Kur plaket njeriu, vdes dhe për një puthje
Kur plaket njeriu, e do dhe një përrallë
Ajo shkoi…
Ajo shkoi, ditët vazhdojnë komplekse
Pjesë e zotit të pakënaqur që përsos
Në marrinë që quhet lindjevdekje
Ajo shkoi…
Ajo shkoi, befas u bë e domosdoshme
Rri në mua, ekuilibër i shpirtit të vrarë
Dhe çuditërisht jeta s’ndihet boshe
Ajo shkoi…
Ajo shkoi dhe kujtohem se duhet vazhduar
Se duhet të ndihem prapë I gjallë
Por përbuz të qënit e harruar
Ajo shkoi…
1999.
Boronica.
Në mungesën tënde
Në mungesën tënde të gjatë
Në lokalin e vogël të Valbonës
Vazhdimisht pi lëng boronice
Lëng të ftohtë
Lëng të zi.
Më bie ndermënd për sytë
Për sytë e tu të shtrenjtë
S’gjeja kurrë krahasim më të mirë
Ishin dy boronica.
Në mungesën tënde
Në mungesën tënde të gjatë
Pi lëngun e ftohtë
Pi lëngun e zi.
Diku në gjoks kanë mbetur
Dy kokrra boronica
Dy sy.
2002.
64 orë.
Rastësisht, ishim bashkë
64 orë
64 rrugë
64 prekje
64puthje
64 shpresa
64 lutje
64 letra.
Rastësisht, ishim bashkë
64 orë me ty
Janë kujtim i rëndë
Në rafte zemre, tashmë të zënë…
Mëkat.
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajtë ky veprim, mëkat
Kur unë lidhem krejt pas teje
O zot, ato vijat paralele të buzëve tua
Hekurudha e vetme për në parajsë…
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajtë ky veprim, marri’
O zot, sytë e tu, shpella pafund
Hone ku rashë befas, një ditë
Por kurrë s’mund të dal përsëri…
Tani s’ka më kohë për mëkat
Në u quajt ky veprim, mëkat a diçka tjetër
O zot ti po ikën, vertet, po ikën
Gështenjat.
Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.
Shiu ta lag dritaren
Ta zë shikimin.
S’ke ku ti krehësh flokët
Ku ti shohësh sytë.
Vetëm zjarri të ndihmon
Të më kujtosh.
Si zjarri, kur jam me ty
S’di për fikje.
A mendon ndonjëherë
A mendon për hirin?!
Pikin gështenjat
Në shtjellën e erës.
Në zjarrin prushshumë
Piqen të tjerat.
Një e nga një në gji
Aty pranë zemrës.
Gështenja të ngrohta
Në u ftohshin fjalët
Dredhëzat.
Dredhëzat tani nuk i dua më
Megjithëse pikojnë lëng të kuq
Megjithëse më kujtojnë
Buzët e tua.
Veç unë e di ç’kam hequr
Për ti harruar…
E dielë dimri.
E dielë dimri
E dielë e thatë
Mjegull, ngujuar në male
Pafundësisht mjegull.
Ne, në kerkim të njeri tjetrit
Për tu djegur…
Frikë.
Nuk e di
Sesi puthin buzët tua
Kam frikë.
Kurrë se kam kuptuar
Gjakun, pas dashurisë…
Pa titull.
Mi bënte shuk letrat
Puthjet mi përbuzte
Flokët s’mi pelqente
Vetëm sytë.
E dija, duhej ikur
S’bëja për pasqyrë…
Letrat që digjen.
Të zverdhura si gjethe
Letra dashurie
Ferrparajsa ime
Peng i kujtimit.
Digjeshin ngadalë
Duke kërcitur
Sikur brinjët e mia
Kur therin dimrit.
Ashtu ngadalë
Pa flake të dukshme
Digjeshin vetë
Dhe digjnin.
Tani i iki zjarrit
Zjarrit të madh në vatër
Nga frika ime
Të mos shkel hirin…
1999.
Hiri.
Endrra ime e hershme
Zjarri që s’di për fikje
Pengu im i vonë
Fikja e hershme
Hiri që mbetet
Kurrë nuk tretet…
Engjëjt.
I kam pranuar gjithmonë
Pjesë e imja dhe e botës
Realë dhe fluidë
Duke luajtur kukafshehti
Me besimet dhe parimet e mia.
I thërras, por ata nuk janë
Kur u tregoj përralla fëmijëve…
Mjegulla.
Ajo fuqiplotë pushtoi fushën
Dhe mali ka humbur poshtë saj
Më dhëmb gryka, më dhëmbin sytë
Por ajo s’ka faj.
Vetëm ujqërit thonë e duan mjegullën
Unë se urrej dhe nuk jam ujk
Por kam humbur në mjegull, fytyrën tënde
Sytë e tu në mjegull i kam humb.
Dita iku dhe ajo ashtu mbeti
E ftohtë dhe tmerrsisht gri
Mos vallë përjetësisht ke ikur
Nën këtë mjegull, si hi?!...
2000.
Lutje.
Zoti im, në qofsh
Rri me mua!
Në qofsh, të falem
Bie dhe ngrihem
Kurrë nuk ndalem!
Zoti im, në mos qofsh
S’ka gjë, është bota
Është jeta, është fryma
Është gjithsesi shpresa!
Eshtë lufta për të mos rënë
Vazhdimisht duke besuar
Duke të krijuar
Zoti im!
2000.