Prof.as.Dr. MURAT GECAJ, publicist e studiues-Tiranë
Që mos të zgjatem, shënoj këtu se aty nga viti 1938-1939, pasi prindërit tanë u shpërngulën nga shtëpia e Ukë Mehmetit, u vendosën në tokat e shtëpinë e Elez Demës (Dozhlani). Kjo ishte ndërtuar mbi një kodër (”Kodra e Myrtës”, i thonin), pothuajse në mesin e fshatit Rosujë. Ai kishte pasur dy gra, Rushë Sokolen (me këtë lindi dy vajza, Fatimen e Gjylën dhe djalin, Zeqirin) dhe Ajshe Sylën (me këtë të fundit i lindi dy djemë, Qazimin e Bislimin).
Me historikun e asaj shtëpie të vjetër, tashmë pothuajse e rrënuar, janë të lidhura shumë ngushtë edhe disa kujtime të fëminisë sime. Tregonin se para çlirimit të vendit aty kishte funksionuar pak kohë shkolla fillore e fshatit. Më vonë, ajo u vendos në Rudeshe, në xhaminë e Bujanit dhe së fundi në një ndërtesë të re. Ashtu siç e kam të shkruar në dokumentet e gjendjes civile, por dhe sipas krahasimeve, që kam bërë me bashkëmoshatarët, si me Maxhun Niman Margjekën (lindur vetëm 5 ditë para meje) dhe Murat Imer Avdylin, po nga Rosuja e një familjeje fqinje me ne dhe me Mark Nduen e Poravit, djalë i mbesës sonë, Mire Mushakut (lindur po ato ditë) etj., unë erdha në këtë jetëmë datën 23 mars 1940. (Më pas, duke e ngatërruar numrin 23 me 29, më ngeli në dokumente si datë lindjeje kjo e fundit). Më kanë treguar se nëna ime, Suta ka pasur probleme shëndetësore para lindjes sime dhe, bile, me shpresën për ta qetësuar i kishin kërkuar ndihmë dhe hoxhës, i cili i paskësh shkruar nuska.
Banorë të fshatit tim të lindjes, Rosujë-Tropojë (viti 1967)
Pagëzimin e emrit tim, Murat, me sa më kanë thënë, ma ka bërë njerka, Zojë Gjeloshja, si dhe nuni im, Halil Arif Tahiri-Margjeka. Sigurisht, as njerka dhe as nuni im nuk e dinin se ky emër shpjegohet nga arabishtja, që do të thotë: ”dëshirë, qëllim”. Halili kishte qenë partizan i Luftës NcÇl e pas çlirmit oficer dhe vdiq para pak vjetësh, në Tiranë; la tre djem e dy vajza. Pra, emri im është ”puro mysliman” dhe prandaj shpesh të njohurit e mi kanë shprehur mëdyshje: a jam mysliman apo katolik!? Ndër ata kureshtarë të kësaj çështjeje ka qenë edhe pedagogu im i letërsisë në Universitet, Koço Bihiku. Më kujtohet se, kur po na i plotësonin diplomat pas studimeve të larta, ai ndodhej në një dhomë me pedagogë të tjerë. Po kaloja aty pranë e ai më thirri: ”O Murat, Murat!” Ndalova e ai vijoi të pyesë: ”çfarë je ti, mysliman apo katolik?” Unë i thashë se familja jonë ishte e fesë katolike dhe se kishim afër një shekull me banim ndërmjet myslimanëve. Siç duket, nga kjo arsye ma kishin venë një emër të tillë. Sakaq, ndërhyri në bisedë, profesori im i dashur dhe i paharruar, Akademiku Eqrem Çabej. ”Është e njohur kjo gjë për malësitë e Veriut,-shpjegoi ai.- Prindër të fesë katolike ua vinin shpesh fëmijëve emrat myslimanë. Kjo traditë ruhej që nga koha e pushtimit osman. Ndoshta dhe për të qenë më të sigurtë e më të mbrojtur, në çdo situatë”.
Është e vërtetë kjo gjë edhe më Malësinë e Tropojës, se shpesh njerëzve të fesë katolike ua vinin emrat myslimanë. Pra, ndoshta, kjo bëhej ”për t’u mbrojtur” nga ndonjë sulm i turqve, ndaj shqiptarëve katolikë! Sa për ta ilustruar këtë mendim, përmend këtu se një kusheri i yni rrojti mbi 90 vjet dhe e kishte emrin Hasan. Ndërsa emrat e të parëve të tij ishin: Beqir-Sadri-Ukë dhe më tej-Gjon. Pra, disa breza kishin emra myslimanë.
E ndërpreva pak fillin e mendimeve. Posaçërisht, dëshiroj të tregoj se, sidomos me bashkëmoshatarin tim, Maxhunin, më kanë lidhur të gjitha kujtimet më të mira të fëminisë sime. Kjo sepse nëna ime, Suta kishte qenë e sëmurë shpesh, si nga sytë dhe nga malarja. Prandaj ishte detyruar të shkonte për vizitë, në Shkodër e në Gjakovë, kur isha në moshën e gjirit. Kështu, u bëra si binjak me Maxhunin dhe piva qumësht në gjirin e nënës së paharruar Mine Myrtja, nga fshati Buçaj i Malësisë së Gjakovës (Tropojë). (Në fakt, siç më ka treguar Maxhuni, Minja e ka pasë origjinën nga fshati Luzhë, ku i vdiq i jati dhe pastaj shkoi me nënën,që iu martua në Buçaj dhe atje pati vëllezër Avdyl e Adem Qerimin dhe motra Fatimen e Buten). Për ta forcuar këtë afërsi tonën, kur ishim të vegjël, ne pimë edhe gjakun e gishtit të njëri-tjetrit, duke u bërë burazerë, siç i thonë nga Jugu i Shqipërisë. Pra, a kam patur të drejtë që gjithnjë e kam njohur e paraqitur Maxhinin si vëllain tim? Sigurisht, po. Gjithashtu, ai vetë dhe familja e tij më kanë njohur të tillë, si bashkëshortja, Valentina me fëmijët, Eduardin (tash disa vjet emigrant në Londër) e Vladimirin (me profesion farmacist) dhe vëllezërit Ali, Shaban e Isuf dhe motrat Rushë e Zizë. Tani, po përmend fjalët, që na tha mua e Maxhunit, vëllai im Nikolla, gjatë një vizite disa kohë më parë në shtëpinë e tij, në Porto-Romano të Durrësit: ”Unë jam shumë i kënaqur për dashurinë e respektin, që keni treguar gjatë tërë jetës për njëri-tjetrin. Besoj se është rast i rrallë që, për një periudhë afër 70-vjeçare, dy veta, shokë ose vëllezër qofshin, të kenë mbajtur lidhje e miqësi të pandërprerë dhe kaq të sinqertë sa ju, pa pasur asnjë rast të prishjes së qejfit me njëri-tjetrin”. Fshati Rosujë, vendi ku linda dhe kalova nëntë vitet e para të jetës, më sjell kurdoherë ndërmend kurdoherë kujtimet më të bukura të fëminisë. Kam vite që nuk kam shkuar atje, për ”arsye” nga më të ndryshmet, por më kanë thënë se ndërtesa dykatëshe, ku banonim ne, tanimë pothuajse është shembur. Sidoqoftë, edhe ato rrënoja, në themelet e tyre, janë si të shenjta kujtimet e vegjëlisë sime. Ndërsa për tërë Rosujën gjithnjë kam shumë mallë dhe, për të e njerëzit e saj, ruaj kujtimet më të paharruara të jetës sime. Çuditërisht, sa më tepër ikin vitet, aq më e fortë është kjo ndjenjë në ndërgjegjen time. Përherë e kam pasur atë ndjesi, por tani dëshiroj ta theksoj se të moshuarët e saj gjithnjë i kam quajtur e vlerësuar si nënat e baballarët e mi, ndërsa fëmijët e tyre si motrat e vëllezërit e mi. Të më falin pasardhësit e banorëve të atyre viteve në Rosujë, që këtu ndoshta nuk do t’i kujtoj të gjithë pleqtë dhe më të moshuarit e mirë të saj, për të cilët tani përulem me nderim e respekt të thellë. Ndër ta, kujtoj familjet e Niman Tahirit; Mehmet, Bali, Halil e Selim Arifit; Miftar, Tahir e Idriz Jahës; Elez Demës; Rexhep Ahmetit; Qel, Imer e Bajram Avdylit; Ramë e Ali Mehmetit; Hysen e Shaban Zmajlit; Ukë Mehmetit; Ibrahim Hoxhës; Sadik, Shpend e Haxhi Pleshtit; Gani e Sinan Melit; Azem Bajramit; Zeqir Halilit; Azem Shpendit; Ahmet Alisë; Imer Sylës; Ramë Binaku... Sidomos, kur i kullosnim dhitë në përronin e Bogishës dhe në pyllin e ”Gjytetave” të Rosujës, e shihja me kërshëri tërë atë zonë interesante. Më bënin shumë përshtypje ato mure të trashë e të lartë, ndërtuar nga paraardhësit tanë ilirë me gurë të mëdhenj e të lëmuar. Vëllai Nikolla dhe shoku i tij i moshës Idrizi, i kishin mësuar shkronjat e alfabetit pa hyrë në shkollë dhe mbi ta kishin skalitur emrat e tyre. Po kështu, unë me Maxhunin mundoheshim të ”shkarravisnim” emrat tanë. Më vonë mësova se aty kishte qenë një qytet ose kështjellë e lashtë ilire. Përmes kësaj qyteze depërtonte një shpellë e thellë, me errësirën e saj verbuese. Barinjët shpesh përpiqeshin të hynin në të, duke përdorur pishë të ndezura etj. Por ato shkuheshin menjëherë nga gazi i brendshëm e mungesa e oksigjenit. Kur i afroheshim grykës së shpellës, kishim mjaft frikë. Megjithëtë, branda saj hidhnim gurë (si për të vrarë shtriga e dreqër), të cilët bënin pastaj një zhurmë shurdhuese, kur rrokulliseshin brenda-poshtë. Vetëm pasi u rrita, e mora vesh të vërtetën e asaj kodre, rrethuar me mure të trashë, me emrin ”Qyteza e Rosujës”. Këtë gjë e zbuluan arkeologët, në një ekspeditë të drejtuar nga prof.dr. Bep Jubani dhe dëshmuan se, që në lashtësi, aty na paskësh qenë një vandbanim i popullit tonë, që e kishin emrin interesant ”ilirë”. Sipas një botimi, që ai ka bërë më vonë, pohohet se informacionin e parë për këtë vendbainim ilir e kisha dhënë pikërisht unë, kur isha student në Universitetin e Tiranës. Më vonë, aty janë bërë gërmime e janë zbuluar objekte me vlerë nga arkeologët tanë. Por mendoj se ka mbetur për të bërë më shumë në këtë drejtim, pasi ai vendbanim ilir ka në thellësi të tokës mjaft dëshmi, ende të pazbuluara. Kur shërbeja në atë rreth, atje bëmë një vizitë edhe me ish-shokun tim të kursit në Universitet, prof. Enver Hysën, nga Peshkopia dhe nga ajo ditë kam një fotografi, të cilën e ruaj si kujtim. Gjithashtu, kanë ardhur studiues të tjerë nga Tirana dhe kanë takuar babain tim. Nër ta, po përmend këtu prof. Petraq Pepën, i cili mori nga ai një kujtim për Luftën e Çabratit të Gjakovës, nën udhëheqjen e Bajram Currit, i cili u botua pastaj në përmbledhjen me kujtime të asaj periudhe. Siç shkruaj diku në kujtimet e mia, babai ishte këngëtar dhe dinte mjaft këngë të tilla, sidomos nga rapsoditë e Mujit e të Halilit. Disa nga këto i regjistroi, kur shkoi për një ekspeditë nga Tirana, në Tropojë e aty në Fang, ish-studiuesi dhe botuesi i pasionuar i Institutit të Kulturës Popullore, i njohuri im i mirë, folkloristi nga Elbasani Qemal Haxhihasani (vdekur në moshë relativisht të re, disa vite më parët...
(Pjesë nga libri autobiografik ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”, Tiranë, 2010)