2012/03/02

Imazhet marramendëse të piktorit Strellcjan Demush Avdimetaj

 Folklori, arkitektura, kullat, portalet, muret prej guri, janë imazhet kryesore në të cilat piktori ka gjetur inspirim. Posaçërisht vepra e tij është e fokusuar në portretin e njerëzve, nudo dhe jetën e shpezëve. Piktori Demush Avdimetaj ka përmbledhur punën e tij disavjeçare, duke e finalizuar atë me ekspozitën personale të tetëmbëdhjetën me radhë.
 
Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa” ka qenë stacioni ku janë takuar artistë dhe artdashës. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, i cili ka përkrahur artistin dhe njëkohësisht ka ndihmuar në finalizimin e punës për katalogun e kësaj ekspozite.

Refki Gollopeni, menaxher për kulturë në Drejtorinë e Komunës të Suharekës, ka lexuar fjalimin e profesorit Nebih Muriqi.
 
”Muret me dritare dhe portale, zogjtë dhe nudot, janë tri tërësi tematike nga krijimtaria në fushën e vizatimit”, ka thënë Muriqi.

”Ai percepton botën reale që e rrethon me saktësi prej artisti që sheh tej murit të padukshëm, e ndien intuitivisht, e nuancon me shkallëzim tonal plastikor në një strukturë të dendur poetike”, ka shtuar ai.
   
Duke e cilësuar si një piktor me stil unik, Muriqi kishte shkruar se

atë e dallon fuqia e shprehjes, por edhe e prirjes së posaçme për të transponuar, ndërlidhur organikisht imagjinativen me realen.

”Avdimetaj është Homeri, i cili pikturon legjendat shqiptare”, ka thënë Gollopeni, duke përmbyllur fjalimin e tij me surprizën që i kishte bërë piktorit, kur i ka kumtuar lajmin për rrugëtimin e ekspozitës së tij. Me trembëdhjetë dhjetor të këtij viti, ekspozita e tij do të hapet në Shkup. 
 
”Më gëzon fakti për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën time, kjo e nderon personalitetin dhe punën time”, ka thënë Avdimetaj në fund. 

Avdimetaj është laureat i disa çmimeve. Ka marrë mirënjohje nga Kuvendi i Suharekës për kontributin e dhënë në artin figurativ (2005, 2011) nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë (2006), kurse në Gostivar më 2010 në Sallonin mbarëkombëtar mori çmimin e parë për vizatim.  

No comments:

Post a Comment

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...