Bujar Muçaj lindi në Aranitas të Mallakastrës më 22 mars 1959 dhe u rrit në qytetin e Patosit.Ka botuar për herë të parë në shtypin shqiptar ne vitin 1975.Në përgjithësi i ka tërhequr vëmendjen humori dhe satira.Eshte prezantuar mjaft herë nga Televizioni Shqiptar dhe media lokale.Ka fituar çmime në konkurset e zhvilluara në Fier dhe është fitues i dy çmimeve të para dhe të dyta të organizuara nga gazeta “Tribuna” dhe shoqata ‘Drita” si dhe nga shoqata “Nënë Tereza” në Greqi, ku punon e jeton.Ka botuar këto libra:”Kur dhëmb jeta” nga shtëpia botuese “Gutenberg”, “Piruni dhe daullja” nga “Skënderbeg books”, “Miku nga Skandinavia” nga “Ymeraj”. “Drejt Evropës” dhe “Kur puqen huqet” nga “Diva”
Miku
Për darkë sallatë i vunë mikut,
Spinaq të skuqur në mëngjes.
Dreka: Turshi me lakër gatitur
Rëndë krekosej në tryezë.
Më falni, tha miku, po ngrihem
Në hall të madh iu vura vërtet:
Ku është kopshti, a mund të ma thoni,
Se po shkoj të kullos vetë.
Bosët
Dy bosë bisedonin një ditë,
Tregonin si i vunë pasuritë.
-unë, fryhej i pari, të më besosh,
E nisa, kur s’kisha në xhep asnjë grosh.
-kurse unë, hidhet tjetri
duke kthyer një birrë,
e nisa kur s’kisha as xhepa,
këtë ta dish mirë.
Qafa dhe këmbora
Ç’të kanë qesthur, moj e shkretë,
Si duron e nuk po flet,
Iku bukuria, vate…
Qafë manari, kaq e p;ate.
Ia kthen qafa më në fund:
-Ty këmborë, kush po të tund?
Gjuha dhe faqja
Llapi gjuha plot një orë.
-Po kjo ç’do, u nxeh një dorë
Dhe shuplakën nis për të,
Po shuplaka faqen zë.
Krisi faqja, u përflak:
-Pa dëgjo, moj gjuhëz pak:
S’e kuptoj ç’bëhet kështu,
Kush llapi, kush hëngri dru.
Piruni dhe daullja
Në buzëmbremje bisedonte,
Me daullen një pirua:
-Në dasmë më kanë ftuar sonte
A po vjen dhe ti me mua?
Ç’ke që rri kaq e trishtuar,
Hape gojën, ç’ke keshtu?!
-Si ç’të kem, ti e gjen shtruar,
Kurse une shkoj të ha dru.
Dhëmbët dhe stomaku
Dhëmbët me stomakun,
Bisedonin shtruar:
-Ç’të lemë, ne or mik,
Ti ke për të bluar.
Pos’të ndihëm ne,
S’mund të punosh kurrë,
Bashkë me motrën gjuhë,
Thyejmë edhe gurë.
Tund kokën stomaku:
-Ç’më thoni kështu,
Po s’lëvizën këmbët,
S’ha as unë, as ju.
Kopracit
Epitaf mbi varr,
C’të të shkruaj unë?
Një fjalë e ke pak,
Dy fjalë i ke shumë.