2012-03-03

nga Flori Bruqi:Kush është Antela Vouli (Spaho)





Antela Vouli (Spaho) ka lindur në Devoll. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Humane, dega gjuhë shqipe dhe letërsi në universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, si dhe studimet pasuniversitare Master me drejtim letërsi shqiptare në Universitetin e Tiranës.Ka punuar mësuese, gazetare e redaktore në botimet letrare artistike. Ka botuar cikle me poezi e prozë në organe të ndryshme të shtypit të kohës dhe është autore e disa librave.

BRENDA VETES


sytë në parajsën e lotëve
zemrat në atë të dhimbjeve
fjalët i mbajmë për vete
në listën e gjatë të kujtimeve...


VERBËRI


asgjë nuk dëgjohet
askush nuk ndihet
toka e shkretë
të shkretë planetët
yjet


sytë pa lot
as qajnë
as qeshin dot...





TANI TË DASHUROJ NDRYSHE


më mjafton drejtimi i erës
dhe pikat e shiut mbi xham
për të gjetur vendndodhjen
e zemrës tënde


ti je bërë ajër…
KONKURS BUKURIE ME ZOGJTË


brenda syve të mi
nëpër rrugët e mistershme të këtij planeti
zgjohem dëshirëplot
me flatra engjëjsh
të fluturoj griqiellit të kryeqytetit tim
për të konkurruar me zogjtë


është zjarri i dashurisë
që jep sinjale të argjendta
atëherë kur e qeshura jote derdhet
damarëve të ditës
si një trëndafil maji
i shenjtë për takimet dashurore
si një rreze dielli
që ma dërgon nga shpirti i qiellit


përhumbur dritësisë nëpër qiell
hap krahët dhe fluturoj
për të arritur majat e lartësive të tua
për t’u bërë më e bukur se zogjtë


magjistarja ime
çmendurakja dashuri
në përpjekjen e zogjve
për të tejzgjatur pranverën
fluturimi i tyre merr kuptim hyjnor
brenda meje princërohen ndjenjat
FTESË PËR NË VISE TË ËNDËRRTA


eja të shkojmë drejt Ëndërrisë
mos nguro
kjo rrugë do jetë një bukuri në yllësim
lëre të lirë shpirtin si petal trëndafili
të sfidojë botën me kanune


mos e kthe kokën pas
nëpër shkreti
eja t’ia dalim mbanë jetës së krisur
në pyllin e bleruar të ndjenjave,
të ringjallim premtimet tona të hershme


pasionin tonë ta nisim udhnajës
nëpër itineraret e zogjve në qiell
të zhbëjmë të gjitha dhembjet e djeshme


fati ynë
mall i përjetshëm në dëlirësim

NË ËNDËRR


pasqyrime të çuditshme
të gjërave
që ditën bëjmë
që nuk i bëjmë


përthyerje të mahnitshme
të sendeve
që ditën shohim
që nuk i shohim


shpërbërje të pakuptimta
ndodhish
që ditën ndodhin
që nuk ndodhin


tjetërsim çmendurak
i njerëzve
që ditën njohim
që nuk i njohim




E VE-TME


e ve-tme
si grua pa burrë
me fëmijë jetimë


e ve-tme
si hëna në mes të qiellit
në pafundësinë yjore


e ve-tme
si era buçimtare pas dritaresh
në vjeshtën e vonë


e ve-tme
si zemra në mes të kraharorit



PORTRET


prej ujit
sytë


prej baltës
trupi


prej këngës
buzët


flokët
prej erës


zemra
prej pluhuri


IKARDHËSI


le ta dëgjojmë këtë çast
orën e ikhumbjes
tik-tak, tik-tak


çanta e vjetër
telefoni
trageti
koka mënjanë


tik-tak
tik-tak


ora e ikardhësit
larg



PAQE


lotët u thanë
ka perënduar dielli pas malesh
toka është e ftohtë akull
yjet digjen si sy fëmijësh…


trupat dridhen si në ethe
dhe këmbët po na mpihen
luftojmë të mbajmë hapur sytë
për të parë rrugën
nga shpresuan të vinte
të numëronin bashkë
sytë e djegur të fëmijëve
në qiell
në qiell

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...