2012-03-03

Nuk luajmë më, sepse po plakemi. Plakemi, sepse nuk luajmë më…




Përsiatje pas një shëtitjeje romantike përmidis poezish të vëllimit 
“KËPUCËT E MJEGULLËS"

Nga Jorgo S. TELO

Fatime Kulli, një zë ndryshe në letrat shqipe





FINESA E KËNGËRIMIT POETIK NDJENJËSOR TË FATIME KULLIT

Imazh prej burri 

Puthja ime prej shiu 
Tinguj të trishtuar vizaton...
Çati prej burri.
Në dheun e butë të shpirtit
Këpus lule të egra... 
Puthja ime prej shiu
Mbytet nga lemza 
Nën lëkurën e verdhë... 
Imazh prej burri.
Në dheun e butë të shpirtit, 
Gjelbërojnë flokëza pikëllimi. 
Puthja ime prej shiu
Tingullfshirë, gjurmëve të viteve...
Në dheun e butë të shpirtit
Nën hijen prej burri.
Mbijnë ëndrra të belbëra. 

Një buisje tallazitëse shpërthimesh ndiesore, një buçitje figurash të zëna dorëpërdorë, apo të mbi e nën vendosura, të gjitha në shërbimin suprem të Gjenerales së fjalës poetike, Fatime KULLIT. 

Ligjësitë e jetës janë të ndërtuara të tilla që, për të qenë e plotuar jetësorja është domosdoshmërish e nevojshme pranëgjendet edhe pala tjetër, që në këtë rast poetja na e prezanton si imazh burri.
Burri (mashkulli) i kësaj poezie na ngjan si një burrë virtual, që kërkon puthje, por s’jep, për të mbjelluar me vetëdije ose jo farëza pikëllimi në shpirtin e femrës, që nuk e kufizon veten përkundrejt tij.

Është më se provokuese për femrën që dashuria e saj të marri pamjen e një hijeje që vetëm sa të ndjek pas me një ftohtësi bryme e mjegulle që hyn shpërfillshëm nëpër zemra të ndezura e temperamente naivë ose të zjarrtë. Kur “puthja prej shiu” gremiset mbi një “mjegull shterpane ose hileqare, soset çdo durim.

E kur i soset durimi një shpirti poetik, natyrshmërisht do lindin në rudinat e jetës vargje të sojme e të kolme të këtij karakteri që i hasim vërshueshëm në vëllimin poetik të Fatimes.

xxx

Teksa tërësia e shqisave tona kontakton vetëdijshëm apo spontaneisht me tufën e poezive të vëllimit “Këpucët e mjegullës”, qoftë dhe me poezi a vargje të shkëputura prej këtij vëllimi, na merr vrap mendimi, për të arritur në deduksione lloje - lloje…!

Herë – herë na krijohet një përafrim e përqasje e poeteshës Fatime Kulli në rolin e hyjneshës së dashurisë, duke u “grabitur” atributet Erosit, Kupidit, San Valentinit e gjithkujt.

Përngjet sikur poetesha ka marrë përsipër të superojë avokatinë e pararojës së ndjenjave njerëzore që ëmbëlsisht shqiptohet “dashuri”…

Teksa je i shoqëruar me vargjet misionarë e vizionarë të lirizmit të poeteshës duket sikur brenda shpirtit gjigand të Kryendjenjës nuk ke të nginjur me një shëtitje soditëse pa kurrfarë indiferentizmi karshi ndjesive dhe mesazheve të merakshme që përcillen përmes vargjeve të thekshme, sa miklonjëse aq dhe tronditës gjer në “oxhakun” e vullkanit shpirtëror të femrës brenda ngjizjeve e troshitjeve të ndërsjellta dashurore, ku seksi delikat guxon të shprehë “ashiqare” shumëçka që e step ndjenjën…

Nga një shpirt poetik cilësor me intensitet ndjeshmërie priten veçse produkte poetike cilësore, që kanë tendencën të depërtojnë në çdo zemër të sprovuar apo edhe në zemër pa asnjë përjetim dashuror…
Nuk është e thënë dhe as e domosdoshme të jesh i tejmbushur me përvoja të tilla vetjake që të mundesh të shkruash për to, paçka se sa dorë të jep kjo përvojë…

Fatime Kulli, si e tillë, pra, si poete me ndjeshmëri të lartë, arrin përmes intuitës femërore e poetike t’i kapi të gjitha kahjet e senset e realitetit njerëzor, duke u dhënë flatra vargjeve lirikë, ku erotizmi njerëzor do të gjejë patjetër strehën e duhur për të qenë i mirëpritur.

Shumëçkaja e realizuar më një përkujdesje si prej një amvisjeje të paqme të përzgjedhjes së fjalës e të mendimit filozofik, e ka gjetur shprehjen në shumicën e këtyre poezive. Këto si të jenë në garë me njëra – tjetrën, kanë vetinë të të nxitin fantazinë, të të gudulizin shpirtin, të të fshikullojnë sedrën, të të pasurojnë fantazinë, të të miklojnë ndjenjat në çfarëdo moshë që të jesh…

Fjala poetike bën të lëvizë vendit edhe më “nursëzi” (individi shpirtgërmadhë)…

Mund të krijohet fillimisht (me leximin e parë sipërfaqësor) mendësia e përshpejtuar, sikur poetesha mëshon më së tepërmi tek instinktet e sojit tonë njerëzore. Ne nuk merremi me mendimet e ngutura e as me paragjykimin e kontekstit të fjalëve e idiomave të shprehura paqësisht në tekst.

Serioziteti i ngrohtë e shfaq veten qartas, kur di të respektojë, di të krahasojë, di të vlerësojë normalisht, as me elozhe pa kurrfarë argument as me nihilizma vrastare, që arrijnë ta vdesin fjalën poetikë qysh në belbëzimin e parë…

Duke u vetëshndërruar çdo kritik e lexues në një studiues të artit të fjalës, s’do kemi shumë soditës vetullvarur të krijimtarisë letrare e artistike.

Mundet që këtu në mes të këtij shkrimi të bëj një kapërcim:

Unë, si një krijues nga jugu i Shqipërisë, jo dhe aq i afirmuar, sa mund të mendohet, u njoha me zonjën e nderuar, Fatime Kulli vetëm pers internetit.

Kisha lexuar prej vitesh letërsi nga shkrimtare e poete, duke nisur nga Elena Kadare, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Luljeta Leshanaku, Iliriana Sulkuqi e paksa më vonë jam njohur me penën e Suzana Zisit, Raimonda Moisiut, Kozeta Zylos, Lediana Pajës e të tjera, gjersa u stacionova te prurjet poetike të Fatime Kullit.

Janë një tërësi zërash, ku vërehet lehtë e dukshëm prirja për letërsi të vërtetë, prej nga gjithkush ka ç’të përfitojë.

Vihet re te shumica e krijueseve në traditë e ato bashkëkohëse prirja për të kërkuar në vazhdimësi më të pranueshmen, më të përsosurën, prandaj dhe në krijimtarinë e tyre gjejmë vlera të shumta, përmes një sitisjeje që mund t’i bëjë produktit shpirtëror çdo krijues, siç kemi në rastin konkret shumëzërëshen tingëlluese Fatime Kulli, një zë ndryshe midis zërave të shumtë të letrave shqip.

Fill pas njohjes, pas përshëndetjeve të para virtuale (internetike), nisa gërmimet që më duheshin për të njohur jo vetëm penën e kësaj autoreje, por pak a shumë edhe diçka më tepër rreth jetës e veprimtarisë; në ato rrafshe që do të më mjaftonin, për të mundësuar lidhjet e qenësishme midis individit si krijues, si veprimtar brenda një mjedisi të përcaktuar. Dhe ishte kjo një njohje e ndërsjelltë , zemërhapur dhe dëlirët.


Ishte kjo njohje që më nxiti të hedh në letër këto mendime që marrin trajtën edhe të një analitike të thjeshtë apo të refleksionit, meditimeve e përsiatjeve sintetizuese…

Brenda një kumti që e kam dëshiruar prej të tjerësh, por që ia dëshiroj dhe vetes: inkurajimit realist të gjithkujt që i do të mirën drejt perfeksionit dhe jo pekulepsjes, për ta parë një ditë (larg qoftë!) të rrëzuar nga çfarëdo lartësie…

Kur ndjenjat konvergohen në dashuri, duke nisur që nga adoleshenca e deri në maturinë e duhur, konstatohen mirëkuptime, porse edhe sig - zage konstatohen, pse jo edhe grindje e sherre, deri në dhimbje e lot.

Këto sjellje e kundërsjellje përbëjnë në fund të fundin peizazhin e plotë të shpirtit njerëzor.

E kështu me këtë përfshirje gjithëdimensionale e gjejmë këtë peizazh poetik edhe te vëllimi në fjalë i Fatime Kullit. 

Ëndërroj krahët e kalit të bardhë...

Një psherëtimë e ftohtë
Si tingulli i kitarës telkëputur...
Qetësisht e vetmuar rrotullohet. 
U duk se më çeli buzëqeshja e largët...
Kur vesha fustanin e bardhë, 
Nën puthjen e imagjinuar
Si pikëpyetje e lumtur... 
Unë, materie e buzëqeshjes së trishtuar
Ëndërroj krahët e kalit të bardhë,
Të ëndrrës realitet... 
Në këtë tingull shpresëkëputur
Që kohë më parë
I adhuroja tingujt të krijuar
Dhe formën e kurmit burrëror. 
Eh, kujtoj 
Buzëqeshjen e tij të çmendur,
Që gajasej në sup të mbrëmjeve.
Nën qiellin e syve të tij
Çelnin bulëza të paçelura... 
Me hapa ndezur, krahë-muzgjesh
Vrapoja nëpër ëndrra të kaltra... 

Besoj se çdo dashamirës poezie di të dallojë ngjizjet e habitshme të epitetit me metaforën, ku edhe sendet e dukuritë kanë marrë përsipër misionin e artë të metaforës e simbolit… një gurrë e vërtetë ligjërimi, që mjeshtërisht arrin t’i përcjellë autorja e vargut fin me një pasuri e bukuri të tillë që na kujton si tërësi një gjerdan, ku diamantet shprehimore s’kanë të numëruar, aq sa të japin shijen e tejveljes…

Epitetet e metaforat shumëngjyrëshe përbëjnë se toku aureolën e florinjtë të çdo poezie e të krejt vëllimit poetik të autores zë fuqishëm e gjëmimtar.

Do zgjatesha më tej se përmasat e vetë librit, sikur të renditja këtu sasinë e çifteve të figurave stilistike të modelit:ëndrra të kaltra; buzëqeshje e çmendur; psherëtimë e ftohtë, të cilat sipas vetëdijes dhe shijes së lexuesit vishen dhe me konture individuale të të bërit analitikë.

Atëherë, për te mos kaluar në tepri, uroj që mikesha ime internetike, poetesha Fatime Kulli, të gëzojë shëndet për vete e me gjithë familjen, pa iu reshtur kurrë prodhimtaria letrare. Begatia e një pene të tillë këngëruese është një fat e kënaqësi për gjithë ne, lëçitësit – dashamirës shqipfolës.

Po e quaj me vend ta mbyll me një thënie universal të George Bernard Shout:

“Nuk luajmë më, sepse po plakemi. Plakemi, sepse nuk luajmë më…”

Urimet më të bukura, zonja Fatime! Rrezatofsh përherë mençuri brenda rebelizmit tënd poetik, që buron prej një shpirti të lirë dhe të etur.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...