Bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve të rritur. Kaq shohin rrugët e qytetit. Unë veten e shoh herë si dru, herë si flutur, herë si lule me aromë kundërmonjëse prej femre e njeriu te ngacmuar së brendshmi. Jetoj e vdes sipas rrethanave.
Linda me lule kumbullat, u rrita me gjirin e nënës, me ujra dëbore, ajër të ngjeshur me ozon, me xixëllonja e jargavanë. Pasi mësova kodin e deshifrimit udhëtoj në vragë librash. Miqtë e mij janë Çehovi, Dostojevski, Remarku etj.etj. dhe poetët bashkëkohës. Prej magmës që më vlon përbrenda gjetën kraterin tre gjuhëza flake:
“ Me zërin tënd ” -poezi-2005,
“ Rruga për nesër” -haiku-2007,
“ Gishti i dheut të dhembshur ”-poezi-2008.
Dhe kohe pas kohe në periodikë letrare e suplemente artisike me poezi, ese, tregime si dhe në antollogji të ndyshme përmbledhëse të takimeve poetike në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Kroaci ku kam marrë pjese disa herë e ftuar
Ky cikël poetik i titulluar “ Përsiatje vjeshte ” është pak prej kësaj vjeshte që u shtresëzua në shpirtin tim si palimpsest ndijimesh e përjetimesh pa fund.
Vetëm një herë në territorin e të marrëve
Do kridhem në vezullimet e pijes fisnike
Në fund të gotës të gjej guximin
Të dal nga rreshti
Ku të gjithë hedhim hapin uniform
Dhe do kaloj në territorin e të marrëve
Ku rend e rregulla janë analfabetë
Ku gëzimi shpërthen si verë e vjetër
Në eliksirin e pijes së fisshme
Do zbuloj Ishullin e Pashkëve
Ku ora e busulla çmenden
Në ma mohofshin vendin në rresht
Mes vezullimeve le të vdes
Si peshk i lumtur në korale
Se rron kush rron
Sikur dhe vetëm për një ditë në territorin e të gjallëve
Unë vetja tjetër
Ajo është lënda unë brenda saj
Herë e mbështjell si një mantel
Herë qëndroj heshtur përmbi të
Dhe e kundroj
Se si firon, numëron eshtrat dhe i rendit
Dhe formëson sërish strukturën
S'ka faj
Udha e Sizifit pluhur e gurë
Pas çdo fitoreje një tjetë kurth
Shkrihem me të, e puth e qaj
E fajësoj dhe e mallkoj
E lë mbi shtrat dhe ku më thërret muza iki larg
Dhe kthehem prap
Unë fluidja
Unë e magjishmja
E perëndishmja
Në udhëtim
S'jam si dje
planet i ngrirë
trukuar bukur e mirë me ngjyra e gjeste
blerë lirë në shitoret e etikës
Hedh hapat mbi gjethe të rëna
pa dhimbje se ato vdiqën
Dhe ato vetë flakërijnë nëpër erë e heshtin pellgjeve
sikur e dinë
se në mos zogj
do bëhen ujë
dhe pranverën a ardhshme
përmes trupit të pemëve
sërish do bëhen gjethe
e do mbushin ajrin me pëshpërima të klorofilta
S'jam si dje
sot udhëtoj si këngë, si lumë,si gurgullimë
Shkaku?
Dy sy qiellorë brenda meje
Në erë
Asgjë s'kujtoj nga peizazhet e para njëmijë viteve, kur isha pluhur
As se si u gjenda në largësitë astronomike të relievit të përthyer të trupit të babait
E me sa mund më mblodhi pikë-pikë me rrembat e gjakut
kur mendoi të ndertonte mbi shpatullla çerdhen e zogjve të vet
As se si u bëra zemra e Big Bengut që i plasi nënës në zgavrën e barkut
Me xixëllonja e aroma jargavani parfumon në kujtesë koha
kur rritesha si flutur, duke djegur flatrat ditë e duke i endur natën më të bukur
Herë flakë e zjarr, herë borë e akull
Herë e vdekur shkoj në funeralin tim
Rimishërohem në stacione dashurish
Në vragë dyshimesh udhëtoj
''Kush jam, ku shkoj?''
Si unazë Saturni më rrethon një magjepsje mashkullore
Si zë përherë në erë
Dhe ndihem femër
Frut egzotik, me aromë dhe shije njeriu të mirë
Përshpirtje me gjethe
Të dashurit tanë të vdekur janë këtu
Ati im, Njeriu yt, dhe nëna ime gjithashtu
Kujtoj një vjeshtë teksa mundohej
Një pirg me gjethe ti bënte zap me fshesë të bredhtë
Ato si gjuhëza flakësh e qerthullonin, i masnin shtatin
Ajo dihaste ,bënte pirueta si balerinë
Era i rrëmbente frymën e zëshme dhe lahurinë
Ja, tek e shoh
Statujë të ajërt në shtjella gjethesh
Zëri i saj janë këto tinguj e ngjyra vjeshte
Të dashurit tanë të vdekur janë këtu
Dhe nëna ime gjithashtu
Se është kjo vjeshtë
Dhe kjo vjeshtë
Eshtë gjithësia e paskaj
Sepse jam unë
Shigjetë e flakur e harkut të saj.
Mundem
Nën këtë qiell plot yje të shndritshëm
Plot frymë shpirtrash që vibrojnë
S'jam thjesht soditës
Në universin e pa fund jam grimcë e gjallë
Jap sa mundem
Marr sa më duhet
Me fjalën e artë
Ndjenjën e zjarrtë
Një gur që vegjeton në anën tjetër të horizontit
Mundem ta zgjoj
Ta shndërroj në trup elektik
Në Diell të vogël
Kaq pak Tiranë
Në rrugë e sheshe, kafe e pub-e, periferi e ministri
Si duhmë province nëpër urbanë
Të ngulen në brinjë, si rërë në retinë
Minifundi-xhubleta, plisi-kasketa, fisi -murrizi
Se gjen pak Tiranë prej dheu të butë
Në Tiranë kanë zbritur malet me gjithçka
Me doket e risitë
Me kafen nën gju, fishekun në pajë
Me burra e gra, fëmijë e pleq, engjëj e dreq
Pak Tiranë fjalëurtë se gjen
Në të gjitha dialektet flet
Huri e guri, grushti e pushti, leku e gjerdeku
Gjuha zyrtare e mir[keq]kuptimit
Me kanun është zgjedhur gjuha e ma[ha]leve
Klithma fasadash të qelqta, billborde, gazeta
Antena flugerë në erë
Të ngulen si spica në shqisa