2012-03-03

nga Flori Bruqi: Iljaz Arif Bobaj(1951-Jeton)




Iljaz Arif Bobaj,u lind në fshatin Lazarat të rrethit të Gjirokastrës në vitin 1951,në një familje me tradita letrare.
Shkollën fillore e filloi në vendlindje,por e vijoi dhe e përfundoi në qytetin e Delvinës,ku u shpërngulën familjarisht.Ka kryer studimet e larta në degën matematikë-fizikë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër dhe më pas edhe në Universitetin ''E.Çabej'',në Gjirokastër,po në këtë degë.
Prej vitit 1997 ka emigruar së bashku me familjen e tij në qytetin e Patrës,Greqi,ku jeton edhe sot.
Me krijimtari letrare është marrë që në bankat e shkollës,duke botuar në organet e shtypit të kohës kryesisht fabula,poezi,epigrame,tregime,(për të rritur dhe fëmijë) dhe publicistikë.


Është autor i librave:


1.Dora dhe faqja,(fabula).
2.Dhelpra dhe gjyqtari,(fabula).
3.Jetën e pres si të vijë,(poezi).
4.501 fjalë të urta,(fjalë të urta).
5.Molla e sherrit,(fabula).
6.Legjenda e Syrit të Kaltër,(legjendë për fëmijë).
7.Tregu i fjalës,(epigrame).
8.Dino Buzzati ndalohet në doganë,(tregime satirike).
9.777 fjalë të urta,(fjalë të urta).
10.Testamenti i bukurisë,(poezi).
FSHATI I BRAKTISUR

Një mëngjes mbeti i shkretë.
I hapi sytë e dritareve sa mundi,
po më kot,
banorët e vet nuk i pa gjëkundi.


Si vello e zezë,
e mbuloi heshtja e frikshme,
me memecërinë e saj të trishtë.
Dalngadalë shtëpitë u rrënuan,
dritaret një nga një i mbyllën sytë.


BRENDA VETES


Takimet linim ku kish njerëz,
po s'na bashkonte gjë me ta,
se vetëm vetja na mjaftonte,
se brenda saj gjenim gjithshka.


Dhe iknim,brenda vetes mbyllnim,
gjithshka që kishim bashkarisht,
takoheshim,i hapnim dyert,
gjithshka bashkonim ne sërish.


Kështu e mbajtëm ç'kishim tonën,
të patrazuar unë e ti,
vullkan i shpirtit zjarr e valë
dhe digjet,edhe s'lëshon hi.


ATDHEU IM


Historia jote,
zinxhir i artë,
vende-vende i prerë.


Jo pak copëra të tij,
i kanë rrëmbyer të tjerë.


VENDLINDJA


Vendlindja ime,
u lodh duke më pritur
dhe unë u lodha me mend duke shkuar.


E humbëm njeri-tjetrin,
duke e dëshiruar.


2002


NË LOJËN TËNDE


Me bukurinë tënde vrastare,
jetova gjëmën e paparë,
kam qenë vullkan,po kurrë i shuar,
kam qenë i urtë,kam qenë i marrë.


Kam qenë fitues edhe humbës,
kam qenë gjithshka,kam qenë asgjë,
si një që e tërheq nga dora
dhe kur të duash prapë e lë.


Unë s'isha veçse një qyqar,
në lojën tënde të pasosur,
sa herë ke dashur më ke vrarë,
më ke shëruar e plagosur.


Dhe mbeta prapë kështu si mbeta,
ngritur në qiell,vënë përfund,
përherë gjysmak,fëmijë dhe burrë,
sa e gjej veten,prapë e humb.


2001





POETËT


Në jetë,
janë krejt të zakonshëm,
të thjeshtë,
të urtë,
të varfër,
punëtorë.


Në libra,
janë perandorë.


2006

KËNGA SHQIPTARE


Herë e butë si një petël,herë e ndjerë si një fllad,
herë ledhatore si vala,herë e ngrohtë si një mall.


Herë e lehtë si një pendë,herë e rëndë si tërmet,
herë e trishtë si vetmi,herë e hareshme si det.


Herë e qetë si shushurimë,herë e beftë si shpërthim,
herë e shpejtë si vetëtimë,herë e thellë si gjëmim.


Herë valzore si një nuse,herë flatrore si shqiponjë,
herë nazike si një vajzë,herë e rëndë si një zonjë.


Me finesën,hijeshinë,rrallësinë e këngës sonë,
cila këngë tjetër di,të hedhë valle gojë më gojë ?


Vijmë me të dhe me të ikim,brezash në pafundësi,
jetën tonë e lëmë në këngë,shpirtin tonë e lëmë aty.


2000


NË PARK


Të vegjëlit shlodhin trurin dhe lodhin trupin,
me lodra,vrapime.
Të rriturit shlodhin trupin dhe lodhin trurin,
duke bluar mendime.


2004
NË OLIMPIAN E LASHTË

Zeusi u nxeh,mori perënditë dhe iku,
duke djegur qiellin me pishtarë të zjarrtë.
Qytetin e pambrojtur koha e ka tretur,
kolonat ia ka thyer,
gurët ia ka shpërndarë,
si copëra kockash të një skeleti gjigand.
. . .
Vetëm lavdia ka mbetur e gjallë.


Olimpia e lashtë,2002


QANTE NJË VAJZË E HIJSHME


Qante një vajzë e hijshme si zanë,
në skutat e hidhërimit e strukur,
po prapë qe e magjishme fytyra e saj,
edhe lotin e kish të bukur.





BOTA E PYLLIT


E madhe,paanë,magjike,e bekuar.
E vogël,e vetme,e mbyllur,e harruar.


E butë,e ëmbël,e ndjerë,miqësore.
E egër,e zymtë,e nderë,djallëzore.


E qetë,paqësore,e lirë,e shtruar.
E gjallë,shamatore,e vrrullshme,e trazuar.


E ngrohtë,mikpritëse,joshëse,bujare.
E ftohtë,e huaj,e mjegullt,tinzare.


E re,e freskët,e brishtë,përrallore.
E vjetër,e thinjur,e rudhur,shekullore.


E qeshur,e hijshme,e këngës,e bleruar.
E trishtë,e vrarë,e lodhur,e hutuar.
. . .
Bota e pyllit,
e madhe,e bukur,e mistershme,
e thellë,e dhimbshme,si bota e njerëzve.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...