Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/21

Prof.Dr.sc.Beqir Meta: Enver Hoxha mbështeti gjenocidin çam


Prof.Dr.sc.Beqir Meta


Historia e Çamërisë është e cunguar në tekstet shkol lore. Madje mungon edhe në botimin e akademisë së Shkencave. Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë i tërheq vëmendjen Ministrisë së Arsimit për pasurimin e teksteve shkollore me historinë e çështjes çame. Në intervistën për Shqiptarja.com ai thotë se "kjo ka qenë një çështje tabu në kohën e monizmit". Por pse nuk përfshihej asgjë nga historia, kur edhe në shkallë ndërkombëtare ishte bërë aq e njohur çështja e gjenocidit të grekëve ndaj çamëve? Si u trajtuan çamët në atdheun e origjinës gjatë diktaturës dhe si qeveria e Enver Hoxhës u bë bashkëpunëtore e grekëve për pasojat dhe për fshehjen e gjurmëve të këtij gjenocidi. Si u persekutuan nga regjimi ata çamë që kërkuan kthimin në vendbanimet e tyre dhe si u bë zhdukja e menjëhershme e pasaportave greke nga shteti komunist shqiptar. Urdhri nga qeveria komuniste e Shqipërisë për kthimin e menjëhershëm në shtetas shqiptarë dhe probleme të tjera të trajtimit të çamëve të Shqipërisë nga grekët pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, përshkruhen nga Prof. Dr. Beqir Meta. Intervista me të na bën më të qartë sesi territori ku banonin çamët kaloi në pronësi të Greqisë. Gjenocidi ndaj çamëve myslimanë dhe asimilimi në grekë i çamëve ortodoksë sipas Metës ka vijuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, mes një procesi arbitrar të asimilimit të çamëve që janë në Greqi. Prof.Dr. Meta tha se, jo vetëm në shkolla, por dhe në tekstin akademik të "Historisë Kombëtare" flitet shumë pak për Çamërinë.

Zoti Meta, pse është injoruar historia e çamëve ne tekstet shkollore?

-Është bërë për qëllime dhe arsye politike. Në radhë të parë regjimi i E. Hoxhës ishte i përzier në çështjen politike çame. Ka ndihmuar vendosjen e procesit të spastrimit etnik. Kjo politikë nisi me përpjekjen që çamët t'i mobilizonte në luftën civile në Greqi dhe ka dokumente për këtë. Dështoi në këtë ndërmarrje të shumë të rrezikshme për vetë popullsinë çame dhe për Shqipërinë. Kështu vijoi ndaj popullsisë çame një proces të goditje politike dhe persekutimit politik, pasi kishte dështuar shteti komunist në këtë ndërmarrje. Sigurisht deshi ta mbyllte çështjen çame me dhënien e shtetësisë së detyrueshme shqiptare dhe me grekët e kishte mbyllur fare diskutimin. Çamët ishin shtetas grekë, ishin dëbuar nga pronat e tyre dhe ishin të pajisur me pasaporta greke. Në Shqipëri ua morën të gjitha pasaportat dhe u dhanë menjëherë shtetësinë shqiptare. Ua bënë të pavlefshme pasaportat.

Protestuan ata?

-Një pjesë po, por regjimi mori masa të rrepta që të mos ndodhte kjo. Kthimi i tyre nuk u lejua, sepse regjimi ishte i përzier në këtë proces. Atij i interesonte të heshtej për gjenocidin që kryen grekët mbi shqiptarët çamë, edhe pse regjimi thoshte që monarko-fashistët grekë janë agjentë të imperializmit etj, etj. Nuk donte ta acaronte Greqinë, sepse kishte dëshirë të kishte marrëdhënie sa më të qeta me të, për arsye të dobësisë së tij brenda vendit dhe të izolimit ndërkombëtar. Kështu që gjitha këto arsye bënë që nga regjimi i kohës të heshtej ndaj çështjes çame.

Kjo ka qenë arsyeja e mirëqenies së minoritetit grek në Shqipëri?

-PO. sigurisht. Por kjo bëhej edhe nga karakteri ideologjik i elitës politike. Në Shqipëri, grupi drejtues politik përcaktonte gjithçka: që të heshtej në mënyrë kriminale për tragjedinë çame, për fatkeqësinë e saj. Kjo heshtje, gjithsesi, u pasqyrua edhe në tekste shkollore, ku nuk shkruanin asnjë fjalë për këtë gjë. Heshtja vazhdon ende sot që shteti grek po bënë përpjekje për të mos e përfshirë çështjen çame. Shteti grek është përgjegjës për atë që ka ndodhur me çamët, për krimin etnik ndaj Çamërisë. Pavarësisht se nga kush u krye dhe si u krye, shteti dhe qeveritë greke kanë qenë vetë ideatorë dhe zbatues të gjenocidit.

Cilat veprimtari historike e argumentojnë që qeveria greke ka qene ideatore dhe zbatuese e gjenocidit ndaj Çamërisë?

-Kjo ka filluar që me aneksimin e Çamërisë dhe ka vazhduar si proces që ka shkuar në kreshendo dhe vijoi si proces në vitet '23-'26 me shkëmbimin e detyrueshëm të çamëve me popullsitë greke që vinin nga Turqia. U bë spastrimi i pjesshëm etnik i Çamërisë, dhe më pas edhe spastrimi i plotë etnik i fshatrave shqiptare të Follorinës e Kosturit, pastaj territoret shqiptare që ishin jashtë zonës së Çamërisë dhe vijon procesi kur vjen Lufta e Dytë Botërore ku Zerva, drejtuesi i forcave ultra-nacionaliste greke gjeti rastin dhe bëri spastrim të plotë të shqiptarëve myslimanë. Qeveria greke pas luftës bënë "arritje" të nacionalizmit grek. Nuk i lejoi më çamët në shtëpinë e tyre

Pra, ishte një përpjekje e dyanshme: zhdukje e çdo gjurme të identitetit për çamët myslimyslimanë dhe asimilim i atyre ortodoks?

-Po, dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoks vazhdoi dhe gjatë dekadave. Ndaj qeveria greke nuk është e interesuar që kjo histori të trajtohet në tekstet shkollore. Ndërgjegjja djeg në politikat greke dhe në veprimet e shtetit grek.

Çfarë kapitujsh të historisë çame duhet të hyjnë në tekste shkollore, si më imediate?
-Ne historianët po bëjmë përpjekje për të futur të plotë e të saktë historinë çame. Që në vitin 1994 është bërë përpjekje që u fut një pjesë e çështjes çame në tekste shkollore nga Instituti i Historisë. Përfaqësues të kësaj nisme ka? Sigurisht. Ishte drejtori i atëhershëm i këtij instituti profesor Kasëm Biçoku, profesor Myslim Myzyri dhe një grup studiuesish, që kërkuan që çështja çame të trajtohej në tekstet shkollore dhe që të saktësohen të dhënat në to. Cilat fragmente historike të kësaj historie janë përfshirë? -Që nga momenti i parë që Çamëria pushtohet nga forcat greke, nga perandoria Osmane kalon në pushtimin grek, edhe deri tek spastrimi i plotë etnik që ka ndjekur shteti grek. Po tani cilat fragmente historike duhen plotësuar? -Tekstet shkollore duke u lehtësuar nga informacionet e kanë të vështirë zgjerimin. Por kjo histori është domosdoshme të futet, sepse njihet pak akoma, dhe duhet të jetë edhe integrale me Historinë e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm në tekste, por edhe në materialet jashtëshkollore; si tekste ndihmëse të nxënësve dhe mësuesve, me materiale formuese specifike për këtë temë.

Ku t'i gjejnë materialet?

-Sigurisht duhen përgatitur nga Ministria e Arsimit. Ata që janë përgjegjës për këtë punë. Ne historianët e kemi bërë detyrën tonë një farë niveli. Kemi bërë kërkime serioze. Janë libra në dispozicion. Çështja është se mësuesit tek ne nuk e kanë formimin dhe nuk lexojnë literaturën e re historiografike. Kanë mbetur te tekstet dhe një pjesë e madhe e mësuesve deri në vitet '90 nuk kanë mësuar asgjë në shkollë vetë. Ata e kanë këtë mangësi. Ata që merren me shkollën duhet ta kenë parasysh këtë fenomen që Historia e Çamërisë të trajtohet dhe të jepet me kompetencë.

Mund të specifikoni një nga shqetësimet tuaja si historian për rishkrimin akademik të Historisë Kombëtare?

-Specifike është çështja që: periudha nga 1912 deri në fillim të viteve 1920 mungon, për arsye se nuk ka pasur një bazë burimore shumë solide. Burimet greke nuk kemi si t'i marrin. Dokumentet shqiptare janë të varfra, sepse shteti në një fazë të paorganizuar mirë u përball me dy luftërat botërore.

Pra kjo histori është e patrajtuar edhe nga akademikët?

-Jo tamam, por kërkon një informacion më të plotë dhe sigurisht do investime. Edhe në botimin aktual të Akademisë që është libri i madh "Historia e Shqipërisë", në vëllimin e dytë dhe të tretë e të katërt ku jam dhe vetë autor nuk u është dhënë hapësira e duhur trajtimeve historike të çështjes çame. Atëherë kaq na është dhënë mundësia e atij projekti. Unë kam qenë i pakënaqur më këtë dimension. Duhet shtuar informacioni i detajuar dhe pritet një botim i madh akademik "Historia Shqiptare në shekullin e 20-të" me dimensione të mëdha. Profesor Marenglen Verli p.sh. ka ngritur çështjen e pasqyrimit të kësaj çështjeje në fjalorin enciklopedik të akademisë së shkencave. Fjalori '84- '85 nuk ka pasur shënime për historinë e çamëve. Në fjalorin enciklopedik duhet të ketë një vend shumë të madh

O.J. Schmitt: Historia e Shqipërisë dominojnë interpretimet serbe

Në Shqipëri është një përpunim kritik i modeleve ideore të historiografisë komuniste. Ndërsa në Kosovë, një kthim i ngadalshëm e ballafaqim historiografik me interpretimet serbe që dominojnë tash, edhe pse pavarësia është një fakt i pakthyeshëm, e njohur tashmë nga disa vende të mëdha". Me këtë deklaratë ka tërhequr vëmendjen historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, i cili ka mbajtur të martën një ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare të Universitetit të Kosovës, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
"Historia shqiptare - histori e Ballkanit", ka qenë titulli i ligjëratës, i cili ka futur në relacion historiografinë shqiptare me atë të Ballkanit. O.J. Schmitt e ka njohur audiencën me "përplasjet" me historiografinë shqiptare.
Në këtë ligjëratë ai ka kritikuar mungesën e profesionalizmit të historianëve shqiptarë dhe faktin që nuk zhvillohet kritika historiografike për rishkrimin Historisë së Shqipërisë.
Ai theksoi nw kwtw takim se: "sidomos në Shqipëri duhet bërë shumë për rishkrimin e Historisë". Sipas tij shteti dhe politika kanë një përgjegjësi për interpretimin e drejtë të së kaluarës, e cila historianët i bën organ ekzekutues të një interpretimi të së kaluarës së përcaktuar nga instancat politike.
"Në Shqipëri rrinë ballë për ballë dy parti tepër konfrontuese dhe të dyja interpretojnë në mënyrë të kundërt pjesë të rëndësishme të historisë së re", ka thënë Schmitt, duke shtuar se "historianët janë zënë robër të zënkave të partive politike dhe kjo sqaron edhe mungesën e një historie bashkëkohore profesionale". Duke e parë në historinë tonë në kontekstin Ballkanik Schmitt tha se "Historia gjurmohet në dy dimensione: në hapësirë e në kohë." Ai tha se përveç interpretimeve të Eqrem Çabejt në historiografinë shqiptare mungojnë ndryshimet hapësinore, duke shtuar se për arsye politike është lënë jashtë një pjesë e Historisë së Shqipërisë. "Nga shteti amë ishte një definim i hapësirës; lindën pasojat e shënuara, narrativi që përfshinte vetëm Shqipërinë Adriatike, me disa shembuj nga Kosova".
Schmitt ka shtuar se në vëllimin e katërt të "Historisë së popullit shqiptar" u përfshi edhe historia e Kosovës nën regjimin jugosllav, "por u harruan shqiptarët e republikave të tjera jugosllave." Ndër të tjera ai theksoi se shpeshherë harrohet që koncepti i historisë shqiptare u vendos juridikisht nga shteti totalitarist komunist shqiptar dhe u realizua me pjesëmarrjen e vetë diktatorit. "Mund të konstatohet se në faktet historike shqiptare, të huajt thirren shpesh si dëshmitarë, edhe pse ata këtë rol nuk e kanë kërkuar kurrë", ka thënë Schmitt, duke shtuar se kolegët e tyre shqiptarë nuk duhet t'i trajtojnë mendimet e tyre si kritikë fondamentale ose me motive politike, por si kontribut për një proces shkencor.
Historiani zviceran, Oliver J. Schmitt, duke marrë parasysh situatën etnopolitike në Jugosllavinë titiste, ku historianët shqiptarë në Kosovë, iu bashkëngjiten interpretimeve të historiografisë së Republikës Popullore të Shqipërisë tha se: "Vetëm në diasporë ekzistonin disa zëra kritikë të rrallë, të cilët kritikonin nacionalizmin e doktrinën shtetërore historike të Shqipërisë".
Schmitt është ligjërues i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Ai njihet si historiani që ka zgjuar reagime të mëdha në Shqipëri me biografinë e Skënderbeut, për të cilin u shpreh se "shumica e kanë kritikuar pa e lexuar fare librin, ose pas një leximi të pavëmendshëm".

“Klepsidra”, saga sizifiane e Moikom Zeqos


Mbi librin më të ri me 65 proza të shkurtra të 
shkrimtarit.

Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi.

 Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C..

 Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave.

Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe./Flori Bruqi/



“Në këtë libër gjej qelizat më themelore, të cilat ndërtojnë letërsinë e re”

Libri më i ri i Moikom Zeqos, “Klepsidra” (botim i TOENA-s, 2011), plotëson koleksionin e librave të këtij autori me proza të shkurta, si “Adami i fshehur”, “Gjumashet e Efesit” “Shitësit e kaosit”, “Njeriu jeshil”, “Perëndia I”, “Refuzimi i shkrimit”. Një strukturë e tërë që plotësohet, pasurohet, ku konceptualizimi i rrëfimit fokusohet në optikën e krijimit dhe të misterit pa përmasa të “fiction”-in letrar. Moikomi bën përherë sfidën e papritur, ndryshon nga libri në libër, qoftë si substancë, qoftë si formë. Në një kuptim të abstraguar, është shkrimtari shqiptar “më i pakënaqur me veten, me atributin e arritjeve të reja”. Proza e tij, ashtu si poezia e tij, është krejt origjinale dhe e pangjashme me autorët e tjerë të shprehjes shqipe. Ai i lëviz botët, përfytyrimet, personazhet si një kaleidoskop universal. Vetëm në lëvizje dhe në ndryshueshmëri të pandërprerë. Ky libër ka 65 tregime që mozaikojnë figurën antike të Klepsidrës si simbol qendërzues.
 

Leximi i “Klepsidrës” së Moikom Zeqos. 

Proces mendor i shumëfishtë. Është një libër që të tërheq ndofta më shumë se sa “Refuzimi i shkrimit”. Kjo po ndodh se në këtë libër gjej qelizat më themelore, të cilat ndërtojnë letërsinë e re. Pa dyshim që kemi të bëjmë me një zbërthim të ri jo nëpërmjet parabolave (shkencore) të misterit, por kemi të bëjmë me vetë misterin e parabolave të ndërtimit – e theksoj – të letërsisë që buron nga analiza universale e gjerave të jetës. Vetë shkrimtari, në parafjalën e librit, përmend prapavijat e një palimpsesti enigmatik. Pikërisht kjo është dhe esenca e krijimit të tregimit emblemë “Klepsidra”. Misteri qëndron me parabolat jo vetëm të kohës në matësin me rërë, po në vetë rërën. Rëra është ajo me të cilën bëhet ngjizja e ndërtesave letërsi. Por varet nga teknologjia e përpunimit. Këtë teknologji të re e njeh në thelb Moikomi. Personazhet e këtij libri jetojnë, futen dhe dalin nga labirintet e kohës dhe të hapësirës, lëvizin kostumet, maskat, pantomimat, palët dhe gjuhët e papërputhshme. Lazari biblik që bën vetëvrasje mbas ringjalljes, asketja Maria Egjiptiane, princi Hirtigr, Gjon Buzuku, Eskili, Kaligula, Georg Hahni, Borgesi, Jasques Le Goff, Katerina Viterbo, Jul Cezari dhe Bruti, shqiptari Andrea Manasi që shpallet Mesi, Averroesi, Ibn Kasauni, Pessoa, Hammondi, Migjeni, Kentauri Kiron, që heq dorë nga pavdekësia e tij hyjnore, filozofi Ludwig Wittgenstein, Xhuxhët, që venë në skenë “Hamletin”, gra Keruburini, që zbulon në shekullin XVII në Veriun e Shqipërisë katër shprehjet kabalistike të “katrorit magjik”, polumbari Ropi B., që zhytet në pus për të gjetur florinjtë, Hoiçi, muzikanti i verbër pa veshë, kalorësi Von Harfi që shtegton te Mali i Hënës etj., janë shumësi i figurave që bëjnë sintezën e paradokseve. Interferimi i dijeve të mësuesit dhe të nxënësit në tregimin inteligjent “Concedo nulli” është përplasja e procesit të metamorfozës në lëvizjen në një drejtim të të dyve, por në sens të kundërt. Fundi është përplasja. Është Bing Bengu i konceptualitetit të Kohës Zero. Mësuesi është Erazmi i Roterdamit dhe nxënësi është Aleksandër Steward, djalë ilegjitim i Mbretit të Skocisë. Të futësh personazhe të këtillë në një libër për autorin është veprim ekselent, por që e ndihmon atë të jetë konsekuent në qëllimin e tij të narracionit origjinal. Në tregimin “Sytë”, me subjekt nga zona e Shpatit të Elbasanit, me një stil të zhdërvjellët e komunikues, Moikom Zeqo tregon për një tatuazh që bëhej në shpatullat e banorëve aty. Një rreth me katër sy brendashkruar në cirkonferencë. Mirë, thotë Moikomi, tre nga këta sy janë e shkuara, e tanishmja dhe e ardhmja, po syri i katërt? Ai është forma apokaliptike e hapësirave dhe kohërave që çon në përplasjen e pashmangshme. Tregimi “Klepsidra” është jo më kot në krye të librit. Ai merr autoritetin e pasaportës për të hyrë në botën konceptuale të narracionit të Moikomit. Në shumicën e tregimeve që pasojnë “Klepsidrën” ndjehet rrjedhja e rërës alternativisht lart poshtë e anasjelltas, pikërisht në këtë rrjedhë pa mbarim Moikomi luan me metamorfozën e tij origjinale. Kështu, në tregimin “Të fjeturit e shpatës” flitet për një ngjarje tipike shqiptare. Në një shpatë të vitit 1813 janë gdhendur nga një shqiptar prej Leskovikut shtatë emrat e djemve që u zgjuan në një shpellë pas 309 vjetësh, e kjo shpatë ndodhej në një Institut të Kulturës Popullore në Tiranë. Por, në befasi të plotë, Moikomi na sjell dhe gjashtë histori të ngjashme me këtë legjendë, e ato ndodhin në vende të ndryshme e në kohë të ndryshme. Në rrjedhën indiferente të “Rërës – Kohë” kalojnë emra, emra pa fund, duke marrë nga njëri-tjetri ngjashmërinë e transformohen derisa formatohen në tekstin fillestar të shtatë Djemve të Fjetur të Shpatës. Koha është magma e metamorfozës që e bën librin si model të kësaj mënyre narrative origjinale. Kështu ndodh me shumë subjekte të tjera të këtij libri interesant. Moikomi i ka quajtur tregimet e tij si parabola misteri. Më saktë: udhëtime të imagjinatës për zbulimin e realiteteve të dukshme dhe të padukshme. Te “Tregim me përralla për Dardanën”, e shkruar më 1985-n, janë dhjetë parabola përrallore si kapituj të ndërthurur romani. Tregimet e Zeqos janë potencialisht fillesa romani. Te “Paraardhësi i Don Kishotit”, Zeqo shkruan për një personazh antik që futet në teatër kur s’ka as aktorë e as shikues dhe përjeton shfaqje mahnitëse. E, pra, shumë shekuj përpara se të lindte Servantesi i madh. Parabola misteri. Në ç’kuptim? Vetë autori shkruan në “Post Scriptu” të librit: “Klepsidra është Saga e Sizifit, lëvizja lart-poshtë si dhe poshtë-lart, që janë e njëjta gjë në pambarim. Më shumë se formë e kalimshmërisë së brishtë, e matematikës së thërrmijave të lëvizshme është amshim i pamatshëm dhe një absolute e vetëmjaftueshme. Karakteri klepsidor i librave nuk vihet dot në dyshim. Origjinaliteti është pikërisht te lëvizja, te vullneti i paepur i shkrimtarëve sizifian. Pa këtë lëvizje zhduket, pra edhe vetë Klepsidra reale ose si simbol. ”Klepsidra” i kalon caqet e mendimit letrar ose më mirë të themi të kritikës së sotme letrare, qoftë dhe hipotetike. Kjo ndodh sepse në këtë libër që ka brenda misterin e vazhdueshëm rrjedhës në çdo tregim Moikomi e kthen të njohurën në shkencë dhe të panjohurën e kthen në filozofi – siç thotë mendimtari Osho. Por Moikomi shkon më tej, duke ndjekur fijet metafizike thur tiset mistike që mbështjellin pothuaj të gjitha tregimet e këtij libri. E kjo ndodh edhe me tregimet e shkurtra, edhe me ato të gjata. Tiset u japin tregimeve të Moikomit ndjenjën e mistikes, çka ekspozohet fuqishëm te tregimi “Gra mistike”. Artificat e gjalla, organikisht të kompozuara, e bëjnë narracionin moikomian konkrete brenda abstraktes. Në tregimin “Klepsidra” elementet konkrete si rëra dhe pluhuri njerëzor, ena e matjes së kohës dhe Arka biblike e Moisiut ndërthuren e vijnë para syve tanë në pamje tredimensionale. Kështu, rrëfimi brenda tekstit të tregimit e tejkalon vetë mënyrën e rrëfimit. Duke u vendosur në platforma të tjera, ato që fluturojnë drejt së panjohurës. Paragonizmi i enës Klepsidra me Arkën e Moisiut nuk është gjë tjetër veçse metafizika e tij që e sjell kohën biblike në kohën tonë. Por, veç këtyre, në artin narrativ të Moikomit është futur dhe procesi i metamorfozës. Metamorfoza është lëvizje, ndërrim i roleve, ambiguiteti i personalitetit. Te “Princi Hirtigr” flitet për dr. Ostvald, drejtor i Bibliotekës së Kopenhagës që zbulon në sagat nordike emrin e një princi shqiptar, bëhen debate për Borgesin, shfaqet fantazma e Borgesit në bibliotekën e reve të qiellit, Jacques Le Goff diskuton për kohën biblike, vetë princi Hirtigr udhëton në Kostandinopojën e shekullit XII dhe takohet me Florimontin dhe me vetë… Hamletin. E njëjta situatë surrealiste është edhe te tregimi “Katerina” dhe “Fantazma e detit”.
Në librin “Klepsidra” ka shumë tregime, të gjata e të shkurtra, por çuditërisht të gjitha të personalizuara e me rëndësi konceptuale. Nëse libri hapet me tregimin “Klepsidra”, për mendimin tim mbyllja është me tregimin “Thithësi i librave”. Në këtë tregim promemorie është historia e një shqiptari nga Kanina e Vlorës, i cili përfundon murg në malin Athos. Ky personazh e ka emrin Nifon dhe ka vetinë të thithë çdo germë të çdo lloj libri apo dorëshkrimi. Mbasi lexoi (thithi) pa fund me mijëra e mijëra libra e dorëshkrime, këto të fundit mbetën bosh, pa germa. Murgjit bibliotekarë të Athosit shkruanin mbi tekste të reja. Por, me kalimin e kohës, germat e thithura nga Nifoni dilnin përsëri e gjithçka ngatërrohej. Nifoni fryhet nga germat e shumta, bëhet 300 kg dhe vdes duke u shpërthyer. Moikomi në këtë tregim thotë: “Ai kishte thithur kulturat që nuk mund të humbnin. Pastaj kishte shpërthyer që çdo gjë e paeliminueshme dot, të rikthehej përsëri”. Pra nën këtë konceptim me të cilin përfundon tregimi shohim edhe një herekonceptin e Klepsidrës, d.m.th. rrugën sizifiane të rërës që sillet lart poshtë e poshtë lart. Germat brenda trupit të njeriut Nifon nuk janë gjë tjetër veçse rëra e Klepsidrës, përndryshe kjo rërë paragonohet me dorëshkrimet e fshira-thithura që rishfaqin germat e para alias kokrra rëre! Pra kemi përpara nesh tablonë e plotë të një palimpsesti që ka emrin e “Klepsidrës” e që magma e saj është metamorfoza. Tregimi “Thithësi i librave” është shpotia e madhe që Moikomi i bën historisë së kulturave botërore e, për fat, i vendos shpesh në personazhe shqiptare. Në këtë libër autori jep dhe përkufizimin e guximshëm të “një ligji të letërsisë e të arteve ku secila palë është subjekt i vetëm dhe i shumëfishtë”. Por duhet theksuar se ky ligj përdoret vetëm nga Moikom Zeqo pikërisht në këtë libër të bukur që lexuesin e vë në udhëkryq për vetë ekzistencën. E vë lexuesin në mendime, i tendos imagjinatën, i mpreh instinktin kundër vulgares, së rëndomtës, kundër subkulturës dhe librave të pafund dhe të kotë. Po e ritheksoj se origjinaliteti moikomian është në konceptualitetin e rrëfimit letrar. Ai e dekonstrukton rrëfimin linear pa mëshirë dhe me inteligjencë vetjake, duke e lidhur letërsinë moderne shqipe me bashkësinë e letërsisë së madhe botërore. Ky është një synim fisnik. Është një vizion që i hap horizontet, nuk i mbyll. Është merita artistike e përpjekjeve shumë të mëdha dhe e talentit të veçantë të Moikomit.
FATMIR MINGULI
(* kritik letrar)

Umberto Eco ripunon “Emrin e trëndafilit”



Pas një ndërhyrjeje estetike, rivjen në shqip “Emri i trëndafilit”. Pak ditë më parë, shtëpia botuese “Dituria” ka ribotuar veprën më të njohur letrare të Umberto Ecos, por këtë herë bëhet fjalë për një vepër të riparë e të përpunuar pas 32 vjetësh nga vetë autori. “Ky nuk është një rishkrim. Është një përmirësim kozmetik, por disa portrete kanë pësuar më shumë se një tualet”, do të shprehej shkrimtari dhe studiuesi në një intervistë. Romani është ripunuar me kujdes, është ndryshuar, plotësuar por edhe lehtësuar nga disa situata që, pas kaq kohësh, autori gjykoi t’i përmirësonte, nga disa citime në latinisht, që për lexuesin e zakonshëm ishin një shkëmb i vështirë për t’u kacavjerrë. Kjo vepër, e konsideruar si një prej 10 romaneve më të mira të shekullit të kaluar, me rreth 30 milionë kopje të shitura në të gjithë botën, u ribotua përsëri dhe u mirëprit, si gjithmonë, në të gjitha gjuhët kryesore. “Emri i trëndafilit” është vepra më e njohur e Ecos, në një kohë që është i pakundërshtueshëm kontributi që ai ka dhënë në fushën e teorisë letrare, suke sjellë një seri veprash në ndihmë të studentëve dhe studiuesve të letërsisë.

“Akademia s’ka para, qeveria 30 milionë ‘Vatrës’ në SHBA”





Akademiku Myzafer Korkuti

Ndërsa reklamohet me të madhe viti jubilar i Pavarësisë, në Akademinë e Shkencave presin për botim një sërë veprash që lidhen me këtë ngjarje të madhe. Por nuk ka fonde. Nënkryetari i Akademisë, Myzafer Korkuti, ngre një sërë problemesh që lidhen me 100-vjetorin, që nga monumenti i pavarësisë, te mungesa e një busti për Ismail Qemalin dhe kalendari i aktiviteteve ende i pa miratuar.
Kur prezantuat albumin kushtuar Ismail Qemalit thatë se është “diletanteske” ideja e ngritjes së një monumenti pavarësie në Tiranë. Përse?
Sa herë që ka një përvjetor, ne kërkojmë të bëjmë një monument. Këta thonë se do ndërtojnë një monument të pavarësisë. Ai është bërë në Vlorë dhe nuk lëviz nga Vlora. Është një monument madhështor, kompleks, 17 metra i lartë (K. Rama, M. Dhrami, Sh. Hadëri). Kjo është një e vërtetë historike. Është si të lëvizësh Dodonën apo Apoloninë nga atje ku janë e t’i vendosësh në një vend tjetër. Pra i takon shtetit, qeverisë, institucioneve që të realizojnë të tjera monumente, edhe më të shkëlqyera dhe me përmbajtje historike.

Si për shembull një monument kushtuar Ismail Qemalit?

Tirana ka rreth 25 monumente për 25 figura të shquara, që i meriton kryeqyteti, por nuk ka asnjë për themeluesin e shtetit shqiptar. Nuk ka asnjë vend për Ismail Qemalin dhe është një padrejtësi që i bëhet kësaj figure.

Ka një tendencë për të zbehur figurën e Ismail Qemalit?

Kjo është qartë, por historia është ajo që është dhe nuk mund ta ndryshojmë. Ismail Qemalin duhet ta gjykojmë për atë kohë që punoi dhe veproi. Më vonë filloi Lufta Ballkanike, Lufta e Parë Botërore. Nuk kishte mundësi Ismail Qemali që mes këtyre ujqërve të vepronte. Shqipërinë e bën copa-copa dhe nuk mund të fajësojmë Ismail Qemali.

Albumi për Ismail Qemalin është mbështetur nga sponsorë të huaj. Nuk i përballon dot vetë Akademia e Shkencave?

Ky album është botuar me sponsor të huaj, nga një dashamirës i Shqipërisë, ambasadori Silvano Pedrollo. Momentalisht kemi tri vepra madhështore në pritje për t’u botuar, por nuk kemi financa. Njëra është e Kristo Frashrit për Lidhjen e Prizrenit. Është një vepër voluminoze 600 faqe, të cilën ai e ka ripunuar dhe pret ta botojë. Po kështu, akademiku Arben Puto ka bërë një vepër po kaq monumentale, “Shqipëria ’12-’39″, gati për botim. Një tjetër vepër për Kosovën e ka gati Kristaq Prifti, me dokumente origjinale të pabotuara më parë. Pavarësia nuk mund të kuptohet pa Lidhjen e Prizrenit e pa Kosovën. Si mundet shkenca shqiptare të tregojë historinë kur nuk ka as të ardhura financiare.

Mos ndoshta kjo vjen për shkak të statusit “honorifik” të Akademisë së Shkencave?

Është evidente. Për t’ju bindur për këtë do t’ju sjell një shembull konkret. Shoqata “Vatra” në Amerikë ka 100-vjetorin e saj dhe qeveria shqiptare ka dhënë 30 milionë lekë për këtë rast. Një miku im studiues në Nju Jork, sa e merr vesh, më dërgon një mesazh: “Si është e mundur që ju t’i jepni 30 milionë Vatrës? Vatra është në gjendje t’ju ndihmojë ju për botime”. Ky është një paradoks i qeverisë shqiptare. Është e papranueshme…

A i keni ngritur në rrugë zyrtare kërkesat tuaja?

Kryetari i Akademisë është anëtar i Komisionit Kombëtar të Festimeve të 100-vjetorit. Ka marrë pjesë në disa mbledhje dhe ka paraqitur me shkrim të gjitha kërkesat tona. Po mbaron prilli dhe nuk është dhënë asnjë mjet financiar.

Me se do të realizohen këto vepra? Nuk ju duket si fushatë shpallja e gjithë këtyre konkurseve brenda të njëjtit vit, me rastin e 100-vjetorit?

Nuk mund të flasësh sot për 100-vjetorin, të bësh plane e projekte. Kur flasim për projekte shkencore, vepra serioze, ato fillojnë 3-4 vjet përpara. Vetëm 6-7 muaj kanë mbetur dhe ne nuk kemi një plan konkret se çfarë do të bëhet. Të gjithëve na lind pyetja se si do të nderohet figura e Ismail Qemalit në këtë 100-vjetor. Vlora do të vizitohet nga mijëra bashkatdhetarë, por atje Muzeu i Pavarësisë i ndërtuar në vitin 1962 është i pavizitueshëm. Po shkatërrohet dhe nuk ka asnjë mbështetje financiare, që të paktën të kthehet në gjendjen e mëparshme. Ç’do të bëhet nga Muzeu Historik Kombëtar? Deri tani asgjë.

Prej kohësh është njoftuar shpallja e një kalendari aktivitetesh, por ende nuk është bërë asgjë publike. A është marrë ndonjë vendim?
Asnjë gjë zyrtare. Janë bërë disa mbledhje, por asgjë nuk është miratuar.

Libri i fluturave të Veton Surroit


BESNIK MUSTAFAJ


Veton Surroi shkruan mirë. Thënë ndryshe, ai ka stil. Sipas grekëve të vjetër, stili është vetë njeriu. Kush ka pasur dëshirë apo kureshtje ta lexojë gjatë më shumë se njëzet e pesë vjetëve të fundit, në shtypin shqiptar apo të huaj, ka mundur të vërejë se ai shkruan thjesht dhe qartë. Dhe kjo, pavarësisht nëse pajtohesh apo jo me çfarë thotë ai. Thjeshtësia e stilit të tij është shprehje e një zotërimi të mirë të gjuhës dhe sidomos e një vetëdijeje të lartë intelektuale për qëllimin pse ka marrë penën. Kam lexuar, besoj, pjesën dërrmuese të botimeve të tij nëpër vite. Kurrë nuk kam vënë re midis rreshtave të shkrimit të tij ndonjë shenjë kapardisjeje prej autori “mendjendritur”, që halli e çon te ca lexues “mendjemykur”. Ai shkruan natyrshëm thjesht, sepse të thjeshtë e përjeton me sinqeritet subjektin që synon të shprehë. Ai, domethënë autori Veton Surroi, beson me ndershmëri se po ngre një hall që e ka të përbashkët me lexuesin. Ai shkruan qartë, po ashtu, jo pse është ushtruar gjatë me sintaksën. Madje, sintaksa e tij vende-vende paraqitet e shkujdesur. Qartësia e tekstit të tij është paraprakisht pjekje e idesë në kokën e autorit. Kurrë shkrimet e Veton Surroit nuk më kanë lënë përshtypjen e ndonjë spontaniteti apo improvizimi. Në këtë kuptim, do të thosha, në vetvete akti i shkrimit te Veton Surroi përbën një sjellje nga ana e tij ndaj publikut.
Në këtë hulli, por me një cilësi të re, shfaqet ai edhe te “Libri i fluturave”, botuar në Prishtinë nga “Koha” në fund të vitit të kaluar. Domethënien e titullit lexuesi do ta gjejë të shprehur nëpërmjet një parabole në faqen e fundit të librit. Veton Surroi merr përsipër të rindërtojë nga brenda një nga ngjarjet më të ndërlikuara përsa i përket mënyrës si u zhvillua dhe njëherësh më të rëndësishme përsa u përket rrjedhimeve në historinë e botës shqiptare të shekullit të fundit, e që është edhe shekulli i mëvetësimit të tyre nga Perandoria Otomane. Fjala është për Marrëveshjen e Ohrit, nëpërmjet së cilës shqiptarët e Maqedonisë përmbushën de jure shumë nga të drejtat themelore, të garantuara në legjislacionin ndërkombëtar, por të harruara, të mohuara ose të nëpërkëmbura në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë. Në dijeninë time, ky është deri më sot rasti i vetëm në literaturën tonë ku gjejmë përshkrimin kronologjik dhe analitik të një negocimi qysh në zanafillë e deri në përmbyllje. Është një negocim pa precedent në historinë e gjatë të përpjekjeve të shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre kombëtare apo politike. Përvoja e krijuar tre vjet më parë ndër shqiptarët me kurorëzimin e luftës në Kosovë nuk mund të shërbente në këtë rast për shumë e shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja posaçërisht kontekstin kur zhvillohen ngjarjet, shumë i ndryshëm nga ai i Kosovës së periudhës 1998-1999 në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. UÇK kësaj here dukej sikur kishte hyrë në një qorrsokak dramatik, çka e shtyn Veton Surroin të mërmërisë plot ankth me vete se rebelimet e tilla kanë vetëm njërin nga dy përfundimet: ose udhëheqësi vritet dhe merren me mend pasojat mbi mbështetësit e tij, ose rebelët përfshihen sinqerisht në bisedime për ta përmbyllur me zgjidhje politike rrugën e nisur me pushkë. Duhej çelur medoemos rruga për të mbërritur në përfundimin e dytë.
Duke iu përmbajtur edhe kësaj here parimit se akti i shkrimit përbën në vetvete një sjellje nga ana e tij ndaj publikut, Veton Surroi i shmanget me kujdes kurthit të protagonistit të Historisë tashmë me penë në dorë, ashtu siç i shmanget si diçkaje të huaj edhe modestisë së shtirur. Ky virtyt i rrallë ndër bashkëkombësit tanë, te Veton Surroi buron nga vetëdija e tij njerëzore dhe politike për të qenë realist. Në terrenin e ngjarjeve Veton Surroi e kalit këtë cilësi te vetja në sajë të bindjes intelektuale se në rrethana të tilla të ndërlikuara e me rrjedhime afatgjata jo vetëm mbi jetët e një numri njerëzish, por mbi krejt paqen e rajonit, ai nuk mund t’ia lejojë vetes as edhe veprimin më të vogël thjesht për t’i pëlqyer dikujt, qoftë ky “dikush” në anën shqiptare, maqedonase, apo në anën e ndërkombëtarëve. Kjo, në të vërtetë, është bindja intelektuale e njeriut që e njeh mirë dëmin që mbart oportunizmi për rezultatin e dëshiruar dhe që po ashtu e ka të qartë kufirin e rreptë që ndan oportunizmin nga kompromisi. Trimi i kohëve moderne është ai që di të arrijë te kompromisi. Jeta dhe përkushtimi i gjatë në Kosovën e pushtuar, me një armik si Millosheviçi përballë, duket e kishin mësuar mjaftueshëm të udhëhiqej nga faktet dhe jo nga hamendjet, përndryshe rrezikon prekjen nga paranojat apo deliret, prej nga dalja është fort e mundimshme, në mos e pamundur. Keqpërdorimet e shtetit deri shpesh kriminale nga ana e politikanëve maqedonas gjatë atyre muajve të “krizës” për shkak vetëm se truri i tyre ishte i turbulluar nga paranojat, ishin, sipas Veton Surroit, pikërisht shembulli që nuk duhej ndjekur nga shqiptarët, të cilët, edhe pse nuk kishin institucione shtetërore, kishin armë dhe motivime me bollëk, që mund të keqpërdoreshin, siç do të kishte qenë, bie fjala, bartja e luftës brenda qytetit të Shkupit, gjë që nuk ndodhi. Mbi faktet duhet vepruar konkretisht dhe me vullnetin e mirë për të zbuluar brenda tyre prirjet pozitive, sado embrionale qofshin ato, për t’i ndihmuar në vazhdim të fuqizohen derisa të bëhen dominuese. Përndryshe rrezikon dëshpërimin, prej nga dalja është po ashtu fort e mundimshme, në mos e pamundur.
Ky libër, pra, duhet lexuar dy herë. Të paktën për veten time unë dy herë e lexova. Së pari si një dëshmi të drejtpërdrejtë për një kapitull nga më të lavdishmit në historinë tonë kombëtare, të cilit vetëm fundin ia njihja mirë: Marrëveshjen e Ohrit. Por nuk dija thuajse asgjë s’i u arrit deri te kjo marrëveshje. Për leximin e dytë u nxita nga një vlerësim sintetik që jep autori kur në përmbyllje të këtij procesi u shkruan një letër të hapur miqve të tij maqedonas, ku u thotë “…qe një fat i madh për Maqedoninë që mes shqiptarëve qenë Xhaferi dhe Ahmeti. Te të dy u ndërtua, në një moment kritik, konsensusi se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të ndërtohen në dëm të maqedonasve etnikë”. Një letër të tillë Veton Surroi shtyhet ta shkruajë kur mëson nga një miku i vet në Shkup se njerëzit e policisë sekrete të Maqedonisë, të cilët e kishin vënë nën përgjim, e përgojonin atë si ideologun kryesor të UÇK-së, këshilltar i Ali Ahmetit dhe i Arbër Xhaferit për çështjet ushtarake dhe politike njëkohësisht, këshilltar i amerikanëve dhe i negociatorëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai parashikon, me të drejtë, se këto pëshpëshe “të policisë sekrete mbi njeriun-oktapod do të mbërrijnë me kanalet e veta në mediat maqedonase”. Prandaj, shpjegon ai qëllimin e letrës, “mendoj se do të jetë më së miri që mendimet e mia t’ia jap opinionit publik të atilla siç janë”. Si mik i vjetër i Vetonit, por edhe si një njeri që ua kam kushtuar njëzet vjetët e mia më dinamike marrëdhënieve ndërkombëtare, doja të kuptoja se cili ishte në të vërtetë roli i tij në këtë Histori, e cila bëri të mundur që e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni të jetë thelbësisht tjetër nga e shkuara e tyre dhe, parë më gjerë, u dha njëherazi edhe maqedonasve etnikë një fitore, që ata nuk do të mund ta arrinin kurrë vetë, sepse nuk kishin as lidership vizionar, as opinion publik të pjekur, as ushtri të aftë për të shërbyer si dorë e hekurt në kontroll të situatës. Fitorja e maqedonasve ishte pikërisht Marrëveshja e Ohrit, në sajë të së cilës ky shtet shpëtoi nga shpërbërja përfundimtare, dramatike dhe e turpshme. Kjo, pra, ishte qasja ime ndaj “Librit të fluturave” gjatë leximit të dytë.
Marrëveshja e Ohrit do të mbetet si një rast-shkollë në analet e Diplomacisë botërore për shumë arsye. Po përmend disa prej këtyre arsyeve, që më duken më kryesoret: nisma për të çelur bisedime për paqen nuk u ndërmor as nga ndërkombëtarët, siç kishte ndodhur dekadën e mëparshme në Bosnjë, në Kroaci e në Kosovë, pjesë përbërëse këto të ish-Jugosllavisë për të mos e hedhur vështrimin më larg në zonat e tjera të nxehta të planetit tonë; nuk u mor as nga shumica etnike maqedonase, e cila zotëronte shtetin dhe pushtetin siç do e donte skema klasike e konflikteve të tilla. Nisma për të mbërritur te paqja u mor pikërisht nga shqiptarët dhe jo në një moment të lodhjes së rebelimit të tyre, por kur ata ishin në kulmin e sukseseve ushtarake, gjë që normalisht shkakton nga ato eufori, të cilat nuk lënë hapësirë veprimi për politikën e as për diplomacinë. Këtë nismë, sigurisht, nuk mund ta ndërmerrte udhëheqësi politik i shqiptarëve, Arbër Xhaferi, i cili, pavarësisht kthjelltësisë, me pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës, ishte tashmë pjesë e sistemit, kundër të cilit ishin ngritur bashkëkombësit që ai përfaqësonte në Parlament. Shkurt fjala, në rrethanat e radikalizmit të gjendjes, për shkak të bilancit premtime-arritje në përmbushjen e të drejtave të atyre që i kishin besuar, Arbën Xhaferi kishte tashmë një autoritet moral dhe politik të dëmtuar rëndë. Rrjedhimisht, fjala e tij nuk kishte më peshën e nevojshme për të prirë. Çdo protagonizëm i tij për të negociuar paqen do të merrej si përpjekje për të ruajtur pushtetin. Arbën Xhaferi ishte i pari që e kuptonte pafuqinë e vet. Këtë nismë po ashtu nuk mund ta ndërmerrte as Ali Ahmeti nga ana e tij. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rrëmbyer armët duke marrë në sy edhe sakrificën më sublime pikërisht pse kishin humbur besimin te politika. Çdo thirrje e tij ndaj autoriteteve maqedonase për t’u ulur në tryezë do të keqkuptohej rëndë më së pari nga bashkëluftëtarët e tij dhe më gjerë, nga mbarë bashkëkombësit e tij, për të drejtat e të cilëve kishte nisur lufta. Ai do të humbte pashmangshëm legjitimitetin dhe do t’i shkaktonte, sigurisht, një dëm të madh vetes, por të keqen më të madhe do t’ia shkaktonte kauzës që udhëhiqte. Një lëvizje guerile me veprimtari luftarake në zgjerim të shpejtë dhe me simpati popullore në rritje po aq të shpejtë, duke humbur befas besimin te udhëheqësi i vet themelues, i ka të gjitha gjasat të shndërrohet sakaq në një bishë të verbuar, që nuk di më ku e zbraz tërbimin. Me gjithë dëshirën e mirë për ta shënuar kthesën drejt paqes, Ali Ahmeti nuk gjente derë të çelur as te ndërkombëtarët. Presidenti Bush e kishte renditur atë në listën e terroristëve.
Në këtë kontekst të pashpresë për paqen, shfaqet Veton Surroi, i cili ngjitet në skenë krejt siç hyhet në një ëndërr. Ai nuk ka asnjë mandat për t’u bërë ndërmjetës. Nuk është qytetari i Maqedonisë që shqetësimi i tij të mirëkuptohet në emër të interesit madhor për paqtimin e vendit të vet. Por është shqiptar dhe, si i tillë, nuk ka asgjë nga fuqia ndikuese e një “ndërkombëtari”. Është njëherësh shtetas i Kosovës dhe i Shqipërisë, por nuk mund të ushqejë as edhe një fije shprese për të pasur mbështetjen e makinës shtetërore të Kosovës apo të Shqipërisë. Zaten, nga fillimi në fundin e kësaj historie fantastike, Veton Surroi duket se nuk shpreson asgjë. Ai vetëm dëshiron dhe, ditë pas dite, sado që i përshkuar nga një mjegull dëshpërimi, ai dëshiron fort e më fort që ngjarjet të kthehen drejt horizontit të paqes. Ndër të gjithë aktorët, ai ka miqësi vetëm me Arbën Xhaferin. Por, në terrenin e veprimit praktik, miqësia me Xhaferin i vlen aq sa i vlen. Ali Ahmetit nuk ia ka dëgjuar kurrë emrin më parë për mirë as për keq. Udhëheqësit e lartë maqedonas, me një pjesë të të cilëve ka njëfarë njohjeje, flasin tashmë, për fatin e keq, një gjuhë krejt të kundërt me gjuhën e tij. Personalisht Veton Surroi ka shumë miq të mirë në Uashington, në Bruksel, në Londër, në Berlin, në Paris. Por, institucionalisht përgjigjen për përpjekjet e tij ai e merr nga ambasadori britanik në Shkup, Mark Dickinson, njëherësh edhe kryesues i radhës i BE në Maqedoni, i cili thotë: “… duhet të jem absolutisht i qartë. Nuk ka vend për terroristë në asnjë proces negociator. Ky është qëndrimi i qeverisë sonë, ky është qëndrimi i qeverisë amerikane, nëse nuk e keni ditur, ky është qëndrimi i NATO-s, ky është qëndrimi i të gjithëve”. Kështu i vetëm, me të gjithë kundër, Veton Surroi lëviz nëpër skenë vërtet si nëpër një ëndërr. Nevojitet një shpuzë e jashtëzakonshme morale brenda vetes për të mos u pushtuar nga ndjesia e kotësisë. Për fatin e mirë të atij vetë, por, mbi të gjitha, për fatin e mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë, maqedonas etnikë apo të tjerë, Veton Surroi duket se e kishte një forcë të tillë. Bota shqiptare po e po, por edhe i gjithë rajoni i ka në këtë rast një borxh të madh mirënjohjeje Veton Surroit.
Procesi i arritjes te Marrëveshja e Ohrit do të mbetet sui generis në analet e Diplomacisë botërore, sipas gjykimit tim, kryesisht në sajë të rolit që luajti në të Veton Surroi. Një njeri fillikat, pa asnjë lloj mandati, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë të fatit të tij si qytetar e as të karrierës së tij me dramën që po ndodhte në atë shtet, pa një grimë buxhet përveç parave të xhepit të tij, pa kurrfarë aparati profesional mbështetës dhe me shumë “pa” të tjera, arriti të bëhet brenda një pranvere strumbullari i një kthese historike për ekzistencën e Maqedonisë si një shtet multietnik. Nuk po them se e solli ai paqen. Ai thjesht ka meritën e pashembullt se e kuptoi i pari rrugën nëpër të cilën duhej ecur për të arritur te paqja dhe pati fuqi ta besojë se ishte e mundur të ecej nëpër atë rrugë kur askush nga ata që kishin “vulë” brenda e as jashtë Maqedonisë nuk e përfytyronte një gjë të tillë. Kjo quhet kauzë. Veton Surroi dëshmoi se ishte i aftë të shtrydhte nga vetja një kauzë, kishte durim dhe përkushtim t’i shërbente kauzës së vet, duke dhënë, vetëm duke dhënë nga vetja pa kursim, pa pritur kurrfarë shpërblimi nesër, pa u vënë me anësi në shërbim të asnjërës palë në konflikt, i bindur se te kauza, vetëm te kauza ishte vendi për t’u bashkuar si të barabartë edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, pa asnjë kompleks inferioriteti ndaj ndërkombëtarëve, por me mendje të kthjellët se pa ndërhyrjen e tyre nuk mund të përmbushej kauza; me një vlerësim gjakftohtë për veten, për të mos marrë përsipër në asnjë rast përgjegjësi që nuk përputhen me zotësitë e tij e as me motivin përse gjendet në atë mesele, siç ishin ato të këshilltarit politik apo ushtarak për UÇK-në, të këshilltarit politik apo diplomatik për Arbër Xhaferin, të këshilltarit patolog për ndërkombëtarët, cilësi këto që u përpoqën t’ia veshin mendjeshkurtrit e policisë sekrete maqedonase. Ai shfaqet gjithë kohën i vetëdijshëm se nuk mund të ishte madje as ndërmjetës në negociata, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ai shfaqet, megjithatë, kudo dhe hap pas hapi dhe kudo si një ndihmës i pazëvendësueshëm i vullnetit të mirë. Si i tillë, natyrshëm që ai nuk do të dukej në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Çelja e kësaj ceremonie shënonte përmbushjen e kauzës së tij, domethënë edhe tërheqjen e tij të pabujshme në qoshen e vet në Prishtinë apo në Qerret, ku edhe e ka shkruar “Librin e fluturave”, me nxitjen këmbëngulëse të motrës së tij, Flaka. Faleminderit, Flaka!

Fatos Kongoli: Dyshimet e mia për esperanton

Një nga romanet më të suksesshëm të shkrimtarit Fatos Kongoli, "Lëkura e Qenit" botohet edhe në gjuhën Esperanto gjuhe e cila i hap rrugë këtij romani për tu bërë lehtësisht i lexueshëm në rreth 120 gjuhë të botës.


Përkthyesi i Romanit Tomas Chmielik shprehet për rëndësinë e këtij roman i cili i bashkohet kësaj gjuhe të vecantë për botën letrare.


“Gjithçka e vendosi rastësia, në fillim e lexova librin në polonisht. Pasi e lexova konsistova se ky botim ishte një zbulim jo vetëm nga realiteti Shqiptar por duke lexuar këtë libër gjeta dicka të përbashkët me jetën në Poloni” ka theksuar Chmielik.


Të pranishëm në prezantimin e ri të këtij romani ishin përfaqësues nga shoqata e Esperantistëve të Polonisë dhe të Shqipërisë, përfaqësues nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të librit autorë dhe kolegë të shkrimtarit.



Z. Kongoli, cilat ishin arsyet e hezitimit tuaj për përkthimin e romanit në gjuhën esperanto?
-Nuk është se hezitova në atë kuptim të ngurrimit, por m'u duk diçka shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
Kam parasysh se sociolinguistë të mëdhenj si F. de Sosyr dhe Derrida pohojnë se gjuha nuk është vetëm gjuhë shenjash por është edhe frymë, psikologji, ndjenjë, etj. Si do të reagonit ju si pro-esperantist ndaj tyre?
-Kjo është një pyetje me të vërtetë shumë e vështirë, sepse unë vetë nuk e njoh esperanton. Por unë nuk mund të them gjë rreth këtyre problemeve. Që ajo ka mundësi shprehëse edhe për ndjenjat dhe nentesktin letrar ma shpjeguan përkthyesit. Ata thanë që esperanto është një gjuhë e plotë, e formuar plotësisht, një gjuhë e hapur, e shkathët, një gjuhë që është shumë e përshtatshme për të dhënë çdo gjë nga brendia e një vepre letrare. 
Thatë që nuk e dini gjuhën esperanto, çfarë ju bëri të besoni se ka shkuar mirë përkthimi i librit tuaj?
Zoti Tomas e ka lexuar librin në gjuhën polake më parë. Ai e pëlqeu këtë libër dhe vendosi për përkthimin e tij. Ka një histori të veçantë kjo nismë. Një miku im i vjetër Bardhyl Selimi më takoi dhe më tha: "Dëgjo Fatos, kam një mik polak që e ka lexuar librin tënd, është esperantist dhe kërkon ta përkthej në esperanto". Kjo qe një befasi e madhe për mua. Nuk më kishte shkuar ndërmend sepse ishte përkthyer në shumë gjuhë. Pranova, por me një lloj pasigurie, sepse për mua ishte një gjë shumë e bukur për të qenë e besueshme. Bardhyli më bëri një intervistë dhe e botoi. Përsëri mbeta skeptik. Nuk më besohej, por ja që sot jam në promovimin e librit në gjuhën esperanto dhe i jam mirënjohës Tomasz Chmielik-ut. 
Nuk keni frikë se humbet ajo që është poetike, që ka një rrjedhje një humbje, aq më tepër që nuk u përktheve drejtpërdrejtë nga gjuha shqipe?
-Nuk e di ky është një risk për një humbje në përkthimin e çdo gjuhe. Por në këtë rast sicc më thotë edhe vetë Tomasz-i, përkthyesi i librit, romani është pëlqyer mjaft dhe është vlerësuar mjaft si libër. Duke qenë se lexohet në shumë vende të botës pa ndërmjetësimin e një gjuhë tjetër, mendoj se u bë mirë që u përkthye në esperanto. Tomasz do të përkthjejë edhe Kdarenë. Ka filluar ta përkthjejë. Tashmë që libri im është pëlqyer, Tomasz më thotë se mund të përkthehet edhe nga esperantoja në një gjuhë tjetër.
Thatë që do të përkthehet edhe Kadareja. Keni pasur rast të bisedoni me të rreth përvojës tuaj të përkthimi në esperanto? 
Jo. Nuk kam pasur rast, por e di që i kanë kërkuar leje dhe atij dhe zoti Kadare ia ka dhënë pëlqimin. Përkthyesi që më përktheu mua, po përkthen edhe Kadaresë.


--------------------


Shkrimtari Fatos Kongoli
U prezantua botimi më i 

ri i romanit “Lëkura e 

qenit”

Esperantisti Bardhyl Selimi: Mbi 450 veta e flasin në Shqipëri, i pari Dom Lazër Shantoja.
Kur esperantisti Bardhyl Selimi e takoi në rrugë dhe i përçoi propozimin e përkthyesit polak Tomasz Chmielik, për të përkthyer një nga romanet e tij në gjuhën esperanto, mendoi se ishte një shaka.
Romani i tij “Lëkura e qenit” ishte përkthyer në 7 gjuhë të ndryshme, por në esperanto?! Por ja që ndodhi, Fatos Kongoli do të bëhej shkrimtari i parë shqiptar që do të përkthehej në gjuhën esperanto, gjuhën që lindi me dëshirën për t’u bërë gjuha e përbashkët e gjithë botës. “Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend që një vepër imja do përkthehej dhe do botohej në gjuhën esperanto. Iniciativa ishte e esperantistit polak Chmielik, i cili e kishte lexuar këtë vepër në polonisht dhe nëpërmjet një esperantisti shqiptar, Bardhyl Selimi, më propozoi për ta përkthyer, sepse kishte gjetur shumë gjëra interesante në të”, tha dje Kongoli në takimin e zhvilluar me rastin e prezantimit të përkthimit të romanit të tij “Lëkura e qenit”, i botuar në shqip nga “Toena”. Fatos Kongoli është një nga shkrimtarët shqiptarë më të njohur jashtë vendit. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë. Ndërsa ai vijon të shkruajë. Në vjeshtën e shkuar botoi romanin më të ri “Si-do-re-la”. Kur e pyet nëse po punon për një vepër të re, ai të përgjigjet: Romanet nuk mund të dalin si franxhollat nga furra. Por tashmë kënaqësia e tij më e fundit është botimi i romanit “Lëkura e qenit” në një gjuhë të veçantë, si esperantoja, e cila ka njohësit e vet edhe në Shqipëri. Sekretari i lidhjes së mësuesve esperantistë shqiptarë, Bardhyl Selimi, i cili ka kontribuar në përkthimin e romanit të Kongolit, duke ndihmuar përkthyesin polak Chmielik na tregon se sa esperantistë ka në Shqipëri, kush është esperantisti i parë, përpjekjet e ministrit Rexhep Mitrovica në vitet ’20 etj. 
Sa esperantistë numërohen në Shqipëri?
Prej vitit 1993 kanë kaluar nëpër kurse 450 veta. Shumë prej tyre kanë kryer studimet jashtë vendit dhe e përdorin esperanton si gjuhë pune, 20 prej të cilëve kanë marrë diplomën.
Nuk është ky një numër fare i vogël?
Janë pak, po të mendosh që në vitet ’20 ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica, në qeverinë e Xhaferr Ypit mori nismën në kuadrin e disa vendeve të Europës për ta futur gjuhën esperanto qysh në fillore, por atëherë delegati francez vuri veton, duke menduar se frëngjishtja do të ishte akoma mbizotëruese. Qysh në vitin 1929 është botuar libri i parë “Historia e Skënderbeut” në origjinal në esperanto nga Cuk Simoni, ndërsa në 1905 hasim esperantistin e parë, Dom Lazër Shantoja. Një esperantist i shquar ka qenë kardinali i parë Mikel Koliqi, vëllai i tij Vilhelm Koliqi, prof. Zef Kakarriqi dhe shumë personalitete të tjera, qysh në fillim të shekullit të kaluar.
Por nëse në krye të shekullit të kaluar flitej nga personalitet, sot duket sikur interesi është më i vogël, përse?
Kjo vihet re jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera dhe kjo është e kuptueshme për shkak të problemeve që hasin esperantistët. Më së shumti është presioni nga fuqitë e mëdha, sidomos anglishtfolëset dhe problemi konservativ. Gjërat e reja dhe të panjohura janë të vështira për t’u përvetësuar. Ne mbështesim esperanton, pasi është një ndihmë për të mësuar gjuhët e tjera. Nëse nxënësit do të mësojnë për 4 muaj esperanton, atëherë ata arrijnë dije më të shpejta dhe më të qëndrueshme në gjuhë të tjera, si anglisht, gjermanisht etj. Faktori tjetër është e ardhmja e Bashkimit Europian. Kërkohet një gjuhë të përbashkët, mirëpo nuk bihet dakord për një gjuhë kombëtare për shkak të xhelozive kombëtare, ndërkohë që esperanto është një gjuhë funksionale, e gatshme dhe flitet nga 2 milionë njerëz të shpërndarë në mbi 120 vende të botës. Përse të mos e përqafojnë?
Por gjuha fsheh pas edhe një kulturë apo traditë, çka esperantoja nuk e ka…
Esperantisti Bardhyl Selimi
Esperanto nuk pretendon të krijojë një popull më vete, por është një gjuhë urë për të ndihmuar njerëzit të komunikojnë mes tyre dhe për të mbrojtur kulturat kombëtare. Kur mësojmë një gjuhë të huaj, bashkë me gjuhën vjen edhe kultura e atij populli të cilit ajo i përket. Tashmë shumë popuj të ndryshëm “ankohen” prej  dominimit të anglishtes, pasi gjuhët e tyre po dëmtohen nga përdorimi vend e pa vend i termave nga gjuha angleze. Ndërsa esperanto këtë gjë e parandalon.
Ku mbështetet esperantoja?
Gjysma e fjalëve janë ndërkombëtare, ndaj edhe ju shumë prej fjalë i kuptonit. Ndërsa pjesa tjetër nuk është e krijuar, por është marrë nga gjuhë të veçanta, ato që janë më të shkurtra, më fonetike, nga gjermanishtja, sllavishtja, latinishtja. Sigurisht një pjesë të mirë e mban latinishtja, pasi është baza e shumë gjuhëve europiane, por nuk është latinisht. Ka një gramatikë shumë të thjeshtë mbi sistemin e parashtesave dhe prapashtesave, mbaresave, me anë të të cilave krijon fjalë të reja. Nuk është një gjuhë e panjohur, është e qartë dhe nuk ka përjashtime.
Ju personalisht kur keni rënë në kontakt me gjuhën esperanto?
Kam rënë në kontakt me esperanton qysh në vitin 1961, isha 16 vjeç. Ka qenë një bërthamë esperantistësh në Ministrinë e Ndërtimit me inxhinierë të njohur, të cilët hapën kurse në universitet, hapën kurse në pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”.
Nuk e ndalonte regjimi diktatorial?
Qeveria e atëhershme nuk e mbështeste, por as e pengonte, sepse në përgjithësi shqiptarët nuk kanë qenë me fobi ndaj gjuhëve. Regjimi totalitar kishte fobi ndaj kontakteve të njerëzve, fobi ndaj lidhjeve me të huajt, donte të kontrollonte çdo qelizë. Unë ndoqa një kurs një herë në javë, me një broshurë të vogël që quhej “Çelësi i gjuhës”, ndërsa tani ka libra e fjalorë të tërë. Vetëm në internet ka aq shumë material…
Të kthehemi te përkthimi i Kongolit, sa i vështirë ka qenë ai?
Ka qenë i vështirë, por ka shumë aftësi në gjetjen e fjalëve, të cilat nuk ia gjen dot homologen në gjuhët e tjera. Punën kryesore e ka bërë Tomasi, i cili dëshironte ta ballafaqonte me variantin origjinal në shqip dhe unë e ndihmova. Nuk ishte e thjeshtë për ta përkthyer, por më e lehtë se në gjuhët e tjera. Të gjitha veprat klasike, duke përfshirë edhe Biblën, Dhiatën e Vjetër e të Re janë përkthyer në mënyrë shumë besnike në esperanto, apo dhe vepra filozofike. Esperanto nuk është një gjuhë eksperimentale, por funksionale.
Do të vijojnë përkthime të tjera?
Është në proces përkthimi “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” i Ismail Kadaresë dhe gjithashtu një cikël i plotë me poezi të Luljeta Lleshanakut dhe është marrë leje për përkthimin e romanit “I humburi” të Fatos Kongolit/Alma Lame/.

Përgatiti Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...