Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/10/24

Ferizaj nuk lejon shfaqjen e filmit të Halil Budakovës nëpër shkolla

 Drejtoria e Arsimit dhe e Kulturës në Komunën e Ferizajt nuk i ka dhënë leje regjisorit Halil Budakova që filmi i tij “Shkolla e maleve” të shfaqet në mënyrë të organizuar për filloristët. I pari i kësaj drejtoria ka refuzuar kërkesën që u ka bërë vetë regjisorit. 



                                   Agim Berisha                                                                   Halil Budakova 

“Ishte sot Halil Budakova dhe kërkoi një gjë të tillë, por ne i dhamë përgjigje negative”, ka thënë për gazetën drejtori DAK-ut, Agim Berisha.



 “Nuk e kemi parë të udhës që t’i organizojmë nxënësit pa ndonjë udhëzim nga MASHT-i për një film në të cilën dominon dhuna”, ka treguar Berisha t’i ketë thënë Budakovës. Sipas Berishës, regjisori Budakova ka kërkuar që nxënësit prej klasave të para të organizuar t’ia mësyjnë shtëpisë së kulturës për ta përcjellë filmin e tij dhe për këtë të paguajnë nga një euro. “Ne nuk kemi autorizime t’i nxjerrim nxënësit jashtë shkollave për manifestime të tilla, aq më parë që kemi informacione që në film ka edhe skena të dhunës. Mirëpo, për këtë më së miri është ta japë një vlerësim MASHT-i që t’i heqë të gjitha dilemat, sepse ne jemi përgjegjës para prindërve se ku i dërgojmë fëmijët e tyre”, ka thënë Berisha. 

“Shkolla e maleve” ka shkaktuar provokime nëpër të gjitha shkollat e vendit, pasi ai ka zgjedhur një rrugë të veçantë të shfaqjes së filmit të tij, për të cilin ka pasur reagime se përmban skena të dhunës. 

Pellazgët, paraardhës të shqiptarëve



Në praninë e një publiku prej më se 300 pjesëmarrësish, kurreshtarë të pasionuar në historinë e lashtësisë, u mbajt në Universitetin e Lausannës konferenca shkencore e historianit të civilizimit të Greqisë së lashtë Doktor Mathieu Arefi. Mathieu Aref, i ndihmuar nga Labinot  Bislimi, prezentoi para të pranishmëve tezën e tij thelbi i të cilës qëndron në faktet e dëshmuara nga Ai se nga koha e civilizimit Mikenian dhe në « Periudhën e errët » (-1200-800 p.e.s) në Greqinë e lashtë zhvillohej një civilizim Pellazgë nga të cilët Helenët e ardhur  pas shekullit VIII p.e.s morën perënditë dhe elementet e tjera të civilizimit që përvetësuan. Po këtë tezë Profesor Doktor Mathieu Aref kishte mbrojtur në Janar të këtij viti përballë Jurisë të Sorbonnës 2012, duke fituar titullin «Doktor shkence në Histori të civilizimit grek ».



I pasuruar dhe krenar, publiku mahnitës bëri ovacion të gjatë Doktor Mathieu Arefit, i cili dukej i prekur nga kjo mbështetje pas tridhjetë viteve hulumtimi shkencor në vetmi dhe kundër të gjithë kundërshtarëve dashakeqës të çështjes Pellazgo-shqiptare.



Një promovim që i kundërpërgjigjet shumë ideve të ngurta mbi historinë e Greqisë, por edhe mbi Pellazget e sotshëm, Shqiptarët, të cilët shpesh e përfytyrojnë vetveten më pak të organizuar se ç’janë me të vërtet.



Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, mbajtja e kësaj konference me karakter shkencor duket sikur tregon vendosmërinë e shqiptarëve për të tejkaluar të gjitha ndarjet krahinore, fetare, politike e shoqërore.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani priti sot pasdite një delegacion të Misionit të Qendrës Evropiane të OBSH-së për Mjedis dhe Shëndet,....

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani priti sot pasdite një delegacion të Misionit të Qendrës Evropiane të OBSH-së për Mjedis dhe Shëndet, të kryesuar nga Dr. Elizabet Paunoviq, menaxhere e programit.

Në takim, misioni nga Evropa ishte i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, dr. Skënder Syla.  

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin dhe projektet e ardhshme të mundshme midis kësaj zyre dhe institucioneve kosovare lidhur me çështjet mjedisore dhe shëndetësore, me theks të posaçëm, me aktivitetet në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit.  

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, misioni i Qendrës Evropiane të OBSH-së për Mjedis dhe Shëndet po viziton dhe po zhvillon takime me institucione të ndryshme në Kosovë, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Zyrën e Komisionit Evropian, organizata të shoqërisë civile, etj., me qëllim të identifikimit të sfidave kryesore në adresimin e çështjes së mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit. 

Në Shqipëri Bajrami festohet nesër, e në Kosovë të premten

Për dallim prej Kosovës, kur Kurban Bajrami nga Bashkësia Islame e Kosovës është vendosur të festohet të premten, më 26 dhjetor, komuniteti mysliman i Shqipërisë përmes një komunikate për media ka informuar se falja e Kurban Bajramit në Shqipëri do të bëhet të enjten, më 25 tetor 2012.


“Kurban Bajrami do të festohet ditën e enjte, datë 25 tetor 2012, pra nesër”, thuhet ne komunikatën për media të komunitetit mysliman të Shqipërisë.

Të enjten Bajrami do të lutet edhe nga myslimanët e Maqedonisë.

Shkruan: Avni Rudaku: Vrasjet e nderit dhe tradita shqiptare


Tradita shqiptare duke marrë si bazë kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili ka qenë mjaft me ndikim për qindra vjet, sidomos në Shqipërinë e Veriut dhe po ashtu ky kanun ka ndikim edhe sot, duke u nisur me faktin se shumë raste të vrasjeve të gjakmarrjeve në Veriun e Shqipërisë janë bërë edhe nën arsyetimin e ruajtjes së traditave zakonore të kanunit për shekuj. Pa dyshim se kanuni i zbatuar pas rënies së komunizmit ndërlidhet edhe me brishtësinë e drejtësisë së shtetit shqiptar, por edhe me shumësi arsyesh të tjera të tranzicionit dhe transformime të thella kulturore-sociale, por edhe ekonomike. Sidoqoftë, ky kanun, nëse paska ndikim, mund të thuhet se ka ndikim edhe për “vrasjet e nderit”, ku në “Nye i tridhjeteparë”, Theku i prem (Me lshue gruen), në librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rregullohet tekstualisht si në vijim: “Per dy punë e ka fishekun në shpinë grueja e per nji punë i pritet theku e lshohet.
a) per kurvni; b) per mik të prem. Per këto dy punë të pabesijet i shoqi e vret të shoqen, e rrin pa ndore, pa besë e pa kenë i ndjekun për gjak, se prindja e nuses së vrame marrin çmimin e gjakut, e këtij do t’i napin fishekun e do t’i qesin dorëzanët…” Duke e ditur faktin se ndër shtyllat e kanunit mbetet rregullimi i raporteve bashkëshortore, martesës, fejesës, shkurorëzimit, nderit dhe çështje të tjera të sferës familjare dhe fisnore, atëherë, pa dyshim se në këtë pikëpamje, kanuni shqiptar e ka edhe rolin e vet duke u bazuar nga vetë kodet e shkruara në të dhe të cituara më lartë, ngase këtu e përcakton tradhtinë bashkëshortore si “dënim me vdekje” (“fishekun në shpinë”), duke e legjitimuar vrasjen. Është interesante të analizohet kur përmendet opsioni b) për mik të prem, ngase duke vrojtuar analiza mbi këto “vrasje nderi” për tradhti bashkëshortore, përmendja e mikut, tregon për intensitetin e rëndë të prekjes emocionale dhe pasojave kur bëhet sidomos me shokun, të afërmin, por edhe për të ruajtur kohezionin dhe ekuilibrimin social, ngase dihet se në shumicën e rasteve shpesh rezulton që tradhtia bashkëshortore ka ndodhur në rrethin e të njohurve të të tradhtuarit dhe tek tradhtuesi (p. sh. pala e tretë jashtëmartesore, shoku e tradhton mikun, fqinji, etj.). Tradita shqiptare po ashtu, njeh shumë raste të martesave të hershme të vajzave shqiptare, ku disa tradita vazhdojnë edhe sot. Dhe pa dyshim se kjo merr shumë kohë për elaborim.

Vrasjet e nderit dhe fshati

Disa raste që kanë ndodhur në Kosovë i kemi analizuar nga pikëpamja e prejardhjes dhe disa mostra të cilat i kemi marrë nga lajmet, dalin se disa prej tyre ndodhin në fshatra. Kjo s’do të thotë që nuk ndodhin edhe në qytete, por duke ditur rolin e madh të komunitetit për individin në fshatra, lidhjet e fuqishme farefisnore, fqinjësia më e dendur, presionin social; stigma, izolimi dhe turpi social për atë që i ka ndodhur dhe nevoja për rikuperim të turpit personal para familjarëve, duke e vrarë ‘interferuesin’ apo edhe ‘bashkëshorten’ ngase arrihet edhe te prishja e kohezionit social, etj. Edhe në vendet e ndryshme të botës, sidomos në fshatra ku tradita ka ndikim më të madh, qoftë e vendeve të Lindjes, Afrikës, apo edhe vendeve të Amerikës Latine, kemi vrasje nderi, si tendenca ekstreme për të ruajtur rendin e vjetër tradicional të marrëdhënieve sociale dhe në mes sekseve. Duhet ta kuptojmë se vrasjet e nderit nuk bëhen vetëm pse zihet në akt tradhtie bashkëshortore dhe shkel kurorën një grua, apo edhe vritet një burrë si palë e tretë, por edhe për thashetheme të paprovuara; apo edhe në raste të shfaqjes publike të orientimit homoseksual ngase ekziston një traditë fetare apo nacionale-historike që e përjashton homoseksualizmin në sistemin normal të marrëdhënieve seksuale; apo vetëm për mënyrën e veshjes të perceptuar si imorale e shumë aspekte të tjera. Vrasje nderi është edhe kur vritet burri që ka bërë tradhti, jo vetëm kur vritet gruaja, mirëpo, zakonisht janë gratë që pësojnë dhe në disa vende si shoqëria shqiptare, zakonisht burri shfaqet shmek kur ‘ndërron’ partnerë, ndërsa gruaja etiketohet. Po ashtu, nuk janë vetëm në fshatra, por sidomos edhe kur kemi të bëjmë me familjet shqiptare apo kudo, të cilat emigrojnë dhe përpiqen t’i ruajnë disa tradita dhe kode morale tradicionale kundruall kulturës në shtetin emigrues. Këtu vrasjet e nderit janë edhe si rezistencë psiko-kulturore ndaj ndryshimit të mënyrës së jetesës tradicionale në kontekst të një ‘kulture të huaj’, apo shoqëri bashkëkohore.

Vrasjet e nderit dhe patriarkalizmi

Studimet sidomos feministe, por edhe antropologjike bashkëkohore, e ndërlidhin “vrasjen e nderit” me strukturën sociale të përqendrimit të pushtetit te meshkujt, ku mashkulli duke ‘vrarë’ gruan për të cilën dyshon se e ka ‘turpëruar’, apo se ka shkuar me ndonjë tjetër jashtë ‘kontratës martesore’, për të frikësuar femrat e tjera që të bëjnë një gjë të tillë, për ta ruajtur ‘nderin e burrit’, e bën këtë edhe për ta riforcuar përsëri pushtetin e burrit në të drejtën e tij për kontrollin e vetë ‘jetës së gruas’. “Sipas moralit patriarkal, nderi i të gjithë familjes varet nga virgjëria e vajzës ose nga pastërtia (dëlirësia) e gruas së martuar. Nuk ka rëndësi nëse vajza e humb vullnetarisht apo me dhunë virgjërinë. Nëse “turpi” bëhet i dukshëm për të tjerët, nga një shtatzënësi, atëherë nderi i vajzës mund të shpëtohet vetëm nga vdekja. Gruaja e prekur nuk mund të presë ndihmën e grave të tjera në familje, sepse ato duhet ose duan të ruajnë të pacenuar nderin e familjes. “Çnderimi” i një familjeje nga vajza mund të shkatërrojë edhe shanset për t’u martuar të gjithë motrave të saj…”- shkruan Dorette Uesemann, redaktuar nga Ragnar Müller, në një sajt shumë profesional të literaturës mbi tema të ndryshme sociale, politike, kulturore dhe morale. Një mik im e ironizon skajshëm ndikimin patriarkalist: “Për shkak se në traditën shqiptare patriarkale gruaja është konsideruar rob i shtëpisë, atëherë i bie se nëse gruaja e tradhton burrin, i bie se ‘skllavi’ e ka turpëruar në fakt ‘pronarin’ dhe me këtë rast pronari është mashkulli, i cili jo vetëm që e ndien turpin social para komunitetit, por edhe ‘çuditet’ për shkak se qysh me tradhtue robi pronarin!!!” Shumë feministe perëndimore, por edhe kosovare kritikojnë me të drejtë standardet e dyfishta të pushtetit patriarkal, duke thënë se “kur mashkulli tradhton, quhet donzhuan dhe gruaja duhet ta falë atë, ndërsa kur femra tradhton, jo vetëm që stigmatizohet si lavire, por edhe merret e drejta e burrit për ta vrarë atë”. Pa dyshim se kjo është moral i papranueshëm kur legjitimohet e drejta e njërit seks për tradhti, ndërsa për tjetrin në rast se ndodh kjo, të vritet. Mirëpo, studiuesit jo të gjithë pajtohen se vrasjet e nderit mund të shpjegohen me pikëpamjen mbi patriarkalitetin dhe lidhjen me vrasjet e nderit. Disa prej tyre thonë nëse qenka ashtu, atëherë pse nuk po vriten për çështje të tjera, por vetëm në këtë kuptim të marrëdhënies seksuale. Po ashtu, nëse qenka çështja kështu, pse atëherë ndodhi vrasja e dy personave dhe vetes në Korçë, ku nuk vrau vetëm partnerin, por edhe burrin interferues, apo edhe një rast që u raportua në medie në Gjakovë, ku e vrau partneren dhe veten, duke thënë policia se ishte me “motive të ulëta të xhelozisë”?! Pra, pikëpamja patriarkaliste pa dyshim se mund të shpjegojë motivacionin e ruajtjes së nderit të burrit, pabarazinë në mes sekseve, vlerësimin se çfarë duhet të bëjnë gratë apo burrat, me kë të shoqërohen, si të sillen, çështja e punës së gruas dhe veshjes, shoqërizimit me meshkujt e tjerë, etj., por edhe për shumë kontekste të tjera të veçanta, duhet të ketë analizë holistike. Është jashtëzakonisht interesante nëse analizohet se si shumë vrasje nderi ndodhin te komunitetet emigrante, të cilat nuk ndërlidhen fare me strukturën patriarkale, por me frikën nga ndryshimet kulturore, tjetërsimet, integrimet apo asimilimet në kulturën vendëse, marrjen e zakoneve të huaja kulturore perëndimore etj., siç ndodhin vrasje nderi në komunitetin pakistanez në Angli, apo në komunitetin shqiptar në Itali, ku në këtë të fundit, për vrasje nderi kemi dëgjuar vrasjen nga bashkëshorti shqiptar të një nëne e dy fëmijëve për “çështje nderi”. Këtë e pohon edhe Dorette Uesemann, ku thotë: “Edhe vajzat dhe gratë e atyre që kanë emigruar në Evropë, janë të kërcënuara, sidomos kur pretendojnë të kenë të drejtat që i shohin edhe te gratë evropiane.”

Vrasjet e nderit dhe feja


Ndonëse feja ndihmon në ruajtjen e disa kodeve vrastare për nderin familjar e farefisnor, edhe para feve monoteiste janë gjetur kode të rrepta mbi dënimin e tradhtisë bashkëshortore, duke filluar edhe nga kodet e Hamurabit, në Egjiptin e Vjetër, në Greqinë Antike, në Romë, në Mesjetën e krishterë, në vendet e sotme të Pakistanit, Turqisë, Afganistanit, Irakut, vendet islame në përgjithësi, e sidomos në shtetet e rregulluara me sheriatin islam. Në disa vende ku jetojnë në teokraci, ku shteti dhe feja janë një, vetë shteti merret me dënimin me vdekje ose me gurë të gruas apo burrit, që ka shkelur kurorën bashkëshortore, madje edhe ekziston policia morale në Arabinë Sauditë, Iran, etj. Mirëpo, disa studiues duke analizuar tekstin e shenjtë të myslimanëve dhe traditës profetike, thonë se njerëzit vetëm arsyetojnë veprimet e tyre të vrasjes së nderit, sepse nuk mund të thuhet se feja ka përgjegjësi. Ata thonë se edhe në thëniet e profetit islam, gjeni se i është kushtuar shumë rëndësi që të gjinden thuajse disa dëshmitarë për të përcaktuar vërtetësinë e tradhtisë bashkëshortore, vetëm për të shmangur dyshimet nga ‘thashethemet gojore’, por edhe nga xhelozia patologjike e vetë tipit të individit apo çrregullimi skizoid paranoik. Sipas një raporti të lexuar të OKB-së, vrasjet e nderit kryesisht janë të përhapura në shoqëritë tradicionale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë e Jugut, mirëpo kjo s’do të thotë se ndërlidhet vetëm me normat morale religjioze, apo vetëm me islamin, por me traditat historike-kulturore të shoqërive, varësinë ekonomike të gruas, kontekstin e emigrantëve të cilët frikësohen nga asimilimet kulturore dhe akulturizimet në vendet mikpritëse, mosadaptimi social me sistemin e vlerave të reja sociale dhe kulturore, etj. Ka edhe pikëpamje biologjiste të cilat thonë se vrasjet e nderit janë ‘defekt i evolucionit’, ngase është tema e riprodhimit seksual dhe mashkulli parahistorik e ka pasur këtë mekanizëm për ta ruajtur gjenin e vet, në mënyrë që gruaja e tij të mos shkojë me dikë të fisit apo grupit tjetër, për ta vazhduar riprodhimin, qoftë për arsye të ruajtjes së gjenit të vet, qoftë edhe për mosfuqizimin e fisit tjetër. Ka një rrjedhje psikopatologjike të individit që e njeh literatura, e cila ndërlidhet me personalitetin skizoid paranoik, ku dyshimi nuk bazohet në vlerësimin objektiv, por në natyrën e sëmurë mendore, ku partneri mendon se gruaja po e tradhton, apo e kundërta. Po ashtu, është i njohur edhe një term tjetër që ka të bëjë me xhelozinë patologjike të individit, ku personi ia vështirëson jetën partnerit, duke kontrolluar çdo gjë, duke dyshuar në secilën marrëdhënie, pa u bazuar në të dhëna objektive, por thjeshtë shpjegohet me shumë teori të zhvillimit të dërmuar të personalitetit për shkaqe të shumta të natyrës bio-psiko-sociale. Disa prej tyre madje paguajnë denoncuesit dhe përcjellësit e bashkëshorteve.

Përfundim

Secila tradhti është e rëndë, qoftë edhe një mik i saponjohur që e ka tradhtuar dike për të dalë në një takim e s’ka dalë, e lëre më në bashkëshortësi, ku ndahet secili moment jete intime dhe ndjehet tradhtia. Pa dyshim, se këto ndjenja faji, turpi, etj., edhe më shumë i fuqizojnë traditat e ndryshme shoqërore kulturore, normat morale fetare, tradicionalizmi, patriarkalizmi, komuniteti, psikologjia e fajit dhe dëshpërimit individual, thirrja për ruajtjen e nderit të burrit, konkurrenca parahistorike e burrave në gjueti, e të ngjashme. Për dikë nuk është “motiv i ulët i xhelozisë” në rastin e tradhtisë bashkëshortore, mirëpo në shumë raste ndodhin vrasjet me vetëm dyshimin për tradhti. Sado që duket se janë rritur numri i rasteve të vrasjeve për nder, mund të themi se edhe është rritur toleranca në një kontekst tjetër të liberalizimit të ndarjes bashkëshortore dhe ‘faljes’. Shoqëria në Kosovë duke kaluar nga tradicionalizmi në bashkëkohësi, ka edhe vështirësitë e saj në pranimin e ‘vlerave të reja’ dhe largimin nga ato të vjetrat. Po ashtu, tradhtia duhet të kuptohet se edhe vetë është simptomë e brishtësisë së marrëdhënies, qoftë në pabarazinë në lidhje, shfrytëzimin; vetërespektin, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e dobët; shpërputhja seksuale, pavarësia e rritur e dy bashkëshortëve, veçmas edhe e gruas; botëkuptimet kulturore të ndryshuara mbi jetën seksuale te gratë shqiptare, hapja e shoqërisë, kalimi në zonat urbane, teknologjia, etj. Sidoqoftë, vrasjet e nderit mbeten shqetësim që duhet të studiohen nga studiuesit shqiptarë, duke i marrë të gjitha të dhënat në raportet e policisë, duke analizuar më pas tërë kontekstin, se cilat mosha janë të përfshira më shumë, statusin social, pjesa rurale apo urbane, statusi ekonomik dhe kulturor, etj. Fatkeqësisht, këto studime nuk po ndodhin me kërkime shkencore, por me muhabete hamendësuese! Pavarësisht, burra e gra, kujdesuni për njëri-tjetrin! Edhe vetë akti i vrasjes është i pandershëm, pa gabuar thellë për ta promovuar edhe tradhtinë si vlerë!

Marrëveshja shekullore turko-serbe për shfarosjen e shqiptarëve

Shkruan: Fahri XHARRA

Historia jonë është e gjatë. Historikisht i kemi mbushur fronet mbretërore që nga romakët me perandorë, te sllavët me Cara dhe turqit me vezirë, pashallarë e ‘sadri azema’. Cilët nga ata i jepnin nder atdheut? Nuk guxonin apo nuk donin të mendonin shqip? Një pyetje e cila ndoshta kurrë s’do të ketë përgjigje, as pohuese, e as mohuese.

Koha kur nuk kishte serbë a turq

Fanatizmi serb dhe racizmi i tij anti-shqiptar së bashku me anti-shqiptarizmin turk, herë veçmas e herë së bashku; bile edhe sot është aktiv…“ Këmbëngulja për t’mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte herët a vonë te e vërteta e hidhur se gjithmonë është e njëjta Serbi “(Ismail Kadare - Mbi krimin në Ballkan). Serbët nuk janë aq kokëkrisur heroikë siç e reklamonin vetën. “Nuk është fort e besueshme sidomos, po të vihej re flirti i këtyre me vendet arabe dhe veçanërisht me Turqinë. Njoftohej se në kohët e fundit Ankaraja i bën lavdërime presidentit serb Boris Tadiqit, si një paqeruajtës rajonal… Pra, serbët kur kishin interes dhe në këtë rast interesi kryesor ishte mosnjohja prej vendeve myslimane e Kosovës dinin fare mire të hiqnin dorë edhe nga krenaria krishteromadhe dhe të vinin deri te gjysmëmyslimanizmi i tyre” (Ismail Kadare, Mbi krimin në Ballkan).
description
Por, le të kthehemi në të kaluarën e largët kur këndej pari nuk kishte as serb e as turk.”Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë dhe si të këtillë janë autoktonë që nga kohët e lashta, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, në Serbi dhe Greqi e gjetiu (Dr. Skënder Riza). Në asnjë dokument nuk ka shënime për ekzistimin e serbëve në këto troje, në ato kohë. Duke bërë fjalë për banorët e pronave të Manastirit të Deçanit, Manastirit të Graçanicës, Patrikanën e Pejës etj., prona këto që shtriheshin në një territor shumë të gjerë, siç e tregon “bulla e artë” e mbretit Stefan Deçan(1330) Dr. Rizaj do t’na konstatojë se aty kishte vetëm shqiptarë. Kështu kuptojmë se popullata e Kosovës së sotme dhe qeveritarët e saj Nemanasit-Nimanasit-Nemaniqët, të gjithë ishin ilirë tribullë (tribalë, fis pellazgë-ilir), njëherë katolikë e pastaj nga Milutini e këndej Shkizmatik (shqiptarë të sllavizuar) dhe se do të jetë plotësisht e natyrshme që edhe kishat dhe manastiret e këtij ambienti gjeografik si institucionet e shenjta fetare të kësaj popullate shqiptare dhe të sundimtarëve të saj të jenë ndërtuar dhe ato atyre u takojnë.

Ç’ishte shkizmi?
Në vitin 395 pas e.k. Imperatoria Romane u nda në dysh, në atë të lindjes dhe atë të perëndimit. Rreth vitit 1054 u bë ndarja e madhe shkizmike e Kishës së Lindjes si rezultat i mospajtimit në mes lindjes e perëndimit. Shqiptarët që iu bashkëngjitën shkizmit (shki, shka, shkja, shkije) më lehtë e patën të përvetësohen nga serbët dhe kisha e tyre ortodokse. Pra në atë kohë kishte shka-shqiptar i sllavizuar dhe serb-kurrkushi i ardhur. Stefan Nemana, Nimani, Nemaniqi, kishte lindur afër Podgoricës, ku nuk kishte priftë ortodoks dhe u pagëzua me ritet perëndimore. Në kohën e Heinricht Luanit, Saksoni, 1172 serbët ishin vetëm rreth rrugëve të Çuprisë së sotme dhe ata shkruanin se: serbët, popull i paarsimuar i padisiplinuar, popull i maleve dhe pyjeve, që nuk e njohin bujqësinë, janë ata që gjithmonë e prishin qetësinë rreth vetes (Matica Srpska, Novi-Sad).
Dëshmitë origjinale për shki-të mund të gjenden në Hilendar dhe sidomos në punimet e Dr. Milutin Gjuriqiçit. Sipas F.Mikloshiçit emri Zeta që shënonte Doclean e vjetër (një pjesë e Malit të Zi të sotëm është shqiptare; M.E. Durhan (1863-1944) e cila udhëtonte nëpër Shqipëri dhe Mal të Zi duke i studiuar fiset malazeze dhe ato shqiptare vinte në përfundim që malaziasit ishin më pak sllav e më shumë trashëgimtar të sllavizuar të banorëve të vjetër të këtyre anëve .(Origjina fisnore dhe zakonet e Ballkanit, Londër, 1928); dhe që malazeztë ishin me origjinë fisnore shqiptare ishte e cekur edhe nga K.Jireçek (Albanienin der Vergangenheit, Leipzig, 1916)
Se si sllavizimet dhe turqizimet e shqiptarëve ishin të vazhdueshme dhe në bashkëpunim në mes të serbëve dhe osmanëve, tregon letra e të dërguarit francez në Shkodër Louis Heckart e shkruar shtetit të tij me 24.7.1880: “Zoti Corti besonte se do të ishte më e kuptueshme që Katolikët shqiptarë të pranonin dominimin malazias se sa ata mysliman, por se doli e kundërta” (letër në Arkiva e luftës Seria Nr. 1872-1919, Francë.) Këtu ishte ndikimi turk te shqiptarët mysliman. Qëllimi i bashkëpunimit serbo-turk për ndërrim të shqiptarëve ishte fokusuar te shqiptarët katolik sepse të tjerët veç ishin myslimanizuar.
“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin, por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët (E. Durham, Londër 1920). “Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa më 1913 në Luftën Ballkanike, kur malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës (E. Durham). “Më 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një Pop Ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptarë nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks (E.C. Helmreich, The Diplomacy of Balkan Wars, 1983 Harward).

Konvertimet me forcë
Më 20 mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjevës mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 shqiptarë katolikë, të ashtuquajtur Laraman apo Katolik të Fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën serbët, me qindra nga këta Laraman deshën që haptazi të deklarohen që janë katolikë. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose ortodoks. Jo katolik!”. Numër i panumëruar i katolikëve ishin vrarë ne Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishe vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 katolikë u vranë nga malazeztë”.
Gazeta e kohës, “Neue Freie Press” m[ 20 mars shkruan: “Më 7 mars, soldateska e prirë nga një pop ortodoks, në dhe rreth Gjakovës deshi me forcë të konvertojë popullatën katolike në besimin ortodoks. Mbi 300 veta, gra, burra dhe fëmijë nën kërcënimin me vdekje
duheshin të konvertoheshin. Popi ortodoks u tha: “Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë, ose këta ushtarë të Zotit do i dërgojnë shpirtrat e juaj në ferr”.
Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit. rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull”( www.albanianhistory.net)
Me 1919 qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Por persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup patriotin shqiptar, të atin e Nënës Terezë e helmuan serbët.
Serbët e shihnin rrezikun në shqiptarët katolikë se për ata mysliman ishin planet tjera. Më 1929 u vra Atë Shtjefën Gjeçovi një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët. Edhe pse K. Jereçek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare; edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët; sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim.

Ngritja e lëvizjes kombëtare shqiptare
Akademik Mark Krasniqi në “Gjurmë e gjurmime” (Rilindja, 1979), shkruan për këtë: “Milan Rakiqi (1876-1938) zë një vend të spikatur në historinë e letërsisë serbe. Rakiqi ka qenë me profesion diplomat, kështu që për një kohë të gjatë ai ishte Konsull i Serbisë edhe në Prishtinë, ku “udhëhiqte punët e aksionit nacional, kujdesej për serbët që pësonin zullumin e turqve e të shqiptarëve”. Rakiqi ishte në shërbimin diplomatik në Prishtinë mu në kohën kur lëvizja kombëtare shqiptare kishte marrë përmasa të mëdha të luftës politike e të armatosur kundër pushtetit turk, për liri e pavarësi. Milan Rakiqi shquhej jo vetëm në fushën diplomatike, letrare por edhe me angazhimin e popullsisë serbe të këtyre anëve që të bashkëpunojnë me ushtrinë turke kundër kryengritësve shqiptarë. Rakiqi “kujdesej” shumë për manastirin e Graçanicës. Sipas studiuesit Pero Sliepçeviq, është vërtetuar se nga numri shumë i madh i kishave të vjetra serbe vetëm një pjesë fare e vogël e tyre i kanë ndërtuar serbët, emri i të cilëve është shkruar në to. Serbët nuk kanë pasur fare traditë të vetën as në ndërtimtari e as në art e kulturë (Stare Srpske Zaduzhbine, Beograd, 1934). Manastiri i Graçanicës ekzistonte dhe kryente shërbimet fetare edhe para ardhjes së sllavëve në këto anë (V. Petkoviq, Pregled Crkvenih Spomenika, Beograd 1950).
Në vitet para pavarësisë në Parlamentin e Turqisë thuhej: “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet, sepse atëherë e mori lumi Turqinë. (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane). Kurse ditën që ushtritë serbe do ta sulmonin Kosovën, gjenerali famëkeq Jankoviq do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni - or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt... për ta çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun...”

Bosnja kërkon pronat e veta në Kosovë



Një delegacion nga Agjencia e Privatizimit të Bosnje e Hercegovinës po qëndron në Prishtinë, ku është pritur nga biseduar drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkelzen Lluka. Ata kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë në mes agjencive të privatizimit të dy shteteve. Lluka i ka njoftuar zyrtarët boshnjakë Senad Rahimiç dhe Suhret Fazliç për infrastrukturën ligjore me të cilën zhvillohet procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, me ecurinë e privatizimit deri më tani dhe për angazhimet e AKP-së në përmbylljen sa më të shpejtë dhe më të suksesshëm të këtij procesi me rëndësi për zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut. “Drejtuesit e AKP-së dhe ata të Agjencisë së Privatizimit të Bosnje e Hercegovinës janë pajtuar për vendosjen e kontakteve zyrtare në mes dy agjencive të privatizimit me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës dhe aseteve të tyre që gjenden në Bosnje e Hercegovinë dhe ndërmarrjeve e aseteve të BiH në vendin tonë”, thuhet në një njoftim të AKP-së. Gjithashtu, sipas AKP-së, në këtë takim u shtrua nevoja e bashkëpunimit më të afërt në mes të dy agjencive me qëllim të këmbimit të përvojave në zhvillimin e procesit të privatizimit në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...