Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/06

Estetika e gjinjve dhe etika e çartur


Tanimë rekordi botëror u mposht... Më sisëmadhja e re është amerikanja 28 vjeçare me prejardhje braziliane Sheyla Almeida Hershey. Ajo ia tejkaloi francezes Lolo Ferrari, të vdekur më 2000 nga marrja e një doze të madhe medikamentesh.


Dihet se dhjetë vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe ditët aktuale që jetojmë, dallohen me të arriturat e operacioneve estetike të trupit të njeriut e veçmas asaj të femrës. Garat për fitime nga ana e të gjitha palëve, shëndruan një ndërmarrje mjeksore dhe humane në një çartje të etikës dhe moralit mjeksor në shum mjedise kliniko-estetike në botë. Garrat për volum të organeve « simbol » nga të dy gjinitë, sjellin pasoja të paevitueshme negative shëndetësore. Kjo duket nga vet fakti se numri më i madh i qendrave dhe mjekëve refuzojnë operacione që në një vend tjetër, një klinikë i kryen pa pengesa të mëdha juridike, etike e morale.
Operacioni i kryer mbi zonjën Hershey të cilës iudepërtuan implantet nga silokoni kanë një peshë prej 1,9l për njërin gji dhe po aq pra për tjetrin, prej nga edhe përmasat rekorde prej 3,8 litrash.
Poqese fillojmë nga pala e nevojshme për të ju shtri intervenimit kirurgjik, dallojmë, ndarë pa detale të imëta, grupin e prekur nga mungesa të ndryshme fizike që zakonisht meritojnë një tretman më urgjent për mënjanimin, ose më mirë të themi për korrigjimin e « gabimit nga lindja » ose atij të pësuar në fatkeqsi të ndryshme. Këtu bëhet fjalë për mungesa dhe deformime të organeve motorë si dhe atyre thjeshtë estetik por të rëndë nga parja (psh. dëmtime të fytyrës).
Pala tjetër e prekur me sindromin estetik të ndërtimit fizik, janë me pasoja të tipik « tepër », « shum » që poashtu, në të shumtën e rasteve kërkojnë zgjidhje kirurgjike pasiqë problemi është lënë gjatë pas dore ose nuk është parë në fillim si preokupues. Këtu në rradhë të parë është problemi i volumit të barkut që ngatërron lëvizjet e përditëshme private dhe profesionale si dhe ndërlikon mbajtjen e higjienës dhe veshëmbathjes. Këtu bëhet fjalë edhe për trashjen e dëmshme dhe të pamasë që në të shumtën e rasteve duhet zgjidhur së paku parcialisht më intervenim kirurgjik. Specialistët vënë në pah rreziqet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta që mund të pasojnë por mendojnë se rastet e tilla janë me prioritet dhe rreziku postoperatoar është më pak i dëmshëm se gjendja e para intervenimit.
Në palën e tretë që edhe do të ndalem më së shumti, janë pjesëmarrësit nga të gjithë anët e zgjidhjes së çështjes së problemit. Do të thotë se këtu bëhet fjalë për ansambël profilesh: kirurgë, psikologë e psikiatër, socilogë, sistem shoqëror e juridik, familje dhe pacientë.

Këtu kemi të bëjmë me një spektër të
jashtëzakonshëm nevojtarësh për shkurtime, zgjatje, zvoglime, ritje, dunime, shtime, fryrje e çfryrje të organeve të trupit. Në pjesë të madhe problemi është psiqik dhe delikat. Megjithate, mendoj se në të shumtën e kërkesave « me ngulm » për intervenim të kirugjisë estetike, specialistët kanë mundësi dhe duhet të bindin pacientin që të hjek dorë nga shtrimi operacionit. Por, sot në shum mjedise, tregu krijon kërkesë dhe jo nevoja tregun.
Ngulmi i çartur pas qindarkës, krijon rrugë për veprime joracionale të «palës së sëmurë » dhe palëve profesionale të caktuara. Nëse i nevojshmi për kurrim edhe humb realisht në një përmasë aftësinë e mendimit racional si pasojë e ngarkesës psikofizike, të tjerët janë së paku moralisht të detyruar të zgjasin konsultimet me të interesuarin me qëllim të zbardhjes së plotë të ndërlikimit dhe rrezikut që sjellë ndërmarrja kirurgjike që nuk është me të vërtetë e patjetërshme. Do të marr shembull smadhimin e panevojshëm të volumit të gjinjve tek femra (nuk flas për rastet kur një intervenim estetik është dalje nga një hendikap, dalje nga një humnerë psikofizike dhe fitore për personin e hendikapuar. Nuk ndalem të flas për mashkujtë që kanë ngelur akoma në rezonim të një pubertetliu. Ata janë me të vërtetë një kaptinë e veçantë e problemit serioz të personalitetit dhe jo të estetikës e as të nevojës. Personë që nuk e njohin e as dijnë ta çmojnë vehten dhe as femrën).
Ish rekordmenja për madhësi të gjinjve Lolo Ferrari (Clermont-Ferrand, 1963 - Grasse, 2000) 
Rritja e volumit të gjinjve në përmasa joadekuate, krijon mundësi për rreziqe evidente e të panevojshme si dhe krijon pengesa të ndryshme në jetën e përditëshme. Kurrizi, qafa dhe supet ngarkohen me peshë të jorëndomtë dhe paraqiten dhimbjet brengosëse. Rrezik permanent është edhe plasja e lëkurës, pasiqë gjatë ritjes së volumit të tepërt të gjirit, lëkura tërhiqet në kufijtë e saj ekstrem dhe mund të pëlcas, gjë që sjellë pasoja dramatike të pashërueshme. Numri më i madh i esteticientëve me famë, janë kundër një smadhimi jo të përshtatshëm medikalisht pasiqë kjo njëherit pos komplikimeve shëndetësore damton siluetën mu në aspektin estetik.
Kur flasim për gjinjt e femrës, duhet ditur se ky është organ me funkcione të shumfishta dhe qendër kyqe femërore. Mu për këtë, duhet patur kujdesin më të madh në çdo vendim dhe akcion për ndryshim joadekuat. Moda dhe mbështetja për ndonjë qëllim profesional është akt jomoral ndaj vetes dhe dobësi morale e një ditë do të jetë ndjekje ligjore ndaj intervenuesve estetik të paskrupulltë.

Poezia, vlerë dhe metaforë artistike

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Prolog


Arif MOLLIQI është poet që ka krijuar individualitetin krijues jo vetëm në poezinë e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe në shkallë kombëtare. Tashmë poezia e tij ka fituar një vlerë dhe peshë artistike, vlerë që duhet respektuar, sepse ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, për më tepër të asaj kategorie që leximin e poezisë e bëjnë më kujdesshëm dhe në mënyrë profesionale. Janë këto disa nga arsyet pse themi se Arif Molliqi është nga ata poet që poezinë e ka pasion, dhe atë e krijon jo për të plotësuar ndonjë vakum krijues, por thjesht shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar. Tash kur përmendim këtë autor, duhet të besojmë se e kemi fjalën për një individualitet krijues, për një poet që krijon kujdesshëm i cili si prodhimtar i vlerave letrare duhet respektuar dhe duhet t’ia pranojmë suksesin e gjertanishëm për t’i dhënë vendin e merituar në kuadrin e letërsisë kombëtare.

description

Te poezia e Arif Molliqit spikasin tipare dukagjinase të kultivuara qysh në kohën e rinisë së hershme dhe të shprehura qysh në librin e parë të tij “Simfoni për darkën e qenve” (1994), me të vetmin ndryshim se melankolia për atdheun sikur e ka ndryshuar baraspeshën.

Tashti kundrimi i fenomeneve bëhet nga larg dhe është bërë obsesion i tij krijues, duke e bërë poezinë më meditative, më të përjetuar dhe shumë më të dhembshme, ngase edhe ato nota lirizmi edhe ato fije gëzimi sikur i këputen nga një jetë e të qenit larg atdheut, larg realitetit për të cilin ai jeton dhe krijon: “Vjen një kujtim e ma ledhaton ballin/ Miqtë e mi vijnë dhe ulen rreth sofrës sime/ Me baladat e përgjumura...”.

Metafora dhe simbolika e mërgimit

Mërgimi, ky fat a fatalitet nuk është vetëm i Arif Molliqit si poet dhe krijues, këtë fat e kanë pas dhe e kanë përjetuar me mijëra e mijëra poet të rruzullit tokësor, madje as për poezinë shqipe nuk shënon ndonjë risi. Por, mund të konstatojmë se motivi i mërgimit te poezia e Arif Molliqit sikur lëshon një mallkim për “Tokën Arbërore” që nuk pat vend të mjaftueshëm për të gjithë poetët të cilët më mirë se kushdo tjetër e deshën dhe u dogjën për atdheun e tyre, prandaj ata më mirë se kushdo tjetër mbollën dashurinë dhe kultivuan kulturën e dashurisë për atdheun, për të cilin vazhdimisht gjakojnë dhe krijojnë.

 Këtë gjendje shpirtërore të tij më së miri e shpjegojnë këto dy vargje: “Këtu askush nuk më njeh/ Përveç atyre që jetojnë si unë”.

Vëllimi poetik “NJË HIJE BËNTE RRUGË” sikur i materializon dhe i sforcon këto bindje se: “Mbi moshën e tij (time)/ Durimi ka ngarkuar barrë të rëndë”, faqe 10.

Padyshim, kjo vlerë meditative dhe ky sublimin i gjithë kësaj dendësie ka prodhuar poezinë më të avancuar në aspektin artistik. Në një rast tjetër ja se si shprehet ai: “Nëpër qytet lakuriq janë zhveshur rrugët”, e të njëjtën poezi e mbyll me vargjet: “...pas muri/ Që kurrë nuk e kisha parë/ Nga etja për ta prekur piva vesën e syrit tim/ Pa lot ç´kuptim do të kishte lutja”.

Poeti merret shtruar me temën e mërgimit të cilën nuk e kundron përciptazi, ai është futur thellë në thelbin e çështjes duke na sjell një motiv e qasje të re të cilën nuk e hasim kaq artistikisht në librat paraprak.

Mërgimi dhe simbolika e vendlindjes

Për jetën e të qenit poet i mërguar, larg atdheut, larg të dashurve dhe larg realitetit për të cilin jeton dhe krijon, Arif Molliqi e ka konkretizuar në një sërë poezish të këtij libri. Temë kjo që nuk i shqitet nga vrojtimi, nga përjetimi dhe nga preokupimi artistik.

 Edhe në këtë përmbledhje poeti ka dhënë maksimumin e ndijimeve dhe krijimeve që për temë bosht kanë metaforën e mërgimit, mallit dhe të dashurisë për atdheun. Këto tri elemente sikur janë bërë bosht i temës së trajtuar në bllokun e poezive që për temë kanë mërgimin.

Sikur këto motive e ndjekin si hije autorin, sikur këto motive ia nxinë jetën, ia shtuan dhembjen ia rritën mallin për Kosovën e tij të dashur, për gurët e varret, për Llukën e Epërme, për Rrafshin e Dukagjinit, për freskinë e Gjeravicën që nuk i shqitet nga mendja, apo për krenarin e pa fundme të Alpeve Shqiptare të cilat poezisë së këtij autori sikur i kanë dhënë një ylberim artistik me shumë ngjyra, një portret artistik mjaft i realizuar në të cilin metafora artistike e kurbetimit i ka marrë nuancat e një krijimi artistik, kurse autorin e ka renditur në listën e poetëve që me përkushtim iu ka qasur edhe këtij motivi.

Kontesti letrar në një metaforë poetike

Arif Molliqi, ku më pak e ku më shumë ka dhënë prova të qëndrueshme se është poet dhe se poezinë e ka përkushtim. Ai di të merret me temat e përditshmërisë, duke i zgjeruar dijet dhe mundësitë me tema të tjera shoqërore e politike të cilat janë aktuale për një shoqëri në ndërtim e sipër, e cila ka synim identitetit e vet shtetformues, siç është rasti me Kosovën dhe qytetarët e saj se: “Njeriu lind gënjeshtar/ Apo mësohet nga njeriu te gënjen”, ose “Kur marrëzitë e zhveshin shkëlqimin/ Njerëzit e humbin rrugën e vet”.

Arif Molliqi, kujdesshëm e ka sintetizuar mendimin, ka një depërtim të thellë në brendësinë ideore të fjalës së shprehur artistike duke bërë përpjekje maksimale për ta thënë atë sa më bukur, sa më arsyeshëm, prandaj vargu i tij është edhe racional: “Fali o Zot mesjetaret/ Sa herë kthehen me guri n´krah/ I matin mezhdat e huaja/ Zoti ua ka falur tokën/ atyre që jetojnë aty”.

Vlerat e librit maten edhe më vokabularin shprehës, bagazh ky i ngarkuar me shprehje të traditës dukagjinase duke hiperbolizuar mendimin artistik me doket dhe zakonet e trevës që i takon, si mjeti më i mirë dhe më i sigurt për t’u kushtuar vëmendje të veçantë mjeteve shprehëse, kulturës shprehëse që duken si një qasje origjinale dhe e mirëfilltë.

Koncepti dheidiomat e nëntekstit

Arif Molliqi si poet e ka krijuar konceptin artistik të poezisë që krijon. Ai në një sërë ciklesh ka bërë përparim të thuktë në përkufizimin e mendimit dhe të formulimit artistik. Ngjyrimi dhe portretizimi i protagonistëve sikur ka qëllim të të fut në brendësin e temës dhe mendimit, duke përshkruar momente kuptimplota në njërën anë, kurse në anën tjetër ka atakuar mendimin negativ dhe veprimin e shëmtuar që mund ta bëjë njeriu (a pushtuesi?!): “Në grykë të Deçanit/ Kanë mbetur dhëmbët e ujkut/ .../ Guri i Nuses pikturon Gjeravicën/ .../ Lumenjtë e Kosovës u rriten/ Vrasësit i morën më vete/ .../ Dilni n´derë të Kullës le të na shohin/ Oxhaqet tona po tymojnë”.

Simbolika dhe motivi i vendlindjes në poezi

Simbolikën me motive të vendlindjes e hasim qysh në poezinë kredo të këtij libri e cila sikur ka për qëllim të na përball me elementin e atdhedashurisë dhe të simbolikës së vendlindjes.

Kjo poezi, jo vetëm që është ndër poezitë më të realizuara, por mendoj se ky shënim do të mbetej i mangët po sikur të mos e theksonim këtë simbolikë e cila te poezia e Arif Molliqit ka marrë konotacione të një legjende e cila tregohet e ritregohet në secilën kohë dhe në secilën stinë duke nga kthyer e rikthyer në kohëra e lëvizje që për dijen e poetit janë bërë simbolikë e veçantë, të cilës ai i rikthehet në secilin libër që shkruan:

Simbolika e vendlindjes te poezia e Arif Molliqit ka një tëbanë ideoemocional specifik duke u bërë tipar kryesor i poezisë së tij në përgjithësi e veçmas në këtë vëllim poetik ka shënuar një përparim ku disa simbolika ia vlen për t’i theksuar ngase poeti më shumë është shqetësuar për “Një mollë/ Dhe një ftua” që i ka harruar në shtëpinë që ngrohej nga zjarri, se sa për librat e radhitur në bibliotekën personale të lëna prej kohës në shtëpinë e tij në Llukë të Epërme.

Elemente të tjera që shprehin në njëfarë mënyre simbolikën në poezinë e Arif Molliqit janë: Molla, ftoni, kulla, oxhaqet, kopshti te mani, lisi, lisi plak, lumi, ura, guri, guri i shpuem, hëna, Lugu i Dollajve, Ura e Haxhive, Rrasa e Zogut etj.

Në një bllok tjetër janë marrë figura nga mitologjia po më shumë nga legjendat shqiptare ta zëmë: Heketa, Doruntina, Bardh Bregu, Gjergj Elez Alia etj. Kështu poeti ka ndërtuar simbolikën e vet krijuese të cilën e pasuron edhe me elemente të tjera nga topografia apo vendbanimet që janë pjesë e tij siç janë: Lluka e Epërme, Verrat e Llukës, Gjeravica, Liqenet e Gjeravices, Lumenjtë e Kosovës, Dukagjini, Fushat e Dukagjinit, Drini, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Dy Drinat, Alpet Shqiptare, Kalaja e Ulqinit, Kukësi, Adriatiku, Çamëria dhe një varg tjetër duke krijuar një hartë gjeografike të tërësisë Arbërore në njërën anë dhe në anën tjetër për të vërtetuar se si poet kudo që ai të jetë, pashmangshëm është i lidhur me tokën dhe atdheun që e bëri poet.

Simplifikimi metaforik i tekstit poetik

Thjeshtësia (lat. simplicitas), e kësaj poezie është tendenca dhe përpjekja e vazhdueshme që poeti i ka bërë poezisë së tij që ajo (pra poezia), të jetë sa më e lidhur me motivin e vendlindjes. Këto poezi mund të llogariten ndër poezitë më të realizuara e më të përjetuara. Por, tablotë e poezive që kanë përshkruar jetën e të qenit poet i mërguar sikur janë më brengosëse, më shqetësuese, më të tejdukshme, ku halli i vetëm i autorit duket se mbetet një kthim atje ku ka nisur kurbetimi fizik i tij.

Poezia e këtij autori për asgjë nuk dallon dhe as nuk ndryshon nga niveli dhe pikëpamja e asaj poezi që krijohet sot në Kosovë dhe mbarë hapësirën shqiptare. Shqetësimet dhe preokupimet më shumë mbeten tema e motive për të gjetur mendimin dhe metaforën e krijimit, se sa temë a preokupim për të përshkruar një realitet.

Përmbledhja poetike “NJË HIJE BËNTE RRUGË”, është e pasuruar me figuracion artistik, madje sa origjinal po aq funksional. Nëpër mjaftë vargje shohim një detajim, një personifikim deri në imtësi të vetvetes dhe brendësisë së tij krijuese, duke e bërë krijimin më të pranueshëm më personifikues dhe më përjetues, ngase krijimi niset nga vetvetja, nga përjetimi i ndijimeve dhe krijimeve të shumta që ka dal si një poezi e përjetuar deri në instancat e fundit të personifikimit real të asaj që e krijon nga përjetimi real e faktik, por që me mjeshtri i ka dhënë atë vlerën artistike për t’u pranuar e dëshiruar edhe nga të tjerët si një krijim i mirë dhe i realizuar në kuptimin më pozitiv të kësaj shprehjeje letrare.


******



Arif Molliqi, lindi në vitin 1953, është shkrimtar shqiptar nga Kosova, i lindur në Llukë të Epërme afër Deçanit.

Me shkrime ka filluar nga viti i fundit të gjimnazit ( kohë kur filloi të botoi), edhe pse ka shkruar më herët. Në fillim nuk e ngacmonte aq shumë poezia, andaj filloi më humor dhe satirë, n´atë kohë nuk preferohei shumë satira, andaj për ti ikur „keqkuptimeve“ filloj të shkruaj edhe poezi.

Satiren e shkroi krejt padiktueshëm tek gazeta humoristike „ Thumb, duke botuar me pseudonime të ndryshme si; Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etjera. Gjatë vitit 1977/78 bashkëpunoi në gazeten e studenteve „Bota e re“ ne faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.Këtë bëri edhe më Radio televizionin e Prishtinës, shkroj disa pjesë humoristike që i dha televizioni.

Edhe në „Rilindje“ botoi shumë shkrime saterike gjersa një ditë, të shqetësuar miqët e tij e rekomandojnë; herë për herë ta le satirën sepse ishte gjini letrare e „vështirë“ për kohën. Pas kësaj „këshille“, Molliqi e vazhdoi me intenzivisht me poezi,prozë dhe dramaturgji. Eshtë shpërblye disa herë me vendin e parë dhe të dytë në konkurset letrare për poezi.

Veprat

Gjer tani Arif Molliqi ka botuar:
“Simfoni për darkën e qenve”, poezi, Prishtinë, 1994
“Në udhëkryq pa zhurmë”, (poezi), Toena, Tiranë, 1996
“Loja e Sarkofagut”, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998,
“Psherëtima e zareve”, (poezi), Panteoni, Tiranë, 1999
”Përplasje” (skica dhe mbresa), Fakti, Shkup, 2000
"Premiera e një pranvere”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 200
“Kafka e ujkut”, (roman), Toena, Tiranë, 2001
”Dëshmorët jetojnë pas vdekjes”, (monografi), Prizren,2002
“Shënime nga arkiva e qytetit D.”, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003
“Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.” (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2004
“ Loja e dytë e Sarkofagut”, (dramë) Rozafa, Prishtinë (Kjo dramë është marrë për botim nga konkursi letrar i shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs)
“Portret i pambaruar”, (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2006
“Klubi Shqiptar Verrat e Llukës“ në Hamburg“, (monografi), klubi, 2007.
"Gruaja e vizatuar nudo", roman, Faik Konica, Prishtinë, 2008.
„NJË HIJE BËNTE RRUGË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2009 (Shih: Shefqet Dibrani: Poezia e Arif Molliqit).

Arif Molliqi, është prezentuar edhe në këto libra dhe antologji:

1. Halil Haxhosaj: “Premtime letrare, shkrime kritike, Prishtinë,2006
2. Shefqet Dibrani: “Libri dhe mbresa”, kritikë letrare, Zvicer 2005,
3. Chelaru Marius, Baki Ymeri dhe Luan Topçiu “Antologji e poezisë shqipe”, në gjuhën rumune, një antologji më disa poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Valman, Rumani, 2006
4. Disa poezi të përkthyera në frengjisht nga Laureta Miftari, 2006

Nga Jochan Blanke i janë përkthye në gjuhen gjermane disa cikle me poezi dhe është prezentuar nga një forum gjerman në një mbrëmje poetike në Hamburg më 2007.

A.Molliqi, jeton dhe punon në Hamburg të Gjermanisë.


Përgatiti:Flori Bruqi


Lexoni:

Ali D. Jasiqi
GJURMUESI I VRASJEVE ENIGMATIKE


Halil Rrustemaj:INTERVISTË ME POETIN, PROZATORIN DHE PUBLICISTIN ARIF MOLLIQI

Shefqet Dibrani:
POEZIA, VLERË DHE METAFORË ARTISTIKE  


Dokumenti i Pavarësisë, si e falsifikuan Zogu e Enver Hoxha


Shkruan: Blendi Fevziu

Kuvendi i Vlorës zhvilloi 7 mbledhje, derisa ai u shpërnda më 7 dhjetor 1912. Sipas statistikave të studiuesit Artan Lame, nga 40 firmëtarët e pavarësisë, 27 ishin myslimanë, 11 ortodoksë dhe 3 katolikë. Delegati më i ri ishte Ferit Vokopola, 25 vjeç, ndërsa më i moshuari, Babë Dudë Karbunara, 70 vjeç.


I fundit i firmëtarëve, Dhimitër Berati, ndërroi jetë në vitin 1970 në një aksident automobilistik në Romë. Ndër firmëtarët e pavarësisë, 1 u pushkatua nga regjimi komunist, 3 vdiqën në burg, 4 u arratisën, 6 u burgosën dhe 15 vdiqën në emigracion!
description
Manipulimi me historinë e pavarësisë

Historia e pavarësisë u manipulua shpesh gjatë 100 viteve. Në vitin 1937, në një biografi zyrtare të mbretit Zog, u nënvizua fakti që Mbreti kish qenë në Vlorë dhe kish firmosur dokumentin më të rëndësishëm të historisë sonë.

 Në fakt, firma e Zogut nuk figuron në dokument, ndërkohë që procesverbali i mbledhjes së fundit të Kuvendit, më 7 Dhjetor 1912 shënon:

“Lajmërohet të ardhurit e delegatëve të Ohrit, Hamdi Beu dhe Dervish Hima; nga Starova Z. Hajdar Blloshmi dhe Mustafa Efendiu dhe nga Mati, Ahmet Muhtar Beu, Riza Beu dhe Kurt Agai”!

Pra, Ahmet Zogu kish mbërritur me mandatin e Matit, plot 9 ditë me vonesë. Siç dëshmon edhe ai vetë në një telegram të datës 2 dhjetor 1912 për Ismail Qemalin, nisur nga Tepelena:
“U sgjodha përfaqësues i Matjes. Ndëshkruani për mua vendimet e kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhënin tuaj.”

Zogu la në heshtje shumë firmëtarë që ishin kundërshtarë të tij. Po kështu veproi Enver Hoxha që mbuloi emrat e kundërshtarëve politikë me një foto të pleqësisë që u vendos mbi dokument.

 Në vitin 1982, Hoxha deklaroi se xhaxhai i tij Hysen Hoxha kishte qenë atje. Filmi “Nëntori i dytë” paraqet mbërritjen e Ismail Qemalit në anën tjetër të urës së Mifolit më 27 Nëntor 1912 dhe një person që i prezantohet: “Hysen Hoxha, delegat i Gjirokastrës”.

 Por Hysen Hoxha nuk u bë dot firmëtar i pavarësisë. Firma e tij nuk është në dokument dhe një procesverbal i mbledhjes së datës 3 dhjetor 1912 sqaron:

“Sot ardhnë delegatët e Gjinokastrës, emrat e të cilëve janë këto: Myfit Bej, P. Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjinokastra dhe Veli Bej Klisura”

Hysen Hoxha, po ashtu si Ahmet Zogu kish ardhur me vonesë! Pavarësisht kësaj, të dy ata qenë delegatë të zgjedhur në atë kuvend.

Delegatët e Kosovës me 400 trima pas

Ismail Qemali ishte në zyrën e tij mesditën e datës 29 nëntor kur e njoftuan se delegatët e Kosovës po hynin në qytet. Ai doli bashkë më shumicën e atyre që u gjendën në shtëpinë e Xhemil Vlorës, siç dëshmon sërish Dhimitër Zografi:

“Të nesërmen priteshin të vijnë gjeneral Isa Boletini, Riza be Jakova, Mehmet Pashë Kalkandeli dhe disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Megjithëqë atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kish dalë përpara me flamurin tonë në dorë.

Kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritnë nga kuajtë dhe iu falë flamurit, duke u puthur me ngashërim të madh.

Riza beu, një burr i madh, ballëmadh, symadh, habitej dhe të zinte frika kur rrëfente veprat e tyre. Ishte i plagosur në këmbën e mëngjër, po s`donte të rrëfente se e kish për turp, dhe na thosh që i kish dalë një çiban.

Isa be Boletini është më i gjatë se Riza beu, rrëfen që është njeri i sivilizatur, i ëmbël në fjalët dhe me energji të çuditshme. Ç`rrëfejnë këta për barbarizmin që bënë serbët mbi shqiptarët pleq, gra dhe fëmijë, është një tmerr i madh që s’e përshkruan dot as penda”.

Mbërritja e delegatëve të Kosovës e ndryshoi edhe më shumë atmosferën në qytet. Mbi 400 besnikët e Isa Boletinit u bënë forca e parë ushtarake, por edhe xhandarmëria e Qeverisë së re.


Njohja e autonomisë së Shqipërisë nga Stambolli

Po më 29 nëntor mbasdite, Ismail Qemali u njoftua se Qeveria Perandorake në Stamboll njohu autonominë e Shqipërisë dhe urdhëroi ngritjen e flamurit turk, përbri atij shqiptar në gjithë zonat ku banonin dhe luftonin shqiptarë në perëndim të Perandorisë. Autonomia, siç dëshmon Eqrem bej Vlora, ishte 34 vjet e vonuar.

 Ajo duhej të ishte shpallur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tani nuk vlente më.

Njohës i vjetër i rregullave administrative, Ismail Qemali i zbatoi ato me përpikëri.


 Më 1 dhjetor u zgjodh Pleqësia (Kuvendi) me në krye Imam Vehbi Dibrën dhe më 4 dhjetor kjo pleqësi votëbesoi qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse qeveria i kish nisur mbledhjet që në datën 30 nëntor, ajo vendosi që mbledhja e parë të konsiderohej ajo e mbasdites së 28 nëntorit 1912, mbledhja që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Ndryshe nga sa pritej, qeveria nisi të marrë masa të ngutshme për të administruar territorin e vogël që kontrollohej prej saj. Ajo ngriti ushtrinë kombëtare, xhandarmërinë, policinë, nxori gazetën “Përlindja e Shqipërisë” dhe filloi të urdhëronte përfaqësuesit në të gjithë vendin që të zbatonin rregullat e saj.

Qeveria mori në dorëzim fondin e Perandorisë Osmane, duke lënë ligjet e saj në fuqi për administrimin e vendit.

Ismail Qemali e dinte se vendi ishte në gjendje të mjerueshme. Në një dokument atij i njoftohej se në vend kishte vetëm 200 km rrugë kryesisht për karvanë, 34 njësi industriale, nga të cilat 18 mulli bloje.

Shqipëria që administrohej prej qeverisë së tij nuk kish asnjë metër hekurudhë dhe asnjë port modern ku mund të ankorohej një avullore. Mbi të gjitha nuk kishte një monedhë kombëtare dhe deri në mes të viteve ‘20, edhe pasi Perandoria Osmane ishte shpërbërë, u punua me lira turke, me stërlina angleze dhe me monedha në njësi floriri.

Por problemi i funksionimit të Qeverisë dhe selitë e saj mbeteshin problem. Eqrem bej Vlora, i zgjedhur nënkryetar i Senatit, që mbërriti ato ditë në qytet nga fronti i Himarës ku po luftohej me grekët, kujton:
“Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, këtë unë s’e mora vesh kurrë…”

Më pas, ai kujton takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë:


“Oborri, sallat poshtë e lart, shkallët, ishin të mbushura plot nga njerëz që s’i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin lëviznin diku tjetër pa teklif…

 Në katin e sipërm ishte një sallon i madh, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj, njerëzit ngjesheshin e shtyheshin, për të dëgjuar se ç‘thuhej atje brenda. Hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa m’u dhimbs.”

Ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë

Problemi më i madh i qeverisë së re mbetej ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohja e shtetit të ri nga fuqitë e mëdha.

Më 20 dhjetor 1912, Eqrem bej Vlora po rrinte buzë vatrës në shtëpinë e tij, ngjitur me atë ku flinte Ismail Qemal Beu kur dëgjoi befas disa krisma që erdhën duke u shtuar. Në pak kohë ato u bënë me qindra, siç dëshmon ai vetë në kujtimet e tij:

“Qëllohej nga të gjitha dritaret, mijëra gjuhëza flakësh çanin terrin e thellë të natës mjegullore… Dërgova dikë të pyesë në shtëpinë e Xhemil Beut (Ku rrinte Ismail Qemali) po aty nuk dinin gjë.

Dola me 20 trima të armatosur të shoh. Nëpër muret e shtëpive kërcisnin plumbat si bizelet në xham.

Përpara zyrës së postë-telegrafës gjetëm një turmë prej qindra vetash që shtinin si të tërbuar në ajër. Atje u zbulua edhe e fshehta. Nga Vjena dhe Parisi kishin ardhur telegrame private që thoshin se Konferenca e Ambasadorëve kish njohur në parim ‘Pavarësinë e Shqipërisë’!”

Në fakt telegramet nuk gabonin. Më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve në Londër me insistimin e Austro-Hungarisë mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Ajo pranoi në parim njohjen e vendit të ri dhe deklaroi hapjen e diskutimeve për kufijtë e tij.

Eqrem bej Vlora rrëfen sesi në natën e 20 dhjetorit:

“Në mesnatë gjithë qyteti vërshoi në shtëpinë e Ismail beut për ta uruar për suksesin e Qeverisë së Përkohshme. Ai ishte i zemëruar: “Keq shumë filloi kjo lojë?! Ç’është kjo sjellje e çmendur?! Që në hapat e saj të parë Shqipëria u prit me këto krisma të marra!”

2012/11/05

Akademia e papërgjegjshme ose i thënçin Akademi!


Të merresh sot me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur kazani i shoqërisë sonë ka filluar të vlojë jo pak, mund të të shihet për të madhe. Megjithatë, ky problem nuk është kaq i thjeshtë sa perceptohet tek ne, sepse Akademia është organi më i lartë shkencor dhe kulturor i vendit, prandaj njerëzit i drejtojnë sytë nga ajo; atyre, për çdo çështje madhore që i del para vendit, vetvetiu u shkon mendja se rrugën e zgjidhjes do ta gjejë Akademia. Por, si qëndron puna me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Si funksionon kjo akademi? Sa dhe si e zbaton Kushtetutën, rregulloret dhe statutin e saj? Si bëhen zgjedhjet e anëtarëve të rinj? Shkas për këtë shkrim u bënë zgjedhjet e këtij viti për Akademi, ndërsa në fokus të tij do të jetë sidomos Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë, si njëri ndër seksionet themelore të Akademisë.
Si po zgjidhen anëtarët e rinj në Akademi?
Edhe këtë vit, sikurse edhe herëve të tjera, institucionet arsimore e shkencore të Republikës së Kosovës, i nominuan kandidatët e tyre për të hyrë në AKASH, por ishte Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë, i cili i doli përpara këtij nominimi, duke e konsideruar një lloj sakrilegji: nominoi kandidatë të tjerë, bile i nominoi ata të cilët nuk ishin nominuar nga institucionet ku punonin ose kishin punuar më parë (Mehmet Halimi), apo edhe kandidatë të cilët në institucionin ku punojnë nuk kishin arritur të marrin vota për t’u nominuar për në Akademi (Zejnullah Rrahmani), ose kandidatë të vetëkandiduar në Seksionin e shkencave shoqërore (Jusuf Bajraktari). Pra, ky seksion, por edhe ndonjë tjetër, me forcën burokratike që ia ka dhënë vetes dhe me dobësinë që ua ka lënë institucioneve arsimore e shkencore të vendit, duke ua marrë të drejtën t’i dërgojnë në Akademi kandidatët e tyre, me të dyja këmbët shkel në dinjitetin e këtyre institucioneve, prej të cilëve, në fund të fundit, kanë dalë edhe vetë këta anëtarë të këtij seksioni të Akademisë! Pra, sipas kësaj, i bie se, atëbotë, kur këta akademikë i kishin nominuar institucionet ku kishin punuar, këto institucione kishin qenë në rregull, ndërsa tani, kur këta më nuk janë në to, nuk janë në rregull!!!
Këta akademikë, pra, që nuk kanë zbritur aty nga qielli, në qiell të paarritshëm e kanë kthyer atë vend për ata që nuk duan t’i shohin aty! Akademia shpërfill dhe përçmon institucionet tona arsimore e shkencore dhe recensuesit – emra të njohur të shkencës shqiptare, në të vërtetë, me mospranimin e propozimeve nga këto institucione, akademikët bëhen mohues të institucioneve prej të cilave kanë dale edhe vetë. Për të arritur këtë, kanë krijuar rregullore që bien ndesh me Ligjin për veprimtarinë shkencore (që është në fuqi), sipas së cilës kë duan e lënë jashtë dhe kë duan e fusin brenda. Pse ndodh kjo? Ja përgjigjja. Sepse kandidatët që do të pranohen në Akademi nuk maten me asgjë tjetër, më së paku me punën e tyre, përveç me gishtat e anëtarëve të seksionit dhe të Kuvendit të Akademisë dhe me masën a janë bashkëklanorë, miq a bashkëpartiakë me anëtarët e Akademisë! Një akt i tillë, pra mospranimi i kandidaturave nga institucionet, në të njëjtën kohë tregon mbylljen e Akademisë ndaj institucioneve arsimore e shkencore të vendit si dhe uzurpimin e organit më të lartë shkencor në vend nga një grup njerëzish, të cilët në vendimet e tyre nuk nisen nga interesi i përgjithshëm, por nga interesi i tyre i ngushtë; jo nga hyrja aty e njerëzve të cilët me të vërtetë do të jepnin kontributin e tyre, por nga mbledhja e njerëzve me të cilët janë të afërt: me bindje, me krahinë, me parti, me klan etj. Ky seksion (i Gjuhës dhe i Letërsisë) me një veprim të tillë shpërfaq primitivizmin dhe paskrupullozitetin në shkallë shqetësuese!
Akademia, vendstrehim për njerëzit e një lloji
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka krijuar një rregullore sipas vullnetit të atyre që janë brenda dhe të cilën e përdor sipas vullnetit të disa prej anëtarëve të saj. Kështu, ajo është kthyer në vendstrehim për një disa njerëz që i kanë njerëzit e vet brenda. Akademia sot përdoret më shumë për strehimin e njerëzve të një klani sesa për realizimin e projekteve të rëndësishme shkencore e artistike që u bie si barrë e si përgjegjësi shoqërore. Fakti që në Akademi janë të mirëseardhur Zejnullah Rrahmani dhe Mehmet Halimi tregon gjendjen në të cilën ka arritur ajo. Arsyet më banale bëhen shkak që dikush të hyjë në Akademi dhe dikush tjetër mbetet jashtë saj. Cilat janë këto “arsye” në rastin konkret? Për M. Halimin, pse dikur ka qenë mësues i njërit prej atyre që janë brenda në Akademi dhe se është i një partie me ata që vendosin aty; për Z. Rrahmanin, pse aty e ka ish-profesorin e tij (Ali Aliu), por edhe se është i një partie me ata që vendosin aty. Diku në këtë shkrim kam shkruar edhe për Jusuf Bajraktarin, si të vetëkandiduar në Institutin e Historisë ku është drejtor! Në fund të fundit, edhe ky hyn në Akademi se i takon klanit të atyre që janë brenda! Mënyra e tillë e përzgjedhjes së kandidatëve, akademikëve ua mundëson që, duke u nisur nga niveli më i ulët i kandidatëve deri tek ai më i larti, të përzgjidhet niveli më i ulët dhe zgjedhësit të jenë në rregull me veten dhe me publikun. Kështu, në Akademi nuk ka arritur të hyjë, p.sh. Ruzhdi Ushaku, një studiues i mirëfilltë, vepra e të cilit është shembulli më i mirë se si duhet të studiohet gjuha, ndërsa arrin të hyjë Mehmet Halimi, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me një a dy të folme të rrethit të tij, në mënyrën më tradicionale të mundur. Fatkeqësia e këtij të fundit është se ende nuk e zotëron as drejtshkrimin e gjuhës shqipe. “Sekularizimi “ i Akademisë. Gjersa kjo Akademi nuk i pranon në radhët e veta të nominuarit e institucioneve arsimore e shkencore, me rastin e çdo zgjedhjeje pranon kryetarë, nënkryetarë, ish-funksionarë etj. të partive të ndryshme, më të shumtët të LDK-së. Ndërkaq, për aktivistë të partive, të mos flasim, sepse pa qenë aktivist (militant) i kësaj partie që e ka uzurpuar Akademinë, ose aleat i saj, aty nuk mund të hysh kurrë! Prandaj them se deri më sot nuk kemi një akademi sekulare, sepse edhe sot e kësaj dite, ashtu sikur shteti mesjetar në Evropë që për një kohë të gjatë nuk mund të ndahej nga feja, kjo Akademi nuk po mund e nuk po do të ndahet nga politika dhe, rrjedhimisht, edhe të depolitizohet. Në të, vazhdon të zgjidhen anëtarë kryetarë apo nënkryetarë partish apo parlamenti dhe edhe kryetarë e ish-kryetarë komunash! Çfarë shkence apo arti mund të bëjnë ata të cilët çdo ditë janë në krye të partisë apo në seancat e Kuvendit? Kështu, Akademia u bë Akademi partiake e Akademi e politikanëve. Këtë mentalitet, pra të pranuarit në Akademi vetëm të udhëheqësve të një partie, ose militantëve të saj dhe të partive aleate, e konsideroj si trashëgimi nga e kaluara nostalgjike tyre për LKJ-në, kur së pari duhej të ishe anëtar i Lidhjes së Komunistëve pastaj të pranoheshe... Këta ishanëtarë të Lidhjes së Komunistëve krijuan partinë e re të tyren dhe i trashëguan dhe i monopolizuan të gjitha ato që ua kishte lënë partia e tyre e dikurshme. Janë po aq fanatikë sa kanë qenë kur kanë qenë në pushtetin e Lidhjes së Komunistëve dhe nuk arrijnë ta kapërcejnë atë fanatizëm. Është koha e fundit që Akademia të “sekularizohet”! Të ndërpritet kjo praktikë që na e kujton sistemin e kaluar kur shoku Tito e Sinan Hasani zgjidheshin anëtarë të Akademisë. Paradoksale është kjo, por e vërtetë! Mjaft më!
Disa “xhevahire” të tjera të Akademisë
Akademia shkel rregulloren që e ka krijuar vetë duke ribotuar pa ndonjë kriter librat e anëtarëve të saj. Kështu, libri i Ali Aliut, “Don Kishoti te shqiptarët”, pasi është botuar e ribotuar dy herë (maqedonisht – “Kultura” 1994, shqip – “Flaka” 1996, në vitet ‘90), për të treten here u ribotua nga AKASH-ja më 2005, vit në të cilin u botua edhe në kompletin e librave të Ali Aliut (Vepra të zgjedhura III, “Serembe”, Shkup, 2005). Po ashtu, pothuaj nuk ka një anëtar të Akademisë (Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë) që nuk i është ribotuar një libër së paku njëherë, duke filluar me librat me poezi e deri te kritikat e recensionet me të zakonshme; Nuk merr kurrfarë masash ndaj plagjiaturës. Fakti që Akademia nuk mori masa ndaj plagjiaturës së Sabri Hamitit, edhe pas disa publikimeve në shtypin tonë, lë të kuptohet se problemi i plagjiaturave në këtë Akademi është paksa më i thellë sesa që duket. Për këtë, më gjatë, në një shkrim tjetër; Hap vende që nuk parashihen me ligj. Akademia, përveç që interesohet për të hyrë në të njerëzit e saj, ajo, po ashtu, interesohet edhe për të mbetur aty ata që normalisht, me ligj, do të duhej të dilnin në pension. Kështu ndodhi me rastin e ishsekretarit të saj, Zija Bylykbashi, i cili, në vend që të pensionohet, u shpall këshilltar i Akademisë! Çka do të thotë ky titull, sigurisht që në Akademi e dinë mirë!
Përfundim
Në vend që Akademia sot të jetë personifikim i së vërtetës dhe i së drejtës, ajo është kthyer në personifikim të gënjeshtrës dhe së padrejtës, në të vërtetë të së shëmtuarës dhe të së keqes. Prandaj, nëse vërtet ne si shoqëri kemi interesa të larta, Akademia, duhet të hyjë nën ligj, si çdo institucion tjetër dhe sipas ligjit të veprojë. Rrugë tjetër nuk ka. Përndryshe degjenerimi i saj do të jetë i vazhdueshëm. Aty duhet të hyjnë njerëzit që me të vërtetë kanë dhënë dhe japin kontribut (kontributet duhet të jenë të matshme, konkrete, jo abstrakte) në fushat e tyre, e jo njerëz të cilët i pëlqejnë klanit që e ka uzurpuar e privatizuar Akademinë! Akademia, nëse vërtet është e Shkencave dhe e Arteve, në gjirin e saj duhet të pranojë njerëz të shkencave dhe të arteve e jo njerëz të politikës! Duhet të krijohen norma të qarta kush mund të hyjë në akademi e kush jo. “Pesha” e atyre që hyjnë ose nuk hyjnë të jetë e matshme, konkrete, dhe jo njerëzit të varen nga vullneti i atyre që janë brenda! Të mos shikohet ngjyra e syve të atyre që nominohen, por vepra konkrete. Në fund, ja disa nga masat që duhet të ndërmerren, që të “shëndoshet”
Akademia:
Është koha e fundit që Akademia të shkurorëzohet nga politika. A mos vallë njerëzit më të mençur të këtij vendi janë politikanët?! Çfarë bëjnë politikanët në Akademi? (Fillimit të shkurorëzimit të Akademisë nga politika do të duhej t’i paraprinte një statistikë e saktë e pranisë së politikanëve në të, e cila me shifra konkrete do të tregonte se sa është e kontaminuar kjo Akademi nga politika). Duhet të krijohen norma të qarta sipas të cilave një kandidat i plotëson kushtet për të hyrë në Akademi dhe një tjetër jo. Sot edhe aplikimi në shkollën më të skajshme të Kosovës bëhet sipas disa normave, ndërsa janë të paprekshmit e Akademisë të cilët i bëjnë dhe i zbatojnë “normat” sipas vullnetit të tyre! Akademia të ndahet në Akademi të Shkencave dhe në Akademi të Arteve. Vërtet, çfarë projekti mund të bëjnë bashkë shkencëtarët dhe vjershëtarët apo piktorët? Akademia të funksionojë në bazë të të ligjit, e jo të shkel ligjet!

Si letërsia, si gjuhësia


Shkrunan: NUHI ISMAJLI


Në letërsinë tonë, kur marrim parasysh se kush po merret me vlerësime letrare, çfarë po thuhet, çfarë vlerësimesh po bëhen, dhe kush po quhet kritik letrar, mund të thuhet, pa dyshim, se nuk e kemi vetëm propagandën ose vetëm komedinë, por që të dyja njëherësh, edhe propagandën edhe komedinë.
Vlerësimi kritik, objektiv,i letërsisë shqipe ua ka lëshuar pothuajse krejtësisht vendin vlerësimeve joserioze dhe, madje, qesharake. Në këto rrethana të dominimit të vlerësimeve aspak të denja për letërsinë, vërejmë emra studiuesish të formuar, të cilët mund të bëjnë vlerësime të denja për letërsinë, por që, për interesa aspak letrare, nuk japin vlerësime meritore dhe të nevojshme. Vlerësime të tilla jepen në kuadër të studimeve, në katedrën e letërsisë, si dhe në veprat e autorëve të ndryshëm për letërsinë.
"Kritikët" e pashkolluar
Në rrethanat e një vlerësimi joserioz kritik për letërsinë janë shfaqur edhe një dorë "kritikësh" të pashkolluar, të pangritur dhe të paformuar në fushën e letërsisë. Kështu, rrethanat e mungesës së shfaqjes publike të një mendimi shkencor për letërsinë dhe rrethanat e mungesës së kritikës së vërtetë letrare, kanë prodhuar edhe kritikët e rrejshëm, kritikët pa asnjë formim të duhur letrar, për t'u konsideruar studiues dhe vlerësues të letërsisë. Në shkrimet e ndryshme për veprat e letërsisë shqipe, prandaj, vërejmë edhe emra të tillësh, të cilët quhen kritikë, por që nuk ngjasojnë aspak me kritikët letrarë, sepse, të tillët, nuk kanë as përgatitjen dhe formimin elementar letrar, siç e dëshmon këtë edhe niveli i shkrimit të tyre. Në një realitet të tillë paradoksal, çdo person që shkruan diçka për një vepër letrare quhet kritik! Në një realitet të tillë ku mungon dija, ndërgjegjja dhe përpjekja për një mendim dhe gjykim të denjë shkencor për letërsinë, kritiku i vërtetë dhe kritiku i shpifur, i rrejshëm, identifikohen plotësisht, të cilët, edhe i sjellin bashkërisht dëme të mëdha letërsisë dhe kulturës përgjithësisht. Në këtë rast, përgjegjësinë për mungesën e vlerësimeve të nevojshme kritike letrare dhe vlerësimet e gabuara letrare e mbajnë studiuesit, por vlerësimet që i bëjnë kategoria e parë, apo ajo e dyta, pothuajse nuk kanë dallim, pasi që të dy palët shprehin mendime dhe japin gjykime paradoksale, mashtruese, për autorët dhe veprat e tyre. Kështu, p. sh.një studiues i letërsisë (edhe mësimdhënës në një katedër letërsie), në kuadër të një teze të doktoratës mund të shprehë vlerësimin e tij për një poet shqiptar duke e nxjerrë atë të barasvlershëm me Sharl Bodlerin! Nëse ne kemi poetë si Bodleri, pra, puna paska mbetur vetëm që bota ta njohë këtë poet, në përmasa botërore, siç e ka njohur e çmuar dhe siç e njeh e çmon Bodlerin.
"Kritiku" me titullin "dr-sc"
Një tjetër "kritik", me titullin "drsc", por, për nga formimi, hiç më imirë se kritikët e shpifur, një nga improvizuesit më monotonë të shekullit XX, e pati quajtur "homeri shqiptar"! (Nuk është këtu fjala për Gjergj Fishtën). Nga radha tjetër e "kritikëve", pra të kritikëve të shpifur, kemi pasur rast të shohim kurorën e paparë të marrëzirave. Kemi parë, p. sh., ndër të tjera, sesi //pa asnjëbazë, arti i dikujt krahasohet me artin e Borhesit, sesi mendimi i dikujt krahasohet me mendimin e filozofit Erih From! Etj. Etj. //edhe një çfarëdo poeti, një krijues krejt i papërfillshëm, minor, për të mos thënë një kalemxhi, një kurrfarë, apo një hiç poeti, të krahasohet me Borhesin! Dikush tjetër, një çfarëdo poezi, një kurrfarë, apo një hiç poeti, të krahasohet me filozofin Erih Fromin! Etj. Etj. Pse ndodh kjo edhe në rrethet letrare, në të cilat nuk duhet të ndodhë?! Studiuesit e ngritur, një mendim dhe gjykim jomeritor për letërsinë e japin në mënyrë të vetëdijshme, por në mungesë të etikës shkencore, në rastet kur interesat letrare i këmbejnë me interesa jashtëletrare. Shohim sesi disa prej këtyre janë dishepujt e përulur të mësuesve të tyre, të cilët nuk guxojnë të flasin, ashtu si nuk flet mësuesi i tyre dhe nuk guxojnë të thonë diç e të japin vlerësime të tilla, të cilat, mësuesit të tyre nuk i pëlqejnë e nuk e ngrenë atë në qiell, sepse mësuesi i ka avancuar, duke i stolisur me tituj shkencorë e duke ua mundësuar pozitat…Prandaj, për mësuesin e tyre, ata nuk mund të thonë, siç ka thënë në një tekst të njohur të tij filozofi Aristotel: "Unë jam mik i Platonit, por dua më shumë të vërtetën". Përkundrazi, ata, në vend se, në vlerësimet e tyre, të dhëhiqen nga parimi i Aristotelit, subjektin e vlerësimit e shikojnë, jo ashtu siç është, me gjithë vlerat e të metat e tij, po si një engjëll të vërtetë, krejt hyjnor, kurse veprën e tij si kulmi i arritjeve botërore! "Kritikët" tjerë, mendime e vlerësime të padenja për letërsinë japin për shkak të mungesës së dijes, vetëdijes e aftësive të nevojshme për vlerësime letrare, si dhe synimit të bëhen emra në një fushë të lirë, ku mungon pronari i vërtetë - kritiku i vërtetë letrar. Pa marrë parasysh, tipin e "kritikëve letrarë" të mësipërm, pra, qoftë se është fjala për kritikët letrarë të formuar, por kritikë letrarë subjektivë, të pandërgjegjshëm, të pa etikë shkencore, faji i të cilëve është i madh, qoftë se është fjala për kritikë letrarë të shpifur, që të dy palët bëjnë marrëzira dhe i sjellin dëme të mëdha letërsisë dhe kulturës. Një nga kritikët më të njohur të letërsisë botërore, i cili ka përcaktuar bukur kërkesat për një kritikë të vërtetë letrare, Tomas Stern Elioti, ka konstatuar se kur kritiku nuk mbështetet në argumente, kritika e tij shndërrohet ose në komedi ose në propagandë. Në letërsinë tonë, kur marrim parasysh se kush po merret me vlerësime letrare, çfarë po thuhet, çfarë vlerësimesh po bëhen, dhe kush po quhet kritik letrar, mund të thuhet, pa dyshim, se nuk e kemi vetëm propagandën ose vetëm komedinë, por që të dyja njëherësh, edhe propagandën edhe komedinë. E dimë se vlerësime jomeritore letrare bëhen qëllimisht, për propaganda të caktuara dhe për të arritur në saje të tyre interesa joletrare. Nga njohja e atyre që shkruajnë "kritika" të tilla, si dhe e veprave të autorëve për të cilët shkruhet e qëllimet për të cilat shkruhet, nuk mund të mos ndjesh ndjenjën e receptimit të ndonjë teksti të veçantë komik.
Propagandë e komedi edhe në gjuhësi
Po, ajo që po ndodh, që sa kohë, me letërsinë dhe po vazhdon të ndodhë edhe më tutje, para pak ditësh patëm rast të mësojmë se po ndodhke edhe me fushën e gjuhësisë. Për motive të ndryshme, vlerësime të paqëndrueshme, subjektive, aspak serioze, prandaj edhe propagandë e komedi, kishte edhe në gjuhësi, madje edhe nga emra të shquar të gjuhësisë. Po marrim, si shembull, një rast konkret: burri i botës, kishte mbledhur gjuhëtarë, edhe nga ata me emër, me tituj, nga këtu, Kosova, e nga Shqipëria dhe, me pompozitet të paparë, do të bëjë reklama, emër të madh, të pakrahasueshëm, sa jo veç Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, (ku e kishte synimin të hynte), po edhe çdo akademi tjetër, sikur të ishte ashtu siç thuhej aty, do ta priste derëhapur dhe pa kurrfarë kontestimi e, madje, edhe vetë do ta kërkonte, sepse, me një të tillë shkencëtar, siç quhej aty, çdo akademi do të ishte e deruar dhe do të ndjehej e respektuar po ta kishte anëtar të saj. Kështu, më 17 tetor, të këtij viti, në Teatrin Kombëtar të Gjilanit (shih: në teatër, pikërisht në vendin e komedisë!) "dr-të", "akademikët" e tituj të tjerë, të afërt me titujt e përmendur, ishin ftuar e tubuar, për të folur me pietet të jashtëzakonshëm për një figurë "madhështore" të studiuesit të gjuhësisë, gati-gati, sipas tyre, "i pakrahasueshëm" me studiues të tjerë. Nuk mund të mos e veçoj, në këtë rast, një nga mesi i të pranishmëve (A. J.), i cili, me gjithë praninë në atë mes marramendës propagandues e komik, burrërisht mbajti drejtpeshimin e arsyes dhe tregoi ndjenjën e masës në fjalën e tij, sikundër nuk mund të mos veçoj këtu, me habi, studiuesin e madh, Emil Lafen, ligjëratën e tij tejlavdëruese, për studiuesin "e pakrahasueshëm", si edhe akademikun Gjovalin Shkurtaj, gjithashtu, për ligjëratë-propagandën e tij tejet komike.
Recensionet "tejet shkencore"
Në takimin e 17 tetorit, të këtij viti, në Teatrin e Gjilanit, u fol për studiuesin e gjuhës, i cili nuk u krahasua me asnjë gjuhëtar tjetër, përveçse me E. Çabejn dhe Idriz Ajetin! Pra, në saje të asaj që u tha aty, nga titujt e mëdhenj të gjuhësisë, protagonisti i takimit nuk mund të krahasohej me gjuhëtarët e tjerë, pasi ai dilte i krahasueshëm vetëm me Çabejn dhe I. Ajetin! Një tekst i tij i gjuhës, sipas studiuesve titujmëdhenj, po ia kaluaka çdo teksti të deritashëm për gjuhën shqipe, pra, sipas kësaj, ai tekst, po ia kaluaka edhe tekstit të gramatikës së gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë! Qëllimi i asaj propagande komike u shpalos haptazi në atë takim: protagonisti i takimit po lakmonte titullin e akademikut, prandaj ishte angazhuar burri i botës, kishte ftuar njerëzit emërmëdhenj, të cilët, me fjalët e tyre lavdëruese mund të të ngrenë edhe në qiell, po qe se duan e do, e lëre më "të të bëjnë të denjë", për t'u bërë anëtar i ASHAK-së! Prandaj, edhe diskursi "i lartë",i recensioneve "tejet shkencore", të titujmëdhenjve, për kandidatin e ASHAK-së, me ndonjë përjashtim, si u tha më lart, qëndisej me përsëritjen e vazhdueshme të urimit: "Urojmë, që, tani e tutje, të të drejtohemi me titullin: akademik!" Mjerë ASHAK-ja! Derisa po i dëgjoja e shikoja disa "rituale moderne", për t'u bërë anëtar i ASHAK-së, për një çast m'u duk ajo një punë mjaft e lehtë dhe, mendova se, edhe unë mund ta bëj lehtë ndonjë vepër "shkencore", si p. sh., vetëm duke përshkruar frazeologjizmat nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe dhe, qe, u bë. Sa punë është kjo?! Por, sakaq, m'u kujtus se p. sh. përveç punës së përmendur, duhet edhe diçka tjetër, të cilën unë nuk mund ta bëj dot: t'i sjell ata titujmëdhenj të flasin si për kandidatin për ASHAK-në! "O moj paraja murdare…"!

Promovohet libri “Charles Telford Herickson”, miku amerikan i Shqipërisë

Promovohet libri “Charles Telford Herickson”, i autorit Mal Berisha. Në evenimentin e mbajtur pasditen e sotme në “Hotel Sheraton”, ishin të pranishëm edhe kreu i prezencës së SHBA, Aleksandër Arvizu, kryeministri i vendit Sali Berisha, kreu i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha dhe figura të njohura nga arti dhe letërsia.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse ambasadori Arvizu duke përgëzuar autorin Mal Berisha për librin vlerësoi figurën e Charles Telford Herickson, raporton BalkanWeb.

“Ai e deshi Shqipërinë dhe i përkushtoi jetën e tij për këtë vend dhe popull. Mendoj si do kishte menduar po të shihte Shqiëprinë tani. Jam i kënaqur se zoti Mal pati mundësinë të futej thellë në personalitet dhe të na e sillte atë”,- theksoi Arvizu.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në shenjë mirënjohje i dha Pol Telford Herickson (nipit të Charles Telford Herickson) certifikatën e mirënjohjes.

“Është kënaqësi e veçantë që të ndodhem sonte në këtë përkujtimore të një prej amerikaneve miq të vendit tim në këtë 100 vjetor të P|avarësisë. Sot u takova me tre prej nipërve dhe mbesave të tij. Nesër do jenë në Elbasan, ku do marrin qytetarinë e nderit. Por, në shenjë mirënjohje për veprën e tij si bashki e kryeqytetit të Shqipërisë kam nderin ti paraqes këtë certifikatë mirënjohje dr. Pol Telford Herickson për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin ndaj arsimit shqiptar nëpërmjet hapjes së shkollave në Elbasan, Tiranë dhe Kavajë si dhe kontributin në emër të Shqipërisë në Konferencën e Paqes”, tha ndër të tjera Basha.

Autori Mal Berisha, për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm në aktivitet, ndaj përshëndeti nga Amerika pjesmarrësit nëpërmjet një videomeazhi në scype.

“Charles Telford Herickson nuk është amerikan , por shqiptar me pasaportë amerike”, kështu deklaroi kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij duke cituar Shtrausin. Berisha duke kujtuar takimin e me Nënë Terezën vlerësoi se forca e misionarëve është dashuria.

“Historia më bëri të takoj misionaren Nënë Teraza. Dhe kuoriziteti më i madh ishte të gjeja ku qëndronte forca e saj. Forca sihte tek Zoti tek Krishti tek dashuria. Në forcën e madhe të dashurisë qëndron vepra e jshtëzakonshme e Charles Telford Herickson . Vetëm kjo forcë mund të mundësojë njeriun të jetë humanist i madh sic ishte eedhe Herickson” tha Berisha duke falenduar edhe autorin e veprës Mal Berisha “ se ke nderuar cdo shqiptar

Libri, i cili përkon edhe me 100 vjetorin e Pavërësisë, nxjerr në pah kontributin e misionarit protestant, njëherësh pedagog i shkëlqyer dr. Charles Telford Herickson për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjatë një periudhe gati 25 vjeçare, nga 1908-1933 ky personalitet i pedagogjisë misionare amerikane ka shërbyer në Shqiperi dhe për Shqipërinë, duke dhënë një kontribut të pakrahasueshëm, të realizuar në kushtet e një privacioni të thellë arbitrar, nga pushtuesit e huaj, osmanë dhe serbë, por edhe shoqëror e material.

Ky kontribut konsiston në dy drejtime kryesore, së pari në hapjen e shkollave moderne të tipit amerikan, në atë kohë kur Shqipëria nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, së dyti në mbështetjen dhe ndikimin e tij deri tek presidenti amerikan për zgjidhjen pozitive të problemeve shqiptare.

“Prilli i Thyer”.


Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, festave dhe gëzimeve u shtohet edhe një lajm i mirë. Sipas ekspertëve austriakë, në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit, bën pjesë edhe romani i Ismail Kadaresë “Prilli i Thyer”. Ekspertët austriakë, me kryeredaktoren e Bibliotekës Nacionale, Johanna Rachinger, për çdo javë japin sqarime për veprën dhe autorin e njërit prej tyre, ku mes “Ujkut të Stepës” të Herman Hesses, “100 vjet vetmi” të Gabriel Marquezit, “Plakut dhe Detit” të Ernest Hemingwayt, spikat edhe vepra e Kadaresë, njofton Fitim Dika. Në shpjegimin që i bëhet autorit dhe veprës, theksohet jeta kulturore e shqiptare e veriut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, si dhe forca stilistike e autorit për ta shfaqur këtë zakon të vjetër në një vepër.

Po ashtu theksohet se vepra që e bëri autorin të famshëm është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por romani më i mirë i tij mbetet pa diskutim “Prilli i Thyer”. Gjithashtu, vihet në pah se edhe pas rënies së diktaturës dhe në vitet e fundit, shkrimtari shqiptar ka shkruar romane me vlerë, mes të cilëve vlerësohet sidomos “Aksidenti”. Shkrimin e plotë mund ta gjeni në gjuhën gjermane në linkun http://kurier.at/sammelseite/368-die-besten-100-buecher-aus-100-jahren.html?pageIndex=6, por ajo që nxjerrim nga kjo është interesante se disa shkrimtarë që kanë marrë Çmimin Nobel për letërsi nuk gjenden në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...