Vullnet Mato
 
KËNGËT E BULKTHIT
 
Bulkthi këndon gjithë natën cërr-cërr-cërr,
ëndrrat e njerëzve shoqëron me muzikë.
Këngëtari i netëve ka zgjedhur ditën të flerë,
se nuk dëshiron t’i dëgjojë jetës kakofonitë.
 
Bulkthi sfidon zhurmat qysh në errësim,
me ninullat që ndjellin gjumin e ëmbël,
duke përkundur orët e natës gjer në agim,
me tingujt drithërues të violinës së zemrës.
 
Kur s’kam gjumë, dëgjoj këngët bulkthore,
dhe frymëzohem nga ritmika e vargut të tij,
nga thekset e rregullta të notave muzikore,
që shpërndan për shpirtrat e fjetur në qetësi.
 
Si bulkth ditor, rrekem të shpreh tingujt e mi,
mes dyndjes shurdhuese të pseudoartit poetik,
ku disa me zhurma vargjesh, krijojnë kakofoni,
pa mësuar as teknikën e bulkthit në tingujt fonetik...
 
Ashtu siç imiton shkenca format natyrore të zogjve,
të arrijë përsosmërinë e fluturimit në aerodinamikë,
imitimi i bulkthit me rimat dhe ritmin e vargjeve,
të shpie te ëmbëlsia e bilbilit, në ligjërimin poetik.
 
Jo më kot Bitëllsat e famshëm u vetëquajtën bulktha,
dhe gjetën veten te këta karkaleca këngëtarë netësh.
Duke përsosur ritmin dhe rimën deri në tonet eulëta 
ata mbeten të pavdekshëm në tinguj për gjithë jetën...  
 
Thënë më shkoqur, poezia është këngë me shkrim,
kur nuk arrin të prekë zemrën, mbetet te thembra. 
E shkruar ndryshe tingëllon vetëm si belbëzim, 
sepse vetëm ç’del nga zemra, hyn nëpër zemra...