Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Poezitë e burgut…vështrim mbi poezinë e Visar Zhitit


Poezia e Visar Zhitit është poezi e dhimbjes, poezi e dashurisë për njeriun, poezi e dritës ndoshta për të kompensuar vitet e kaluara ne ferrin e burgut komunist, është poezi e lirisë së ëndërruar dhe e zhgënjimeve prej lirisë gjithashtu. Në poezinë “Ardhja e Pegasit në Qelinë time” një nga poezitë e para të burgut të botuara në librin e parë “Kujtesa e ajrit”, 1993, poeti shkruan: “Afër frëngjisë/ Nëpër barin e pakët- patkonj/ Kulloste një kalë/ Si dikur/ Si në ëndërr/ Trupi i tij i bukur/ Muzg i larë me shi dhe hënë/ Ç’e mirë të solli kështu/ Mos je ti Pegasi?!”

Pak a shumë në të gjitha poezitë e burgut jepet kështu magjia e lirisë e parë pas hekurave, aty ku çdo gjë merr më shumë kuptim. Çdo kafshë, çdo gjallesë, frut, pemë, që shihet prej aty është e afërt, e dashur. Poeti i burgosur e ndjen si gjallon jeta jashtë hekurave të qelisë së tij, i gëzohet lirisë së këtyre qenieve të gjalla dhe do ta ndajë këtë liri me to. Në një vend ku nuk e gjen lirinë në shoqërinë njerëzore, poeti përpiqet ta gjejë atë në natyrën e egër. Dritarja e burgut është qielli, është syri për të parë botën e jashtme, për ta kundruar, për ta ëndërruar, për t’i mbijetuar atij ferri ku humbën jetën mijëra njerëz. Një aspekt tjetër i poezive të burgut janë imazhet dhe portretet e jetës së të burgosurve brenda në burg, në kamp, në qeli, në galeritë e nëndheshme të minierave ku punonin të burgosurit në kushte të tmerrshme, në mensën e burgut, në banjot e burgut, etj. Poeti tregon jetën e këtyre njerëzve në fund të honit ku i kishte gremisur fati dhe ku nuk i mban gjallë thjesht supa e burgut por mbi të gjitha dinjiteti njerëzor dhe ëndrrat që s’mund të prangosen. Visar Zhiti shkruan se “I burgosuri/ gjithmonë ndodhet pas një dere të mbyllur”. Po, kështu përfytyrohet ai në çdo regjim. Edhe nëse i ka kushtet normale të ushqyerjes dhe fjetjes, liria e munguar është një gjë që s’mund të zëvendësohet dhe ai gjithnjë është para një dere të mbyllur, para një muri të lartë që ia zë gjithë pamjen. Poeti di të përdorë bukur figurën e antitezës duke ia kundërvënë robërisë, lirinë, shtypjes, flatrat e ëndrrave, materies, shpirtin.

Për pyetjet apo diskutimet që mund të bëhen nëse poezitë e burgut, të paktën 100, janë shkruar në burg apo më pas, unë s’do t’i kushtoja ndonjë rëndësi të veçantë. Në këtë poezi është kujtesa e atdheut në burgjet e diktaturës komuniste, më të egrës që ka njohur populli shqiptar në të gjithë historinë e tij, janë imazhet, përsiatjet e një poeti që u dënua për poezi, vuajti ferrin e burgut dhe kampeve të atij regjimi dhe ia arriti të dilte i gjallë dhe të na sillte këto dëshmi tronditëse.



Kujtim Morina

Kujtimet e gruas së një ambasadori për Hitlerin, Himlerin, Stalinin e Musolinin

“Gjatë një jete të tërë të pasionuar, pas shumë vitesh në teatër dhe në skenë, jam bindur se Shekspiri kishte të drejtë kur thoshte se e tërë bota është një teatër.” (E. Cerruti)

Elisabetta de Paulay (Cerruti), bija e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Budapestit, e cila nisi të debutonte fare e re në skenë, në rolin e Zhulietës shekspiriane, detyrohet të largohet nga Hungaria pas revolucionit të Bela Kunit, duke braktisur kështu skenën pas sukseseve të panumërta, për të nisur një jetë të re. Është viti 1919, koha kur në Hungari plasi revolucioni bolshevik me qeverinë e Bela Kunit dhe kur u duk qartë se Teatri Kombëtar do të merrte tjetër orientim. E bindur se traditat fisnike me të cilat ishte lidhur do të konsideroheshin të perënduara, Elisabeta braktis skenën e teatrit të vendlindjes dhe, pas ofertave të vazhdueshme për të recituar në dy teatro të Vjenës, vendos ta vazhdojë karrierën në Austri. Mëngjesin e 9 qershorit 1919, u gjend në stacionin qendror të Budapestit, në një tren me vagonë të klasit të tretë, në gjendje të mjerueshme. Ky është vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të udhëtimeve, sepse vetëm pak kohë pas njohjes me Vittorio Cerrutin, në atë kohë ambasador i Italisë në Pekin, Elisabetta do të vizitojë kryeqytete të rëndësishme të botës. Karriera diplomatike e ambasadorit do ta çonte nga një qytet në tjetrin. Ishin vite intensive për diplomacinë italiane dhe ajo, me një finesë të shkëlqyer, përballoi ngjarjet në sallonet më të rëndësishme të historisë, duke grumbulluar një material të çmuar. Falë kulturës, inteligjencës, humorit, elegancës dhe angazhimit të saj, luajti rolin zyrtar në marrëdhëniet e ngatërruara diplomatike të kohës. Ashtu siç thotë Elisabetta në këto kujtime: “… ishte ulur pranë tyre, në ato ditë të stuhishme për botën”. Për gati shtatëmbëdhjetë vjet Cerruti u gjend kudo ku i shoqi shërbeu si ambasador: Kinë, vendi i varfërisë dhe i privilegjeve të mëdha, i bukurive dhe zakoneve të çuditshme; Rusi, ku Stalini, i padukshëm, por i gjithëpranishëm dhe dirigjent i dyshimeve, ia kish dalë t’ia bënte jetën ferr jo vetëm popullit të vet, por edhe diplomatëve të huaj; Rio, vendi i dëfrimeve e festave; Paris e Romë, dhe… Berlin, ku ajo qe dëshmitare e hipjes në fuqi të Hitlerit, e territ, linçimit dhe rrënimit shoqëror e kulturor që mbuloi vendin. Në kontakt të ngushtë me të gjithë hierarkinë naziste, ajo ka sjellë portrete të paharrueshme të hierarkëve më të lartë të nazizmit, por edhe të personaliteteve letrare, shkencore e kulturore të kohës. Falë penës së shkathtë të autores – një libër plot ngjarje, situata e dialogë realë apo tablo tejet interesante e të vërteta – lexuesi do të ketë mundësi të njohë shumë njerëz të pushtetshëm të kohës, si Hitleri, Himleri, Stalini e Musolini, si dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Në jetën prej artisteje ishte gjithnjë në shoqërinë e dramaturgëve të mëdhenj – Sofokliu, Shekspiri, Ibseni, Molieri, Duma, Hauptman e të tjerë – të cilët, në fakt, i braktisi për hir të realitetit, një braktisje kjo e dhimbshme. Megjithatë kurrë nuk e la skenën. Perdja e karrierës së saj dramatike u mbyll, vërtet, por ajo u ngrit sërish: skena e jetës i dha një rol më të rëndësishëm nga ata që kishte pasur në teatër; tashmë ishte grua ambasadori.



Jeta Hamzallari

Libri historik, trendi që ka pushtuar botën

Aida Tuci


Tendencën duket se e vendosin shtetet e mëdha, ato me shtëpi prestigjioze botimi dhe me kulturë masive leximi. Ndaj vitet e fundit, lexuesi shkon drejt shijeve të shfletimit të librave me natyre historike, apo memuarët e njerëzve të shquar, zbulimi i fakteve për herë të parë, i të pathënave, i sekreteve të një epoke apo regjimi. Ose kjo iu diktohet nga ata që kanë në dorë botimet…Parë këtë, qoftë për nuhatje biznesi që gjithsesi në këtë fushë është më i ndjeshëm dhe i kujdesshëm ndaj klientit lexues, qoftë për bumin e prodhimtarisë nga autorë e kërkesave të lexuesit edhe Shqipëria e ka përqafuar trendin. Kjo vihet re fort në titujt që shfaqen në panairet e tri viteve të fundit. Por çështja nuk ndalet te trendi. Të paktën jo për shtëpitë botuese që operojnë në vend, edhe pse lexuesi duket i uritur për tituj me natyrë historike, sidomos nga ata që zbulohen nga periudha e regjimit diktatorial shqiptar.

lufta-dhe-paqja-vell-2

Trendi i vërtetë në tregun e botimeve është kaosi. Përkthime joprofesionale, botime të shpejta, të pastudiuara mirë, që sipas Petrit Ymerit, botuesit të Shtëpisë botuese “Dituria”, ndikojnë negativisht te lexuesi. A e vëren vetë lexuesi këtë pikë të dobët? Ata më elitarët, me siguri po.

Të tjerët konsumojnë ç’t’u jepet, sidomos kur titulli është grishës dhe intrigues.

Nga ana e tyre shtëpitë botuese ndodhen përballë dilemës mes cilësisë dhe krizës globale, së cilës as bota e letrave, veçanërisht ajo e letërsisë nuk i ka shpëtuar. “Kjo i bën të ndryshojnë politikat e botimeve me shpresën se diçka do të lëvizë për mirë në të ardhurat e tyre”, – thotë Arlinda Dudaj, e Shtëpisë botuese “Dudaj”. Edhe Bujar Hudhri i “Onufrit”, e nënvizon problematikën që ka sjellë me vete kriza financiare duke i futur edhe botimet në krizë, të cilat duhet të sakrifikojnë për mbijetesë. Megjithatë, tendenca e librave historikë që e ka rritur numrin e kopjeve të shitura vitet e fundit dhe e ka afruar më shumë lexuesin me librin, duket një udhë shpëtimi. Të ardhura më të mira, që ndoshta do të shërbejnë për botime më cilësore të zhanrit që mbetet edhe zemra e letërsisë; ajo artistike.





Cili është trendi i botimeve në Shqipëri në 2-3 vitet e fundit?



Tre botues Bujar Hudhri, Petrit Ymeri dhe Arlinda Dudaj ndajnë mendime të ndryshme



Është krijuar ideja se shqiptarët këto vitet e fundit i qasen më shumë librit historik dhe memuaristikës. Etjen e madhe që lexuesi shqiptar ka për të njohur historinë bazuar mbi dokumente arkivore apo rrëfime të protagonistëve të ndryshëm, duket se nuk e shuan dot as media, e cila ashiqare i kushton hapësirë dhe vëmendje vetëm kësaj fushe të librit. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që shumë shtëpi botuese kanë filluar t’i japin një rëndësi të veçantë botimeve historike dhe memuaristike këto 2-3 vitet e fundit, çka mund të tregojë se nga anon trendi i botimeve. Por pavarësisht idesë së krijuar, romanet, autorët bashkëkohorë, të cilët janë të shitur në vendet europiane, janë akoma në trendin e shitjeve edhe në Shqipëri. Botuesit ndajnë mendime të ndryshme përsa i përket kësaj çështjeje. Petrit Ymeri, që drejton botimet “Dituria” por dhe Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, thotë se në një treg pa rregulla siç është tregu i botimeve, nuk mund të flitet për trend. Bujar Hudhri i Shtëpisë botuese “Onufri”, mendon se qasja nga librat historikë dhe memuaristikë është në fakt një trend botëror që nuk mund të kalonte pa prekur edhe Shqipërinë. Arlinda Dudaj e botimeve “Dudaj”, mendon se ky bum botimesh të librave historikë, biografikë dhe memuaristikë është bërë thjesht për interesa biznesi. Në përgjigje të pyetjes se cili është trendi i botimeve në 2-3 vitet e fundit, tre botuesit shtrojnë edhe shumë probleme të tjera që ka sot tregu i botimeve.



Petrit Ymeri:

“Trendi” është kaosi dhe mungesa e profesionalizmit



Nuk mund të flasim realisht për trend botimesh në Shqipëri, sepse shumica e botuesve botojnë realisht çfarë t’u dalë përpara. Ky është “trendi” kryesor. Janë shumë pak ata botues që kanë plane disavjeçare me kolana të menduara, të studiuara, e të përgatitura, të cilat vijnë duke u plotësuar vit pas viti. Ndaj do të thosha se “trendi” kryesor në tregun e botimeve në përgjithësi është çrregullsia dhe mungesa e profesionalizmit. Kjo, për fat të keq. Ky lloj trendi negativ ndikon negativisht tek lexuesi, pasi e çorienton atë, e huton dhe e largon këtë të fundit nga libri. Është fakt se tek ne botohet një pjesë e mirë e botimeve dhe autorëve të shquar, si letërsi artistike, ashtu dhe vepra historike, filozofike etj. Mirëpo duke mos i botuar me një lloj mendimi apo radhe, kjo ndikon keq tek lexuesi dhe ai nuk ka atë që meriton të ketë. Problemi tjetër që shtrohet është: Në çfarë niveli i jepen lexuesit këto botime? Jo gjithmonë autorët e mëdhenj jepen të përkthyer në cilësinë e veprës. Tjetër çështje që unë do të shtroja përsa i përket botimeve këto vitet e fundit është dhe fakti se, si pasojë e krizës globale, ku nuk bën përjashtim as tregu i botimeve në Shqipëri por dhe në Europë, ka rënie të dukshme të numrit të titujve të rinj dhe të tirazheve të botimeve. Pasojë e kësaj tek ne është se ka rënë edhe cilësia e botimeve që i ofrohen lexuesit, sepse janë rritur shumë çmimet për të marrë të drejtën e një autori të mirë. Në këto kushte, shpeshherë mjaft botues e gjejnë rrugëdaljen duke blerë të drejtën e atyre autorëve që sigurohen më lirë. Megjithatë nuk mund ta them se në këto 2-3 vite nuk janë sjellë autorë të rëndësishëm. Në përgjithësi kam mendimin se në Shqipëri botohet letërsi e mirë, autorë dhe romancierë të mëdhenj dhe përveç këtyre botohen edhe vepra të fushave të tjera, si në fushën e historisë, memuaristikës, sociologjisë, antropologji, filozofisë etj.





Arlinda Dudaj: Një orvatje për të shpëtuar nga kriza

Në këto dy vite tejet të vështira për librat dhe botimin në përgjithësi, trendi i botimeve ka njohur ndryshime të njëpasnjëshme, mbase kjo ka ardhur edhe për shkak të krizës e botuesit kanë menduar të ndryshojnë diçka nga politika që kanë bërë më parë, me shpresën që diçka mund të lëvizë për mirë në të ardhurat e tyre. Nuk di të them nëse kjo ka rezultuar gjithnjë frytdhënëse, po duhet parë si një orvatje për të shpëtuar nga kriza. Kemi parë në këto dy vite një gëlim librash me kujtime, apo biografi të caktuara personazhesh të njohur. Mbase disa edhe krejt pa vlerë, mbase edhe është ekzagjeruar e kjo ka çuar në një bumerang, por është e vërtetë që ka një interes të publikut për këtë fushë. Gjithsesi, unë personalisht nuk është se kam ndryshuar kushedi sa shumë në politikën time të botimit, pasi librat me biografi e kujtime i kam pasur në kolanë, kam vijuar të botoj letërsinë më të mirë botërore, të ndjek autorët e mi e t’i promovoj fort, dhe kjo gjithsesi më ka ndihmuar t’i mbijetoj krizës. Ndërkohë pohoj se libra si Kurban, i Edi Ramës, Joseph Anton i Salman Rushdie-s apo trilogjia e jetëve të grave të famshme, si Maria Callas, Coco Chanel dhe ajo e Merilin Monroe janë pëlqyer shumë nga lexuesi shqiptar. Por po kështu edhe veprat letrare të Jose Saramagos, David Grossman etj



Bujar Hudhri: Biografitë dhe kujtimet si trend botëror

Pas dy dekada të botimit privat në vendin tonë, duhet pranuar se të paktën janë evidentuar disa shtëpi botuese me një profil të qartë. Sado modest të duket ky numër, do ta quaja një arritje të madhe të kulturës sonë, duke patur parasysh se çfarë vështirësish i duhet të kalojë libri, nga autori apo përkthyesi, deri te lexuesi. Nuk do të ishte pavend të përmendja këtu një paradoks: rritja cilësore e përgatitjes dhe shtypjes së librave, të një niveli europian do të thosha, dhe çmimi i shitjes së librave, pothuaj i pandryshuar prej vitesh. Nisur nga kjo situatë jo fort pozitive, çdo botues, në politikën e tij botimore udhëhiqet domosdo edhe nga projekte që do t’ia mundësonin mbijetesën në këtë biznes të vështirë. Dhe sigurisht, më të vështirë e kanë botuesit që katalogun e tyre e kanë kryesisht me autorë shqiptarë (sigurisht nuk e kam fjalën për ata kolegë që e kanë mbështetur biznesin tek autorët që paguajnë vetë!). Ndaj në katalogët e botuesve mund të gjesh kategori të ndryshme librash: letërsi shqipe, e përkthyer (klasike apo bashkëkohore), biografi, kujtime, psikologjikë, enciklopedikë etj., etj. Këto të fundit janë më të kërkuara se librat artistikë dhe ky është një trend botëror. Në kontekstin shqiptar, ky trend është edhe më i justifikuar për një arsye të thjeshtë. Ndërkohë që lexuesit shqiptar nuk i ka munguar letërsia më e mirë botërore (minus bashkëkohoren, sigurisht) librat e kategorisë non-fiction as që mund të mendoheshin për t’u botuar. Me këtë shpjegohet etja e madhe e lexuesve për këto libra biografikë (që flasin për politikanë, shkrimtarë, artistë, sportistë, shkencëtarë etj.) Por për çudi, për të njëjtën arsye (të mungesës) librat nga letërsia bashkëkohore e kanë të vështirë rrugën për tek lexuesi shqiptar, sepse nuk njihen prej tyre. Sigurisht, e kam fjalën për letërsinë e vërtetë dhe jo për ato bestseller. Nga përqindja që zë në katalogun e lexuesit, secila kategori librash apo autorësh, mund të bëhet lehtësisht dallimi mes botuesve. Por ajo që nuk duhet harruar, mbetet se çdo botues shqiptar bën një punë të lavdërueshme e të dobishme, pavarësisht se sa dhe çfarë boton.

Botohet në Francë libri me poezi të zgjedhura të Arian Lekës “L’œil qui chasse” (Syri gjuetar / Syri që gjuan)

L'œil qui chasse


Për të kompozuar këtë vëllim poetik, të porsahedhur në qarkullim në librari dhe në rrjetin online, Shtëpia botuese “Editions Arian LEKA -1 L'œil qui chasse copyBaudelaire” ka bashkuar në 92 faqe 50 poezi dhe 3 fragmente poemash të përzgjedhura dhe të përkthyera prej përkthyesit të mirënjohur Edmond Tupja. Titulli i librit “L’œil qui chasse” (Syri gjuetar / Syri që gjuan) krijon një unitet mes tre librave poetikë të Arian Lekës: “Strabizëm” (2004), “Libër deti” (2010) “Ndreqje gabimesh (2011). Dy nga librat e këtij botimi, respektivisht “Strabizëm” dhe “Ndreqje gabimesh” janë të njohur për lexuesin shqiptar, pasi janë nderuar me çmime kombëtare për poezinë në kohën e botimit të tyre, ndërkohë që “Libër deti”, ka qenë finalist për çmimin “Lasgush Poradeci – 2010” dhe një pjesë e tij tashmë është përkthyer dhe publikuar në gjuhën gjermane nga Shtëpia botuese “Thanhäuser Edition” (Austri), nën titullin “Ein Buch Ein Meer”, përkthyer nga Lindita Arapi dhe Loreta Schillock, dhe në gjuhën italiane nga Liljana Qafa. Në shënimet e paskopertinës dhe në publikimet shoqëruese të botimit të vëllimit poetik “L’œil qui chasse”, botuesi nënvijëzon faktin se përmes vargjeve të tij “Arian Leka ndërmend mitologjinë e vendit të tij të lindjes, Shqipërisë, duke i kthyer simbolet detare në parimin veprues të veprës së tij prej poeti, novelisti dhe romancieri. Një rrjedhshmëri e ashpër buron prej veprës së tij, që i rri mirë dhe në mënyrë të përkryer qenieve të saj të jashtëzakonshme, përbërë prej ajri, uji dhe shkëmbi – janë njerëz me shpresën drejt detit të hapur, por që një nevojë e domosdoshme, tekanjoze, i mban mbërthyer në tokë. Ajo që ka më shumë rëndësi për poetin nuk është kënaqësia e të jetuarit, por ekzistenca për të lundruar. Vetëm kështu ai mund të rijetojë së brendshmi intervalin e një shkreptime të pashprehshme, emocionin e njeriut të guvave përballë detit femëror, këtij “atdheu të lëngshëm e të paqëndrueshëm në hartë. Kështu poeti synon të kuptojë më së miri njeriun modern. Syri i tij gjuan imazhe, një lloj ndjekjeje që i mundëson koleksionimin e përvojave të jetuara. Autori i filtron këto përvoja përmes një prizmi të vetin poetik, duke shtrembëruar me vetëdije realitetin, për ta formuar përsëri atë.” Libri shoqërohet nga rekomandimi i botuesit “Editions Baudelaire” për mediat, lexuesin francez dhe njohësit e frëngjishtes. Në këtë adresim theksohet: “Arian Leka është një udhëtar i palodhur. Duke mbartur me vete gjurmët e origjinës detare – ai e ka ‘kripën në gjak’. Ky poet interesohet veçanërisht për detin si burim jete. Megjithëse ndjellës nostalgjie, deti për të mbetet i hapur drejt së ardhmes. Larg klisheve romantike, kureshtia dhe vullneti e nxisin autorin për të gjetur tek deti gjurmët e njerëzimit. Dhe pastaj, paralelizmi / krahasimi i detit me trupin e femrës është i pashmangshëm: det – nënë që ushqen me gji; botë e stuhishme, krenare, misterioze. Arian Leka është poet me trup e me shpirt. Fjalët e tij kanë jetë, peizazhet e detit shtrihen, shpalosen, na hapen me melankoli të ëmbël, si ajo që të krijon gjendja e të qenit i dashuruar, para se të përplasen tek faqet me aromë prej shkume deti. Ky libër është një vëllim poetik mbresëlënës, i veçantë, që do të prekë shumë lexues… ju merren mendtë? Ju zë deti !?”

Masë për masë

Mase per mase__Ballina
Kanë kaluar 80 vjet që kur Fan Noli filloi përktheu katër tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspirit: “Hamlet”, “Makbeth”, “Jul Mase per mase__BallinaQezari” dhe “Otello”. Gjatë këtyre viteve janë botuar shumë përshtatje në shqip të veprave të tij. Shtëpia botuese “Onufri”, e cila ka një projekt për të sjellë në gjuhën shqipe gjithë veprën e Shekspirit, i ka shtuar kolanës së këtij autori edhe dy vepra të tjera të përkthyera nga Vedat Kokona, “Masë për masë” dhe tragjedinë “Tomoni nga Athina”. Në dramën “Masë për masë”, Vinçencoja, Duka i Vjenës, bën të ditur se ka për qëllim të largohet nga qyteti me një mision diplomatik. Ai e lë qeverinë në duart e një gjykatësi të rreptë, Anxhelos. Klaudi, një oborrtar i ri, është fejuar (jozyrtarisht i martuar) me Zhulietën. Në atë kohë martesat duhet të shpalleshin në kishë që më përpara. Për shkak se nuk kishin para, Klaudi dhe Zhulieta nuk i zbatuan të gjitha detajet. Teknikisht, nuk ishin ndjekur të gjitha formalitetet për një martesë civile dhe për këtë arsye një gjykatës i rreptë mund të jepte verdiktin se ata nuk ishin ligjërisht të martuar. Anxheloja, si personifikim i ligjit, vendos të zbatojë vendimin që kurvëria dënohet me vdekje, dhe meqenëse ai nuk pranon vlefshmërinë e martesës, Klaudi dënohet me ekzekutim. Miku i Klaudit, Luci, i bën një vizitë motrës së Klaudit, Izabelës, që po përgatitet për t’u bërë murgeshë, dhe i kërkon që të ndërhyjë tek Anxheloja në emër të Klaudit….

Ndërkohë në fillim të tragjedisë, “Timoni nga Athina”, personazhi Timoni, që më pas bëhet një njeri mizantrop, është një athinas fisnik i pasur dhe bujar. Ai shtron një gosti të madhe, ku marrin pjesë pothuajse të gjitha personazhet kryesore. Timoni jep para pa u kursyer dhe të gjithë duan ta kënaqin që të marrin sa më shumë para, përveç Apemantit, një filozof i vrazhdë, cinizmin e të cilit Timoni nuk e vlerëson. Ai pranon vepra arti nga Poeti dhe Piktori, dhe një brilant nga Argjendari, por në fund të Aktit I, ai ia jep brilantin një miku tjetër. Shërbëtori i Timonit, Lucili, ka qenë duke iu vardisur vajzës së një athinasi plak. Ky i fundit është zemëruar, por Timoni i paguan atij tri talenta, në këmbim të lejes që çifti të martohet, sepse s’i kushton asgjë lumturia e shërbëtorit. Timonit i thonë se miku i tij, Ventidi, ndodhet në burg për borxhe. Ai dërgon para për të paguar borxhin e Ventidit, dhe Ventidi lirohet dhe merr pjesë në gosti. Timoni mban një fjalim për vlerën e miqësisë. Të ftuarit zbaviten nga loja me maska, që ndiqet më pas nga vallëzimet. Ndërsa gostisë i vjen fundi, Timoni vazhdon t’u japë gjëra të ndryshme miqve të vet: kuajt e tij dhe zotërime të tjera. Akti ndahet gati arbitrarisht në dy skena, por në këtë reflektohet natyra eksperimentale e tragjedisë, në kuptimin që ajo nuk ndahet në mënyrë të natyrshme në një strukturë prej pesë aktesh….Këto dy vepra vijnë në shqip nga shtëpia botuese “Onufri”.

Binjaku i Nënë Terezës

at valentini

At Valentini e ushqeu Shqipërinë me dijet e tij dhe, duke e bërë këtë gjë, u rrit si studiues, si intelektual. Madje vepra e tij vazhdoi të rrezatonte edhe në Shqipërinë komuniste, ndonëse ishte zyrtarisht i ndaluar nga regjimi. Kjo vepër i mrekullonte ata që kishin leje të njiheshin me të. Regjimi komunist pretendonte me të madhe se në Shqipëri kishte marrë hov të madh albanologjia në të gjitha degët e saj, se po zhvilloheshin shkencat juridike, etnografike etj. Por meqenëse studiuesit nuk arrinin rezultatet e duhura, atëherë regjimi u dha leje atyre që të njiheshin me veprat e “klerikëve reaksionarë” katolikë, si At Valentini, të cilët kishin lënë studime e shënime për të gjitha këto fusha, dhe të merrnin ç’të mundnin prej tyre për t’i përdorur.

Si të flasësh për libra që kurrë s’i ke lexuar

bayard-howtotalkabtbooksyouhaventread01



Pierre Bayard, lindur më 1954, është profesor i Letërsisë franceze në Universitetin Paris VIII dhe psikanalist, ku është i njohurbayard-howtotalkabtbooksyouhaventread01 sidomos për esenë e tij “Si të flasim për libra që nuk i kemi lexuar?”. Një shkrim ku ai kritikon idenë e njohur, sipas së cilës, do të kishte një kufi të prerë ndërmjet leximit dhe mosleximit, dhe e fton lexuesin të ndërtojë me tekstin letrar një raport më të lirë, më pak të kompleksuar. “I lindur në një mjedis ku lexohej pak, duke mos e shijuar fare këtë veprimtari dhe duke mos pasur kohë sidoqoftë për t’iu kushtuar, shpesh jam gjendur, si rrjedhojë e atyre rrethanave që jeta na i gatit jo rrallëherë, në situata të vështira, ku më duhej të shprehesha në lidhje me libra që nuk i kisha lexuar.”- shkruan profesori i letërsisë. Por në fakt, me këtë rrjedhë që mori shkollimi i tij, ai nuk mundej kurrsesi t’i shpëtonte detyrimit për të komentuar libra që, shumicën e kohës, nuk i kishte hapur fare.

“Veç kësaj, shpesh jam i detyruar të analizoj botime në kuadrin e librave dhe artikujve të mi që kryesisht, sillen mbi ato të të tjerëve. Ushtrim ende më i vështirë, sepse, në dallim me ndërhyrjet gojore që mund të lënë aty-këtu pasaktësira të padëmshme, komentet e shkruara lënë gjurmë dhe mund të verifikohen lehtë. Për shkak të këtyre situatave me të cilat jam i afërt tashmë, kam ndjesinë se jam fort i përshtatshëm, në mos për të kryer një mësimdhënie të vërtetë, të paktën për të përcjellë një përvojë të thellë mos-lexuesi dhe për të hapur një refleksion mbi këtë çështje tabu, refleksion i cili mbetet shpesh i pamundur për shkak të numrit të ndalimeve që ai duhet të kapërcejë.”- shkruan ai.
Sipas kësaj eseje, një lloj manuali për të folur për libra dhe autorë që kurrë s’i ke shfletuar, hapi debat mes kritikëve të letërsisë. Por profesor Bayard i zhveshur tashmë nga komplekset shprehet se: “Tashmë të pranosh të përcjellësh kështu përvojën tënde nuk ecën në fakt pa njëfarë guximi, dhe nuk është e habitshme që ka kaq pak tekste të cilat të mburrin meritat e mosleximit. Kjo është ngaqë ky moslexim ndeshet me një sërë shtrëngimesh të brendëzuara të cilat ndalojnë për ta parë çështjen në sy, ashtu siç do të orvatem ta bëj këtu. Të paktën tre shtrëngime janë përcaktuese. Shtrëngimi i parë do të mund të quhej detyrimi për të lexuar. Shtrëngimi i dytë, i afërt me të parin por megjithatë i ndryshëm, do të mund të quhej detyrimi për të lexuar gjithçka dhe shtrëngimi i tretë ka të bëjë me ligjërimin e mbajtur mbi librat. Ky sistem shtrëngues detyrimesh dhe ndalimesh ka për pasojë lindjen e një hipokrizie të përgjithshme mbi librat vërtetë të lexuar. Njoh fare pak fusha të jetës vetjake, me përjashtim të atyre të parasë dhe të seksualitetit, për të cilat është kaq e vështirë të merren informacione të sigurta sa ç’është për atë të librave.” Kështu nisur nga këto shtrëngime profesori i letërsisë tregon rrugën sesi mund të dilet nga kjo situatë dhe të flasësh po aq lirshëm për librin që se ke lexuar njësoj sikur ta kesh lexuar. “Në mjedisin e specialistëve, për arsye të shtrëngimit të trefishtë që sapo thashë më lart, gënjeshtra është e përgjithshme, sepse ajo është në përpjesëtim të drejtë me rëndësinë që ka libri. Edhe pse vetë unë kam lexuar pak, unë njoh megjithatë mjaftueshëm disa libra – mendoj këtu dhe për Proustin – që të mund të vlerësoj, në bisedat me kolegët e mi, nëse ata thonë apo jo të vërtetën kur flasin, dhe që të di se kjo ndodh fare rrallë. Gënjeshtra ndaj të tjerëve, por edhe, dhe padyshim së pari, gënjeshtra ndaj vetvetes, aq e vështirë është nganjëherë që ta pranojmë para vetes sonë se nuk e kemi lexuar këtë apo atë libër të mbajtur për libër thelbësor në mjedisin ku bëjmë pjesë. Dhe aq e madhe është, në këtë fushë si dhe në shumë të tjera, aftësia jonë për të rindërtuar të kaluarën, për ta bërë atë në përputhje me lutjet tona.
Kjo gënjeshtër e përgjithshme e cila zë vend sapo flasim për libra është ana tjetër e tabusë që rëndon mbi mosleximin, dhe e rrjetit të angështive, padyshim të ardhura nga fëmijëria jonë, që e mbështesin atë. Kështu, është e pamundur të shpresosh të dalësh i palagur nga situata të tilla pa analizuar fajësinë e pavetëdijshme që ngjall pohimi i të mospasurit lexuar disa libra, dhe në fakt, kjo ese do të donte ta zbuste, të paktën pjesërisht, këtë fajësi.”- thotë ai.
Të reflektosh sipas tij mbi librat e palexuar dhe mbi ligjërimet që ata ngjallin është aq më e vështirë që nocioni i mosleximit nuk është i qartë, dhe që pra nganjëherë është e vështirë të dihet nëse gënjehet apo jo kur dikush pohon se ka lexuar një libër. “Ndërmjet një libri të lexuar me vëmendje, dhe një libri që nuk e kemi pasur kurrë nëpër duar, dhe që madje as ia kemi dëgjuar zërin, ekzistojnë mjaft shkallë të ndryshme që është me vend të shqyrtohen me kujdes. Kështu, është me rëndësi që, për librat e ashtuquajtur të lexuar, vëmendja të sillet ndaj asaj çka kuptohet saktësisht me lexim, ngaqë ky i fundit, në fakt, mund të dërgojë në praktika mjaft të ndryshme. Anasjelltas, mjaft libra dukshëm të palexuar nuk janë pa njëfarë ndikimi të ndjeshëm mbi ne, përmes jehonave që na mbërrijnë. Kjo paqartësi e cakut ndërmjet leximit dhe mosleximit do të më shtrëngojë të reflektoj, në një mënyrë më të përgjithshme, mbi mënyrat tona të qenies me librat. Kështu, kërkimi im nuk do të mjaftohet vetëm me ndërtime teknikash të ndryshme të cilat të lejojnë për t’iu ikur situatave të vështira të bisedës, por do të synojë njëherësh dhe të përpilojë, nëpërmjet analizës së këtyre situatave, elementët e një teorie të vërtetë të leximit, të vëmendshme ndaj gjithçkaje që tek leximi, dobësira, mangësira, përafrime, futet, në kundërshtim me imazhin ideal që jepet shpesh, në një formë moslidhjeje.”- shkruan Bayard. Në pjesën e parë, të esesë së tij, ai fillon të shkoqis tipet e mëdha të mosleximit, që nuk thjeshtohen pra në faktin e mos-hapjes së një libri. Librat që kemi përshkuar, ata për të cilët kemi dëgjuar, ata që i kemi harruar, futen edhe këta, në shkallë të ndryshme, në këtë kategori tejet të pasur të mosleximit.
Pjesa e dytë i kushtohet analizës së situatave të mirëfillta në të cilat ne mund të jemi të detyruar të flasim për libra që nuk i kemi lexuar. Dhe këto shembuj ai i ka të huazuar në mënyrë të maskuar nga përvoja e tij vetjake. Pjesa e tretë, më e rëndësishmja, është ajo që ka motivuar shkrimin e kësaj eseje. Ajo qëndron në një sërë këshillash të thjeshta, të mbledhura përgjatë një jetë të tërë prej moslexuesi. “Këto këshilla synojnë të ndihmojnë një moslexues që has në këtë problem bisedimi, për ta zgjidhur atë sa më mirë e mundur dhe madje për të përfituar nga kjo situatë, por duke i lejuar në të njëjtën kohë që të reflektojë në thellësi mbi veprimtarinë e leximit.”

The Guardian: Librat më të cituar janë më të palexuarit

Një studim i publikuar nga britanikja “The Guardian” është përpjekur për të gjetur, në mes të 2000 lexuesve, se cilët janë librat më të lexuar dhe më shpesh të cituar nga dashamirët e letërsisë. Mbi 60% e të anketuarve konfirmuan se kanë gënjyer më shumë se një herë kur janë shprehur se kanë lexuar romane klasike. Shpesh, për të mashtruar partnerët e tyre komunikues, lexuesit e rremë kanë rrëfyer përshtatjen në një film të librit ose kanë marrë për referencë versionin e romanit në internet. Shumë prej këtyre librave janë sjellë dhe në gjuhën shqipe por ka ende të tjerë nga lista që nuk janë përkthyer për lexuesin shqiptar.

Lista e librave më të cituar e më pak të lexuar

Bibla

“Odisea” autori Homeri

“1984 “ autori George Orëell

“Lufta dhe Paqja”, autori Lev Tolstoi

“Shpresa të Mëdha” autori Charles Dickens

“Jane Eyr” autori Charlotte Bronte

“Krimi dhe Ndëshkim” autori Fjodor Dostojevski

“Një udhëtim në Indi” autori E.M. Forster

“Gjahtari në thekërishte” autori J.D. Salinger

“Zoti i Unazave” autori Tolkien

“Të vrasësh një zog tallës” autori Harper Lee

“Krenari dhe paragjykim” autori Jane Austen

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...