Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Kujtimet e gruas së një ambasadori për Hitlerin, Himlerin, Stalinin e Musolinin

“Gjatë një jete të tërë të pasionuar, pas shumë vitesh në teatër dhe në skenë, jam bindur se Shekspiri kishte të drejtë kur thoshte se e tërë bota është një teatër.” (E. Cerruti)

Elisabetta de Paulay (Cerruti), bija e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Budapestit, e cila nisi të debutonte fare e re në skenë, në rolin e Zhulietës shekspiriane, detyrohet të largohet nga Hungaria pas revolucionit të Bela Kunit, duke braktisur kështu skenën pas sukseseve të panumërta, për të nisur një jetë të re. Është viti 1919, koha kur në Hungari plasi revolucioni bolshevik me qeverinë e Bela Kunit dhe kur u duk qartë se Teatri Kombëtar do të merrte tjetër orientim. E bindur se traditat fisnike me të cilat ishte lidhur do të konsideroheshin të perënduara, Elisabeta braktis skenën e teatrit të vendlindjes dhe, pas ofertave të vazhdueshme për të recituar në dy teatro të Vjenës, vendos ta vazhdojë karrierën në Austri. Mëngjesin e 9 qershorit 1919, u gjend në stacionin qendror të Budapestit, në një tren me vagonë të klasit të tretë, në gjendje të mjerueshme. Ky është vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të udhëtimeve, sepse vetëm pak kohë pas njohjes me Vittorio Cerrutin, në atë kohë ambasador i Italisë në Pekin, Elisabetta do të vizitojë kryeqytete të rëndësishme të botës. Karriera diplomatike e ambasadorit do ta çonte nga një qytet në tjetrin. Ishin vite intensive për diplomacinë italiane dhe ajo, me një finesë të shkëlqyer, përballoi ngjarjet në sallonet më të rëndësishme të historisë, duke grumbulluar një material të çmuar. Falë kulturës, inteligjencës, humorit, elegancës dhe angazhimit të saj, luajti rolin zyrtar në marrëdhëniet e ngatërruara diplomatike të kohës. Ashtu siç thotë Elisabetta në këto kujtime: “… ishte ulur pranë tyre, në ato ditë të stuhishme për botën”. Për gati shtatëmbëdhjetë vjet Cerruti u gjend kudo ku i shoqi shërbeu si ambasador: Kinë, vendi i varfërisë dhe i privilegjeve të mëdha, i bukurive dhe zakoneve të çuditshme; Rusi, ku Stalini, i padukshëm, por i gjithëpranishëm dhe dirigjent i dyshimeve, ia kish dalë t’ia bënte jetën ferr jo vetëm popullit të vet, por edhe diplomatëve të huaj; Rio, vendi i dëfrimeve e festave; Paris e Romë, dhe… Berlin, ku ajo qe dëshmitare e hipjes në fuqi të Hitlerit, e territ, linçimit dhe rrënimit shoqëror e kulturor që mbuloi vendin. Në kontakt të ngushtë me të gjithë hierarkinë naziste, ajo ka sjellë portrete të paharrueshme të hierarkëve më të lartë të nazizmit, por edhe të personaliteteve letrare, shkencore e kulturore të kohës. Falë penës së shkathtë të autores – një libër plot ngjarje, situata e dialogë realë apo tablo tejet interesante e të vërteta – lexuesi do të ketë mundësi të njohë shumë njerëz të pushtetshëm të kohës, si Hitleri, Himleri, Stalini e Musolini, si dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Në jetën prej artisteje ishte gjithnjë në shoqërinë e dramaturgëve të mëdhenj – Sofokliu, Shekspiri, Ibseni, Molieri, Duma, Hauptman e të tjerë – të cilët, në fakt, i braktisi për hir të realitetit, një braktisje kjo e dhimbshme. Megjithatë kurrë nuk e la skenën. Perdja e karrierës së saj dramatike u mbyll, vërtet, por ajo u ngrit sërish: skena e jetës i dha një rol më të rëndësishëm nga ata që kishte pasur në teatër; tashmë ishte grua ambasadori.



Jeta Hamzallari

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...