Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/27

Jugosllavia e Re, diskriminohet Kosova, nisma vetëm për interesa serbe -

Jugosllavia e Re, diskriminohet Kosova, nisma vetëm për interesa serbe









Thellohet skandali me projektin që parashikon krijimin e Unionit Ballkanik, i quajtur ndryshe dhe Jugosllavia e Re. Në nismat që parashikon ky union, diskriminohet Kosova, ndërsa në plan të parë vihen interesat serbe. Në nismat e rëndësishme ekonomike nuk përfshihet Kosova, ndërsa anashkalohet edhe Shqipëria. Megjithatë, skandali më i rëndë qëndron në faktin se pas këtij projekti zhbëhet pavarësia e Kosovës. Më konkretisht Serbia i kërkon Shqipërisë të firmosë marrëveshjen, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Sipas marrëveshjes së fshehtë, e aprovuar nga qeveria e Sali Berishës në Malin e Zi, Kosova thirret të jetë pjesë e unionit me status të ndryshëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, Serbia e fton Kosovën jo si shtet të pavarur, por si pjesë të saj. Me pak fjalë, Kosova është përjashtuar defakto nga Unioni Ballkanik me vendim të Serbisë. Megjithatë, ky projekt antishqiptar, i rrezikshëm dhe skandaloz, nuk po hidhet poshtë ashtu siç e meriton. Në marrëveshje, Kosova trajtohet si një vend i dorës së dytë, me status të paqartë. Më konkretisht, Serbia dhe Mali i Zi kanë deklaruar që Kosova mund të marrë pjesë në "Union" në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Pra nisma serbe e nënvleftëson dhe anashkalon shtetin e pavarur të Kosovës si subjekt të së drejtës ndërkombëtare dhe e trajton jo të barabartë me të tjerët, por si shtet të kategorisë së dytë. Pra, Shqipërisë i kërkohet të jetë pjesë e një unioni, ku dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nisma është hedhur për diskutim kur në fund të vitit 2013, është nënshkruar marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Në këtë kuadër, Unioni Ballkanik minon marrëveshjen Serbi-Kosovë. Megjithatë, nisma është mbështetur nga Komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle. Ky i fundit e ka mbështetur nismën, edhe pse plotëson vetëm kërkesat dhe interesat e serbëve. Në takimin në Nju-Jork, përveç ministrave të Jashtëm të rajonit, kanë qenë edhe ambasadorët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, ku është rënë dakord në parim.
Kosova kundër Jugosllavisë së Re
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet kategorikisht kundër projektit serbo-rus, i mbështetur edhe nga qeveria e Sali Berishës, për Unionin e Ballkanit Perëndimor, pas të cilit fshihet ringjallja e Jugosllavisë së Millosheviçit. Madje, Kosova shprehet se është tejet e shqetësuar nga kjo nismë e rrezikshme për të ardhmen e saj. Reagimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka hedhur poshtë iniciativën e Malit të Zi për planin e quajtur (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Hoxhaj tregon se shqetësimi i palës kosovare, fillimisht ka hasur në çështjen gjeografike, të cilën e përfaqëson kjo iniciativë, e që janë shtete ish-jugosllave dhe të cilat si grup krijojnë perceptimin e një lloj krijese post-jugosllave. Po ashtu, ai thotë se dyshime ka edhe për natyrën dhe vetë karakterin e kësaj nisme. “Ne kemi mbajtur qëndrimin se kjo nismë të mos jetë vendimmarrëse dhe të mos ketë institucione që do të linin përshtypjen e një integrim koheziv të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto shtete duhet të integrohen në BE si adresë e vetme”, thotë ai, duke shtuar se ka shqetësime edhe lidhur me draft-dokumentin e kësaj iniciative, projektet e propozuara, qendrat e ndryshme institucionale, prej bashkëpunimit parlamentar, policisë dhe sundimit të ligjit e deri te bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, ku, sipas ministrit Hoxhaj, po krijohet përshtypja e një përqendrimi dhe shpërndarje jo të balancuar në mes shteteve. “Konkretisht të gjitha projektet janë të koncentruara kryesisht në Mal të Zi, Bosnjë Hercegovinë dhe në Serbi”, thotë ai. Si rrjedhojë, Hoxhaj thotë se pikënisja e palës kosovare në këtë takim ka qenë se duhet të ketë kujdes, sepse nismat e tilla në rrafshin funksional mund të krijojmë dublifikime të iniciativave ekzistuese dhe në rrafshin e opinionit publik krijojnë keqkuptim për qëllimin e tyre.

Muho Asllani: Enver Hoxha, një nga tre figurat historike të kombit -

Muho Asllani: Enver Hoxha, një nga tre figurat historike të kombit









Ish anëtari i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë, Muho Asllani, në një prononcim për gazetën “Sot”, vlerëson se Enver Hoxha është një prej tre figurave historike më të shquara të kombit. Muho kërkon që Enver Hoxha të vlerësohet nga i gjithë kombi, pasi kjo figurë historike do të mbahet mend për luftën kundër fashizmit dhe nazizmit si dhe për ndërtimin e Shqipërisë e rrënuar nga lufta.  “Figura e Enver Hoxhës duhet të vlerësohet nga i gjithë populli shqiptar. Hoxha është një nga tre figurat historike të kombit shqiptar, Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha. Enver Hoxha themeloi Partinë e Punës në 1941 me 200 petrita. Mobilizoi popullin shqiptar kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman. Fshatarët dolën me opinga dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Ne ishim 900 mijë shqiptarë në analfabet. Arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm. Enver Hoxha rindërtoi Shqipërinë dhe zhduku analfabetizmin. Hodhi parullën “Do ndërtojmë Shqipërinë e djegur nga lufta”, u shpreh Asllani.
Ai theksoi se nuk e ka shkelur amanetin ndaj Enver Hoxhës dhe se i ka qëndruar besnik Partisë së Punës. “Unë jam betuar se do jem besnik i Partisë së Punës. Amanetin e Enver Hoxhës e kam ruajtur. Çdo 16 tetor shkoj në varrin e tij dhe vendos buqetë me lule. Kur vdiq Enver Hoxha doli një shprehje: 5 vjet do e qajnë, 5 vjet do e shajnë dhe 5 vjet do e kërkojnë, por nuk kanë për ta gjetur!”, u shpreh Muho Asllani. Disa muaj më parë, Muho Asllani ka reaguar pas lajmeve se Partia e Punës e Rinovuar e ka shkarkuar nga Byroja Politike, me akuzën se po i shërben Sali Berishës. Por Asllani thotë se ai nuk ka ndërmend që të largohet. Ai thotë se partinë ia ka lënë amanet Enver Hoxha. Asllani tha se kandidoi në Shkodër dhe nuk i shërbeu as Berishës dhe as Jozefina Topallit. “Ne jemi në koalicion me të majtën, me komandant Edi Ramën. Dhe kuptohet se ku do të kalojnë votat tona. Unë e theksoj, me fizikun e fortë, me mendjen e mprehtë, do t’i shërbej vetëm PPSH-së, që ma la amanet Enver Hoxha”, është shprehur ai më herët.

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë -

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë









Me rastin e105 vjetorin e lindjes, ballistët dhe zogistët nuk duan as ta kujtojnë dhe as ta nderojnë diktatorin Enver Hoxha. Ndërsa disa politikanë të vendit shprehen për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, ballistët dhe zogistët shprehen kategorikisht kundër lartësimit në histori të figurës së diktatorit komunist. Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaron se Enveri vrau 6000 shqiptarë dhe se do të mbahet mend në histori për krimet e tij gjakatare. “Enveri dhe kupola e tij kanë vrarë 4000-6000 shqiptarë në ‘43-44 e deri në ‘45. Enveri ka qenë kriminel. Për ne ai do mbetet kriminel dhe gjakatar. Në asnjë vend të botës nuk janë vrarë kaq shumë njerëz, sado komunist të ketë qenë ai sistem. Meta e Rama, që duan ta vlerësojnë, vijnë nga Partia e Punës, që sot është PS”, u shpreh Alimadhi. Ndërsa zërat për ngritjen e bustit të Enver Hoxhës, Alimadhi tha se nuk mund të nderohet një kriminel. Më tej Alimadhi u shpreh se shqiptarët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa të çuditshme, të cilat kanë në qendër nderimin e kriminelëve që kanë kryer krime antinjerëzore ndaj popullit të tyre. Alimadhi deklaroi se populli shqiptar duhet të bëjë kujdes për të mos rënë ‘pre’ e kërkesave të tilla, të cilat kërkojnë të nderojnë kriminelin më të madh të Evropës, siç e cilësoi ai Enver Hoxhën. “Shqipëria është vendi i çudirave dhe shqiptarët gënjehen dhe besojnë përralla shumë shpejt. Të mos harrojmë se Hoxha ishte diktatori dhe krimineli më i ndyrë i Evropës”, tha Adriatik Alimadhi.
Kurt Kola
Ish i përndjekuri, Kurt Kola, në një prononcim për gazetën “Sot”, u bën thirrje politikanëve se nuk u takon atyre të bëjnë historinë e vendit, por vetëm historianët. Kola thekson se diktatori Hoxha vrau të gjithë rivalët, ndërsa politika deri më sot nuk hapi dosjet e komunizmit. Sa i takon politikanëve që mbështesin vlerësimin e figurës së diktatorit Hoxha, Kola tha se ata dhe familjet e tyre kanë patur mbështetjen e Enver Hoxhës. “Ilir Meta dhe Sali Berisha mund të flasin dhe të thonë se duhet vlerësuar figura e tij. Flasin kështu, sepse nuk u ka bërë gjë atyre. Ata u ritën me privilegje, me përkrahje. Kur thonë se duhet vlerësuar, çfarë bëri për 50 vjet? I filloi vrasjet me shokët e tij, me Qemal Stafën. Pjesën më të madhe të tyre i vrau gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. E mbylli më pas me kryeministrin Mehmet Shehu”, u shpreh Kola. Ish i përndjekuri Kola, thotë se Enveri do mbetet i pavlerësuar në histori. “Pse nga Lufta Nacionalçlirimtare mbeti vetëm ai? I vrau të gjithë shokët sepse i kishte rivalë. Enver Hoxha do të mbetet si Neroni i Romës. Politikanët të hapin një herë arkivën, të mbledhin një grup historianësh shqiptarë dhe të huaj dhe më pas të dalin në një përfundim; të vlerësohet apo jo. Por, historinë nuk e bëjnë politikanët, por historianët”, tha ai.
Vlerësimi i Enver Hoxhës
Sa i takon vlerësimit të figurës së Enver Hoxhës, kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, depozitoi një kërkesë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës për të rivendosur në qendër të Tiranës bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në letrën drejtuar këshillit, Dajti u kërkoi anëtarëve të tij ta miratojnë këtë kërkesë për të bërë të mundur reflektimin dhe ekuilibrin e shoqërisë shqiptare. “Shtatorja e Enver Hoxhës, edhe kundrejt 'nxehtësisë' së debateve e diskutimeve rreth periudhës komuniste, mendojmë se do të ishte së paku një moment reflektimi drejt një ekuilibri real të gjithë shoqërisë shqiptare me të kaluarën”, shkruan Dajti.
Roshi: Enver Hoxha, Stalini i popullit të tij
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, në një prononcim për gazetën “Sot”, vlerëson se Enver Hoxha është xhelati i popullit shqiptar. Roshi thekon se, sot është dita për të përçmuar figurën e diktatorit kriminel Enver Hoxha. Ai u bën thirrje politikanëve shqiptarë, kryesisht nostalgjikëve, që të mos ngatërrohen me të tilla çështje, pasi i takon popullit shqiptar dhe historianëve. “Përfaqësuesit politikë duhet të përçojnë në opinionin publik interesin qytetar në tërësi dhe jo satisfaksionin e tyre shpirtëror apo të njerëzve të fundëm që përfaqësojnë. Në këtë kontekst Enver Hoxha është xhelati i popullit të tij. Ai konkurron vetëm me Stalinin për krimet ndaj popullit të vet. Enver Hoxha përfaqëson antivlerat e kombit të vet, që vazhdojnë të na ndjekin akoma. Sot është dita për të përçmuar figurën e tij dhe për të nderuar viktimat e luftës së tij diabolike; mbi të gjitha për të venë në vend moralin e këtyre viktimave”, u shpreh kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat. Artur Roshi thekon se duhen vlerësuar ato figura që kanë dhënë vlera kombëtare dhe jo Enver Hoxha që do të mbahet mend për krimet e mëdha të komunizmit. “Unë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të kthejnë sytë nga vlerat e vërteta kombëtare, të cilat janë mohuar dhe vazhdojnë të mohohen në historinë e tij. Përsa kohë me forcën e pushtetit do të shmangen vlerat dhe kontributet e Mit’hat Frashërit, Ali Këlcyrës, Lec Kurtit etj në shërbim të kombit, shqiptarët nuk do të kenë një demokraci reale dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por një demokraci false dhe interesa ekonomike klanore të pushtetit”, u shpreh Roshi. Sa i takon politikanëve që mbështesin idenë për vlerësimin e Enver Hoxhës, një prej tyre është kreu i PDK, Nard Ndoka. Ai ka deklaruar se nuk mund të fshijmë nga historia periudhën e drejtimit të vendit nga Hoxha, ndaj sipas tij, duhet bërë një vlerësim objektiv me të mirat dhe të këqijat që ka sjellë diktatori komunist. Eneida Jaçaj

Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet-

Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet









Katër figura që kanë dominuar në 100 vitet e fundit kombin shqiptar, vijojnë të ketë një vend të paqëndrueshëm në histori. Bëhet fjalë për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Ky i fundit sapo është rrëzuar nga pushteti, ndërsa kërkon të ketë edhe një raport me historinë dhe shtetndërtimin. Ndryshe nga Ismail Qemali, i cili është një figurë përbashkuese, konsensuale dhe unifikuese për të gjithë shqiptarët e të gjitha trevave, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Sali Berisha, kontestohet, himnizohen, rrëzohen dhe anatemohen nga grupe të caktuara të shoqërisë. Debati është përqendruar tek Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu, pasi Ramiz Alia dhe Sali Berisha, konsiderohen si tejzgjatje dhe derivacione të Enver Hoxhës, pavarësisht metodave të mbajtjes së pushtetit. Por çfarë mendon njeriu që i ka njohur nga afër të katër figurat në fjalë? Bëhet fjalë për kolonel Xhaferr Peçin, ish-komandant i Gardës së Republikës, njeriu kyç që mbronte jetën e Enver Hoxhës. Xhaferr Peçi deklaron se Sali Berisha dhe Ramiz Alia nuk mund të krahasohen me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. I pyetur për debatin e marrëveshjes së “Katovicës”, pra paktin e fshehtë të krerëve të komunistëve për të sunduar me metoda të tjera dhe për të kontrolluar pluralizmin, Peçi pajtohet me mendimin e Servet Pëllumbit, teksa thotë se Berishës iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. “Unë jam dakord me atë që thotë Serveti. Me babain e Servetit kam qenë në luftë. Ai ka mbaruar për filozofi. Mund të them se, Sali Berisha nuk mund të krahasohet me Zogun dhe Enverin, por ai hyri në lojë, pasi iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. Saliu për këtë do të mbahet mend, pasi shtetin e ndërtuan Zogu dhe Enveri”, theksoi Peçi. Ish-komandanti i Gardës së Republikës ka pohuar gjithashtu se Ramiz Alia nuk ka pasur merita në luftë, por i ka ngjitur shkallët e karrierës falë lidhjeve të krijuara pas luftës. “Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu nuk mund të krahasohen me Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Enver Hoxha ndërtoi shtet sepse e mbajti pushtetin 50 vjet. Ramiz Alia është shoku im në rini. Gjatë luftës e kam takuar. Ai nuk ishte as ndonjë figure në luftë. Ai nuk kishte asnjë peshë në luftë. Me rëndësi ishin Gjin Marku dhe Kadri Hoxha”, thekson Peçi.
Zogu
Xhaferr Peçi vlerëson figurën e Ahmet Zogut, por deklaron se ai tradhëtoi atdheun. Ndërsa për Enver Hoxhën, Peçi mendon se ishte hero i luftës dhe njeriu që ndërtoi shtetin shqiptar. “Zogun pak e kam njohur. Një herë e kam takuar në Himarë. Në atë kohë ai ishte një figurë e padiskutueshme. E vlerësonte Evropa. Por, Zogu kishte probleme të mëdha në atë kohë. Zogu ka meritat e veta, por edhe tradhtoi vendin. Megjithatë, ai bëri shtet me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe italianëve. Po të mos kishte këtë mbështetje, Zogu nuk e mbante dot pushtetin. Enverin e nxori lufta. Ai ishte hero i luftës. Ka luajtur një rol të madh me jugosllavët dhe rusët. Ai mbrojti territoret, sepse sot Shqipërinë mund ta kishte përvetësuar Greqia”, ka theksuar Peçi.
Ruajtja e Enverit
Xhaferr Peçi, për 10 vite me radhë, ishte njeriu kyç për mbrojtjen e jetës së Enver Hoxhës. “Enver Hoxha mbrohej me strukturat e veta të krijuara. Ai mbrohej nga Garda sipas ndarjeve dhe zonave. Ishte Garda e Republikës ajo që organizonte gjithçka kur mbaheshin kongreset. Bëhej një plan i koordinuar Gardë dhe Polici. Por, unë di të them se populli e donte shumë Enver Hoxhën. Në muajin maj të vitit 1970, Enver Hoxha bëri një vizitë në Veri; Rrëshen, Kukës, Has, Tropojë, Fushë-Arrëz, Pukë, Tropojë. Unë kam qenë me të në këtë vizitë 7-8 ditore. Enver Hoxha hidhte valle bashkë me fshatarët dhe hante me ta”, kujton ai.
Tentativa për vrasjen e Enverit
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, ka pohuar se ka pasur një rast  kur Enverit i është rrezikuar jeta. “Populli e ka dashur shumë Enver Hoxhën. Por ka pasur një rast kur kanë dashur ta vrasin. Një shqiptar që kishte emigruar në Amerikë, kalon në Shqipëri në mënyrë ilegale, me urdhër të agjencisë së spiunazhit anglo-amerikan-serb, ku kërkon të vrasë Enver Hoxhën. Mbiemri i tij ishte Banushi. Erdhi dhe qëndroi katër ditë te pallati i Shallvareve, në pritje të festës së 1 Majit. Tribuna në atë kohë ka qenë te Hotel Dajti. Por nuk mundi të vriste Enver Hoxhën. Hotel Dajti ishte me pemë dhe e kishte shumë të vështirë vrasjen e tij. Nëse do të qëndronte te pallati i Shallvareve, duhej të matej mirë për të vrarë, pasi ishte shumë larg. Por, ai ishte zbuluar. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1962. Ai u morr dhe u fut në burg në Burrel. Ai ishte arratisur nga Golemi i Gjirokastrës dhe nga Greqia kishte shkuar në Amerikë. Edhe banda e Xhevdet Mustafës donte të vriste. Ai erdhi deri në Rrogozhinë dhe u kthye pas. Në Lushnje u asgjësua”, tha ai.
Kim Mehmeti: Berisha dhe Enveri, lojë e serbëve
Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Kim Mehmeti, ka bërë një vlerësim edhe për tre figura që kanë dominuar politikën shqiptare gjatë shekullit të fundit, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Mehmeti pohoi se Zogu, Hoxha dhe Berisha kanë një të përbashkët; që është etja për pushtet dhe lidhjet e dyshimta me fqinjët. Sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët. “Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i "milladinëve" e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore”, ka theksuar ai.  Adriatik Doçi

“Ditari i tranzicionit ekonomik” i Prof. Dr Anastas Angjelit, portreti i Shqipërisë pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes

“Ditari i tranzicionit ekonomik” i Prof. Dr Anastas Angjelit, portreti i Shqipërisë pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes










“Ditari i tranzicionit ekonomik” është libri më i fundit i Prof. Dr Anastas Angjelit, i cili vjen në bashkëpunim me UMSH Press dhe Shtëpinë botuese TOENA. Në promovimin e librit merrnin pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, akademikë, përfaqësues të medias, studentë etj. Promovimin e hapi z. Lorenc Vangjeli i cili bëri një përshkrim të përmbajtjes së librit dhe të specifikës së tij si një libër ku analiza ekonomike ndërthuret me historinë 20 vjeçare të tranzicionit shqiptar. Në vazhdim mori fjalën Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili pasi përgëzoi Profesor Angjelin për kontributin e tij të vyer në reformimin e ekonomisë shqiptare në vite vlerësoi librin e tij të fundit si një vlerë e shtuar në fushën e studimeve ekonomike. Në vazhdim, z. Meta duke marrë shkas edhe nga përmbajtja e librit u fokusua në problematikën aktuale ekonomike të Shqipërisë. Më tej, fjalën e mori Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla. Duke ju referuar librit, znj. Nikolla tha se ky studim përmban të gjithë eksperiencën profesionale, akademike dhe sigurisht edhe politike të një njeriu që për njëzet e më shumë vite ka dhënë dhe fatmirësisht vazhdon të japë kontributin e tij nga shumë pozicione, si nga ai i profesorit, ministrit, i akademikut dhe tani i deputetit. Për këto arsye, ajo e cilësoi librin “Ditari i krizës ekonomike”, një vazhdimësi të kontributit të Profesor Anastasit, një kontribut që do ti vijë në ndihmë jo vetëm specialistëve dhe studiuesve të shkencave ekonomike por edhe lexuesit të thjeshtë. Ndërsa Kryetari i Bordit të Toena, z. Jorgo Bulo dhe Prof. Dr. Sulo Hadëri në përshëndetjet e tyre vunë në dukje rëndësinë që studime të tilla kanë jo vetëm për botën akademike dhe studiuesit e shkencës ekonomike por edhe për lexuesin e thjeshtë që pas mëse 20 vitesh është i interesuar për një analizë objektive të tranzicionit shqiptar. Akademik Anastas Angjeli, pasi falënderoi të pranishmit si dhe Shtëpinë Botuese “Toena”, ndër të tjera tha se kur kishte nisur të punonte për “Ditarin e tranzicionit”. Ishte kthyer pas në kohë, në fund të viteve ’80, kur era e ndryshimit sapo kishte filluar të ndihej edhe në vendin më të izoluar në Evropë. Dhe dalëngadalë, kishte filluar të vëzhgonte një realitet shumë të ndryshëm nga ky i sotmi, i ndryshëm nga aspekti ekonomik, politik dhe social. Për të, ishte pikënisja e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm të cilin po e vazhdojmë ende sot dhe që do të vazhdojmë pafundësisht. Një rrugëtim drejt një demokracie funksionale, që në qendër të saj ka qytetarin. Drejt një tregu të lirë por në funksion të mirëqenies sociale. Drejt një shoqërie të lirë, të hapur dhe solidare. “Dhe pikërisht siç ndodh në jetën tonë personale, ashtu edhe në rrugëtimin tonë të përbashkët shpeshherë më shumë rëndësi se destinacioni përfundimtar ka vetë udhëtimi. Pavarësisht se a do të arrijmë apo jo në destinacion, e rëndësishme është të mësojmë nga ky udhëtim...”, u shpreh Prof. Dr. Angjeli.
Ilir Meta: Libri, një shirit fotografik për Shqipërinë dhe shndërrimin e saj

Në promovimin e “Ditarit të Tranzicionit” të Prof Dr. Anastas Angjelit ishte i ftuar dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Teksa vlerësoi punën e Angjelit si ekonomist dhe politikan, Meta pohoi gjithashtu se libri i sapopromovuar i kujtonte vitin 1990, ndërsa e cilësoi atë jo vetëm si një ditar të çdo shqiptari, por dhe si një shirit fotografik i ditë mbas ditës, stinë mbas stinës dhe vit mbas viteve të vetë Shqipërisë, e shndërrimit të saj dhe të shoqërisë së saj, në diçka krejt të ndryshme nga ajo që lamë pas. “Shiriti fotografik i tranzicionit ekonomik të vështirë dhe të gjatë që Anastasi na sjell në këtë libër është në fundin e tij. Një fazë e re me sfida të reja na pret përpara. Ato janë të zhvillimit funksional të demokracisë, të konsolidimit të institucioneve të shtetit dhe të ekonomisë së tregut, të ndërmarrjes së reformave të thella strukturore në ekonomi, në dobi të përmirësimit të jetesës së çdo shqiptari, të bashkimit të vendit tonë me familjen e madhe europiane, etj”, u shpreh Meta, duke vlerësuar më tej se në vazhdim duhet vepruar me kurajo, bashkëpunim dhe guxim, duke lënë mënjanë përjashtimin, ngurimin dhe stepjen. Kreu i Kuvendit nënvizoi më tej se vështirësitë ekonomike, të punësimit, të përballjes me varfërinë, të tronditjes së financave publike me të cilat po ndeshet vendi ynë, do të kapërcehen përmes një harmonizimi më të mirë e eficent të vizionit të ri dhe aksionit konkret, mobilizimit dhe shfrytëzimit të të gjithë kapaciteteve dhe resurseve që ka vendi, zbatimit të një modeli të ri zhvillimi e punësimi, zbatimi të një politike fiskale efikase dhe mbështetjes më të madhe kredituese nga sistemi bankar, krijimit të një klime më të mirë dhe tërheqëse për biznesin vendas dhe të huaj, bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fushën e investime me vendet dhe ekonominë rajonale, europiane dhe globale.

Prof. Dr Angjeli: Libri, një ditar i një lloji krejt të veçantë
“Është një lloj ditari i jetës sime. Jo si individ. Jo vetëm si ekonomist, por edhe si politikan. Si i tillë, ai ka dritë hijet e mia si individ, kufizimet si ekonomist dhe anësinë time politike, të cilës nuk i shpëtoje dot”. Kështu e nis përkufizimin rreth librit të tij më të fundit, Prof. Dr. Anastas Angjeli. Për akademikun Angjeli, ky libër është një ditar, i një lloji krejt të veçantë. Ai konsideron se një ditar shpesh është një rrugëtim mbrapsht në ditët e jetuara dhe se atëherë kur ditari ka një datë fundore dhe lexohet nga fillimi drejt fundit, atëherë ngjarjet, ndodhitë, përjetimet e së tashmes, japin përjetimin e një mozaiku, çdo ditë është një copëz e tij, që veç e veç duket si pa kuptim dhe të gjitha së bashku, afrojnë portretin e gjithë ditëve. Në këtë ditar politik si “Ditari i tranzicionit ekonomik”, Angjeli thotë se ka tentuar të japë portretin e ashpër, shpesh të çuditshëm të personazheve që kanë kushtëzuar jetën e dy dekadave të fundit në vend, të japë, sipas mënyrës së tij, portretin e vetë Shqipërisë së mbajtur pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes së saj. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në promovimin e librit, Angjeli vuri në dukje më tej se nëse ka një fjalë që është përsëritur deri në mërzi në shqipen politike të këtyre viteve, ajo është fjala tranzicion. Është përdorur herë për të përshkruar e herë për të analizuar, herë për të gjykuar e herë për t’u justifikuar, herë si alibi e herë si mallkim. Si të gjitha bashkë, fjala tranzicion është edhe kryefjala e këtij libri, që siç shprehet Angjeli, të lë me lutje në duar. Libri i është fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik të tranzicionit shqiptar, por kuptohet që tranzicioni ekonomik në Shqipëri por edhe gjithkund tjetër nuk mund të analizohet i shkëputur nga dimensionet e tjera të tij, politike, financiare, juridike, sociale dhe kulturore. Për këtë arsye të gjitha këto aspekte gjenden në sfond të analizës, por thelbi i saj mbetet aspekti ekonomik. Duke ruajtur rrjedhën kronologjike të fakteve, autori ka dashur të përcjellë në kohë, siç ka menduar në një kohë të caktuar atë çfarë ka shkruar. Një pjesë e tyre janë shndërruar në politika, akte ligjore dhe nënligjore, janë zbatuar apo kundërshtuar, janë pranuar apo mohuar, me të drejtë dhe pa të drejtë, por në shumë raste, kanë ndikuar, në zhvillimin ekonomik e social të vendit në jetën e qindra e mijëra shqiptarëve.
Botime të profesor Angjelit:
• Financa dhe kredia (1988)
• Financat e sektorit tregtar (1988)
• Bursa (1991)
• Financat publike në Shqipëri (1992)
• Si t'i investoni paratë tuaja (1 993)
• Financat publike (1994)
• Marrëdhëniet ekonomiko-financiare ndërkombëtare (1995)
• Ekonomia bankare (1998)
• Ligjëratat Nobel në Ekonomi (4 vëllime, 2003-2004)
• Albania-Economic Development Aspirations and Endeavors for a Regional and Euro-Atlantic Integration (2004)
• Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri (2007)
Fitues i çmimit special në edicionin e 1 3-të të Panairit të librit, "Tirana 2010", për librin "Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri".
• Hyrje në ekonomi (2010)
• Makroekonomiks (2010)
• Transition and Economic Freedom in Albania (2011)
•"Në ethet e krizës" (2013)
• “Ditari i tranzicionit ekonomik” (2013)

Muharrem Xhafa: Enveri heroi i luftës, Zogu vrau baballarët e kombit dhe ia mbathi -

Muharrem Xhafa: Enveri heroi i luftës, Zogu vrau baballarët e kombit dhe ia mbathi









Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, ka deklaruar se Ahmet Zogu ka qenë dhe do të mbetet tradhëtar i kombit shqiptar. Xhafa kujton se Zogu ka vrarë baballarët e kombit për pushtet dhe më në fund ia mbathi. “Ai ka qenë dhe mbetet një tradhtar i interesave të atdheut dhe të kombit shqiptar. Glorifikimi që i bëhet atij është i padrejtë, antihistorik dhe antikombëtar, është baltë që hidhet mbi heronjtë e vërtetë të pavarësisë dhe të progresit të kombit shqiptar. Sot çështja shtrohet shumë qartë: O me Ahmet Zogun, o me ata që vrau Ahmet Zogu si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin, Hysni Currin etj. Nuk është nevoja të jesh komunist a simpatizant i socializmit për të thënë këtë gjë. Mjaft të reflektosh në ato që thotë e krahason akademiku i madh i kombit tonë, Rexhep Qosja për figurën e regjimin e Ahmet Zogut, për Enver Hoxhën, për LANÇ-in dhe socializmin”, tha ai. Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, ka pohuar gjithashtu se populli duhet të reflektojë mbi dimensionet e dy figurave të kundërta siç janë Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha. “Populli le të reflektojë se ç’i ka dhënë Ahmet Zogu Shqipërisë dhe popullit shqiptar! Populli le të krahasojë se çfarë i ka dhënë Enver Hoxha atdheut tonë dhe të gjithë shqiptarëve. Zogut iu ndërtua edhe monument, edhe mauzole, do t’i bëhen nderime nga klani i tij me 28 Nëntor. Enver Hoxha nuk ka nevojë për ndonjë monument nga ata që ai i përmbysi me revolucion. Nderi dhe monumenti i Enver Hoxhës është populli ynë, janë veprat e mëdha që ai la, me të cilat mbahet në këmbë edhe pas 20 vitesh regjimi i sotëm kapitalist”, tha Xhafaj.

Adriatik Alimadhi-Balli Kombëtar, rol kryesor në 100 vite pavarësi

Alimadhi: Balli Kombëtar, rol kryesor në 100 vite pavarësi









Kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, deklaroi se figurat kryesore shqiptare në 100 vite nuk kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit. Në një prononcim për gazetën “Sot”, Alimadhi u shpreh se luftëtarët e vërtetë të kombit shqiptar kanë dalë nga radhët e Ballit Kombëtar. Alimadhi u shpreh se të vetmit që kanë dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit shqiptar ka qenë Balli Kombëtar. “Asnjë prej katër figurave kryesore të qeverisjes së Shqipërisë në 100 vite, nuk ka dhënë kontribut për ndërtimin e shtetit. Askush, as Zogu, as Enveri, as Ramizi dhe as Berisha nuk kanë kontribut për ndërtimin e shtetit. Vetëm Balli Kombëtar ka kontribuar për këtë gjë. Të tjerët vetëm gënjejnë. Njerëzit më të shquar dhe luftëtarët e përparimit të vërtetë të kombit tonë kanë dalë pikërisht nga radhët e ballistëve. Mjafton të kujtoj këtu emrat e nderuar të Abaz Ermenit, Mit’hat Frashërit, etj, që janë kthyer në simbole të trimërisë, urtësisë dhe mençurisë shqiptare”, deklaroi Alimadhi. Më tej, kreu i PBK, lidhur me figurën dhe qeverisjen e Enver Hoxhës u shpreh se do të mbahet mend në histori për krimet e tij gjakatare. “Enveri dhe kupola e tij kanë vrarë 4000-6000 shqiptarë në ‘43-44 e deri në ‘45. Enveri ka qenë kriminel. Për ne ai do mbetet kriminel dhe gjakatar. Në asnjë vend të botës nuk janë vrarë kaq shumë njerëz, sado komunist të ketë qenë ai sistem. Meta e Rama, që duan ta vlerësojnë, vijnë nga Partia e Punës, që sot është PS”, u shpreh Alimadhi. Ndërsa zërat për ngritjen e bustit të Enver Hoxhës, Alimadhi tha se nuk mund të nderohet një kriminel. Më tej Alimadhi u shpreh se shqiptarët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa të çuditshme, të cilat kanë në qendër nderimin e kriminelëve që kanë kryer krime antinjerëzore ndaj popullit të tyre. Alimadhi deklaroi se populli shqiptar duhet të bëjë kujdes për të mos rënë ‘pre’ e kërkesave të tilla, të cilat kërkojnë të nderojnë kriminelin më të madh të Evropës, siç e cilësoi ai Enver Hoxhën. “Shqipëria është vendi i çudirave dhe shqiptarët gënjehen dhe besojnë përralla shumë shpejt. Të mos harrojmë se Hoxha ishte diktatori dhe krimineli më i ndyrë i Evropës”, tha Adriatik Alimadhi.
 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...