Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/27

Kush e tremb median dhe qeverinë të shprehen për projektin Jugosllavia e Madhe!?

Kush e tremb median dhe qeverinë të shprehen për projektin Jugosllavia e Madhe!?









Debati për projektin e krijimit të "Unioni Ballkanikoperëndimor", i cili u hap dhe u trajtua për ditë me radhë nga gazetat dhe radio televizionet shqiptare , tashmë po ngjizet dhe në qarqet nacionaliste me reagime të ashpra dhe kundër tij, që në thelb parashikon krijimin e një Jugosllavie të Re. Pavarësisht se shumë media po përpiqen ta anashkalojnë këtë problem potencial në rajon, nga ana tjetër shumë figura publike të politikës, publicistikës, gazetarisë, jurisprudencës, diplomacisë, artit etj., deklarohen kategorikisht kundër këtij projekti. Të gjithë ndihen të tmerruar përballë faktit që një ditë Kosova dhe Shqipëria mund të jenë pjesë e një Jugosllavie të Re. Zbardhja e këtij projekti të fshehtë por dhe të frikshëm, i ka bërë shqiptarët të rikthejnë në memorie luftrat, gjakderdhjen dhe përpjekjet e mundimshme qindravjeçare për të jetuar një ditë pa frikë, të lirë e të pavarur. Nuk e duan kurrë më një shtet nën varësinë e Serbisë.
E ndërsa të gjithë kërkojnë të dijnë fatin e mëtejshëm të kësaj marrëveshjeje ogurzezë të nisur nga qeveria “Berisha”, qeveria e re ka vendosur që hapat e ardhshëm të mbulohen me mister. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u takua pak ditë më parë në Nju Jork me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi këtë union, të iniciuar nga Mali i Zi, me prapavijë të qartë serbe. E vetmja gjë që u bë publike nga ky takim, ishte fakti që gjatë diskutimit u pa e arsyeshme që të shihen të gjitha nismat rajonale ekzistuese dhe të shihet mundësia e zhvillimit të mëtejshëm të tyre, duke i bërë ato më gjithë përfshirëse dhe të hapura. Kjo deklaratë e zyrës për shtyp të ministrit Bushati, lë të kuptosh se qeveria e re mesa duket do të ndjekë rrugën e paraardhësit “Berisha”, dhe me shumë gjasa ky projekt skandaloz, do të firmoset si një bashkëpunim rajonal mes 6 shteteve.
Është shumë e çuditshme që ashtu si qeveria “Berisha”, edhe qeveria “Rama” nuk deklaron asgjë mbi diskutimet rreth këtij projekti, por po aq i i çuditshëm është dhe heshtja e mediave, a thua se ato janë të lidhura me qarqe serbe ose të qeverisë së kaluar “Berisha”, i cili dha dhe pëlqimin për pjesëmarrjen në këtë union. Diskutimi i parë për idenë e ministrit të Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili ka propozuar formimin dhe ngritjen e një "Unioni Ballkanikoperëndimor", është bërë në samitin e SEECP në Ohër, në 1 qershor 2013. Ndërkaq, një mbledhje e posaçme për këtë nismë është organizuar nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi në 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në nivel drejtorësh politikë. Përfaqësuesit e gjashtë shteteve pjesëmarrëse kanë shprehur pëlqimin e shteteve përkatëse për krijimin e këtij "Unioni Ballkanikoperëndimor". Takimi më i fundit për këtë çështje ishte ai i Nju Jorkut, zhvilluar pak ditë më parë me pjesëmarrjen e ministrit Bushati dhe homologët e tij.

Një Jugosllavi tjetër, rrezik i ri për shqiptarët

Nga Qerim Pllana-Toplica* 

Një Jugosllavi tjetër, rrezik i ri për shqiptarët











(Drejt sfidës së radhës për bashkimin kombëtar, jo për jugo-nostalgjinë)


E kam thënë me një koment të radhës: “Në mungesa të ndërgjegjes politike, historia përsëritet fare lehtë. Duket se thënia në fjalë daton pikërisht me shpërnguljet e mëdha të arbëreshëve për në Itali. Atje kur dikur shtriheshin dy popujt (jo fise) ilirë; japigët dhe mesapët. Se “politika është si era, mos të raft kah dera, se s`te del më pranvera”, mbase daton më vonë, me shpërnguljet, (ndjekjet e popullit shqiptar) muhaxhirëve nga Sanxhaku i Nishit. Të ndjekur nga molla e kuqe drejt jugut për në Kosovë, botën arabe të nënshtruar nga e “sëmura e Bosforit”, në Siri, Libi, Egjipt, Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Greqi etj. Politika prore është rrjetëzim gënjeshtrash, pra dy shprehje sinonimi, të cilat lidhën me ndjekjen e popujve, “rrfije”, lufta për krijimin e territoreve të pastra me asimilim dhe spastrim territori me forcës, dhunë dhe gjenocid. këtë shqiptarët e përjetuan gjatë periudhës 1844-1877-78, fatkeqësisht edhe gjatë viteve 1997-1999, po si boshnjakët, kroatët etj. Shpërngulja e muhaxhirëve nga trojet e tyre etnike ndodhi shpejt dhe në mënyrë të rrufeshme, ngjashëm me programin “potkoj” të vitit 1998-99. Brenda një muaji, u ndoqën afro 400.000 shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, respektivisht Vilajeti i Kosovës. Soldateska serbe në radhët të cilës kishte elementë oficerësh rusë, nga 14-15 dhjetori deri më 15 janar të vitit 1877-1878, ndoqi mbi 90 për qind të shqiptarëve nga katër-pesë krahinat e Serbisë së sotme lindore, të cilat bënin pjesë kryesisht në territorin e Sanxhakut të Nishit, ish-Vilajetin e Kosovës më qendër në Shkup.
Politika, prandaj bashkë me diplomacinë nuk janë dhe nuk u treguan as nuk u dëshmuan të vërteta, mbrojtëse, por as autoktone si mëmë, por për shqiptarët vazhdojnë të jenë njerka. Politika e shteteve borgjeze evropiane ndaj shqiptarëve bëri hilet më të shëmtuara. Fatkeqësisht akoma kjo politikë e mbështjellë me një diplomaci mashtruese, e mjegulluar dhe jo e drejtë vazhdon të jetësohet edhe sot e kësaj dite. Shembulli konkret me veriun e Mitrovicës dhe nga ana tjetër me Kosovën lindore, respektivisht luginën e Preshevës. Politika dhe diplomacia e huaj nuk është transparente ndaj shqiptarëve, sepse mohon bashkimin e një kombi të ndarë me dhunë, okupime dhe me ndjekje tiranike, ushtarake politike me diplomacinë ndërkombëtare. Kjo nuk ka se si të fshihet, të mbetet si çështje abstrakte, përderisa në tërë territorin e hapësirës kombëtare gjeografike të shqiptarëve, ka mospajtime me politikën e brendshme të atyre të cilët kanë pranuar devijimin e vërtetë të luftës, politikës dhe të diplomacisë aktuale nënshtruese, servilë e dëgjues nga faktori i jashtëm ndërkombëtar dhe elementë të tjerë nacionalistë dhe shovinistë serbë, maqedonas, madje malazezë dhe në veçanti të politikës së “Megala Idea” greke, “Agimi i Artë” etj. Jugosllavia e radhës për hapësirën shqiptare, edhe më e rrezikshme! Një jugosllavi tjetër e radhës për shqiptarët do t`ishte edhe më e rrezikshme. E vërteta sado që është e hidhur, ajo është pjesë e filozofisë, ekzistimit, bashkimit dhe zhvillimit, të çdo kombi në botë dhe për shqiptarët në Ballkan. por kombi shqiptar s`mund të jetë komb i vërtetë, meqë është i ndarë në katër-pesë shtete, i coptuar, pa të drejta elementare kombëtare, politike dhe ekonomike. Pra, e vërteta sado e hidhur të jetë, është shumë më e drejtë se sa një projekt tjetër politik-diplomatik dhe taktik i përgatitur tinëzisht për rikrijimin, kthimin dhe formimin e një Jugosllavie tjetër të radhës. Shqiptarët nëse edhe kësaj radhe tradhtohen, gabojnë, apo i futën kësaj loje, ata do të rrezikohen të humbin në numër, territore tjera etj.
Gjatë mbretërisë SKS të viteve 1918-1928 dhe dy jugosllavi të tjera 1928-1945 dhe 1945 1991, respektivisht 1999, shqiptarët humbën pjesë tjera territoresh, numër të madh banorësh, më në fund duke përjetuar gjenocid dhe etnocid të turpshëm. Me një Jugosllavi tjetër të radhës, kombi shqiptar mund të zhdukët si popull dhe si komb. Në këtë lojë shumë të rrezikshme falimentimi, përfshihen të gjithë ata, të cilët përqafuan në mënyrën banale politikën titiste-rankoviçiste, së fundmi tiraninë fashiste milosheviçiane, pa asnjë privilegj, të gjitha në dëm të hapësirës kombëtare. Prandaj, duhet të luftohet me çdo kusht një projekt i tillë, nga kushdo që u imponohet shqiptarëve në cilindo pjesë të tyre. Në Kosovë, Maqedoni, në veçanti në Shqipëri, për ëndrrën e një Jugosllave tjetër të gjukanoviçve, daçiçëve, tupurkovskëve, vllasistëve, kompanisë të ljubojeviçëve, djallit e t`birit! Prapë për të vazhduar ndrydhja dhe tkurrja e territorit dhe popullsisë në hapësirën shqiptare!K pra është projekti i ringjallur i Jaltës, për përfshirjen e shqiptarëve, (atëherë, Shqipëria si republika e shtatë) në ish-Jugosllavinë titiste, (1945-1991), por që s`pati sukses. Tani janë zgjuar prapë jugo-nostalgjikët e Jugosllavisë së radhës...
Pse të mos thuhet haptas e vërteta, se jugo-nostalgjia për një Jugosllavi tjetër troket dhe përkrahet edhe në hapësirën kombëtare shqiptare?! Nga politikanë shqiptarë të rinj dhe të vjetër, të shitur për një grusht pushtet. Në këtë lojë është kah noton politika dhe diplomacia e të ashtuquajturës “Kosova e Re”! Pas kësaj ideje politike-diplomatike perfide, fshihet Brukseli, Beogradi, sidomos Moska me BE-Brukselin, OKB-ja etj. Ka adhurues dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të cilët e kundërshtuan gjatë shkapërderdhjen e ish-Jugosllavisë titiste, nga e cila u çliruan, por e pësuan me gjenocid boshnjakët, kroatët me ta dhe shqiptarët. Jugosllavizmi nostalgjik për një Jugosllavi të radhës nuk ka përfunduar! Përkundrazi, po ringjallët dhe në trojet dhe territorin mbarëkombëtar shqiptar. Traktati i paqes mund të jetë njëri nga nismat serioze për një “Jugosllavi tjetër të radhës”, si fatkeqësi e mundshme e përsëritur në këto territore akoma të pushtuara. Ç`u duhet shqiptarëve dhe një eksperiment i tillë ogur, me një grup me sllavo-serbet, malazezët, maqedonasit madje më grekët?! Teoria se Shqipëria ka tolerancë zero me fqinjët sipas z. E. Rama, ka dy kuptime, por është dhe ndjellakeqe, shprehje huliganizmi, pikërisht ide për një “bashkësi të tillë” të radhës, pra politikë përulëse, mashtruese nënshtruese etj., për hir të ndërkombëtarëve, BE-së etj. Sali Berisha, Hashim Thaçi dhe Ali Ahmeti u deklaruan për një Evropë të bashkuar madje i pari pranoi Shqipërinë si republikë të shtatë (7). Por kurrsesi s’e pranuan bashkimin kombëtar...
Mbase zotërinjtë, Edi Rama dhe Ilir Meta, janë me të dyja, BE-në, brenda saj me Jugosllavinë e radhës në kuadër të po kësaj Evrope, për shqiptarët prapëseprapë të nënshtruar në hapësirën e tyre të sfiduar...! S`ka bashkim kombëtar me këta njerëz, nëse përkrahin “bashkësinë gjashtë-shtetesh në një Jugosllavi tjetër të radhës brenda “Evropës të bashkuar politikisht”! Z. Moisiu, ish-President i Shqipërisë, për politikanët aktualë të djeshëm dhe të sotëm e tha të vërtetën! Me këtë garniturë politike s`ka komb të bashkuar. Prandaj, shqiptarët me tërë fuqinë, duhet të kundërshtojnë projektin në fjalë, duke mos e pranuar një projekt të tillë gjashtë “shtete” të varura prapë nga Serbia në Ballkan. Shqiptarët prapë me një kurorë me sllavët akoma të pa-bashkuar me gjysmën e territoreve të pushtuara! projekti faktik, real historik politik dhe diplomatik, i popullit shqiptar, mbetet vetëm bashkimi kombëtar. Reagimi i menjëhershëm i Tiranës ndaj një projekti të tillë politik, është i drejtë, pozitiv dhe shumë i mirëpritur. Të thuhet e vërteta jo vetëm për Berishën, i përzier në këtë marifet tepër të rrezikshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë! Le të jetë mësim për të tjerët...!

 *Autori është shkrimtar-publicist i njohur në masmedian kombëtare

Diplomacia shqiptare hesht për Jugosllavinë e Re, Kosova denoncon marrëveshjen

Diplomacia shqiptare hesht për Jugosllavinë e Re, Kosova denoncon marrëveshjen









Ndërsa projekti i rrezikshëm serbo-rus, për krijimin e Jugosllavisë së Re nën kamuflimin e Unionit Ballkanik ka trazuar krerët politikë të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë. diplomacia e Shqipërisë vijon të heshtë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në një kohë kur pritej një qëndrim i prerë dhe i qartë për nismën e Malit të Zi, ka ndodhur ajo që nuk mund të imagjinohej. Qeveria shqiptare mohon projektin dhe vijon të heshtë. Edhe pse debati për Unionin Ballkanik po zien prej disa ditësh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mali të Zi, diplomacia shqiptare vijon të fshihet pas kodit të heshtjes.
Në vend që të denonconte dy takimet e para të fshehta, ku qeveria e Sali Berishës ka dhënë pëlqimin për kthimin e Shqipërisë në republikë të gjashtë të Jugosllavisë, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati vetëm hesht. Gjithçka merr dimensionet e një skandali, në kushtet kur Ministria e Jashtme nuk bëri as transparencën e takimit të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork. Ministria e Jashtme Shqiptare e ka maskuar dhe pasqyruar takimin e rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Gjithsesi, në këtë takim, Bushati nuk e ka kundërshtuar nismën e Malit të Zi, por ka pranuar që projekti i rrezikshëm do të diskutohet më në detaje në një takim tjetër. Plani në fjalë parashikon krijimin e një parlamenti të përbashkët me qendër në Beograd, ku Serbia do të marrë rolin që kishte në Federatën e Jugosllavisë.
“Gjatë diskutimit u pa e arsyeshme që të shihen të gjitha nismat rajonale ekzistuese dhe të shihet mundësia e zhvillimit të mëtejshëm të tyre, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe të hapura. Pas shkëmbimit të ideve ministrat nga vendet e rajonit vendosën që të ritakohen sërish për të parë mundësitë që ofron nisma dhe sinkronizimin e saj me nismat e tjera rajonale ekzistuese. Gjatë bisedës u evidentua rëndësia e ndërthurjes së eksperiencave mes vendeve të rajonit që sot janë anëtarë të BE-së dhe atyre që janë në procesin e kandidimit”, thuhet në njoftimin e MPJ të pak ditëve më parë.

Jugosllavia e Re, diskriminohet Kosova, nisma vetëm për interesa serbe -

Jugosllavia e Re, diskriminohet Kosova, nisma vetëm për interesa serbe









Thellohet skandali me projektin që parashikon krijimin e Unionit Ballkanik, i quajtur ndryshe dhe Jugosllavia e Re. Në nismat që parashikon ky union, diskriminohet Kosova, ndërsa në plan të parë vihen interesat serbe. Në nismat e rëndësishme ekonomike nuk përfshihet Kosova, ndërsa anashkalohet edhe Shqipëria. Megjithatë, skandali më i rëndë qëndron në faktin se pas këtij projekti zhbëhet pavarësia e Kosovës. Më konkretisht Serbia i kërkon Shqipërisë të firmosë marrëveshjen, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Sipas marrëveshjes së fshehtë, e aprovuar nga qeveria e Sali Berishës në Malin e Zi, Kosova thirret të jetë pjesë e unionit me status të ndryshëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, Serbia e fton Kosovën jo si shtet të pavarur, por si pjesë të saj. Me pak fjalë, Kosova është përjashtuar defakto nga Unioni Ballkanik me vendim të Serbisë. Megjithatë, ky projekt antishqiptar, i rrezikshëm dhe skandaloz, nuk po hidhet poshtë ashtu siç e meriton. Në marrëveshje, Kosova trajtohet si një vend i dorës së dytë, me status të paqartë. Më konkretisht, Serbia dhe Mali i Zi kanë deklaruar që Kosova mund të marrë pjesë në "Union" në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe sipas parimit të neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Pra nisma serbe e nënvleftëson dhe anashkalon shtetin e pavarur të Kosovës si subjekt të së drejtës ndërkombëtare dhe e trajton jo të barabartë me të tjerët, por si shtet të kategorisë së dytë. Pra, Shqipërisë i kërkohet të jetë pjesë e një unioni, ku dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nisma është hedhur për diskutim kur në fund të vitit 2013, është nënshkruar marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Në këtë kuadër, Unioni Ballkanik minon marrëveshjen Serbi-Kosovë. Megjithatë, nisma është mbështetur nga Komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle. Ky i fundit e ka mbështetur nismën, edhe pse plotëson vetëm kërkesat dhe interesat e serbëve. Në takimin në Nju-Jork, përveç ministrave të Jashtëm të rajonit, kanë qenë edhe ambasadorët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, ku është rënë dakord në parim.
Kosova kundër Jugosllavisë së Re
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet kategorikisht kundër projektit serbo-rus, i mbështetur edhe nga qeveria e Sali Berishës, për Unionin e Ballkanit Perëndimor, pas të cilit fshihet ringjallja e Jugosllavisë së Millosheviçit. Madje, Kosova shprehet se është tejet e shqetësuar nga kjo nismë e rrezikshme për të ardhmen e saj. Reagimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka hedhur poshtë iniciativën e Malit të Zi për planin e quajtur (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Hoxhaj tregon se shqetësimi i palës kosovare, fillimisht ka hasur në çështjen gjeografike, të cilën e përfaqëson kjo iniciativë, e që janë shtete ish-jugosllave dhe të cilat si grup krijojnë perceptimin e një lloj krijese post-jugosllave. Po ashtu, ai thotë se dyshime ka edhe për natyrën dhe vetë karakterin e kësaj nisme. “Ne kemi mbajtur qëndrimin se kjo nismë të mos jetë vendimmarrëse dhe të mos ketë institucione që do të linin përshtypjen e një integrim koheziv të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto shtete duhet të integrohen në BE si adresë e vetme”, thotë ai, duke shtuar se ka shqetësime edhe lidhur me draft-dokumentin e kësaj iniciative, projektet e propozuara, qendrat e ndryshme institucionale, prej bashkëpunimit parlamentar, policisë dhe sundimit të ligjit e deri te bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, ku, sipas ministrit Hoxhaj, po krijohet përshtypja e një përqendrimi dhe shpërndarje jo të balancuar në mes shteteve. “Konkretisht të gjitha projektet janë të koncentruara kryesisht në Mal të Zi, Bosnjë Hercegovinë dhe në Serbi”, thotë ai. Si rrjedhojë, Hoxhaj thotë se pikënisja e palës kosovare në këtë takim ka qenë se duhet të ketë kujdes, sepse nismat e tilla në rrafshin funksional mund të krijojmë dublifikime të iniciativave ekzistuese dhe në rrafshin e opinionit publik krijojnë keqkuptim për qëllimin e tyre.

Muho Asllani: Enver Hoxha, një nga tre figurat historike të kombit -

Muho Asllani: Enver Hoxha, një nga tre figurat historike të kombit









Ish anëtari i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë, Muho Asllani, në një prononcim për gazetën “Sot”, vlerëson se Enver Hoxha është një prej tre figurave historike më të shquara të kombit. Muho kërkon që Enver Hoxha të vlerësohet nga i gjithë kombi, pasi kjo figurë historike do të mbahet mend për luftën kundër fashizmit dhe nazizmit si dhe për ndërtimin e Shqipërisë e rrënuar nga lufta.  “Figura e Enver Hoxhës duhet të vlerësohet nga i gjithë populli shqiptar. Hoxha është një nga tre figurat historike të kombit shqiptar, Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha. Enver Hoxha themeloi Partinë e Punës në 1941 me 200 petrita. Mobilizoi popullin shqiptar kundër fashizmit italian dhe nazizmit gjerman. Fshatarët dolën me opinga dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Ne ishim 900 mijë shqiptarë në analfabet. Arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm. Enver Hoxha rindërtoi Shqipërinë dhe zhduku analfabetizmin. Hodhi parullën “Do ndërtojmë Shqipërinë e djegur nga lufta”, u shpreh Asllani.
Ai theksoi se nuk e ka shkelur amanetin ndaj Enver Hoxhës dhe se i ka qëndruar besnik Partisë së Punës. “Unë jam betuar se do jem besnik i Partisë së Punës. Amanetin e Enver Hoxhës e kam ruajtur. Çdo 16 tetor shkoj në varrin e tij dhe vendos buqetë me lule. Kur vdiq Enver Hoxha doli një shprehje: 5 vjet do e qajnë, 5 vjet do e shajnë dhe 5 vjet do e kërkojnë, por nuk kanë për ta gjetur!”, u shpreh Muho Asllani. Disa muaj më parë, Muho Asllani ka reaguar pas lajmeve se Partia e Punës e Rinovuar e ka shkarkuar nga Byroja Politike, me akuzën se po i shërben Sali Berishës. Por Asllani thotë se ai nuk ka ndërmend që të largohet. Ai thotë se partinë ia ka lënë amanet Enver Hoxha. Asllani tha se kandidoi në Shkodër dhe nuk i shërbeu as Berishës dhe as Jozefina Topallit. “Ne jemi në koalicion me të majtën, me komandant Edi Ramën. Dhe kuptohet se ku do të kalojnë votat tona. Unë e theksoj, me fizikun e fortë, me mendjen e mprehtë, do t’i shërbej vetëm PPSH-së, që ma la amanet Enver Hoxha”, është shprehur ai më herët.

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë -

Ballistët: Enveri vrau 6000 shqiptarë, Rama dhe Meta nostalgjikë









Me rastin e105 vjetorin e lindjes, ballistët dhe zogistët nuk duan as ta kujtojnë dhe as ta nderojnë diktatorin Enver Hoxha. Ndërsa disa politikanë të vendit shprehen për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, ballistët dhe zogistët shprehen kategorikisht kundër lartësimit në histori të figurës së diktatorit komunist. Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaron se Enveri vrau 6000 shqiptarë dhe se do të mbahet mend në histori për krimet e tij gjakatare. “Enveri dhe kupola e tij kanë vrarë 4000-6000 shqiptarë në ‘43-44 e deri në ‘45. Enveri ka qenë kriminel. Për ne ai do mbetet kriminel dhe gjakatar. Në asnjë vend të botës nuk janë vrarë kaq shumë njerëz, sado komunist të ketë qenë ai sistem. Meta e Rama, që duan ta vlerësojnë, vijnë nga Partia e Punës, që sot është PS”, u shpreh Alimadhi. Ndërsa zërat për ngritjen e bustit të Enver Hoxhës, Alimadhi tha se nuk mund të nderohet një kriminel. Më tej Alimadhi u shpreh se shqiptarët duhet të heqin dorë nga këto kërkesa të çuditshme, të cilat kanë në qendër nderimin e kriminelëve që kanë kryer krime antinjerëzore ndaj popullit të tyre. Alimadhi deklaroi se populli shqiptar duhet të bëjë kujdes për të mos rënë ‘pre’ e kërkesave të tilla, të cilat kërkojnë të nderojnë kriminelin më të madh të Evropës, siç e cilësoi ai Enver Hoxhën. “Shqipëria është vendi i çudirave dhe shqiptarët gënjehen dhe besojnë përralla shumë shpejt. Të mos harrojmë se Hoxha ishte diktatori dhe krimineli më i ndyrë i Evropës”, tha Adriatik Alimadhi.
Kurt Kola
Ish i përndjekuri, Kurt Kola, në një prononcim për gazetën “Sot”, u bën thirrje politikanëve se nuk u takon atyre të bëjnë historinë e vendit, por vetëm historianët. Kola thekson se diktatori Hoxha vrau të gjithë rivalët, ndërsa politika deri më sot nuk hapi dosjet e komunizmit. Sa i takon politikanëve që mbështesin vlerësimin e figurës së diktatorit Hoxha, Kola tha se ata dhe familjet e tyre kanë patur mbështetjen e Enver Hoxhës. “Ilir Meta dhe Sali Berisha mund të flasin dhe të thonë se duhet vlerësuar figura e tij. Flasin kështu, sepse nuk u ka bërë gjë atyre. Ata u ritën me privilegje, me përkrahje. Kur thonë se duhet vlerësuar, çfarë bëri për 50 vjet? I filloi vrasjet me shokët e tij, me Qemal Stafën. Pjesën më të madhe të tyre i vrau gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. E mbylli më pas me kryeministrin Mehmet Shehu”, u shpreh Kola. Ish i përndjekuri Kola, thotë se Enveri do mbetet i pavlerësuar në histori. “Pse nga Lufta Nacionalçlirimtare mbeti vetëm ai? I vrau të gjithë shokët sepse i kishte rivalë. Enver Hoxha do të mbetet si Neroni i Romës. Politikanët të hapin një herë arkivën, të mbledhin një grup historianësh shqiptarë dhe të huaj dhe më pas të dalin në një përfundim; të vlerësohet apo jo. Por, historinë nuk e bëjnë politikanët, por historianët”, tha ai.
Vlerësimi i Enver Hoxhës
Sa i takon vlerësimit të figurës së Enver Hoxhës, kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, depozitoi një kërkesë në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës për të rivendosur në qendër të Tiranës bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në letrën drejtuar këshillit, Dajti u kërkoi anëtarëve të tij ta miratojnë këtë kërkesë për të bërë të mundur reflektimin dhe ekuilibrin e shoqërisë shqiptare. “Shtatorja e Enver Hoxhës, edhe kundrejt 'nxehtësisë' së debateve e diskutimeve rreth periudhës komuniste, mendojmë se do të ishte së paku një moment reflektimi drejt një ekuilibri real të gjithë shoqërisë shqiptare me të kaluarën”, shkruan Dajti.
Roshi: Enver Hoxha, Stalini i popullit të tij
Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, në një prononcim për gazetën “Sot”, vlerëson se Enver Hoxha është xhelati i popullit shqiptar. Roshi thekon se, sot është dita për të përçmuar figurën e diktatorit kriminel Enver Hoxha. Ai u bën thirrje politikanëve shqiptarë, kryesisht nostalgjikëve, që të mos ngatërrohen me të tilla çështje, pasi i takon popullit shqiptar dhe historianëve. “Përfaqësuesit politikë duhet të përçojnë në opinionin publik interesin qytetar në tërësi dhe jo satisfaksionin e tyre shpirtëror apo të njerëzve të fundëm që përfaqësojnë. Në këtë kontekst Enver Hoxha është xhelati i popullit të tij. Ai konkurron vetëm me Stalinin për krimet ndaj popullit të vet. Enver Hoxha përfaqëson antivlerat e kombit të vet, që vazhdojnë të na ndjekin akoma. Sot është dita për të përçmuar figurën e tij dhe për të nderuar viktimat e luftës së tij diabolike; mbi të gjitha për të venë në vend moralin e këtyre viktimave”, u shpreh kreu i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat. Artur Roshi thekon se duhen vlerësuar ato figura që kanë dhënë vlera kombëtare dhe jo Enver Hoxha që do të mbahet mend për krimet e mëdha të komunizmit. “Unë mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të kthejnë sytë nga vlerat e vërteta kombëtare, të cilat janë mohuar dhe vazhdojnë të mohohen në historinë e tij. Përsa kohë me forcën e pushtetit do të shmangen vlerat dhe kontributet e Mit’hat Frashërit, Ali Këlcyrës, Lec Kurtit etj në shërbim të kombit, shqiptarët nuk do të kenë një demokraci reale dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por një demokraci false dhe interesa ekonomike klanore të pushtetit”, u shpreh Roshi. Sa i takon politikanëve që mbështesin idenë për vlerësimin e Enver Hoxhës, një prej tyre është kreu i PDK, Nard Ndoka. Ai ka deklaruar se nuk mund të fshijmë nga historia periudhën e drejtimit të vendit nga Hoxha, ndaj sipas tij, duhet bërë një vlerësim objektiv me të mirat dhe të këqijat që ka sjellë diktatori komunist. Eneida Jaçaj

Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet-

Xhafer Peçi: Sali Berisha u caktua për zbatimin e “Katovicës”, Zogu tradhëtoi, Enveri ndërtoi shtet









Katër figura që kanë dominuar në 100 vitet e fundit kombin shqiptar, vijojnë të ketë një vend të paqëndrueshëm në histori. Bëhet fjalë për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Ky i fundit sapo është rrëzuar nga pushteti, ndërsa kërkon të ketë edhe një raport me historinë dhe shtetndërtimin. Ndryshe nga Ismail Qemali, i cili është një figurë përbashkuese, konsensuale dhe unifikuese për të gjithë shqiptarët e të gjitha trevave, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Sali Berisha, kontestohet, himnizohen, rrëzohen dhe anatemohen nga grupe të caktuara të shoqërisë. Debati është përqendruar tek Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu, pasi Ramiz Alia dhe Sali Berisha, konsiderohen si tejzgjatje dhe derivacione të Enver Hoxhës, pavarësisht metodave të mbajtjes së pushtetit. Por çfarë mendon njeriu që i ka njohur nga afër të katër figurat në fjalë? Bëhet fjalë për kolonel Xhaferr Peçin, ish-komandant i Gardës së Republikës, njeriu kyç që mbronte jetën e Enver Hoxhës. Xhaferr Peçi deklaron se Sali Berisha dhe Ramiz Alia nuk mund të krahasohen me Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. I pyetur për debatin e marrëveshjes së “Katovicës”, pra paktin e fshehtë të krerëve të komunistëve për të sunduar me metoda të tjera dhe për të kontrolluar pluralizmin, Peçi pajtohet me mendimin e Servet Pëllumbit, teksa thotë se Berishës iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. “Unë jam dakord me atë që thotë Serveti. Me babain e Servetit kam qenë në luftë. Ai ka mbaruar për filozofi. Mund të them se, Sali Berisha nuk mund të krahasohet me Zogun dhe Enverin, por ai hyri në lojë, pasi iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. Saliu për këtë do të mbahet mend, pasi shtetin e ndërtuan Zogu dhe Enveri”, theksoi Peçi. Ish-komandanti i Gardës së Republikës ka pohuar gjithashtu se Ramiz Alia nuk ka pasur merita në luftë, por i ka ngjitur shkallët e karrierës falë lidhjeve të krijuara pas luftës. “Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu nuk mund të krahasohen me Ramiz Alinë dhe Sali Berishën. Enver Hoxha ndërtoi shtet sepse e mbajti pushtetin 50 vjet. Ramiz Alia është shoku im në rini. Gjatë luftës e kam takuar. Ai nuk ishte as ndonjë figure në luftë. Ai nuk kishte asnjë peshë në luftë. Me rëndësi ishin Gjin Marku dhe Kadri Hoxha”, thekson Peçi.
Zogu
Xhaferr Peçi vlerëson figurën e Ahmet Zogut, por deklaron se ai tradhëtoi atdheun. Ndërsa për Enver Hoxhën, Peçi mendon se ishte hero i luftës dhe njeriu që ndërtoi shtetin shqiptar. “Zogun pak e kam njohur. Një herë e kam takuar në Himarë. Në atë kohë ai ishte një figurë e padiskutueshme. E vlerësonte Evropa. Por, Zogu kishte probleme të mëdha në atë kohë. Zogu ka meritat e veta, por edhe tradhtoi vendin. Megjithatë, ai bëri shtet me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe italianëve. Po të mos kishte këtë mbështetje, Zogu nuk e mbante dot pushtetin. Enverin e nxori lufta. Ai ishte hero i luftës. Ka luajtur një rol të madh me jugosllavët dhe rusët. Ai mbrojti territoret, sepse sot Shqipërinë mund ta kishte përvetësuar Greqia”, ka theksuar Peçi.
Ruajtja e Enverit
Xhaferr Peçi, për 10 vite me radhë, ishte njeriu kyç për mbrojtjen e jetës së Enver Hoxhës. “Enver Hoxha mbrohej me strukturat e veta të krijuara. Ai mbrohej nga Garda sipas ndarjeve dhe zonave. Ishte Garda e Republikës ajo që organizonte gjithçka kur mbaheshin kongreset. Bëhej një plan i koordinuar Gardë dhe Polici. Por, unë di të them se populli e donte shumë Enver Hoxhën. Në muajin maj të vitit 1970, Enver Hoxha bëri një vizitë në Veri; Rrëshen, Kukës, Has, Tropojë, Fushë-Arrëz, Pukë, Tropojë. Unë kam qenë me të në këtë vizitë 7-8 ditore. Enver Hoxha hidhte valle bashkë me fshatarët dhe hante me ta”, kujton ai.
Tentativa për vrasjen e Enverit
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, ka pohuar se ka pasur një rast  kur Enverit i është rrezikuar jeta. “Populli e ka dashur shumë Enver Hoxhën. Por ka pasur një rast kur kanë dashur ta vrasin. Një shqiptar që kishte emigruar në Amerikë, kalon në Shqipëri në mënyrë ilegale, me urdhër të agjencisë së spiunazhit anglo-amerikan-serb, ku kërkon të vrasë Enver Hoxhën. Mbiemri i tij ishte Banushi. Erdhi dhe qëndroi katër ditë te pallati i Shallvareve, në pritje të festës së 1 Majit. Tribuna në atë kohë ka qenë te Hotel Dajti. Por nuk mundi të vriste Enver Hoxhën. Hotel Dajti ishte me pemë dhe e kishte shumë të vështirë vrasjen e tij. Nëse do të qëndronte te pallati i Shallvareve, duhej të matej mirë për të vrarë, pasi ishte shumë larg. Por, ai ishte zbuluar. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1962. Ai u morr dhe u fut në burg në Burrel. Ai ishte arratisur nga Golemi i Gjirokastrës dhe nga Greqia kishte shkuar në Amerikë. Edhe banda e Xhevdet Mustafës donte të vriste. Ai erdhi deri në Rrogozhinë dhe u kthye pas. Në Lushnje u asgjësua”, tha ai.
Kim Mehmeti: Berisha dhe Enveri, lojë e serbëve
Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Kim Mehmeti, ka bërë një vlerësim edhe për tre figura që kanë dominuar politikën shqiptare gjatë shekullit të fundit, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Mehmeti pohoi se Zogu, Hoxha dhe Berisha kanë një të përbashkët; që është etja për pushtet dhe lidhjet e dyshimta me fqinjët. Sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët. “Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i "milladinëve" e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore”, ka theksuar ai.  Adriatik Doçi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...