Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/01/04

Kosovarët më pro amerikan se vetë amerikanët

Njëri ndër amerikanët që ka njohur Kosovën është edhe ish ligjdhënësi i shtetit Iowa, Steve Warnstadt, i cili për një vit të qëndrimit në Kosovë ka krijuar përshtypjen se populli dhe Qeveria e Kosovës janë jashtëzakonisht pro amerikane. Warnstadt, kolonel në kuadër të NATO-së shërbeu në Kosovë si këshilltar i Forcës së Sigurisë.
Steven H. Warnstadt - Official Portrait - 83rd GA.jpg
Steve Warnstadt

“Në sondazhet e parvjetshme të Gallup-it në mbi 100 vende rreth mbështetjes së politikave amerikane, Kosova ka një vlerësim të aprovimit 88 për qind e politikave amerikane. Është ky një nivel i mbështetjes që sigurisht duhet të jetë më i lartë se sa në mesin e amerikanëve”, thotë Warnstadt dhe nënvizon se derisa ecën në Prishtinë "është një gjë e zakonshme të vëzhgosh flamurin amerikan të valojë po aq shpesh sa edhe flamuri i Kosovës".
Kosovo map
Ai këtu përmend Bulevardin Bill Clinton dyqanin ”Hillary,” rrugën 'Bob Dole', rrugën tjetër 'George W. Bush', emrat e rrugëve dhe shesheve, Madeline Albright dhe Wesley Clark. Kolonel Warnstadt më tej shkruan se Garda Kombëtare e Iowa-së dhe FSK e Kosovës janë të lidhura në Programin e Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare, një program i hartuar në fund të Luftës së Ftohtë për të ndihmuar vendet e Evropës Lindore gjatë kalimit në demokraci.

“Partneriteti Iowa-së është i veçantë, sepse ai po ndihmon Kosovën për të ndërtuar profesionalizimin e forcave të saja të sigurisë dhe është i njohur si një nga programet më aktive dhe më të fuqishme të partneriteteve shtetërore”.

Warnstadt thekson më tej se "Kosova përballet me një numër sfidash ku të ardhurat për kokë banori janë më e ultat në Evropë; ku vendi ka moshën më të re mesatare dhe një nga shkallët më të larta të papunësisë. Mungesa e perspektivës ka ndikuar që shumë të rinj të largohen duke i krijuar mungesën e disa prej talenteve të saj më të mirë".

“Përkundër këtyre vështirësive, shumica e kosovarëve janë optimistë për të ardhmen dhe i shikojnë Shtetet e Bashkuara si një model në përballjen me sfidat e tyre”, shkruan ndër të tjera në gazetën ''Sioux City Journal'', koloneli Steve Warnstadt.


Lexoni :

http://siouxcityjournal.com/news/opinion/columnists/the-regulars-iowa-kosovo-work-to-build-even-deeper-relations/article_6f87da7c-f930-5cea-85f2-a9aae9ed3ac0.html

“Engjëjt janë larg”

“Engjëjt janë larg” filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani ka qenë dhe prodhimi kinematografik, i cili ka marrë shumë vëmendje gjatë kësaj kohe. Filmi me regji dhe skenar të Xhuvanit përqendrohet te drama kosovare, dhe kjo ka bërë që në kastin e aktorëve të përfshihen edhe artistë nga Kosova, por nuk mungojë edhe aktorë nga Italia.

Në rolet kryesore interpretojnë aktori italian Rinaldo Rocco dhe Teuta Krasniqi. Gjithashtu pjesë e kastit është Fatmir Spahiu dhe shënohet pjesëmarrja e aktorit të njohur shqiptar Ndriçim Xhepa. Producenti Dritan Huqi tregon se filmi edhe pse ka në vëmendje luftën e Kosovës, në qendër të tij ka histori njerëzore, me dramën e saj. “Historia njerëzore, përfshihet në atmosferën e luftës së Kosovës, por nuk është vetëm ajo. E gjitha vjen nga historia e personazheve, nga fëmijëria e tyre, është një film dramatik, ka situata të vështira”, tregon mbi filmin producenti Dritan Huqi, duke shtuar se më e rëndësishmja e filmit, është fakti se filmi do të shfaqë një atmosferë të luftës nga fytyra e fëmijëve.

“Në fund të luftës të gjitha personazhet dalin të ndryshuar, sepse kanë përjetuar një situatë tejet të vështirë dhe kanë mbijetuar në luftë”, shton më tej producenti Dritan Huqi. Filmi i cili është miratuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në vitin 2010, përballë problemeve me buxhetin që nuk kanë qenë të pakta vetëm gjatë muajve të fundit të 2013 arriti të niste xhirimet për të qenë tashmë pranë fundit të tyre. “Problemet me buxhetin tashmë dihen dhe nuk kanë qenë të pakta. Imagjinoni që ky film është miratuar si projekt për tu financuar që në vitin 2010 nga QKK, por dihet se në çfarë vështirësie është me buxhetin QKK, ku buxheti vjetor nuk e lejon të financojë filmat brenda vitit”, tregon producenti Huqi. Xhirimet e këtij filmi përfshijnë Gjakovën në Kosovën, Bajram Currin dhe një pjesë e tyre do të jenë në Itali. Tashmë xhirimet në Kosovë kanë mbaruar dhe zgjatën 4 javë, për të vijuar më pas dhe në Bajram Curri dhe Itali për disa ditë. Filmi i cili këtë herë vjen si një prodhim dramatik, me histori njerëzore, pritet ta ketë premierën vitin që vjen.

Edhe pse me jo pak vështirësi, sipas producentit Dritan Huqi në vjeshtë të 2014 “Ëngjëjt janë larg” mund të vijë premierë. “Edhe disa ditë na kanë mbetur për xhirimet, ku 4 javë janë xhiruar në Gjakovë, por filmi ka dhe faza të tjera, si montazhi i tij, etj. Kur të mbarojë do të jetë dhe në festivale të ndryshme, dhe shpresojmë që në vjeshtë të 2014 filmi do të vijë premierë për publikun”, tregon mbi filmi producenti Dritan Huqi.Historia e filmit “Ëngjët janë larg” zhvillohet në mars të vitit 1999, Kosovë. Periudha e bombardimeve të NATO-s, shpërngulja masive me karakter etnik të shqiptarëve. Terrori, frika, pasiguria, uria ka pllakosur qytetin e Gjakovës në kufi me Shqipërinë. Ngjarjet e filmit zhvillohen në harkun e 70 ditëve të bombardimeve.

Zhanri i filmit është dramatik, por kjo duket se nuk përjashton që përgjatë narracionit të vijnë llogjikshëm situata, momente humori, erotizmi, që shmangin herë pas here zymtësinë e rrethanave që përshkojnë fabulën e filmit. “Filmi zhvillohet fillimisht në dy linja paralele që më pas puqen, lidhen në një fill të përbashkët, e më në fund secila i kthehet fatit të vet”, tregon producenti Dritan Huqi. Ndërkohë gjatë zhvillimit të filmit do të ndërthuren dhe dhjetëra karaktere paramilitare, ushtare të UÇK dhe banorë qyteti dhe fshati. Kohëzgjatja e filmit do të jetë 90 minuta. Filmi është co produksion shqiptaro-italian dhe nga Kosova.

Ashtu si çdo film tjetër shqiptar, që nga momenti i miratimit në Qendrën Kombëtare Kinematografike, deri në fillimin e xhirimeve, duhet të kalojë një kalvar të gjatë për gjetjen e bashkëprodhuesve, financimeve etj, edhe filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani nuk i ka shpëtuar kësaj “procedure”, dhe që nga 2010 vetëm në vjeshtën e vitit 2013 u bë e mundur që filmi të niste xhirimet

Poezia fle brenda secilit nga ne

Intervistë ekskluzive me Enkelejda Kondi-Masseboeuf, poete shqiptare në Francë

Enkelejda Kondi Masseboeuf ka lindur në Maliq në 29 Prill 1972. Mësimet e para i ka marrë në qytetin e lindjes, më pas vazhdoi shkollën e lartë dega gjuhë-letërsi dhe u diplomua në vitin 1996. Ajo ka shkruar qysh fëmijë, ka fituar disa konkurse letrare për poezinë midis shkollave të mesme si dhe ka botuar në gazetat lokale të asaj kohe.

Enkelejda për disa vjet ka qenë dhe drejtuese shkolle deri në largimin e saj në Francë ku ajo jeton dhe punon dhe sot. Me një pjesë unifikim diplome dhe disa vjet studimi në Francë, ajo sot punon si mësuese me fëmijët parashkollorë. Ajo është autore e tre vëllimeve me poezi, respektivisht,ËNDRRA E NJË VAJZE, botuar në korrik 2010, SHTEGTIM NDJENJASH , shkurt 2011, dhe vëllimin e fundit shqip-anglisht LOTI ËSHTË GRUA.

Zëri poetik i Enkelejdës ndihet shpesh në organet e shtypit në Shqipëri me krijime të reja dhe mësojmë prej saj se shumë shpejt ajo do botojë dhe vëllimin e katër-t me poezi. Enkelejda në gusht të vitit 2012 u nderua nga qyteti i saj i lindjes me çertifikatën e mirënjohjes si poete e talentuar e qytetit .

“Zhurnal Plus”: Për poezinë thuhet se është mbretëresha e arteve,se ajo është ari, proza argjendi e të tjerat vijnë pastaj , se poetët nuk e krijojnë atë, sepse ajo ekziston diku, poeti vetëm e zbulon atë…Ç`është poezia për ty?

Enkelejda Kondi: Poeti i madh francez Paul Eluard, ka thënë se : poeti është ai që frymëzon dhe frymëzohet. Poezia është gjuha e lojës së fjalëve, arti i së bukurës, përjetimi i realitetit, ngjarjeve që n’a lenë më shumë mbresa, dhimbjes, dashurisë, që transmetohet mes fjalës, realitetit, imagjinatës, ëndrrës, njeriut, jetës.
Të bukurën dhe poezinë e kemi të gjithë në shpirt, ajo fle diku brenda nesh, por poeti e zgjon, ka dhuntinë që nëpërmjet fjalës së përzgjedhur t’a nxjerri të bukurën nga fundi i shpitit dhe ia jep dhuratë lexuesit.

“Zhurnal Plus”: Cila ka qenë shtysa e parë, momenti i parë dhe për çfarë keni shkruar për herën tuaj të parë?

Enkelejda Kondi: Fillimet e para me poezinë janë kujtime të fëmijërisë, atëherë kur shkruan çiltërsia, shkruan naiviteti i moshës, por aty qëndron dhe e bukura. Një poezi kushtuar mësueses sime të parë me rastin e 7-Marsit,ka qënë poezia ime e parë, e cila u prit mirë dhe ishte referimi për të ardhmen. Më pas kam shkruar dhe në shkollën e mesme, dhe në universitet, kam marrë disa çmime dhe kam arritur të botoj dhe në gazetat lokale të asaj kohe.
Shtysa kam patur dhe nga familja ime, babai në veçanti, por dhe të afërm të familjes sime shkruajnë dhe kanë shkruar, i janë përkushtuar letërsisë, mund të jetë dhe çështje trashëgimie gjenetike, geni (qesh).

Zhurnal Plus”: Një fëmijë ka këndvështrimin e tij për botën. Të gjithë e dimë se nga ai këndshikim bota është ndryshe ... Ju kujtohet si e konceptonit botën kur ishit fëmijë? A ka lënë gjurmë atmosfera e vendit ku u rritët në brumosjen e personalitetit tuaj?

Enkelejda Kondi: Profesioni im si mësuese, më ka lejuar të vëzhgoj nga afër botën e fëmijëve, të kuptoj dëshirat, interesat e tyre, mënyrën se si e perceptojnë botën,si i shprehin ndjesitë, dashurinë, dhimbjen etj.
Sigurisht që kohët ndryshojnë dhe bashkë me të dhe botëkuptimet, nuk mund të krahasohet fëmijëria e gjeneratës sime, me fëmijët e sotëm. Por unë di të them, që kam kaluar një fëmijëri të lumtur, me modelin e familjes prindër, shtëpi, motër, vëlla, duke marrë kënaqësi nga ato momente që kam kaluar në familje, shkollë, një përkufizim normal i saj kohe mendoj për formimin e së ardhmes të një fëmije. Sigurisht që këtu hyjnë dhe lodrat, argëtimet sepse pa to nuk ka kuptim ky stad. Mendoj se gjëja më e mirë që kam trashëguar nga ajo periudhë, është edukata që kam marrë nga familja, disiplina, respekti dhe dashuria për njeriun, për librat, punën, familjen, motivacioni dhe këmbëngulja për t’ju shkuar gjërave deri në fund. Dashuria dhe optimizmi për jetën.

“Zhurnal Plus”: Dëshira për të treguar është e lashtë sa vetë njerëzimi. Ju keni zgjedhur poezinë për të treguar, po a është në gjendje poezia që të jap në mënyrë të koncentruar thelbin e jetës?

Enkelejda Kondi: Çdo art ka mënyrën e tij të të shprehurit, muzika ka melodinë, notat, instrumentat, piktura ka telajon, ngjyrat, ekspresionet, e kështu me rradhë. Poezia dhe poeti kanë mënyrë të shprehuri fjalën.Dhe fjala ngre peshë, është aq sa e fuqishme, aq dhe e ëmbël. Unë nuk shkruaj çdo ditë, nuk ulem të shkruaj posaçërisht poezinë, ajo vjen tek unë atëherë kur unë nuk e pres, si frymëzim, si dallgë deti me batica e zbatica, si zë i brendshëm, me prurje që edhe vetë më habisin por dhe më lumturojnë. Nuk e kam si disiplinë pune, kaq apo aq orë në ditë…Pres që gjithnjë të më ngacmojë një detaj, pra diçka spontane, ndaj në çantën e dorës, mbaj gjithnjë një bllok shënimesh, ku unë hedh shpejt e shpejt ato që më vijnë në mendje për momentin, dhe më pas, në momente qetësie, shplodhje, ju rithehem.Në poezitë e mija kam arritur të shpreh ato që shpirti akumulon, ndjesi njerëzore, si mallin, dashurinë, dhimbjen, zhgënimin,etj.

“Zhurnal Plus”: Femrat, për më shumë se 20 shekuj kanë shërbyer si muzë për poetin, pra si objekt, po tani që ato janë subjekt, që flasin për vetveten, cila mendon se shërben si muzë për ta, a është gjithnjë një burrë, muza(i) e një poeteje?

Enkelejda Kondi: Femrës dhe dashurisë në përgjithësi, i kanë krijuar kaq e kaq poetë. Eshtë kënaqësi kur lexon epitete e metafora të mrekullueshme që i janë veshur bukurisë femërore, duke i shkruar jo vetëm dashurisë dhe çasteve të lumtura por dhe dhimbjes, zhgënjimit në dashuri etj. Sot ka mjaft femra që e shkruajnë bukur poezinë, si në letërsinë botërore dhe atë shqiptare. Femra qysh në antikitet ka provuar të shkruajë për veten, dashurisë dhe zhgënjimeve të një femre, ndjesitë e brëndshme të një femre, marr këtu si shembull, poeten greke Spaho në antikitet. Mendimi im është se nëqoftëse një burrë do t’ishte gjithnjë muza në poezitë e një krijuese femër, do t’ishte përsëritshmëri, dhe monotoni. Larmishmëria e tematikave në poezi, është gjithashtu një detaj që të jesh më pranë jetës, më koherente me kohën dhe lexuesin.

“Zhurnal Plus”: A ka ndikuar dikush, si një udhëheqës në rrugën tuaj drejt letërsisë?

Enkelejda Kondi : Unë kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj edhe sot shumë, por veçanërisht në poezi, udhëheqës kam patur gjithnjë korrifejtë e letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Lasgush Poradeci, Xhevahir Spahiu , Ali Podrimja, etj

“Zhurnal Plus”: A e ka kushtëzuar krijimtarinë tuaj sadopak kritika? Si do ta përshkruanit rolin e kritikës sot në krijimtarinë e një shkrimtari? Ka një qortim për kritikën se ajo nuk e luan plotësisht rolin e duhur për afirmimin e shkrimtarëve të rinj. Gjithashtu thuhet se tani më nuk ka fare kritikë letrare.Mendimi juaj ?

Enkelejda Kondi: Roli i kritikës, është të komentojë, pëlqejë, studiojë,vëzhgojë, evidentojë, dhe të gjykojë,gjykim intelektual duke marrë një pozicion të caktuar,duke nxjerrë në pah vlerat artistike, por dhe dobësitë, mangësitë, prurjet e reja në letërsi, të evidentojë dhe afirmojë talentet. Sot në letërsinë shqipe, ka një vërshim botimesh, shtëpi botimesh, etj etj. Personalisht nuk kam asgjë kundër, sepse nuk dua as vetë të bëj punën e kritikut, kur misioni im është të shkruaj dhe se kam as të drejtën të përzgjedh apo të ndal vrullin e atyre që kanë dëshirë të finalizojnë punën e tyre krijuese me botimin eventual të një libri. Por mendoj, se kritika letrare në Shqipëri tashmë nuk ekziston fare, përveç se disa shkrime që ju bëjmë disa njerëzve nëpër gazeta sepse janë miq të këtij apo atij klani, ju japim edhe ndonjë çmim e fletë lavdërimi, i bëjmë dhe një hyrje libri ku e ngremë në qiell krijimtarinë e këtij apo atij personi dhe kaq. A ekziston sot lidhja e shkrimtarëve si dikur ?! Nuk e di ndosha gabohem, sepse jam dhe larg dhe nuk kam informacione, kontakte të tilla, por nuk kam dëgjuar sot të ketë vërtet një lidhje shkrimtarësh.Mendoj se sot në Shqipëri lëvron kritika spontane, pra shkëmbime mendimesh midis krijuesish, ose njohës të mirë të letërsisë që shkruajnë me inisiativën e tyre për libra që kanë lexuar, ose mendime nga lexues të thjeshtë, kjo sjell për mendimin tim dhe polemika, apo morri mendimesh personale mbi x apo y autor apo vepër.

“Zhurnal Plus”: “Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është hëpërhë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije, do të thotë se nuk je i zoti për letërsi” thoshte dikur Mitrush Kuteli. Si është gjendja tani?

Enkelejda Kondi: Kur botova vëllimin tim të parë me poezi, trokita e ndrojtur në portën e këtij auditori të madh krijuesish, që me dyshim më hapën portën. Me vëllimin e parë, mbeta në këmbë përballë tyre. Me vëllimin e dytë, më bënë një vend të vockël fare diku në një qoshe. Me vëllimin e tretë, shumë miq krijues me dashamirësi më uruan e inkurajuan, kuptuan se çfarë kërkonte Enkelejda, e cila shkruan me sinqeritet e zemër, as për çmime e tituj, vetëm për kënqësinë e saj e të lexuesit. Kështu që disa më thanë zemrën plot, mirë se erdhe, e më mbajnë pranë, dhe pse larg, më inkurajojnë e më thonë gojë e shpirt plot vazhdo të shkruash Enkelejdë, ndërsa disa më shohin vëngër sikur të ishim në një kompeticion dhe unë kam marrë vendin e dikujt. Pra dal tek thënia e të madhit Mitrush Kuteli, por dhe tek një intervistë e Kadaresë kur thotë se njerëzit e tempullit duhet të jenë bashkë.

“Zhurnal plus”: Jetoni në France. A ka ndikuar kjo lëvizje gjeografike në krijimtarinë tuaj? Si e shikon letërsinë shqiptare në raport me atë franceze?

Enkelejda Kondi : Sigurisht që largësia tek unë ka ndikuar shumë në krijimet e mija. Malli i cili evidentohet më shumë, dhe unë shpesh e kam thënë: Zoti më më bekoi a mallkoi me mall…Linjat ajrore(shpesh kam shkruar dhe sipër resh në avion), aeroportet, përqafimet, gëzimet, pritjet, malli, ndarjet, ankthi,kanë ndikuar tek unë dhe sigurisht kjo gjë ndihet dhe në krijimet e mija. Nuk mund të bëj dallime midis dy letërsive, sepse dhe realiteti që përjetojnë të dy vëndet nuk është i njëjtë. Por për lirikat, të cilat unë shkruaj, i gjej kaq bukur dhe tek letërsia jonë sa dhe tek letërsia franceze, dashuria është gjuhë universale, ajo s’njeh kufij.

“Zhurnal Plus”: Leximi është art më vete. Sa gjen kohë për të lexuar? Si furnizohesh me libra?

Enkelejda Kondi: Unë qysh e vogël lexoja shumë, në qytetitn tim të lindjes, Maliq, ka patur një bibliotekë mjaft të pasur ku unë lexoja shumë. Këtë dashuri për librin, kam dashur t’ja u skalit dhe fëmijëve të mij dhe besoj se ja kam arritur sidomos me djalin tim 17 vjeçar. Kohën e lirë e kam mjaft të kufizuar, sepse përveç përkushtimit profesional, në Francë, kam dhe angazhime të tjera personale, tek të cilat unë investoj jo pak. Por gjithsesi unë gjej gjithnjë kohën dhe asgjë nuk mundet të më privojë nga kënaqësia që më fal shfletimi i një libri.Librat ose i porosit në internet, ose shkoj në Mediatekën e qytetit, ose blej në librari kur kam kohë në shëtitje fundjavës.

“Zhurnal Plus”: Jetoni ne France dhe publikimet i bëni ne Shqipëri.Si jane raportet e poetes me botuesit,me lexuesin, shtypin,kritikën?

Enkelejda Kondi: Nga tre botimet që kam bërë në Shqipëri, përvoja më ka mësuar shumë gjëra që nuk i dija. Disa prej tyre, kanë qënë eksperienca të hidhura, por tashmë kam mësuar se s’qenkam e vetme, paska dhe shumë të tjerë si unë, të cilët, preferojnë të heshtin, ndërsa unë ngrita zërin.
Kam botuar dhe përsêri do të botoj vëllimin e katërt në Shqipëri,së shpejti, mendoj deri nga pranvera, dhe do bashkëpunoj vërtet me shtëpi botuese serioze. Me lexuesin, më intereson më shumë, reagimi i tyre nëpërmjet internetit dhe në vizitat e mia në atdhe janë shumë të ngrohta, inkurajuese, ju jam mirënjohëse.

“Zhurnal Plus”: “Zhurnal plus”: Një poete në diasporë sa është e lidhur me vendlindjen dhe atdheun dhe si i mban dhe i zhvillon këto lidhje?

Enkelejda Kondi: Po bëj 14 vjet që jetoj e punoj në France, por asnjëherë s’i kam shkëputur lidhjet me atdheun. Jam kthyer aty shpesh, për promovime librash, takime me miq, njerëz të artit e letërsisë, prindërve, miqve që më njohin qysh herët. Më vjen keq që në shumë aktivitete të zhvilluara në kuadrin e letërsisë dhe kulturës, nuk mundem t’ju përgjigjem ftesave që më dërgohen me mirësjellje, por i ndjek nëpërmjet internetit, dhe së afërmi do të dëshiroja të isha në disa prej tyre më e pranishme.

(Intervistoi: E.Neziri)

Intervistë ekskluzive për “Zhurnal plus” me Shkëndije Mujaj



“Zhurnal plus”: Çdo dite fotografitë tuaja janë të pranishme nëpër gazeta, revista dhe portale duke u kombinuar me ndonjë deklaratë tënden dhe duke e komentuar në variante të ndryshme. Te shqiptarët më shumë komentohen të pasmet e tua të ububushme sesa muzika që krijoni. Si do ta komentonit këtë gjë?

Mujaj: Unë personalisht mendoj se kur dikush posedon diçka të veçantë,p.sh. zërin e bukur, artin shpirtëror akoma jo shumë të konsumuar, dukje shumë femërore me vija të theksuara, rrethi fillon dhe xhelozon sa që mund të shpërthejë në forma të ndryshme duke bërë ca intriga ,disa histori të rrejshme, të gjitha këto bëhen me një qellim: për t`i ikur të vërtetës që dikush përveç pamjes posedon edhe cilësi të tjera dhe ka arritur me muzikën e saj të imponohet në arenën muzikore ndërkombëtare, gjë që është cekur vetëm një herë në media, dhe tjetra është se unë çdo gjë e kam arritur vetë dhe jam shumë krenare që nuk kam nevojë ta falënderoj askënd përveç Zotit.

“Zhurnal plus”: Do të donit që të njiheshit më shumë si këngëtare, apo se seks simbol?

Mujaj: Për t’u njohur si seks simbol nuk duhet të bësh asgjë, faktikisht lind si e tillë, dhe jam përpjekur ta mënjanoj këtë imazh deri vonë! Po, pasi arti ka lindur me mua dhe posedoj zërin, për mua është më mirë të më dëgjojnë...

“Zhurnal plus”: Emri juaj artistik me të cilin prezantoheni në qarqet e huaja artistike është Dyana Dyà. Pra, çfarë synimesh ka Shkëndije Mujaj dhe çfarë Dyana Dyà?

Mujaj: Shkëndije është emri im privat që u mundova ta ruaj, po ishte shumë vonë,sepse në Kosovë vetëm sa e kisha hedhur në treg një album shqip që titullohej ‘Plus Minus’ .... Kurse po të më kërkoni me emrin tim artistik, Dyana Dyà, vetëm ne Amazon do t`ju dalin mbi 70 rezultate të këngëve të mia.

“Zhurnal plus”: Në Facebook janë mbi 70 profile dhe faqe me emrin tënd. Ju gëzon apo ju nervozon ky fakt dhe a do të donit që të gjithë fansat tuaj të përqendrohen në një faqe që do ta kontrollonit ju.

Mujaj: Unë më herët nuk kam pasur ndonjë profil apo ndonjë faqe në Facebook. Kur shkova në Dubai të gjithë më pyesnin për fan-pagen në Facebook, sepse numrin e celularit nuk e jepja. U detyrova të hap edhe unë një profil ku i vura edhe fotografitë e mia që i kisha bërë në Dubai. Dikush që jetonte në Itali hapi një faqe me emrin tim dhe më bëri edhe mua administratore. Vërshuan miqtë në profilin tim dhe fansat te faqja. Por, papritmas ajo faqe, që tani ka mbi 50 mijë fansa, u rrëmbye nga hakerat dhe më nuk kam qasje në të. Dyshoj se menaxhohet pa lejen time nga Shoëbizi Shqiptar. Pastaj edhe një profil privat m`u rrëmbye dhe m`u bënë publike fotografitë private. Kështu më doli situate nga kontrolli dhe më është dashur të plotësoj çdo ditë formularë për të raportuar faqet dhe profilet falso me emrin tim, po seriozisht edhe me këtë gjë u lodha.

“Zhurnal plus”: Babain e keni doktor shkencash dhe autor librash. Sa e lidhur jeni me familjen dhe sa janë të kënaqur ata me ju?

Mujaj: Jam aq shumë krenare me babin tim dhe këshillat e tij më kanë ndihmuar shumë në jetë. Ndoshta kam qarë fshehurazi kur ma ka ndaluar ndonjë gjë, po tani jam krenare që kam dëgjuar fjalët e tij dhe e falënderoj shumë. Sa krenohen me mua duhet t`i pyesni ata, kurse unë jam e gatshme të bëj çdo sakrificë për ta.

“Zhurnal plus”: Si ishte për ju viti 2012 dhe si mendon se mund të jetë 2013 -ta. Kur do mund t`u shohim në ndonjë koncert apo mbrëmje në Shkup, Tetovë etj?

Mujaj: Po kam dëshirë një ditë të vij në Shkup, edhe Tetovë, pse jo? Kurse, viti ishte ashtu siç e ka shkruar Zoti , dhe nuk ka mundësi të jetë ndryshe. Falënderoj Zotin për gjitha të mirat. Njëkohësisht kërkoj mëshirë për gjithë njerëzimin gjithmonë tek Zoti për gabimet tona që i bëjmë, me vetëdije apo pa vetëdije. Po ashtu edhe gjatë vitit shpresoj të bëjmë vepra edhe më të mira që të fitojmë kënaqësinë e Zotit e për të tjerat nuk mendoj fare, sepse unë jam e bindur që ne bëjmë plane dhe kaderi qesh me ne dhe vazhdon punën, prandaj thashë inshallah me kënaqësinë dhe me vullnetin e tij arrijmë ato çka ne na duken të mira.

“Zhurnal plus”: Çdo ditë del ndonjë thashetheme për ju, si për të gjithë Vipat. Si ndjehesh kur lexon gjëra të pavërteta?

Mujaj: Unë gji­th­monë i jam ­mbë­shtetur Zotit, sepse ai është i pa të meta dhe ia din nijetin secilit, ndërsa ne jemi robër që gabojmë çdo ditë. Shpifja është shumë gjë e keqe tek Zoti, kështu që ata që trillojnë e din edhe për çfarë arsye e bëjnë këtë gjë dhe sipas atij nijeti do ta paguajnë dënimin.

“Zhurnal plus”: Zhaku paralajmëron botimin e një libri ku flet për shumë gjëra që kanë ndodhur në Vip Shpija… por edhe për thashetheme të Albana Osmanit në hotel për Shkëndije Mujajn, për lidhjet e saj me sheikë, dhe trajtimin si lodër seksi të këngëtares nga producentët dhe drejtuesit e “VIP Shqipja”…Si do ta komentonit?

Mujaj: Unë nuk e kam lexuar librin dhe nuk di fare çka ka shkruar, kur ta lexoj do ta them mendimin tim. (Intervistoi E.Neziri)

"Pa diasporën Kosova do të ishte krejt ndryshe..."

Intervistë ekskluzive me Arta Kallaba, udhëheqëse për Kulturë dhe Arsim në Ministrinë e Diasporës së Kosovës, njëherit regjisore tashmë e njohur

Arta Kallaba - "Pa diasporën Kosova do të ishte krejt ndryshe..."

Tematika dhe shpirti burimor janë elementet mbi të cilat ngrihet zëri i shpirtit të krijuesit pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se çfarë gjuhe flet dhe sa i pasur është. Është damari i muzës që edhe natën nuk të lenë të qetë. Arti është sikur gjaku, që lëviz gjithnjë nëpër damar të ndryshëm të organizmit dhe në fund bënë rrugën e gjatë prej trurit, nëpër këmbë dhe kthehet në zemër. Në një kohë që po e jetojmë kur bota është e fokusuar në problemet që janë gjithnjë më të ndjeshme si politika, ekonomia, apo vendet që ende nuk kanë një stabilitet, diku në secilin prej këtyre vendeve ka njerëz që mendojnë për artin dhe kulturën e mirëfilltë në përgjithësi…Dashamirë të artit të shpirtit të ëmbël dhe të fortë, përcjellin ritmin e zemrës së krijuesit, të kësaj kohe të akullt dhe kujtojnë e studiojnë për akuj me ritmin modern. Edhe pse jemi në kohë pushimesh dhe të stërngarkuar me punë, bashkëbiseduesja jonë, gjeti kohë për ti thënë ca fjalë për intervistën tonë, duke e mos anashkaluar asnjë pyetje. Ajo, për nga natyra është e qeshur dhe thënë shkurt e shqip, pozitive, sepse asnjëherë nuk mundesh ta shohësh të mërrolur, por e angazhuar dhe duke gjetur grimca kohe për të shërbyer aty ku ka nevojë, si në art, por edhe në Ministrinë e Diasporës, në një sektor, të rëndësishëm për mërgatën tonë, por gjithnjë krenare, se po bashkëpunon me një ekip të shkëlqyer, ekip që është profesional dhe gjithnjë i gjen duke punuar, qoftë e shtune apo e diele, orar pas orari. Me pak fjalë, nuk mundemi të përshkruajmë parabisedën tonë me Arta Kallaba, një personalitet i njohur për të gjithë lexuesit tanë. Por, më mirë, e më origjinale, po e lëmë në tërësi intervistën, për të kuptuar më shumë ca gjër interesante nga Arta, e cila nuk i ka thënë më herët. Shpresoj shumë, se do ta rikujtojmë, se aty ku ka vullnet dhe profesionalizëm, nuk ka pengesa koha e pakohë, koha e tranzicionit.

E nderuara zonjusha Kallaba, fillimisht, ju falënderoj që keni ndarë kohë për këtë bashkëbisedim. E kuptoj, se jemi në kohën e pushimeve verore, po një e kam të sigurt, se artisti nuk pushon, sepse me te është frymëzimi gjithnjë, edhe atëherë kur dielli lëshon rrezet e saja mbi një mal të ftoftë, edhe atëherë, kur valët e detit sjellin freski te pushuesit, por edhe atëherë, kur zogjtë cicërojnë dhe kërkojnë një pikë uji për freskim. Besoj, se edhe artisti, gjithnjë kërkon freski frymëzimi për të sjellë risi tek opinioni, atë që është origjinale. Kështu që nuk kam gabuar në gjykimin tim, Arta edhe pse është pushime, ajo po gjen kohë për këtë bashkëbisedim. Të faleminderit paraprakisht. Lexuesit tanë ju njohin, se kush është Arta, që në moshën 8-vjeçare keni filluar me studimin e violinës, në shkollën e ulët të muzikës, duke kënduar nëpër shumë festivale të fëmijëve, këngët të cilat ti ka kompozuar babai. Më vonë keni ndjekur edhe katër vite solo-këndimin dhe përfundimisht keni vendosur të thellohem në një drejtim tjetër të artit dhe regjia ishte ajo që të okupoi menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme, duke e ditur se në këtë drejtim do të mund të kontaktosh me të gjitha artet.

Keni diplomuar me shfaqjen “Guxim për Vrasje” të autorit Lars Noren. Por, ne do të bashkëbisedojmë në shumë tema, që të mos jenë intervistat e njëjta me ato që i keni dhënë, pra të mësojmë diçka më shumë nga Ti. Na thoni drejt, i ke thënë vetes, pse u bëra regjisore?

Arta Kallaba: Fillimisht Ju faleminderit shumë, që më keni zgjedhur mua për të bashkëbiseduar. Po ju them të drejtën, që gjate studimeve për regji, gjatë kohës së përgatitjes së shfaqjeve teatrale, me të cilat i kemi dhënë edhe provimet, kemi pasur shumë vështirësi, pasi që dihen kushtet e Fakultetit të Arteve në Kosovë, janë me mundësi të vogla, nuk ka salla për prova, e shumë elemente të tjera, unë shpesh here kam thënë me vete, pse e zgjodha këtë profesion kaq të vështirë kur jetoj në Kosovë, ky nuk është profesion për kushtet e Kosovës?Kështu thoja, kur vija në ndonjë situatë të vështirë gjatë punës, e përndryshe, ky është profesion, që e kam zgjedhur me dëshirë dhe pasion dhe asnjëherë nuk mendoj, se kam gabuar.



A mendoni, se sikur të ishe këngëtare, do të kishe suksese më shumë?

Arta Kallaba: Absolutisht JO. E them me shumë bindje këtë me një JO, të madhe, sepse nuk është sukses, nëse flitet shumë nëpër media për mua dhe unë këndoj këngë të vjedhura dhe zëri im nuk është i imi, por në studio i rregulluar, se e dimë tani, ne të gjithë, që diku, diku, kënga, në ditët e sotme, ka marrë një kahje krejt tjetër dhe aty nuk ka vlerë, është bërë komerciale dhe mund ta them, pa më keqkuptuar këngëtarët/et, e mirëfilltë, se sot, disa që merren me muzikë, muzika e tyre shikohet e nuk dëgjohet. Sikur të ishte koha kur këngëtarët janë vlerësuar në bazë të vokalit, do të ishte ndryshe, por tani nuk është më ajo kohë, sot shumë këngëtare vlerësohen në bazë të pamjes fizike dhe klipit të bukur. Ndjehem me fat, që merrem me një profesion, ku fare nuk dukem, por puna vije në shprehje.



Ta bëra këtë pyetje, se shumë mendojnë, se sot, për të qenë e suksesshme, duhesh të jesh e bukur apo i bukur dhe të gjesh një melodi turbo…, e pak ka rëndësi se çka këndohet, me rëndësi të dukesh bukur.

Arta Kallaba: Keni plotësisht të drejt, sepse këtë mendim e kanë edhe shumë të tjerë. Por, duhet kuptuar, se jemi në kohë tranzicioni dhe nuk do shumë koment. E mira e të mirës është, se kemi pasur e kemi këngëtarë e këngëtare shumë profesionale.



Si e sheh këtë kohë tranzicioni, ku edhe kultura po ngulfatet nga paraziti i kësaj kohe të pakohë?

Arta Kallaba: Kësaj pyetjeje, do ti përgjigjem shumë shkurt, vërtet, na ka lodhur.

A është edhe bukuria në pyetje sot tek ne, që të jesh e suksesshme në skenë?



Arta Kallaba: Mirë e the këtë 'tek ne', ku po e shohim, se ne në shumë raste, përparësi i japim pamjes së jashtme, edhe pse, mendoj, se është gabim njeriu të vlerësohet nga pamja fizike, sepse ajo nuk ka të bëjë asgjë me talent. Mund të jesh e bukur, por jo edhe e suksesshme në profesion që nuk je profesional. Prapë, po e them, se tek profesioni im kjo nuk ka rëndësi fare, duke e ditur, se ne regjisorët nuk dukemi në skenë, por duket puna jonë.

Suksesi dhe paraja?

Arta Kallaba: Gjatë përvojës time në këtë profesion, kam korrur suksese, por jo që kam fituar shumë para nga ky profesion dhe ta them shumë sinqerisht, se nuk e kam shikuar paranë para profesionit tim, se nuk është gjithçka paraja.



Bënë një regji për hir të anës jo verbale, pra asaj shpirtërores, asaj, që nuk të len rehat në zemër, apo për të arritur ndonjë honorarë të mirë?



Arta Kallaba: Asnjëherë, deri më tani, nuk ka punuar diçka, që nuk më pëlqen. Jam munduar gjithmonë të bëj atë që nuk më le rehat në zemër që më fle në shpirt dhe kjo besoj ka reflektuar mandej edhe tek publiku, i cili e ka vlerësuar pozitivisht punën time, kjo është mbi të gjitha, kur pëlqehet puna nga publiku.

Arti në krizë?

Arta Kallaba: Fatkeqësisht Po. Mund të them, se tek ne, ndoshta është edhe pika e fundit e diskutimit të këtij problemi, por jam optimiste, se do të vija dita, që arti të vlerësohet.



Ku e gjen frymëzimin për të realizuar një pjesë artistike?

Arta Kallaba: Gjatë leximit të ndonjë romani, drame, apo çfarëdo vepre tjetër letrare. Marrë një frymëzim për të krijuar diçka dhe nga ato, që lexoj apo edhe kur shoh ndonjë film, apo edhe ngjarje interesante në jetë, frymëzohem të bëj diçka lidhur me atë problem, duke menduar, se do ta ketë një efekt dhe mesazh të mirë në opinion. 



Cili është bashkëpunimi me artistët?

Arta Kallaba: Kam një bashkëpunim shumë të mirë, por edhe privatisht, me të gjithë kam raporte të mira. 


"Artisti, nuk rrinë rehat"

Keni pengesa me artistët, se ndoshta, nuk kanë edhe vullnet sa duhet, e para, mungojnë honorarët e merituara e pastaj kushtet e publiku?

Arta Kallaba: Shpesh here kam një ide të mirë të realizoj një shfaqje dhe kushtet janë minimale për punë, ndjehem keq ta ftoj një aktor të jetë pjesë e projektit tim, nëse nuk i plotësoj atij/asaj, kushte të mira financiare për të punuar. Kjo po më ndodh kohëve të fundit, (që nuk jam duke punuar asgjë në profesion ) edhe pse, ndoshta kolegët do ta pranonin edhe me pak honorar të luajnë, por vete si artiste e kuptoj, çka do të thotë të japësh shpirtin për publikun gjatë kohës kur je në skenë dhe e kam shumë të vështirë të kërkoj një gjë të tillë nga ata kur nuk ua jap çmimin e merituar. Më mirë do të rri pa punuar një kohë të gjatë, se sa ti hy në hak dikujt. Por, artisti, nuk rrinë rehat, ai gjatë tërë kohës, krijon, por do të vije dita, që do të dalin në pah projektet. E thash këtë, sepse vërtet është kjo gjendje dhe nuk mundemi ta fshehim apo të heshtim para një realiteti. 



Ta relaksojmë bashkëbisedimin, sepse që në fillim filluam me ca pyetje, jo të stilit tim, por për hir të lexuesit. Sepse, e mira e të mirës është, që të filloshim bisedën më lirshëm, por ne filluam menjëherë, me atë profesionalen. Atëherë, na tregoni Arta, se kur keni pasur një intervistë për ndonjë medium, i ke thënë vetes, pse nuk e thash edhe këtë fjalë.. E cila është ajo fjalë, nëse kemi nderin për të na treguar?

Arta Kallaba: Shpesh here gazetarët më kanë bërë pyetjen 'si u bë të punosh në Ministri, e që ato janë politike, kur e dimë se ju jeni artiste dhe gjithashtu, jeni familje artistësh' unë gjithmonë e kam thënë, që' unë edhe në ministri punoj si udhëheqëse për kulturë dhe nuk kam ikur larg nga profesioni, aty jam apolitike', por sa kam dalur nga studio, kam thënë me vete 'po pse unë asnjëherë nuk e përmenda gjyshin tim, (që ndoshta kam trashëguar edhe diçka politike)' ( babai i nënës), i cili në vitin 1957 ka qenë kryetar i Gjilanit me rrethinë, si dhe deputet i Kuvendit të Kosovës në vitin1976-80. Këtë nuk e kam përmendur asnjëher dhe më vjen shumë mirë, që më dhat rastin të gjurmoj në kujtesën time, se çka nuk e kam thënë asnjëhere për publikun dhe që tani kam nderin ta tregoj.



Nuk e besoj, se do të marrë përgjigjen, është private, pse po më pyet, por ndale për një sekondë veten dhe pyete unin tuaj, i ka trokitur në zemër princi i ëndërrave?

Arta Kallaba: Fatmirësisht PO. 



Po në shpirt i ka përshpërit?

Arta Kallaba: Fillimisht më përshpëriti, pastaj trokiti në zemer, e në fund më mori të tërën.

Sipas jush, cili është dallimi nëmes dashurisë së zemrës dhe shpirtit?

Arta Kallaba: Kanë të përbashkëta, pasi që asnjëra nuk të le të mendosh.

Tek i dashuri, ku e gjen shpirtin e dashurisë?

Arta Kallaba: Tek dashuria e madhe tij për mua.



Nëse të thotë i dashuri më puth, atëherë, do ia puthësh sytë, buzët apo ballin?

Arta Kallaba: Nëse jemi zënë diçka dhe kërkon nga unë ta puthë, e puthi në faqe, përndryshe gjithmonë në buzë.

Çka ju bezdis më së shumti?

Arta Kallaba: Në jetë më bezdis padrejtësia.

Si duket e pëlqeni ngjyrën e gjelbërt, nëse Po, pse e nëse Jo, cila është ngjyra juaj e preferuar?

Arta Kallaba: E paskeni vërejtur, me të drejtë e keni, ngjyrën e gjelbërt e dua shumë, ndoshta pse sytë i kam të gjelbërt ( haha), por edhe është ngjyrë me sa e di unë që syri i njeriut më së shumti pushon në të. 



E njeh gjuhën e ngjyrave, fjala bie, gjatë pranverës shkon ngjyra…., gjatë verës, vjeshtës, e dimrit?

Arta Kallaba: Deri diku e njoh gjuhën e ngjyrave, me sa unë e kam kuptuar ngjyrat janë me stinë, ashtu siç vet zoti e ka krijuar natyrën gjatë stinëve, me ato ngjyra, që veshet natyra dhe lulet gjatë stinëve ato mendoj, se janë ngjyrat e atyre stinëve.

Keni shetitur nëpër shumë shtete të europës dhe botës, ku më me dëshirë do të kishe jetuar?

Arta Kallaba: Mua më pëlqejnë vendet ku ka bregdet dhe gjelbërim, vendet relaksuese kryesisht i dua, ku ka pak njerëz dhe më shumë qetësi.



I kishe thënë lamtumirë Kosovës për një shtet perëndimorë?

Arta Kallaba: Kosovës lamtumirë, nuk do ti them kurrë, e mirupafshim po, sepse profesioni është i tillë, që shetit nëpër botë, por asnjëherë për të mos e harruar Kosovën.

Jeni udhëheqëse për Kulturë dhe Arsim në Ministrinë e Diasporës. Si ju shkojnë punët?

Arta Kallaba: Tani 7 vite punoj në këtë divizion, punët ecin shumë mirë, duke i patur parasysh rrethanat dhe kushtet e shtetit të Kosovës, ne mundohemi të bëjmë më të mirën, duke mos e kursyer energjinë dhe kapacitetin tonë profesional.
"Shpesh here e kam pa edhe në pozitën e zyrtarit më të ulët në ministri, duke kryer ndonjë punë e cila nuk i ka takuar fare atij, por ai aq modest që është, asnjëhere nuk ka hezituar të bëj ndonjë punë, e cila do ti shërbej ndonjë pjesëtari të diasporës".

Ju marrim lakmi, që bashkëpunoni me Ministrin e Diasporës z.Ibrahim Makolli, sepse është shumë i hapur dhe punëtorë i madh. Tash, më jemi mu në kohën e stërngarkuar në Ministrinë e Diasporës, kur dihet, se shumica e mërgimtarëve janë në Kosovë, por e dimë, sepse ju kemi përcjellur, gjatë tërë vitit, kjo Ministri, ka pasur punë maratonike nëpër diasporë. Na thoni, jeni e lodhur, me gjithë këto angazhime, herë në profesionin tuaj, e herë në Ministri edhe pse jeni e drejtuar në fushën e profesionit tuaj?

Arta Kallaba: Kam kënaqësi, që më erdhi rasti publikisht ta them, ndjehem mirë që pata mundësi ta takoj, së pari një njeri shumë të mirë, një ministër shumë profesional në të gjitha dimensionet që ai drejton, si dhe një punëtor të palodhshëm, si z.Ibrahim Makolli. Unë të them të drejtën, jam sa e kënaqur aq edhe e befasuar me energjinë e tij për punë, si dhe me dëshirën e vullnetin, që ka për ta ndihmuar diasporën tonë shqiptare. Shpesh here e kam pa edhe në pozitën e zyrtarit më të ulët në ministri, duke kryer ndonjë punë e cila nuk i ka takuar fare atij, por ai aq modest që është, asnjëherë nuk ka hezituar të bëj ndonjë punë, e cila do ti shërbej ndonjë pjesëtari të diasporës. Vërtet është njeri për shembull. Puna në ministri tani më është bërë gati e pandashme me profesionin tim, pasi që edhe lidhen pak njëra me tjetrën, fusha e kulturës. Energjinë time e kam drejtuar më shumë në këtë drejtim, se kërkesat nga diaspora janë shumë të mëdha dhe me dëshirë të madhe duam t'ju ndihmojmë bashkatdhetarëve tanë. Pa diasporën Kosova, do të ishte krejt ndryshe, sepse kjo diasporë, ka dhënë shumë, nëpër kohëra të ndryshme, që ka përjetuar atdheu ynë dhe ajo nuk di të ndalet edhe sot e kësaj dite.



Gjatë kësaj kohe, sa jeni në këtë pozitë në Ministrinë e Diasporës, si regjisore profesioniste, keni pasur ndonjë projekt apo shfaqje në diasporë?

Arta Kallaba: Ne kemi planin e punës për çdo vit si ministri, ku projektet i kemi të planifikuara dhe po e përmend një nga projektet që realizohet në diasporë çdo vit, është "Ditët e Kulturës tonë në Diasporë" dhe aty prezantojmë të gjitha artet, si muzikë, teatër, film, poezi, etj. Kurse projektet e mia, shfaqje teatrale, përmes ministrisë nuk kam prezantuar asnjëherë jashtë, se mandej, do të tingëllojë ndryshe, është konflikt i interesave, se unë punoj aty dhe nuk mund ta shfrytëzoj për çështje të mia private. Shfaqje të kolegëve i kemi prezantuar jashtë dhe janë mirëpritur nga diaspora jonë shqiptare.



Ku është arti i mërgimtarëve të diasporës?

Arta Kallaba: Në diasporën tonë kemi shumë mërgimtarë, që janë artistë të shquar, që i njeh e gjithë bota, por problemi kryesor është mos bashkëpunimi i disave me vendin, ku fajtorë nuk janë, as ata, po as shteti jonë. Ne si ministri, jemi duke punuar në ate drejtim, që të lidhim ura bashkëpunimi me ta ku me disa kemi arritur kontakte dhe bashkëpunim të mirë, por duhet të vazhdojmë edhe më tutje.



Në cilin shtet të europës apo botës sipas jush, punohet më shumë në drejtim të artit e kulturës sonë kombëtare?

Arta Kallaba: Në çdo shtet, ku ka mërgatë shqiptare, është punuar dhe punohet me ato mundësi që kanë pasur. Por, shikuar realisht, në Amerikë, ka më shumë artistë që janë të njohur botërisht, e këtu nuk duhet përjashtuar edhe pjesën tjetër të mërgatës pra në europë.

Në Kosovë kemi rastësis disa herë, që thojnë për ne mërgimtarët, Ata dhe ne këndej, themi për Ju Ata. Mendoni, se po bëhet një ndarje?

Arta Kallaba: Nuk mendoj, se është nga mos respekti apo edhe që i mendojmë të largët. Të gjithë e dimë, se çdo familje në Kosovë ka së paku një anëtarë të familjes në diasporë dhe pa diasporën Kosova do të ishte shumë, shumë më e varfër, se sa që është, dhe pa ata familjet në Kosovë, do ta kishin shumë të vështirë të mbijetojnë. Të mos harrojmë kontributin e madh që e kanë dhënë dhe që po e japin pa u ndalur për të mirën e atdheut.



Të ka shkuar mendja, apo keni ndonjë projekt, për të realizuar për diasporën shqiptare, kur dihet, se ka plot tema, që besoj, se po të realizohej, do të mirëpritej mirë?

Arta Kallaba: Po. Idea ime gjithmonë ka qenë që të realizoj një projekt për ta, ndoshta fillimisht, duke u nisur nga individ të arritur në diasporë, e më pas, duke u zgjeruar, edhe pse jemi duke punuar në atë drejtim ne si ministri, por këtë e kam menduar edhe privatisht, si regjisore të realizoj diçka për ta. Besoj, se shumë shpejt, do të ndodh kjo.

Gjumi të merr shpejt apo lufton me te?

Arta Kallaba: Sa të më prek koka në jastëk më ze gjumi.



Ta bëra këtë pyetje, sepse dukesh e palodhur, edhe pse ke shumë punë. Na trego, ku e ke gjetur çelësin e mos lodhjes?

Arta Kallaba: Për këtë gjë ma marrin lakmi shume miq, dhe më bëjnë po këtë pyetje, se ku e marrë të gjithë këtë energji. Unë të gjitha punët i marrë më pozitivitet dhe kënaqësi. Mendimi im pozitiv për punën më bën të mos lodhem. Vërtet, se nuk di të ndalem së punuari dhe jam e mësuar të jem gjithmonë aktive, nëse ndonjë dite nuk kam shumë punë, unë i nxjerr punë vetes. 



Jeni e buzëqeshur nga natyra, por e mbani mend, kur jeni hidhëruar më së shumti?

Arta Kallaba: Vështirë mund të më bëje ndokush të hidhërohem, ndoshta mund të më bëje të ndjej keqardhje për nivelin e tij apo asaj, por jo të më hidhëroj, gjithmonë ata/o, i arsyetoj, duke menduar, se ata nuk kanë faj, aq dinë. Nuk mbaj në mend ndonjë hidhërim. 



Do na interesonte një përgjigje, mirë thot, populli ku dhemb dhëmbi aty shkon edhe gjuha, bashkëpunoni me aktorë e regjisorë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit?

Arta Kallaba: Kjo temë është për ta shtjelluar të gjithë shqiptarët kudo që jemi, por në këtë rast unë si regjisore po flas, bashkëpunoj me ta, edhe kolegun e studimeve e kam nga Presheva dhe gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të mirë gjatë procesit të punës, në shfaqje dhe në rastin tjetër si udhëheqëse për kulturë në ministri, gjatë Ditëve të diasporës", kam marrë ansamble të këngëve dhe valleve nga Medvegja, si dhe projektet të cilat kanë pasur lidhje me këto vende i kemi përkrahur zakonisht. 



Këto treva shqiptare sipas jush, si munden të jenë më afër me artin e pandarë të Kosovës?

Arta Kallaba: Duke i angazhuar artistët e këtyre trevave në projektet të cilat realizohen në Kosovë, si dhe anasjelltas, është mundësia më e mirë të jenë më afër mes vete, gjithashtu edhe punët e tyre artistike të prezantohen në Kosovë, si dhe nga kosovarët në trevat e lartpërmendura.

"Një artistit të ri duhet ti jepet përkrahje maksimale" Sigurisht, se kemi edhe për shumë tema të tjera të bashkëbisedojmë, por duhet pasur parasysh mundësinë e publikimit. A ka konflikt gjeneratash në Kosovë, fjala bie, një regjisorë i vjetër nuk i jep hapësirë një të riut, e kështu me radhë?

Arta Kallaba: Shpesh here e kemi vërejtur këtë fenomen, por nuk mendoj, se është faji i një regjisori, por atij, që i jep hapësirë vetëm gjeneratës së vjetër, duke u nisur nga përkrahja institucionale e deri te ajo individuale. Një artistit të ri duhet ti jepet përkrahje maksimale, se po e dëshpërove qysh në fillim të karrierës ai apo ajo demotivohet, atëherë është i panevojshëm edhe shkollimi i tyre, dhe bëhet një shembull i keq për pasardhësit (artistët e ardhshëm), ata të cilët duan të merren me këtë profesion.



Në çdo profesion, po dukej, se është bërë një treg me lloj lloj produktesh, e ku vlera, pak po shihej, apo nuk po i jepet çmimi i duhur. Ku është faji sipas jush, që vlera nuk po vlerësohet sa duhet?

Arta Kallaba: Përderisa gjithkush është bërë vlerësues i Artit, kuptohet, se vlera nuk duket asnjëherë, sepse kemi pak nga ata që dinë të vlerësojnë, ose atyre nuk po u jepet hapësira e duhur dhe sot një ekonomist apo jurist del dhe e vlerëson një projekt artistik (një artist i vërtet rri në shtëpi dhe nuk i jepet hapësirë) mendo, se çka do të pritet prej atij projekti!!? 

"Suksesi më i madh deri më sot është, që e kam ruajtur shpirtin tim artistik, nuk e kam shitur asnjëher dhe kam mbetur Arta…"

Cili është suksesi juaj më i madh deri më sot?

Arta Kallaba: Suksesi më i madh deri më sot është, që e kam ruajtur shpirtin tim artistik, nuk e kam shitur asnjëherë dhe kam mbetur Arta, ajo qysh jam edukuar nga prindërit e mij e jo nga klanet e njerëzve për interesat e tyre personale. 



Nëpër mediat tona televizive, pak jepen ose hiq, ndonjë pjesë tetrale ose film me regjisorë shqiptarë, por më shumë jepen të huaj e seriale spanjolle, italiane etj, etj, a është edhe ky një grusht i rëndë për kulturën shqiptare?

Arta Kallaba: Grushti më i madh, që i është dhënë kulturës tonë sidomos pas luftës janë këto serialet turke, spanjolle etj, të cilat, jo vetëm që i kanë dhënë një grusht të rëndë kulturës tonë, por edhe kanë ndikuar shumë negativisht në personat, sidomos të cilët janë të papunë dhe i përcjellin pa ndalur ato, thjesht degjenerojnë kulturën së pari familjare, e pastaj shoqërore, etj.
Më mirë kishe vallëzuar nëpër shi, kishe fjetur në një çadër në mes mal, apo kishe lundruar me një barkë e vetme ku ka dallgë valësh?
Arta Kallaba: Më me kënaqësi do të vallëzoja në shi, ashtu siç shpesh edhe veproj. ( Hahahaa)



Merresh me sport ?

Arta Kallaba: Jam marrë me sport më herët, një kohë edhe balet kam ushtruar, por tani jo, sporti i vetëm që e bëj nëse mund ta quaj sport është ecja.



Ju falënderojmë edhe njëherë e nderuar për kohën tuaj. Ju dëshirojmë shumë suksese, shpresojmë, se nuk do të ndalesh drejt sukseseve të tjera dhe njëherit, ju urojmë pushime të mbara edhe pse ja morëm bukur një kohë të gjatë, por ndoshta kemi bërë mirë, sepse ashtu, ashtu, është shumë nxeht. Mirupafshim.

Arta Kallaba: Edhe njëherë ju falënderoj shumë, që më përzgjodhët për të bashkëbiseduar dhe me pyetjet tua më dhatë mundësi të them shumë nga ato, që nuk i kam thënë deri tani publikisht. Ju përshëndes juve, lexuesit tuaj dhe gjithë mërgimtarët kudo që janë, e që tashmë janë në pushime. Suksese dhe mirupafshim. / Intervistoi: Dashnim Hebibi /

Triumfuese në çdo aspekt

Kishte probleme me ecjen por asgjë nuk e pengoj që synimet e saj ti realizonte me sukses. Që nga viti 2001 kur për here të parë shkel mbi skenën e teatrit të qytetit të Pejës, arti dhe bota mediatike bëhet pjesë e pandashme e saj. Filloi karrierën si aktore dramash për fëmijë, më pas vazhdoi punën si moderatore e aktiviteteve të ndryshme,deputete e Kuvendit të Rinjve, e së fundi e shohim dhe si modele.

Elvana Shala ekskluzivisht për “Zhurnal plus” rrëfen të kaluarën, njohjen me “heroin” që i ndryshoj jetën, dhe planet për të ardhmen.

Zhurnal plus: Elvana fillimisht ju përgëzojmë për të gjitha këto suksese që keni arritur deri më tani, edhe pse jeni vetëm 22 vjeçare jeta juaj është shëndrruar në një histori që ngjalli interesim jo vetëm në mediat vendore por edhe ato ndërkombëtare, na thoni si arritët deri këtu?

Elvana: Përvoja jetësore dhe problemi që kisha me ecjen më mësuan vetëm dy gjera: Të jesh e fort dhe të përballosh gjithçka ose të jesh i dobët dhe jetën ta gjuash ne humnere. Unë zgjodha këtë të parën. U bëra e forte dhe vendosa ti dal përballë secilës sfidë që jeta kishte filluar të ma dhuronte. Natyrisht nuk mungoi as përkrahja e familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtoreve tjerë.

Zhurnal plus: Të kesh probleme shëndetësore për dy dekada dhe ti hysh botes së artit është vërtet një guxim i madh. Si vendosët për ketë rrugë dhe cilat ishin pengesat që ju keni hasur në kohë?

Elvana: Edhe pse kisha probleme me ecjen për 20 vjet rresht, këtë nuk e kam pas kompleks, jetën e kam zhvilluar në mënyrë normale sikur gjithë të tjerët, andaj dashuria për artin dhe botën e medias në përgjithësi doli më triumfuese se sa problemi me ecjen, mirëpo natyrisht që edhe pengesat ishin prezentë aq më tepër kur në Kosovë paragjykimet janë çdoherë në rend të parë.

Zhurnal plus: Ajo që u përfol shumë kohët e fundit në media është suksesi juaj në dy operime heroike që juve ju ndryshuan stilin e jetës dhe veçanërisht mënyrën e ecjes në një përqindje të madhe për herë të parë pas 20 vitesh. Kush qëndron prapa këtij suksesi dhe cila ishte rruga që ju ndoqët, për këtë triumf?

Elvana: Është e vërtetë që në vitin 2010 i jam nënshtruar një operimi i cili rezultoi me një sukses të jashtëzakonshëm duke ma ndryshuar mënyrën e ecjes në një përqindje që askush nuk e priste. Pastaj vazhduam rrugën e nisur edhe me operimin e dyte që u realizua në vitin 2012, operime këto të kryera nga Dr. Florin Ramadani nga Kumanova por që jeton dhe vepron në Austri e që herë pas herë kryen vizita edhe në Kosovë përkatësisht në kliniken Euromed. Të dyja operimet janë financuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës derisa janë kryer në Wells të Austrisë.

Zhurnal plus: Në një prononcim televiziv dr. Florinin e quajtët “Hero” tuajin, e konsideroni vërtetë si të tillë?

Elvana: Pa diskutim! Ai është dhe do mbetet gjithmonë një “Hero” i pjesës sime më të rëndësishme jetësore.

Zhurnal plus: Do i nënshtroheni ndonjë operimi tjetër apo tash më ka përfunduar gjithçka?

Elvana: Ende nuk e di me qenë se ende jemi në pjesën rehabilituese post-operative nga operimi i dytë, është shume herët për të nxjerrë një konkluzë të saktë se a do kem nevojë edhe për ndonjë ndërhyrje tjetër apo jo? Natyrisht se për gjithçka do të njoftoheni me kohe.

Zhurnal plus: Krahas gjithë këtyre sukseseve, së fundi jeni bërë edhe imazhi kryesor i katalogut“ 100 vjet shtet shqiptar” të realizuar nga fotografi Franqesk Frokaj, e kujt ishte ideja për diçka të tillë edhe kush u kujdes për pamjen tuaj në këtë katalog?

Elvana: Ideja ishte e vet fotografit FranqeskFrokaj i cili është edhe realizatori kryesor i këtij katalogu. Unë mora ftesën që të jem vetëm imazhi i këtij katalogu dhe natyrisht duke parë idenë që ishte për “100 vjetorin e Pavarësisë” pranova me kënaqësi. Për fustanet është kujdesur shtëpia e modës Menakon në Gjilan, për grimin Valmira Maxhuni, dhe për flokët Salloni Neë Fashion në Prishtine.

Zhurnal plus: Do vazhdoni karrierën si foto modele apo gjithçka do përfundoj me kaq?

Elvana: Nuk e di. Ky është katalogu i parë për të cilin kam pozuar, pavarësisht sesioneve të mëhershme që kisha të realizuar nga fotograf të ndryshëm. Po e shoh që katalogu është komentuar e pëlqyer tej mase si nga mediat ashtu edhe nga publiku. E në rast se publiku dëshiron të më shoh edhe në këtë fushe atëherë po pse jo?!...

Zhurnal plus: Me qen se jeni studente në degën e Shkencave Politike dhe atë të Gazetarisë në të ardhmen e afërt do iu shohim si gazetare apo si politikane?

Elvana: Të dyja janë pjesë e pandashme e imja dhe natyrisht që do mundohem që kontributin tim ta jap në të dyja degët, mirëpo përparësia qëndron tek dashuria ndaj botës së medias andaj më tepër si gazetare.

Zhurnal plus: Planet tuaja për të ardhmen?

Elvana: Planet e afërta janë përfundimi i studimeve si dhe vazhdimi i përmbushjes së projekteve në këto fusha pjesë e së cilave jam tash e sa vite. Ndërsa ato afat gjate natyrisht se do bëhen publike me kohë.

Zhurnal plus: Elvana ishte kënaqësi qe zhvilluam intervistën me ju, portali jonë do vazhdoj t’iu përkrah punën dhe aktivitetet tuaja. Suksese!


Elvana: Kënaqësia ishte e imja, faleminderit juve dhe përshëndetje për gjithë lexuesit tuaj.

Poezia është nektar i shpirtit e shprehur në fjalë


Intervistë për “Zhurnal plus” me Mimoza Cufaj- Rexhvelajn, poete dhe studiuese


Mimoza Cufaj Rexhvelaj ka lindur në Fier. Është e rritur me bukuritë e Malsisë së Madhe dhe në qytetin e Durrësit. Ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës. Në korrik të vitit të kaluar përfundoi masterin për etnokulturë dhe mbrojti temën “Vështrim mbi Poezinë e Diasporës Shqiptare”. Aktualisht punon si drejtoreshë e Shkollës Nëntëvjecare “Hilë Mosi” në Shkodër.Ka botuar tri libra me poezi: “Dashuri, ti je mëkati im”, “Fshima lotin “ dhe “Jepi fjalës kohë”

“Zhurnal plus”: Keni mbrojtur masterin për etnokulturë me temën “Vështrim mbi poezinë e diasporës shqiptare” ( 3 poetë të spikatur të mërgatës shqiptare: Kolec Traboini, Gjekë Marinaj dhe Fatmir Terziu ). Duke pasur parasysh se në diasporë jetojnë dhe veprojnë edhe shumë autorë të tjerë, pse u përcaktove për këta tre autorë?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Kur mora temën, mendova që të sjell diçka të re në tempullin e dijes, të falem në altarin e vyer ku vlerat shpalosen, ku secili nga ne do të dëshironte të ishte një emër i skalitur. Nga fusha e madhe e letrave të shpërndara nëpër Diasporën e largët, zgjodha mes shumë aromave poetike ato që për kohën mbartin vlera të veçanta,ku bota po i vlerëson, duke i ngritur në majat e vlerësimit, ndërsa në vendin e tyre ngelen të mbuluar nga pluhurat e kohës,të çmendur nga antivlerat, duke harruar vlerat e vërteta. Si një poete e re, mes kontakteve të mia dhe mbështetjes së kolegeve të mi, mora shumë vëllime poetike të botuara kohët e fundit dhe përzgjodha tre zëra si përfaqësues të letërsisë shqipe nga shqiptarët që jetojnë e punojnë larg atdheut.
Jam përpjekur të spikas risit dhe figurat që dominojnë në shtypin e kohës dhe jetën e gjallë të letrave. Kjo është një nisem, jam e ndërgjegjshme se ka shumë të tjerë që kanë kontribut më shumë , nuk kam përdorur peshore thjeshtë intuitën dhe ndjeshmërinë time në përjetimin e veprave dhe vlerave që mbartin këto autor. Ata i bashkon e kaluara e hidhur e diktaturës,persekutimi dhe mohimi i të drejtës për të thënë fjalën e lirë. Një poeti, kur i mohohet fjala, ai është i dënuar me vdekje. Në rrethana e kushte të vështira ata u larguan nga atdheu drejt tokës së premtuar, duke marrë me vete mallin dhe dashurinë për tokën mëmë, që kurrë s’e harruan,dashurinë për gjuhën dhe njerëzit. Këto ndjesi përjetohen përmes vargjeve dhe poezive që janë kushtuar vendit, si mënyrë për të ngushëlluar vetën dhe shpirtrat e trazuar nga largësia në kohë e hapësirë.

“Zhurnal plus”: Pse Kolec Traboini, Gjekë Marina dhe Fatmir Terziu?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Koleci i bën skanim të realitetit të sotëm duke diagnostikuar sëmundjet e shoqërisë. Poezia është si gurët e kalasë , një nga një ngrihen me madhështi në kalanë ‘Traboin’ që me forcë i reziston kohës .
Traboini dallon për vlera të veçanta në artin shqiptar ,ai integron poezitë me kinematografinë, duke realizuar dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe duke ringjallur vlerat e harruara album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura .
Gjekë Marinaj sjell një frymë të re letrare Protonizmin.
Ai ka pasuruar bibliotekën shqiptare me përkthime të veprave letrare botërore dhe të kulturës shqiptare.
Ai ka ngritur një urë lidhëse mes botës letrare amerikane dhe asaj shqiptare, duke përkthyer nga anglisht-shqip perlat e letërsisë, por dhe duke e bërë të mundur që emrat e shkrimtareve shqiptarë, zërave më të mirë të kohës ,të njihen nga lexuesi amerikan.
Marinaj ka futur Kadarenë në programin e universitetit amerikan, ka botuar në anglisht bashkë me poetin e talentuar anglo-amerikan Frederick Turner tekstin “Epika legjendare shqiptare”, që do të hyjë si tekst i rekomanduar universitar në vitin 2013 .
Duke mos mohua vlerat e poezisë së tij unike.
Fatmir Terziu i këndon poezisë me melodinë e shpirtit të dhimbjes, mallit që djeg gjoksin në mungesë, për shumë kohë të atdheut. Ai, qorton kohën dhe padrejtësitë e bëra nga historia, nga njerëzit që pranuan në heshtje shtypjen dhe diktaturën, ku në muret e çara valëviten ëndrrat e vrara, që bëjnë sehir si relikte të vjetra. Por ai nuk fle, ai zgjon shpresat për ditën e re, për fillim e ri.
Fatmir Terziu, Ambasador i poezisë, shpalos vlerat e artit duke bërë të njohur vendin tonë të vogël por që ka dhënë shumë për letërsinë, duke shpalosur krijimtarinë dhe duke u vlerësuar me çmim.
Mjeshtër i penës, puna e tij është vlerësuar nga shtypi dhe kritika e kohës, është i pëlqyer nga lexuesi, i cili gjen veten në vargjet e Fatmirit, sidomos lexuesi që jeton jashtë, duke shuar mallin dhe dhimbjen, që ka për vendlindjen.

“Zhurnal plus”: Gjatë verës së kaluar ishit pjesëmarrëse në Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Si kalove?Përshtypjet nga ky manifestim?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Ishin nga ditët më të bukura të jetës sime. Nuk mund ta harroj mikpritjen e qytetarëve të Strugës, që shumë janë miqtë e mi sot. Manifestim madhështor, shpalosje kulturash e bashkim zemrash njerëzore, të flasësh me gjuhën e artit pa kufij, duke tejkaluar e kapërcyer çdo pengesë. Aty ishim të gjithë bashkë, ishte poezia gjuha dominuese.

Zhurnal Plus: Na thuaj diçka për shkollën që drejton! Sa nxënës ka, sa mësues? A është e vështirë ta menaxhosh një shkollë?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Shkolla ime ka 500 nxënës dhe 35 mësues. Kam pasur fatin të drejtoj një staf të mrekullueshëm, mësuesit janë shumë të zotët në punën e tyre dhe human. Punojnë me shpirt, duke dhënë më të mirën e mundshme që të përgatisin brezat e ri të ecin me hapin e kohës, me frymën e globalizmit dhe mbi të gjitha me ndjenjën e atdhedashurisë. Të edukosh brezat është punë e vështirë, por kur e bën me shpirt të jep kënaqësi që po kontribuon për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe shoqërinë.

“Zhurnal plus”: Ka një qortim për kritikën se ajo nuk e luan plotësisht rolin e duhur për afirmimin e shkrimtarëve të rinj. Mendimi juaj ?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Për mendimin tim kritika sot është në gjumë letargjik. Le të shpresojmë të zgjohet nga gjumi dhe të vlerësojë vlerat e vërteta. Jo ta kthejë misionin e saj në biznes të rëndomtë. Duhet të jetë ajo që të drejtojë lexuesin drejt artit të vërtetë në këtë bum botimesh.

“Zhurnal plus”: Si mendon, nga ndryshon poezia e një poeti nga ajo e një poeteshe?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Nuk besoj që ka ndryshime. Poezia është nektar i shpirtit që shprehet në fjalë, them që poeteshat janë pak më të ndjeshme nga vetë natyra e tyre. Por nuk mund të gjykoj magjinë e shpirtit. Çdo poezi është ndërthurje hyjnore, është produkt i ndjesive tona.

“Zhurnal plus”: Çka përfaqëson për ty Shkodra. Si është jeta kulturore, letrare ,artistike atje?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Shkodra është djep i kulturës. Shkodra është art i gjallë që ecën në shekuj duke rrezatuar vlerat më të larta. Shkodra merr frymë me arte dhe prodhon arte.

“Zhurnal plus”: Je shume aktive në rrjetin social dhe ke edhe fotografi të bukura, mbase je drejtoresha më seksi e ndonjë shkolle në Shqipëri. A ke qenë ndonjëherë në kopertinat e revistave?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Po, kam qenë, me kanë vlerësuar për artin e fjalës e jo për bukurinë. Faleminderit ju për komplimentin! Njerëzit janë mësuar të shikojnë drejtoresh jo në moshë të re, por unë e dua punën time dhe e bëj me shumë dashuri. Jam me fat që më është besuar ky mision të edukoj brezat e ri.

“Zhurnal plus”: Si ishte viti 2012 për ju dhe çka pret nga 2013?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Ishte një vit i suksesshëm, ku kam shënuar disa data që do t`i kujtoj gjithë jetën, plot me emocione, një nga këto ishte dhe Mbrëmja Poetike në Strugë. Meqenëse jam e angazhuar politikisht shpresoj që viti 2013 të jetë viti i fitores së madhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Shpresoj të jetë viti i bashkimit kombëtar. Kjo është ëndrra më e madhe që kam. Të jem pjesë e realizimit të këtij projekti madhështor.

“Zhurnal plus”: Kush të ka frymëzuar të angazhohesh në politikë, Jozefina Topalli apo Çiljeta dhe Greta Koci? Çfarë synimesh ke në politikë? Ëndërron të bëhesh ministre,deputete apo?Pse je me Sali Berishën e jo me Edi Ramën ose ndonjë tjetër?

Mimoza Cufaj Rexhvelaj: Babai im i ndjerë, i cili ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike në hapat e parë, ai vinte nga shtresa e të përndjekurve politikë, me 12 vjet burg mbi shpatulla për fjalën e lirë. E humbi jetën tragjikisht, duke lënë në mes rrugën e tij të nisur. Kam filluar të eci aty ku e la ai për të përmbushur misionin e tij për Liri dhe Demokraci. Pak rëndësi kanë postet, ato janë te përkohshme, unë punoj për të pavdekshmen. Dua te jem një pishtar për njerëzit e drejtë, për të treguar se vlerat triumfojnë gjithmonë. Jam me Sali Berishën sepse ai po i bën reale për shqiptarët ëndrrat e ndaluara. (Intervistoi: E.Neziri)

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...